Nga Ing. Shpëtim Emiri
Memorie.al / A e vlen të botohet sot një shkrim përkujtimor për një nga figurat e shquara të fushës së ndërtimit para vitit ’90-të në Shqipëri? Madje drejtues i lartë i saj?! Dhe të bëhet vlerësim pikërisht sot, kur shumica e veprave të ndërtuara, fabrika e uzina, u shkatërruan në mënyrë të organizuar nga qeverisjet e të gjitha ngjyrave të këtyre 35 viteve të të ashtuquajturës “tranzicion” kinse demokratik?! Akoma më keq, të ngresh zërin sot, kur shkatërruesit janë heronjtë e ditës dhe të natës, madje pushtetarë e krye-pushtetarë, shaluar gjysmë popullit “invalid”, të pa zë, kur gjysma tjetër ikur nga sytë këmbët, dashur-padashur i ka kthyer kurrizin Shqipërisë së oligarkëve shumëngjyrësh dhe shpurës patronazhiste?! A nuk do të jetë ky zë, “Një zë në shkretëtirë”?!
Sigurisht! Është shumë pak një zë, kur bishat ulërijnë! Por përsëri ia vlen! Para më pak se dy muaj, më 17 nëntor 2025, në takimin; “Nderim Figurave të Shquara të Inxhinierisë së Ndërtimit”, në prani të një audience dinjitoze ndërtuesish të shquar, u përkujtua figura dhe kontributi i jashtëzakonshëm i z. Rahman Hanku, në ndërtimin e Shqipërisë. Në vijim dhe në gjurmët e këtij përkujtimi do të shtoja një mini-portret, ndërtuar me copëza mozaiku, sidomos në Fier, qëmtuar nëpër kujtime ndërtuesish, por dhe të miat!
Drejtori i parë i NNI Fier, njëherësh themeluesi i saj më 1964
Çfarë gjeta të pashlyer në kujtesën e ndërtuesve dhe montatorëve, që patën marrë pjesë përgjatë viteve 1964-‘67 në ndërtim-montimin e gjigandit industrial, Termo-Elektro-Central me fuqi 100 Mega Wat dhe Uzina e Plehrave Azotike në Fier.
Sjellja e brigadave dibrane të krahinës së Gollobordës
I pat përzgjedhur me dorë brigadat me specialistë të shkëlqyer nga krahina e Gollobordës. Ato brigada bënë “emër” me punën e tyre të palodhur, por sidomos me profesionalizmin, cilësinë e lartë të zbatimit në objekte nga më të vështirat, që realizoheshin për herë të parë, përfshirë dy oxhakët e lartë nga 80 metër, katër freskoret parabolike me lartësi 56 metër, veshjet zjarrduruese të kaldajave, bazamentet e koklavitura të turbinave e të tjera…! Ishte fat për ne ndërtuesit e rinj, teknikë dhe inxhinierë, që u emëruam me punë në këtë ndërmarrje pasi kishin përfunduar punimet e Azotikut dhe TEC-it. Ne u formuam në një ambient me disiplinë të fortë teknike, me specialistë të nivelit të lartë, prej të cilëve mund të mësonim deri ç’ishte perfeksioni në ndërtim.
Sistemimi i tyre me shtëpi dhe banim në Fier
Planifikoi dhe realizoi ndërtim godinash banimi për sistemimin e shumicës së familjeve të specialistëve të grumbulluar nga të gjitha anët e vendit. Por, duke iu bërë nder specialistëve ndërtues, i bëri njëherësh një nder të jashtëzakonshëm Fierit me një pasuri të çmuar specialistësh…!
Përzgjedhja e personelit inxh-teknik
Për ndërtimin e gjigandit industrial “AZO-TEC Fier” përzgjodhi personelin inxhiniero teknik. Kujtohen emra inxhinierësh të shquar si Petraq Çerepi, Robert Semini, Gaqo Pendavinji …, apo më të rinjtë, si Genc Bejleri …, të cilët, pasi u vu në punë kompleksi industrial, i ktheu në Tiranë në detyra të rëndësishme…, kurse Dionis Çonçin, e emëroi kryeinxhinier.
