Nga Bukurosh Dylgjeri
Memorie.al/ publikon historinë e panjohur të Qamil Çelës nga Elbasani, i njohur ndryshe edhe si Qamil Çelirama, ish-sekretar i Fan Nolit në qeverinë e ’24-ës dhe më pas një nga komunistët e parë në Shqipëri me Ali Kelmendin etj., i cili me kthimin e Zogut në pushtet u largua nga vendi dhe qëndroi në emigracion si antizogist, ku bashkëpunoi ngushtë me KONARE-në. Kthimi i tij në Shqipëri në vitin 1945 ku fillimisht u emërua si Kryetar i Kryqit të Kuq në Tiranë e më pas si Drejtor i Bibliotekës së qytetit të Elbasanit, nga ku e larguan pasi nuk pranoi që në maketin e librit të Historisë së Shqipërisë, Haxhi Qamili të konsiderohej si patriot. Nxjerrja e tij në pension të parakohshëm dhe abandonimi nga regjimi komunist, pasi ai nuk pranoi që të shkruante për “aktivitetin revolucionar të Enver Hoxhës në Francë”, duke thënë se: ‘nuk e njihte për të tillë’?!
Shumë nga ne i mbajnë mend mirë njëzet vitet e fundit të shekullit që lamë pas, kur që në mëngjes herët turmat e punëtorëve me bukën (ushqimin) e mbështjellë me gazetë nën sqetull, rendnin gati me vrap për të marrë autobusët që do t’i dërgonin për punë në metalurgji, fabrikë e çimentos, kombinati i drurit etj. Në këtë mori laramane punëtorësh veshur njëlloj, me kominoshe ose blu xhins gjithë njolla grasoje, binte në sy një burrë i vjetër mbi të 70-at, me trup të gjatë e të hajthëm dhe pak i kërrusur. Vishej mjaft hijshëm, me kostum dhe jelek ngjyrë gri të errët, këmishë të bardhë borë dhe kollare, në kokë mbante vazhdimisht borsalinë, ndërsa këpucët i kishte gjithmonë të ilustruara.
Dukej (dhe ishte në të vërtetë)një fisnik elegant që s’dihet pse kishte ngelur gjallë në atë realitet tragjik dhe surrealist. Ai nuk nxitonte si të tjerët, ecte ngadalë me çapa të lehtë dhe ritmikë. Kokën e mbante pak ulur dhe nuk fliste me askënd, nuk e përshëndeste askush. Ndiqte ritualin e tij prej shumë vitesh të shëtitjes mëngjesore nga Gurabardhja ku kishte shtëpinë, e deri në ullishtë. Tek Qoshja ndalonte pak, lexonte lajmërimet e afishuara që njoftonin për bashkëqytetarët që kishin ndërruar jetë, psherëtinte lehtë dhe vijonte rrugën e tij djathtas. Me të njëjtin hap, pa folur dhe pa e përshëndetur kush, ndiqte udhën deri tek Ura e Zaranikës dhe prej aty ngjitej ullishtës për tek Tepja. Atje ndalonte, ulej pak e pushonte për disa minuta duke vështruar qytetin e tij që shtrihej atje poshtë.
Kthimi për në shtëpi ishte i njëjtë, me atë hap, pa folur dhe pa përshëndetje me të njohurit. Futej në shtëpi dhe nuk dilte më. Askush nuk e vizitonte. Ishte absolutisht i nëmur prej asaj kohe. Kisha fatin ta njihja nga afër këtë burrë sepse i kishim shtëpitë ngjitur. Ishte jo vetëm fqinj, por edhe mik dhe kushëri i largët me babain tim. Ai quhej Qamil Çela, i njohur edhe si Qamil Çelirama. Vinte rrallë tek ne pasditeve dhe llafosej bashkë me tim atë. Ai nuk u martua kurrë dhe për të kujdesej e motra Razije dhe nipërit Hysni e Behije Sefa.
