Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e njëzetetre
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Pra, aq sa më duhej, ma mësuan! Tani i instruktuar, ndihesha i gatshëm të përballesha me gjithkënd. Pleqtë e dhimbshëm pa më vënë në dijeni, ishin përkujdesur edhe për imtësirat që s’më shkonte mendja. Të nesërmen më kishin vënë pas roje, apo badigard, si i thonë sot. Kur nisa ritualin e përditshëm, domethënë bamb-bumbet me daltë e çekan, pothuajse në të njëjtë orë, si mëngjesin e shkuar, hija e puriqur u fut në sallë. Fytyra si në një pikturë malinje, kish stampuar mbi maskën karnavaleske, një si buzëqeshje. Pamja neveritëse më shtiu krupën. Ndoshta këtë përshtypje, e nxiti edhe ndjesia, se e dija tashmë që para kisha një spiun, të njohur nga të gjithë. Ndjenja e parë që më shpërtheu nga thellësia e shpirtit dhe m’u pasqyrua në sy, si ajo verdhëza që kalohet në këmbë, qe përbuzja.
Ndonëse i gatshëm të përballesha me anti-nderin, siç e konsideroja ato momente, e humba aftësinë të fshihja emocionet. Ca episode heroike të pamenduara më herët, më hynin dhe më dilnin në qelëzat e trurit. Heroizmi, personifikim i rinisë, sikur më dha krahë; së pari më shkoi mendja t’i këpusja një çekan mbi atë surrat spiuni, por këshilla e pleqve; “larg nga ata syfete, të ligat i marrçin me vete”! më përmbajti dhe u zmbrapsa. “Hë, more patriot, si po ja çon sot! – m’u drejtua me buzëqeshjen e shtirë. – Po lëri ato veglat mënjanë, mo, hajd llafosemi një çik”! – pastaj si me shaka, shtoi sentencën mjaft të njohur të viteve të socializmit; “punët e shtetit dhe ujët e detit, s’mbarojnë kurrë”!
Nisi të fërkonte duart me njëra tjetrën, i afronte te goja dhe u shfrynte për t’i ngrohur. “Ama, sot qenka dimër tamam, të ngrikan qurret majë hundës! – shtoi pa takt. – S’e kuptoj dot, si e shtyjnë ata qyqarët, te tarracat e zbarkimit! Pra, më nj’anë në tjetrën, acari dhe hajd shpoje dheun e kallkanosur! – u ankua prapë, si t’iu qante hallin fakirëve, që i detyronin të gërmonin e zhvendosnin me karroca dore, tri metër kub shkëmb. – “Shyqyr, e kemi punën brenda, se atje do kishim vdekur fare”! – fërkoi së dyti duart me njëra tjetrën e shtoi: – “Të lumtë ty, sa erdhe e zure cepin! Të tjerët kanë vite dhe s’janë rregulluar dot! Po ku i lidhe telat, xhanëm?! Paske patur mik të fortë”! – bëri të habiturin.
S’di si u përmbajta pa iu kthyer! Nëse do kisha reaguar, përgjigje do ishin grushtet apo çekani kresë. Për të përmbajtur dufin, shtrëngova nofullat deri në dhimbje. Kisha vendosur t’i shkoja gjer në fund. Ndaj prita t’i nxirrte kokën e muhabetit. “Ta dëgjoj njëherë, ku do ta nxjerrë kollën, pastaj shohim dhe bëjmë”! e me durim e mposhta inatin. “Vetëm për kaq gjë, erdhe këtu? – e pyeta si naiv. – Unë ika me shpresë, se do më ndihmoje, me përvojën tënde”!
Kur dëgjoi këtë shprehje, iu çel fytyra, maska karnavaleske u ngërdhesh, një palë dhëmbë të krimbur e të rrallë, zverdhonin mes kësaj maske ngjyrë okër. Drita e dobët dimërore, që futej prej dritares së risteluar nga pas kurrizit të tij, konturonte edhe më tepër me ngjyrat. Loja e drit-hijes, i shtonte pamjes rrëqethëse prej iriqi të kruspullosur, edhe figurën e një harpagoni të kënaqur, që fërkonte duart, duke nuhatur gjahun që po e nxirrte në shteg.
