Nga Gjet Kadeli
Pjesa e njëzetedy
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Esat Lata, me të dhënat e agjentit “Dardha”, lidhur me bisedat e Gjet Kadelit dhe të dënuarëve të tjerë, në atë burg
DHËNË: Agjenti “DARDHA”.
MARRË: P.Op. ESAT LATA
Burrel, më 30.5.1975
Nr. 219
R A P O R T
Ai raporton se në datën 30.3.1975 ai, i uroi Gjetë Kadelit Pashkët, duke i thënë se vitin e ardhshëm, do ta festonte në shtëpi. Gjeta, e mirëpriti dhe zhvilluan bisedën. Në vijim Gjeta i tha atij, “Triumfoftë kjo festë në të gjithë vendin. Do të vijë koha që kjo festë, do të bëhet e gjithë popullit. Dhe populli shqiptar, sapo të shpëtojë nga kjo skëterrë, do t’i rikthehet besimit katolik, që është baza shpirtërore dhe morali i së drejtës. Po Ndue Kolës, ja urove Pashkët?! Ke një mendim të keq për të dhe s’ma merr mëndja që ai, të ketë ardhur për ty siç pretendon ti.
Ti je naiv, vazhdoi Gjeta, tani unë e kam të qartë dhe prandaj ta kanë ngrënë kokën, por me mua se bëjnë dot atë. Tek unë, nuk hyn dot spiuni lehtë. Ndjekja ime, ka një qëllim të caktuar, ajo s’ka të bëjë vetëm me mua, por edhe me tim atë të cilin, kam frikë se ua ka hedhur bukur këtyre. Unë krenohem me tim at, dhe i qëndroj besnik atij në dy fronte, në atë shpirtëror dhe në atë politik. Ishalla, do të rrojmë të dy dhe e gjithë vëllazëria, që të shohim ditën e lirisë mbi këta kanibalë, dhe atëherë do ta shohësh ti se, kush janë burrat e vërtetë dhe heroizmin e tyre.
Veç ji i sigurt, se tani, kupa e mbushur po derdhet, pasi po vjen fundi i pashmangshëm i tyre. Të tërë shenjtët dhe popujt bashkohen sot në këtë ditë të shënuar, për të uruar përmbysjen e tyre. Unë mendoj, tha ai, se është më mirë të mos flasësh dhe gjuhën mbaje brenda. Gjeta, iu përgjigj: Ke të drejtë por, mua nuk ma pranon shpirti, dhe e kam për nder që të radhitem në ato mijëra burra që, u martirizuan nga këta anadollakë labë. Natyrisht unë, i zgjedh njerëzit, por ama kurajo nuk më mungon t’jua them të vërtetën hapur dhe në sy këtyre. Kjo është me të vërtetë guxim, tha ai”.
“DARDHA”
Vlerësim: E dhëna, ka vlerë operative, pasi tregon se Gjetë Kadeli, zhvillon aktivitet të mprehtë armiqësor.
Detyrë: B.p. nuk ju dha detyrë, pasi ishte i zënë me detyra të tjera, por ju ngarkua një vijë sjelljeje, në mbështetje të kësaj të dhëne, për bisedën e konsumuar me Gjetën.
Masat Operative: Pjesa e raportit, ku bëhet fjalë për Gjet Kadelin, u shtyp në një kopje dhe u vendos në dosjen formulare të tij.
Punëtori Operativ
Esat Lata
Shënime të Shefit të Seksionit
Dakord me masat
31.3.1975
R. Hoxha
Shënime të Zv Kryetarit
U pa
31.3.1975
I. Musta
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Esat Lata, me të dhënat e agjentit “Dardha”, lidhur me bisedat e Gjet Kadelit dhe të dënuarve të tjerë, në atë burg
DHËNË nga Agjenti “Dardha”
Marrë nga P.Op. Esat Lata
Burrel, më 28.4.1975
Nr. 220
R A P O R T
Ai, raporton se, duke biseduar me Gjetë Kadelin, Gjeta i tha atij se; “Amerika, s’do të tërhiqej kurrë pa e marrë avenirin pasi, ka krijuar mundësinë në të kuqtë, të kacafyten me njëri tjetrin për pushtet. Jua la pronën se, ajo punon me valë të gjata”. Përsa i përket burokratizimit, Gjeta tha; “Po jua shtrëngon lakun prandaj o burra, shkurto këtej e shkurto andej, gjersa të marrin fund”.
“DARDHA”
Vlerësimi: E dhëna ka vlerë operative, pasi tregon se i dënuari ka aktivitet armiqësor ndaj Partisë dhe masave revolucionare.
Detyrë: Agjentit nuk ju dha detyrë pasi, e dhëna është marrë nga kutia postare.
Masat Operative: Pjesa e raportit ku bëhet fjalë për Gjetë Kadelin, u shtyp në një kopje dhe u vendos në dosjen formulare të tij.
