Nga Ylber Merdani
Memorie.al / “Diçka kishte për të ndodhur, por konkretisht se çfarë, askush nuk mund ta dinte. Gjithkush prej nesh, kishte filluar të kishte një parandjenjë të keqe, një farë ankthi, që dukej sikur kishte filluar të rrinte pezull, mbi të gjithë ne të burgosurit e burgut të Spaçit. Po na dukjes sikur hija e vdekjes po na kalonte pranë, gjithnjë e më shpesh, prekte me bërryl secilin nga ne dhe largohej. Kjo ndjesi filloi të ndihej ndoshta që dy javë më parë se të shpërthente Revolta e Spaçit. Dy javë para fillimit të revoltës, u duk një tufë e madhe korbash, pis të zeza, që kaluan sipër kokave tona. Ato fluturuan mbi kampin tone, me një fëshfëritje të fortë, ashtu siç ndodh kur plumbat, fërkohen me ajrin dhe bënë drejt kodrave që ndodheshin përtej përroit, përballë me kampin tonë.
Në atë kodër, prej kohësh qëndronte e shkruar me gurë, një parullë e madhe: “Popull – Parti – Enver”. Sorrat e zeza, që deri atë ditë nuk i kishim parë kurrë të shfaqeshin, u ulën mbi çdo gur të parullës së madhe. Parulla u bë krejt e zezë, ashtu si vetë korbat. Krrakaritjet e tyre, nisën të dëgjoheshin çdo ditë. Fillimisht, askush nuk u kushtoi ndonjë rëndësi të veçantë mbërritjes së korbave, as krakaritjeve të tyre dhe as vendqëndrimit të tyre, mbi gurët e parullës.
Atij që iu duk e pazakonte prania e sorrave, ishte qeni ynë, i të burgosurve, që ne e thërrisnin “Tarti”. Që nga çasti i parë, kur ai ndjeu praninë e tyre, ngriti kokën përpjetë dhe nisi të angulliste me një zë të përvajshëm, që të ngjallte frikë. Dukej sikur ishte paralajmërimi i vdekjeve, që kishin për të ndodhur në kampin tonë. Fillimisht, nuk deshëm t’u besonim as angullitjeve të “Tartit”, por thellë-thellë, parandjenja e keqe se diçka do të ndodhte, kishte filluar të zinte vend edhe në shpirtin tonë. Po ndodhte kështu, ndoshta nga që njerëzit e komandës së kampit, po shndërroheshin gjithnjë e më shumë, në katilë të vërtetë, ndaj nesh, ndoshta nga që edhe zemërimi i të burgosurve, po bëhej edhe më i madh.
Mes njerëzve të komandës së burgut dhe të burgosurve, hendeku ishte thelluar shumë. Një det i madh zemërimi, qëndronte mes nesh. Të gjitha këto, të bënin të besoje te parandjenja se, së shpejti, diçka do të ndodhte. Tashmë, edhe prania e korbave që fluturonin çdo ditë mbi kokat tona dhe ndaleshin në kodrën ku ishte parulla, kishin filluar t’i jepnin kuptim parandjenjës tonë. Edhe angullimat e “Tartit”, nuk ishin gjë tjetër veçse, një dëshmi e tij, si për të na treguar se, edhe ai i ishte bashkuar shqetësimit tonë.
Mëngjesi i 21 majit 1973
“Ishte mëngjesi i 21 majit 1973, kur gjithkush prej nesh nisi të besonte se atë ditë, do të ndodhte ajo që ishte parandier për ditë dhe javë me radhë. Fillimisht, edhe mëngjesi i 21 majit, nuk pati ndonjë gjë të veçantë, për askënd. Gjithçka po vinte si një rutinë e zakonshme, pa asgjë të re në thelb, ashtu siç kishte qenë edhe një ditë më parë, edhe një javë më parë, edhe një muaj më parë…! Korbat, sapo kishin fluturuar mbi kokat tona, për të qëndruar te parulla: “Popull – Parti – Enver”. Qeni ynë, “Tarti”, kishte zënë vend mbi tarracë dhe u lehte korbave që vinin rrotull. Nënoficeri Mark Tuci, po kalonte përmes sheshit të kampit, duke u drejtuar nga dhomat e izolimit, ashtu sikurse nënoficerët e policisë, bënin çdo mëngjes, për t’u marrë të dënuarve me izolim, batanijet që ua kishin dhënë në mbrëmje për të fjetur.