“Posi, ore, do të ndihmoj, mo, patjetër! Fundja e kemi për detyrë, se jemi tanët! Ama si do të ndihmoj unë, po s’qemë pak më afër? – po qeshej pranë dritares, ku fashat e dritës, i jepnin pamje laramane. – Ama, edhe ti të më japësh një dorë, apo jo”?! “Ç mund të bëj konkretisht”?! “Po ja, o, të japësh ca shenja pendimi, që ta kuptojnë komanda, se ke premisa për t’u rehabilituar. E di, ty të nevojitet ndihmë! Së pari të zgjedhësh shokët, kjo është alfa e burgjeve. Edhe komanda këtu synon. Të dënuarit që zgjedhin saktë, i trajtojnë pak më ndryshe” – u kruspullos edhe më, pastaj vijoi: –
“Ore, s’po të marr vesh, ç’të ka ngjitur me ata pleqtë ty?! Grupi i tyre, s’para shihen me sy të mirë nga komanda. O byrazer, këtyre gjymtyrëve, u ka mbetur ora në dyzet-katrën! Po kohët kanë ndryshuar, po hajd t’a shohin ata! Se s’i kanë sytë në ballë, or vëlla! Fundja pushtetin e kanë këta dhe muri s’çahet me kokë”! Padyshim, kur ai përgojoi pleqtë dhe nxori këtë lumë fyerjesh të ulta, ndonjë tik nervor, duhet të më ketë luajtur mbi fytyrë. Mbase, ai e kapi në sekondë, sepse e drodhi gjuhën menjëherë.
– “S’po them se janë të këqij, jo, ‘re jo, s’janë! Po, me këtë sy i shohin, se! I konsiderojnë të pandreqshëm, i shohin të pakorrigjueshëm, në rrugën e tradhtisë. I kanë ndarë njerëzit këtu, or babuç”! Po zieja përbrenda. Krateri përvëlues i vullkanit të marazit, gati po shpërthente nga thellësia e gjoksit. Ndërsa ai shtonte dozën e helmit që hidhte mbi miqtë e mi, inati po rritej me të njëjtin proporcion, në përmasa të jashtëzakonshme. Durimi mbërriti pikën kritike, por loja duhej çuar gjer në fund. – “Pa nxirre kokën, se s’po të marr vesh tamam”? – e nxita sërish si naivët. – “Pse, më shkoqur se kaq e dashke, ti! Ore, babam, thirri rradakes; të kanë dënuar pak, ama, s’ta kanë për gajle, ta shtojnë pesëfish! E more vesh? Futesh për pesë, e del pas pesëmbëdhjetë vitesh”!
– “Pse, edhe kjo ndodhka”?! – “Ama, llaf na the! Ç’nuk ndodh këtu, or babam”! – heshti një çast, si për të sugjestionuar. – “Po për dënimet e ulta, zakonisht aplikojnë edhe falje! Si me amnistitë, ashtu dhe me lutje, kur plotëson gjysmën e dënimit. Por që të përfitosh, të nevojitet mbështetja e komandës, pa rekomandimin e tyre, s’ua hedh kush sytë. Madje, e mira e të mirave do ishte, që kërkesën ta bënin vetë komanda e kampit. Por edhe mes tyre, njeriut që i shkon më tepër firma atje lartë, është operativi i kampit! – heshti sërish, ndoshta e bëri apostafat të më linte kohë ta përtypja me avash bërllokun që më hodhi te këmbët. Sytë si të shqarthit, lëvrinin par reshtur në tërë hapësirën e sallës, pa u përqendruar gjëkundi. Këta sy djallëzorë e dekonspironin të zotin, si mashtrues delenxhi. – Ja ku dolëm tani, besoj e kupton, pa operativin e ke të humbur davanë”? – vijoi dhe heshti.
Meqë jemi te operativi, më duhet të sqaroj me pak fjalë, kush ish ky njeri që bënte diellin dhe shiun, në burgje. Në kohën kur mbërrita unë në Reps, operativ ishte fodulli mburravec, Pjetër Tarazhi. Si pinjoll nga familja e Heroinave të Mirditës, ai inspironte urrejtje pa skaj, ndaj çdo kundërshtar të Partisë dhe Enver Hoxhës. Pavarësisht se funksioni i tij s’i përkiste ndonjë rangu të lartë hierarkik, që ta zëmë komandanti i kampit, gjithsesi ai gëzonte namin e keq, sepse aktiviteti i tij zhvillohej në hije dhe gjithë të burgosurit i druheshin shpirt-ligësisë së tij, madje edhe vet personeli ushtarak, i ruheshin si djalli nga themjani.
