Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur dhe të dhimbshme të kolonel Haxhi Hajdar Manit, ish-komandant i së parës çetë partizane të Qarkut të Shkodrës, deputet i Malësisë në Kuvendin Popullor dhe Komandant i Kufirit e Forcave Vullnetare të rrethit, i cili në fillimin e viteve ’60-të kundërshtoi kolektivizimin e zonave të thella malore, duke e konsideruar atë gjë si të shpejtuar. Debati në mbledhjen e Plenumit të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës në praninë e Mehmet Shehut dhe thirrja të nesërmen në zyrën e Enver Hoxhës, ku Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i tha: “Shoku Haxhi, nuk mund të bëjmë dot rrugë në Malësinë e Shkodrës, se i japim mundësi Titos të na sulmojë nëpërmjet saj…”! . Plani i Sigurimit të Shtetit për ta arrestuar publikisht deputetin rebel në seancë plenare, arratisja në mal dhe operacionet e kërkimit ku morën pjesë mbi 11.000 forca ushtarake e vullnetare dhe ekzekutimi i tij me artileri në shpellën e Rrjollit, së bashku me djalin e mikut të tij, Nosh Paja, i cili e shoqëroi që nga dita që ai vendosi të dilte në arrati…!
Vijon nga numri i kaluar
Mënjanimi i Haxhi Hajdarit nga të gjitha funksionet!
Edhe pse ishte mjaft i lodhur nga rruga e gjatë, Haxhiu e gdhiu atë natë pa vënë fare gjumë në sy. Ai risillte ndërmend gjithçka i kishte ndodhur dhe shumë rrallë shkëmbente ndonjë fjalë me bashkëshorten e tij, Xhemalien. Ishte janari i vitit 1963 dhe vetëm tre vjet më parë, për merita të veçanta, Haxhiut i ishte dhënë jashtë radhe grada e kolonelit. Nga fillimi i janarit e deri në mesin e muajt mars, ai ishte i mënjanuar pothuaj plotësisht nga të gjitha funksionet e tij. Gjatë mbledhjeve që zhvilloheshin në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, konfliktet me kryetarin Feçor Shehu, vazhdonin të acaroheshin gjithnjë e më shumë. Ai dilte nga shtëpia vetëm në mëngjes sa paraqitej në punë dhe kthehej përsëri shumë shpejt pranë familjes. Të gjithë miqtë dhe shokët që e shoqëronin dikur i ishin larguar. Asnjë nuk i afrohej, qoftë dhe për një kafe! Në këtë situatë, ai ndodhej që nga dita kur diskutoi në Kuvendin Popullor, ku mes të tjerash ishte shprehur: “Shkodra, e në veçanti Malësia, është shumë e varfër. Nuk ka ardhur koha për të bërë kolektivizimin në zonat e thella malore”. Tre muaj më pas, më 15 mars të vitit 1963 (ditë e shtunë), një nga miqtë e tij më të ngushtë që shërbente në radhët e Sigurimit të Shtetit, kolonel Mit’hat Zaçe, u nis nga Tirana dhe shkoi në shtëpinë e Haxhiut në Golem, në periferi të Shkodrës. Dy miqtë e vjetër që nga koha e Luftës, të mbyllur në një dhomë, biseduan vetëm për vetëm me njëri-tjetrin deri në orët e para të mëngjesit. Pak pa zbardhur dita, koloneli i ardhur nga Tirana u largua nga shtëpia e mikut të tij. Disa minuta më pas, u largua dhe vetë Haxhiu. Ndërkohë, vetëm disa orë më vonë, në drejtim të shtëpisë së tij, filluan të vinin disa “Jeep”-a të Degës së Brendshme të Shkodrës dhe të Sigurimit të Shtetit të ardhur nga Tirana. Njerëzit e panjohur që zbritën prej tyre, u futën në shtëpi dhe morën në pyetje nënën dhe bashkëshorten e Haxhiut. “Ku është Haxhiu, ku ka vajtur dhe në ç’orë ka dalë nga shtëpia?! Kush ka qenë mbrëmë me të në shtëpi dhe çfarë porosish u ka lanë”?, ishin disa nga pyetjet që bënin më shpesh oficerët e lartë të Sigurimit të Shtetit.