Stimuloi kapacitetet e specialistëve tanë përballë të huajve
Për të rritur ritmin e punimeve, lejoi të punojnë (nga e shtuna mbas dite deri të hënën në mëngjes), pa praninë e specialistëve kinezë, siç ishte e miratuar në kontratë, të betonohej një segment i rrjetit të kolonadës fundore të freskoreve hiperbolike.
Kolona beton arme tetë-këndore me pjerrësi të dyfishtë kundrejt vertikalitetit
Kur u kthyen kinezët nga shëtitja e fundjavës protestuan. Drejtor Rahmani bëri të paditurin, urdhëroi të prishej puna e kryer nga specialistët tanë, por para kësaj u kërkoi kinezëve ta kontrollonin nëse kishin gabuar, ku, si dhe sa, për të nxjerrë mësime…! U krye kontrolli nga grupi i specialistëve kinezë me inxhinierë ndërtimi, inxhinierë topografë dhe specialisti karpentier dhe rezultoi realizim perfekt. Kjo punë u krye nga brigada e Mustafa Avdisë dhe topografi Petrit Çarçani. Të nesërmen pala kineze e nisi për në Kinë specialistin e tyre të karpentierisë.
Vlerësonte sakrificat e veçanta të specialistëve
Krye-normisti i ndërmarrjes, Koçi Mita, nuk miratonte borderonë, list-pagesën, e brigadës së montimit të konstruksionit të çatisë, mbulesës me kapriata e konstruksion metalik të sallës gjigande të makinerive, 5 turbinave 25 MW sejcila. Shkak ishte tejkalimi i normës me rreth 60 përqind. Normisti i referohej udhëzimeve të qeverisë, të cilat nuk lejonin pagesa mbi një përqindje mjaft të kufizuar dhe të justifikuar teknikisht. Brigadieri u ankua tek drejtori, Rahman Hanku, i cili i premtoi se do t’ia zgjidhte. Të nesërmen drejtori thirri krye-normistin ta shoqëronte gjatë inspektimit nëpër objekte…! U ngjitën lart në pjesën e tarracës së përfunduar, ngjitur me këtë që po ndërtohej dhe po shikonin se si montoheshin në vazhdim kapriatat metalike me hapësirë drite 24 metra mbi kolonat betonarme në lartësinë ~ 20 metra.
Vinxhi kullë e ulte kujdesshëm kapriatën, tërhequr me litar nga montatori, i cili e afroi dhe e centroi mbi katër prixhionjerët e betonuar në kokën e kolonës. E fiksoi, e shtrëngoi me rondelet dhe dadot e menjëherë u ngjit e hypi mbi kapriatën e fiksuar vetëm në njërin krah, mbetur varur me kavo çeliku tek ganxha e vinçit dhe kaloi mbi kapriatë (dy profile metalike “L”) si artist cirku. Ndonëse i pajisur me rrip sigurimi, pa u lidhur kurrkund, doli në cepin tjetër, ku centroi dhe mbërtheu kapriatën në kokën e kolonës përballë, ku nuk kish skeleri. Mbaroi shtrëngimin dhe u kthye përsëri si pehlivan, duke ecur kujdesshëm mbi kurrizin me dy pjerrësi të kapriatës, mbi të cilën do montoheshin soletat tip “pekazhe”, për të vazhduar menjëherë me montimin e kapriatës tjetër.
