Nga Ahmet Bushati
Pjesa e parë
Memorie.al /Ahmet Bushati indi në Shkodër më 1929, në një prej familjeve të njohura të fisit të madh të Bushatllinjve dhe ai ishte ndër të parët që i’u bashkuan Lëvizjes Antikomuniste të Studentëve Shkodranë, në vitet e para pas mbarimit të Luftës. Arrestohet e dënohet më 1948-ën dhe vuan gjithsej 7 vjet burg. Mbas daljes nga burgu, punon si punëtor dhe më vonë teknik pyjesh në rrethin e Krujës. Ka kryer me korrespondencë Fakultetin Filologjik në degën Gjuhë-Letërsi si dhe ka studiuar gjuhë të huaja, si: italisht, frëngjisht e anglisht. Më 1991-in kthehet në Shkodër, ku nga viti 1992 deri më 1996-ën, ka shërbyer në detyrën e kryetarit të Këshillit Bashkiak të rrethit të Shkodrës. Është gjithashtu një nga personalitet e Shoqatës së ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë të Shkodrës. Ka botuar here pas here shkrime në shtypin e përditshëm, si dhe libra me kujtime, kryesisht për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe vuajtjet e tij në kampe dhe burgje.
Kujtimet e Ahmet Bushatit
Tre muaj mes jetës dhe vdekjes
Hetuesi im i ri do të ishte nji burralec e burracak me emnin Ali Xhunga, (i ardhun në Shkodër prej fshatrave të Përmetit) me gradën e ultë të aspirantit, gja që e tregonte se edhe në luftë nuk kishte shkue në kohën e duhun, me gjithë moshën e përshtatshme që kishte pasë. Vinte mjaft i shkurtër nga trupi e, kur ndodhte që të m’u afronte t’ue më bërtitë e kërcënue, më vinte të pëlcitsha prej inatit që e shifsha një pllambë nën vete.
Shkurtabiq siç ishte, i ulun në karrige, u frynte e u ngrefoste si gjel e për t i dhanë vetes randësi, merrte artificialisht poza serioze. Ky hetues karrierist, tue mos pasë qenë aty ma injoranti dhe as ma brutali, sikurse dhe as ma krimineli, u bante shumë i rrezikshëm për viktimën që i ishte servirë për ta hetue, vetëm sepse ishte frikacak e shumë i nënshtruem ndaj eprorëve të tij. Po të ndodhte që gjatë hetimit të një të burgosuni atij t’i hynte në zyrë p.sh. shefi, ai menjëherë do t’u mpinte e do t’u bante bardh në fytyrë, prej frike. Si mbas meje, atij i mungonte çdo personalitet, qoftë edhe personaliteti negativ i kriminelit. Me siguri që ai ishte tipi i një lloji të keq të mercenarit, që ishte qenë vu në shërbim të krimit me qëllime përfitimi.
Do të ishte hetuesi Ai Xhunga, ai që për tre muej rresht do të më mbante të varun si Krishtin dhe si të mos mjaftonte kjo, në ndonjë rast, do të më bante edhe tortura të tjera, me qëllim që unë domosdoshmërish, të bajsha proces. Proces ose vdekje, do të ishte motoja e punës së tij kriminale me mue. Qysh prej ditës së parë të hetimit e deri në atë të fundit, ai më pati lanë të braktisun mes torturës ma ekstreme e vdekjes, vdekje që, për shumë kohë, do të ishte shpresa ime e vetme e nëse unë nuk pata vdekë, ajo qe për një mrekulli të pashpjegueshme të fatit tim!
Kur unë u thirra për herë të parë prej tij, e gjeta tek po më priste i ulun në karrige, serioz e me një qëndrim impozant, ashtu si duhet ta kishte mendue qysh ma parë. “Ulu”, më tha ftohtë e premë dhe me qëllim intimidimi, vazhdoi edhe për pak kohë të qëndronte i heshtun e gjoja mendueshëm. Unë ndërkaq, si zakonisht, kërkova me sy kalendarin, për të ditur datë e ditë dhe shpejt dallova se sipër mbi mur, ai shënonte 28 korrik 1948. Mandej ai tue tund dorën me autoritet drejt meje, do të më thonte: “Jam i fundit hetues që merret me ty. Për të folë, do të flasësh se s’bën, por puna është që të mos arrish deri atje, se je i ri e se ke edhe familje, por më në fund ne s’pyesim për asgjë fare, as për jetën tënde. Sa ka parë ky vend e çfarë burrash! Të çuditet mendja, prandaj mendohu sa s’është vonë”!