Të burgosurit e tjerë, ishin ngritur nga gjumi pasi në orën 06.20 minuta, duhej të gjendeshin të rreshtuar mbi soletën e ndërtesës së dusheve dhe banjave, (aty ku ishte dhe “Tarti”), sepse pikërisht në këtë kohë, bëhej nisja për në punë. Çdo brigade, duhej të kishte në krye të saj, brigadierin dhe rojën e punës (një nënoficer). Në krye të rreshtimit, qëndronte brigada e investimeve, pas saj, vendosej brigada e armatorëve dhe pas tyre, viheshin në radhë brigadat e tjera sipas zonave, duke filluar nga zona nr. 1, e kështu me radhë. Kur gjithçka ishte gati, vinin policët, ku secili prej tyre, merrte në dorëzim me firmë, numrin e të burgosurve për çdo brigadë. (Aq duhej te ktheheshin në përfundim të turnit, gjallë ose vdekur). Por atë ditë nuk ndodhi kështu.
Rrjedha e zakonshme e ditës, u ndërpre krejt papritur. Kur Mark Tuci, kishte hapur dhomat e izolimit, nga njëra prej tyre, u pa të dilte me rrëmbim, Pal Zefi, i cili ishte dënuar me një muaj izolim, sepse, nuk dëshironte të shkonte në punë. Gjithkush nisi të vështronte andej, për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Zefi, përshkoi me shpejtësi, një pjesë të oborrit, rrëmbeu një hekur që e gjeti të hedhur aty dhe po atë çast, vrapoi drejt barakës më të afërt, i vuri shpatullat pas dërrasave të saj, që të ishte i mbrojtur nga krahët dhe pastaj thirri: “Askush të mos afrohet”! Mënyra se si e mbante hekurin në dorë dhe pozicioni që kishte zënë, të krijonte përshtypjen se ai vërtet nuk kishte ndërmend të lejonte ndokënd që t’i afrohej.
Ishte i ri, vetëm 33 vjeç. Nëse dikush do të guxonte të bënte të kundërtën, atëherë hekuri që gjendej në duart e tij, do të përfundonte në kokën e agresorit. Zefi, ishte dënuar me 10 vjet heqje lirie, për agjitacion dhe propagandë. Ishte nga Rrushkulli i Durrësit, por me origjinë nga Malësia e Shkodrës. Vdekja, dukej sikur po vërtitej, nëpër ambientet e kampit. Sorrat që kishin rreth dy javë që ishin shfaqur në burgun e Spaçit, kaluan sipër nesh, ndërsa “Tarti”, lëshoi sërish atë zënë e tij të përvajshëm, që të rrëqethte. Për drejtuesit e komandës së burgut, tashmë gjithçka ishte e qartë. Arrestimi i Zefit, nuk do të ishte i lehtë. Veprime të paparashikueshme, mund të ndodhnin dhe situata mund të dilte jashtë kontrollit.
Tentativa për arrestimin e Pal Zefit
“Nënoficer Tuci, nuk donte të tërhiqej, ishte detyrë e tij të kapte këtë të burgosur dhe ta detyronte atë të hynte përsëri në dhomat e izolimit, por Zefi vazhdonte me paralajmërimin e tij: “Askush të mos afrohet”! Tuci kishte mbetur në një mëdyshje pothuajse të plotë, nuk ishte i sigurt, nëse duhej t’i afrohej Pal Zefit, ose jo. Të burgosurit vështronin herë nga nënoficeri, herë nga kolegu i tyre. Ankthi ishte i madh. Zefi, vazhdonte të shtrëngonte hekurin që mbante në dorë. Nëse ai do të rezistonte, kjo do të ishte një fitore e madhe, për çdo të burgosur, por edhe e kundërta, dorëzimi pa kushte i tij, do të ishte një humbje po kaq e madhe për ta.
Njeriu i komandës së burgut ende vijonte të qëndronte i stepur. Për të, gjithçka po bëhej edhe më e qartë; nëse do të guxonte të afrohej, atëherë ai edhe mund të mbetej i vdekur, i goditur nga shufra e hekurit. Zemërimi i Palit, ishte i madh, paparashikueshëm, i frikshëm. Hekuri në duart e tij, ishte shndërruar në një armë vdekjeprurëse, për gjithkënd që do të vepronte kundër vullnetit të tij. Prisnin çdo të ndodhte. Atë çast, vunë re se nënoficeri, hoqi dorë nga vendosmëria e tij, për të detyruar Zefin të kthehej në dhomën e izolimit. Tuci, kishte vendosur të kërkonte ndihmën e komandës. I vetëm, do ta kishte të pamundur, të ndërmerrte ndonjë hap që të rezultonte i suksesshëm. Vështrimet e të burgosurve të tjerë, po bëheshin më të ashpra. Nuk ishte çudi që ata, të hidheshin në sulm, madje dukeshin sikur po hidheshin…!