– “Koçi, shko kontrolloje se si e ka mbërthyer montatori kapriatën tek kolona matanë”! – urdhëroi gjithë seriozitet drejtori krye-normistin, i cili shtangu nga ç’i dëgjuan veshët. – “Jooo shoku drejtor! Si mund të shkoj unë mbi dy profila metalikë në këtë farë lartësie?! Edhe njëzet centimetër mbi tokë, po të jenë këto, unë do rrëzohem e jo më në lartësi njëzet metër”! – “Atëherë, kthehu në zyrë dhe firmos list pagesën për këta heronj, që rrezikojnë jetën, të realizojnë objektivin që u është ngarkuar dheee … dokumentin e justifikimit për kët shkelje ligjore ta formulosh pikërisht ti, me ç’të panë sytë këtu”! (Të tillë montatorë, që nuk iu bënte përshtypje lartësia, ishin me ‘kokrra’ dhe nuk pati asnjë aksident prej tyre).
Drejtimi i punimeve
Si drejtor i ndërtim-montimit të kompleksit industrial, AZO- TEC – Fier, u shqua për aftësitë të veçanta organizuese dhe drejtuese. E njihte mirë ndërtimin dhe kishte “të ramen” e saktë për kohën e domosdoshme të proceseve të punës. Në çdo mbledhje, pasi i dëgjonte drejtuesit e kantiereve, vendoste “piketa”, afate të detyrueshme, objektiva, të cilat, me përkushtim maksimal, mund të kapeshin. Psh: – “Sonte ora dhjetë të fillojë betonimi i bazamentit…”! – dhe nuk kishte llafe, iu dërgonte betonin. Të gjithë e dinin, se po të mos bëheshin gati, betoni mund t’iu bëhej ngarkim.
Vlerësim i personelit sipas efektshmërisë rezultative të secilit
Vlerësonte dukshëm njerëzit e punës. Madje i merrte në mbrojtje të padukshme të prekurit nga lufta e klasave, kur ishin të zotë të punës. Për këtë të vërtetë mund të mjaftojë vetëm shembulli në vijim. Qysh në fillimin e aktivitetit të NNI Fier, Rahmani këmbeu dy inxhinierë me një teknik! Po, po! I dha dy inxhinierë të ndërmarrjes së vet, NNI Fier, ndërmarrjes tjetër, asaj të bonifikimit Fier dhe i mori asaj Petrit Çarçanin, teknik topograf i shkollës së Fultz-it, një fenomen, pavarësisht se kish babain të pushkatuar nga regjimi! Kishte bërë bujë edhe një tjetër ndodhi: La gjashtë muaj në zborin ushtarak të njëjtin inxhinier, që të bënte edhe zboret e kolegëve inxhinierë në Azo-Tec, largimi nga puna i të cilëve, cënonte ndjeshëm grafikun e punimeve në vepër.
Mbrojtja e personelit
Ministri i Ndërtimit, Rahman Hanku bënte namin me kritika të rrepta nëpër analiza e mbledhje të rëndësishme, aq sa u ka rënë të fikët individëve të kritikuar…! (Nuk po i përmend emrat që di unë, një arkitekt Institutit Nr. 4 dhe një projektuesi të Institutit të Hidrocentraleve), por ajo që nënvizohej nga ndërtuesit për titullarin ishte, se Rahmani nuk e shiste personelin në raste rreziqesh!
Kur nevrikosej…!
E kishin vënë re qysh herët, se: “kur nxehet Rahmani, i skuqen edhe veshët”! Ky konstatim na u bë i ditur, na u transmetua edhe neve, të mëvonshme…! Unë nuk pata fatin ta shikoja në çaste të tilla nevriku. Pavarësisht nga kjo, kur jam takuar me atë, nuk harroja të hidhja sytë nga veshët e ministrit, të zbusja sa të mundja situatën…! Inxhinier Rexhep Faja, projektuesi kryesor i veprës “Shtesa e TEC – 60 MW – Fier” (≈ viti 1977-‘78), më ka treguar se si i mblodhi këmbadoras projektet e shpërndara në dyshemenë e zyrës së ministrit, të shtyra nga tavolina prej vetë atij dhe kur i bëri deng, mbajtur me dy duar, shkoi tek dritarja për të dalë jashtë zyre! Harroi derën!