Ai pretendonte se ish zanatçi i përsosur në profilin e vet, kurse unë mendoj të kundërtën, ishte thjeshtë një kapadai hundëpërpjetë. Këtë e mbështes te fakti se gjatë mbretërimit të tij, numri i spiunëve erdhi në rënie, një pjesë e atyre që nën presion kishin pranuar bashkëpunimin, duke u gjendur nën trysninë e diskreditimit para bashkëvuajtësve të tyre, s’mundën ta duronin fudullëkun e tij dhe, o iu hidheshin telave ku gjenin vdekjen e sigurt nga pushka e ushtarit, o përfundonin në pavijonin shtatëmbëdhjetë, skizofrenë të pakthyeshëm.
Sidoqoftë, mizor deri në sadizëm, shpirtkazmë deri në cinizëm, ai u shndërrua në tmerrin e të dënuarve. Urrejtjen klasore e shfaqte haptas, sidomos ndaj klerikëve dhe intelektualëve, po s’bënin përjashtim as të rinjtë konsekuentë. Kur ndonjë fatzi përfundonte mbi telat me gjemba, ai jepte urdhër ta shtrinin kufomën në sheshin e kampit, ndërkohë, krenar, triumfator si konsujt romakë në arenën e gladiatorëve, vej-e-vinte para meitit, me duart të kryqëzuara pas shpinës dhe, mbasi hidhte këlbaza pafund mbi kurmin e shpërfytyruar të të ndjerit, e qëllonte me majat e çizmeve, zbrazte të shara dhe fyerje të papërshkrueshme nga asnjë majë lapsi:
“Ndyrësira, fundërrina, të pëgëra, kërma të vjetra! Shërbëtorë të qelbur të imperializmit botëror! Kurvarë dhe prostituta të haremeve borgjeze! Armiq të ndyrë të Partisë dhe të shokut Enver! Këtë fund do pësoni të gjithë pa dallim, ju dhe të afërmit tuaj dhe kushdo tjetër, që do guxoj të na dalë kryq në marshimin tonë fitimtar marksist-leninist!” Pastaj, mbasi shtonte dhe një këlbazë tjetër drejt të vdekurit, detyronte të dënuarit të kryenin të njëjtin gjest.
Kur shihte që s’i bindej askush, ndërsente spiunët. Shpresonte ta bënin të parët, por kur ndonjë nga ata matej të dilte nga rreshti, vështrimet rrepta të bashkëvuajtësve e detyronin të tërhiqej, të ngjashmit e tjerë e ziheshin; kështu, përfundimisht operativi mbetej i vetëm në sadizmin e vet. Kur e kuptonte dështimin, tërbohej edhe niste të shkumëzonte. Derdhte edhe një lumë të sharash e mallkimesh, kërcënonte se ta pësonim edhe ne si ai fatzi, mandej si bolla qorre tërhiqej jashtë rrethimit për t’iu shkrehur të parit që do t’i binte në duar. Ishte vërtetë zëmër katran, shumë shpejt do t’ia shihja sherrin edhe unë.
“Or mik, ta kesh mirë me të do të thotë, t’i bësh vend vetes! Jo se ai është ndonjë figurë qendrore, si të them komandanti, ama me firmën e tij, del nga burgu! Pastaj për jashtë në liri, të vlen edhe më tepër sepse pa te, s’hedh dot dy çapa! Kurse me mbështetjen e tij, mund të gjesh ndonjë pune të mirë, po shpëton edhe nga telashet e tjera, si internimi apo syrvejimi i mëtejshëm. Aq më shumë të duhet ty që je i ri, sepse sa të dalësh, do të ngrenë ushtar. Po të çuan në repart pune, vate, e mori ferra uratën! Rrodhet s’do të ndahen më, e ke burgun pas shpine! Por me mbështetjen dhe rekomandimin e tij, mund të të shpien në ndonjë repart special dhe më vonë s’i dihet, po të shohin se ke dhënë shenja të qarta përmirësimi, mund të hapin edhe dyert e Partisë…”!
“Si! Si the”? – s’durova dhe e ndërpreva i çuditur”. “Po, ore, pse habitesh? Edhe kjo ka bërë vaki”! E pashë, si ta përpija të gjallë, jo aq për shkak të habisë, se të urrejtjes që gati po shqyente muret e shpellës së durimit. U çudita vërtetë, se si arrita të rezervohem! Gjithë ato mysybete që po dëgjoja, më shtynin t’ja shtypja kokën me çekan, si t’ish krimb haleje. Arsyeja më përmbajti. E mblodha mendjen: “Hajd, t’a lemë të shprehet gjer në fund, pastaj me të parë e me të bërë”!
