Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ Në marsin e 1998-ës, në fshatin Prekaz të Kosovës, gjatë një përpjekje të armatosur, e cila zgjati për tri ditë me radhë, mbeti i vrarë nga trupat e ushtrisë serbe të Sllobodan Millosheviçit, njëri nga komandantët dhe udhëheqësit kryesorë të UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), Adem Jashari, së bashku me 27 pjesëtarë të asaj familje. Që nga ajo ditë dhe më pas, sidomos gjatë periudhës së luftës së Kosovës, emri dhe figura e Adem Jasharit, do të kthehej në një mit dhe legjendë të vërtetë, i cili do të frymëzonte edhe shumë të rinj e të reja kosovare, kudo që ndodheshin, për të kapur armët dhe për t‘u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për legjendën e Kosovës, Adem Jasharin, apo siç njihet tashmë prej të gjithëve, Baca Adem, janë thënë dhe shkruar shumë gjëra. Memorie.al po publikon një intervistë me publicistin, gazetarin dhe shkrimtarin e njohur, Bedri Islami, i cili ka qenë dhe një nga drejtuesit kryesorë të organizatës “Lëvizja Popullore e Kosovës”, që e drejtonte edhe politikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku Adem Jashari, ishte një nga komandantët dhe udhëheqësit më të shquar të saj. Nisur nga fakti se zoti Islami, veç të tjerash ka qenë dhe një mik i afërt i familjes Jashari, në intervistën e tij, që po botojmë në këtë shkrim, ai rrëfen shumë ndodhi dhe ngjarje të panjohura nga jeta e Adem Jasharit, si dhe një letër të gjatë, e cila publikohet nga Memorie.al.
Zoti Islami, në marsin e 1998-ës, do të bëhej i njohur për të gjithë shqiptarët emri i Adem Jasharit dhe i familjes së tij. Ky emër që nga ajo ditë dhe më pas, në përfytyrimin e shqiptarëve kudo ndodhen, do të ngrihej në mit dhe do të bëhej një nga figurat më legjendare të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ju zoti Islami jeni i njohur si mik i familjes Jashari, nisur nga kjo mund të na thoni se si e keni njohur Adem Jasharin?
Pa as më të voglin dyshim që emri i Adem Jasharit është ndër më të njohurit dhe më të respektuarit në të gjitha trevat shqipfolëse dhe te bashkëkombësit e tij. Është ndër rastet e rralla të historisë njerëzore, jo vetëm të kombit tonë, kur emri i njeriut, në fare pak kohë, i dalë si nga legjenda, bëhet simboli i popullit të tij. Tashmë, rreth emrit të tij është ngritur miti, legjenda dhe e vërteta. Sa lidhje kanë ato me njëra-tjetrën, ku është fillesa e njërit dhe vazhdimi i tjetrës, në cilin kufi ndahen ato nga njëra-tjetra, apo të tria së bashku, duke mos qenë, veçse vazhdim i njëra-tjetrës, përbëjnë atë që sot mund të quhet “çmimi ‘Nobel’ i lirisë”, siç është shprehur në ditët e para të pasluftës ministri i sotëm i Jashtëm francez, Bernard Kushner.
Përse ndodhi, menjëherë pas rënies, mitizimi i Adem Jasharit dhe ngritja e legjendës së tij?
Adem Jashari është njëri ndër themeluesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandanti i parë i përgjithshëm i saj. Në ditën që u vra kishte më shumë se njëzet vite aktivitet ilegal, ishte dënuar tri herë në mungesë nga pushteti serb, dhe të tria herët me nga 20 vite, kishte më shumë se 10 vite që ishte i përfshirë në strukturat ilegale të luftës. Që pas 8 marsit të vitit 1998, emri i Adem Jasharit, të atit, bacës Shaban, vëllait, Hamzës, dajës Osman dhe i të gjithë atyre që luftuan në atë fillim marsi, i kullave që u shkrumbuan, i 57 jetëve që u dhanë, i pushkëve që u ngritën, i luftës deri në sublimitet, u bënë fillesa e simbolit të popullit që i takonin. Për këtë nuk u desh asnjë dekret dhe si të tillë askush nuk mund ta nxirrte, nuk u mor asnjë vendim, nuk u bë asnjë mbledhje e veçantë, gjithçka rrodhi krejt natyrshëm, tepër njerëzore, sublime do të thosha, deri në atë kufi ku kufiri mes mitit, legjendës dhe së vërtetës nuk është kurrë qartësisht i përcaktuar, sidomos në ditët e para.
A kishte një shkak tjetër, po ashtu aq madhor dhe sublim, sa edhe rënia e tyre, që solli mitizimin e menjëhershëm të Adem Jasharit?