Arratisja e Haxhiut në mal
Që atë ditë, në të gjithë Shkodrën u hap si rrufe lajmi se ishte arratisur kolonel Haxhi Hajdar Mani. Në shtëpitë e shkodranëve apo lokalet e kafenetë e qytetit, atë të diel marsi nuk kishte bisedë tjetër, veç asaj të Haxhi Hajdarit. Fjalët që qarkullonin rreth tij ishin nga më të ndryshmet dhe gjithfarë versionesh, nga më të pabesueshmet tregoheshin për arratisjen e kolonelit rebel që e njihte i gjithë Qarku i Shkodrës. Ndërkohë, bashkë me atë lajm, u mësua edhe fakti tjetër, se ishte dhënë alarmi në të gjitha repartet ushtarake të rrethit të Shkodrës e rretheve të tjera si: Lezhë, Pukë, Mirditë etj., të cilat kishin kaluar në gatishmëri luftarake nr.1 (njëlloj si në gjendje lufte). Forcat kryesore ushtarake të Qarkut të Shkodrës dhe ato që erdhën në përforcim nga Tirana, u dislokuan përgjatë kufirit shtetëror, duke bërë bllokimin total të tij. Operacionin e kërkimit për kapjen e kolonelit dhe deputetit rebel, në terren e drejtonte vetë drejtori i kufirit i Ministrisë së Brendshme, gjeneral-major Teki Kolaneci. Ndërsa nga Tirana operacioni udhëhiqej direkt nga Kryeministri Mehmet Shehu, i cili informonte orë pas ore me telefon, komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxhën. Në atë operacion, me urdhër të kryeministrit, ishin angazhuar më shumë se 11 mijë forca ushtarake dhe vullnetare, të mobilizuara me urgjencë në orët e paradites së 15 marsit 1963, kur dhe u mësua lajmi i arratisjes së Haxhi Hajdarit.
Fshehja e deputetit në Shpellën e Rrjollit!
Po ku ndodhej koloneli rebel dhe si kishte mundur ai të largohej nga shtëpia, e cila prej kohësh ishte nën surveimin e njerëzve të Sigurimit të Shtetit? Kush ishte njeriu që e kishte ndihmuar të largohej nga shtëpia dhe ku strehohej Haxhi Hajdari? Sipas disa dëshmive të konfirmuara edhe nga njerëzit e familjes Hajdari, versioni më i mundshëm është ky: Miku i tij i ngushtë, kolonel i Sigurimit të Shtetit, Mit’hat Zaçe, i cili në orët e vona të natës duke u gdhirë 15 marsi shkoi në shtëpinë e Haxhiut, e vuri në dijeni atë për rrezikun që i kanosej. Për t’i shpëtuar arrestimit, Haxhiu vendosi të arratiset e të dalë në mal. Pas këtij vendimi, ai dërgoi fjalë Dodë Prekës,(mikut të tij të ngushtë nga fshati Rrjoll) i cili po atë natë i ka dërguar në shtëpi, nipin e tij 27-vjeçar, Nosh Pajën, për ta shoqëruar Haxhiun nga Golemi deri në shtëpinë e tyre në fshatin Rrjoll. Sipas porosisë së dajës, Noshi shkoi në Golem, ku mori Haxhiun dhe e shoqëroi atë pa u diktuar nga njeri deri në shtëpinë e Dodës në fshatin Rrjoll. Haxhiu i’a besoi atë gjë Dodës, pasi atë e kishte një nga njerëzit më besnik të tij, që nga koha e Luftës, kur ai ishte komandant i çetës së parë partizane të Qarkut të Shkodrës dhe strehohej herë pas here në atë bazë. Kur Haxhiu mbërriti në atë shtëpi, Doda i tha mikut të vjetër, që të rrinte aty sa të donte, pa merak fare. Mirëpo, duke dashur që të mos i dëmtonte ata në një rast të mundshëm që mund të diktohej nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit, Haxhiu i kërkoi Dodës, që ai ta lejonte të largohej nga shtëpia, pasi më parë t’i gjente një vend të përshtatshëm në ndonjë shpellë, ku ai të fshihej. Shpella të mos ishte shumë larg shtëpisë, pasi ata të kishin mundësi për ta furnizuar me bukë e ujë. Dodë Preka nuk pranoi fillimisht që ta nxirrte mikun nga shtëpia, duke thënë se nuk mund të koritej para Malësisë. Por pas shumë hezitimesh e