Nga Dalip Greca
Pjesa e parë
Memorie.al Zoi Shyti (Zois Shuttie), është një artist, që prej kohësh ka spikatur me individualitetin e tij krijues të papërsëritshëm dhe ka lënë gjurmë në Amerikë dhe Europë, është mirëpritur ne kryeqendrat e artit botëror; në Paris, Londër, San Francisko, Meksiko, Uashington, Nju Jork, Filadelfia, e më pas në Tiranë. Si artist dhe si njeri, ai mbart një histori interesante; i shpëtuar nga vdekja në mënyrë misterioze, i ndihur nga fati në gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore, kur ai ishte ende fëmijë; i mezirritur me mundime në kohën e vështirë të pasluftës, i arsimuar në Liceun Artistik të Tiranës, ku krejt kundër prirjeve dhe dëshirave studioi për skulpturë dhe jo për pikturë; i emëruar në fillim si piktor në Artizanatin e Tiranës, më pas si piktor e skulptor në Drejtorinë e Kufirit; ai gjenë momentin dhe arratiset drejt Greqisë.
Shyti, le të bisedojmë pak për pikturën dhe Zoin, kur janë bashkuar ato në udhëtimin e gjatë?
Unë fillova të vizatoj e të bëj forma të ndryshme çiliminjsh me argjilë të gërryer nga përroi i Lushnjës, që në moshën gjashtë vjeçare. Shoku i fëmijërisë time të asaj kohe, poeti i njohur Faslli Haliti, si për çudi, më dërgoi me emali kujtimet që ai mban mend mbi mua në kohën e inosencës time, sesi ai, me prirjet e tia piktorale dhe poetike, më shihte mua atë kohë të vështirë, që për mua është një fenomen i ringjalljes së nostalgjisë së fjetur në kujtesën e asaj kohe. Vetëdija e dëshirës sime për t’u bërë piktor, filloi kur më nxorën të gjallë nga gërmadhat e bombardimeve në qytetin e Lushnjës.
I gjakosur e i lidhur me fasho kokë e këmbë e me lot ndër sy, unë shkarravisja me qymyrin e trarëve të djegur mbi faqet e mureve të gërmadhave imazhe lufte. Qysh aherë unë nuk iu ndava zhargavinave. Por varfëria e pasluftës, nuk na dha mjete punë për vizatim e për pikturë. Unë përdorja gurë shtufe me ngjyra dheu, ose shtrydhja gjethurina të egra ngjyrash, që ishin të rrezikshme e helmuese. Në shkollën fillore ne vizatonim në dërrasën e zezë ose në çimenton prapa shkollës me shkumës, ose në truallin e thatë me gërvishtje shkopi. Lapsa s’kishte, librat ishin të rralla, as mellan s’kishim. Ne e kopjonim lëndën me radhë dhe e mësonim përmendsh.
Babai më mbante në dyqan për të mësuar zanatin, se donte që unë të bëhesha rrobaqepës. Por mendja ime ishte fiksuar në pikturë. Nga inati im dhe kundër dëshirës së tij, unë u mora me zdrukthëtari për një vit e gjysëm. Kur u sëmura rendë, mjekët ma hoqën fillin. Dhe babai hoqi dorë nga këmbëngulja e tij dhe më lejoi të merresha me atë që doja. Ai vete ishte i dëshpëruar, meqë para se të kthehej nga Amerika në vitin 1923, ai ishte muzikant me një grup në Filadelfi. Fatkeqësia e detyroi atë të bëhej rrobaqepës në Lushnjë. Ai, në të vërtetë, s’donte që unë të pësoja të njëjtin fat.
Më pas ju shkuat në Liceun Artistik, a mund ta vazhdojmë rrëfimin rreth formimit tuaj artistik dhe karrierës në Shqipëri?
Liceu Artistik shtatë-vjeçar, është kapitull më vete rrëfimi, por unë s’po flas tani për të. Pas mbarimit të Liceut në degën e skulpturës, mua më punësuan në drejtorinë e Kufirit të Ministrisë së Brendshme, si skulptor. Pas kryerjes së një busti, që dhe sot është mbi piedestalin e vet, unë bëra një portret të madh me qymyr të djegur, të Drejtorit të Drejtorisë së Kufirit, Gjeneral Ndreko Rinos. U ekspozua në hyrje të ekspozitës vjetore në ‘Pallatin e Brigadave’. Gjenerali e mirëpriti me lëvdata atë. Pastaj zyra më besoi temën e vështirë të Provokacioneve të Gushtit të 1949-ës nga grekët. Ishte krye-tabloja e ekspozitës shëtitëse të Kufirit, nga Tirana në Durrës e, gjetkë. Ishte viti 1963.
