Adnan Muka
Pjesa e tetë
(103 letra nga burgjet komuniste)
Letra nga burgu i Shkodrës 1951- 1953
Letra nga burgu i Burrelit 1953- 1965
Memorie.al/E diel 29.01.1967, ende pa ague dita, e errësira ishte drejt largimit, kur s’u shifte njeri i gjallë në rrugë, trokita fort në derën e Kuvendit Françeskan, në lagjen “Arra e Madhe” të qytetit. Duel roja (apo portjeri).
– Kërkoj Padër Frano Kirin.
– Asht fjetë, – m’u përgjegj.
– Çojeni, due me e lajmue për vdekjen e nji miku e shoku!
Mbas pak kohe dera u rihap e u përballa me Padër Franon. Sapo më pa, i ndrroj fytyra, sikur u mpi, u mendue mirë e s’foli për nji çast, e së fundi pa më ngushllue, më tha: “Bir, ju ka lanë të pasun!”. Rrugës me biçikletë për kthim në shtëpi, ku më priste nji mal me punë e probleme, fare pak mendova për fjalët që ndigjova. Ashtu shpejt e shpejt e pyeta veten: Ç’pasuni na la? Na asht konfiskue pasunija e luajtshme dhe e paluajtshme, na u konfiskue…kishim mbetun vetëm na, familja e tij: halla, e motra, gruaje me tre djem e dy varza.
Trashigimni e mirë e e lakmueshme…, po mbi të gjitha na la emën të mirë: punë të lavdueshme në dobi të Atdheut, arsimit kombëtar, kulturës e fes islame. La vepra konkrete, shkrime të botueme, dorëshkrime…po, po, na la edhe letrat nga burgjet komuniste me atë shkrim të bukur, tue shprehë dashnin ndaj familjes në mënyrë të përkryeme artistikisht.
Këto 103 letra u ruejtën si gja e shtrejtë, si relike, si thesari ma i madh i lamun prej tij. Kur mbrrita në shtëpi, në lagjen Parrucë, isha i qetësuem e i gjallnuem. U mbusha plotë me energji për me përballue atë ditë mortore, që njiherit ishte edhe ditë fitoreje, sepse na: baba dhe familja, mbrritme me triumfue mbi 7000 ditë vuejtjesh me privim lirije, në kampe pune të detyrueshme e burgje, dhe për afro 500 ditë (mbas daljes gjallë nga burgu) bashkëjetuem shumë gëzueshëm në shtëpinë mbi 200 vjeçare të Mukejve, në Shkodër.
Në vitin 1997, prof. Vehbi Hoti, pedagog i Psikologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, letrat nga burgjet i ka përkufizue në këtë mënyrë: “Letër-këmbimi me familjen … janë shprehje e personalitetit të tij të gjithanshëm. Janë prozë me frymëzime poetike, shumë emocionuese dhe edukative. Me plot të drejtë ato mund të quhen si një “doracak” për edukimin në përgjithësi dhe edukatën familjare në veçanti. Përfaqësojnë një bashkëbisedim intim me familjen, veçanërisht me fëmijët e vet. I këshillon dhe i udhëzon, u kërkon dhe i nxit për të ecur gjithnjë përpara. “108 Letrat nga burgjet, janë nji prej mënyrave që i burgosuni kishte mundësi me komunikue kryesisht me familjen. Për me dalë në “liri” ato duhet të plotësonin kërkesat e rregullores: t’ishin të shkurtra, rreth 1 faqe letre fletoreje shkrimi, të shkruheshin qartë e të kuptueshme, për çështje që kishin të bajnë me shëndetin e nevojat e të burgosunit; 1 letër në muej lejohej. Letra mbasi u kontrollonte, fati i sajë për t’i shkue familjes ose jo mbetej në gjykimin e operativit… Shumë herë letrat s’kanë ardhë, sepse në situata të caktueme, sidomos
kur të burgosunit ishin në kampet e punës, ose kur i burgosuni dënohej për “thymje të rregullores”, ndërpritej komunikimi dhe marrjet e letrave dhe ushqimeve. (Kjo ka ndodhë shpesh në burgun e Burrelit), prandaj dhe letrat s’janë rregullisht krye çdo muaji. Gjatë kohës që Sheuqet Muka ka vuejt dënimin në Shkodër, ka dërgue pak letra. kjo sepse bajshim takim mbas 1 palë hekurash të trashë në distancë 1 metër larg. Nga burgu i Shkodrës në këtë libër paraqiten 12 letrat e para (20.IX.1951- 15. III. 1953), ndërsa 91 letrat e tjera janë nga burgu I Burrelit (1953 – 1965).