debatesh, Doda i’u bind mikut të tij dhe ngarkoi nusen e vëllait të tij, Pashken,(e cila ishte çobaneshë) për të shoqëruar dhe fshehur në ndonjë shpellë, mikun e shtëpisë, Haxhi Hajdarin. Thuhet se Pashkja 60-vjeçare, e mori vetë përsipër fshehjen e mikut të shtëpisë (pa i’a kërkuar kunati i saj, Doda), pasi dhe vëllezërit e saj, gjithashtu, ishin miq të ngushtë të kolonel Haxhi Hajdar Manit. Doda me njerëzit e tij, gjithashtu vendosën që të mos e linin vetëm mikun në shpellë, duke i dhënë me vete, nipin, Nosh Pajën. Pas kësaj, sipas planit të bërë, të shoqëruar nga Pashkja dhe Mrija, kolonel Hajdari dhe Nosh Paja, u strehuan në një shpellë jo shumë larg shtëpisë së tyre, të cilën e dinin vetëm ato të dyja. Hyrja e shpellës ishte në një shkëmb që binte si thikë në humnerë dhe në hyrje të saj nuk nxinte më shumë se një njeri. Aty në atë shpellë, Haxhiu me Noshin kanë qëndruar nga data 17 mars deri më 8 prill 1963 (ditë e hënë), kur ata u diktuan nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit që prej ditësh ishin pjesë e operacionit të kërkimit dhe survejonin të gjithë zonën me dylbi nga larg.
Si u zbulua shpella ku fshihej deputeti Hajdari?!
Po si u zbulua që Haxhi Hajdari me djalin e mikut të tij, Nosh Paja ishte fshehur në shpellën e Rrjollit? Operacioni për kërkimin e kapjen e tij vazhdoi deri më datën 7-8 prill 1963 dhe atë ditë, forcat ushtarake filluan të tërhiqeshin e të grupoheshin në qytezën e Koplikut, për t’u kthyer më pas në drejtim të kazermave të tyre. Në orët e para të mëngjesit të 7 prillit, një nga fshatarët e Rrjollit, ka pikasur lëvizjet e Pashkë Prekës, që u çonte ushqime atyre dhe njoftoi menjëherë forcat ushtarake e Sigurimin e Shtetit. Në një kohë rekord, forcat e ushtrisë që ishin grupuar në Koplik, u kthyen përsëri në fshatin Rrjoll, duke bërë rrethimin e vendit ku mendohej se fshihej Haxhi Hajdari. Ata mundën të lokalizonin saktësisht edhe grykën e shpellës, e cila binte thikë në shkëmbin nga ku mund të hyje vetëm me litar nga lart. Që në orët e para të datës 8 prill 1963, i gjithë vendi në afërsi të shpellës mbahej i rrethuar. Oficerët madhorë të Ministrisë së Brendshme dhe ata të Degës së Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës,(nën drejtimin e Drejtorit të Kufirit, gjeneral-majorit Teki Kolaneci,) studiuan aty në terren të gjitha versionet e mundshme se si mund të veprohej për kapjen gjallë të Haxhi Hajdarit e Nosh Pajës. Por ata nuk arritën në asnjë përfundim, pasi për vetë kushtet e terrenit tepër të thyer e vendndodhjen e shpellës, kapja e gjallë e tyre ishte krejtësisht e pamundur. Në këto situata, Haxhiut e Noshit fillimisht i’u bë thirrje disa herë që të dorëzoheshin, por përgjigjja e tyre, ishin disa krisma armësh. Gjë e cila tregonte se ata nuk kishin ndërmend të dorëzoheshin. Në orët e drekës, aty afër shpellës mbërriti një “Jeep”, i Ministrisë së Brendshme i cili kishte sjellë nga Tirana një nga miqtë e ngushtë të Haxhi Hajdarit që nga koha e luftës. Koloneli i ardhur nga Tirana, (ish-titullar i Degës së Brendshme të Shkodrës) i’u afrua shpellës dhe me një megafon në dorë, i bëri thirrje mikut të tij, që të dorëzohej. Nga gryka e shpellës u dëgjua zëri i Haxhiut: “ O… , unë nuk kam hyrë këtu që të dorëzohem i gjallë…”. Pas kësaj, u lajmërua Tirana se nuk kishte asnjë lloj mundësie që Haxhi Hajdari të kapej i gjallë, duke sugjeruar se duhej vepruar me mënyra të tjera sa pa afruar nata.
