Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e katër
Memorie.al / Nisur nga specifika e veçantë që kishte Radio-Televizioni Shqiptar, si një nga institucionet më të rëndësishme të informacionit dhe propagandës së regjimit komunist, deri në fundin e viteve ’80-të, ai ishte jo vetëm nën vartësinë dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, por edhe të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, të cilat si “ORV” (Objekt i Rëndësisë së Veçantë), e mbanin atë nën një kontroll të rreptë, jo vetëm nga ana e sigurisë fizike të atij institucioni, por deri te “pastërtia dhe figura morale e politike” e punonjësve të tij, biografia e të cilëve shikohej me hollësi në disa breza, duke i kaluar ata në “sitë” vit pas viti.
Jo vetëm kaq, por organet e Sigurimit të Shtetit, me anë të agjenturës që kishin rekrutuar brenda atij institucioni, e kishin dhe e mbanin Radio-Televizionin në një kontroll të vazhdueshëm e të rreptë, duke penetruar në të gjithë hallkat e tij, si; drejtoria, redaksitë përkatëse, pikat e montazhit, studiot e transmetimit, studio e regjistrimit të zërit, arkiva, grupet e realizimit të filmave, magazinat, prapavija, shoferët dhe automjetet e tyre, e deri te kontrolli fizik i punonjësve dhe të ftuarve, te dyert ky hynin e dilnin. Të gjitha këto, veç të tjerash, bëhen të ditura edhe nga një sërë dokumentesh arkivore, që janë pjesë e një dosje që i përket këtij institucioni tejet të rëndësishëm, që nga krijimi i tij në vitin 1961, e deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991.
Nga kjo dosje e nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (fondi i ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat tashmë janë pjesë Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), kemi përzgjedhur disa dokumente që i përkasin viteve ’70-‘80-të, duke filluar publikimin e tyre me tre dokumente të periudhës së viteve 1978, 1980 dhe 1981, ku drejtorët e Drejtorisë Punëve të Brendshme të Tiranës, përkatësisht Nustret Dauti dhe Zef Loka, informojnë Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi të gjithë problematikën e këtij institucioni.
Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet në fjalë, ku krahas një numri të madh punonjësish të atij institucioni, që janë ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit ndër vite, rezultojnë gjithashtu edhe disa prej emrave shumë të njohur, që janë konsideruar si “ikona” të Radio-Televizionit Shqiptar, para dhe pas viteve ’90-të, si; Robert Shvarc, Gaspër Çurçia, Alfon Gurashi, Gjon Simoni, Qemal Xhomo, Viktori Xhaçka, Meropi Xhai, Shpresa Musliu, Gjergj Pekmezi, Alfred Papuçiu, Xhezair Abazi, Shpëtim Gina, Edmond Dilaveri, Mërkur Bozgo, Agron Aranitasi, Jochen dhe Irene Blanke, Muhamet Oseku, Arben Xoxe, Janka Selimi, Timo Luto, Xhuni Tejlor, Arjan Bakiri, Gazmor Halilaj, Mond Lako, e deri te Vera Grabocka, etj. Këto dokumente, publikohen për herë të parë në disa numra ekskluzivisht nga Memorie.al
DOKUMENTI SEKRET I PËRPILUAR NGA ZV/DREJTORI I DREJTORISË SË PUNËVE TË BRENDSHME TË TIRANËS, ZEF LOKA, DËRGUAR SEKTORIT PËRKATËS PRANË APARATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH-SË, LIDHUR ME SIGURIMIN E RADIO-TELEVIZIONIT DHE RADIOSTACIONEVE TË TIJ, ME AGJENTURËN PËRKATËSE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 4
DREJTORIA E PUNËVE TË BRENDSHME E përkohshme 5 vjet
ANA E SIGURIMIT Tiranë, më 27.8.1981
Nr. 2396
ANALIZA
PËR PUNËN E BËRË PËR SIGURIMIN E RADIO-TELEVIZIONIT DHE RADIOSTACIONET
MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
Drejtorisë I-rë (Degës së III)
TIRANË
Si është organizuar puna agjenturore-operative për ruajtjen e pastërtisë dhe objektit RTV
Në këtë institucion kemi gjithmonë 14 B.p., nga të cilët 12 informatorë dhe 2 rezidentë. Dy informatorë dhe 1 rezident, janë nga radhët e policëve dhe janë tërhequr për ruajtjen e pastërtisë së trupës që shërben aty. Kjo agjenturë është tërhequr në princip drejtimi dhe objekti.
