Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dyzetetre
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Më vjen shpesh ndërmend një thënie e burrit të mençur, që e përsëriste Nasi, i ndrit shpirti atje ku ka rënë: prindërit që lindin e rritin fëmijë mendjendritur, vuajnë më shumë se të tjerët, që kanë fqinjë të zakonshëm. Atëherë, kur isha e re, nuk e kuptoja pse ndodhte ky ndryshim. Tani që po i përjetoj mbi kurrizin tim, i jap të drejtë. Sipas mendjes time, shpirtzinjtë s’do tregoheshin kaq katilë ndaj nesh, po të ishim vetëm nënë e bijë, në shtëpi, pas arratisjes së vulë-humburit.
Mllefin e tërbimit e kanë patur dhe vazhdojnë ta kenë kryesisht me djalin e vogël dhe nipin tënd të adhuruar, sepse këtij ia dogjën të gjitha shkrimet në oborrin e ministrisë së Brendshme. Me aq sa kuptoj, u gjet sebepi ta degdisin nga Tirana, që mendja e tij pjellore të rrudhet e fishket, pa lënë pas asnjë gjurmë të talentit, që i ka dhuruar Perëndia.
Po të ishte mendje rëndomtë, them nuk do na syrgjynosnin kaq larg Tiranës, në kasollen e lopës të këtij fshati, që as emrin nuk ia dinim. Dhe tani, po të mos ndodhte mrekullia e Perëndisë Mëshirëmadhe, të fekste në mendjen e shefit të Partisë të rrethit dëshirën shpirtbardhë, që vuri në lëvizje mbarësinë, po e them me bindje të plotë, se nuk dihej si do katandiseshim derisa të kalbeshim!…
Lavdi Perëndisë që forca e Mëshirës Qiellore, zmbrapsi dhe mposhti forcat e Qoftëlargut, të cilat synonin t’ia vyshknin rininë dhe mendjen djalit tim e nipit tënd të adhuruar! Dhe na dha sot mundësinë të jemi para një ngjarje së shenjtë, fejesës, që do kryhet së shpejti, në javën e parë të marsit. Kur të vijë vete nipi yt në Berat, do bisedoni gjerë e gjatë, që të çmalleni pas kësaj ndarje tre vjeçare. Këto deshi të shkruante motra jote e shtrenjtë. Pjesën tjetër do ta plotësoni aty.
Të puth e përqafoj me shumë mall! Ana”.
Kur nëna përfundoi së shtjelluari përmbajtjen e letrës, që i dërgoi vëllait të mrekullueshëm dhe dajës tim shpirtmadh, kërkoi mendim prej meje, nëse kishte vepruar drejtë apo qe nxituar që e nisi pa ma lexuar mua.
– “Sigurisht nuk e mbaj dot përmendësh fjalë për fjalë të gjithë çfarë kam shkruajtur. Por ti do ta lexosh vetë, kur ta japi Nauni, pasi ai pa tjetër ka dëshirë të dëgjojë nga goja jote mendimet e mia. Vetëm kur ta mbarosh së lexuari do më vesh notën, nëse kam pak dell shkrimtari…”, – qeshi lehtë ajo duke më puthur në ballë.
– “Po të mos kishe ti dell shkrimtari, nga do dilja unë”? – ia ktheva mjaft i kënaqur, që përgatiti paraprakisht kushtet e bashkëbisedimit me dajën e mrekullueshëm. Sepse po të tregohej e mefshtë, të më përcillte me fjalët e rëndomta: “S’është nevoja të mësoj unë, pasi ti ia del vetë në krye”, një këshillë fare bajate, unë do vihesha në pozita mjaft të vështira, duke patur parasysh që do takohesha me njeriun më të mrekullueshëm të farefisit, i cili me adhuron si shenjt. Veçanërisht pas tre vjet ndarje dramatike, me përjetime tejet përmalluese, do ta kisha pothuaj të pa mundur të përmendja kërkesën e borxhit. Madje edhe sikur ai të me pyeste, unë prape do ngurroja të zbërthehesha, pasi vetvetiu biseda do dilte tek kërkimi i borxhit.
Prandaj nëna ime e mençur e thuri dhe e kopsiti kaq bukur letrën, (sipas rrëfimit të saj të këtyre minutave), sa pa asnjë mëdyshje gjithë biseda me dajën, do shtjellohej në shtratin e duhur, i bindur se ky e ka rilexuar disa herë letrën e motrës, dhe ka nënvizuar me laps ato rreshta, që kanë nevojë për sqarime e plotësime. Falë këtij kujdesi të matur, ajo më hoqi barrën e rëndë të kërkimit të borxhit, (këtë përgjegjësi e mori mbi vete, pa patur nevojë t’ia kujtoja unë), dhe ma lehtësoi ndjeshëm takimin me njeriun e mrekullueshëm.