Ekzekutimi i Haxhiut me mortaja!
Nga Tirana erdhi përgjigjja se në drejtim të fshatit Rjoll, do nisej një helikopter tjetër, ku në bordin e tij udhëtonte gjeneral-kolonel. Vaskë Gjino, i cili kishte me vete dhe urdhrin se si do të veprohej më tej me Haxhi Hajdarin. Urdhri i Mehmet Shehut, i miratuar prej Enver Hoxhës, ishte i prerë: “Haxhi Hajdari të asgjësohet me predha mortaje në mënyrë demonstrative…”. Nisur nga fakti që Vaskë Gjoni ishte një nga oficerët më të përgatitur të armës së Artilerisë së Ushtrisë Shqiptare, ajo detyrë i’u ngarkua atij nga vetë kryeministri Mehmet Shehu. (Disa vjet më vonë, kur ai vuante dënimin në Burgun e Burrelit, gjenerali Vaskë Gjino me origjinë nga fshati Dardhë i Korçës, e ka pohuar vetë të gjithë ngjarjen, para disa bashkëvuajtësve të tij, midis tyre dhe Muho Bala, nipi i deputetit dhe kolonelit Haxhi Hajdari). Aty nga ora 14.00 e datës 8 prill 1963, pasi u graduan shënjestrat e mortajave nga gjenerali i ardhur nga Tirana, pesë predha goditën hyrjen e shpellës, duke e shkatërruar plotësisht atë. Pas shkatërrimit të shpellës, disa forca speciale të Batalionit të Zbulimit të ardhura nga Tirana, zbritën poshtë me litar duke hyrë brenda saj. Ashtu të copëtuar nga predhat, ata i morën dy trupat pa jetë të Haxhiut e Nosh Pajës dhe i hodhën nga lart, duke i rrokullisur rreth 30-40 metër poshtë. Më pas, trupi i sakatuar i Haxhiut u vu në një kalë dhe në mënyrë demonstrative u shëtit në të gjitha fshatrat e zonës ku ai ishte zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor dhe ku kishte luftuar gjatë Luftës si komandant i çetës së parë partizane të atij qarku. (Kjo gjë u bë për të terrorizuar banorët e atyre anëve, ku deputeti e koloneli Haxhi Hajdari, gëzonte një popullaritet të madh). Pas “suksesit” të arritur, me urdhër nga Tirana, e gjithë familja e Haxhiut (bashkëshortja, Xhemalia, së bashku me pesë fëmijët, më i madhi 9 vjeç, Feriti) u dërgua në internim. Nuk i shpëtoi internimit as nëna plakë e Haxhiut,(Zadja 80-vjeçare) me motrën e Haxhiut, Bedrie Hajdari Bala, dhe djalin e saj, Muhon, i cili ishte i martuar dhe me fëmijë tremuajsh. Pas pak ditëve, Muho Bala u arrestua dhe u dënua fillimisht me vdekje, duke u akuzuar si bashkëpunëtor i dajë së tij, Haxhi Hajdarit. (Shih librin “Ridënimi” i Fatos Lubonjës). Më pas i’u fal jeta dhe Muho vuajti plot 28 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në vitin 1988. Listën e gjatë të dënimeve, e mbylli nëna e Nosh Pajës, (djalit 27-vjeçar që u fut në shpellë dhe u vra me mortaja bashkë me deputetin Haxhi Hajdari), e cila u dënua me 25 vjet burg. Dy vjet pas asaj ngjarjeje e cila bëri bujë të madhe jo vetëm në të gjithë Qarkun e Shkodrës, por dhe Veriun e Shqipërisë, fshatari që u kishte treguar njerëzve të Sigurimit shpellën ku fshihej Haxhi Hajdari, u gjet i vrarë në shtëpinë e tij…., ndërsa dy fshatarët, Pjetrush Preka dhe i vëllai Doda, u torturuan barbarisht nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit.