Një inspektim në vitin 1969 – Rahmani, zv.ministër
Ishte aksion i madh për të shtrirë linjën e tubacionit të gazit nga Gorishti në Patos. Rahmani, shkuar për inspektim, u ndal në sektorin e rëndësishëm të Poçemit. Pasi u njoh me situatën në terren, mori kontakt me brigadën e saldatorëve të patentuar të linjës, të cilët ishin sistemuar me ushqim dhe fjetje, në baranga pranë burimeve të Poçemit. U interesua sidomos për trajtimin e tyre. Ata mezi prisnin të qanin hallet për një sërë mangësish, por sidomos për ushqimin. “Tani që po flasim, shoku Rahman, – ia nisi brigadier Hasani nga Golëmi i Gjirokastrës, – ne nuk na ka ardhur akoma ushqimi i drekës! Po vete ora tre! Lere fjetoret! Çarçafët, pa ndërruar, s’mbahet mend. Në vend t’i bëjmë ne pis, na nxijnë ato kur shtrihemi”!
Rahmanit ngjyra e kuqe gjer tek veshët iu kthye në vishnje…!– “Kush asht përgjegjësi këtu”? – “Ja tek është”! – i treguan inxhinier Spiro. S., viti i parë i punës së tij.– “Çfarë detyre keni ju këtu”?! – i bërtiti. – “Jam inxhinier, përgjegjës i sektorit, shoku Rahman”! – “Ti nuk je inxhinier, ti je m…”! – dhe si të mos i mjaftonte ky “emërtim” i çuditshëm i shtoi: “Tre herë m…”!- dhe iku nga sektori krejtësisht i pakënaqur prej keqtrajtimit të specialistëve, saldatorë e montatorë. Të gjithë mbetën shtangur, madje më keq u ndjenë ata që u ankuan, ndaj, sa iku zv. ministri, brigadieri i kërkoi të falur inxhinier Spiros.
– “Inxhinier, nuk ma mori mendja, se do të të përvishej ti, inxhinierit që ndjek punimet. Po mos u mërzit! Ne do t’i çojmë lajm në ministri, se të ka rënë më qafë kot, ndërsa përgjegjësinë e ka drejtori i kantierit me ata të furnizimit…! Ç’ne ti?! Ti po vuan më keq se ne nga këto anomali këtu! Dhe ta diç na unë, Ramani do na mirëkuptojë! E njohim mirë ne atë! Bile bile, e njohim dhe na njeh po aq mirë dhe ai”! Të gjithë specialistët e rrethuan inxhinierin që u persekutua para syve të tyre dhe u munduan ta çlirojnë nga stresi që e hutoi krejt…! U shpërndanë më pas nëpër vendet e tyre të punës përgjatë tubacionit dhe Spirua ngeli vetëm me Tikon, shoferin e “Zuk”-ut, që ishte i pranishëm në këtë “kasaphanë”…
– “More Tiko! A më shpjegon dot, se përse më tha shoku Rahman ‘tre herë m…’! Mirë, ‘një herë’ e pranoj! Po tre herë?… Pse?! Pse tre herë xhanëm”! – “Inxhinier, – iu kthye Tikua, që nuk linte rast t’i shpëtonin romuzet, – të ka sharë me tre breza”! – “Çdo me thënë kjo, me breza, s’e kuptoj”!? – Spiros nuk po i delte ende narkoza…! – “Domethënë, nuk je vetëm ti, mender, m… Tiii, po se po, por edhe të parët e tu, e bile dhe të pjellat e tu, pasi të martohesh”! – e rehatoi inxhinierin me sqarimin prej të moçmi…! Një vit më pas, kur unë fillova punë në të njëjtin kantier, Spirua më ka treguar se Rahmani shkoi direkt nga Poçemi në Ballsh dhe pat vënë para përgjegjësisë pikërisht ata të cilëve u takonte, madje u kish thënë: “U revoltova aq shumë, sa i kam rënë më qafë atij inxhinierit të sektorit në Poçem. I thoni atij”! Dhe, e vërteta, më pas raportet e inxhinier Spiros me Ministrin, ishin dukshëm miqësore…
