• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Friday, April 10, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“I diplomuar në Gjermani, ai ishte; publicist, sindikalist, muzikant, stilist, poliglot, politikan, deputet, prefekt dhe…”/ Historia e shkodranit të njohur, që vdiq në burgun e Burrelit

“I diplomuar në Gjermani, ai ishte; publicist, sindikalist, muzikant, stilist, poliglot, politikan, deputet, prefekt dhe…”/ Historia e shkodranit të njohur, që vdiq në burgun e Burrelit
“I diplomuar në Gjermani, ai ishte; publicist, sindikalist, muzikant, stilist, poliglot, politikan, deputet, prefekt dhe…”/ Historia e shkodranit të njohur, që vdiq në burgun e Burrelit

Nga Doc. Dr. Zyhdi Zekja & Namik Kruja

Memorie.al / Një person i harruar, por që meriton të kujtohet është edhe Kol Mjeda. Duhet përmendur se disa pjesëtarë të fisit Mjeda, janë të njohur në qytetin e Shkodrës, për kontributin e tyre në çështjet patriotike dhe fetare, si edhe në lëmin e gjuhës e të artit, si Ndre Mjeda dhe Imzot Lazër Mjeda.

Kol Mjeda ka lindur në Shkodër më 4 dhjetor 1895. Mbaron në Shkodër shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme teknike e kryen në Drezden të Gjermanisë, ku më pas mbaron edhe shkollën teknike superiore në Stilistikë (Moda e veshjeve për burra). Ndonëse larg atdheut, mban lidhje rregullisht me familjen, të afërmit dhe shokët e tij, pa përjashtuar edhe miq, të rinj e të huaj.

Me kthimin në Shqipëri, Kola fillon të ushtrojë profesionin e stilistit në zejen e rrobaqepësisë, duke hapur një sallon mode për burra, ku qepeshin e nivel stilistik të lartë veshje për burra: “Bonjeure”, “Rontigeau”, fraqe të modës së fundit etj.

Gjithashtu mund të lexoni

“Kam dyshimin e madh, se në asnjë vend të Bllokut Lindor, regjimi nuk ka patur fatin komod që pati në Shqipërinë komuniste, pasi…”/ Libri i Mërgim Korçës, që u nda nga jeta në SHBA-ës në shkurt 2026

“Denigrimi që i bëri atij regjimi komunist vazhdon ende, pasi një shkolle në Korçë që kishte ndërtuar ai, i kanë vënë emrin ‘Sevasti Qirjazi’…”/ Historia e filantropit korçar që financoi “Bagëti e Bujqësi” të Naimit

Gjurmët e ekzistencës së këtij salloni mode, ekzistojnë në udhërrëfyesin ose në Guidën e qytetit të Shkodrës së asaj kohe; ku pasqyrohet adresa dhe reklama e tij.

Ekzistenca e këtij salloni mode, bëri që shkodranët të fillojnë të kenë një “revolucion” në veshjet e tyre qytetare, ku filloi të lihej moda e vjetër tradicionale dhe filloi veshja e re që shkodranët e quanin “alla franga”.

Tashmë, aristokracia, tregtarët, shtetarët apo intelektualët e studentët që drejtoheshin në Perëndim, ishin në gjendje të bënin një “Bella figure” në të gjitha nivelet e shoqërisë perëndimore dhe aristokratike. Qyteti i Tiranës, edhe tani, nuk e ka një zeje të tillë, por as stilistë mode të liçencuar dhe të njohur si të tillë. Ka gjithkund tregtarë që ekspozojnë prodhime të të tjerëve, por jo prodhim mode “alla-shqiptar”.

Çdo gjë e tillë, pra moda në veshjet tona, është e diktuar nga sallonet të tjera perëndimore apo lindore dhe “VIP”-at i drejtohen vendeve të tjera dhe për një pullë xhakete. Në saje të aftësive të tij profesionale, Kola e zgjeroi zejtarinë, duke punësuar deri gjashtë punëtorë, me profesionistë të shquar të asaj kohe në Shkodër, si: Kol Tivari, Gjon Laca etj. Kol Mjeda arriti ta zmadhojë aktivitetin e tij me një punëtori të madhe për atë periudhë, deri në 60-80 punëtorë. Duke qenë i diplomuar në Gjermani në këtë fushë, si dhe duke shfrytëzuar referencat nga Drezdeni, Kola arriti që nga Shkodra, të lidhë kontrata pune me sipërmarrës austriakë për qepjen e veshjeve me porosi të klientelës së huaj.