Gjysma e familjes time ishte zhdukur, gjoja nga sëmundjet. Gjysma tjetër ishte e përçarë. Kundër ligjit, unë solla në Tiranë Nënën time, dy fëmijët jetimë të motrës së vdekur, dhe vëllan e motrën e vogël. Jetuam mizorisht me rrogën time; gjashtë veta në një dhomë, me gjysëm nevojtoreje. Gjeneral Ndrekua, më la të punoja në një studio të madhe të Ministrisë për tablotë me përmasa të mëdha. Unë fshehurazi, flija atje. Por dhe unë s’e kisha të gjatë. Më informuan të bëja diçka, se “klima e Tiranës ishte shume’e keqe për mua”! Si i biri i një amerikani, të punoja në Ministrinë e Brendshme, pa anëtarësi partie, (pra nuk isha komunist) ishte e papranueshme! Pastaj disa piktorë, e hanin me sy vendin tim.
Ne ç’rrethana u arratisët nga Shqipëria dhe si arritët që të gjenit “çelësin” e depërtimit në rrethet artistike amerikane, ku konkurrenca është konkurruese?
Nën presionin e vazhdueshëm, u detyrova të krijoja mundësinë e arratisjes për në Greqi, në vitin 1964. Prej andej një vit më vonë, erdha në SHBA-ës. Anglisht nuk dija, por flisja gjuhën e artit. Kundër dëshirës së farefisit tim në Filadelfia, unë pas punë frekuentoja shkollën ‘Fleisher Memorial Arts’. Më pastaj u regjistrova në ‘Pennsylvania Academy of the Fine Arts’, në Temple University dhe në University of Pennsylvania, me bursë të plotë, deri në mbarim në vitin 1970, duke fituar kështu disa çmime të meritueshme. Ekspozova, po ashtu, në disa galeri të qytetit dhe në periferi dhe fillova të bëhesha i njohur ne rrethet artistike.
Po atë vit u bëra qytetar Amerikan, dhe me pasaportën e parë në dorë dhe me të fejuarën time, Miss Iowa Carolyn, për krahu, ne i hipëm avionit për Londër dhe për Paris. Atje njoha shkollën e pikturës Franceze në l’Academie de la Grande Chaumiere me profesorin Ives Brayer, e më vonë njoha pikturën e Rilindjes Italiane, në Academia dei Belle Arti në Firenze. Kthimi në Amerikë, më ofroi ftesën për të dhënë mësime në “Instituto Allende në San Miguel de Allende”, në Meksikë, ku mora dhe diplomën e mjeshtrit të pikturës. Kudo që kam jetuar e kudo ku kam dhenë mësime, kam fituar ca e kam humbur ca. Jeta pa humbje është po aq e mërzitshme, sa ajo pa fitime. Por kudo i kam dalë në krye halleve, pa ndihmën e askujt.
Ç’është piktura për Zoin?
Piktura për mua është poezi me ngjyra, është muzikë e pazëshme, është filozofi e padiktueshme prej askujt tjetër, veç atij që ndodhet përpara saj në çastin e ekzekutimit. Piktura është besim fetar i krijimtarisë të së bukurës prej meje në mënyrën time, prandaj dhe është “feja” ime.
Cila ka qenë kënaqësia më e madhe që ju ka dhënë piktura?
Kënaqësia ime jo e zakonshme që kam njohur nga procesi i pikturimit, është që unë s’para kam patur vullnet e dëshirë të ndahem prej saj. Përpara pikturës sime, e ndjej veten si ata që i zë qymyri i dashurisë dhe nuk rijnë dot pa njeri tjetrin. Por kur vjen koha e ndarjes, unë jam mësuar të rroj me ringjalljen e kujtimeve mbi to. Mua më kanë vjedhur shumë kuadro. Kjo ka ardhur me që unë kam udhëtuar e banuar në shumë vende dhe nga që unë u besoj njerëzve. Fatkeqësisht, kam njohur shumë pak njerëz të ndershëm e të ndërgjegjshëm.