Të nesërmen e asaj dite më thirri përsëri dhe në vazhdim, i zemëruem nga qetësia e heshtja ime, la karrigen e m’u afrue t’ue më folë me ton: “E di që ju prisni të vinë, ne më parë do t’ju therim të gjithë aty, ndër biruca ku ju kemi, birucë për birucë e një për një”.
Kishte një muaj që Enver Hoxha ishte prishë me Jugosllavinë, e situate politike përjashta mund të ishte ngrirë, gja që unë nuk do ta dijsha atëherë e as për disa muaj mbrapa.
Ditën e tretë, Ali Xhunga më priti, si i thonë, me të parat: “U mendove”?! – më pyeti dhe unë si përherë i’u përgjigja: “Nuk kam për ç’ka të mendohem”. U hodh mekanikisht prej karrige dhe pa folë, ashtu i shkurtër siç ishte dhe i veshun si gjithmonë ushtarakisht, serioz e me hap të vendosur, duel përjashta në korridor, prej kah futi një polic, që të më ruante. U kthye bashkë me një tjetër ushtarak, të cilin s’e kisha pa asnjëherë dhe as që do ta shihja më, i cili në këtë rast, mbante në dorë gjeneratorin e korrentit.
“E shikon këtë”, më pyeti Ali Xhunga si me ironi e vazhdoi: “E di ç’është”? Dhe unë iu përgjigja me “Po”. “Atëherë ta provosh prap sot”, tha si me nervozitet. Ai oficeri i thatë, më rrotulloi ndër vesh fijet e korrentit, ndërsa Ali Xhunga, me gjenerator ndër duar, bani që unë t’u përplassha disa herë me forcë në dysheme, shkumë më dilnin prej gojës, si radhën tjetër dhe veshi ende i pashëruar mirë, të rridhte përsëri gjak e të më dhimbte më shumë, se herë tjetër. Kjo seancë, sado që e vështirë, nuk vazhdoi gjatë.
Në mbas dreken e kësaj dite, m’u futën si me ngut në birucë Ali Xhunga, Ismail Lulo e mbas tyre edhe shurdha, që mbante ndër duar një litar e stol. Kur Ismail Lulo tërhoqi litarin prej duarve të shurdhës, unë mendova se do të fillonin me më ra me të. Nuk dija që varja të ekzistonte si torturë. Shurdha, me urdhën të Ismail Lulos, nxori jashtë plaçkat e fjetjes, ndërsa ai vetë filloi nga procedura e varjes. Asnjëri nuk fliste. Ismail Lulo, më së pari, më vuri zinxhirët ndër duar t’ue m’i shtrëngue sipas pulseve, më mbështeti në qoshe të murit, drejt nën dritare e vetë hipi mbi një stol dhe mbasi përshkoi për nën zinxhir, litarin, dy fijet e tij i lidhi bashkë në hekura të dritares, t’ue i shtrëngue deri në atë pikë, sa ai u tendos plotësisht.
Ali Xhunga, që deri atëherë kishte qëndruar pa folë e me duar të lidhura mbrapa, t’ue shikue me seriozitet zbatimin e porosisë së tij, do të fliste vetëm kur të bënte me dalë: “Tani të shohësh”! Mbas tij doli edhe Ismail Lulo, duke më lanë vetëm në brekë e me një këmishë mëndafshi të hollë vere, të këputun pullash, dy ditë ma parë në hetuesi. Kështu Ali Xhunga, po mendonte që të realizonte me mua atë që ma pati thanë qysh në ditën e parë: “Nuk do të merrem gjatë me ty”.
I varur në litar e me krye të përkulun anash, vazhdimisht me gojë hapur, që të mund të merrja frymë e të shkumbëzueme në atë pikë vape, me dhimbje të forta ndër pulse, ku rëndonte gjithë trupi i varun e që nga mos qarkullimi i gjakut ndër ta, ishin enjtur e kishin fillue t’i çajshin nga zinxhirët, që po i pritnin si brisk, me sy të mbyllun vazhdimisht, prej lodhjes së madhe e pagjumësisë së gjatë, do të ishte pak a shumë gjendja e pamja ime e përgjithshme, ndër ato ditë. Do të ishte vetëm vdekja, te e cila unë kisha mbështetë shpëtimin tim, mbarimin e atyre mundimeve, që nuk tregohen me fjalë; vdekja si e vetmja shpresë me të cilën unë do të shtyjshe një mal, me orë të pambarim, gjatë shumë e shumë ditëve në vazhdim. Do të m’u dukte sikur brenda meje, të ishte futë një vetë e dytë, që më jepte zemër t’ue më folë: “Sa ma shumë që po të shtohen vuajtjet e sa më shumë kohë që po kalon, aq më shumë po i afrohesha asaj vdekjeje, ku ti pret me pushue”.
Në kohë darke më zgjidhshin për të ngrënë një copë bukë, me ndonjë kokërr domateje e ndonjë herë me dy tri kokrra fiqsh, që unë ose i shtyjsha me zor, ose edhe nuk i prekja. Me qëllim që të ngacmojshin dobësinë time, shpesh herë bijshin safertasin e shtëpisë, shoqëruem jo rrallë me ndonjë frut të kohës. Do të m’i afrojshin pranë derës së birucës, që kur të më çojshin në hetuesi, ose kur të dilja për nevoja personale, t’i shihja me lakmi.
Kur më zgjidhnin, pra në vakt darke, problem kisha uljen, sepse kambët e mia të enjtura shumë, deri sipër kofshëve, ishin gri e bë si dy trupa të trashë druni, që ma nuk u thyejshin ndër gjuj. Kështu që unë, për t’u ulë, do të shkoja ngadalë – ngadalë, duke u mbajtë në mur, deri në një pikë kur, pa mund ma, me vazhdue zbritjen, do të rrëzohesha vetë mbi çimento, me këmbë të shtrime. S’m’u hante aspak, por për ujë kisha etje të madhe, më shumë se për gjithçka, duke përjashtuar dhimbjet, kisha nevojë për gjumë. Në çdo vakt darke, sa të kisha shty me zor tri-katër kafshatë buke, mua menjëherë do të më zinte gjumi, për të më zgjue e varë përsëri Ismail Lulo, nja njëzet minuta mbrapa. Mbas tri-katër ditësh të para, që isha varë, i mbaruem për gjumë siç isha e si gjithnjë duke shikue vazhdimisht poshtë, me vete do të thosha se e sa herë: “Mos vdeksha pa fjetë edhe një herë mbi këtë çimento”, që aq shumë e lakmojsha me sy.
Së pari, mua do të më varshin nga duart, por kur, me kalimin e ditëve, zinxhirët të më futeshin brenda ndër pulse e të shprishin mishin e tyre, varjen do të ma kalojshin ndër shpatulla, e kur mbas disa ditësh të tjera edhe ato të çaheshin si me brisk, prej litarit e të ishin kthye krejt në plagë, varjes përsëri do t’i ndërrojshin vend, por jo duke e kapë ndër pulse që ende vazhdojshin të ishin mish i gjallë, ose si mbas rastit edhe të përthame, me gjak e qelb për brenda, por ndër krahë e për t’u kthye si mbas radhës, përsëri nga e para edhe pse mandej e mbrapa, do të ishin vazhdimisht në gjendje plagësh. Vetëm besimi në një vdekje të shpejtë e të sigurt, më jepte forcë për me durue.
Nga dhimbjet e pagjumësia, thuajse gjatë gjithë kohës mbrapa, do të kaloja në një gjendje të rëndë aluçinative, duke mos ditë për orë të tana se ku ndodhesha e të vinte nga fundi edhe një ditë, që unë më të mos merrsha veten as për njeri, por për kafshë. Megjithatë, në mënyrë të rrufeshme, vetëdija ime do t’u ndriçonte plotësisht, porsa para meje t’u shfaqte sidomos hetuesi Ali Xhunga, që do të kërkonte me përfitue nga ajo gjendje e pakontrollueshme nga ana ime. Do të më ndodhte disa herë, ngaqë s’ngopesha me frymë, të më kapnin ca spazma aq të fuqishme, goja të më mbushej me shkumë e të ndodhesha në atë gjendje, sa nga çasti në çast, të pritja që përfundimisht, fryma të më merrej krejt e sidomos në nja tre raste, them se duhet të vdisja me siguri, në qoftë se nuk do të kishin ndërhyrë në kohë, me ndihmë mjekësore. Së paku, në dy raste unë kam pasë aq vetëdije sa të kujtoj, ndonëse turbull, një njeri me bluzë të bardhë që vraponte drejt meje, me një age të gjatë në dorë.
Gjatë kësaj periudhe Ali Xhungës, sikur t’mos i mjaftonte vetëm varja ime, do të qëllonte ndonjëherë që të më shtronte edhe në dru edhe pse trupi im ishte gjithë plagë e kundërmonte erë të rëndë qelbsine, tamam si të ishte e një kafshe të ngordhur!