Kjo shoqëri, për hir të së vërtetës, kur u formua e gjeti Kolën të ri, por, pas kthimit të tij nga studimet dhe emigracioni, e gjeti të kompletuar dhe me vizion të ri. Në vitin 1919, Kola bëhet kryetari i saj, ndërton statutin e saj sipas rregullave perëndimore dhe demokratike. Kjo shoqëri krijoi bordin e saj, me nënkryetarin dhe dy sekretarë, kasjerin, llogaritarin dhe mjekun.

Më pas kjo shoqëri bëhet bërthama e krijimit të një shoqate, në të cilën arrijnë të aderojnë deri në 60 mijë persona, si: punëtorë, zejtarë, tregtarë të vegjël e të mesëm.

Kjo shoqatë u vinte në ndihmë anëtarëve të saj në raste hidhërimesh (vdekje) e gëzimesh (martesa); në raste sëmundjesh, e deri në kriza falimentimi apo në rast fatkeqësie, si zjarr e përmbytje.

Kjo shoqatë u bë edhe promotor i lëvizjeve punëtore në Ballkan, si në Mal të Zi, Mitrovicë, e deri në Kroaci, duke u mësuar edhe shoqatave të tjera se si të kërkojnë të drejtat e tyre nga punëdhënësit. Me gjithë politizimin e qëllimshëm, Kristaq Misha, në librin e tij “Lëvizja Punëtore”, nuk mundet të argumentojë e paraqesë Lëvizjen Punëtore në Shkodër si “revolucionare”. Kola është ndër të parët të rinj shkodranë, nismëtarë të organizimit të Lëvizjes Sindikaliste në Shqipëri.

Me iniciativën kryesisht të punëtorëve shkodranë, që kishin punuar kryesisht në: Austri, Itali, Bosnje, Mal të Zi etj., u përhapën ide sindikaliste dhe demokratike. Punëtorët dhe zejtarët e ndryshëm e që punonin në kushte të vështira pune, shtruan herë pas here kërkesat e tyre për ngritje pagash, për një orar të reduktuar pune, etj. Për realizimin e kërkesave të tyre, ata organizuan edhe greva, si ato të vitit 1901, e pastaj në vitin 1905 e në vazhdim.

Më 1 prill 1907, u krijua “Shoqëria Ndihmëtare e Punëtorëve” në Shkodër, me në krye: Simon Rranxin, Kol Mjedën, Kol Lukën, vëllezërit Daia dhe Dajçi, Hilmi Drishtin, Anastas Zaqorën, Gjon Lacajn, Et’hem Behrin, Kel Marubin, Abdyl Jasharin etj. Aktiviteti i kësaj shoqërie, me ndërprerje të vogla, sipas kushteve politiko-shoqërore, vazhdoi deri me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939. Për të sensibilizuar opinionin publik, aktiviteti i kësaj shoqërie është pasqyruar edhe në shtypin e kohës.

Kol Mjeda ka qenë një nga themeluesit kryesorë të Lëvizjes Sindikaliste të Shkodrës dhe, në periudha të ndryshme ka qenë edhe sekretar, nënkryetar dhe kryetar i kësaj shoqërie. Ai është iniciatori i veprimeve dhe aktiviteteve dobiprurëse, sikurse është rasti i krijimit të Shoqërisë Artistike Muzikore “Rozafa”.

Në vitin 1918, Kola i binte klarinetës dhe me grupet orkestrale jepnin shfaqje për popullin në festat kombëtare. Për aftësitë e tij dhe reputacionin që gëzonte në masën e punonjësve, shoqëria e zgjodhi edhe anëtar të Këshillit të Bashkisë së qytetit, ku me shumë përkushtim, ai mbrojti të drejtat qytetare.

Për më se 20 vjet, Kol Mjeda, ka punuar pa u lodhur si një nga drejtuesit e kësaj shoqërie, deri në triumfin e Legalitetit. Me eksperiencën e fituar në Lëvizjen Sindikaliste, çka e ndihmoi të njihet me problemet sociale të vendit, Kol Mjeda, qysh në vitin 1924, filloi t’i përkushtohet edhe politikës dhe të merret edhe me qeverisjen e shtetit shqiptar, në detyra të ndryshme.