Viti 1981- Kontakti me Ministrin
Ishte Aksioni Kombëtar për tufëzimin e gjedhit. Do ndërtoheshin 800 stalla në të gjithë vendin brenda një viti. (Sip. e një stalle ≈ 600 m2). Ishte miratuar një projekt tip i Institutit të Projektimit Nr.4 Tiranë dhe ishte shpërndarë në gjithë Republikën. Ndërmarrja jonë, NNI Fier, do ndërtonte 60 stalla plus 4 komplekse të mëdha blegtorale, dy pulari në Patos dhe dy komplekse viçash, një në Darëzezë dhe tjetra në Levan. Gjatë zbatimit unë (inxhinier i kontrollit teknik, cilësisë të ndërmarrjes), dyshova tek projekti. Kishte armim (hekur) të tepërt të soletave të mbulesës së stallave…! Sipas metodikës standarde, i bëra provën me ngarkesë një soletë të kontingjentit të parë të prodhuar tek ne në kantierin e prodhimit Ballsh dhe u habitëm. Sinjalizova Institutin, nuk reagoi. Njoftova ministrinë, drejtoreshën Yllka Zaloshnja, ajo më thirri dhe më çoi tek ministri në zyrë.
– “Hë mor djalë, si është puna”? – më pyeti sa hyra. I shpjegova dhe kur pa fotot e provës me ngarkesë të soletave, u shqetësua…! Unë nuk dallova dot ngjyrën e veshëve, sepse ai u skuq komplet. – “Shoku ministër, në Ballsh është bërë refren: Ku do qëndrojnë lopët, poshtë soletave, apo mbi to”?! Më falënderoi dhe e vlerësoi maksimalisht! Urdhëroi ballafaqim të menjëhershëm të Institutit me realitetin në një tjetër ndërmarrje prodhimi parafabrikatesh, në NNI Elbasan, me praninë time dhe pas një jave doli urdhri rrufe i ministrit, që ndalonte punën e nisur me projektin e parë dhe urdhëronte vazhdimin me projektin e ri, i cili u hartua dhe u shpërnda me urgjencë…! Rezultati: U kursyen mbi 400 ton hekur ɸ 4 (të tërhequr në të ftohtë), ekuivalent me rreth 600 ton hekur të zakonshëm. Këtë fakt nuk do ta harronte Rahman Hanku. (Këtë rast e kam trajtuar në Revistën ‘NDËRTUESI’ (Nr. 3, 1981), botim i Ministrisë të Ndërtimit).
Viti 1988- Vizitat e ish ministrit në Uzinën e Re të URE – së Fier
Rahman Hanku pat lënë detyrën e ministrit dhe kish kaluar me funksion në Komitetin Qendror. Vinte për inspektim gjatë periudhës së ndërtim montimit të uzinës së URE-së të Re. Ishte uzina e fundit e përmasave të mëdha në atë sistem. Unë, prej gati dy vitesh kryeja detyrën si kryeinxhinier i ndërmarrjes. Vizitat direkt në objekt i bënte të shtunat, aty nga ora 18-19 (në verë), kur punëtorët, specialistët dhe personeli ishin larguar nëpër familje. Donte të lexonte qetësisht situatën. Niste rojën e objektit tek zyrat e ndërmarrjes (~1 km. larg) të njoftonin, nëse mund të ndodhej aty ndonjë nga drejtuesit.
– “Ka ardhur shoku Rahman në objekt”! – njoftohej dezhurni. Nisesha direkt nxitimthi, takoheshim me kënaqësi dhe e shoqëroja në vizitën e plotë nëpër kantier. Interesohej për gjithçka, sidomos për ecurinë krahasuar me grafikun dhe vlerësonte cilësinë e lartë dhe progresin. Ai e nuhaste me ‘hundë’ nga vizita në vizitë, se kush ishte ritmi i ndërtim montimit dhe largohej i kënaqur. (Uzina e Re e URE-së, me kapacitet 30 000 Ton pleh në vit, përfundoi gati 7 muaj para afatit, në qershor 1989).