U nisa të nesërmen, pasi i putha duart dhe e sigurova të mos merakosej për rrugëtimin. Dhe për ta bindur se çdo që do shkonte sahat, i tregova lejen e lëvizjes për në qytetin e Beratit, lëshuar nga Dega e Brendshme po atë ditë, kur oficeri më dorëzoi lejen për në Tiranë, duke e ditur që pa tjetër do jepte këshilla rreth këtij udhëtimi.
– “Mos të duken të tepërta fjalët e mia. Edhe pse i di, nuk bëj keq që t’i përsërit. Sepse jemi në pragun e kthesës së mbarë për familjen tonë, dhe duhet të jemi në rregull me urdhrat e Qeverisë. E kam fjalën për kohën e qëndrimit në Berat. Nuk po them të shkosh e të kthehesh brenda ditës, si në Tiranë. Sepse sado të këmbëngulësh, jo kam punë e prova në Shtëpinë e Kulturës, daja nuk të lëshon. Ai mezi po të pret…”!
– “Për sa i përket kohës së qëndrimit s’ke pse merakosesh, pasi kam të drejtë të rri sipas nevojës brenda tre muajve, i mbështetur ligjërisht me lejen e Degës së Brendshme…”! Dhe për ta qetësuar ia lexova edhe një herë fjalë për fjalë.
– “Porosi të tjera, përveçse t’i përqafosh e puthësh me shumë mall edhe nga ana ime, nuk kam. Ti je i zoti i gojës dhe i mendjes, e peshon fjalën para se ta nxjerrësh jashtë. Majës tënde dhe Fatos time, do t’i çosh një pako kafe e një paketë cigare, pasi pleqërinë më shumë e kënaq kujdesi i treguar, se sa peshqeshi që i jep. Edhe pse e kisha vet parasysh, bëre mirë që ma kujtove”! – i thash unë duke i puthur duart.
– “Po të jap gjithë kursimet e pakta, që kam mbledhur lekë-lekë gjatë këtyre tre viteve. Unë e di që ti je kursimtar, nuk e prish kot lekun. Por të parët tanë na kanë mësuar: kur nisesh për rrugë, merr me vete më shumë nga sa të duhet, pasi nuk i dihet, ka plot të papritura, dhe vetëm paraja të nxjerr nga çdo ngatërresë…”, – tha ajo duke më dorëzuar një zarf të mbyllur.
– “Po ju këtu?!…pyeta i tronditur. – Pavarësisht që jeni tek shtëpia e vajzës, dhe keni plot për të ngrënë, një shumë e caktuar të hollash u duhet për çdo nevojë”.
– “Që të jemi me një llaf, Retës dhe Stavrit do t’iu them se Sokrati do niset nesër për ne Berat, pasi Naunin po e djeg malli, ashtu siç është e vërteta. Përfitojmë nga rasti që ndodhemi këtu në Lushnje, si koha më e përshtatshme të bëjë një vizitë. Kaq. Nuk do përmendim asnjë fjalë për kërkesën e borxhit, që na duhet për blerjen e peshqesheve. Sepse ndryshe janë marrëdhëniet e mia me Naunin, si motër e vëlla, i jemi gjendur njeri tjetrit pranë në çdo vështirësi, dhe krejt ndryshe me evlatin tim, çupën e madhe. Mes meje dhe vëllait, kemi patur gjithnjë marrëdhënie të tilla, që rrallë i ndesh në bote: kurrë s’kemi shkëmbyer mes njëri tjetrit fjalë të nxehta e, mendime të nxituara! As bëhet fjalë të jemi grindur.
Zoti i Madh, kur mori në Mbretërinë Qiellore nënën tonë, Sofinê, e neve na la kërthi, mua tre vjeçe e, tim vëlla motak, na bekoi ta duam përjetësisht njëri-tjetrin! S’ka bekim më të shenjtë e të shtrenjtë, se ky. Shumë rrallë u ndodh fëmijëve në botë, të kenë fatin të pagëzohen drejtpërdrejtë nga Perëndia, me bekimin e shenjtë. Të njëjtin bekim i dha dhe Kalijes, kur erdhi në shtëpinë tonë, duke e porositur: t’i duash jetimët njësoj si fëmijët e tu! Ata e ka shpirtin qelibar. Botën të bredhësh rreth e qark, nuk gjen grua të dytë, si Kalija, që ndonëse njerkë, na do me shpirtin e nënës së dhembshur! Ndaj dhe të gjithë ju, fëmijët e mi, u habitët kur e morët vesh që Fatua jonë, s’ishte nëna ime e vërtetë!
