Nga UVIL ZAJMI
Memorie.al / Një shkrim për Torez Çirakun, e kisha projektuar prej kohësh, duke qenë që e kam jetuar nga afër atë brez sportistësh dhe futbollistësh, midis tyre edhe Torezin. Lojtar i shkëlqyer, i sjellshëm, shumë i dashur, miqësor, model në fushë e në jetë. Kështu e mbaj mend. Më pas, karriera e tij e ndarë në dy pjesë: “Partizani” dhe “Dinamo”. Nga një lojtar i talentuar, por shtatshkurtër dhe jo i preferuar nga Boriçi, te kalimi surprizë në radhët e “Dinamos”. Ishte një transferim i bujshëm, aq më shumë për rivalitetin midis dy klubeve sportive.
Këtu nis karriera brilante e tij. Titullar që në ndeshjen e parë, një “ala tornante” moderne e kohës, i palodhur, si një motor, vajtje-ardhje, në sintoni me aksione manuale me Iljaz Çeçon, Gani Xhafën në mbështetje të Shyqëri Ballgjinit, Vasillaq Zërit dhe Ilir Përnaskës, së “Dinamos”, së famshme.
Pastaj ndarja pa kthim, largimi në Itali ku banon aktualisht dhe ndërhyrja e vështirë kirurgjikale në zemër, kur mjeku italian e këshilloi: “Të kam dhënë 30 vite jetë, mos abuzo, që të mos vish sërish tek unë”. Kështu na tregon Torez Çiraku dhe pastaj shton: “Më pëlqen Insinje, më kujton lojën time”.
Zoti Çiraku, para disa javësh një e përditshme botoi një shkrim me treshet më të njohura të futbollit shqiptar. Ndër ta ishit edhe ju me Iljaz Çeçon e Gani Xhafën…
Sinqerisht më erdhi shumë mirë kur e lexova, pasi gazetën ma dërguan në Itali.
Një familje jo e lidhur me sportin, kurse ju i dashuruar pas futbollit dhe “Partizanit”…! Pse?
Kam lindur në vitin 1948, jemi dy vëllezër. Më i madhi inxhinier, kurse mua familja më dërgoi në shkollën “Skënderbej”. Isha djalë i lëvizshëm. Edhe pse nuk doja, nuk më pëlqente, ëndrra për të luajtur me “Partizanin” ishte një mundësi që kjo shkollë ta ofronte. Trajnerët e parë kanë qenë Skënder Deda, Sh. Çiçiku dhe Bejkush Birçe. Si “Skënderbegas”, qëndrova 4 vjet.
Isha kapiten i skuadrës së shkollës dhe i të rinjve të “Partizanit”. Aty kam njohur Neptun Bajkon, Pëllumb Shaqirin, Bashkim Muhedinin, Çakon, Lenën, Spiro Gjikën, Gjergj Thakën, Suvorov Seferin, etj. Si ish-skënderbegas, e ruanim miqësinë në fushë e jashtë saj. Edhe sot.
Ju kujtojmë kur ishit lojtar i “Partizanit”, stërviteshit tek ish-Shkolla e Partisë…?!
Në vitin 1965, shkova te “Partizani”, te ekipi i parë. Trajnerë ishin Rexhep Spahiu dhe Loro Boriçi. Luaja mesfushor dhe kisha të dhëna të mira teknike. Taktikisht vendosesha mirë dhe e lexoja lojën. Stërvitja te ish-Shkolla e Partisë, ndiqej nga shumë tifozë. Dushet i kishim pas Pallatit të Sportit “Partizani” (Sot “Asllan Rusi”) dhe duhet të kalonim rrugën.
Atje ishte edhe Klubi Sportiv. Mblidheshim në dhomën e Sabah Bizit, pinim cigare. Edhe pse ruheshim, Boriçi e dinte dhe nuk i pëlqente kjo gjë. Kuzhinier ishte Zari e, disa nga ne i kishte të veçantë. U jepte diçka më shumë si trajtim. Trajner ishte Refik Resmja.
A mund të themi se po ri formatohej “Partizani”?