Pikërisht në këtë kohë, kur Tuci vendosi të kërkonte ndihmën e komandës, Pal Zefi, braktisi barakën ku kishte zënë vend dhe u ngjit mbi tarracën e ndërtesës, aty ku gjendeshin edhe të burgosurit e tjerë që do të niseshin për në punë. Mes të burgosurve, u ndje më mirë. Çuditërisht, të gjithë panë se si, edhe “Tarti”, shkoi pranë Pal Zefit, duke e vështruar çuditshëm, si për t’i thënë: “E kuptoj, asgjë nuk ka për të përfunduar me kaq”. “Tarti”, ky qen i çuditshëm, përcillte të burgosurit për në punë, çdo mëngjes. Ai nisej me të burgosurit e turnit të parë, i çonte ata në minierë, ose më saktë deri te vendi që quhej “kthesa” dhe kthehej përsëri në kamp, me ata që kishin përfunduar turnin e tretë.
Më pas, çonte në punë turnin e dytë dhe sillte në kamp ata që kishin përfunduar turnin e parë. Çuditërisht, ai qen ishte gjithnjë i vëmendshëm. Edhe tani që diçka ishte duke ndodhur, ai dukej sikur përpiqej të kuptonte diçka më shumë. “Tarti”, ishte një krijesë mjaft inteligjente; sa herë që në kamp sillnin të burgosur nga rrethet, ai u afrohej pranë dhe sillej miqësisht me ta, sikur t’i kishte njohur prej kohësh, kur ndodhte që në kamp të hynin njerëz të Prokurorisë, apo nga Ministria e Brendshme, atëherë ulërima e tij, ishte një piskamë e vërtetë, ashtu siç kishte filluar të bënte që prej dy javësh, që nga dita e pare, kur pa se mbi kamp, po fluturonte një tufë e zezë korbash. Megjithatë, sido që të ndodhte, “Tarti” e kishte zgjedhur pozicion e vet, ai do të qëndronte si gjithnjë me të burgosurit.
Alarmimi i komandës
Situata ishte bërë edhe më e nderë. Nënoficer Tuci, sapo kishte vënë në dijeni oficerin e rojës së repartit, Fejzi Liçon. Ai bënte detyrën e Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit. Edhe ky i fundit, që me sa duket kishte mbetur i tronditur nga lajmi që sapo kishte mësuar, kishte vënë në dijeni, pa asnjë vonesë, oficer Sulejman Manokun, kryetarin e Degës së Zbatim Vendimeve Penale. (Gjithçka mbi veprimet e komandës, do të mësohej më vonë). Drejtuesit e kampit, kishin mbetur të befasuar; si ishte e mundur që, një i burgosur, të mos i bindej asnjë urdhri?! Komanda, doli me një vendim të prerë: “Pal Zefi duhej të kthehej në dhomën e izolimit, një çast e më pare”. E kundërta nuk duhej të ndodhte. Që nga momenti i daljes së Pal Zefit nga dhoma e izolimit e, deri më tani, kur ishte dhënë urdhri i prerë i komandës, kishte kaluar më shumë se një orë.
Pal Zefi, vazhdonte të qëndronte në tarracë, mes të burgosurve. Edhe të burgosurit, prisnin të përballeshin me veprime të tjera. Befas, të gjithë panë se njeriu i Sigurimit të Shtetit, Fejzi Liço, i shoqëruar nga Mark Tuci dhe dy persona të tjerë, pasi u gjend afër me Pal Zefin, por jo aq pranë sa hekuri të arrinte mbi kokën e ndonjërit prej tyre, i kërkuan të burgosurit rebel, që të kthehej në dhomën e izolimit. Ndërkaq, si për të treguar se ishin miqësorë me të burgosurin, pavarësisht se ai kishte thyer rregullat, tentuan të hedhin edhe një hap tjetër përpara, por hekuri që Zefi mbante në dorë, u ngrit përpjetë.
Nëse do të ndodhte që punonjësit e komandës të bënin hapin fatal, atëherë dikush prej tyre, do të gjente vdekjen e sigurt. Oficerët dhe nënoficerët u shtangën. Kuptuan se nuk mund të bënin dot asgjë. Vështruan nga të burgosurit. Edhe sytë e tyre ishin errësuar edhe më shumë, vështrimet ishin bërë edhe më të ftohta dhe më të frikshme. Të gjithë, dukeshin sikur thoshin: “Largohuni që këtej, Pal Zefi, është i pafajshëm, ai nuk mund të kthehet më në dhomën e izolimit, ai nuk dëshiron të punojë dhe për këtë, askush nuk mund ta detyrojë”. Pal Zefi po ndiente mbështetjen e bashkëvuajtësve.
Luftë nervash…!
Megjithatë, edhe njerëzit e komandës, nuk mund të tërhiqeshin. Tërheqja e tyre, do të dukej mposhtje, shenjë frike, do të vlerësohej si një humbje dhe fitore e të burgosurve. Të burgosurve, nuk u duhej lënë asnjë shkak, që të besonin se ata ishin më të fortë, se ata mund të fitonin, se atyre mund t’u plotësoheshin qoftë edhe një herë të vetme, dëshirat e tyre. Kjo nuk mund të ndodhte. Ndërkohë, në sheshin e burgut, u duken punonjës të tjerë të kampit, që po vinin në ndihmë të Fejzi Liços. Ky i fundit, hodhi mbi të burgosurit një vështrim triumfator. Tashmë, mund të thuhej se, njerëzit e komandës, ishin të mjaftueshëm, për t’u hedhur në sulm, për arrestimin e Pal Zefit.