Burgu i ri
“Burgu i Ri”, që për nga madhësia, vinte i dyti mbas Burgut të Madh, ishte një godinë dykatëshe. Shumë shpejt, do të mësojshim se ajo ndërtesë në të kaluemen, kishte qenë shtëpia e familjes Çeka, e disa të tjerë, kushedi se për ç’shkak, kështu që ai burg, si mbas rastit do të quhej edhe “Burgu i Ri”, e herë i Çekës.
Mbas portës së hymjes, vinte një korridor me gjanësi rreth 3m, brenda së cilit ishte sajue një si dhomë për policin e shërbimit, duke shfrytëzue për atë gjë, dy faqe ekzistuese të vetë korridorit, kurse dy faqet e tjera do të përbëheshin prej dy parete hekurash, që shkojshin nalt deri në tavan. Brenda kësaj dhomëze atë natë të parë na zgjidhën duart, për të na kalue në pjesën e mbetun të korridorit, që ishte me dy dyer anash e një të tretë në ballë, sipër të cilave përkatësisht shënoheshin numrat 1 djathtas, 2 majtas e 3 ajo ballore. Ndërsa dy dhomat anash, pra 1-shi e 2-shi, ishin të ngritura nga një këmbë shkallë e të shtrueme me dërrasa, sobat e njohuna të Shkodrës, ajo me numër 3 qëndronte në kuotën e ulët të korridorit dhe ishte e shtrume me çimento, ndoshta një ahur i dikurshëm, që u zgjaste sa e gjithë ndërtesa.
Ruzhdi Çobën, Thabit Rusin, Qazim Dervishin, Lec Barbullishin, Ruzhdi Bajën e Refik Bushatin, i futën në dhomën nr. 1, në atë me nr. 2, futën Ernest Përdodën e Xhelë Bacin, kurse në nr. 3, Remzi e Xhevat Qukun, Tom Sheldinë e mua.
Kur u futëm duke përshëndetë në dhomë, vërejtëm se menjëherë aty ra qetësi e plotë. Siç do ta mësojshim më vonë, një gjë e tillë ngjiste vetvetiu, sa herë që në një dhomë burgu, futeshin të burosun të rij. Të burgosunit e dhomës qëndrojshin para jastëkëve të tyre të mbështjellun e të mbështetur për faqe të të katër mureve të dhomës e duke shikue me vëmendje drejt nesh. Nuk ishte e vështirë, që ndër ato çaste na të lexojshim ndër fytyra kureshtjen e keqardhjen e tyre për ne.
Hymja në dhomë e çdo të burgosuni të ri, shënonte një ngjarje për të burgosunit e saj. Ka disa rregulla të veta burgu, të kthyeme në traditë. Ndodhte që në një dhomë i burgosuni i ri të ketë gjetë kushërijtë a të njohur të tij, e në një rast të tillë, janë pikërisht ata që ma të parët do ta takojnë atë, ta pyesin rreth burgosjes së tij, nëse ka vuajtë gjatë hetimit ose jo, për njerëzit e shtëpisë, nëse ka pasë kontakt me ta dhe shumë shpejt, ky informacion transmetohet mandej gojë më gojë, nëpër dhomë, duke shue kështu kureshtjen e të gjithëve.
…Veç një pjesë të shokëve me të cilët qeshë futë në këtë dhomë, aty do të gjeja edhe Ramadan Sokolin, vëllai i shokut tim, Hodo Sokolit, i cili do të më qëndronte afër e do të më drejtonte në atë dhomë burgu me, ndoshta, mbi njëqind vetë. Ramadanin e pata gjetë duke lexue “Rilkën”, si dhe të angazhuem me mbledhjen e folklorit, punë që e vazhdonte me pasion. Apo s’ishte ai burg një minierë e florinjtë për t’u eksplorue! Kisha ç’të përfitojsha prej Ramadan Sokolit, me një dekadë jete ma shumë se unë, me një numër të pamatë librash të lexuem.
… Aty, veç katundarëve të fushës së Shkodrës, malësorëve të Malësisë së Madhe e të Dukagjinit, përfaqësues me shumë, do të kishin edhe zonat e Mirditës, të Pukës, Tropojës e të Lumës. Ramadani që në Firence kishte studiue për flaut e kompozision, me dellin e tij prej artisti, aty në burg do t’u merrte edhe me pikturë, me gdhendje mbi dru e mbi faqe të alumintash, do të prodhonte në miniaturë prej bërthamave të pjeshkëve, objekte si “pashmangë”, “shporta” etj., që u nxirrshin jashtë, si dhurata burgu për familjarë e të afërm. Po Ramadani do t’u merrte edhe me qëndisje, do të punonte edhe në “gjergjef”.