Sigurimi e mbyti në tortura në Kishën e Rrjollit, njeriun që strehoi kolonel Hajdarin!
Gjatë gjithë asaj periudhe kohe (16 mars deri në 7 prill 1963) që Haxhi Hajdari me Nosh Pajën qëndruan të fshehur në shpellë, ata u furnizuan me bukë e ujë, vetëm nga kunata e Dod Prekës, Pashkja. Po ashtu, gjatë atyre ditëve që ata kanë qëndruar të fshehur në shpellë, forcat ushtarake e civile kanë vazhduar pa ndërprerje operacionin për kërkimin e tyre, duke kontrolluar të gjitha shtëpitë e Malësisë së mbi dhe nën Shkodrës, ku Haxhiu kishte miq të shumtë. Kërkime të mëdha u bënë sidomos në zonën e kufirit, edhe pse Sigurimi i Shtetit e dinte mirë që Haxhiu nuk arratisej, pasi siç thoshin malësorët: “Jugosllavët nuk e ndërronin atë as me mish dashi…”! Pas shumë kërkimesh, Sigurimi i Shtetit dyshoi te shtëpia e Prekajve në Rrjoll dhe për disa ditë e mbajti atë nën kontroll e surveim të fshehtë. Duke mos rënë në gjurmë të Haxhiut, forcat e Sigurimit arrestuan dy vëllezërit e moshuar, Pjetrush e Dodë Preka, duke u kërkuar atyre të tregonin se ku mund të ishte fshehur Haxhi Hajdari. Ata, pasi nuk treguan asgjë, u torturuan barbarisht nga forcat e Sigurimit që ishin dislokuar në kishën e Rrjollit. Pjetrushi vdiq nga torturat brenda ditës në kishën e Rrjollit, pa nxjerrë as një zë nga goja, ndërsa Dodën e dërguan në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, ku vazhduan torturat ndaj tij. Edhe Doda, si vëllai Pjetrushi, nuk nxori as një fjalë nga goja dhe disa ditë pas zbulimit e vrasjes së Haxhi Hajdarit, ai u dënua me 18 vjet burg.
Të përndjekurit: “Ish-deputeti disident, duhet vlerësuar për veprën e tij dhe Shkodra duhet të krenohet me figurën e Haxhi Hajdarit”
Edhe pas 8 prillit të vitit 1963, kur me urdhër nga udhëheqja e lartë e PPSH-së në Tiranë, koloneli dhe deputeti disident i Malësisë së Shkodrës, Haxhi Hajdar Mani, u ekzekutua me predha artilerie në shpellën e Rrjollit, regjimi komunist i Enver Hoxhës nuk mundi ta fshinte dot nga kujtesa e banorëve të atyre anëve atë ngjarje makabre. Ndryshe nga propaganda zyrtare e regjimit që e fshiu emrin e tij, malësorët e mbi dhe nën Shkodrës, edhe pse nën zë, e kujtonin vazhdimisht me respekt të thellë emrin dhe figurën e ish-deputetit të tyre, i cili në fillimin e viteve ’60-të, i’u kundërvu direktivës së PPSH-së, duke e quajtur të parakohshëm kolektivizimin e zonave të thella malore. Disa nga të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të qytetit të Shkodrës, të kontaktuar nga Memorie.al, e vlerësojnë lart veprën e ish-kolonelit e deputetit Haxhi Hajdar Mani, duke u shprehur se Shkodra duhet të krenohet me figurën e tij. Por sipas tyre, edhe pse kanë kaluar gati 30 vjet nga shembja e regjimit komunist, është për të ardhur keq që organet kompetente zyrtare si në qytetin e Shkodrës ashtu dhe në Tiranë, e kanë lënë në harresë emrin dhe figurën e tij. “I takon së pari Këshillit Bashkiak të Shkodrës, që zyrtarisht t’i japë Haxhi Hajdar Manit, vendin që meriton në historinë e këtij qyteti…”, shprehen jo pa indinjatë, disa nga të përndjekurit politikë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016