Pasi i kërkuan edhe një herë që të dorëzohej, vendosën të bënin përpara. Në ndihmë të punonjësve të komandës, erdhi edhe Medi Noku, kryetar i Zyrës Teknike (një i burgosur). Gjatë këtyre sekondave, hekuri në duart e Pal Zefit, kishte bërë një hark, duke u ngjitur lart dhe pas kësaj, po ashtu si një shkreptimë, ishte ulur me shpejtësi, mbi kokën e Nokut, por ky i fundit, që kishte pikasur se çdo të ndodhte me të, i ktheu kurrizin, duke dashur tashmë të largohej, por shufra e hekurit, kishte zbritur mbi kurrizin e Nokut, i cili atë çast u gjend i shtrirë për tokë.
Tarti, qeni i të burgosurve…!
Pas kësaj, edhe punonjësit e tjerë të Komandës, nisën përpjekjet për arrestimin e Pal Zefit, por nuk po ia mbërrinin dot. Në ndihmë të Palit, po hidheshin edhe te burgosurit e tjerë. Edhe qeni “Tarti”, kishte kuptuar se çfarë duhej të bënte. Ai i sulmonte policët nga këmbët, ulërinte fuqishëm dhe përpiqej të ndalte vrullin e tyre. “Tarti”, po shndërrohej në një krijesë të frikshme. Nuk dihej kush do të fitonte, komanda apo të burgosurit?! Lufta psikologjike, ishte e fortë. Erdhi një çast që njerëzit e komandës, e arrestuan Zefin. Ishte një çast, kur gjithë turma, ndjeu humbjen e frikshme, por befas, e kishte mbledhur veten. Pas këtij çasti, do të shndërrohej në një uragan.
Dikush kishte thirrur: “Lëshojeni”! Ishte një thirrje, që dilte nga thellësitë e tmerrit, e vuajtjeve dhe e dëshpërimit. “Lëshojeni”! Vetëm lirimi i Pal Zefit, do të ishte për të burgosurit, një “dritë e ndezur”, në shpirtrat e tyre, një kthjellim i vërtetë për ta. Kishte nisur përleshja. Të burgosurit, qëllonin me çfarë mundeshin, grushte e tulla. Të tjerë të burgosur, kishin nisur të thërrisnin: “Ja vdekje, ja liri”! Kishte mjaftuar kjo thirrje ,që 6 burrat e komandës, të lëshonin Pal Zefin. Nisën t’i kërkonin turmës, që t’u hapte rrugën dhe të largoheshin që andej, një çast e më parë, madje mundësisht, të bëheshin të padukshëm, sikur nuk kishin qenë ndonjëherë aty më parë. Turma, e kishte kuptuar: ishte më e mirë një fitore pa gjak. Njerëzit e komandës, po largoheshin, ashtu siç ikin dhelprat, kur kuptojnë se gjahtari është aty afër.
Ata po largoheshin “me bishtin ndër shalë”, madje pa u merakosur që kapelet me yllin e kuq komunist, u kishin mbetur nën këmbët e të burgosurve. Por çfarë do të ndodhte pas kësaj?! Pal Zefi, ishte çliruar nga kthetrat e nënoficerëve dhe ishte përsëri aty mes shokëve. Ai ishte trim, ishte 33 vjeç. Vështroi me mirënjohje ata që ishin kacafytur me nënoficerët. Ata ishin shumë: Dashnor Kazazi, Syrja Lame, Jorgo Papa, Pavllo Popa, Pandi Sterjo, Hasan Ribo, Muharrem Dyli, Rezhep Lazri, Sulo Veshi, Fadil Dushku, Theofilo Gjika…! Po kaq mik i paharrueshëm, do të mbetej edhe qeni, “Tarti”! “Ne do të fitojmë”! – tha Pal Zefi. Ndoshta ishte kjo fjalë e tij, që i bëri të burgosurit të gjithë bashkë. Ata kishin vendosur që tashmë, revoltës që kishte shpërthyer, t’i shkonin deri në fund. Pas kësaj ngjarjeje, drejtuesit e kampit, u detyruan të vinin në dijeni Degën e Punëve të Brendshmen, dhe më pas edhe ministrinë përkatëse.