Qamil Çela në Elbasan ishte ndoshta rilindasi i fundit që kishte mbetur gjallë në epokën e pasluftës. Tipar kryesor kishte atdhetarinë të kombinuar shkëlqyeshëm me prejardhjen, kultivimin, aktivitetin dhe mbi të gjitha ndershmërinë. Me karakter të hekurt, stoik, kryengritës, i komplikuar dhe konsekuent në idealet e tij. Komunist human dhe idealist, atdhetar i palëkundur dhe armik I vendosur I ndarjes së padrejtë të pasurisë.
Lindi në Elbasan në vitin 1896 në një familje me traditë patriotike. Që 13 vjeç drejton protestën e nxënësve të shkollës “Ruzhdije” kundër mësimit të turqishtes. Regjistrohet menjëherë në Normalen e çelur rishtas dhe aty njihet me pedagogët Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Ahmet Gashi, studentin Avni Rustemin nga Libohova etj. Miqësia me ta dhe formimi familjar zgjuan tek Qamili genin rebel ndaj padrejtësive. Në vitin 1910 nëpër Elbasan u derdhën ekspeditat ndëshkuese të Dërgut Pashës kundër veprimtarëve të mëvetësisë e të gjuhës shqipe.
Qamili vetëm 15 vjeç bashkë me Abedin Çaushin dhe Shefki Xhanin do të jenë në ndihmë të qytetarëve të torturuar. Merr pjesë në çetat kryengritëse të Martaneshit dhe Bushekut të udhëhequra nga kapedanë trima si Sheh Hysen Sulavari, Isuf Qosja në Shpat, Dalip Tabaku në Pajovë dhe Sulë Kurti në Shalës. Ky aktivitet ishte koordinuar më së miri me drejtuesit politikë Aqif Pashë Elbasanin, Ahmet Daklin, Lef Nossin, Papa Jorgji Theohari, Emin Haxhiademi (plaku), Hysen Ceka etj. Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 ishte festa më e madhe për të dhe do të përjetohet nga Qamili me shumë veprimtari të ndryshme.
Në çdo ngjarje në Elbasanin e atyre viteve do të ishte aktiv edhe Qamil Çela. Ai është ideatori dhe drejtuesi i të parave shoqatave patriotike të djemurisë elbasanase si “Bashkimi”, “Afërdita”, “Vëllazëria”, “Dielli”, “Drita”. Në vitin 1913 ngren në këmbë gjithë popullin e Elbasanit për të përzënë prej këndej një renegat të quajtur Efrem Gjini, hierarki kishës ortodokse dhe kodosh i Patrikanës greke. Qamili mbante kontakte të vazhdueshme me Shtabin Qendror të Lëvizjes Patriotike Shqiptare me seli në Elbasan të drejtuar nga atdhetarë si Grigor Cilka, Hilë Mosi, Mit’hat Frashëri, Dervish Hima etj.
Në vitin 1920, pas Kongresit të Lushnjës merr pjesë në kabinetin qeveritar të Sulejman Delvinës dhe vendoset në Tiranë. Ishte pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme bashkë me Ahmet Zogun titullar dhe Haki Stërmillin. Mori pjesë aktive në pastrimin e agjentëve serbë në të ashtuquajturën “Republika e Mirditës”, si dhe në jug të vendit kundër bandave greke. Si “zog i lirë” që ishte, nuk i duroi dot makinacionet politike në kabinetin qeveritar dhe lidhet me opozitarët e organizatës “Bashkimi”.
E përkrahën plot djem nga Elbasani, si Rrapush Bumçi, Ahmet Burburija, Sulë Gjevori, Shefqet Stringa, vëllezërit Abedin e Ali Çaushi etj. Vrasja e Avni Rustemit e trondit pamasë dhe atëherë ngjesh armët dhe shkon në Vlorë, ku bashkë me garnizonin e këtij qyteti, niset drejt Tiranës duke përshkuar Fierin, Lushnjën, Rrogozhinën dhe që nga malësia e Pezës zbresin në kryeqytet. Në qeverinë 6-mujore të Nolit ishte sekretar i tij.