Viti 1988 – Takimi me personelin dhe brigadierët në URE –në e Re Fier
Vepra ishte në kulmin e punimeve të ndërtim-montimit. Mua më njoftojnë në zyrat e ndërmarrjes, se shoku Rahman ka mbledhur gjithë personelin dhe brigadierët tek salla e përfaqësisë në URE. Thuajse me vrap mbrita, trokita dhe shkova, u ngjesha, në fund të ambientit, duke i shtrënguar montatorët e ulur. Rahmani foli serioz, i prerë, i rreptë dhe objektiv, ashtu sikundër e njihnin, madje një pjesë prej të pranishmëve kishin njohje nga afër me të, kur befas iu drejtua auditorit: – “Dhe ndigjoni këtu! Këtë djalin ta ndigjoni, se e keni shkencëtar”! Ishte një vlerësim mjaft dashamirës prej tij, që unë ia dita dhe ia di për nder. (Shënim: Kjo lloj deklarate e vendosur në gojën e personalitetit të ndërtimit në Shqipëri, zotit Rahman Hanku, por që nuk jeton më, e do së paku një dëshmitar, apo jo)?! Nga ministria e ndërtimit e shoqëronte drejtoresha e Drejtorisë Industriale, Yllka Zaloshnja…! Pyeteni!
Viti ‘95 – Blerja e shtëpisë për ish ministrin edhe nga TRISS – Ndërtim
Në mars 1994 krijuam firmën “TRISS – Ndërtimi”, bashkim tre firmash, në Tiranë. President Ismail Ahmeti dhe drejtor teknik unë. Aty nga vjeshta, mundet vitet 1995, në zyrat e “TRISS” erdhi inxhinieri Genc Bejleri. U takuam përzemërsisht. Unë isha njohur me të, kur e sollën të drejtonte, përgjatë disa vitesh, kantierin kryesor të veprës, UPTHN Ballsh. Genci u ul dhe vazhduan bisedën me Ismailin. Pas pak Ismaili erdhi tek zyra ngjitur, ku punoja unë. Më ndali të më tregonte diçka.
– “Genci është i angazhuar të mbledhë lekë nëpër ndërmarrjet e para private të ndërtimit, për të blerë një apartament për ish ministrin Rahman Hanku, të cilin po e nxirrnin nga shtëpia ish-pronarët e godinës”. U tmerrova! “Uaaaa! Si është e mundur?! Ish Ministri i Ndërtimit, ai që drejtoi si ministër sektorin e ndërtimit në Shqipëri përgjatë 15 vitesh, madje në periudhën me ngarkesën maksimale, atë të ngritjes të hidrocentraleve dhe uzinave gjigante, por dhe në kohën e tmerrit në nivelet e larta, kur po priteshin koka ministrash si bostane; pikërisht atë sot po e nxjerrin në rrugë, pa shtëpi”?! – po shikoja shef Ismailin i shastisur, i revoltuar…! Të njëjtën pamje kish marrë dhe Ismaili. Unë e dija nga bisedat me të, se kishte miqësi me Rahmanin, e vlerësonte dhe e respektonte shumë.
– “E pyeta Gencin, – vazhdoi Ismaili, – në se e kanë fiksuar, apo jo, apartamentin që duan të blejnë dhe më tha; po! Kanë shkuar bashkë me Rahmanin, e kanë parë, madje kanë rënë dakord për çmimin me të zotin e apartamentit”. – “Më jepni sa të keni mundësi ju, – më tha Genci, – që të vazhdoj të trokas në shokë të tjerë deri sa të plotësoj shumën”. – “Edhe sa të duhen për t’u plotësuar shuma”, – e pyeta Gencin. – “Rreth tetë mijë dollar”, më tha. “E lashë Gencin të presë pak, sa të shoh çfarë mundësie kena, ndaj dola të marr edhe mendimin tënd, ndërsa mendimin tim po ta them ta dish! Megjithëse jemi t’mërdhitun, gjykoj t’ia plotësojmë ne shumën e mbetun dhe të shkojnë direkt me e ble apartamentin. Ç’a mendimi ke ti, Shpëtim”?!