Kishin ikur të gjithë
Në ambientet e jashtme të burgut të Spaçit, nuk shihje askënd tjetër, veçse të burgosur dhe rojet, që nuk dinin se çfarë duhej të bënin. Thuhej se gjithë njerëzit e komandës, ishin mbledhur në një nga zyrat e tyre dhe debatonin mes panikut dhe frikës, se si mund të dilnin nga kjo gjendje, në të cilën e shihnin veten të mbërthyer keqazi…! Komisari i repartit, Shahin Skura dhe Sulejman Manoku, tentuan të bisedonin me të burgosurit, që këta të fundit, të zbatonin rregullat dhe ligjet, por askush prej të dënuarve, nuk iu bind. Të burgosurit u përfaqësuan nga Syrja Lame dhe Njazi Bylykbashi. (Të dy u ri dënuan pas revoltës). Drejtuesit e komandës, ishin larguar përsëri të pafuqishëm. Tashmë askush prej tyre, nuk po dukej në shesh. Një zjarr i madh, ishte ndezur në shpirtrat e të burgosurve.
E kishin pritur këtë çast. Kishin gati dy javë që përcilleshin nga një parandjenjë, se në kampin e tyre, diçka kishte për të ndodhur. Paralajmërimi, fillimisht kishte ardhur nga tufa e korbave pis të zeza, që fluturonin mbi kamp dhe uleshin mbi gurët e parullës, ku shkruhej: “Popull – Parti – Enver”, por, edhe nga “Tarti”, që angullinte përvajshëm, e bëhej më i shqetësuar në çdo ditë që kalonte. Situata vazhdonte të ishte alarmante. Ende nuk po gjendej një zgjidhje. Ndërhyrja me forcë, nga ana e komandës, shihej si e pamundur. Koha kalonte. Njerëzit e komandës, ishin duke pritur edhe mbërritjen e grupit operativ të Degës së Punëve të Brendshme të Rrëshenit. Ata mbërritën rreth orës 16.00.
U mblodhën përsëri në një nga zyrat e komandës dhe nisën të marrin në shqyrtim situatën. Kaloi një orë dhe askush nuk kishte mundur të dilte, me një vendim. Kaloi edhe një orë tjetër dhe përsëri heshtje. Të burgosurit ishin në ankth. Çfarë do të ndodhte vallë? Nuk ishin të sigurt nëse komanda kishte nisur të ndihej e pafuqishme apo ndonjë e papritur tjetër po përgatitej nga ana e tyre. Të burgosurit vazhdonin të hidhnin parulla të tilla, si: “E duam Shqipërinë të lirë”! “Roftë liria”!, “Rroftë Evropa e lirë”!, “Jemi të pafajshëm”! etj. Unë, së bashku me Ulsi Pashollarin, nisëm të ngjisnim me marmalatë nëpër mure, parulla të tilla, ku kërkonim ngritjen e një komisioni amerikan, për verifikimin e dosjeve me krimet e diktaturës komuniste të regjimit në fuqi.
“Kali i Trojës”!
Megjithatë, rreth orës 18.00, policë dhe njerëz të Sigurimit të shtetit, nisën të vinin në zbatim planin e “Kalit të Trojës”. Ata u dërgonin lajm të burgosurve, se dikush i kërkonte dhe pasi arrinin t’i shkëpusnin, duke i nxjerrë deri në anën e pasme të kuzhinës, i arrestonin, sepse ai vend, ishte i pakapshëm nga syri i të burgosurve të tjerë. Me të njëjtin plan, arrestuan edhe Pal Zefin. Të burgosurit, e panë arrestimin e tij, në çastet e fundit. Po atë çast u dëgjua zëri i fuqishëm i Dervish Bejkos. “Mos e arrestoni, mor të poshtër”! Edhe të burgosurit e tjerë, u hodhën në përleshje, por tashmë Zefi, u kishte ikur nga duart. Fill pas arrestimit, e kishin nisur me urgjencë drejt Degës së Punëve të Brendshme të Rrëshenit. Të njëjtën skemë kishin përdorur edhe me Syrja Lamen.
Tashmë ishte çasti, kur po tentonin të arrestonin dhe Pavllo Popën, por ndërkaq, turma e të burgosurve e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte me njerëzit e vet. Instinktivisht, nisën të grumbullohen e të rrinë bashkë, pranë njëri- tjetrit. Një pjesë e të burgosurve, kishte zënë vend mbi tarracën e dushit dhe pjesa tjetër, në oborrin e kampit. I dënuari Popa, po u thoshte oficerëve, se ishte i gatshëm të vinte vetë, pa u lidhur, por ndërsa po ecte i shoqëruar nga nënoficerët, turma lëvizi si një përbindësh. Thirrjet ishin të forta dhe të fuqishme. Lëvizjet e tyre kishin vetëm një kumt: “Mos shko vëlla, ktheu këtu tek ne, nëse shkon me ta, nuk ke për t’u kthyer më kurrë”. Popa, bëri edhe dy hapa para dhe pastaj qëndroi në mes të rrugës, si një gur që nuk mund të rrokulliset më tej dhe tha: “Po shkoj te shokët”.