“Ore patriot, po si do bëjmë të lidhem me operativin, sepse ai as më njeh dhe as e di kush jam unë”? “Ama për t’u lidhur, ‘re! Eh-eeh, s’ka ndonjë vështirësi kushediçë, do shohim si të na e sjellë rasti”! “Po, mirë, e zëmë se u lidha, po pastaj, ç’bëhet më tej”? – e pyeta sërish si naiv. “Ç’detyrë do të ngarkojnë? Po ku ta di unë? Hiç-o! Ehu-uu, eksperienca më ka mësuar, se s’kërkojnë ndonjë gjë të madhe”! “Për shembull”?
“Po, ja, operativi do të udhëzoj saktë, pastaj do të ndihmoj edhe unë t’i realizojmë sa më shpejtë. Prandaj duhet miku, apo jo!? E para kjo. E dyta: E mira ta do që me ata pleqtë, mos t’i hapësh këto muhabete. Se, s i dihet ç’të yshtin pastaj”! Heshti, kërrusi kokën mbi gjunjët që po i fërgëllonin nga të ftohtët, apo emocionet e momentit, s’di ç’të them! Gjithsesi, pa më lënë kohë të mblidhja veten, vazhdoi:
“Pa njerëzia dhe do flasin! Le të flasin, ore! Mbase do të thonë edhe spiun! Po le të thonë, ore! Ti shih oxhakun tënd, t’i shkojë tymi drejt! Mos e çaj kokën për llafet e miletit, shiko udhën dhe ec përpara! Nderi, do të thonë dynjaja?! Po mirë, ore, pse ne të tjerët, pa nder qenkemi?! Jo, or xhanan, kemi nder e më shumë biles! Po, kemi nderin tonë, ama”! Heshti së dyti, ndoshta shpresonte në efektin çudibërës të leksionit të tij, pastaj ia nisi prapë:
“Or byrazer, jemi në burg, këtu! O Mete për vete! Oh, oh-h-h-h, po të kisha dëgjuar pallavrat e moralistëve unë, sot do kisha në dorë qylyken e bishtin e lopatës, si të tjerët. Ç’të të them, i ke parë vet ata derdimenët si përfundojnë kur s’realizojnë normën? Posi ore, si s’i paske parë, të lidhur përfund shtyllave! Po, jo, o i nderuar, s’e lakmoj atë lloj nderi unë! S’dua të përfundoj ashtu! Më dhëmb koka mua! Pse re, për heronj paskemi lindur ne? Jo, or të lutem shumë, jam prej mishi e prej gjaku, unë! Kam familje, or babaçe! Dua të kthehem më shpejt te gruaja e te vajza! Kush do që të bëhet kurban, le të bëhet! Kush e ka penguar, hapur e ka rrugën? Unë për vete, jo, s’dua! E kuptove nashti, si janë ndarë këtu, heronjtë në një krah, ne të ndershmit që na ka zënë rrota bishtin dhe duam ta ndreqim biografinë, në anën tjetër. Po, ku ka trim me shtetin, ‘re”!
Heshti edhe një herë, nga zgavrat e thella, sytë si kokërdhokët e gjarprit i lëshonin ca shkëndijime hipnotike. Mbase shpresonte ta kish paralizuar prenë, ndaj ato çaste ndërmori hapin e fundit, shpartallimin: “Dëgjo, or babam, mos të të brejë ndërgjegjja! Jo, si do flasin, jo, po çdo thonë?! Hiç, ‘re, mos i vra mendjen, hiq shkopin zvarrë e mos lërë vizë prapa! Edhe unë në fillim, sikur u ndjeva pak ligsht, po u ambientova dhe tani jam në paqe me veten time. Or vllaçko, një jetë kemi! Hajde, ta jetojmë, se s’kthehemi përsëdyti! Edhe këtu ku jemi, duhet t’ia gjejmë anën, t’a shtyjmë më mirë se të tjerët! Më kuptove nashti? Ndaj unë ha e pi, punë s’bëj fare, pastaj shpresoj të dal më parë se shokët e grupit. Prandaj të këshilloj: gjeje rrugën e çaj përpara”!