Letërkëmbimi nga burgu i Burrelit, që ishte mbi 100 km larg Shkodrës, ka qenë më i shpeshtë. Për afër 19 vite burg, familja e tij ka muejt me ruejt 103 prej tyne. Mungesat si rrjedhim: s’janë lejue me u dërgue (janë ndalue) ose s’kanë muejt me u ruejt nga ana e jonë. Këto që janë ruejt, po botohen të gjitha, pa asnji ndryshim e nji pjesë e tyne (ato të lexueshmet, që s’janë shkrue me lapsë plumi), të skanueme. Qëllimi me kuptue disa aspekte të kushteve, po dhe me tregue si arritme me komunikue, pandërpremje, me babën në burgje, tue mbajtë të lidhun me ne, tue i dërgue në vitet e fundit të burgimit çdo javë (të hanen) nji letër dhe çdo mes muaji nji telegram me përgjigje. Komunikimi e mbajti gjallë dhe mirënjohja e këtij të burgosuni politik të ndërgjegjes, asht e pakufi, siç do të lexohet e përshkruhet me fjalë prekëse të bukura në këto letra. Këjo rregullsi me letra, telegrame komunikimi të thjeshtë familjar, u ba objekt vlerësimi nga komanda e burgut dhe i’u rekomandohej të burgosunve si shembull për t’u ndjekë.
Derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit, Shkodër
Dërg. nga Rep 321, Burrel
Letrat nga burgjet, që fillojnë në vitin 1951 dhe mbyllen me letrën 1 gusht 1965, janë të rralla në llojin e vet e ndoshta dhe të vetmet, që janë ruejt e po botohen. Vlerësimi i tyne i takon lexuesit.
Me zarfin derg. Sheuqet Muka. Burgu i Anmiqve të Popullit) Shkodër me siglen në krye të çdo letre V.F.L.P. (Vdekje –Fashizmi, Liri-Populli). Dërgue nga Rep 321 Burrel (adresa e këtij burgu A.M.)
Letra nga burgu i Shkodrës
Letra Nr. 36
03.11.1957
Symes;
U ba nji kohë bajagi e gjatë qi s’më ke ndie zanin, tue thirrë ambël emnin t’and! E pra kushedi sa e sa herë të kam thirrë, por ti s’ke pasë mundësi të më ndijsh, pse na ndan nji distancë prej më se 100 kilometrash. Kjofsh përherë mirë e me çë ke rreth vedit. Sikur mos t’a dij zorin qi ke kur udhëton me automobil, do të kishe thanë se je e smuet, kah s’ke muejt me ardhë gjatë katër vjetve veç nji herë të vetme për me më pa. Si janë halla Xhevja e Hakja? Edhe për to më ka marrë malli mjaft. Kjofshin mirë, m’i përqafo me mallë e m’i përshndet përzemërsisht. Meserretit, i cili për ne âsht drita e parë e syvet t’onë, kësajë herë po i a sjelli urimet e ditlindjes me anën t’uej, pse kështu ka m’u gëzue edhe ma tepër. Po i uroj shndet të plotë e jetë të gjatë e, emnin e bukur qi ka, e gëzoftë përherë tue qenë i rrethuem me të mira e gëzime, gjith si i dishroftë zemra e shpirti. Letrën e Adnanit, të Zijas e ate të Meserretit bashkë me telegramin i kam marrë. U gëzova shum qi jeni mirë. Tahirit e të shoqes i uroj martesën e djalit. U trashëgofshin! Ashtu dhe Sutës e Sabrijes po u sjellë urimet e mija për martesën e Myzit. Të dy palve, ke me shkue me i u pi kafen prej anës s’eme. Po Feten t’eme, Uranin e Adnanin, Lirijen e Tijen si i kam? M’i rrok e m’I puth fort e fort. Axha Elezit, Ragipit, Zijas e familjevet të tyne, si dhe vllazënvet të tu me nuse e motravet të tua e burravet të tyne, Damnorvet, kojshivet, e kush të pvesë, të gjithve selam. Tash për tash, s’kam nevojë për asnji send. Marmaladë, biskota mos më bini. Pak miell, qumësht kutijet në se ka, kumbulla të thata kishin me më ndihmue. Me kaq po e mbylli letrën tu të shtërngue dorën nxehtësisht, tue të përshndet përzemërsisht e, me këtë rast Meserretit po i puthi të dyja faqet.