Sigurisht që po. Në ditët e para, pas rënies së tij dhe bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë e natyrshme që ana figurative, emocionale, e prekshme, e dhimbshme, më e kapshme, lufta, qëndresa dhe sakrifica, të ishin më evidentet. Por emri i Adem Jasharit ishte i njohur. Në marsin e vitit 1998, ai ishte tashmë emri i njeriut luftëtar, i cili i kishte thyer forcat policore serbe dy herë radhazi. Po ashtu, me emrin e tij lidhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nuk duhet harruar se tre muaj më parë, pikërisht më 28 nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte bërë paraqitjen e parë publike. Nga ana tjetër, është një rastësi e bukur që Adem Jashari ka lindur pikërisht më 28 nëntor.
Për të kaluar nga emri i njeriut luftëtar në mit, Adem Jasharit nuk iu deshën më shumë se 48 orë. Që nga dita kur kishte vendosur të zgjidhte çështjen e Kosovës përmes pushkës dhe deri në ditën e rënies së tij, ishin më shumë se dy dekada, mirëpo edhe kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për të shpjeguar mitin e jashtëzakonshëm të Jasharëve. Që nga dita kur ishin hedhur themelet e para të fisit të Jasharëve në Prekaz dhe deri në ditën kur do të digjeshin për herë të fundit kullat e tyre, do të kishin kaluar treqind vite, mirëpo edhe ky autoktonitet, nuk i ka të gjitha në vete.
Në cilën ditë ose në çfarë demonstrimi është bërë për herë të parë i njohur publikisht emri Adem Jasharit?
Kjo ka ndodhur më 9 mars 1998, dy ditë pas përfundimit të luftës në Prekaz, në qytetin e Shtutgartit. Lëvizja Popullore e Kosovës do të organizonte një manifestim të madh kundër dhunës dhe pushtimit serb të Kosovës. Ishte manifestimi dhe njëkohësisht demonstrata e parë e madhe që bëhej. Së bashku me profesor Hasan Ukhaxhiajn, ishim ftuar si drejtues të lëvizjes, për të folur në këtë manifestim. Në sheshin e madh ishin më shumë se njëzet mijë vetë. Më takoi të kisha fjalën e rastit. Ende nuk dihej saktësisht se çfarë kishte ndodhur në Prekaz, lajmet vinin të paqarta deri në fund, as në familjen Jashari që jetonte në Mynih ende asgjë nuk ishte e qartë. Pikërisht në këtë shesh, për herë të parë, pa kaluar as 48 orë nga vrasja e tyre, emri i Adem Jasharit gjëmoi. Kam parë njerëz që thërrisnin emrin e tij me gjithë shpirt, duke valëvitur flamurin kombëtar, sikur shpirti i tij ishte tashmë në palët e flamurit. Ishte një thirrje e re, krejt e veçantë, nga askush e orientuar, e dalë nga thellësia e shpirtit, megjithëse ende kishte shumë e shumë njerëz që pyesin se “kush është Adem Jashari?”.
Po kthehem edhe një herë te pyetja që ju bëra më parë: ishte rastësi, kërkesë e kohës, apo ishte gjithçka e natyrshme, njerëzore dhe saktësisht e merituar, mitizimi i figurës së Adem Jasharit?
Ne jemi mësuar ta shohim në fotografi të ndryshme Adem Jasharin, gjithnjë me armë në dorë, me pelerinën e luftës hedhur krahëve, me mjekrën e derdhur si ujëvarat e Bjeshkëve të Sharrit, me shikimin e tij të papërsëritshëm. Sytë e tij flasin më shumë se qindra deklarata, jemi mësuar edhe ta përfytyrojmë një njeri që vetëm ka luftuar, ka organizuar aksione, ka qëndruar, ka mposhtur armiqtë, ka ngrohur zemrat e njerëzve. Kështu jemi mësuar dhe të gjitha këto, duke qenë të vërteta, janë njëkohësisht edhe të paplota. Adem Jashari nuk është vetëm fotografia që njohim, vetëm thelbi i asaj që besojmë, nuk është vetëm streha nga e cila, domosdo kanë shkuar të gjithë ata që donin të luftonin, ai është shumë më tepër se kaq. Edhe shumë vite pas rënies së tij, shumë njerëz që kishin pozicione drejtuese në strukturat e luftës, kur duan të dëshmojnë një qëndrim apo të kenë një mbështetje, krejt natyrshëm i drejtohen Adem Jasharit apo faktit se kanë qenë në lidhje me të, se kanë bujtur te Jasharët, se kanë pasur kontakte ose se u kanë ndihmuar atyre. Në fund të fundit kjo është forca që ngjall emri i Jasharëve, sidomos i Ademit, bacës Shaban dhe Hamzës, dhe ne duhet ta pranojmë si të tillë. Jasharët, duan apo nuk duan, nuk do të mund t‘i shmangen kurrë mbështetjes që kërkojnë të tjerët tek emri i tyre.
