Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzete
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Dokumenti sekret me deklaratën e sekretarit të Parë të Komitetit Rinisë së Qarkorit të Shkodrës, Gac Mazi, lidhur me akuzat e tij për “veprimtarinë armiqësore të Tuk Jakovës nga viti 1944 deri në 1955-ën”!
D E K L A R A T E
Unë i nënshkruari Gac Mazi, i biri Kolës, lindur dhe banues në Shkodër, me profesion Sekretar i Parë i Komitetit Qarkor të Rinisë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, deklaroj sa më poshtë vijon: Në lidhje me Tuk Jakovën, unë di se që kur ishte Komisar i Popullit në Shkodër në vitin 1945-’46, ka pas kontakte të vazhdueshme me klerikë, fretër dhe priftërinj, të cilët i shkonin në shtëpi dhe në zyrë. Nga këto më kujtohet Dom Ernesto Çoba, tani Argjipeshkvi në Shkodër si dhe Padër Leon Kabashi, tani frat në Seminarin Franceskan.
Të tjerët nuk më kujtohen. Qëllimi i takimit të tij nuk e di, por unë mendoj që ka qenë për favorizime.
Me rastin e shpalljes së kandidaturave për në Kuvendin Popullor në vitin 1949, Tuk Jakova ka bërë mbledhjen e tan lagjes katolike të zonës së tij në oborrin e Kishës së Madhe në lagjen Serreq, ku në këtë mbledhje ka pas pjesëmarrje edhe të klerikëve katolikë.
Gjithashtu në kohën kur ishte Komisar i Korpusit të III-të, ka pas marrë material për shtëpi nga tregtarët e Shkodrës, pa pagesë. Me këto materiale ai ka pas kompletua shumë dhoma të ish shtëpisë së Zef Kokës, që e kishte marrë për banim. Gjithashtu edhe tregtarët e tjerë të Shkodrës i kanë çue ryshfete, si Zef Koka, Man Tepelia etj.
Ka ndërhy direkt në Pushtetin Lokal të Shkodrës, për të lëshu një kopsht familjes tregtarit Koliqi, që ja kishin dhanë një komshiu me qera. Ndërhyrja e Tukut ka qenë e padrejtë. Toka ju hoq komunistit Fadil Metushi dhe ju dha pronarit, i cili edhe sot e shfrytëzon.
Në kohën kur asht rrëzua një kushëri i tija nga spitali (e bija e Zef Shirokës), njeri i prekun nga reformat e pushtetit, ka dërguar në Shkodër të vëllanë e tij, Frano Jakovën, për t’u interesuar se gjoja kjo familje është e persekutuar nga ana e pushtetit. Ka qit fjalën se ka ra nga spitali, pse nuk ja kanë sigurue punën dhe se ka qenë tuj dekë për bukë.
Me rekomandimin e Tukut pranë pushtetit të Qarkut, janë caktue për të verifikuar çështjen në vend, shoku Sadik Rama, sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qarkut, si dhe …Mazi, sekretare Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të qytetit të Shkodrës.
Megjithëqë këto dy shokë, kanë konstatuar gjendjen reale të aksidentit të saj, në kundërshtim me ato që thonte Tuku, familjes së Tuk Jakovës dhe të Franos, nuk i mbushej mëndja.
Me sa deklarova ma nalt, janë të vërteta.
Deklaruesi
Gac Kolë Mazi
Dokumenti tepër sekret i Zv/Drejtorit të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, gjeneral-major Zoi Themeli, dërguar Enver Hoxhës, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës në vitin 1955, kur ai ishte në detyra të larta partiake dhe shtetërore
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, 12.5.1955
DREJTORIA E SIGURIMIT TË SHTETIT
R E L A C I O N
Që nga data 7 deri më 12, është konstatuar se;
- Më datën 8 ai ka shkuar në Durrës (në plazh) ku qëndroi prej orës 9 e 30 deri në orën 11.00, kurse më datën 10.5.1955, ka shkuar përsëri në Durrës (në Bisht të Pallës), dhe me barkë lundroi në det duke qëndruar prej orës 14.00 deri në orën 17.00
Herën e parë kur ka vajtur në Durrës, nuk dihet se me kë është takuar, kurse herën e dytë, ka pasur me vete, Koço Tikën që punon në kryeministri, Sali Angonin që është në Ndërmarrjen e Projekteve dhe kryetarin e sekretarin e Komitetit Ekzekutiv të Durrësit. Kur janë kthyer nga Bishti i Pallës, kanë qëndruar gati një orë në Komitetin Ekzekutiv të Durrësit dhe pastaj kanë ardhur në Tiranë.