Për ta bërë më të pëlqyeshme rrugën që sugjeronte, ia mori një kënge gazmore. Në vitet e fëmijërisë, i kisha dëgjuar shpesh këtë këngë banale’ nga sarahoshët qejflinj të lagjes sime kur shtronin buzë lumit me një gotë raki, me dy kokrra ullinj e një bisht qepe dhe ja merrnin: “Ec përpara të çafsha ballin, / me sqepar ta hapsha varrin. / Ec përpara e mos ki frikë, / se i ke brekët me llastikë”, etj. banalitete. Kjo këngë jevgjish me kadencë të zvargur, që në rrethanat ku gjendeshim dukej e pavend, sido që këngëtari përpiqej t’i jepte nota gazmore, delte e sforcuar dhe zëri që e këndonte, ngjante sikur vajtonte.
Ende pa u shuar jehona e notës së fundit, një hije çau nga dera drejt vendit ku ishim ulur ne. Ndërkaq, një shpullë e fuqishme u plas mbi surratin e bashkëbiseduesit tim dhe krisma e thatë jehoi tavanit të sallës së laboratorit. Ai, si ta kish flakur tej furia e një cikloni, u plandos mbas murit. Hija veproi shpejtë, sa s’munda ta shquaja personin, mandej një breshëri grushtesh dhe shkelmash, pasoi mbi trupin e kruspullosur. Befasia më shtangu por e mblodha veten dhe u ngrita të jepja edhe unë një dorë.
Me durim të sosur, mezi prisja të shfreja dufin. Kisha minuta që zieja; inati e shqeu kraterin e arsyes, sytë m’u errën, urrejtja më eklipsoi trurin. Ngrita çekanin që mbaja në dorë, e mata t’i jepja goditjen fatale. Por atë moment, hija më dha të shtymën nga pas dhe çekani u shuk në murin përballë, duke shkërmoqur llaçin e suvasë. Humba ekuilibrin dhe rashë mbi të kruspullosurin. U çova shpejt dhe ngrita sërish çekanin. Një dorë si nofulla morse, më kapi kyçin dhe më shtyu tutje. “Ç’bën, mos luajte mënç? Hiqu mënjanë, se merrem unë me këtë”! “Aman, kam një orë që po e duroj, lërmë ta zhduk qelbanin”! – iu shkreva hijes në krahë.
“Pusho! Ja rregulloj unë samarin, këtij kërriç gomari”! – të sharat u pasuan me një stuhi goditjesh. – “Dëgjo ‘re pocaqi, do ta nxjerrë shpirtin nga b…, se na qelbe tërë Repsin me pisllëqet e tua! Pse ore, qen bir qeni, do të lemë ty, t’i bësh si veten të gjithë! Mbylle me kaq, se po s’të qërova nga kjo dynja, mos më thënçin Muharrem Dyli! Ngrihu, lahu e thyej qafen! Po hape gojë, je i vdekur! More vesh”? – i tundi grushtin në surrat. – Edhe njëherë po të them, vëri vath këto porosi, se këtu jemi ne! – e kërcënoi për herë të fundit.
I rrëzuari u përpoq të çohej, por goditjet e kishin trullosur keq, s’po merrte dot drejtpeshimin. Kur ngriti kokën, vura re një çurkë gjaku t’i rridhte nga vrimat e hundës dhe njëra vetull e çarë, i varej zhofkë mbi syrin e mbufatur. – “Çoje te çezma të lahet, sa të gjej Dilon”! – më urdhëroi mua dhe iu kërcënua sërish atij: – “Dëgjo ti palaço, se mos bën çap që këtu, pa do ta ndaj copa copa atë kërmë spiuni dhe do të betonoj në frantojë! Ra dhe u vra, kaq”? – m’u kthye mua. Iku çap shkurtër, po shpejtë, ndërsa ne mbetëm të dy. E shoqërova deri te çezma që gjendej pas derës së banjës.
“Ky është çmimi që paguan zanati yt! Besoj, vajti haka te i zoti”! – pastaj shtova pa ceremoni. – Duhet të ta jepja unë, ta dha ai! Po, s’ka problem, këtu jemi! Po na e solli rasti, do t’a laj borxhin, madje dhe me kamatë”! – e kërcënova. Ai heshti dhe hidhte ujë të ftohtë në fytyrë, gjaku s’po i rridhte me gulshe si më parë, po ca cifla të mpiksura i ishin shtresuar mbi mjekër dhe mbi këmishë.