Bashkëshorti yt
Me, 3.XI.1957
Sheuqet Muka
Letra Nr. 37
02.12.1957
Myhsinit, me vllazën e motra;
Lajmi i zi i vdekjes së babës së juej të dashtun axha Elezit, më piklloj tepër. Qofshi vetë e Zoti ju ruejtë gjith si jeni. Me vdekjen e tij, për familjen t’onë Mukej, prendon hylli i sajë, të cilin përsa qe gjallë, e pat si nishan të vetin. Megjithse qe motnue kishe shpresë se do t’a kishim edhe përsa kohë, por paska qenë thanë, e sidomos për mue, s’paska qenë as kismet t’u shifshe për së gjalli edhe njiherë me të! Tue shkrue këtë letër ngushllimi, sytë po më zhgrehen në vajë e mollzat e fëtyrës po më lagen nga pika lotësh, kah m’u ba se jam para jush tue ju dhanë dorën nji nga nji të gjithvet për kryeshndosh, që prej Adiles deri në Myniren! Vdekja e prindvet e ajo farë e fisit, janë tejet të dhimshme e të prekshme. Por me qi jemi që të gjith bijt e bijat e sajë, s’na mbetet tjetër veç durimit. Po Haxhirja a pat ndollë aty? Kjo letër, në rast se s’e gjen në mes t’uej, kur t’i shkrueni, më i a sillni ngushllimet e mija. Me anë të kësaj letre, po u sjellë ngushllimet e mija edhe Hamidit, Mehmetit, Bahris e motrave të tyne; ashtu edhe halla Xhevas, Fetes e Zijas qi më lajmoj më ngushlloj telegrafisht. Për meritat e rralla e vetinat e bukra t’axhe Elezit si njeri populluer, qi gëzoj qysh në rini të vet nji popullaritet në të gjitha shtresat e vendit s’po ju flas. Për neve qi na la mbrapa, na përket mos t’I njollosim. Pra i qetë e në paqë qoftë shpirti i tij e juve mos u raftë ma ndonji e ligë as e keqe, por përherë paçi jetë, shndet e të mira sa u dashtë zemra. Marr pjesë në dhimë me ju bashkë.
Kushrini i juej
Me, 2.XII.1957
Sheuqet Muka
Letra Nr. 38
02.02.1958
Të dashtunvet të mi;
U gëzova shum qi ju kishe pasë mirë. Edhe Urani për të cilin më kishte marrë malli aq tepër për m’e pa, shyqyr ishte si molla. Sigurisht edhe ju do të jeni gëzue për zbritjen 3 vjet e gjysë pa 9 ditë qi pata, me rastin e zbatimit të dekretit t’amnistis. Kjo zbritje m’ âsht kalkulue për mbas sasis së dënimit të 25 vjetve qi figuron në kartelën e burgut, kurse un, për mbas ligjit “mbi dispozitat e përgjithshme të kodit penal, i promulguar në vitin 1948, kam pasë ra automatikisht në 20 vjet, për arsye se ky ligj, suprimoj dënimin me burgim të përjetshëm si dënim kryesor, tue mos lejue dënim përtej 20 vjetve. Për me korrigjue këtë sasi dënimi qi përmban kartela, më 16. I. 1957 i paç drejtue nji lutje gjykatës së Lartë në Tiranë, të cilën e pat ndjekë Zijaja, i cili për mbas përgjegjës qi pat, më lajmoj se figurojshe në 20 vjet i zbritun, e mbi këtë, paç ba mbrapa edhe nji lutje për lirim kondicjonel. Për të ba korrigjimin e duhun në kartelë nevojitet me pasë në dorë nji akt t’autoritetit gjyqsor. Prandaj të ndërmjetojë edhe nji herë Zijaja, tue kërkue qi të më lëshohet ky akt gjyqsor qi korrigjon sasin e dënimit të 25 vjetve qi ka caktue gjykata e Shkodrës më 15. IX.1953, mbasi hyn në fuqi në vitin 1952 Kodi Penal i ri, i cili s’ka fuqi prapaveprimi, kështu qi ndryshimi i cakut maksimal të dënimit nga 20 në 25 vjet, nuk mund të shtrihet edhe mbi vendimet e dhanuna para datës së hymjes në fuqi të kodit të ri dhe si rrjedhim, dënimet ma të lehta qi ishin në konformitet me ligjet e viteve 1945 e 1948, u kishin sigurue t’interesuesve të drejta të fitueme qi s’mund t’i cënojë ligji i pastajshëm. Po muejtet me ma marrë këtë akt korigjues nga autoriteti gjyqsuer, do të më bahej mbandej kalkulimi i zbritjes në bazë të 20 vjetve, e si rezultat do të kishe nji zbritje dyfishin e të sodçmes. Prandaj vetë, deri sa të marr