- Ka shkuar dy herë në Fabrikën e Tullave, njëherë më datën 4.5.1955 dhe njëherë tjetër më datën 9.5.1955, në të dyja rastet, ka qëndruar nga një orë e gjysëm, dhe herën e parë ka pasur me vete, sh. Muhamer Spahiu, kurse herën e dytë ka qenë vetëm.
- Me datën 6.5.1955, në orën 9.00, ka shkuar në Ministrinë e Ndërtimit së bashku me Josif Pashkon, ku qëndroi deri në orën 10.00 dhe u kthye në Ministri.
Më datën 11, ora 18.00, së bashku me Muhamer Spahiun, kanë shëtitur me makinë nga Kombinati “Stalin” deri në Kinostudio dhe u kthye në shtëpi në orën 19 e 40 dhe nuk doli më.
Gjatë këtyre ditëve është frekuentuar nga persona të ndryshëm, siç janë:
Më datën 6.5.1955, nga shoku Josif Pashko, që thamë më sipër dhe më vonë, në ora 10 e 45, e kanë frekuentuar Drejtori i Përgjithshëm i Komunales, inxhinier Hamza Lloja,
Myqerem Ceka dhe Imer Demi, të gjithë kanë qenë së bashku në zyrën e tij dhe kanë dalë një e nga një.
Më datën 7.5.1955, ora 9.00, i ka shkuar në zyrë Koço Tika, ku qëndroi deri në ora 10.00, në këtë orë i ka vajtur Muhamet Perja, në ora 10 e 30 e ka frekuentuar Perikli Kasneci, që punon me të dhe në ora 11.00, ka shkuar shefi i Tregtisë për Qarkun e Vlorës, Jani Jano.
Më datën 8, 9 dhe 10, nuk është frekuentuar nga njerëz të huaj, veçse si u përmend më sipër, që më datën 8 dhe 10, ka qenë në Durrës.
Më datën 11, ora 9.00, i kanë vajtur në zyrë shoku Josif Pashko, Milo Qirko, Muhamer Spahiu, Muhamet Perja, Pupo Shyti dhe nga ora 12.00 ka shkuar Mina Mema.
Gjatë këtyre ditëve në zyrë është frekuentuar nga dy tri herë prej sekretarit të tij, dhe disa herë prej Muhamer Spahiut.
Në shtëpi i ka vajtur më datën 11, ora 19 e 20, Isuf Cela, i cili qëndroi atje deri në mëngjesin e datës 12, që e nxori me makinën e tij, kur doli për në zyrë. Tjetër njeri nuk ka shkuar në shtëpi gjatë këtyre ditëve.
Nga bisedimet me kuzhinierin, nuk u konstatua ndonjë send si më parë, vetëm se ky (kuzhinieri), u ankua se nuk i del blloku, pas i jep 1000 lekë nga të bllokut, të së ëmës.
Nga vështrimi i jashtëm, duket të jetë i mërzitur dhe oficeri që e shoqëron, ka filluar të ankohet duke biseduar me shokun tonë, se: “Le mua, por as shoferin nuk e lë të largohet për asnjë çast, kështu asnjë nga udhëheqësit nuk bën, ai është mjaft i mërzitur”!
Nga shikimi i shokut tonë, më datën 12, u konstatua se ai ishte mjaft i mërzitur, bile për një diçka që i tha shoqëruesi, ai jo vetëm që s’i foli me gojë, por me anë të dorës i bëri shenjë që të largohet.
Në këtë ditë, prej orës 7.00 deri në orën 8.00, qëndroi në zyrë, nga ora 8.00 deri më 10.00, doli në Tiranë, akoma nuk e dimë vendin ku vajti dhe prej orës 10.00 shkoi në shtëpi, ku deri në orën 14.00, nuk doli.
Përsa i përket atij tjetrit, nuk kemi akoma të dhëna mbi frekuentimet që i bëhen në zyrë dhe në shtëpi. Vetëm nga sa mësuam se i vëllai i të parit që punon në Ministrinë e këtij, e frekuenton shpesh atë. /Memorie.al
Zv/ Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit
Gjeneral Zoi Themeli
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016