Resmja qëndroi nga 1966-1967 deri në 1969. Pas ngjarjeve të 1967-ës, përjashtimit të “17 Nëntorit” e “Partizanit”, ai krijoi një skuadër të re, duke mbajtur disa titullarë. Por, afroi dhe aktivizoi brezin tonë, me lojtarë të rinj: Neptun Bajkon, Shaqirin, mua, Kenon, etj. Refik Resmja, si një ish-sulmues, i dha prioritete sulmit. Krijoi një formacion argëtues. Në vitin 1968, fituam Kupën e Republikës dhe në shtator luajtëm kundër “Torinos”.
Nga stoli në fushë, ju ishit nismëtar i golave ndaj “Torinos”, apo jo?
Në dy takimet ndaj “Torinos” e kam nisur nga stoli, duke zëvendësuar dy futbollistë të mëdhenj. Në Tiranë, sapo nis pjesa e dytë, zëvendësoj Robert Jasharin dhe topin e parë ia kam pasuar Ramazan Rragamit, ai Neptun Bajkos, ky Shaqirit dhe gol. Në ndeshjen e kthimit në “Torino”, në minutën e 76-të, futem në vend të Panos së dëmtuar. Në të 84-ën’ godas në zonë. Portieri e priti. Topin e kthyer, Bajko me kokë e dërgoi në rrjetë. Pra, jam nismëtar në dy golat e “Partizanit”, por i ardhur nga stoli.
Ikën Resmja, rikthehet Boriçi. Si shkuan gjërat?
Kur u largua Resmja nga “Partizani”, erdhi Boriçi. Duhet të ketë qenë viti 1969-1970, nëse nuk gaboj. Për disa lojtarë, si unë, Agim Janku, Neptun Bajko, Shaqiri e ndonjë tjetër, ndryshuan raportet. Në sezonin 1970, “Partizani” fitoi Kupën e Republikës, ndërsa në 1970-1971, u shpall kampion. Ne qëndronim më shumë në stol.
Pse, cili ishte motivi?
Njiheshin preferencat e Boriçit. Më kryesorja, nuk i pëlqente lojtarët shtatshkurtër. Unë isha 166 cm. Një koncept për të cilin nuk e paragjykoj edhe sot. Te “Partizani”, ishim disa të tillë, unë, Agim Janku, që ai nuk na aktivizonte, qëndronim rezervë. Pra, ishte e qartë se e ardhmja, karriera ime te “Partizani”, me Boriçin trajner, ishte pa shpresë.
Futet në lojë “Dinamo”. Si lindi ideja për një transferim te ky klub?
Ndërkohë, “Dinamo” kishte kohë që e dinte këtë situatë. Në Tiranë, takoheshim çdo ditë e bisedonim. Puna jonë ishte bërë çështje, diskutohej kudo. Ata i drejtuan një kërkesë zyrtare Klubit Sportiv për leje-kalimin tim, të Bajkos e Shaqirit. Por, si nga Klubi dhe trajner Boriçi, përgjigjja ishte e prerë: “Janë lojtarë të ‘Partizanit’ dhe nuk do të largohen”.
A është e vërtetë se ndërhyri babai juaj, një ish-gjeneral i njohur i Ministrisë së Punëve të Brendshme?
Unë kisha shtëpinë e shkollën afër Klubit dhe më pëlqente të luaja me “Dinamon”. I kisha shokë futbollistët. Në shtëpi qaja si fëmijë, që Boriçi nuk më aktivizonte. Të shqetësuar për mua, babai ish-gjeneral, më pas oficer madhor, ndërhyri, foli me drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, me Boriçin, duke i kërkuar: “Djalin mos ma pengoni të shkojë të luajë ku dëshiron”.
Pati hezitim, debate. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, ndonëse nuk donte kurrsesi të ikja, qëndroi në heshtje, nuk u përzje. Ndërhynë edhe të tjerë, që e detyruan Klubin, e bindën Loron që unë të largohesha.