Në përgjithësi ajo plotëson nevojat që kemi për objektin, mbasi është shpërndarë në të gjithë sektorët e rëndësishëm në RTV-së. Kështu në Radion e Jashtme, kemi tre informatorë, në Radion e Brendshme tre informatorë, në Televizion tre informatorë dhe një rezident, në Radion teknike, një informator.
Këta B.p., punojnë kryesisht në pika kryesore të Radios e Televizionit, në aparatura, në pultet e regjistrimit dhe në vende të tjera të rëndësishme, nga ku mund të kontrollojnë objektet në kontrollin operativ, 2/B, kontingjentet, si dhe për të parandaluar çdo veprimtari të mundshme agjenturore.
Nga radhët e kësaj agjenture, kemi tre bashkëpunëtorë kundër diversionit, të cilët punojnë në vende të rëndësishme, funksionimi normal i të cilave, siguron mbarëvajtjen e Radios dhe të Televizionit. Për të gjithë agjenturën, është përgatitur rrethi çështjeve, në të cilat janë nënvizuar detyrat kryesore të tyre, të specifikuara sipas sektorëve ku punojnë.
Agjentura e këtij institucioni, ka dhënë raporte me vlerë, si për veprimtari armiqësore, ashtu dhe për probleme të tjera në bazë të të cilave janë bërë informacione dhe janë marrë masat e përshkruara më sipër. Për këtë institucion, kanë dhënë edhe B.p. të tjerë nga radhët e artit e të kulturës, që aktivizohen si B.p. të jashtëm, në Radio-Televizion. Kemi 2 agjentë dhe 5 informatorë që aktivizohen në këto institucione, e që kanë dhënë në këtë drejtim.
- Radiostacioni i Kasharit
Ky objekt varet nga Drejtoria e Radio-Televizionit, por duke u nisur nga rëndësia politike e tij, mbasi aty transmetohen një pjesë e emisioneve të Radio-Tiranës, nga ana jonë është marrë objekt i rëndësisë së veçantë më vete. Në këtë institucion punojnë gjithsej 8 veta, ndërmjet të cilëve, nuk kemi ndonjë element kontingjent, kemi një në kontroll operativ 2/B.
Punonjësit e këtij objekti, janë inxhinierë dhe teknikë të mesëm. Gjatë këtyre dy vjetëve, në këtë objekt nuk kanë dalë të dhëna për aktivitet armiqësor. Problemet që ka pasur, kanë qenë të natyrës teknike, defekte në transmetimin e emisioneve që kanë sjellë ndërprerjen e emisioneve të Radios, etj.
Gjatë këtyre dy vjetëve, ka pasur vetëm një rast, që emisionet e Radio-Tiranës janë ndërprerë, për defektet e radio-stacionit të Kasharit (Radio-Tirana, transmeton me radiostacionin e Kasharit, vetëm në orën 08.-12.00 paradite, ndërsa në orët e tjera, punon me Shijakun). Defekti në fjalë, ka ndodhur më datën 27.4.1981, në orën 11.15’ dhe ky për 2 minuta, mbasi u kalua në radiostacionin e Shijakut.
Defekti në fjalë, u përsërit edhe të nesërmen më 28 prill, por kjo nuk shkaktoi ndërprerjen e emisioneve të Radios, mbasi po bëheshin prova. Nga të dhënat e agjenturës dhe nga analiza që i ka bërë Drejtoria e Radio-Televizionit këtij problemi, doli se disa punonjës të këtij objekti, nuk kishin treguar kujdes në mirëmbajtjen dhe marrjen e masave profilaktike të aparaturave.
Për këtë ju kemi informuar me shkresën tonë 1998, datë 17.7.1981. Nga ana e Drejtorisë së RTV-së, u morën masa për punonjësit, duke i detyruar që të paguajnë vlerën e dëmit, në rreth 1000 lekë.
Në këtë objekt kemi vënë një agjent me pseudonimin “Tigri”, i cili ka ngritur probleme të rëndësishme herë pas here, si për veprimtari armiqësore të Filip Koçës në kontroll operativ 2/B, i cili ka qenë në 2/A dhe me të dhënat e agjentit të mësipërm, u këshillua. Ky B.p. ka dhënë edhe për dy objekte të tjera të jashtëm, në përpunim aktiv 2/A.