përgjegje prej jush, s’do të baj lutje për korrigjim. Bashkë me këtë, jam tue pritë dhe përfundimin e lutjes së dhanun më 10. X. 1957 Presidiumit të Kuvendit Populluer, për të më falë dënimin e përvujtun. Prej Zijas, veç letrës qi më pat çue para 3 muajve nga Tirana, s’kam pasë tjetër. Si këtij, si Qirjakut përshndetjet e mija. A s prej jush s’kam marrë letër, përveç kartpostalit t’Adnanit qi m’uronte Vitin e Ri. Telegramin e mrritjes mbrenda ditës t’ Uranit, si edhe lekët qi më keni çue, i kam marrë. Dinos e së shoqes i uroj martesën. U trashëgofshin dhe e gjithë jeta u shkoftë n’armoni. Gjith familjes së të ndjerit axha Elezit e veçanarisht të shoqes e Bijes, të fala të përzemërta. Irfanit i puthi faqet. Familjes së Vjerdhevet dhe të Hafiz Halitit, ngushllimet e mija. Kur të keni mundsi me i marrë ndokuj ushqime, për hatrin t’em, para të gjithvet t’ u merrni Metejvet e Hakis.
Ju përqafoj të gjithvet nji nga nji me shumë mallë e atyne qi pvesin për mue, selam.
Burrel, me, 2.II.1958
Sheuqet Muka
Letra Nr. 39
02.02.1958
Gëzimi i familjes s’onë, Meserret;
Telegrami i fundit më freskoj e më gëzoj tepër, uroj të ju kemë gjithnji mirë për kah shndeti. Edhe vetë shyqyr kam qenë mirë e pa asnji ankim. Edhe radioskopia më ka qitë faret mirë. Letrën t’ande e telegramin e Zijas, bashkë me kalendarin qi më çonte prej Tirane, i kam marrë përnjiherë. Për korrigjimin e dënimit me anë të Kom. të burgut, më 23 Fruer 1958 i paraqita lutjen Gjykatës Ushtarake Teritoljale të Tiranës. Përsa të më komunikohet korrigjimi i dënimit, do të baj lutje për lirim kondicjonel, mbasi me zbritjen qi më takon, mua më mbushen pothuajse ¾ e dënimit. Prej Zijas, prita se po më shkruente ndonji send rreth lutjes së dhanun, por sikur duket, s’ka pasë tjetër çka të më lajmojë. M’i bani shum të fala. Kësaj herë, as Symja as Lirija, mos të vijnë me më pa. Le të presin edhe pak qi të xehet koha mirë. Mbase shkoj në Tiranë për operacion, e at-herë e bajnë udhëtimin edhe ma të lehtë. Edhe mua më ka marrë mjaft malli qi t’i shof, si këto të dyja ashtu edhe halla Xhevan e Tijen. Ju tjerve po kam rastin me ju pa, kur po u vjen radha me më sjellë ushqimin. S’e xeni besë sa jam shendue për lajmin qi më dhae se kohën e lirë, jeni tue kalue me mësime e studime. Ju lumtë! Prej Adnanit kam pritë se po më lajmon qi asht regjistrue me ndjekë ndonji fakultet më anë të korispondencës. Un edhe sod qi jam plakë, shendohem kur mësoj ndonji send, qi s’kam pasë rastin t’a dijshe ma parë. Sa për Tijen qi qenka
tue u përpjekë me krye me sukses mësimet e klasës, më ra mirë shum. Urimet e suksesit i a kam ba qysh në fillim të këtij viti shkolluer. Pres të më çoni notat qi ka fitue në provimet e semestrit. Si këtë si Lirijen po i rroki e puthi me shumë mallë. Rreth çashtjes tjetër, për të cilën paç pvetë Uranin, tash bisedojmë kur të vini në takim. Në i a pafshi terezinë, ju pres të vini ndonji ditë para Ramazanit. Edhe m’e shtye, s’ka kurrgja. Groshë, ullij, terhan, miell e krypë, s’ka nevojë të më sillni pse kam. Në vend të makaronavet, po patët pak petë, sa ma mirë, pse makarona kam edhe do. Salcë e sapun kam. Kafe elbi s’harroni. Ti, halla Xhevan; Urani, Feten e Adnani Symen, të m’i përqafoni fort e fort prej meje. Hakas, Zades, Ragipit e Myhsinit me pjestarët e familjevet qi kanë, shumë të fala. Veçanarisht Hafis Musas, e Hafis Ujkasheviqit, Shuajbit me të vllan e Ruzhdis, Tahirit e kojshivet të tjerë, e gjith atyne qi ju pvesin, të gjithvet selam. Po pate mundësi, shko e shife Shaqirin qi âsht i smuet e m’i ban selam prej mejet e Ragipit.