Dhe po të mendohemi mirë, asnjë lloj çmim-tregu, nuk i jep mundit të krijimtarisë artistike vlerën e merituar bërjes së asaj vepre. Flas për veten time. Unë jam i pasur, jo në kuptimin e kamjes, por në kuptimin e përmbushjes shpirtërore e mendore të nevojave të mia, që ndonjë ditë do bëhen kërkesat e të tjerëve. Unë jam “workoholic” dhe e filloj punën çdo ditë herët dhe vazhdoj deri në orët e mëngjesit tjetër.
Itinerari im brenda mureve të banesës, është nga kompjuteri në pikturë, nga poezia në lexim letrar, ose informativ, dhe në mbrëmje bredh nga korrespondenca në skulpturë. Kur jeta është e mbushur me aktivitete, njeriu nuk ka kohë të sorollatet më kot. Përkundrazi, shpesh herë më dhimbset që nuk e kam shfrytëzuar kohën edhe me aktivisht, dhe pendohem që dëshira ime e madhe për të bredhur e për të njohur botën, më la mua panjohur veten dhe pakryer tërë ato dorëshkrime në letër.
Keni pasur ndonjë çast, kur keni dashur ta braktisni penelin?
E vetmja kohë kur unë s’i mbaja dot penelat ndër duar, ishte koha e kimioterapisë dhe koha e mëpastajme e saj me efekte anësore, që zgjati mbi pesë vjet. Atë kohë unë dridhesha nga ethet e vdekjes, pas vënies së gjilpërave në kofshë a në bark. Edhe palca më dridhej, dhe më e keqja ishte që në apartamentin tim, s’kishte as ngrohje. Por nga ato pesë vjet dëshpërimi, nuk iu dorëzova fatit dhe dola më i fortë nga ç’pritnin të tjerët, që më shihnin nga larg.
Ajo ishte çështje shëndeti, por jo, askurrë s’kam dashur t’i braktis penelat, qoftë edhe për punë me pagesë të lartë. Edhe kur jepja mësime në institute, unë u demonstroja studentëve sesi t’i zgjidhnin problemet përpara vështirësive tona, dhe ne i kritikonim bashkërisht punët, në fund. Me ta, koha ishte e përmbushur me gëzim.
Duke lënë mënjanë modestinë, më thoni diçka për vlerësimin e pikturës së Zoi Shytit, në Amerikë dhe në Europë?
Vlerësimet mbi pikturën time, s’kanë të bëjnë mbi punën time, më tepër se kanë të bëjnë me ata që shprehen për të kënaqur mendimet e tyre. Fjalët i merr era, thoshin pleqtë tanë, kurse veprat për të cilat bëhet fjalë, mbetet aty, dhe shpesh atyre u shumëfishohet vlera me kalimin e kohës. Unë jam takuar dhe kam qenë në shoqëri të njerëzve të njohur gjatë këtyre dyzet vjetëve në botën e lirë, por ç’rëndësi kanë ato takime dhe njohje, veç shfletosjes së librit të kujtimeve fotografike dhe të ditarëve vetjake. Sidoqoftë, jeta ime më e përmbushur me shurje etje e me përshtypje më të mira, ka qenë gjithmonë në shoqërinë e artistëve, sidomos në rrethet Pariziane.
Ju keni patur raste të takoheni me shumë personalitete në Europë dhe në SHBA-ës, keni pasur korrespondencë me presidentë dhe personalitete,a mund të thoni diçka më konkrete për kredencialet në këtë fushë? Ta zëmë kur i keni shkruar për herë të fundit presidentit Bush, ose kur ju ka shkruar për të fundit herë presidenti Clinton?
Unë kam jetuar mes një rrjeti të gjerë shokësh e miqsh koleksionerë e, artistë të njohur botërisht, si dhe me persona të një niveli të lartë të njerëzve të njohur për kontributin e tyre të shumanshëm në të mirën njerëzore. Çdo anëtar i atij rrjeti, ka reaguar ndryshe ndaj pikturës time, jo gjithmonë të favorshme: Willian F. Buckley, shkrimtar e personalitet amerikan i letrave, më uronte në një letër, pas korrespondencës që pati ai me Princess Grace of Monaco, për mua. “Ju përgëzoj” – më shkruante ai, – “për shpirtin tuaj galant dhe talentet e mëdha. Me përshtypjet më të mira të cilat ruajmë se bashku me gruan time, Si gjithmonë, William. Buckley, Jr.”
July 31, 1981.