Në fillim ai kreu funksionin e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës. Për disa legjislatura ai ka qenë deputet i Shkodrës dhe arrin të zgjidhet deri zv/president i Asamblesë Kombëtare. Vlen të kujtohet, se në zgjedhjet e deputetëve të Prefekturës së Shkodrës në vitin 1925, dolën 8 vetë, njerëz të dëgjuar si: Maliq Bushati, Tef Gera, Ndrek Kici, Zenel Mandia etj., dhe në mesin e tyre ishte edhe Kol Mjeda, i cili mori numrin më të madh të votave. Në fund të karrierës së tij (rreth 3 vjet), Kola ka qenë edhe prefekt i Qarkut të Dibrës.

Kol Mjeda do t’i përgjigjej emërimit në detyrat shtetërore me seriozitet dhe me angazhim të madh, duke fituar jo vetëm simpatinë e bashkëqytetarëve, por edhe të të gjithë atyre me të cilët bashkëpunoi. Falë talentit dhe përkushtimit, Kol Mjeda ka dhënë edhe një kontribut modest në publicistikën e kohës. Në vitin 1925, Kola ka drejtuar me kompetencë për një kohë të gjatë fletoren e përjavshme “Zani i Popullit”, qe dilte në Shkodër. Gjithashtu, ka bashkëpunuar dhe shkruar artikuj publicistikë në revistën prestigjioze “Leka”.

Nga artikujt e botuar, përmendim: “Ekonomi Kombëtare e Bujqësi”; “Si t’i shpëtojmë inondatave”, “Mbi edukatën e ndjesisë së atdheut” etj. Kol Mjeda së bashku me kushëririn e tij, Dom Ndre Mjeda, në qershor të vitit 1930, vizituan vendlindjen e Budit (shkrimtarit të moçëm), ku u njohën nga afër dhe bënë studime mbi trojet, fisin, gjuhën e Imzot Pjetër Budit. Këtë vizitë, Kol Mjeda e pasqyron shumë bukur në revistën “Leka” (në korrik të vitit 1930), nga ku del qartë personaliteti dhe madhështia e këtij matjani mendjendritur.

Jeta e Kol Mjedës është një shembull i mirë që vërteton se ambicia të nxit për të ecur në jetë. Ai, nga një zejtar arrin të bëhet një intelektual që zotëronte 4 gjuhë të huaja si: gjermanisht, italisht, serbo-kroatisht dhe turqisht, madje edhe drejtoi me kompetencë gjatë detyrave të rëndësishme shtetërore.

Bindja politike e Kol Mjedës ishte se: Monarkia është forma më e mirë e regjimit. Ai shprehej se: “Vetëm Ahmet Zogu mund ta drejtonte shtetin shqiptar, falë aftësive të tij të rralla prej politikani dhe ushtaraku dhe se vetëm Ai, mund ta çojë vendin drejt përparimit, nën shembullin e shteteve më të zhvilluara”.

Më 25 gusht të vitit 1925, në seancën e parë të Asamblesë Kushtetuese, deputeti i Shkodrës Kol Mjeda, kërkoi fjalën në të cilën tha: “Në këtë stinë, pesë shekuj më parë, prijësit shqiptarë ishin mbledhur në Lezhë, në Kuvendin e Madh historik, për me i dhurue të Madhit Skënderbej, Kurorën e Shqipërisë. Unë sot propozoj që Asambleja Kushtetuese, të përcjellë dëshirën e popullit e T’i dhurojë Shpëtimtarit të Kombit, Kurorën e Mbretërisë së të Madhit Skënderbe…! Ja, stërnipi yt, Zogu, po zë vendin tënd, bash Ai që, me gjoks e shpatë, u bë shpëtimtari i Kombit. A je kund Naim? Po ti o Vaso Pasha, ku je? Ejani këtu e shkruani dy vargje prej zemrës suaj, dhe rrëfejini botës se populli shqiptar, që e ruajti mes luftërash Fronin e të Madhit Skënderbe, sot po krenohet, po naltësohet me të madhin Zog – Mbretin e Shqiptarëve”.