Me, 2.II.1958
Baba i yt
Sheuqet Muka
Shputat qi i kam thanë Uranit, Mos harroni me m’i prue, edhe pak arrna.
Letra Nr. 40
28.02.1958
Kopja e lutjes
Me ndërmjetësi të Kom. Burgut të Burrelit, Gjykatës Ushtarake Teritorjale të Tiranës.
Landa:
Për korrigjim dënimi
I nënshkruemi Sheuqet Muka prej Shkodre, tashti në burgun e Burrelit, marr lejen me Ju paraqitë lutjen qi vijon:
Me rastin e zbatimit të dekretit për amnisti nr 2548, d.27.XI 1957 të Presidiumit të Kuvendit Populluer, u konstatue se në kartelën e Burgut un figuroj me nji denim 25 vjet burgim dhe mbi këtë bazë u ba kalkulimi i sasis së dënimit të zbritun për efekt t’atij dekreti si benefiqar i amnistis. Tue marrë para sysh arsyen qi invokoj këtu poshtë, un kuptoj, se ndodhemi para nji gabimi qi duhet ndreqë me nji vendim të ri të gjykatës s’Uej, si mbas të cilit dënimi qi duhet të kemë në ngarkim, âsht 20 vjet burgim dhe jo 25. Gjykata Ushtarake e Shkodrës me vendimin e sajë të deklaruem më 23 Qershuer 1947, Nr. 195, më pat dënue me burgim të përjetshëm, dënim i cili pat sa automatikisht në 20 vjet për efekt të ligjit “Mbi dispozitat e përgjithshsme të Kodit Penal, i promolguem në vitin 1948, qi suprimoj dënimin me burgim të përjetshëm si dënim kryesor, tue mos lejue dënime përtej 20 vjetve burgimi. Për këtë arsye, dënimi i em përfundimtar lypset të jetë jo ma tepër se 20 vjet burgim, e prandaj figurimi për 25 vjet n’aktin e procesit gjyqsuer i riprodhuem dhe në kartelën e burgut duhet të korigjohet, korigjim ky, qi âsht në kompetencën e atij Autoriteti Gjyqsuer. Në përshtatje të parimit juridik të fuqis së prapaveprushmënis të ligjës penale, parim të cilin e gjejmë t’adaptuem edhe prej legjislacionit t’onë të sotshëm, ligji i ri ka fuqi prapavepruese, kur çduke ose zbutë dënimin. Pra për pasojë të ndryshimit midis ligjës së kohës, me të cilin un u gjikova dhe ligjës së mavonshme qi zbutë dënimin e maparshëm, un duhet të përfitoj dhe të kemë në ngarkim nji dënim burgimi qi asht ma i butë. Kjo e drejtë e fitueme nuk do të preket, pse Kodi Penal, qi ka hi në fuqi në vitin 1952, cakun maksimal të dënimit kundër liris personale e lartëson deri në 25 vjet burgimi, kështu qi parimi: “ligji penal s’ka fuqi prapavepruese” këtu gjenë rastin dhe vendin ma tipik të zbatimit. Prandaj lutem të merret vendimin e rastit e, në se pranohet kjo kërkesë, të keni mirësin me i a njoftue edhe autoritetit të burgut, për të ba korigjimin e duhun në kartelë, qi kështu të ketë mundësi e të më bahet mbandej dhe zbritja e amnistis në bazë të dënimit të 20 vjetve.