Alex Daoud, Mayor of Miami Beach, Florida me shkruante: “Më ka bërë vërtet përshtypje pasuria e talentit dhe frymëzimit tuaj se Nënë Teresa është një udhëheqëse shpirtërore dhe burim dashuri e përkushtimi. Vepra juaj është bekuar me sukses…”! Sept 12, 1989.
“Kisha lexuar më parë në ‘DRITA’ poezinë tuaj, duke mbetur mjaft i prekur prej saj”, – me shkruante Gjon Sinishta i ‘Albanian Catholic Information Center’ in California, ne vitin 1986, “Piktura murale e Nënën Terezës që keni kompletuar, është lavdërueshme dhe do të kisha pasur vërtet dëshirë që t’ju kisha asistuar gjatë asaj pune”.
”Në jetën tuaj të re në Amerikë, interesi juaj për artin do të ketë një kuptim gjithnjë më të madh e më të plotë për ju”, – shkruante sekretarja personale e Presidentit L.B. Johnson nga Shtëpia e Bardhë, në 18 shtator 1967, kur ai mori portretin që bëra unë, i porositur nga Shtëpia Ndërkombëtare e Studentëve.
Presidenti Klinton u shpreh kështu në letrën e tij në lidhje me peizazhin e Krujës me valle Myzeqare, që unë i dërgova si urim të shpejtë, pas operacionit të tij të suksesshëm kardiak: “Mbështetja e njerëzve si ju, më kanë ndihmuar vërtet për të ri gjetur forcën. Është mirësi nga ana juaj, që keni menduar për mua dhe ju jam shumë mirënjohës për bujarinë tuaj. Gjithë të mirat për ju. Sinqerisht, Bill Clinton (nënshkruar).
“Nga informacioni që kemi marrë, ju meritoni lavdërime si për aftësinë ashtu edhe për vendosmërinë tuaj…”, – shkruante Robert Abrahams, sekretari i Wolf Memorial Foundation, 1968.
“Poezia m’u duk e bukur dhe emocionuese, po ashtu edhe pikturat tuaja…! Me pikturat, të cilat janë vërtet gjeniale dhe poezinë tuaj, që është po aq e mirë, do ta kujtojë gjithmonë takimin me një person kaq magjepsës…”, – shkruante poetesha amerikane, Jean Meer, në vitin 1970.
“Siç ka thënë një njeri i mençur: Atë çfarë kemi trashëguar nga të parët tanë, duhet ta fitojmë edhe njëherë vetë në mënyrë që ta meritojmë”, – më shkruante Senatori Hugh Scott i Pensilvanisë, në shtator, 1970.
“Zotëri, në cilësinë e laureatit të Medaljes së Argjend të Sallonit”, – me ftonte Societe des Artistes Francais, në Grand Palais des Cahmps-Elysees, në vitin 1977, dhe ne vitin 1980, e njëjta ftesë erdhi për Medaille d’Or, që m’u dha nga shoqata e Artistëve Francezë në Paris.
Në shtator 1991, Sokol Necaj, sekretari i Parë i Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së, me shkruante: “Po ju sqaroj shkurtimisht, ku qëndron gjendja në punën për realizonin e hapjes së ekspozitës tuaj…! I dërguam një letër zotit Havier Perez de Cuellar, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, për të ndihmuar që hapja e ekspozitës, të bëhej në selinë e organizatës botërore dhe ai të ishte organizator nderi, i kësaj veprimtarie”!
Ndërkohe, zoti Viktor Sharra, shefi i departamentit të jashtëm për Ministrin e Kulturës më shkruante në vitin 1991: “I dashur zoti Zois Shuttie, Jemi skajshmërisht të lumtur, që ju keni dëshirën dhe gatishmërinë për të ekspozuar punën tuaj në Shqipëri, në shtator…! Gjatë qëndrimit në Shqipëri, do të jeni mik i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe do të mbulojmë shpenzimet tuaja…”!
Ministri i Kulturës, Dhimitër Anagnosti, më shkruante në tetor 1992: “Sipas kërkesës së drejtuar Presidentit, Zotit Sali Berisha, ne mirëpresim punimet tuaja, dedikuar jetës dhe punës së palodhur të bijës shqiptare, Humanitares së mirënjohur në mbarë botën, NENËS TEREZE, për të hapur në vendin tonë një ekspozitë shëtitëse”!