                                                                             ***

E kujtojmë këtë sindikalist dhe deputet të Mbretërisë Shqiptare me rastin e përvjetorit të vdekjes në Burgun e Burrelit, më 24 prill 1951, i akuzuar si “Armik i popullit”. Familja e tij u persekutua për gjysëm shekulli nga diktatura komuniste dhe, as sot e kësaj dite, nuk ka mundur të gjejë eshtrat babait atdhetar. Memorie.al

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 04 Shkurt 2022

Next Post

“Shokut Elham nuk i pëlqeu raporti, ai e ndryshoi atë dhe hoqi nga grupi punës, Pelivan Luçin …”/ Relacioni për ngjarjen e “Thikave” të ambasadave, në ’80-ën

Artikuj të ngjashëm

“Fenomeni më i çuditshëm në burgun e Burrelit, ishte ai i shpjegimit të ëndrrave nga disa, si p.sh., Qemal Demiri nga Vlora, i cili disa ditë para se të vdiste Mao Ce Duni, na tha…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës
Personazh

“Kam dyshimin e madh, se në asnjë vend të Bllokut Lindor, regjimi nuk ka patur fatin komod që pati në Shqipërinë komuniste, pasi…”/ Libri i Mërgim Korçës, që u nda nga jeta në SHBA-ës në shkurt 2026

April 9, 2026
“Denigrimi që i bëri atij regjimi komunist vazhdon ende, pasi një shkolle në Korçë që kishte ndërtuar ai, i kanë vënë emrin ‘Sevasti Qirjazi’…”/ Historia e filantropit korçar që financoi “Bagëti e Bujqësi” të Naimit
Personazh

“Denigrimi që i bëri atij regjimi komunist vazhdon ende, pasi një shkolle në Korçë që kishte ndërtuar ai, i kanë vënë emrin ‘Sevasti Qirjazi’…”/ Historia e filantropit korçar që financoi “Bagëti e Bujqësi” të Naimit

April 8, 2026
“Ministri i Jashtëm i Italisë, Galeazzo Ciano, shënon në ditarin e vet qi; vûmja e Mustafa Krujës në postin e kryeministrit, ishte si një përgjigje ndaj…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga Italia
Personazh

“Evropa e pat, lum miku, ajo s’âsht mâ tjetër, veçse e kaluemja e njerzisë, qi ka krijuem gjithça shkëlqen mâ së miri e mâ së bukuri në botë…”/ Letrat e panjohura të Mustafa Merlikës, me At Paulin Margjokajn  

April 6, 2026
“Në njëvjetorin e vdekjes së poetit, nën kujdesin e revistës ‘Shkëndija’ më 1941, Koliqi boton syzimin, ‘Fishta interpret i shpirtit shqiptar’, ku ai shprehet…”/ Refleksionet e studiueses së njohur
Personazh

“Ti e din se Patër Gjergji i yt e i ynë, ka shkruem se; ‘e keqja i erdh Shqipnisë, qysh se erdh pasha turçelí – edhe ipeshkvi jabanxhi’…”/ Korrespodenca e panjohur e Mustafa Krujës, me Patër Margjokajn

April 6, 2026
“Dërvishi i Luzhës, ishte mik i shtëpisë sonë dhe unë isha i vetmi intelektual i Tropojës, që mora pjesë në varrimin e tij, pasi Sigurimi i Shtetit…”/ Dëshmia e rrallë për klerikun dhe shenjtorin e famshëm
Personazh

“Në spitalin e ‘Bajram Currit’ përballë një aparati të vjetër skopie, mbeti i shtangur, kur pa se tre pacientët e parë e kishin zemrën në krahun e djathtë dhe…”/ Historia e panjohur e Dr. Hektor Çoçolit

April 3, 2026
”Kur Princ Widi zbriti nga vaporri në portin mjeran të Durrësit, ’i’u kujtua aristokracia europiane ku burrat mbanin bastun, kurse këtu mbanin…”/ Libri i suedezit për Shqipërinë
Personazh

“Siç kam marrë vesht, ju keni pritë në mënyrë madhështore të ikurit nga Kosova, por kam merak shumë për fatin e tyre, pasi dua…”/ Letra e panjohur e Princ Widit për Bajram Currin nga Tiroli, gusht 1920

April 2, 2026
Next Post
“Shokut Elham nuk i pëlqeu raporti, ai e ndryshoi atë dhe hoqi nga grupi punës, Pelivan Luçin …”/ Relacioni për ngjarjen e “Thikave” të ambasadave, në ’80-ën

“Shokut Elham nuk i pëlqeu raporti, ai e ndryshoi atë dhe hoqi nga grupi punës, Pelivan Luçin …”/ Relacioni për ngjarjen e “Thikave” të ambasadave, në ’80-ën

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme