Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al / Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi zyrtarisht në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën praktikisht e kishte filluar që nga viti 1941, me Anastas Lulën e Sadik Premten, e vazhdoi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!
Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!
Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.
Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, procesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.
Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie.al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për ish-drejtorit të Makinaimportit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës,, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me radhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me radhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të kryeqytetit, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu. Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderime, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur!
AKT-AKUZA E GJYKATËS SË LARTË TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË DHE VENDIMI PËR DËNIMIN ME VDEKJE, ME PUSHKATIM, TË DREJTORIT TË MAKINA-IMPORTIT, ANDREA MANÇO
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
Nr. 11. Regj. Themeltar.
Nr.11 i Vendimit
VENDIM
NË EMËR TË POPULLIT
Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, përbërë prej:
Lumturi Resnja, Anëtare e Gjykatës së Lartë
Mithat Goskova, Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë
Fehmi Lagreta, Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë
Të asistuar prej sekretarit Sadik Memo, me pjesëmarrjen e Prokurorit Edmond Sanxhaktari, sot në datën 20.5.1976, mora në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale Nr.11 që i përket të pandehurit.
RELACION
Këto qëndrime e veprime të tij, kanë dobësuar vigjilencën revolucionare të punonjësve të Tregtisë së Jashtme, në hundën e të cilëve i pandehuri me qëllime kundër revolucionare, ka kryer gjithë këto veprimtari armiqësore.
Pohimet e tij në këto drejtim, shpjegimet e dëshmitarëve si dhe përmbajtja e letrave anonime të shkruara prej tij, aktet e ekspertimit grafik që vërtetojnë se autor i tyre ishte vetë i pandehuri, janë prova të pakontestueshme që vërtetojnë se i pandehuri Andrea Manço, e ka konsumuar plotësisht edhe krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, parashikuar nga neni 73/1 të K. Penal.
Nga mallrat që i vinin sektorit të Makina-importit të Tregtisë të Jashtme, nga firmat e huaja ose përfaqësitë tona tregtare jashtë shtetit, ka marrë me qëllim përvetësimi, një sasi sendesh me vleftën e përmendur më sipër, të cilat u gjendën gjatë kontrollit në banesën e tij. Shumë prej këtyre dhuratave, në kundërshtim me vendimet e qeverisë, ua ka shpërndarë miqve dhe shokëve të tij, duke i shkaktuar ndërmarrjes një dëm prej 7.252 lekë.
Element i degjeneruar dhe imoral, ai kishte krijuar marrëdhënie intime në zyrat e ndërmarrjes me një vartësen e tij. Në këtë ky i pandehur ka konsumuar plotësisht edhe figurën e krimit të shpërdorimit të pozitës zyrtare, parashikuar nga neni 199/1 të K. Penal.
Prej vitit 1970, deri në vitin 1974, ky i gjykuar ka shkuar 16 herë jashtë shtetit. U vërtetua plotësisht se gjatë këtyre udhëtimeve ai u ka marrë personave të ndryshëm dollar Amerikanë, të cilët i ka nxjerrë jashtë shtetit në kundërshtim me dispozitat që rregullojnë veprimet për administrimin e arit dhe të valutës, ka blerë me to sende të ndryshme dhe pasi i ka sjellë në Shqipëri, duke i fshehur nga kontrolli doganor, ua ka shpërndarë personave të interesuar, duke kryer kështu edhe krimin e kontrabandës së cilësuar, parashikuar nga paragrafi i II-të të nenit 91 të Kodit Penal. Edhe ky krim u provua me pohimet e plota të të pandehurit me dëshmitarë dhe me sendet e kapura.
Në masën e dënimit kundër të pandehurit Andrea Manço, gjykata ka parasysh shkallën e rrezikshmërisë tepër të theksuar që paraqesin veprat e kryera prej tij si dhe shkallën e rrezikshmërisë tepër të theksuar që paraqet vetë i pandehuri.
Koha relativisht e gjatë që ai e ushtron këtë veprimtari, cinizmin dhe urrejtje e thellë për Partinë dhe pushtetin popullor, që e kanë shtyrë atë të kryejë këto vepra armiqësore, kanë sjellë një dëm të rëndësishëm interesave të Partisë dhe të Shtetit tonë në fushën politike, ideologjike dhe ekonomike.
PËR KËTO ARSYE
Në bazë të neneve 278-279 të K. Pr. Penale Gjykata
VENDOSI
- Të deklarojë fajtor të pandehurin Andrea Manço, për krimin e sabotimit ekonomik dhe në bazë të nenit 72 të Kodit Penal e dënon me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, me humbjen e të drejtës, elektorale për 5 vjet kohë dhe heqjen e dekoratës Urdhrin e Punës Klasi II-të.
- Të deklarojë atë fajtor për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të K.P., e dënon me 10 vjet heqje të lirisë.
- Të deklaroj fajtorë të pandehurin Andrea Manço, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste dhe në bazë të nenit 81 të K.P., e dënon me 3 vjet heqje të lirisë.
- E deklaron fajtor për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe në bazë të nenit 199/1 të K.P., e dënon me 2 vjet heqje të lirisë.
- Të deklarojë fajtor për krimin e kontrabandës së cilësuar dhe në bazë të nenit 91/II të K.P., e dënon me 3 vjet heqje të lirisë.
Duke bërë bashkimin e dënimeve në bazë të nenit 48 të K.P., e dënon me vdekje me pushkatim, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe heqjen e dekoratës Urdhrin e Punës të Klasit të II-të.
Shpenzimet gjyqësore të dënuarit.
Vuajtja e dënimit, i fillon nga data e arrestimit, në 27. III. 1975.
Vendimi është i formës së prerë.
Ai nuk ekzekutohet deri sa të shqyrtohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
U shpall në datën 20.5.1976
SEKRETARI KRYETARI
Sadik Mema Lumturi Resnja
DOKUMENTI ARKIVOR ME LUTJEN E TË DËNUARIT ME VDEKJE, ANDREA MANÇO, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, PËR FALJEN E JETËS
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Lutje
Unë i nënshkruari Andrea Kristaq Manço, lindur në katundin Boboshticë, të rrethit të Korçës, më 16.3.1925, mbas gjykimit që mu bë nga ana e Gjykatës së Lartë të R.P. të Shqipërisë, datë 20.5.1976, u dënova me pushkatim, për krime shumë të rënda, si sabotim, agjitacion e propagandë, përvetësim të pasurisë socialiste, dhe kontrabandë.
Dënimin e quaj të drejtë, por duke pasur parasysh që jam penduar, kam qenë shtëpi bazë e luftës, jam vëllai i Todo Manços, si dhe kam dy fëmijë në ngarkim, ju lutem të më falni jetën. Memorie.al
Me nderime Andrea Manço
Tiranë, 21.5.1976
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016