Punëtori Operativ
Esat Lata
Shënim të Zv/Kryetarit: T’i jepen detyrat. T’i thuhet Esatit, që të planizojë e të krijojë mundësinë e takimit.
28.4.1975
Ismail Musta
Sqarimi i të dhënës: Agjenti, u takua brenda një kohe të shkurtër dhe pasi ju morën ato që kishte për të raportuar, ju dhanë dhe detyra të tjera për Pjetrin dhe Gjetën.
Punëtori Operativ
Esat Lata
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Esat Lata, me të dhënat e agjentit “Dardha”, lidhur me bisedat e Gjet Kadelit dhe të dënuarve të tjerë, në atë burg
Dhënë agjenti. “DARDHA”
Marë P.Op. Esat Lata
Burrel, më 5/5/1975
R A P O R T
Gjet Kadeli, ju afrua atij dhe i tha: Besoj gëzohesh kur fitojnë të kuqtë apo jo. Si ta kuptosh i tha ai, unë kam parasysh atë i tha ai, që më ke thënë ti, se viti 1975, është fundi për këto tanët. Se di se si po ndodh me këtë fund.
Dardha e ka bishtin prapa, vazhdoi Gjeta. Mba mend se, Amerika po bën lëshime në Azi, me një marrëveshje midis asaj dhe Kinës, me qëllim që të ketë dorë të lirë në Europë dhe kjo pike, shënon fundin që ti se kupton. Përkundrazi i tha ai, unë mendoj se Kina, më parë dorëzon Pekinin, se sa Shqipërinë. Ti je ftof në tru, i tha Gjeta burimit, me këto përralla propagandistike të kanë gënjyer 30 vjet. Këta as me Kinën se kanë mirë. Marrëdhëniet janë të sipërfaqshme. Kina, aq e madhe s’ka pushkatuar e dënuar sa këta kriminelët tanë turkoshakë, ore tutkun, po thirri mendjes.
Kjo është çështja e brendshme ore Gjetë, i tha burimi. Çështjet e brendshme, lidhen edhe me ato të jashtmet, vazhdoi Gjeta, këto hoxhallarët e kanë diskretituar dogmën komuniste, me veprën e tyre gjakatare e se, askush tjetër dhe këtë Kina e di mirë. Këta tanët, kërkojnë rrugë shpëtimi, por askush si pranon se, kanë shumë borxhe për të paguar, shumë aventura më zi se ato të mesjetës, mbaje mend se, do të ndodh ajo që ti se pret, tamam përmbysja, do të ngrihen varret për hakmarrje.
“DARDHA”
Vlerësimi i të dhënës: E dhëna ka vlerë operative sepse, i dënuar Gjet Kadeli, tregon aktivitet armiqësor kundër Partisë dhe vendit tonë.
Detyrë: Agjenti u porosit, të thellohej më tej në bisedën për të zbatuar vijën e sjelljes që i është dhënë, për Gjet Kadelin/
Punëtori Operativ
Esat Lata
Shënime të zv. Kryetarit
U pa
I.Musta 14/5/1975
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Esat Lata, me të dhënat e agjentit “Dardha”, lidhur me bisedat e Gjet Kadelit dhe të dënuarve të tjerë, në atë burg
Dhënë Agjenti “Dardha”
Marë P.Op. Esat Lata
Burrel, 13/5/1975
Nr.223
R A P O R T
Burimi raporton se, duke biseduar me dt. 8/5/1975, me Gjet Kadelin, burimi i tha Gjetës se, nuk hapet kongresi i shtatë, pa kushtetutë të re. Udhëheqësi kryesor në kongresin e gjashtë tha se, shumë gjëra janë kapërcyer, kushtetuta është vjetruar.
Mirë thua ti, i tha Gjeta burimit se, ashtu të pëlqen, por mos harro se, këtu çdo gjë mund ta kapërcejnë veçse, lumin e gjakut s’e kapërcejnë kurrë. Atë lum gjaku që kanë derdhur kot se koti, jo këto që nuk e kapërcejnë, por as fëmijët e tyre, më e keqja akoma se, këto barbarë, na lanë hasmërinë pikërisht tek fëmijët. Mendoj se do ta arrish të shohësh se si gjaku do të lahet me gjak, do t’i mësosh krimet e tyre të përbindshme, krime të cilat kurrë nuk kapërcehen, por çdo ditë që kalon, rinohen në shpirtin e fëmijëve tanë.
A nuk e sheh se, shtypja po bëhet sot pas 30 vjetësh, më ashpër se në vitin 1944? Pra, mos mba asnjë iluzion, këta nuk heqin dorë nga barbarizma turke. Të tha mirë Pjetri dje. Ato letra që dërgon me qindra lart, m’i jep mua, të bëj kafe se, s’vjen gjë dhe shkruaj një roman, sa shkruan letra tek Partia e Punës.