Sepse nuk e besonit si të vërtetë, kur shihnit përkujdesjet e saja të jashtëzakonshme për ne të dy, vëlla e motër. Sidomos u bënë shumë përshtypje kur llafosemi me njëra tjetrën me respekt të ndërsjellët, pa përdorur kurrë ngritje zëri, apo nervozizëm! Tani që jeni rritur dhe keni pjekurinë e duhur, e dini përgjigjen e pyetjes, pse ndodh ky përjashtim kaq i mrekullueshëm: na ka bekuar Perëndia!
Me sa duket, nëna jonë dhe gjyshja juaj, Sofia, si grua me shpirt qelibar qe’ gatuar për të shkuar në Mbretërinë Qiellore. Por para se Perëndia ta merrte në Mbretërinë e saj na dha neve dy foshnjave bekimin e shenjtë të dashurisë hyjnore. Këto mendime, sado duken për jo besimtarët pjella te fantazisë, në të vërtetë dëshmojnë se shpirti sheh e dëgjon shumë më tepër se sytë e veshët. Ti, si shkrimtar, jo vetëm duhet ta pranosh më shpejt se të tjerët, por të takon ta përshkruash në shkrimet e tua…”!
– “Je shumë e saktë: shkrimtari ka dhuntinë të dëgjojë dhe kuptojë gjuhën e zemrës, dhe të vlerësojë fjalët, kur dalin nga shpirti i nënës”! – i thash unë duke e përqafuar.
– “Tani më jep leje të largohem, pasi për gjysmë ore niset autobusi i Berati…! Apo ke ndonjë porosi tjetër, që e ke harruar”?
– “Ato më kryesoret i shpreha. Nisu, bir, nisu! Dhe të shkoftë rruga mbarë”! – uroi ajo. – Pa dale të shoh edhe një herë si je veshur, pasi ti e di që në Berat, qimen e bëjnë tra”!… – shtoi me vështrim të ngërthyer.
– “Epo unë sot nuk do vishem si dhëndër, pse gratë dhe vajzat beratase, janë kureshtare…”, – ia ktheva me buzëqeshje.
– “Ti edhe me veshjet më të thjeshta, shkëlqen si yll”! – tha nëna duke psherëtirë e kënaqur. – Prandaj këtë mos e hiq nga xhepi i brendshëm i xhaketës”!… – theksoi duke më futur një kokërr hudhër. – Edhe zarfin me lek këtu mbaje. Nxirr vetëm sa të duhen për rrugë. Nisu tani”!
Për të prerë sa më shkurt, mora drejtimin e rrugës të Degës së Brendshme. Kur kalova para portës së hekurt, pashe oficerin e internim-dëbimeve, dhe u qasa ta përshëndetja.
– “Do shkosh tek e fejuara”? – me pyeti ai me buzëqeshje, duke ecur bashkë me mua.
– “Sot kam rrugë më të gjatë”, – ja ktheva unë.
– “Për në Kolonjë”? – shtoi ai.
– “Trefishi i rrugës së Kolonjës…”!
– “Ah, e mora vesh: je nisur për në Berat, tek daja! Atëherë të qoftë rruga e mbarë! Lejen e qarkullimit ta kam dhënë? Rri sa të duash, ke liri veprimi brenda rregullave e ligjeve, si gjithë qytetarët e tjerë…”, – theksoi ai kur dolëm tek kryqëzimi me xhadenë kryesore, pasi këtu ai ktheu djathtas, nga ura e përroit.
Unë nxitova hapat të arrija në kohë autobusin. Fatmirësisht kishte dy vende të lira. Para se të ulesha, hodha një vështrim mbi fytyrat e udhëtarëve, mos shihja ndonjë të njohur. Vura re një burrë simpatik, me flokë të gjata e të krehura me kujdes, me vijë anash, veshur me kostum gri e, këmishë të bardhë, më nguli vështrimin si turjelë mbi sytë e mi, dhe më shoqëroi me këtë shikim deri tek vendi. Pastaj, meqë s’kishte siguri të plotë tek kujtesa e tij, erdhi pranë meje të më pyeste. Mua m’u bë qejfi, dhe u tregova menjëherë i gatshëm t’i jepja të njohur, duke i përmendur emrin dhe mbiemrin:
– “Kemi dhjetë vjet pa të parë, Vangjel Basko! Përveç ndryshimit qe je bërë doktor, pamjen e jashtme e ke ruajtur të freskët, vazhdon të jesh djalë simpatik”!…
– “Mund të ulem këtu me ty, ta bëjmë rrugën bashkë, meqë vendi është i lirë”? – pyeti ai.