Me, 28.II.1958
Me nderime
Sheuqet Muka
Letra Nr. 41
01. 04. 1958
Lirijes e Tijes;
“Dy loçkave të zemrës, dy shpirtnave të dashtun, dy bijave të sinqerta, dy mukeshave të reja qi shkelqejnë si rrezet e diellit e dy sokoleshave t’ardhshme qi për kah virtytet konkurojnë me pastërtinë e fletvet të zambakut të bardhë, baba i u çon urimet e ditlindjes!” Ty Tije pak me vonesë, e Lirijes tri javë përpara, me anë të kësajë letre të përmallshme, po ju sjelli urimet e ditlindjes. Më besoni se ju kam përherë ndër mend, jo ndryshe, por si me ju pasë gjithnji para syvet e, kush po din sa herë në ditë përmallohem me ju aq sa s’kalon as natë pa ju thanë m’a bafshi gjumin e mirë e t’amel, kur bie me fjetë. Edhe ndër vitet e ardhshëm ditlindjet i pritshi e i kremtofshi përherë me të mira e vijimas ndër gëzime, ashtu siç pret mbarë njerzimi muejt e bukur të prandverës së bardhë, rreth të cilvet edhe vetë natyrës i qeshet fëtyra e i përtrihet jeta. M’u rritshi pra e m’u bafshi të mëdhaja e më i u ngjajshi hallavet të mija, motrës Fete, Hakas, tezevet e nanës s’uej të dashtun, Symes. Vetë kam qenë e jam gjithnji mirë. Veç marakut e kasavetit tuej, s’kam ndonji ankesë tjetër, të cilën e keni në dorë ju, për me m’a hjekë, në rasë se keni me më kujtue me letra ashtu siç më keni kujtue deri pak kohë përpara. Prej Zijas u ba nji kohë qi s’kam letër. Si i ka hallet? Dugajen a e ka gjithnji? M’i bani shum të fala, ashtu edhe familjes së tij.
Te Ragipi, te dajat e te Myhsini si janë? Edhe këtyne të gjithvet të fala prej mejet. Edhe Domnorvet e familjevet të tyne me i u bani selam, veçanarisht Shuajbin e Abdullahin edhe i falnderoj. Gjithashtu Ruzhdis, Repishtit e Elez Barbullushit, Hamidit, Danit me djelm e Qazimit e ilakavet tjerë si dhe atyne qi ju pvesin për mue me i u epni përshndetjet e mija. Me t’ardhmen edhe mue korigjimi i dënimit, ashtu siç ju erdh tjerëvet qi patën ba lutjet para mejet, do të baj menjiherë lutjen për lirim kondicjonel. Kam nevojë për multivitamina e për nji palë tullumba. Groshë, biskoti, fiq, salcë e krypë mos më siellni. Po patët petë, as makarona mos më bini. Deri tri javë mbas Bajramit të mos vini. N’u nissha për Tiranë ju telegrafoj, qi të mos merrni rrugë. Kos, ullij e tamël nuk due. Pak pazija e kumuj s’harroni. Halla Xhevas, motrës Fete e Symes, si edhe Meserretit, Uranit e Adnanit qi jannë drita e syve të mi, të përshndetuna e përqafime, tue ju ba me këtë rast edhe urimet e Bajramit të gjithvet.