Unë s’kërkoj falje, por kërkoj të drejtën time dhe do ta gjejë, Gjeta i tha burimit: Kërkoje se do ta gjesh, kur të zbardhet korbi. Budalla! E drejta jote dhe e gjithë popullit Shqiptar, do të gjendet atë ditë që, të zbresë nga supet e popullit Shqiptar ku shejtani i kuq, që aq bukur e kanë patur parashikuar meshtarët e nderuar, që këta i çuan në plumb.
Gjeta çdo ditë konsultohet me Pjetrin dhe Simon Jubanin. Këta janë burra të vërtetë, i tha atij Miftar Veliu, por jo komunistët të kuq, që po na rrjepin lëkurën pa dinë e imanë. Qeveri pa emër, vazhdoi Gjeta, gjysma mashkull e gjysëm femër, sipas një vajtimi mirditor.
“DARDHA”
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna ka vlerë operative sepse, i dënuari Gjet Kadeli, tregon aktivitet armiqësor kundër Partisë dhe regjimit socialist, në vendin tonë.
Detyrë: Për Gjetën, nuk ju dha detyrë pasi, i është dhënë një detyrë tjetër më parë, por ju dhe detyrë për Muço Bazin dhe t’i thotë se; ti Muço, duhet të ruash veten nga të tjerët, se ti flet shumë dhe hapur, se, atë kujtohet kur më ke folur në këtë mënyrë e më ke thënë se, do të jenë baballarët e kombit që do të marrin hakun se, këto po na trajtojnë më keq se qentë…
Sqarim i të dhënës: Pjetri dhe Gjeta janë në përpunim II/A.
PUNËTORI OPERATIV
ESAT LATA
Jam dakord me masat e detyrat
Ramiz Hoxha
Shënime të zv. Kryetarit
I. Musta 14/5/1975
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Esat Lata, me të dhënat e agjentit “Dardha”, lidhur me bisedat e Gjet Kadelit dhe të dënuarve të tjerë, në atë burg
Dhënë Agjenti “DARDHA”
Marrë P.Op Esat Lata
Burrel më 27/5/1975
R A P O R T
Ai raporton se, sipas detyrës së dhënë, se më 22/5/1975, ai bisedoi me Gjet Kadelin, Gjeta i tha atij se; personalitetet më të shquara në burg, ishin Pjetër Arbnori, Nikoll Mazreku e Simon Jubani dhe se tani po afrohet koha e lirisë dhe ato do të shkëlqejnë dhe ne kemi fatin e madh që jetojmë me ta.
Ai i tha Gjetës se; këta nuk tunden se, e kanë siguruar pushtetin, Gjeta vazhdoi: Në vitin 1969, një plak nga Lura më pat thënë, o birë kurrë mos arrish të përpjetën në majë, unë kujtova se më mallkoi, mirëpo kjo kishte qenë urim sepse, po ja arrite ngjitjes në majë, s’ke më ku vete, do të zbresësh teposhtë e të thyesh qafën, këto filluan zbritjen drejt thyerjes së qafës, për këtë besë, këta (komunistët) mbaruan.
Këta që janë kanë kaluar edhe Carit të Rusisë për krime, po ju dridhen leqet e këmbëve, janë harruar si ai lisi plak që, i mbetet lëkura dhe brenda është gjallë dhe me të fryrë një erë, e rrëzon. Kjo përleshje me njëri tjetrin, shënon fundin e tyre, hëngrën këmbët e veta, kjo tregon se, edhe në radhët e tyre, ka nga ata që janë të penduar dhe po tërhiqen. Po do të thuash se dëmtohen, e po mëkatet ashtu lahen. Tani ka mbetur ai stelushi i madh me ca qen labësh dhe qe besa e zotit, nuk gjen vrimë ku të futet, në ja bëftë siç ja bëri Thieu i Vietnamit, po ku do të vejë?!
S’ka ku ven, këtu, këtu, do të lahen të gjitha, populli rin me duar nga qielli, duke lutur fundin e tyre. Revoltën e Spaçit, shtypi italian e ka quajtur kështu: Po çelin lulet e kombit shqiptar, mbi akullin 30 vjeçar terrorist, po afron liria e vërtetë. Unë jam tre breza në burgjet e tyre, gjyshi, baba dhe unë. Po sa janë si unë? Gjysma e Shqipërisë këtu dhe bile do të paguhen shpejt, do të paguhen të gjitha. S’ka gjë më të shenjtë se sa të luftosh kundër këtyre, palaçot e Europës.
Si zor se e lëshojnë pa pushkë o Gjetë, i tha ai. Me pushkë do t’u kushtojnë këtyre, jo të tjerëve, por mos u beso zhurmave të gazetës, ajo tregon frikën e tyre, dobësinë e tyre.
“DARDHA”
Vlerësimi i të dhënës: E dhëna ka vlerë operative sepse bën fjalë për aktivitet armiqësor që tregon Gjet Kadeli.
Detyrë: Agjentit nuk ju dha detyrë pasi, ishin dhënë detyra të tjera dhe nuk kish mundësi t’i kryente. Memorie.al
Punëtori Operativ
Esat Lata
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016