– “Nëse nuk je i shoqëruar dhe ndjehesh i shpenguar të rrish pranë meje, duke patur parasysh që tani je doktor dhe ke njohje të gjithanshme, si beratas me disa breza…”, – ia ktheva unë duke e përqafuar.
Me Vangjelin njiheshim që në fëmijëri. Shtëpia e tij, në Berat, ndodhej pothuaj ngjitur me ngrehinën dy kate të daj Naunit. Zakonisht muajt e verës, unë i kaloja bashkë me djemtë e lagjes ‘Vakëf’, moshatarë me dy kushërinjtë e mi, Robertin dhe Kristaqin, futbollistët e ardhshëm në kategorinë e parë dhe të dytë. Meqë vija shpesh herë, u lidhëm kaq shumë mes njeri tjetrit, sa kjo lagje e Beratit më dukej si vazhdimësia e fëmijërisë time.
Këtu kemi kaluar argëtime mjaft të këndshme: Shkonim në lumë për të bërë banjë dielli e uji. Loznim me top në kum. Vraponim, këndonim. (Por disa nga këto veprime, i bënim fshehurazi, pa e marrë vesh mamaja e Bertit. Përndryshe ngrihej gurguleja, na ndiqte pas si kalamaj, duke na e prishur kënaqësinë. Prandaj për të shmangur përgjimet e saja, bënim kujdes kur veçoheshim diku.
Por në një rast e pësuam rëndë, u treguam të shkujdesur, pikërisht kur vendosëm të lahemi me Bertin tek shkëmbi, ku uji ishte me i pastër dhe me i thellë. Në fillim, duke patur parasysh se ajo na përgjonte, u larguam nga shtëpia tinëzisht, morëm drejtimin e bregut të lumit nëpër një rrugicë mes barishteve, ku shumë rrallë mund të kalonte dikush. Ecnim dhe vazhdimisht shihnim prapa.
Nuk vërejtëm asgjë te dyshimte, se dikush po na ndiqte. Krijuam bindjen se do ndjeheshim të sigurt, askush nuk na kishte përgjuar, prandaj do ta kalonim për mrekulli atë pasdite, kur dielli digjte. Me të mbërritur në vendin e caktuar u zhveshëm, dhe i fshehëm rrobat tek një kaçube. Kushëriri shfaqi mendimin të hiqnim dhe mbathjet, që kur të kthehemi në shtëpi, të mos kemi rrobe te nome ne trup, pasi nuk morëm me vete mbathje te dyta. Uji ishte i mrekullueshëm. Filluam tërë qejf të garojmë duke notuar: kur mbërrinim tek shkëmbi, kapeshim me duar pas tij, ngjiteshim lart, dhe prej aty kridheshim me kokë.
Të pashtjelluar nga kënaqësia e notimit, nuk na shkoi mendja të hidhnim sytë në breg, pasi rreth e qark mbretëronte qetësia: pasdite këtu, pas orës pesë, nuk vjen njeri për shkak të largësisë, dhe se pothuaj mungon rëra. Kur dielli nisi të fshihej prapa malit të Goricës e mbi lumë ra hija, dolëm nga uji dhe shkuam tek kaçubja, ku kishim fshehur rrobat. Mbetëm të shtangur nga habia: teshat tona nuk gjendeshin aty!
Patjetër dikush i kishte marrë! Berti vuri duart si hinkë para gojës dhe i bëri thirrje atij “dikushit” që t’i jepte
fund lojës kukafshehthi, i bindur se ndonjë nga shokët tanë na e punoi këtë rreng, meqë nuk e ftuam ta marrim me vete. Mirëpo jehona e zërit humbi përgjatë shtratit të lumit, nuk pamë asnjë hije njeriu të qaset drejt nesh. Kur e humbëm shpresën se dikush do na i kthente rrobat, vetvetiu na shkoi mëndja te përgjuesja, mamaja, prandaj ai prapë vuri duart si hinkë para gojës, për t’i bërë thirrje në forme lutje:
– “E pranojmë: kemi gabuar rendë, na ndëshko si ta kesh menduar vetë! Por të lutemi lëri rrobat tek kaçubja, që të vishemi, pasi kështu lakuriq, nuk kthehemi dot në shtëpi”!…
Pritem mos shihnim mamanë, ose mos dëgjonim zërin e saj plot sharje e thumbime. Por kaluan shumë minuta qetësi. Mbi luginë po zbriste muzgu. Neve na ngërtheu ankthi. Para se të errësohej shkulëm disa kaçube, që të mbulonim lakuriqësinë e pjesës së poshtme të trupit, i lidhëm si mundëm me fije gjineshtrash, dhe kur terri zëvendësoi muzgun, u nisëm si klandestinë në rrugica të pashkelura.