Me, 1. Prill. 1958
Ju puthi gushë e faqe, Baba i juej
Sheuqet Muka
Letra Nr. 42
2. 09. 1958
Fort e dashtuna halla Xheva;
Po bahen plot tri vjetë qi s’të kam pa. Si ty për mue ashtu edhe mue më ka marrë malli mjaft për Ty qi të kam përnjiherë dhe si nanë, pse Ti më pate rritë e edukue. E di se të hjek zemra me ardhë m’u takue, por këtë lutem mos e ban, pse lodhesh e mandej smuhesh. Me fotografinë e nipit e atë të djelmvet jam shmallue tejet, pse më dukej se ndollem në mes të tyne e po kënaqem me ta. Letrën e Meserretit dhe atë të Zijas si edhe telegramin e Uranit i kam marrë. Sa gëzim i madh ngufoj në zemrën t’eme kur mësova se ju kam mirë të gjithvet. Irfanit qi kish ndejë para Adnanit, kah kish luejtë, i ishte marrë vetëm pjesa e butit të kres në fotografi. Sikur të m’a çoni edhe nji fotografi të tij kishe me u dijtë mjaftë për nder si Bijes ashtu edhe Myhsinit, të cilët me këtë rast, edhe po i përshndes. Fotografinë qi s’e pritshe prej djemvet, herën e parë e morra si nji kartpostal e prandaj as qi e keqyra, por kur e morra në dorë për herë të dytë e i lëshova nji sy, së parit dallova Meserretin mandaj Adnanin e së mbramit Uranin. Si grup kishin dale mjaft mirë. Petku kombtar në nji anë e qindrimi i mbajtun n’anë tjetër e bajnë synin me qenë ma tërhjekës, sidomos syni i jem s’dijti m’ u ngopë. Me 13 të këtij moji vllau i Fetes e bashkshorti i Symes ka ditëlindjen. Sa kishe dishrue t’u ndollshe edhe vetë në mes tuej në këtë ditë! Anima se je Ti për mue o halla e jeme, qi për kah shndeti, më ke shndosh si molla a mos të keshë aspak marak për mue, pse jam rahat e mirë. Me ushqim shtyhem edhe do kohë; oriz e makarona mos më bini, pse kam. Pjepni më ka dale i mirë, ndërsa shalqijt jo. Kur të vini po patët mundësi, më sillni rrush e fiq edhe nji pjepun prej Lezhje. Zarzavade si herën tjetër, 8 a 10 kg qymur, pak kanavacë të vjetër për me arrnue qylymin. Kohën e ardhjes, kur t’a shifni ju vetë terezinë.
Selam shumë si ty, axha Elezit, Fetes, Symes me djelm e varza; Hakas, Ragipit, kojshive dhe ilakavet të tjerë, e të gjithë atyne qi pvesin për mue. Edhe zonjë Lutit.
Me, 2. IX. 1958
Nipi i yt
Sheuqet Muka
Letra Nr. 43
1. 12. 1958
Fort e dashtunvet të mija: motrës Fete e bashkëshortes Syme;
Prej nji kohe të gjatë qindroj larg jush, por me zemër, pandërpremje më keni në mes t’uej, sado qi me sy s’e shofim njeni tjetrin. E kam zemrën të qetsueme, ka ju kam të rrethueme me fëmit e mi për bri e me halla Xhevan në krye e Zijan qi më kujton mue. Ju paça gjithnji mirë. Edhe mue më keni rahat e mirë. Më besoni se, veç kasavetit për ju, s’kam asnji ankesë e kurrnji mungesë. Për ma tepër, pak edhe për hatër të djelmvet e të varzavet, e sidomos për hatrin e Meserretit e të Tijes, pleqnin s’do ta la me m’u afrue faret, mbasi un për këtë gja, kam pasë marrë masat me kohë që kur ishe i ri, tue ba nji jetë të rregullt e tue qindrue larg e sa ma larg abuzimevet. Më 4 të mojit të kaluem, nji komisjon i posaçëm i ardhun nga Tirana na kumtoj se të gjith të dënuemit me burgim të përjetshëm, simbas interpretimit të bam nga Presidjumi i Kuvendit Populluer ligjit “mbi dispozitat e përgjithshme d. 3.IX.1958, zbresin në 25 vjet burgim e jo në 20. Edhe sikur Gjykata Ushtarake Teritorjale e Tiranës të m’a kishte korigjue dënimin në 20 vjet, për të cilin i paç drejtue lutjen më 28 Fruer 1958, ky vendim, mbas këtij interpretimi, prap se prap do të qe çfuqizue. Pra tue pasë parasysh se un jam dorëzue më 21 Tetuer 1946, rezulton se deri kam ba burgim 12 vjet e 40 dit. Gjith së bashku si dënim i kryem, më bahen plot 15 