Dashnor Kaloçi
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të marrëdhënieve të Shqipërisë komuniste me ish-Bashkimin Sovjetik në fushën ushtarake që nga viti 1955 kur Tirana zyrtare firmosi aderimin në Traktatin e Varshavës ku ishin edhe pjesa më e madhe e vendeve të Lindjes Komuniste, apo siç njiheshin ndryshe “Demokracitë popullore”. Dëshmitë e kolonelit Skënder Malindi, ish-Drejtor i Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, i cili rrëfen se si u zhvilluan marrëdhëniet në mes Bashkimit Sovjetik dhe vendit tonë asokohe, duke filluar nga furnizimi me armatime të të gjitha llojeve të armëve që sovjetikët sollën për ushtrinë shqiptare, (tanke, artileri, avionë, nëndetëse, lokacion, etj.), vizitat e delegacioneve ushtarake sovjetike në Shqipëri dhe atyre shqiptare në disa vende të Lindjes Komuniste ku zhvilloheshin stërvitje të përbashkëta, lëvizjet e fshehta të nëndetëseve ruse të Pashalimanit nëpër Mesdhe, e deri tek vizita sekrete e marshallit Zhukov në majën e malit të ishullit të Sazanit, ku ai pasi pa me dylbi të gjithë hapësirën ujore detare, i’u drejtua komandantit të Detit të Zi, admiralit Kudetcov që kishte aty pranë, duke i thënë…!
Marrja e ftesës për aderimin e Shqipërisë në paktin ushtarak të NATO-s, (Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut), në vitin 2009, gjë e cila me plot të drejtë asokohe dhe më pas gjatë gjithë këtyre viteve, është konsideruar si një ngjarje apo eveniment historik nga më të mëdhatë që ka pasur ndonjëherë vendi ynë, nuk përbën rastin e parë të futjes së Shqipërisë në pakte të tilla ushtarake. Ndonëse në rrethana dhe kushte politike e ushtarake krejt të ndryshme nga ato të të asaj kohe kur Shqipëria u pranua me të drejta të plota në Paktin e Atlantikut të Veriut, ashtu siç dihet tashmë nga historia, Shqipëria komuniste ka aderuar edhe në Traktatin e Varshavës. Nga i cili u largua ‘de facto’ në vitin 1961, kur u prishën dhe marrëdhëniet e ngushta e miqësia e madhe që ekzistonte asokohe në mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, ndërsa ‘de jure’ u largua vetëm në vitin 1968 kur Kremlini kreu agresionin ushtarak ndaj Çekosllovakisë. Po si u prit hyrja e Shqipërisë në Traktatin e Varshavës dhe si u konsiderua ajo gjë nga Tirana zyrtare e asaj kohe? Çfarë përfitoi apo humbi vendi ynë nga anëtarësimi në atë pakt ushtarak ku aderonin pjesa më e madhe e vendeve komuniste të Lindjes, apo siç njiheshin asokohe si “Demokracitë popullore”, dhe si u zhvilluan marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Traktatit të Varshavës? Lidhur me këto e të tjera ngjarje e fakte që kanë të bëjnë me atë periudhë të ‘Luftës së ftohtë’, na njeh intervista e kolonelit Skënder Malindi, ish-komandant çete në Qarkun e Skraparit gjatë viteve të Luftës (1939-1944), dhe më pas një nga ushtarakët madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes e Ushtrinë Shqiptare për vite me radhë, derisa u godit në vitin 1975, si pjesëtar i të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut në Ushtri”.
Zoti Malindi, pas aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Varshavës, a dërgoi vendi ynë trupa ushtarake në ndonjë stërvitje të përbashkët që bëhej atëherë në kuadrin e atij pakti?
Trupa ushtarake ne nuk kemi dërguar kurrë, por disa herë kemi shkuar grupe oficerësh madhorë për të marrë pjesë si vëzhgues në stërvitjet e mëdha që zhvilloheshin në Bashkimin Sovjetik në kuadrin e Traktatit të Varshavës. Një nga këto ka qenë edhe ajo e zhvilluar në vitin 1959 në zonën e Tbilisit në Kaukaz, ku bashkë me disa shtete anëtare të Traktatit të Varshavës, ishte ftuar edhe një delegacion nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, i cili kryesohej nga gjenerali Vaskë Gjino.
Kush ishte tjetër në përbërje të atij delegacioni?
Si anëtar të atij delegacioni ishin dhe: Muhamet Prodani (gjeneral, gjitharmësh), Sul Domi (kolonel për artilerinë), Petrit Çobani (kolonel për tanket), Dhori Gjoni (kolonel për kiminë), Skënder Malindi (kolonel, për përgatitjen luftarake) etj. Ajo stërvitje që u zhvillua për shtatë ditë me radhë diku pranë kufirit me Turqinë, ishte me temë: “Korparmata në mësymje” dhe drejtohej nga komandanti i qarkut ushtarak të Okrukut, gjeneral-armate, Galiski, heroi i Bashkimit Sovjetik, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte qenë gjeneral-armate. Gjatë konkluzioneve të stërvitjes, ai na kërkoi edhe neve që të thoshim vërejtjet tona dhe qeshi kur ne i thamë se nuk kishim vërejtje, pasi gjithçka kishte shkuar mirë. Ai vlerësoi delegacionin irakian që bëri vërejtje me vend për stërvitjen.
Po në stërvitje të tjera, kanë marrë pjesë ushtarakët shqiptarë?
Përveç kësaj stërvitjeje, ne ushtarakët shqiptarë kemi asistuar si vëzhgues edhe në një stërvitje tjetër të zhvilluar në Odesë në vitin 1958, ku si kryetar i delegacionit ishte Petrit Dume dhe anëtarë të tij: Dilaver Poçi, Et‘hem Gjinushi, Sulo Kozeli, Myslym Keta, Sul Domi, Skënder Malindi, Mendu Backa etj. Pra, gjithsej gjatë atyre viteve ne shqiptarët kemi asistuar në 2-3 stërvitje të Traktatit të Varshavës që zhvilloheshin në Bashkimin Sovjetik.
Po ushtarakë të lartë të Traktatit të Varshavës a vinin në Shqipëri për të ndjekur stërvitjet tona?
Përveç atyre tre a katër gjeneralëve që thashë më lart se erdhën te ne në vitin 1956 në Shkollën e Bashkuar ku na bënë leksione teorike, nga Traktati i Varshavës në vitin 1959 erdhën në Shqipëri edhe dhjetë gjeneralë të lartë sovjetikë nga të gjitha llojet e armëve, të cilët asistuan në një stërvitje të madhe që ne bëmë në jug të Shqipërisë. Një herë tjetër, diku aty nga viti 1959, erdhi në Shqipëri dhe drejtori operativ i Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, i cili mbante gradën e gjeneral-lejtnat. Bashkë me të ishte edhe një gjeneral rumun dhe një çek, të cilët morën pjesë në një stërvitje shtabi me harta që u zhvillua në tunelet e Petrelës.
Po pas prishjes me sovjetikët në vitin 1961, cilat ishin marrëdhëniet e Shqipërisë me Traktatin e Varshavës?
Edhe pas prishjes me sovjetikët, ata na konsideronin ne si pjesë e Traktatit të Varshavës dhe pavarësisht se ne nuk merrnim pjesë në asnjë mbledhje apo stërvitje, ata na dërgonin rregullisht ftesat. Kjo gjë vazhdoi deri në vitin 1968, kur sovjetikët u futën me tanke në Pragë dhe Shqipëria doli edhe ‘de jure’ nga ai pakt ushtarak.
Kolonel Malindi: “Gjeneral-armate, Shtemenko, na priti në zyrë Petrit Dumen dhe mua, e na sugjeroi të stërviteshim për bombën atomike…”
Gjatë karrierës së tij ushtarake si kuadër i lartë në ushtrinë shqiptare dhe Drejtor i Përgatitjes-Luftarake në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore në Tiranë, kolonel Skënder Malindi ka pasur rastin të merrte pjesë si vëzhgues edhe në disa stërvitje që zhvillonte Traktati i Varshavës në ish-Bashkimin Sovjetik. Në një nga këto stërvitje të zhvilluara në vitin 1958, ai ka takuar edhe vetë komandantin e Traktatit të Varshavës, gjeneral-armate, Shtermenkon. Lidhur me atë takim që do ta ëndërronte çdo ushtarak i karrierës, koloneli në pension, Skënder Malindi, tregonte: “Pasi asistuam për shtatë ditë me radhë në stërvitjen që u zhvillua në rajonin e qarkut ushtarak të Odesës, delegacioni ynë u kthye në Moskë. Gjatë atyre ditëve të qëndrimit tonë në kryeqytetin rus, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-lejtnant, Petrit Dume, më mori mua me vete në një takim që ai kishte planifikuar me komandantin e Traktatit të Varshavës, gjeneral-armate, Shtermenkon, i cili gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, kishte shërbyer si zv/shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe njëherësh si drejtor operativ i Ushtrisë së Kuqe. Gjatë asaj periudhe, ai i raportonte dy herë në ditë Stalinit për luftën që ata zhvillonin me forcat gjermane. Ai na priti i vetëm në zyrën e tij që ndodhej brenda selisë së Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, diku brenda qytetit të Moskës. Gjatë bisedës sonë që u zhvillua në rusisht, Shtermenko na pyeti për shumë gjëra që kishin lidhje me ushtrinë tonë. Pastaj ai na pyeti edhe nëse ne zhvillonim stërvitje imagjinare me bombën atomike dhe kur ne i thamë se e bënim atë gjë, ai na tha: “Te ju nuk kam qenë, por në Poloni e gjetkë, kudo ku kam shkuar, kam vënë re të gjitha hartat me rreth (shenja e bombës atomike). Dhe ata më thoshin se me një bombë atomike kishin nxjerrë jashtë luftimit një batalion. Kjo që më thoshin ata ishte qesharake, pasi gjatë Luftës së Dytë Botërore, një batalion ne e nxirrnim jashtë luftimit vetëm me një regjiment. Prandaj edhe ju shqiptarët, duhet të kini kujdes dhe të mos bini në gabimet e tyre që nuk kishin idenë se çfarë ishte bomba atomike. Ju duhet t‘i kushtoni një rëndësi të madhe stërvitjeve me bombën atomike, se ajo ka fuqi të madhe dhe është shkatërruese”, kujtonte Skënder Malindi sugjerimet e kreut të Traktatit të Varshavës, në bisedën e tyre që zgjati më shumë se 30 minuta.
Malindi: “Nëndetëset sovjetike në Pashaliman që kishin vetëm ekuipazh rus, lëviznin nëpër Mesdhe duke vëzhguar bazat e Nato-s”
Në dëshmitë e tij, koloneli në pension Skënder Malindi, na rrëfente duke hedhur dritë edhe për një fakt jo shumë të njohur, (si para viteve ‘90-të dhe më pas), që ka të bëjë me rolin e ushtarakëve sovjetikë në vendin tonë dhe bazën ushtarake detare të Pashalimanit, e cila ka qenë e njohur si një nga më të rëndësishmet që ka pasur në dispozicion Traktati i Varshavës në të gjithë Mesdheun. Lidhur me këtë, Malindi tregonte: “Në bazën e Pashalimanit, nga 12 nëndetëse që kishte gjithsej, në bazë të marrëveshjes që ne kishim me sovjetikët, 4 nëndetëse ishin me ekuipazh të përbashkët shqiptaro-sovjetik, kurse 8 të tjera ishin vetëm me ekuipazh sovjetik. Dhe po kështu, nisur nga ajo marrëveshje, 8 nëndetëset me ekuipazh rus, ishin të lira të lëviznin dhe të vepronin pa vënë në dijeni palën shqiptare. Nisur nga ky fakt, gjatë atyre viteve që sovjetikët qëndruan në atë bazë ushtarake, pasi furnizoheshin me ushqime, ujë dhe karburant, me 8 nëndetëset e tyre ata lëviznin jo vetëm brenda ujërave territoriale të hapësirës shqiptare, por për tre katër muaj rresht ata dilnin nëpër të gjithë detin Mesdhe. Qëllimi i tyre ishte të kontrollonin dhe survejonin të gjitha bazat ushtarake detare që kishte asokohe NATO në Mesdhe, si p.sh. ato në Taranto, La Speczia (ku kishte një bazë navale) Napoli etj. Madje, ato shkonin deri në afërsi të porteve të Tunizisë (në veriun e Afrikës), me të cilën në atë kohë sovjetikët kishin marrëdhënie miqësie shumë të mira. Nëndetëset ruse të bazës së Pashalimanit, i kryenin ato lëvizje në një fshehtësi mjaft të madhe dhe gjithçka mbahej në një sekret të plotë edhe nga ne ushtarakët e lartë shqiptarë. Kjo gjë ishte e kondicionuar edhe për vetë faktin se po të zbuloheshin nëndetëset sovjetike nga forcat e NATO-s, ato mund të goditeshin dhe bombardoheshin prej tyre. Duke parë rëndësinë e madhe që kishte Pashalimani për sovjetikët dhe Traktatin e Varshavës, marrshalli Zhukov kishte plane për t’a forcuar dhe më shumë atë bazë. Gjë të cilën na e shprehu deri diku edhe ne ushtarakëve shqiptarë që e shoqëruam gjatë vizitës që ai bëri në Sazan dhe Karaburun në vitin 1956”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016