Sikletin më të ankthshëm e përjetuam kur mbërritëm në oborrin e shtëpisë, pasi pikërisht këtu mamaja na kishte zënë pritë. S’ la sharje pa përdorur kundër nesh, duke filluar nga “dobiç” e, deri tek ato që nuk shkruhen dot!…Për ne ishte tepër shqetësuese se të gjitha sharjet e nervozuara, i shqiptonte me zë te lart, që ta dëgjonin njerëzit brenda, dhe këta të dilnin jashtë, të na shihnin si qemë katandisur, tamam si fiset e egra afrikane!…
Por në fund, kur u lodh së derdhuri mllefin e saj, dhe iu mbush mëndja se na ndëshkoi siç e merituam, i la rrobat pranë çezmës, në oborr, bashkë me një peshqir të madh, që të lahemi, fshihemi e pastaj të vishemi. Pasi u veshëm si duhet e krehëm flokët, ngjitëm ngadalë në majë të gishtave shkallët e drunjta, që të kërcisnin sa më pak, me mendimin të futeshim drejt në kthinën e gjumit, pa na shkuar mëndja se pikërisht aty, po na priste daja i mrekullueshëm, që të na qetësonte. Ky më përqafoi me shumë dashuri, dhe më tha të mos merakosem e dëshpërohem, pasi Tulit – shkurtimi i emrit të mamasë së Bertit – kur i shkrepet në kokë për diçka, s’ka burrë t’i dalë përpara!
– “Kush e di sa herë është betuar t’ju kapte në grackë. Dhe më në fund ju kapi”!!..shtoi ai duke qeshur lehtë. – “Ishte errësirë, pa do kisha nisur Vangjën t’ju sillte rroba të tjera, edhe pse nuk e dinim saktësisht në ç’vend laheshit. Tuli e ngrinte zërin në kupë të qiellit, që ne të dilnim jashtë. Ata dy tre herë u bë gati t’ju vinte në mbrojtje, por unë e mbajta, duke i thënë të mos i hidhte benzinë zjarrit, pasi së pari do kërleshej me nusen time…”, – shtoi duke u gajasur së qeshuri. – “Se kur merr super xhiro Tuli, pushon vetëm kur lodhet…”!
Kjo mbrëmje mbeti për një kohë të gjatë në përfytyrimin tim, si pendesa më e madhe, që më shkaktonte pezmatim fajësie për mendjelehtësinë e treguar. Por sidomos më vinte rëndë nga daja dhe gjyshja, pasi këta të dy shihnin tek unë shëmbëlltyrën e përkryerjes, djalin që nuk shkel kurrë mbi dërrasë të kalbur, ndaj shpesh e përmendnin gjatë muhabetit, se sjellja ime duhet marrë si model për të tjerët. Kjo ngjarje e papëlqyer u bë shkas atë verë, të ikja nga Berati më shpejt se vitet e tjerë, me gjithë lutjet përgjëruese të dajos dhe gjyshes…!
Ish-shoku im i lagjes “Vakëf”, doktor Vangjeli, rrinte i heshtur pranë meje për të mos i trazuar kujtimet e vrullshme të asaj kohe të bukur. Ose ndoshta ende s’kishte gjetur temën për çfarë të bisedojmë, ngaqë i vinte zor të më pyeste për katrahurën e arratisjes së vëllait, që ndryshoi rrënjësisht fatin tim dhe të familjes.
Por për mua kishte rëndësi që u tregua mjaft i sjellshëm e i edukuar me veprimin e tij, erdhi më takoi, shfaqi dëshirën të rrimë bashkë pranë njëri tjetrit, si dikur. Ai e kreu si duhet detyrimin e tij shoqëror. Më takonte mua t’i ktheja mirësjelljen, duke u interesuar për ecurinë e karrierës, si mjek. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016