Për Radiostacionin ka dhënë materiale me vlerë dhe ka sqaruar shkaqet e defekteve kur ato kanë ndodhur, ose për marrjen e masave të duhura për të parandaluar defektet. Në drejtim të objektit, është aktivizuar edhe dhe ka mundësi të japë, B.p. “Lapsi”, i cili shkon shpesh me detyrë në radiostacion. Duke u nisur nga përbërja e mirë e këtij objekti dhe numri i tyre i vogël, mendojmë se kjo agjenturë, i plotëson të gjitha nevojat që kemi.
Për sigurimin fizik të radiostacionit, është një vend-rojë me tre ndërresa dhe për raste gatishmërie, përforcohet edhe me një ndërresë tjetër. Për ruajtjen e pastërtisë së policëve, ka pasur një informator, por ky është transferuar dhe aktualisht sektorit përkatës i lind detyrë për tërheqjen e një informatori, kjo do të kryhet deri më datë 30.11.1981.
Nga ana e trupës së policisë, gjatë kësaj periudhe, nuk kemi asnjë ngjarje. Duke u nisur nga fakti, se ky objekt ka një territor të madh, jemi të mendimit se për turnin e natës, të shtohet një vendroje, mbasi aktualisht, lind vështirësi në sigurimin e plotë të tij.
- Radiostacioni i Kamzës
Ky radiostacion varet nga Agjensia Telegrafike Shqiptare dhe kryen detyrat e marrjes së transmetimit të lajmeve nga bota e jashtme. Për vetë detyrat e rëndësishme që kryen, nga ana e jonë është marrë objekt i rëndësisë së veçantë. Në këtë objekt punojnë gjithsej 20 punonjës, pjesa dërrmuese e tyre janë teknikë.
Përbërja e këtyre punonjësve është shumë e mirë, nuk ka asnjë element që të jetë kontingjent. Gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur asnjë të dhënë për aktivitet armiqësor e keqbërës. Funksionimi i radiostacionit ka qenë normal dhe probleme gjatë kësaj periudhe nuk kanë dalë.
Por përsa i përket gatishmërisë për kohë lufte, kemi pasur të dhëna të rëndësishme të cilat hidhnin dritë në mungesat me kompletimin e gatishmërisë së këtyre objekteve dhe për neglizhencën e mirëmbajtjes së aparaturave. Hollësisht për këto probleme, ju kemi njoftuar me shkresën tonë 1068, datë 26.3.1980 gjithashtu për këtë problem është njoftuar dhe Komiteti i Partisë dhe janë marrë masa për stabilizimin e gjendjes.
Me gjithë punën e mirë që është bërë në këtë drejtim, përsëri ka disa mungesa sidomos në furnizimin e karburant të motorrave, mungesën e një plani perspektiv për punime, etj. Këto të dhëna kohët e fundit, janë konsumuar me drejtuesit e ATSH-së.
Në këtë objekt, kemi vetëm një informator i cili na ka sinjalizuar, për problemet që ka pasur dhe është në gjendje të na informojë për të gjitha problemet që mund të ketë në këtë institucion, duke u nisur dhe nga përbërja e mirë e punonjësve të këtij radiostacioni, jemi të mendimit që kjo agjenturë plotëson nevojat tona, mbasi përveç atij, aty aktivizohen me detyra dhe B.p, të tjerë, që punojnë në ATSH.
Të tillë janë B.p. “Aviacioni” dhe “Patrioti”. Objekti i mësipërm sigurohet me tre vendroje me nga tre ndërresa, gjë që e siguron plotësisht ruajtjen e këtij objekti. Për ruajtjen e pastërtisë së ushtarëve, kemi një informator e një rezident. Ngjarje gjatë kësaj periudhe me trupën, nuk kemi pasur.
- Antena televizive e Dajtit
Antena televizive e Dajtit, është një objekt që varet nga Drejtoria e Radio-Televizionit. Është marrë ORV (Objekt i Rëndësisë së Veçantë), më vete për shkak të rëndësisë që ka në sistemin e qendrës sonë televizive. Në këtë objekt punojnë 10 punonjës, kryesisht teknikë dhe dy inxhinierë, përbërja politike e të cilëve është e mirë.
