Nga Kastriot Dervishi
Memorie.al / Me anë të një letre të datës 29.12.1946, Enver Hoxha i kërkon besëtarit të tij, Josip Broz Tito, kontribut financiar për mbajtjen e ushtrisë sepse ishte “në interesin e përbashkët të popujve tanë, që ecin në një rrugë dhe kanë të njëjtat qëllime”. Letrën e shkruan në shqip dhe serbisht (origjinali gjendet në Arkivin personal të Titos në Beograd). Hoxha kërkonte një trupë ushtarake, prej 42 mijë vetash. Në shënimin e datës 9.1.1947, Tito njofton Hoxhën (teksti iu nis me telegram), se ishte takuar me Mehmet Shehun dhe rekomandonte që ushtria, të mos zbriste nën 28 mijë veta dhe se të vjetrit, duheshin çmobilizuar.
Pjesë nga letra e Enver Hoxhës, për Titon:
“I dashur shoku mareshal.
Me anën e kësaj letre dëshiroj të këshillohem me ju, për disa probleme që kanë lidhje veçanërisht me ushtrinë tonë dhe me veprimet që mendojmë të bëjmë, gjatë vitit 1947. Që të jetë më e qartë ekspozeja ime, dëshiroj t’ju vë në dijeni shkurtimisht, mbi situatën e Ushtrisë sonë Kombëtare. Kjo ka një forcë kompleksive prej 44.015 vetash, duke përjashtuar prej kësaj forcat e Policisë.
Kjo shumë përbëhet prej 2.927 oficerësh, 5.321 nënoficerësh, 34.937 ushtarësh dhe 800 nxënësish ushtarë. Në shumën e lartpërmendur, përfshihet dhe Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, i cili ka një efektiv prej 8.710 vetash. Përveç Divizionit të Mbrojtjes, forca efektive e ushtrisë operative, është 35.305 veta. Nga kjo forcë, kemi 27.611 si trupë, përbërja e së cilës organikisht është e çrregullt dhe paraqitet si vijon:
-Ushtarë të hedhur në ushtri në vitet 1942-1944, 8.987 veta.
-Ushtarë të ri thirrur (rezervistë) në gusht 1946, 9.513 veta.
-Ushtarë të ri thirrur (rezervistë) në tetor 1946, 2.500 veta.
-Rekrutë të thirrur gjatë viteve 1945-1946, 5.655 veta.
Kategoria e ushtarëve të hedhur vullnetarisht në ushtri gjatë viteve 1942-1944, kanë plotësuar më tepër se 2 vjet shërbim ushtarak (ligji jonë parashikon vetëm 2 vjet shërbim ushtarak).
Rezervistët e ri thirrur në muajin gusht 1946, në fund të muajit dhjetor 1946, plotësojnë 5 muaj mbrapa shërbim ushtarak. Rezervistët e thirrur në muajin tetor 1946, në fund të dhjetorit 1946, plotësojnë 3 muaj shërbim ushtarak.
Pjesa tjetër e trupës, akoma nuk e ka plotësuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Për të normalizuar gjendjen organike të ushtrisë dhe në lidhje me programin e stërvitjes që kemi gati për vitin 1947, ne mendojmë që gjatë muajit janar, të bëjmë lirimin e 18.500 vetave (8.987 ushtarë të vjetër dhe 9.512 rezervistë të gushtit 1946).
Njëkohësisht me lirimin e këtyre. ne mendojmë që të bëjmë mobilizimin e rekrutëve të ditëlindjeve 1920-1927 që arrijnë numrin 16.500 rekrutë ndihmës.
Në këtë mënyrë, përbërja e re e ushtrisë në trupë, në fund të janarit 1947 (përveç Divizionit të Mbrojtjes së Popullit), ka për të qenë kështu:
-Ushtarë të thirrur gjatë viteve 1945-1946, 5645 veta
-Rekrutë të thirrur në tetor 1946, 956 veta.
-Rezervistë të thirrur në tetor 1946, 2500 veta.
-Rekrutë të thirrur në janar 1947, 25611 veta.