– “Shumë dakord shefo! Ne vërtet jemi mjaft ngushtë, por nuk na shpëton ajo shumë”! – “Sa mirë që e paske dhe ti kët menim”! – e tha me gjith shpirt Ismaili, gati i lumturuar, sikundër dhe unë. Të nesërmen iu dha Gencit shuma dhe…! Ka ardhur më pas Rahmani dhe na falënderoi, por Ismaili nuk i pranoi falënderimet, duke i shpjeguar se detyrimet tona ndaj Rahman Hankut, ishin shumë më tepër sesa kishim mundësitë…! Dhe vinte shpesh tek zyrat tona në qendër, në godinën e zyrave të PD-së, pronë e inxhinier Egon Gjadrit, të pinte kafe me Ismailin.
Vitet 1998 – 2015 – Festat e Vitit të Ri në mjediset e “TRISS Ndërtim”-it
Kur ndërtuam zyrat e reja, një kat shtesë mbi godinën e Institutit të Hidrocentraleve, u bënë më të rralla vizitat e zotit Rahman, për shkak të largësisë, por ndofta edhe për shkak të normave vetjake prej fisniku, “Gjella me kripë e kripa me karar”! Ismaili i pat thënë disa herë, “kurdoherë që don të vish, më merrni në telefon dhe unë ju çoj makinën”! E bëri shumë herë edhe këtë variant dhe ne e prisnim me respekt të veçantë. Konsiderohej krye-mik, jo vetëm nga Ismaili, por nga gjithë stafi me njëzet inxhinierë me eksperiencë të firmës “TRISS – Ndërtim”.
Në festat e fundvitit, që i realizonim në sallën e madhe të zyrave të “TRISS”, organizohej një koktej i madh me pjesëmarrje të dhjetëra e dhjetëra të ftuarve, ndërtuesa. Ishte nder i madh për të gjithë të ftuarit prania e ish ministrit tonë, Rahman Hanku…! Bënim mjaft foto dhe ua shpërndanim. Në përfundim secili pjesëmarrës merrte edhe pakon e Vitit të Ri, të sjella nga Italia me porosi nga “TRISS”. Kuptohet, Rahman Hankut i çohej në shtëpi pako speciale.
Përcjellja e trupit të të ndjerit, Rahman Hanku, në banesën e fundit
Kam marrë pjesë së bashku me shumë e shumë kolegë e kolege ndërtuesish që ndjenë dhimbje për ndarjen e tij nga jeta. Aty lexohej qartë respekti dhe mirënjohja e thellë ndaj tij…! Një pjesëmarrje e jashtëzakonshme! Ndonëse të shkëputur prej dekadash nga marrëdhëniet me Rahmanin. Më kujtohet se në këtë përcjellje mori pjesë edhe kleriku më i lartë i Teqesë Bektashjane…! Qoftë i paharruar kujtimi i atij burri që la mbresa të thella me cilësitë e tij të rralla si drejtues i lartë, organizator i shkëlqyer dhe si njeri i jashtëzakonshëm!
Festimi i 100 vjetorit të lindjes së Rahman Hankut
E pritëm me kënaqësi lajmin për këtë aktivitet jubilar që do t’i bëhej kujtimit të ministrit tonë të nderuar, të respektuar dhe të paharruar! Unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me organizatorët, zoti Shkëlqim Bumçi, z. Faruk Kaba dhe zj. Yllka Zaloshnja. Nuk mora dot pjesë në aktivitet për shkaqe shëndetësore, i porsa operuar…! Kontribuova me kënaqësi për realizimin e dokumentarit…! / Memorie.al
Autori i shkrimit; 1971-1991, inxhinier objekti dhe kryeinxhinier i ndërmarrjes NNI Fier.