Aty nuk ka asnjë person në përpunim ose kontingjent. Gjatë këtyre dy vjetëve që analizojmë nuk ka pasur asnjë problem shqetësues, si në mirëmbajtjen e aparaturave ashtu dhe në defekte të ndryshme. Për regjimin e hyrje daljeve, kemi patur sinjalizime në një rast se nga dy teknikë janë marrë njerëz të jashtëm për të parë një ndeshje futbolli.
Për këtë gjë, jemi sinjalizuar nga agjentura dhe e kemi ngritur si problem me drejtuesit e Radio-Televizionit, dhe me Komandën e Batalionit të Objekteve, për shkaktarët u morrën masa këshillimi nga drejtoria përkatëse. Në datën 17.8.1981, në aparaturën e antenës, janë djegur dy llamba të cilat kanë sjellë prishjen e figurës.
Kjo u bë problem në drejtori dhe për shkaktarët do të merren masa. Në këtë objekt, kemi vetëm një B.p., me pseudonimin “Dajti”, por aty aktivizohen dhe B.p., “Lapsi” dhe “Tavolina e Punës”, të cilët shkojnë herë pas here aty. B.p., të mësipërm, kanë sinjalizuar herë pas here për probleme që kanë dalë.
Jemi të mendimit se kjo forcë zbuluese i plotëson nevojat agjenturore në këtë objekt. Për sigurimin e këtij objekti, Batalioni ka një truproje me tre ndërresa. Për ruajtjen e pastërtisë së tyre, nuk ka B.p., por lind detyra, që deri në 30.12.1981, të tërhiqet një informator nga radhët e tyre.
Nga trupa gjatë kësaj periudhe, nuk ka dalë ndonjë problem. Për zbatimin e porosive të dhëna herë pas here nga Ministria, për sigurimin e këtyre objekteve, përveç detyrave të mësipërme nga sektori operativ dhe ai i Batalionit të Objekteve, në të ardhmen të kryhen këto detyra:
- Nga ana e sektorit operativ të ri studiohet dhe konspektohet edhe një herë urdhri i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Nr. 4255 dt 26.8.1971, “Mbi Radiostacionet” dhe detyrat që rrjedhin prej tij, të zbatohen në vazhdimësi.
- Me agjenturën që punon në këto objekte, të bëhet një punë më e mirë edukuese e profesionale, të shkohet herë pas here në takime me atë agjenturë që është e lidhur me rezident dhe të përcaktohen detyra konkrete për secilin B.p. sipas objektit. Rrethi i çështjeve të tyre të pasqyrohet me detyra të reja e konkrete.
- Sipas detyrave që u shtruan më sipër për secilin objekt, të tërhiqen në bashkëpunim dy B.p., kundër diversionit në Radio-Televizion, ndërsa nga ana e sektorit të ruajtjes së pastërtisë së trupës, deri në 30.12.1981, të tërhiqen dy B.p., një në radiostacionin e Kasharit, dhe një në antenën e Dajtit.
- Punëtorët Operativë, të shkojnë herë pas here në këto objekte, dhe përveç kontaktit me drejtuesit të lidhen më mirë me punonjësit e tjerë për të ngritur vigjilencën e tyre dhe për të grumbulluar informacion, për problemet që ka në këto objekte. Për këto probleme, të informohet Komiteti i Partisë së rrethit dhe Dega e VIII.
- Në bashkëpunim me drejtuesit e këtyre institucioneve, me punonjësit e këtyre objekteve të bëhet një punë më e mirë, për regjimin e hyrje daljeve, për të zbatuar pa asnjë lëshim rregulloret përkatëse. Një punë e tillë, të bëhet dhe për masat kundër zjarrit.
- Me trupën që kryen shërbim në këto objekte, të intensifikohet puna politiko-ideologjike, për kuptimin në thellësi të detyrave që kryejnë. Për këtë dhe nga ana e Punëtorëve Operativë të shkohet e të zhvillohen biseda, jo vetëm për rëndësinë politike të këtyre objekteve, por edhe për synimet e armiqve të klasës të brendshëm e të jashtëm, të Radiostacioneve.
- Komanda e Batalionit të Objekteve, të organizojë më mirë se tani kontrolle të shpeshta e të befasishme, për të parë se si kryhet shërbimi nga trupa e për çdo problem të informojë Drejtuesit e Punëve të Brendshme. Memorie.al
ZËVENDËS DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME
ZEF LOKA
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016