– “Unë të dola borxhit, do bëhesh pishmend, po do jetë vonë”! – fishkëlleu si gjarpri. – “Or maskara, s’qënke ngopur ende! Bëj shyqyr që shpëtove me kaq, se herën tjetër, nëse do guxosh të më dalësh kryq, do të zhdëp vet”! – dhe ja zhyta kokën në ujin e çezmës. Sigurisht thoshja të vërtetën, sepse atëkohë isha nën efektin e dufit të heroizmit djaloshar, si i dehuri që vepron nën nxitjen e avujve të alkoolit, i gatshëm të bëja veprime të tejskajshme.
S’kaluan ca minuta ndjeva të kuisnin çiçivetë e derës. Dilua, me çantën e ndihmës së shpejtë nën sqetull, ja behu shpejtë. Sa shqoi të dëmtuarin ulur mbi një arkë, i shkoi pranë. Në ecje e sipër, më hodhi mua një vështrim kuptimplotë: – “Ua-aa! Po, ç’të paska gjetur, more qiq! Po, qenke sakatuar fare, a ditëziu ti! Po pse more, kaq keq paske rënë, a! Hapi site kur hedh këmbët ore, se është vend gazepi këtu, gjithë hekurishte dhe gozhdë! Hajde, ndihmomë ta shtrijmë këtu, or çun, se e kemi edhe nga Berati”! – uli çantën e aviti edhe një arkë tjetër të formonte një tip shtrati. – Shiqir që paska par e të paska ngritur, se kushedi ku do vente kjo punë”! – më shkeli synë’ të më jepte të kuptoja, se ishte në dijeni të gjithë ngjarjes.
Për të qenë në sinkron me të, iu përgjigja: “Po, Dilo, ke të drejtë, për këtë jemi ne patriotët që në nevojë, t’i gjendemi njeri tjetrit! Si të duket, mos është dëmtuar shumë”? – shtova me djallëzi. – “Jo, ore, ç’ne, pak! Po, është kockë e fortë ki, o djalë-ëë! Po, ka qenë marinar, ore”! – përsëri më shkeli synë me dinakëri, germën “y”, e theksonte “i”, si tërë gjirokastritët. E kuptova, kjo e folur me nënkuptim, ish një formë presioni për të heshtur.
Ai nxori nga çanta një shuk pambuk, ca fasho dhe një shishe jod e nisi t’i pastronte hundën dhe vetullën e çarë. I vuri një turrë fasho mbi syrin e ënjtur e ia ngjiti me leukoplast, pastaj i bllokoi me nga një shuk pambuk të dyja vrimat e hundës, iu afrua te veshi dhe i tha: – “Kujdes me gojën, s’të bën mirë t’a hapësh, se… të rrjedh gjak”! – shtoi. – “Kur të kthehemi në kamp, do ta qepim te doktor Naimi, po deri atëherë, hajd shkojmë në kovaçhanën e Qazos, të ngrohemi një çikëz”!
U larguan mbështetur pas njeri tjetrin. Kur mbërriti në prag të derës, Dilua u kthye edhe njëherë drejt meje, më shkeli synë: – “Faleminderit për ndihmën, djalo-oo”! – më përshëndeti dhe u larguan. Mbas dite në kamp, mora vesh se Muharremin e kishin caktuar engjëllin tim mbrojtës. I falenderova për këtë gjest, atë dhe pleqtë e mi. Me vëllezërit Riza dhe Muharrem Dyli, që ishin dhe miqtë e tim eti, do lidhja miqësi të ngushtë e të gjatë, që do vazhdonte deri në vdekjen e tyre. Për ata do flasë veçmas, kur të vijë radha.
Ky qe takimi i fundit me spiunin, pa prezencën e të tjerëve, përsakohë qemë bashkë. Sepse ai s’qendronte gjatë në kamp, e çonin me misione birucave, që të spiunonte dhe ndikonte në dënimin e mjeranëve që i kishin piketuar për të populluar burgjet politike. Kur kthehej, që të çlodhej për turin e radhës, e fusnin në regjim ushqimi special dhe e caktonin në brigadën e “tekahytëve”.
Nga ana tjetër, edhe unë s’e pata kismet të zgjasja shumë në këtë brigadë, sepse ndikuan ca rrethana, që s’vareshin prej meje, për të cilat do flasim më poshtë, kështu s’patëm më rast të takoheshim. Nuk e di saktësisht, nëse e denoncoj apo jo ngjarjen me mua dhe Muharremin, për këtë nuk disponoj fakte, por zhvillimet e mëvonshme, më bënë të besoj, se padyshim duhet t’i ketë vënë në dijeni ustallarët, që ia ngarkuan atë detyrë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016