Dyluftimi ishte i heshtur. Ata nuk mund të përdornin as dhunë, as forcë, sepse kishin frikë se turma, mund të shndërrohej në një përbindësh. “Mirë, – i thanë, – shko, por dije se ne do të të marrim, ti nuk mund të shkosh dot asgjëkund tjetër”. Popa u la i lirë. Ishte një fitore tjetër e të burgosurve. Tashmë, duhet të ishin ata që të hidheshin në ofensivë. Ishte çasti kur guximi i komandës, ishte në rënie, turma po fitonte. Atë çast, morën vesh se, njëri prej hetuesve dhe prokurori, ndodhej në infermieri. Kjo u nxiti dëshirën, që t’i merrnin peng dhe pas kësaj, të ishin ata që të diktonin kushtet e tyre, por ata kishin mundur ta pikasnin, atë çka po thurej prej të burgosurve. Rojet e brendshme të kampit, arritën t’i nxjerrin nga infermieria, duke shfrytëzuar një dalje tjetër. Edhe te radhët e hetuesve dhe prokurorëve, kishte hyrë paniku.
Çdonjëri prej tyre, edhe pse duhej të tregohej trim, ndjente frikën e vdekjes, për shkak të ndonjë sulmi të papritur, nga njerëzit e rebeluar. Sipas tyre, “bisha” ishte bërë e rrezikshme. Numri i të burgosurve, që po ktheheshin në protagonist, po bëhej gjithnjë e më i madh. Ata që hidhnin parulla kundër pushtetit popullor, po bëheshin gjithnjë e më të shumtë. Befas kishte nisur përleshja e radhës. U gjakosën shumë veta. Së fundi, njerëzit e komandës ishin larguar përsëri. Pas kësaj, u duk sikur gjithçka u qetësua. Ata kërkonin të krijonin përshtypjen se, ai që e kishte fajin, Pal Zefi, u arrestua, me të tjerët nuk kemi asgjë. Gjithkush, duhet t’u bindet rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe asnjë masë nuk do të merret. Por, kishte qenë vetëm një heshtje e rremë…!
Përballë me rojet
Turma, po bëhej e papërmbajtshme. Të burgosurit, kishin mbetur ballë përballë, vetëm me rojet e brendshme të burgut. Njerëzit e komandës, vazhdonin të mbeteshin të mbërthyer nga paniku. Erdhi një çast kur të burgosurit, deshën të sulmonin rojet, me gjithçka mundeshin. Nëse do të ndodhte kjo gjë, sigurisht që kasaphana e vërtetë do të ndodhte, në anën e të burgosurve. Por, edhe drejtuesit e komandës, ndoshta nuk e donin një tragjedi të tillë. Nuk dihej se çfarë mund të ndodhte pas kësaj, nëse në këto ambiente, prej trupave të të burgosurve, do të derdhej një lumë gjaku. Ata ishin të moshave të ndryshme, nga krahina të ndryshme, shumë prej tyre i kishin futur në burg, vetëm pse kishin influencë të madhe, në krahinat dhe zonat ku jetonin.
Turma e të burgosurve, bëri përpara. Dy forcat kundërshtare u vunë përballë njëra-tjetrës. Të burgosurit, bënin një hap para, rojet një hap prapa. Qëndronin një çast, matnin me sy forcat e njëri-tjetrit, kuptonin kush ishte në avantazh dhe pastaj hidhej edhe një hap tjetër, rojet, sërish bënin prapa. Kështu ndodhi, deri sa njerëzit e armatosur, u tërhoqën nga zonat e brendshme dhe dolën në zonën e ndaluar. Vetëm aty nuk mund të shkonin të burgosurit. Dalja në zonën e ndaluar, do të thoshte vdekje e sigurt. Nëse ndodhte kështu, ushtarët do të ishin të detyruar të qëllonin. U shpresua që edhe turma të ndalej, sepse nuk mund të përballej me vdekjen, por fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Turma e të burgosurve, kishte vendosur të shkonte e gjitha drejt vdekjes së sigurt. Ishte pikërisht ky çast, kur u dha një urdhër tjetër, ushtarët duhet të dilnin jashtë zonës së rrethimit.
Të burgosurit
Tashmë, gjithçka ishte në dorë të të burgosurve. Komanda nuk kishte asnjë mundësi, që të vendoste rregullin e mëparshëm. Sikur të mos mjaftonte dueli që kishin fituar me rojet e burgut, kur të burgosurit, panë se gjithçka kishte mbetur në dorë të tyre, u drejtuan nga dhomat e izolimit dhe nxorën që andej shokët e tyre të izoluar. Ishte një fitore që po shijohej nga të gjithë. Turma ishte kthyer në një çmenduri të vërtetë. Nuk dihej se çfarë do të ndodhte më tej, ndoshta të burgosurit do të tentonin të merrnin edhe zonën e ndaluar. Frika, se mund të ndodhte edhe kështu, detyroi ushtarët, që të qëllonin me breshëri automatiku nga të gjitha drejtimet, mbi kokat e të burgosurve, por kësaj radhe, askush nuk po e ndjente frikën.