Çfarë e bëri dhe çfarë e bën edhe sot e kësaj dite Adem Jasharin, krejt të veçantë në historinë e kombit tonë? Cila është rrjedha përmes së cilës ka ecur e vazhdon të ecë emri i tij? A ishte ai thjesht luftëtari, njeriu me pushkën hedhur krahëve, i hekurt dhe i ftohtë, i pafjalë dhe serioz, apo kishte shumë më tepër se kaq?
Personalisht, dua të them fizikisht, nuk e kam takuar asnjëherë Adem Jasharin. Nuk futem në radhën e njerëzve që e kanë pasur një fat të tillë në jetën e tyre. E kam dëgjuar për herë të parë emrin e tij nga Fehmi Lladrovci, figurë tjetër e shquar e luftës në Kosovë, i cili u vra së bashku me gruan e tij, Xhevën, më 22 shtator 1998. Fehmiu kishte një respekt të jashtëzakonshëm për të dhe mendoj se Adem Jashari ishte i vetmi njeri para të cilit përkulej Fehmi Lladrovci. Më pas do të mësoja se edhe Adem Jashari, kur i kishin kërkuar të kishte një ndarje me Fehmiun, do të thoshte se “vetëm vdekja më ndan nga Fehmi Lladrovci”. Kjo ka qenë njohja ime e parë me të, përmes figurave që ishin të afërta me Adem Jasharin, por, thënë sinqerisht, nuk e kam menduar se po flisnim për njeriun që shpejt, shumë shpejt do të bëhej figura mitike e shqiptarëve. Ishte koha kur ai sapo ishte dënuar me njëzet vite në mungesë, në gjyqin e njohur ndaj Grupit të Drenicës. Më pas e pash fotografinë e tij dhe më bënë përshtypje sytë e tij, të cilët, kushdo që i sheh me vërejtje, e ndjen se kanë ngjashmëri të jashtëzakonshme me të shqiponjës. Por unë kam pasur një fat tjetër të dyfishtë: kam njohur nga afër, si mik i tyre, familjen e jashtëzakonshme të Jasharëve, të cilët kanë hisen e tyre të papërsëritshme në luftën që është zhvilluar në Kosovë.
Unë mund të them me bindje se, nëse nuk do të kishte qenë mbështetja e tyre e hapur dhe angazhimi në strukturat e luftës, shumë gjëra nuk do të shkonin ashtu si do të rridhnin punët më tej. Në familjen e tyre, shumë herë, më ka takuar të shoh incizimet e ndryshme familjare, krejt të zakonshme, të shoh Ademin dhe Hamzën mes familjeve të tyre, të ndjek rrjedhën e jetës që ata kanë bërë, punët e hallet e përditshme, të dëgjoj se si e kanë konceptuar jetën dhe si kanë menduar për të ardhmen e Kosovës, duke folur krejt natyrshëm, i kam parë të luanin me fëmijët në një ditë të zakonshme, si silleshin me prindërit, atë aktin e veçantë kur i merrnin mes duarve të tyre dorën e nënës plakë dhe e përkëdhelnin butësisht, hyrjen pa bujë e zhurmë në dhomën e miqve, deri në një ditë të zakonshme kur merreshin me punët e përditshme, si do të ishte krasitja e pemëve apo çarja e drurëve në oborrin e shtëpisë. Nga familja e Jasharëve unë kam biseduar me shokët që ishin në Drenicë. Fati tjetër i imi lidhet me faktin se në vitet e luftës isha i zgjedhur drejtuesi kryesor i “Lëvizjes Popullore të Kosovës”, organizatë së cilës i kishte takuar edhe Adem Jasharit, që nga mesi i viteve ‘80-të. Në arkivin e saj ndodheshin dhe mora më pas shumë kaseta, në të cilat ishin të regjistruara porositë e Adem Jasharit, mendimet e tij, qëndrimin e tij për njerëz, ngjarje dhe pozicione të ndryshme, kam dëgjuar vizionin e tij, i cili, kishte po të njëjtën peshë dhe po të njëjtën forcë si edhe lufta.
Ndodheshin letra, të cilat ruhen edhe sot si thesar i jashtëzakonshëm dhe përmes tyre, mund të dallosh qartësisht se pas tij nuk është vetëm njeriu i luftës, por edhe i mendimit vizionar; nuk është vetëm luftëtari, por edhe prijësi; nuk është vetëm e tashmja, por edhe përvoja që kishte shkuar; nuk është vetëm Drenica, por edhe Kosova, nuk është vetëm Kosova, por edhe kufijtë më skajorë të Shqipërisë londineze. Adem Jasharin unë nuk e kam parë kurrë thjeshtë e vetëm si luftëtar, si dalëzotës i zakonshëm i Kosovës, por shumë më tepër se kaq. Përfytyrimi i Adem Jasharit thjesht e vetëm si një luftëtar, prijës apo edhe diçka më tepër, asnjëherë nuk ka qenë i saktë. Sepse ka qenë i paplotë. Kjo është thelbësorja. Sepse ka qenë vetëm njëra anë e shfaqjes së tij, ajo më e dukshmja, më e përfytyrueshmja, më e kapshmja. Ajo për të cilën është edhe më e lehtë të flitet, por që jo gjithmonë është e gjithë e vërteta. Adem Jasharin ne duhet të mësohemi ta shohim përtej këtij përfytyrimi, duhet të mësohemi ta shohim në ato përmasa që janë e vërteta e jetës dhe e mendimit të tij politik, perceptimit vizionar dhe e shfaqjes së tyre në kapërcyellin e shekullit që shkoi.