Ministri i Kulturës, Teodor Laço, i shkruante në vitin 1995, Drejtorit të USAID, që nuk ekziston më: “Kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme dhe është planifikuar që të paraqitet fillimisht në Shqipëri e më pas, në disa vende të Europës. Përpjekjet e autorit për ta sjellë në Shqipëri,…kanë qenë të pasuksesshme, për shkak të vështirësive të transportimit,… përpjekje të mëtejshme kanë dështuar për të njëjtën arsye”!
Ç’emra të tjerë, ka në korrespondencën tuaj?
Kam marre vlerësime nga Ambasada Amerikane në Francë, nga Presidenca e Republikës Franceze, nga Kabineti i Presidentit të Senatit Kombëtar Francës; nga Ministrat Jean Tiberi, Pierre Bas dhe Olivier Guichard; nga Sekretarja Private e Mbretëreshës dhe të Princit Claus të Hollandës; nga Dhoma e Deputetëve të Brazilit; dhe nga Kongresmani Tom Lantos, pa përmendur këtu korrespondencën me poetë dhe artistë të arenës ndërkombëtare, miq si artistët shumë të njohur bashkëkohorë Eugene Ormandi, Corneille, Salvador Dali, William de Kooning, polaku-israelit Ardon, mjeshtri Will Barnet e të tjerë, shumë pak prej të cilëve janë ende mes nesh. Pa përmendur, gjithashtu, trofetë dhe çmimet e poezive nga Shoqata e Poetëve të Holliwood-it, dhe ftesa nga Drejtoresha e Artit, Vera Pinneira, e fondacionit Qyteti i Paqes në Brazil etj…!
Diçka nga vlerësimet e shtypit?
Gazetarja Christine Hamm, e gazetës ‘Monitor’ të Konkordit, shkruante në artikullin e sajë ‘Monumenti i një Ikone’: “Shuttie vetë është një imazh kaq gjenerik i një artisti, sa që edhe ai vetë mund të ikonë më vetë…! Shuttie ndryshon nga shumë artistë bashkëkohorë, me interesin e tij për të ekspozuar çnjerëzoren e njeriut ndaj njeriut…! Vërtet, vepra e Shuttie-t, filloi si një poezi…”!
“Galeria” Shutties, është jeta e Zoit, si do ta përcaktonit atë dhe ç’projekte keni për të ardhmen?
Jo, unë nuk e quaj studion time, galeri. Ky emër i përshtatet sot komercializmit. Unë studion time e quaj atelier, që do të thotë punishte, vend pune. Por muret e mia janë të mbuluar me kuadro. Po t’a kini parë operetën e famshme Ebraike; “Po të jem i pasur, ja-la-ja-la-ja-la-ja-la” do kisha blerë shtëpi të madhe me shumë dhoma dhe do t’a ktheja atë në muze privat, për t’ia lënë brezave të rinj. Por, meqenëse ato ëndrra pas shiut, unë do merrem me punën time, brenda atyre konditave.
Çfarë vendi zë Shqipëria në krijimtarinë tuaj, ku ju kaluat 26 vitet e fëmijërisë dhe rinisë tuaj të trishtë?
Në fillimin e zbulimit të ndjeshmërisë time në lidhje me artet figurative, pavarësisht nga niveli i tyre artistik, kuptohet që Shqipëria zë vendin e parë. Mua atje më mbinë fidanët e pjellorisë time artistike. Më vjen keq vetëm që tërë punët e mia, kryesisht peizazhet shqiptare, u zhdukën. Sidomos ato të Karavastasë e të Pishave të Divjakës, dhe ato të Liqejve të Lurës.
E çoni shpesh mendjen atje ku keni kaluar fëmijërinë dhe ç’vend zënë kujtimet e asaj kohe, shoqëria e asaj kohe, në krijimtarinë tuaj?
Edhe pse unë kam jetuar 45 vjet jashtë vendlindjes, duke iu përshtatur kulturave dhe gjuhëve të atyre vendeve ku kam jetuar, unë s’kam hequr kurrë nga mendja, asgjë nga ato që kujtesa ime ka ruajtur në vendet e veçanta të qenies time, gjatë kësaj periudhe katër dekadash. Kjo ishte arsyeja që unë nuk munda të krijoj familje, me ndonjë nga admirueset e mia, se doja që fëmijët e mi, të flisnin gjuhën e Nënës, më parë se çdo gjuhë tjetër! Memorie.al
(Ky shkrim u botua fillimisht në gazetën “Ylliria” në New York, në vitin 2004)
Vijon numrin e ardhshëm