Për ta, ajo që po ndodhte atë çast, ajo breshëri plumbash, ishte vetëm një shpërthim fishekzjarrësh. Shumë prej të burgosurve nisën të hidhnin parulla të tilla si: “Ushtria është me ne”, “Populli është me ne dhe kundër jush”, “Shokë ushtarë, dorëzoni armët”! Në të gjitha ambientet e burgut, gjeje të burgosurit grupe-grupe. Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fishta, filluan të mbajnë fjalime, të recitojnë poezi me përmbajtje kundër pushtetit popullor e, të bënin thirrje për kryengritje etj. Ekzistonte vetëm një frikë, të burgosurit mund ta shpërthenin kampin. Ata tashmë ishin shndërruar në një tmerr të vërtetë.
Nata e parë e revoltës
Dita e parë e revoltës, kishte shënuar fundin e vet dhe nata kishte filluar të binte. Nuk kishte asnjë dyshim se për drejtuesit e komandës së kampit, do të ishte një natë ferri. Gjithë strategjia e tyre, ishte ta shtynte këtë natë të frikshme, pa ndonjë provokim ndaj të burgosurve, pasi në të kundërt e keqja mund të përhapej shumë shpejt dhe askush nuk do të ishte në gjendje të parashikonte se kush do të ishte fundi i saj. Ata mund të dilnin nga burgu dhe të përhapeshin në të gjithë Shqipërinë. Kur ende mëngjesi nuk ishte zbardhur mirë, drejtuesit e komandës, kishin marrë nga rojet njoftimin, se në katin e tretë të ndërtesë së tyre, të burgosurit kishin ngritur flamurin me shqiponjën dy krenare, por pa yllin e kuq!
Mbi bezen e jorganit të Neim Pashait, matjani Mersin Vlashi pikturoi shqiponjën. Ndrec Çoku, gjet një shkop dhe e përdori atë në vend të shtizës së flamurit. Ne e pagëzuam Ndrecën, me emrin e ri, “Ndrec Flamuri”. Megjithatë, ndërsa flamuri ngrihej mbi ndërtesë, ushtarët nisën të qëllonin me breshëri, por fatmirësisht, nuk pati të vrarë. Sigurisht, të qëlloje në ato çaste mbi trupin e të burgosurve, do të thoshte t’i hyje një aventure pa krye. Gjithë kampi, ishte në duart e të burgosurve. Dëshpërimi dhe urrejtja e tyre, i ngjante një deti të pafundmë. Mëngjesin e asaj dite, në kampin e Spaçit mbërriti edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Pasi u njoh me situatën, ai mori përsipër t’u drejtohej të burgosurve e të na kërkonte që ne t’i ktheheshim rregullit dhe zbatimit të ligjit. Zv/ministri foli relativisht gjatë, duke u përpjekur të na tregonte forcën e shtetit, ndëshkimin që do të binte mbi të gjithë ata që kishin marrë përsipër të thyenin ligjin, dhe vdekjen që do të merrte gjithkush që kishte guxuar të dilte kundër pushtetit popullor. Qëllimi i vetëm i tij ishte përhapja e panikut mes të burgosurve, që këta të fundit të kuptonin se hakmarrja ndaj tyre do të ishte e madhe dhe e pamëshirshme. Vetëm dorëzimi pa kushte mund të shpëtonte jetët e tyre.
Pritja…!
Pas fjalës së gjatë të zëvendësministrit, Feçor Shehu, pritej që të burgosurit, të shpallnin dorëzimin e tyre, por çuditërisht, askush prej të burgosurve, nuk iu bind thirrjeve të tilla, edhe pse gjithkush e dinte, se disa prej tyre do të dënoheshin me vdekje. Korbat pis të zeza, vazhdonin të kalonin mbi kampin e tyre, për t’u ndalur më pas në kodrën përballë, ku shkruhej me gurë një parullë e madhe. Ndryshe nga sa shpresonte zv/ministri, të burgosurit, në vend të përgjigjes, i nisën një të burgosur, që t’i çonte atij një zarf, ku të dënuarit i kishin renditur, të gjitha kërkesat e tyre. Veprimi i të burgosurve, ishte një shpërfillje ndaj forcës që kishte treguar shteti, përmes një zv/ministri.
Këtë gjë, nuk mund ta pranonte kurrsesi njeriu i dërguar nga qeveria, do të ishte një përulje e pashembullt, para “armikut të klasës”. Korrieri i të burgosurve, u kthye mbrapsht. Megjithatë, në emër të të dënuarve, Paulin Vata, Hajri Pashaj dhe Nuri Stepa, jo vetëm që nuk e përfillën këtë thirrje, por iu kundërvunë, me këto kërkesa: Të mos shpallet asnjë fajtor, të mos punojë askush në minierë, veçse në ndërtim etj., të kishte amnisti, sepse që nga koha e prishjes me Bashkimin Sovjetik, nuk kishte pasur, të shqyrtohej çështja jonë, e të liroheshim, sepse ishim të dënuar pa faj, etj. Publikimi i kërkesave të tyre, ngrohu zemrat e gjithë të dënuarve.