Cilat ishin disa nga çastet më themelore të mendimit politik të Adem Jasharit dhe të vizionit të tij?
Pas arrestimeve të mëdha që ndodhën në Kosovë, qeveria e asaj kohe i propozoi atij, si shumë të tjerëve, të ikte nga Kosova. Ai nuk pranoi. Adem Jashari e kishte mendimin e tij të pjekur politik dhe ky është guri i parë themeltar i çdo qëndrese: për vendin tonë duhet të luftojmë në vendin tonë. Nuk na bën mirë as buka e të huajit, as ngrohja e të huajit, as fjala e të huajit. Ai pra mund të rrinte, ta zëmë në Gjermani, mirëpo është nga gjërat e para që nuk i shkon ndër mend. Vizioni i qartë politik se lufta duhet filluar që nga vetvetja e duhet bërë në Kosovë, do të ishte ndër vendimtarët në politikën e fundit të shekullit të shkuar. Adem Jashari, krahas tij edhe figura të tjera madhore, si Zahir Pajaziti, do të kishin meritën e jashtëzakonshme, të papërsëritshme do të thosha, që pasi përcaktuan qartësisht vizionin e tyre u bënë njëkohësisht edhe mishërues të këtij vizioni. Në librin e shenjtë kristian, “Biblën”, është edhe thënia e njohur e Jezus Krishtit se: “Nuk mund të jesh profet në vendlindjen tënde”. Shembulli i Adem Jasharit dëshmoi se mund të ndodhte edhe ndryshe. Mund të ishte profet edhe aty ku kishe lindur. Kjo do të ndodhte nëse nuk do të shkëputeshe kurrë nga vendi yt, nëse nuk do t‘i humbisje ato lidhje të veçanta që të mbajnë fuqishëm pas saj. Së dyti, Adem Jashari do të krijonte, fillimisht në kujtesën e tij, e pastaj në konfiguracionin politik të strukturave të luftës, idenë e saktë se lufta do të mund të fitohej, nëse shteti amë, Shqipëria, do të ishte streha e dytë e luftës.
Për të bërë sa më të qartë këtë vizion brenda vetes, ai rikrijon mitin e Çerçiz Topullit dhe bashkë me të vëllain, Hamzën, mitin e Mihal Gramenos. Ai mund të ngrinte brenda vetes një mit tjetër. Kishte mjaft të tillë, mirëpo ai e kërkon deri atje ku mendon se mund të jetë shembulli më i skajshëm, në Gjirokastër dhe ku është edhe njëkohësisht më domethënës: një toskë, luftëtar i vrarë nga sllavët në daljen buzë liqenit të Shkodrës. Në ditët e netët e luftës së njohur të 5, 6 dhe 7 marsit, Adem Jashari do t‘i kthehej edhe një herë mitit të tij: gjatë gjithë kohës ai do të këndonte këngën e njohur të Çerçiz Topullit. Do ta përsëriste dhe ripërsëriste, do ta kthente në thirrje e forcë, dhe më pas, pak kohë pas përfundimit të luftës, Besarta, e vetmja mbesë e fisit që mbijetoi do të thoshte se: “Sa kam dëgjuar bacin Adem që këndonte, hiç nuk kam pasë frikë…”. Vizioni i Adem Jasharit se lufta duhej kaluar përmes të gjithë kombit do të ishte më se i saktë dhe jetik. Ai, në shumë raste, do të ishte ndër faktorët më përcaktues dhe njeriu i heshtur, Adem Jashari e kishte ditur dhe e kishte paraprirë këtë.