Me triumfin e Legalitetit largohet nga vendi dhe fillim viti 1925 e gjen në Bari të Italisë. Në trazirat politike të vendit fqinj, Qamili merr anën e socialistëve të Antonio Gramsci-t. Në Bari ishte mik shtëpie i Bahri Omarit. Largohet nga Italia pa mbushur vitin dhe shkon në Moskë bashkë me Ali Kelmendi, Asllan Pejani, Fetah Ekmekçiu, Demir Godeni, Xhevdet Meqemeja, Ymer Domi, Naum Prifti, Rexhep Filati, Reshat Këlliçi, Reshit Daçi, Sejfulla Malëshova, Selim Shpuza dhe Haki Stërmilli, ku ndjekin kurse filozofie dhe të ekonomisë politike.
Klima ruse e dëmtoi shëndetin e Qamilit dhe shkon për kurë në Odesa. Kthehet sërish në Itali dhe grupohet me emigracionin politik shqiptar të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, duke u bërë propagandues i zjarrtë i ideve të majta. Gjithashtu Qamil Çela ishte organizuar dhe në KONARE (Komiteti Nacional-Revolucionar) që drejtohej nga KOMINTERN-i. Tendencat e fshehta të Moskës për të kapur drejtimin e KONARE-s dhe largimi nga politika i Nolit që u zhvendos në Amerikë, e bënë Qamilin të rigjykojë mbi mendimet e majta.
Pak vite më pas u largua nga Italia dhe ngulet në Lion, Francë. Me ndihmën e miqve boton gazetën “Sazani” dhe shkruan artikuj socialë e politikë me pseudonimin “Ullini”. Gjatë Luftës Civile në Spanjë 1936-1939, do të ndikojë që vullnetarët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova të inkuadrohen në brigadën internacionaliste italiane “Garibaldi” dhe jo në atë jugosllave (veçanërisht për vullnetarët nga Kosova që ishin shtetas të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene).
Qamil Çela ishte kundër idesë sovjetike për një “Ballkan Sovjetik”, nën drejtimin e Beogradit. Pushtimi fashist italian i vendit e hidhëron Qamilin. Nuk rri indiferent dhe bashkë me Bedri Pejanin, studentët dhe emigrantët ekonomikë shqiptarë të atjeshëm (Mahir Domi, Kolë Paparisto, Dhimitër S. Shuteriqi, Ptoleme Xhuvani, Shefqet Ndroqi, vëllezërit Gogo e Kozma Nushi etj), si dhe me njohjet dhe ndikimin e vet tek strukturat e partive dhe sindikatave të majta franceze (Justin Godard, Leon Perret, Maurice Rolland e të tjerë), organizon demonstrata të fuqishme antifashiste në Lion, Paris, Grenoble e deri në Zvicër.
Po në këtë vit, takohet në Francë me armikun e tij të betuar Mbretin Zog në ekzil dhe bashkëpunojnë për të ndihmuar financiarisht vullnetarët shqiptarë që largohen nga përfundimi i konfliktit në Spanjë, për t’u riatdhesuar. Në fjalimin e varrimit të Ali Kelmendit, Qamili do të shprehet hapur që shqiptarët “revolucionarë” do të luftojnë fashizmin dhe shovinizmin. Pas pushtimit gjerman të Francës, ai anëtarësohet në Partinë Komuniste Franceze dhe bëhet pjesëtar i Rezistencës.
Mbante lidhje me Internacionalen -III- Komuniste dhe me vetë Gjergj Dimitrovin në organizimin e bashkë atdhetarëve antifashistë dhe antizogistë, si Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova, Thanas Ziko, Kozma Nushi, Manol Konomi, Masar Shehu etj. Kjo degë e të majtës shqiptare në emigracion ishte e vendosur për bashkim kombëtar pas luftës, ç’ka nuk shihej mirë nga internacionalistët jugosllavë. Ky aktivitet politik i Qamilit në Lionin e qeverisë së Vishisë, nuk pëlqehej dhe sipas kujtimeve të tij, tentuan dy herë për ta internuar në kampet e punës në Poloni, por që në të dy rastet e shpëtoi një oficer gjerman që simpatizonte kombin tonë.