Po, ata kishin pasur kurajën, t’ua thoshin njerëzve të qeverisë në sy dhe ballë përballë, gjithçka që ndjenin, ashtu sikurse nuk kishin pasur asnjëherë frikë, të tregonin hapur urrejtjen ndaj pushtetit popullor dhe udhëheqjes së Partisë. Ata kishin qenë gjithnjë njerëz të lirë. Ditët e revoltës së Spaçit, po përjetoheshin edhe si një ditë feste të madhe. Dikush thërriste: “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Ne jemi me Evropën e lirë”, “Poshtë komunizmi”, etj. Askush prej tyre, nuk dëshironte t’i shmangej kësaj përpalljeje të madhe, që me siguri, nuk do të harrohej asnjëherë.
Përmbyllja
Kur kishte filluar të binte mbrëmja, u mësua lajmi, se gjithë kampi, ishte pushtuar nga tre rrethime ushtarësh. Për të treguar se sa të shumtë ishin ata në numër, gjatë gjithë natës, ndezën zjarre përgjatë kodrave, madje edhe aty ku shkruhej me gurë parulla: “Popull – Parti – Enver” dhe uleshin korbat e zeza. Vazhdimisht rreth kampit, dëgjoheshin zhurma makinash, manovrime tankesh, lëvizje armatimesh, mbushje dhe shkrehje armësh. Sipas lajmeve që mbërrinin kohë pas kohe, Korpusi Ushtarak i Burrelit, kishte mbërritur i gjithi aty, kishin mbërritur edhe sampistët nga Tirana, të pajisur me armë dhe shkopinj druri. U tha gjithashtu, se pushtetarët e asaj kohe, kishin vendosur të vinin në përdorim edhe lëndët kimike.
Pas kësaj, gjithë të burgosurit, ta gjenin veten në gjendje të fikëti, ndërsa ushtria, do të bënte arrestimin e menjëhershëm të tyre. Në rast nevoje, as plumbi nuk do të kursehej. U pre edhe furnizimi me ujë. Për momentin, ne mundëm të përdornim vetëm ujin që kishte mbetur në skaltabanjat e dusheve. Përballja, do të ishte një tmerr i vërtetë. Dhe ashtu ndodhi ata që kundërshtuan, i rrihnin me bishtat e lopatës dhe i sillnin aty me barela, si: Dashnor Kazazi, Gëzim Medolli, Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Demir Pojani, etj.
Ata ishin shumë dhe të gjithë të armatosur…! Dikush erdhi me listën e arrestimeve, u lexuan rreth 100 emra të burgosurish. Do të ishin lexuar edhe emra të tjerë, nëse Feçor Shehu, nuk do të ngrinte dorën, për të thënë: “boll”. Në listë, kishte njerëz të moshuar që kishin bërë nga 20-30-vjet burg, por që dihej se këta persona, kishin qenë me influencë në krahinat e tyre, si: Sami Dangëllia, Hodo Sokoli, etj., ndaj dhe ndëshkimi për ta, do të ishte i pamëshirshëm. Që të mos dëgjoheshin rënkimet e njerëzve që torturoheshin, policët këndonin: “Ne përpara po marshojmë, me Enverin fitimtar”.
Katër prej tyre, u dënuan me pushkatim: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj. Askush prej tyre, nuk kërkoi mëshirë, ndërsa 8 të tjerë, u dënuan më 25 vjet burg. Këto dënime, u dhanë brenda ditës. Ndërsa në ditët në vijim, kampi do të vihej në gjendje hetuesie. Në brendësi të kampit, u hapën shtatë qendra hetimi, ku do të pyeteshin të gjithë, pa përjashtim, gjithë të burgosurit. Për 6 muaj me radhë, u ndalua krejtësisht dërgimi apo marrja e letrave dhe pakove nga familjet, u ndaluan takimet me të afërmit dhe gjithçka tjetër.
Askush nuk dinte, se çfarë po ndodhte me të burgosurit. Një pjesë i çuan në burgun e Tiranës, një pjesë tjetër në atë të Rrëshenit, dikush lirohej, ndërsa ishin të shumtë ata që ri dënoheshin. Megjithatë, të gjithë kujtonin fjalët e Skënder Dajës, të cilit edhe kur i thanë: “I pandehur, kërko falje dhe ne do të të falim”, ai u përgjigj: “Edhe sikur të kisha pasur dhjetë jetë, dhjetë herë të njëjtën gjë do të bëja. Do të luftoja, të isha i lirë”. Memorie.al