Vizioni politik i Adem Jasharit, ndërsa është i mbështjellë me konfigurimin e armës, ka në thellësinë e vetë mendimin e qartë se lufta ishte e domosdoshme, pasi nuk do të kishte rrugë tjetër dhe, së dyti, kjo luftë nuk duhet bërë, ashtu kaçakçe, si kishte ndodhur jo rrallë në historinë e kombit tonë. Ai kërkonte shumë më tepër se kaq, dhe për të ngritur një gjë të tillë ai kishte aftësinë që të priste, të ecte në drejtëvizimin e duhur, të mos ngutej dhe të mos krijonte rreth vetes një rreth të mbyllur. Më shumë se gjithçka kjo do të ishte një luftë politike që kërkonte një drejtim politik. Në fillimet e vitit 1989 dhe më pas, Adem Jashari do të ishte një ndër anëtarët e strukturave ilegale që do të kërkonin ngritjen e ushtrisë së shqiptarëve. Por jo vetëm kaq. Grupi i Drenicës, mes të cilëve spikaste roli dhe figura e Adem Jasharit, do të thoshte qartësisht: “Ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe nga një aksion në javë, por dikush duhet t‘u dalë zot aksioneve tona. Jo vetëm t‘i mbështesë, por edhe të ketë përfaqësimin politik, mbështetjen politike”. Kjo do të ndodhte për herë të parë pas shumë e shumë viteve. Deri atëherë lëvizjet spontane apo të organizuara të qëndresës shqiptare në Kosovë nuk e kishin pasur këtë element thelbësor, tani forcat politike ilegale e kërkonin këtë, ndoshta edhe duke pasur parasysh përvojat e deriatëhershme. Adem Jashari do të ishte njëri nga të parët që do ta kërkonte këtë, si forcë madhore për të krijuar qëndresën e armatosur dhe luftën deri në fitore.
Ka qenë e mundshme që lufta të niste më herët dhe rolin prijës, që asaj kohe, ta merrte Adem Jashari?
Sigurisht që po. Është i njohur fakti se rrethimi i parë i kullave të Jasharëve ndodhi më 30 dhjetor të vitit 1991. Në shtëpi ishin të tre djemtë, Rifati, Hamza dhe Ademi, ishte i ati i tyre, baca Shaban, ishin pjesëtarët e tjerë. Rrethimi kishte filluar që në orët e vona të mbrëmjes dhe, si do të dëshmonin më vonë pjesëtarët e familjes Jashari, ka qenë i pritur prej tyre. Ishte piku i dimrit, ftohtë i jashtëzakonshëm, gjithkah ishte mbuluar nga dëbora. Tre burrat e familjes Jashari, pas përleshjeve të forta, do të çajnë rrethimin dhe do të dalin në kahe të ndryshme, nga ku ndezën edhe një herë zjarrin e luftës. Policia morri peng 27 anëtarët e familjes Jashari, ndërsa të gjithë meshkujt, prej Fitimit e lart, pra ata që i kishin mbi 13 vite, i nxorën me duar të lidhura, në borë, para tankut. Policët e nxorën po ashtu edhe nënën e Jasharëve si mburojë përpara, duke dashur të hynin në shtëpi, gjithnjë me mendimin se Ademi ishte brenda. Ndërkohë Grupi i Drenicës ishte mbledhur. Me orët që shkonin, filluan të shkojnë në ndihmë të Jasharëve njerëz të armatosur nga Prekazi, nga të gjitha anët e Drenicës, por edhe me gjerë se kaq. Mali përballë kullave ishte mbushur me njerëz. Secili e kishte nga një armë me vete. Aty u mblodhën për të gjykuar dhe u kanë thënë Jasharëve: “Merrni komandën dhe udhëhiqeni luftën”.
Nëse Adem Jashari do të kishte pasur konceptin e ngushtë për luftën, pra në se ai do të kishte menduar se “hajt, po ja fillojmë…”, gjithë ata njerëz që kishin rrethuar malin do të ishin një ngasje e madhe për ta bërë këtë. Një njeri i zakonshëm, i revoltuar, i gatshëm të luftojë, ndoshta do e kishte parë të arsyeshme se “mund t‘ia fillojmë”. Në fund të fundit do të kishte qenë e justifikueshme. Aq më shumë kjo do të kishte qenë e justifikueshme në momentet e dhimbjes vetjake, kur sheh se gjithë anëtarët e familjes janë peng i pushtuesit, kur djemtë janë lidhur dhe nuk dihet fati i tyre. Por kjo do të ishte e natyrshme për një njeri të zakonshëm, jo për njerëz që kthejnë për së mbari historinë dhe jetën e një kombi. Mendimi vizionar i Adem Jasharit për të ngritur në radhë të parë strukturat e luftës, mbështetur jo vetëm te një njeri, te një familje apo te një fis, dëshmoi se kishte qenë i drejtë dhe i saktë. Fakti se rreth tij u mblodhën, në një mënyrë ose në një tjetër, nga larg ose nga afër, të gjithë ata që do të ishin njëkohësisht pjesë dhe realizues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të çon pashmangshëm te mendimi tjetër: cilët ishin ata te të cilët Adem Jashari kishte falur besimin e tij të madh dhe kishte rrokur besën se do u shkonin punëve deri në fund?
Në historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, a ka një datë të njohur, në të cilën janë marrë vendime të rëndësishme?