vjet e 7 muej, tue më mbetë me ba edhe 9 vjet e 5 muej. Në fillim të Vitit të Ri, do t’i baj nji lutje Presidiumit të Kuvendit Populluer. Në rasë së edhe ti Syme, dishron t’i bajsh nji lutje n’emën t’and, këtij Forumi të Lartë, për dijeni po t’ap këtu poshtë datlindjen e vitin e dënimit. Datlindja 13 Shtatuer 1887; data e dënimit 23 Qershuer 1946. Në këtë mënyrë do të ju ketë përgjegjë edhe Komanda e Burgut qi e keni pvetë. Për Hyrijen u gëzova shum qi kish pasë sukses n’operacionin qi ishte ba. Uroj qi këjo letër t’a gjejë shndosh e mirë e të këthyeme në shpí. M’i sjellni urimet e mija e të ma përshndetni. Gjithashtu edhe Zades e motravet të sajë. Edhe prej Elez Gërbetit kam marrë nji kartpostal, me të cilin më lajmon se âsht lirue. U shendova tepër. Gjatë kohës qi kam qenë me të në burg të Shkodrës më ka ndihmue shumë. Edhe këtij e prindvet të tij, më i u sillni urimet e mija, veçanarish Elezit, së shpejti i urojsha edhe martesën. Tija si ka shkue me shkollë? Kishe dishrue me dijtë notat qi ka marrë në dymujorin e parë. Edhe djelmvet po i u uroj të kenë shkue mirë me punë në dugajë. Për Zijan më ra keq. Ju përshndes tue ju përqafue të gjithvet me shum mallë. Hakas së dashtun, nderimet e mija. Djelmvet e vajzavet të saja, si edhe dhanduervet e rejavet qi ka shum të fala. Qazi Hoxhës, Ragipit e familjes së tij, Zijas, Myhsinit, Domnorvet, Hamidit dhe ilakavet, kojshivet e gjith tjervet qi pvesin për mue, më i
u bani selam.
Burrel, me, 1. XII. 1958
Sheuqet Muka
Letra Nr. 44
20. 12. 1958
I dashtuni djalë Meserret!
“Vitin e Ri, uroj ta pritni me shend e verë, me gëzime e të mira siç ju dishroftë zemra të gjithvet! S’mund të ju përshkruaj gëzimin qi pata në shpirtë, kur të pava ty me Zijan ditën e takimit. Kënaqësija erdh e m’u shtue fish fish, qi u kishe pasë mirë të gjithvet edhe për kah shndeti. Së shpejti do të çohem në spital për operacion. Këtë sihariq qi pati mirësin të ma japi dje nji kapitan që më thirri. Kërkoj prej jush me qenë fare të qetë për mue, mbasi operacioni qi do të më bahet, s’ âsht i vështirë. Le të shpresoj, të mësoj sa ma parë, qi Symes t’i jetë plotësue dishiri i sajë. Ky âsht përnjiherë edhe dishiri i im i flakët. Për kurrgja s’kam nevojë. Në rast se vini, veç duhanit e pak pite me kos, asnji send tjetër mos më sillni.
Të përshndetuna e të fala të gjithvet. Lirijen e Tijen i puthi.
Me, 20. XII. 1958
Baba i juej
Sheuqet Muka
Letra Nr. 45
20. 02. 1959
Fëllanxës s’eme Lirijes së dashtun!
Lirije! Kur të pava në takim, m’u ba zemra mal prej gëzimit, por përnjiheri m’u çue edhe peshë prej mallit të madh qi më ka marrë për ty e për gjith tjerët. Un muejta m’u mbajtë, por ti, o loçka e zemrës, s’qe e zonja me ndalë lot e syvet qi të pështuen, tue të ra mbi mollzat e faqeve të tua, si kokrra inxhish! Mos u shqetso për mue, mbasi për kah ana e shndetit më ke si topi. Operacioni qi do të më bahet asht i lehtë e i parrezikshëm e pra duhet të jeni si ti, si të tjerët, krejtë të qetë për mue. Me të vërtetë qi në moshë jam i shtyem, por shndet e trup i kam si çeliku. Prandaj edhe njiherë po t’a përsëris: mos u ligshto e mos kij asnji fije frigë për mue. U gëzuesh shum edhe për Verin, siç kjeç gëzue edhe për Tijen e Gjylfirozën qi erdh me më pa. Edhe këjo ishte rritë e ba e madhe për bukuri. E pastë me jetë nana e vet. Edhe pllumi, djali i vogël qi m’u afrue, më përmalloj tepër, sa s’dita të bisedoj si duhet, as me Vishon. Të fala të gjithvet. Për kurrgja nuk kam nevojë. /Memorie.al
Me, 20. II. 1959
Baba i yt
Sheuqet Muka
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016