Në fund të vitit 1942, Qamili u përpoq të kthehej në Shqipëri për shkak të gjendjes së padurueshme në Francë. Megjithëse ndërmjetësoi tek Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, baba Ali Rizai, ish kryeministri Mustafa Kruja nuk e lejoi. Vazhdoi aktivitetin në Francë deri në përfundim të luftës. Me ndërmjetësinë e mikut të tij Marsel Kashen, që ishte shefi i komunistëve francezë, ndikoi që qeveria franceze të jetë e para qeveri perëndimore që njeh Shqipërinë e lirë dhe sovrane. Në këtë periudhë Qamili organizoi pritjen e delegacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes dhe u takua me Enver Hoxhën, Hysni Kapon, Tuk Jakovën etj.
Me ta pati përplasjen e parë për çështjen e Kosovës së ngelur nën Jugosllavi. Me ndërmjetësin e Ymer Dishnicës, bën kërkesë dhe kthehet në atdhe në tetor të vitit 1945, pas 20 vjetësh larguar. Kthimi i tij u prit në dukje me pompozitet, por dallohej ftohtësia e pushtetarëve të rinj. Aktiviteti i gjatë patriotik, formimi, ndikimi dhe miqtë e tij në nëpër botë ishin edhe fatkeqësia e tij, që ai e dalloi shumë shpejt. Ky kthim la të shtangur shumë njerëz që ai i njihte shumë mirë dhe ia dinte “vlerat”.
Gati sa nuk i thonin “ç’dreqin deshe që u ktheve”?! E caktojnë në punë kryetar të Kryqit të Kuq Shqiptar në Tiranë në një ndërtesë të shkatërruar nga lufta, pa fonde, pa mjete dhe me personel modest. Kushtet e njerëzve të thjeshtë të dalë gjallë nga lufta ishin të mjerueshme. I drejtohet me letra për ndihmë miqve dhe mërgimtarëve shqiptarë nëpër botë të cilët u përgjigjën menjëherë. Ngriti mensa popullore për ushqim falas deri në krahinat e thella, si dhe organizoi shërbimin mjekësor në ato kohë kur malaria bënte kërdinë.
Ishte ideja e tij për ngritjen e farmacisë së Kryqit të Kuq në rrugën e Barrikadave në Tiranë. Të gjitha me ndihmat e miqve nga jashtë. I thjeshte, human dhe i kudondodhur deri në sakrificë. Nuk ishte për luftë klasash dhe në personelin e tij kishte edhe Dervish bej Biçakun me përvojë në punët e Kryqit të Kuq. Por më keq e ndjente veten kur shihte si u batërdisën nga lufta e klasave shokët dhe miqtë, atdhetarë dhe luftëtarë, intelektualë dhe fshatarë bujarë, ndër të cilët Sejfulla Malëshova, dr. Enver Zazani, Petro Marko, Van Filipi, Ymer Dishnica, Kolë Tromara, Sejfi Vllamasi, Bahri Omari etj., etj.
Gjithë kjo punë e vyer e Qamil Çelës nuk u pëlqente drejtuesve të kohës sepse reputacioni i tij (që më parë i madh), tash po merrte përmasa të frikshme për ta. Tentuan dy herë ta helmojnë por shpëtoi mrekullisht. Në vitin 1950, e thërret Enver Hoxha dhe i jep “sihariqin, se ‘Koçi Xoxe i kishte përgatitur gijotinën, por partia i tregoi vendin faqeziut Xoxe dhe tash e tutje Qamilin do ta pranojë në gjirin e saj”. Siç duket, diktatorit i interesonte formati perëndimor i Qamil Çelës.
Mirëpo nuk vonoi shumë dhe pas një viti e shkulin nga Tirana dhe e caktojnë drejtor të Bibliotekës publike në qytetin e lindjes, Elbasan. Qyteti mbarë i shkoi në shtëpi për ta takuar dhe uruar mirëseardhjen. Ashtu i urtë e fjalëpake, i priste të gjithë, i dëgjonte me vëmendje dhe u jepte këshilla. Të trembur nga admirimi që njerëzit e thjeshtë kishin për të, pushtetarët nxituan dhe e nxjerrin në pension, si dhe e caktojnë edhe deputet. Në vitin 1958, drejtuesit e shtetit komunist nxitën “një nismë nga poshtë’ për krijimin e një maketi të historisë së Shqipërisë.