Gjithsej kjo trupë dhe Divizioni i Mbrojtjes së Popullit arrin në 25.611 veta. Efektivi i vitit 1947, do të jetë pra 2.000 veta më pak se i vitit 1946. Në këtë mënyrë, ushtria jonë kombëtare, kompleksivisht, me gjithë Divizionin e Mbrojtjes së Popullit, me oficerë e nënoficerë, duke përjashtuar vetëm trupat e policisë, do të ketë në shkurt 1947, një forcë prej 42.000 vetash.
Një problem tjetër i një rëndësie të dorës së parë na shtrohet para nesh, kurdoherë në lidhje me ushtrinë tonë kombëtare dhe ky është: mbajtja e ushtrisë sonë kombëtare në këmbë me një efektiv prej 42.000 vetash.
Sikundër e dini dhe ju, një ushtri e tillë prej 42.000 vetash, shteti ynë nuk është në gjendje, ta mbajë ekonomikisht. Në projekt-buxhetin e vitit 1947, vetëm për 9 muaj, është parashikuar 112.000.000 franga ar. Në këtë shumë, nuk përfshihet armatimi, pjesa më e madhe e veshmbathjes, transporti dhe disa pajime të tjera të ushtrisë…!
Armatim sovjetik, kanë vetëm 2 divizione dhe ato me mungesa të mëdha. Pjesa tjetër e ushtrisë, ka armatim gjerman, italian, anglez dhe amerikan. Materiali i armatimit, është i shumëllojshëm, i pamjaftueshëm dhe një pjesë e artilerisë, e papërshtatshme për konditat tona. Municion nuk kemi, veçse për 3 ditë zjarr, për gjitha armët. Transportin e kemi në gjendje shumë të vështirë.
Për këtë problem të rëndësishëm të ushtrisë sonë, që është i lidhur me të gjithë jetën e vendit tonë, ne jemi të bindur shoku mareshal, se ju do të mendoni dhe do të kujdeseni njësoj, si për ushtrinë tuaj dhe e dimë fare mirë, se një zgjidhje e kësaj çështje nga ana juaj do të jetë ajo më e drejta, pse bëhet në interesin e përbashkët të popujve tanë, që ecin në një rrugë dhe kanë të njëjtat qëllime.
Duke ditur fare mirë rrethanat e jashtme dhe gjendjen tonë ekonomike të brendshme, vendimet dhe këshillimet tuaja për këtë problem, do të na shërbejnë si drejtim dhe orientim i punës tonë për Ushtrinë.
Për çdo sqarim eventual, që mund të keni nevojë, në lidhje me këtë problem që ju shtroj, jam kurdoherë gati t’ju përgjigjem, në rast se do të keni nevojë; është gjithashtu gati dhe shefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë sonë, gjeneral Mehmet Shehu, i cili vjen në Beograd, me rastin e mbledhjes së Shtatmadhorisë Jugosllave dhe do të jetë nder të madh për të, në rast se do të dëshironi ta pyesni vetë, për të dhënë të gjitha sqarimet rreth këtyre çështjeve të ushtrisë sonë.
I dashur shoku mareshal,
Përfitoj nga ky rast që më jepet, për t’ju shfaqur mirënjohjen dhe dashurinë e madhe të popullit tonë, për ndihmën e madhe dhe përkrahjen e çmueshme që po i jepni popullit tonë, në çdo lëmë aktiviteti.
Marrëveshjet që u nënshkruan tash së fundmi në Beograd, që janë shprehja e vazhdimit dhe e forcimit të vëllazërimit të popujve tanë dhe konkretizojnë bashkëpunimin dhe bashkëveprimin tonë në çdo fushë aktiviteti, janë pritur me entuziazmin më të madh nga i gjithë populli jonë, i cili do të vërë të gjitha forcat e tij, për realizimin e kësaj vepre të madhe ndërtimtare dhe do të kapërcejë çdo pengesë që mund të hasë, në zbatimin praktik të ndërmarrjes së përbashkët.
Edhe njëherë ju faleminderit shumë. Memorie.al
I juaji me besë,
Enver Hoxha