Nuk ishte një ndarje e lehtë. Kujtoj mirë që bëri bujë asokohe. Një lojtar i Partizanit ikën te rivali Dinamo…
Largimi im nga “Partizani”, te “Dinamo”-ja, pati shumë jehonë. Nuk kishte ndodhur më parë, as më vonë, një transferim i tillë, aq më shumë ndërmjet dy klubeve rivale. Ndonëse askush nga “Partizani”, nuk donte që unë të largohesha, përfshirë drejtues të Klubit, që mendonin ndryshe nga Boriçi, që më mbante aty pa më aktivizuar.
Askush nuk u zemërua me mua, jo vetëm nga lojtarët, por edhe drejtues të “Partizanit”, dhe as tifozët. Keq u vinte, sigurisht. Kam qenë 22 vjeç, kur jam larguar. Kalimi u realizua midis dy Klubeve dhe dy ministrive përkatëse, si një formë transferim-federimi, për kohën.
Edhe Aagim Janku, ishte shtatshkurtër, jo i pëlqyer nga Boriçi, por nuk u largua nga “Partizani”! Si shpjegohet?
Bashkë me Jankun, e kishim këtë problem, nisur nga preferenca e Boriçit. Ajo që bënte dallim në lojën time, me të Agimit, qëndronte se Janku ishte lojtar i shpejtë krahu, driblues, kurse unë një mesfushor manovrues klasik, më shumë pjesëmarrës në skemat taktike të skuadrës.
Agimi ishte spektakolar, një talent i vërtetë, një tifozëri e tëra pas tij. Edhe kjo ishte një arsye, që e detyronte Boriçin ta aktivizonte. E kërkonte tifozeria. Nga grupi, vetëm unë munda të iki. Bajko, Shaqiri, Çako, qëndruan aty, por si rrodhën ngjarjet, edhe ata u larguan pak më vonë.
Shkoni te “Dinamo”-ja, tjetër atmosferë, të tjerë lojtarë, tjetër filozofi loje dhe nuk ishte e lehtë, apo jo?
Te “Dinamo”-ja u paraqita në janar të 1971-shit, ndërkohë sa nisa edhe Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Po prisja të shkoja, pasi qëndrimi te “Partizani”, ishte bërë i pamundur. Kisha besim. Fizikisht isha mirë, i pa konsumuar, teknikisht i plotësuar. Nisur edhe nga kërkesa, dëshira e tyre të luaja me ta, më krijoi një situatë, ndjesi pozitive.
Si ju pritën te “Dinamo”-ja?
Më pritën shumë mirë, nga Gjinali, Përnaska, Çeço e, të tjerë. Nisa stërvitjet te aneksi pranë stadiumit, për shumë vite aty jemi stërvitur. Dilja vetë në mëngjes, pak vrap, pak gjimnastikë, gjë që u bënte pak përshtypje e dikush tha: “Sapo ka ardhur, do që të duket. Pasi të jetë në formacion, do ta shohim. Do të fillojë të bëjë naze, si të tjerët”.
Trajner ishte Skënder Jareci, njeriu që ndryshoi karrierën tuaj?
Ai ka qenë vendimtar. Jareci kishte nuhatje dhe duke parë cilësitë e mia teknike e fizike, besoi tek unë dhe më orientoi të luaja, si mesfushor në krahun e majtë, ndonëse këmba ime ishte e djathta. Kisha bazament, harkoja mjaft mirë me të majtën. Shpejt u konsolidova me grupin. Më ka aktivizuar që në ndeshjen e parë të fazës së dytë, shkurt 1971. “Dinamo”-“Luftëtari”, 3-0.
Unë, Çeço, Xhafa, krijuam një mesfushë sa teknike, aq taktike. Çeço lojtar i zgjuar, i paparashikueshëm. Xhafa i fortë fizikisht, godiste portën, i alternonim lëvizjet, veprimet. Një skuadër kompakte e mirë organizuar, e disiplinuar taktikisht. Me Jarecin e nisa, me atë e mbylla karrierën. Ai bashkë me Hallunin, drejtonin “Dinamon”, e sezoneve 1974, 1975, 1976.
Ju kujtohet ndeshja e parë ndërkombëtare?
Ajo ndaj “Austrisë” së Vjenës, shtator 1971. “Dinamo” fitoi kupën dhe kam qenë titullar në të dyja takimet për Kupën e Kupave: 1-1 në Tiranë dhe 0-1 në Vjenë. Pastaj vitet e gjata të vetë përjashtimit, që na izoloi, pa asnjë takim ndërkombëtar në kulmin e “Dinamos”.
Keni luajtur mjaft derbe me fanellën e “Dinamos”, ndaj ish-“Partizanit” tuaj?
Kujtoj të parën, java e 16-të, faza e dytë, shkurt 1971, “Dinamo”-“Partizani”, 2-1. Në fushë ndaj shokëve të mi. Terren i rënduar, shumë tension. Kanë shënuar Gjinali e Përnaska. Janë disa derbe të fituara nga ne, por edhe “Partizani”. Ne sezonin 1973-1974, fituam 2-0, golin e parë e kam realizuar unë. Atë kampionat dolëm kampionë, të shkëputur me 7 pikë nga “Partizani”, i dyti në klasifikim.
Një tjetër derbi me “Partizanin”, e humbën 1-2. Kam shënuar golin e vetëm pas një kombinimi; Gjinali-Përnaska, Iliri pasoi tek unë. Në një ndeshje për Kupën e Republikës në çerek finale, “Partizani” na eliminoi me gola të Agim Muratit e Sejdarit. Po për këtë trofe, finalen në 1974-ën, e fitoi “Dinamo” 1-0 dhe morëm trofeun.
Jeni edhe një “realizues model, gjakftohtë”, të tillë ju përcakton gazeta “Sporti Popullor” e atyre viteve?!
Nuk është se jam shquar si golashënues. Ndaj “Skënderbeut”, pas një kombinimi Përnaska – Gani Xhafa, kam shënuar një gol vendimtar. Për këtë takim mendoj se bëhet fjalë.
Në shtypin e kohës lexojmë: “Pesha e Çirakut, ndihet në çdo ndeshje. Çiraku, lojtari me mushkëri të forta, i hap punë çdo mbrojtje”…!
Ka qenë një ndeshje derbi ndaj “17 Nëntorit”. E fituam 3-0, me tre gola të Përnaskës. Çeço dhe unë kemi spikatur. Por dua ta theksoj se në sfidat derbi, kam qenë shumë i kujdesshëm, jo inate, as mllefe. Nuk kisha kujt t’ia nxirrja inatin. Jo, kurrë. I kisha të gjithë shokë. Përkundrazi, bëja lojën time. Pastaj edhe në natyrë, nuk e kisha agresivitetin, ashpërsinë.
Me trajnerin Boriçi, jeni takuar më vonë?
Sigurisht, por e kam respektuar gjithmonë. Asnjëherë nuk i kam shprehur pakënaqësi, apo diçka tjetër. Për mua kapitulli “Partizani”-lojtar, ishte mbyllur, pavarësisht nga nostalgjia, dashuria që kisha për atë Klub, me të cilin isha edukuar, rritur, ëndërruar. Kurrë nuk i kam kërkuar Loros, arsyet e mos aktivizimit tim. Boriçi, tejet autoritar, nuk futej në këto biseda, raporte, marrëdhënie me lojtarët. Në fund të fundit, janë simpati e antipati, që i ka çdo trajner.
Nisur nga karriera juaj e shkëlqyer te “Dinamo”-ja, gjykoni se te “Partizani”, mund të jenë penduar?
Së pari, një gjë mund t’ju them: Unë nuk do ta lija “Partizanin”, nëse do të luaja. Nuk e kisha mëndur kurrë, por jo ta mbyllja karrierën si rezervë. Edhe sot kështu do të përgjigjem: Nuk kam gabuar, gjykoj për zgjedhjen që bëra. Kurse për vajtjen te “Dinamo”-ja, nuk e menduan se do të kisha tjetër karrierë. Neglizhuan, nuk më vlerësuan, nuk m’i njohën aftësitë. Vite më vonë, mjeku Ismail Feta, i ka thënë Loros: “Sa gabim ke bërë që nuk e aktivizove Çirakun. Atë e more në qafë, por edhe ‘Partizanin’”!
Ahmet Shqarri ka thënë: “Torez Çiraku fluturonte mbi baltë”. Një përcaktim i gjetur?
Më vjen mirë që Shqarri nuk më ka harruar dhe më kujton edhe në këtë mënyrë. Kam luajtur njëlloj në çdo fushë, brenda apo jashtë, pavarësisht nga kushtet atmosferike: shi, ftohtë, baltë, terrene të rënduara dhe kjo është e vërtetë. Gjatë 90 minutave, vrapoja sa në sulm, aq edhe në mbrojtje. Vetëm një herë jam dëmtuar në kokë, qëndrova disa javë në spital. Asnjëherë të kem marrë të verdhë.
Jeni i vetmi që keni luajtur me “Partizanin”, pastaj “Dinamon” . Cili ishte ndryshimi?
Te “Partizani”, kisha shpirtin, te “Dinamo”-ja gjeta veten. Loja e “Partizanit”, kishte tjetër fizionomi, më fizike, agresive, më e vrullshme. Kurse “Dinamo”, më akademike, me një kontroll, administrim inteligjent, lojë të hapur, një stil, mënyrë që u përshtatej karakteristikave të mia. Me shumë takime dhe që e mbështeste te lojtarët teknikë. Krijonte grupin. Një filozofi, traditë e instaluar ndër vite nga një strateg si Skënder Jareci, që e ruan edhe sot.
Keni luajtur me “Dinamon” e famshme, të viteve 1970-1980, skuadrën më të madhe të të gjitha kohërave…!
E kam pasur këtë fat. Dy treshe kemi qenë në fushë: Unë, Iljaz Çeço dhe Gani Xhafa. Pastaj Shyq Ballgjini, Llaq Zëri, Ilir Përnaska. Portierët, kujtoj Jani Ramën, Met Ahmedanin, Ilir Luarasin deri edhe Pandi Saren. Pastaj Faruk Sejdinin, Rifat Ibërshimin, Mërgjyshin, Fred Gjinalin, Hume Kodrën, Petrit Gjonin, Kujtim Çoçolin, Astrit Hafizin, Çutrën, Kastriot Hysin, Zenunin, Andrea Markon, etj.
Pas Jarecit dhe ardhjes së Ballgjinit, trajneri Dume, i dha atij përparësi dhe unë luaja si mesfushor pas tij. Edhe Sabri Peqini, nuk ndryshoi asgjë. Në atë periudhë, dominonim me lojë e gola. Në fushë ishim lojtarë e trajnerë. Me “Dinamon”, fitova 2 Kupa e, 3 tituj kampion.
Keni qenë përkrah disa lojtarëve të mëdhenj te “Partizani” e “Dinamo”. I kujtoni?
Kam luajtur me Panajot Panon, Robert Jasharin, Ramazan Rragamin, Muarrem Karriqin, Mikel Jankun, etj., etj. Më kanë pëlqyer Gani Merja, Pano pa diskutim, pastaj Iljza Çeço, Llaq Zëri, Ilir Përnaska, si një “dinamit” ishte, mbi të gjithë Sabah Bizi, i paarritshëm. Por idhull, kam pasur Lin Shllakun, që e kujtoj kur më thoshte: “Mos u lodh shumë vajtje-ardhje, ruaj energjitë, jo sforcime maksimale, të kesh forca të presësh kundërshtarin e, të nisesh në sulm”.
Për Bizin flisni me shumë konsideratë, po kur ishit kundërshtarë?
Kur shkova te “Dinamo”-ja, ai luante me “Partizanin”, dhe në derbin e parë si dinamovit, kam luajtur kundër tij. Ndërsa ndaj “Vllaznisë”, kujtoj tri takime në Shkodër, të fituara 1-0 nga ne, me gola të shënuar nga Zëri, në të parën, Përnaska në të dytën dhe Zëri në të tretën, ishte gjysmëfinale Kupe. Mesfusha Rragami-Bizi dhe unë me Çeçon, me një rivalitet të madh.