Ka një datë të tillë. Është 5 prilli i vitit 1993, kur bëhet Mbledhja e njohur në Kullën e Jasharëve. Mendoj se është njëra nga datat më të rëndësishme të luftës. Edhe në këtë mbledhje, Adem Jashari nuk e vendos veten mbi të tjerët, sepse as që e kishte ndër mend një gjë të tillë. Fjalë pak si gjithnjë, atë e brenin rishtas dy halle të mëdha: ecuria e ushtrisë që po ngrihej, emërtimi i saj dhe, më e rëndësishmja, ai rikthehej te mendimi i tij për përgjegjësinë politike të aksioneve. Mbledhja e 5 prillit në Prekaz ishte njëra ndër më të rëndësishmet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Disa nga emrat e njohur të luftës do të ishin pjesë e saj, mes të cilëve edhe Hashim Thaçi, Fadil Kodra, Hamit Jashari, Sahit Jashari, Besim Rama, Rafet Rama, Jakup Nura, Ilmi Zeka, Jakup Krasniqi, Sami Lushtaku e të tjerë. Fakti që mblidheshin në kullat e Jasharëve, megjithëse ndodhej nën vëzhgimin e përhershëm dhe mund të sulmoheshin, dëshmon për dy gjëra: sigurinë që afronte ajo dhe rolin prijatar të Adem Jasharit.
Si është njohur roli dhe funksioni drejtues i Adem Jasharit? Përmes cilave kanale ka kaluar një gjë e tillë?
Me gjithë se ai kurrë nuk e kërkonte një gjë të tillë, pra të ishte prijës, e gjithë kjo, brenda Kosovës, u bë krejt natyrshëm, si diçka e zakonshme dhe e kuptueshme. Nëpër portat e atyre kullave do të hynin: Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Sulejman Selimi, Nait Hasani, Ramiz Lladrovci, Jakup Krasniqi, Iliaz Kodra, Nuredin Lushtaku, Abedin Rexha, Kadri Veseli… Më parë e kishin bërë këtë rrugë Ahmet Haxhia dhe Ramadan Avdiu. Më pas do të shkonin drejt saj Adrian Krasniqi dhe Daut Haredinaj. Do të kishin lidhje me të: Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Fehmi Lladrovci. Kjo do të thotë se bashkëpunëtorë të tij ishin thuajse të gjithë emrat e njohur të luftës. Kjo nuk ka qenë rastësi dhe nuk do të ishte po ashtu e rastësishme që në ditët më të vështira do e kishin të domosdoshme mbështetjen tek emri i Adem Jasharit. Krejtësisht logjikshëm ai u bë qendra e luftës, dhe rrjedhja e mëpasme e ngjarjeve dëshmoi vërtetësinë e thënies së Shaban Jasharit se; “Besën po ua jap, nëse kërcet në Prekaz, ka me kërcitë në të gjithë Kosovën”.
Kur e si kërciti në Prekaz?
Fisi i Jasharëve ka njohur tri rrethime nga forcat policore dhe paraushtarake serbe. Për herë të parë ata janë rrethuar më 30 dhjetor të vitit 1991 dhe prej asaj dite ka filluar edhe ilegaliteti i Adem Jasharit. Për herë të dytë ata u rrethuan në 22 janar të vitit 1998, dhe dy muaj më vonë, në fillimin e marsit, ku ndodhi edhe beteja e njohur tashmë në histori. Në rrethimin e dytë dhe të tretë kanë qenë pjesë edhe forcat paraushtarake të Arkanit dhe ai vetë. Natyrisht rrethimi i tretë ka qenë edhe më i shumëfishtë. Mund të them se ka qenë i disafishtë dhe me gjithë përpjekjet që janë bërë për t‘u ardhur në ndihmë, përsëri ka qenë e vështirë, në mos e pamundur. Lufta ka zgjatur më shumë se dy ditë dhe dy net. Kanë luftuar të gjithë, që nga plaku i shtëpisë, daja i Ademit, që kishte qenë mik asaj nate dhe deri te fëmijët mbi 12 vjet. Njëri prej fëmijëve, Fitimi, është gjetur i vrarë me automatik në dorë, në oborrin e shtëpisë. Në tri kullat e Jasharëve, janë varë 26 vetë, ndërsa nga i gjithë fisi i tij 57 vetë. Si ju thashë, gjatë gjithë kohës Ademi ka kënduar këngën e Çerçiz Topullit. Ai është vrarë i fundit dhe pas rënies së tij, për disa orë, askush nuk u është afruar kullave të djegura. Por pas luftës në Prekaz, është e vërtetë se kërciti në të gjithë Kosovën. Në atë kohë unë kam pasur drejtimin e organizatës, që drejtonte politikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe e di fare mirë se si rënia e tyre u shndërrua në një mrekulli, të cilën, them të drejtën, nuk e kishim menduar kurrë se do të ndodhte në ato përmasa.