Përmes librave ai merrte e jepte me shoqet e tija të burgosura, si: Drita Kosturi e Terezina Pali, që me dhomë, ndodheshin në hyrje nga jashtë, e quajtur “dhoma e grave”, e me të cilat Ramadani do të realizonte korrespondencën, me anë të një “kodi”, kod që për të nxjerrë p.sh. fjalën “durim”, ai do të vinte me lapës një pikë të zbehtë, nën më të parën gërmë “d”, që të kishte faqja e librit, për të vazhdue me gërmën “u”, që vinte mbas saj e kështu me radhë, derisa të dilte e plotë fjala durim, për të vijue në këtë mënyrë, me të gjitha fjalë që do të kishte një letër e tij.
Në fund të dhomës sonë të gjatë, kishte një dalje për në banjo, ku unë me shokë, mbas një viti e gjysëm që s’ishim la, do të hidhshim për herë të parë, ujë mbi trupat tanë të krimbët. Në dark, një burrë rreth tridhjetë vjetëve, që aty shërbente si sanitar e si mjek, më tërhoqi pa paralajmëru (e në sy të të tjerëve), lastikun e brekëve, lëshoi dy-tre grushta D.D.T. aty brenda dhe u largue duke qeshë. D.D.T.-në, na e hidhshin për punë morrash. Personi që kreu atë shërbim kishte qenë farmacisti Elez Troshani, të cilin dikur e kisha njohë për fytyrë, por që atë natë, kryet e tij i qethun e një fes i vumë dosido mbi të, ia kishin tretë gjurmët e pamjes së mirë, që kishte pasë kur kishte qenë i lirë.
Të burgosunit që ne gjetëm aty, përgjithësisht ishin të vjetër në moshë, ose të sëmurë, të paaftë për punë fizike, ndërkohë që pjesa tjetër e të burgosurve, që edhe përbënte shumicën, u ndodhte e dalun në kampin e punës së Orman Pojanit, zonë e Korçës, prej kah do të ktheheshin në burgun e Shkodrës, gjatë muajit nëntor, kohë kur edhe ne do të lëvizshim prej Burgut të Ri, për t’u bashkue me ta.
Kjo dhomë burgu, me dritë e me shumë njerëz të mirë, mbas një viti e gjysëm leximi “Zëri i Popullit”, që zakonisht e kryente Andro Petroviçi, një njeri i butë e shumë i sjellshëm, por që fytyrën s’di pse do ta kishte gjithmonë të pikëllueme.
Dy herë në ditë me nga një orë na nxirrshin në oborrin e madh, që binte mbas ndërtesës, dalje që ne të rinjtë, do ta shfrytëzojshim për të luajtë basketboll me porta të pa shtylla futbolli e të ndamë në dy skuadra, njëra që përfaqësonte dhomat nr.1. e nr.2. e tjera nr.3-shin tonë.
… Dhoma jonë me nr. 3, kishte trajtën e një drejtkëndëshi e si të thuash, kryet e vendit në të, e kishin zënë, ndonëse afër daljes për në banjë, më të moshuarit, që edhe kishin probleme fizike, sikurse ishin ish-ushtarakët Luigj Mikeli, Hamza Kuçi, Zef Martini, Paulin Prendushi e mbas tyre, do ma të rij, si Teufik Bekteshi, që vuante shumë herë prej dhimbjesh të forta klavikule e në vazhdim: Hamis Nurja, Malo Kraja, Malo Cani, Smajl Elezi etj.
… Qysh natën e parë të ardhjes sime në këtë burg, më patën vendosë në mes të Ramadan Sokolit e Pjetër Saraçit, për të më dhanë kënaqësi mua, qysh të nesërmen do të fillonte të realizonte disa prej numrave të tij.
Simon Harapi do të ishte një ndër ata të burgosun, me të cilët qesh miqësue qysh në ditët e mija të para. Burgu, si vend i jetës e i fateve të përbashkëta, do të zhdukte shumë nga diferencat që ekzistojnë mes njerëzve, si moshën, kulturë, prejardhje, botëkuptim, etj. Simoni, njeri i qetë, i matun, e tepër i rregullut në çdo gjë, pjesën më të madhe të kohës, do ta kalonte i tërhequn në vetminë e tij dhe unë kisha përshtypjen, që ai gjatë asaj kohe, veç mendimit për familjen, mund të evokonte edhe një të kaluar të tij rinie të largët, me të fshehtat që kishte pasë në dashuni, dashuni e pastër, që ma kishte besue mua. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016