Iljazi ma linte mua Bizin, unë ia lija atij. Edhe për Bizin, ishte e vështirë. Pas ndeshjes, e kishim lënë të shkonim në shtëpinë e tij. Por sfida pas 120 minutave, u mbyll 1-0 për “Dinamon”, me gol të Zërit dhe “Vllaznia” u eliminua. Pas takimit u larguam menjëherë dhe unë nuk munda të qëndroja, ndërsa Sabahi na priste në shtëpinë e tij, me darkën gati.
Prej një kohe të gjatë, jetoni në Itali. Si shkojnë gjërat aty?
Mbi dhjetë vjet në krahinën e Abrucos, jetoj me njërën nga vajzat. Vajza tjetër, jeton në Gjermani dhe punon në administratën e qytetit të Këlnit. Kur luaja, familja ime, por edhe më pas kur u martova, qëndronin larg sportit. Jam gjysh. Nipi i vogël, mund të bëhet futbollist, ka të dhëna.
Flasim pak për ndërhyrjen kirurgjikale. Çfarë ju tha mjeku?
Në Napoli, mjeku kirurg, pasi realizoi ndërhyrjen, më këshilloi: “Të lodhur e kam parë zemrën tuaj, duhet të ketë bërë shumë vajtje-ardhje…”! Sigurisht, me humor. Kur i thanë që kam qenë futbollist, ai shtoi: “Të kam dhënë 30 vjet jetë, nëse abuzon, do të vish sërish këtu”.
Për ta mbyllur, ju zoti Torez, keni qenë model në fushë e, në jetë dhe kështu keni mbetur. Çfarë do t’i thoni lexuesit?
Së pari, faleminderit për konsideratën, vlerësimin. Me futbollin u ndava në vitin 1976. U largova dhe nuk e ktheva kokën pas. Duke iu rikthyer historisë sime me “Partizanin”, si një “goditje pas shpine” ka qenë, kështu më ka mbetur.
DËSHMIA E ISH-KAPITENIT ILJAZ ÇEÇO: ÇIRAKU, SHPIRTI I “DINAMOS”
– “Loja e Torezit, ishte si vetë karakteri i tij. Nuk mundet që një futbollist të zhvillojë atë lojë pa e pasur në shpirt dhe si filozofi jete” –
Zoti Iljaz, Torezi thotë se Çeço ka qenë i pari që e donte te Dinamoja, a është e vërtetë?
Me ardhjen e Torezit, skuadra u kompletua. Ai ishte shpirti i skuadrës, i kudondodhur, motor i fushës. Një “ala tornante” e kohës, vijim i lojës së Thoma Duros, por sigurisht më modern dhe që u kthye në sistem taktik të lojës së “Dinamos”. Një “assistman”, sa gola të realizuar nga Përnaska, janë edhe me harkimet e tij nga e majta, e djathta.
Cili ka qenë futbollisti Çiraku?
Jo vetëm teknik, por kur e kishte topin, nuk ia merrnin dot, edhe pse e rrethonin dy-tre lojtarë. E mbronte në mënyrë të shkëlqyer, si pak futbollistë. Në Kupën Ballkanike, në Pire të Greqisë, fituam 4-3. Ishte më i spikaturi. Lojtar simpatik, i zgjuar, teknikë e lartë, organizator, fantazist i jashtëzakonshëm. Shumë i dashur, mik me të gjithë, i edukuar, asnjë karton në karrierë.
Çiraku titullar te “Dinamo”ja, asnjëherë në Kombëtare. Si e shpjegoni?
Boriçi edhe nuk e fuste në formacion, edhe nuk e lëshonte të ikte nga “Partizani”. Po kështu edhe Agim Jankun, që i jepte fitoret “Partizanit”. Nuk i ka grumbulluar një herë në Kombëtare dhe kjo, vetëm se të dy ishin shtatshkurtër. Memorie.al