Dëshmia historike përmes një letre dërguar nga Drenica
Kjo letër, e dërguar nga Adem Jashari dhe e shkruar nga i vëllai, Hamza, si dhe e nënshkruar nga një grup luftëtarësh të Drenicës, është një ndër mesazhet e luftës. Natyrisht ajo nuk është shkruar me mendimin se do të botohet ndonjëherë; ajo është një letër mes shokëve të luftës, flet për realizimin e një aksioni dhe për probleme të tjera. Por, në gjithë secilin rresht të saj, tepër dukshëm mund të shikosh atë që do të vinte më pas. E shkruar thjesht, si gjithçka që është madhërisht e bukur, pa fjalë të mëdha dhe pa mburrje, ajo mbart në vete dëshminë historike, jo vetëm të një beteje. Kjo letër është shkruar në fundin e vitit 1997, më saktësisht në dhjetor të këtij viti. Fillimisht ajo është faksuar nga jashtë Kosovës, sipas të dhënave nga një faks në aeroportin e Shkupit, e më pas ka ardhur edhe origjinali, pas disa ditësh, përmes kanaleve ilegale. Letra ruhet sot në arkivin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku edhe është adresuar, ndërsa një kopje e saj ruhet në Kosovë. Këtë letër po e publikojmë pothuajse të plotë.
Të dashur shokë e vëllezër!
Disa të dhëna rreth ngjarjes në fshatin Vojnik, të ndodhur me 25 nëntor 1997 në mes forcave tona dhe të policisë sekrete të okupatorit serb. Ngjarja fillon me lajmërimin e një automjeti civil të tipit “Niva” me katër persona civilë, i cili bënte lëvizje të dyshimta në fshat, nga lagjja në lagje. Atë e vërejtëm dhe e përcollëm deri sa erdhi tek lagjja e Binakajve dhe pikërisht afër shtëpisë ku gjendet veprimtari ynë. Sipas rrëfimit të shokut, ky tentoi t‘i identifikojë, por ata tentuan ta tradhtojnë, duke u paraqitur njëri prej tyre se “jemi shqiptarë” dhe porsa ai e mbaron fjalën, njëri prej tyre shtien disa herë me revolver, në drejtim të veprimtarit tonë. Shkathtësia e tij e shpëtoi nga plumbat dhe me shpejtësi të madhe ky ia kthen automatikun dhe e qëllon automjetin dhe dihet se i ka qëlluar disa nga të ndodhurit brenda. Të dyshimtit largohen me shpejtësi të madhe nga vendi i ngjarjes, duke lënë në vend shenjat e xhamave të thyer dhe shenja gjaku. Kjo ka ndodhur rreth orës 14.00. Pasi largohen të dyshimtit, ky kthehet në shtëpi dhe bashkohet edhe me tre shokët e tjerë, të cilët ishin të gatshëm për ndihmë, por rreziku mendohej se kaloi. Vendosën të mos largohen nga fshati se mos ndodh ndonjë intervenim i mundshëm policor. Ashtu edhe ndodhi.
Pas dy orësh, pra rreth orës 16.00, në fshat hyjnë dy autoblinda, të shoqëruar edhe nga një “NIVË” dhe mësyjnë lagjen e Binakajve. Këta, shokët tanë, zënë pozicionet në malin e afërt dhe në gardhiqet e afërta. Porsa mbërrin ekspedita ndëshkuese e forcave speciale, zbresin nga blindat dhe fillojnë të shtiejnë drejtimesh të ndryshme, për të përhapur panik. Por, në atë kohë, forcat tona, të përbëra, si e thamë edhe më lart, nga katër persona, hapin zjarr dhe e kthejnë konfliktin mes tyre dhe ekspeditës ndëshkuese serbe. Të pabarabartë në numër e në teknikë, bëhet tërheqja në drejtim të pyllit. Forcat speciale serbe shtinin pa ndërprerje dhe filluan të afrohen, çka u detyruan të përdorim bombat, edhe pse të pakta. Atëherë, me përdorimin e bombave, serbët u tërhoqën në autoblinda dhe lufta bëhej vetëm nga autoblindat. Kjo zgjati deri rreth orës 18, por nuk mundën të na shtiejnë nga pozicioni që e zumë në pyll. Kjo i shtyri të largohen me shpejtësi të madhe nga lagjja dhe fshati. Nga ana jonë nuk patëm viktima ose të plagosur: Kurse nga ana e armikut ka patur shenja gjaku në vendin e ngjarjes, sidomos të shumta ishin ku janë përdorë bombat. Sa i përket organizimit të mëvonshëm dhe informimit të anëtarëve, ngjarja zhvillohet kështu: Në organizimin tonë ekzistojnë edhe vëzhguesit e terrenit. Njëri prej tyre vëren autoblindat duke shkuar në drejtim të Klinës apo Turiqevc, deri sa për rastin që biseduam më lart, kishim informata.