Në këtë maket, të pranishmëve u servirej që lëvizja e Haxhi Qamilit në vitin 1913 të cilësohej si lëvizje e armatosur fshatare dhe antifeudale, e njëjtë me lëvizjen e Purgaçovit në Rusi. Në të vërtetë Haxhi Qamili nga fshati Sharrë I Tiranës ishte veç një rebel, injorant dhe obskur që nuk njihte kombin shqiptar dhe flamurin kombëtar. Atij “i kishte ngelur ora” tek baba Dovleti dhe luftoi e përndoqi çdo atdhetar e veprimtar të gjuhës shqipe në ato kohë të turbullta. (bandat e tij në Elbasan burgosën e torturuan shumë patriotë elbasanas, si dhe dogjën shtëpinë e Aqif Pashë Elbasanit e cila ndodhej aty ku sot është Drejtoria e Arsimit në lagjen “Dyli Haxhire”).
Ta cilësoje Haxhi Qamilin patriot, ishte fyerje kombëtare. Ideja në fjalë përkrahej nga disa historianë të afërt me regjimin. Kundër kësaj rryme të mbrapshtë u ngritën tre kolosë, të quajtur: Skënder Luarasi, Abedin Çaushi dhe Qamil Çela. Kjo e tërboi regjimin dhe kuptohet, nuk do kalonte pa pasoja për ata tre trima shqiptarë. Maketi historik bashkë me Haxhi Qamilin, u la për t’u ripunuar më pas.
Me rastin e 60 vjetorit të datëlindjes së Enver Hoxhës, në shtëpinë e Qamil Çelës shkuan me porosi disa kineastë të ardhur nga Tirana dhe i kërkuan që ai të dëshmonte mbi “aktivitetin revolucionar” të Enverit, kur ishte student në Francë. Qamil Çela u përgjigj shkurt se nuk e ka njohur për të tillë. Kjo përgjigje e mbushi kupën dhe me urdhër nga lart i ndërprenë pagesën e pensionit. Organizata e Frontit demokratik të lagjes “Partizani” ku banonte Qamili, klithte deri në kupë të qiellit kundër “armikut dhe tradhtarit” Qamil Çela.
Megjithatë nuk e burgosën, ndoshta nga mosha e thyer ose ndikimi i tij brenda e jashtë vendit. Pas vitit 1975 Enver Hoxha përpiqet ta zbusë pak qëndrimin ndaj Qamil Çelës duke e paraqitur situatën kundër tij si një akt personal të Mehmet Shehut. Më pas, në një nga librat e tij (Baraka e Nushajve) aktivitetin e Qamil Çelës në Francë e prezanton shkarazi, duke e denigruar si “revolucionar kafenesh”. Ca vite më vonë sajuan diçka tjetër sikur fajin për goditjet ndaj Qamil Çelës “rezultuan” se ‘na i paska pasur Komiteti i Partisë së Elbasanit’!?
Qamil Çela vdiq më 5 prill 1988 dhe u përcoll në nga të afërmit, miqtë dhe fqinjët e tij. Ishte një varrim i thjeshtë e me pjesëmarrje modeste. Ndoshta njerëzit ndiheshin ende të frikësuar. Duke parë këtë pjesëmarrje që në fakt linte për të dëshiruar, një mik i familjes time i quajtur Mehmet Shqerra, që ishte edhe komunist i anëtarësuar, tha si nëpër dhëmbë: “Këtu sot në këtë varrim duhej të ishte gjithë Elbasani, sepse Qamil Çela që u dergj për atdhe, e meritonte”.
Në përfundim, mendoj se ky shkrim mund të ngjallë edhe polemika, por parimi im është që duhet të respektojmë cilindo që punon e lufton për vendin, pavarësisht se mendimet politike mund t’i kemi ndryshe. Shpesh ne duartrokasim njerëz që më shumë kanë marrë se kanë dhënë, ndërsa janë njerëzit e thjeshtë ata qe japin shumë dhe nuk kërkojnë asgjë. ( Për realizimin e këtij shkrimi i jam referuar edhe shkrimtarit e studiuesit të njohur elbasanas, z. Hyjni Ceka)/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016