Bëhet lajmërimi i disa prej punkteve tona dhe ata bënë lajmërimin e antarëve, por vetëm të jemi të gatshëm, që porsa të marrim lajmin se çfarë po ndodh në terren, të jemi të gatshëm për ndihmë. Nata e bëri të vetën dhe me vonesë u bë e ditur se ishte fshati Vojnik ku shkuan forcat policore. Edhe pse ne shpejtuam drejt Vojnikut, tërheqja e policisë bëri që të mos konfrontohemi atë mbrëmje. U tubuam dhe konstatuam se nga forcat tona nuk kishte humbje. Vendosëm që të jemi në vëzhgim të terrenit, në të gjitha rrugët që të shpien drejt vendit të ngjarjes. Dërguam vëzhguesit, pra edhe të tjerët, vendosëm, pasi e morëm edhe pëlqimin e shokut në ngjarje të drejtpërdrejtë që: nëse policia do të ndërmarrë ndonjë operacion ndëshkues, të bëjmë rezistencë. U vendos që para mëngjezit të zihen pikat më strategjike në rrugët që shpien drejt rajonit të rrezikuar, duke e patur parasysh se forcat mund të ndërhyjnë nga Mitrovica, Peja, por edhe nga Prishtina. U caktuan grupet që do të zënë pritat, por edhe vëzhguesit për lajmërim. Çdo gjë në Drenicë dhe rreth saj ishte nën kontroll. Dëshira jonë ishte dhe luteshim, që bash në vendin ku edhe ndodhi konfrontimi, të jetë ashtu. Pra aty e parashikonim se do të korrnim fitore. Kemi pasë mundësi edhe më herët, pra në vend tjetër t‘i “shkurtojmë”, por bash aty, ku edhe e dëshironim, na erdhën.
Ishim disa grupe, në disa prita. Kolona ishte e gjatë. Kishim lajmin nga vëzhguesit se janë të shoqëruar edhe me helikopterë. I pritëm deri sa hynë në mesin e të gjithë grupeve nga 3-4 e deri në 5 veta në grup, ku numri i përgjithshëm nga ne ishte prej 23 vetash (kuptohet prej fshatit Lludeviq deri tek vendi i quajtur “kryqat e popit”). Të tjerët ishin në vende të tjera, për të mos i përshkruar tash të gjitha. Kolona hyri ku dëshironim. Së pari sulmuam me minahedhës, e pastaj disa me bomba e disa me armë zjarri të ndryshme, si automatikë, snajperë e mitraloz. Konfrontimi filloi rreth orës 10 ku zgjati deri rreth orës 13-14. Operacioni ishte shumë i vështirë, luftë e ashpër, e pandërprerë, harxhuam shumë municione, sidomos në helikopterët. Disponimi në forcat tona ishte në nivel, edhe pse disa ishin në paren. Përveç harxhimeve në municion, nga forcat tona nuk pati humbje e as të plagosur. Çka është më e rëndësishmja, edhe fshatarët e këtyre anëve u përgjigjen dhe u mbushën malet me luftëtarë të gatshëm, ku gjatë tërheqjes policia u sulmua nga të gjitha anët, e ku policia në panik shtiu kah mundi, në objekte civile, shkolla e xhami.
Pasi i shtymë të tërhiqen forcat speciale serbe, shkuam në vendin e ngjarjes ku ishin forcat armike. Ata kishin lënë në vend shumë dëshmi që të tregojnë se kanë pasur humbje dhe se kanë qenë të hendikepuar nga paniku. Gjetëm municion të ndryshëm të kalibrit të madh e deri tek revolverët, veshje anti-plumb të përgjakura, shlema, karikatorë të ndryshëm, maska kundër gazrave, patrona lotësjellës e shumë e shumë të tjera. E gjithë rruga që nga fshati Lludeviq e deri në vendin “Kryqat e popit” ishte e mbuluar nga gëzhonjat. Damet e pësuara nga armiku, çka na i kemi parë, janë një autoblind i kallur, një i prishur, mitralozin e shkatërruar, njërin nga “pizgauerët” e djegur e disa blinde të damtuar pjesërisht. Helikopteri dyshojmë se ka qenë i goditur, se shumë shpejt u largua dhe më nuk u duk, duke i lënë forcat e veta të vetmuara, gjysëm ore para se të tërhiqeshin. Kemi kërkesa të mëdha për antarsim, por mungon armatimi. Shumë pak keni punuar në këtë drejtim. Prandaj shokët që veprojnë në këtë trevë të Drenicës, kërkojnë që të përfaqsohemi me nji nga shokët tonë të mëhershëm që tani e disa kohë gjendet jashtë, nën emrin e tij konspirativ “VESHI”. Në fund të këtij rrëfimi ju përshendesim përzemërsisht nga Drenica. Lavdi të rënve për liri. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016