Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dyzetetetë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Huazoni nga personazhet pozitivë ndonjë veçori me vlerë, ose bëni përpjekje ta përvetësoni? Apo ky ndërrim ka vlagë të përkohshme, avullohet pas mbarimit të shfaqjes, aktori dhe roli ndahen nga njëri tjetri, secili bënë jetën e tij”?
Një zbërthim kaq të hollësishëm, nuk e kam dëgjuar as nga kritikët e teatrit…”- tha im vëlla me vështrim drejt meje, për të më nxitur mua t’i ktheja përgjigje.
– “Ne të financës që merremi vetëm me numra, i kemi mendimet të përcaktuar e të kufizuar. Ndryshe jeni ju, aktorët, apo mësuesit e juristët, që keni fjalën parësore. Ndaj juve puna jonë u duket monotone dhe mjaft e bezdisshme, jo vetëm pse kryhet në heshtje të plotë e, me përqendrim të sforcuar, por sepse dhe neve vetë na shkakton dhimbje të përditshme koke, për shkak të procesit të punës, i cili fillon e mbaron me dorë!…Tani po i afrohemi shtëpisë së krushkut, dhe bëjmë mirë t’i ndërpresim muhabetet…! Po pate interes, e vazhdojmë kur të kthehemi…”, – shtoi Stavri kur kaluam urën e madhe të përroit.
– “Vërejtje e drejtë. Gjithë vëmendjen duhet t’ia kushtojmë ceremonisë. Përshëndetjen dhe shtrëngimin e duarve me krushqinë, do ta bëjmë sipas renditjes, që kemi përcaktuar në shtëpi: Në fillim ti me Retën. Pas tyre unë me Vefin. Pas meje i zoti i ceremonisë, që na mblodhi. Në fund mbajtësja e valixhes…”, – tha im vëlla. – Për prezantime s’ka nevojë, pasi na njohin dhe i njohim, jemi takuar dhe kemi biseduar.
Edhe pse isha zotuar të mos ndikohem nga emocionet e çastit, kur dy krushqitë do ndodhen përballë njëra tjetrës, (me që fatmirësisht të gjitha paqartësitë e mbetura pezull, morën rrugë të mbarë, u sheshuan kundërshtitë e ashpra, s’kishte rrezik se mund të shfaqet ndonjë e papritur e pakëndshme), nuk ia dola dot plotësisht në krye. Por nuk e qortova veten, pasi ky ngacmim i ndodh cilitdo kur kryhet ceremonia e fejesës. Rëndësi kishte ta mblidhja veten, duke patur parasysh që tërë vëmendja ngërthehet mbi çiftin.
Në oborr para shtëpisë, në të dy anët e rrugicës së shtruar me tulla të kuqe, prisnin të rreshtuar burrat dhe gratë: Në krahun e djathtë, dy vëllezërit Tusha, Gaqi me Zoin. Pas tyre baxhanaku im dhe djemtë e xha Gaqit. Në fund dy kunetërit, vëllezërit e Arqelinit, Kostaqi e Beniamini. Krahun e majtë e kryesonte xhaxhesha, bashkëshortja e xha Gaqit. Pas saj vinin e zonja e shtëpisë, nëna Ulë, dhe motra e saj simpatike nga babai, (të cilën vajzat dhe nuset e reja, e thërrisnin Teta Poja). Pas tyre dy motrat, Polikseni dhe e fejuara ime. Më tej kushërirat e para, vajzat bukuroshe të Sinjarëve.
Krejt e natyrshme që shikimet kureshtare të gjinisë femërore, qenë derdhur mbi portretin dhe paraqitjen time, duke dashur të bënin krahasime mes meje dhe të fejuarës. Ndoshta në këto minuta, vajzat në moshën e fejesës, pyesnin veten nëse do tregohen po kaq këmbëngulëse e kokëfortë për të dashurin e tyre, si kushërira Lika, sado simpatik e i pashëm të jetë ky, po të ndodhen në të njëjtat kushte të tmerrshme, me banesë në kasollen e lopës, dhe ai të punojë hamall? Por me siguri asnjëra s’i jep dot përgjigje kësaj pyetje, pasi ende nuk i kanë përjetuar ethet e dashurisë!
Dhe meqë nuk e njohin forcën e brendshme të kësaj ndjenje të fuqishme, e shohin çiftimin mes vajzës e djalit, si lidhje të natyrshme e të domosdoshme për vazhdimësinë e jetës e kusht parësor, për krijimin e familjes. Asnjëra prej tyre nuk di të shpjegojë, pse ndodh një shpërndarje kaq e padrejtë e kësaj ndjesie trullosëse, sidomos çfarë e pengon shumicën, për të shijuar pjalmin e dashurisë!
Prandaj natyra ka krijuar mundësinë për të mbushur boshllëkun e mungesës së aftësisë për të dashuruar, çiftimin burrë – grua, me shpjegimin se të dashuruarit dhe të martuarit, kur shtrihen në dyshek pranë njëri tjetrit, ndjejnë të njëjtën kënaqësi seksuale, pasi qejfin e shtratit s’ta jep as dashuria e, as forca shpirtërore, por organet gjenitale të mashkullit e femrës, zjarri i brendshëm epshor.
Kur u qasa fare pranë Arqelinit, për ta përqafuar e ngjesha kaq shumë pas trupit tim, sa ajo u drodh dhe fytyra iu bë e purpurt! Nëpërmjet vështrimit qortues, ajo m’u lut të mos e përsërit për herë të dytë këtë shtrëngim, “pasi gjendemi përpara provës më delikate, kur qimja bëhet tra, dhe të gjitha lëvizjet tona, shihen me lentë zmadhuese”! Unë e pranova vërejtjen e saj të heshtur, dhe vijova më tej ecjen.
Pas përshëndetjeve, krushqia dhe mikpritësit u futëm në kthinën e përgatitur enkas, e pajisur me të gjitha orenditë e mundshme të asaj kohe, dhe menjëherë u ulëm. (Vajzat dhe nuset e reja qëndruan në këmbë).
Xha Gaqi, në vend t’iu drejtohej krushqve me pyetjet e zakonshme të fillimit të çdo muhabeti, ia nisi këngës; “Edhe gurët e sokakut”, i shoqëruar nga djali i tij i madh, Thomai, dhe i pasuar nga vëllai im, Ilia. Pas tyre u dëgjuan zërat e gjinisë femërore: teta Poja, motra ime e madhe, Reta, motra e Arqilinit, Polikseni, dhe kori i vajzave Sinjare. Mjedisi u mbush me gjallëri festive.
Kur tingujt e këngës heshtën, për t’i thënë xha Gaqit; “Të lumtë goja”! – ky iu drejtua tim vëllai: – “Ta merrte mendja që një ditë do bëheshim krushq”?…
– “Prandaj thonë që bota është si portokall”, – ia ktheu im vëlla.
– “Kjo krushqia jonë ka diçka të veçantë, që ndryshon nga të tjerat, – vijoi më tej xha Gagi: – Se drejtimin dhe timonin këtë radhë, e mori që në fillim rinia”!
– “Pikërisht këtu qëndron bukuria e kësaj fejese”! – plotësoi im vëlla.
– “Ama na bënë për ujë të ftohtë”!… – ndërhyri Thomai.
– “Asnjërit prej nesh nuk ia merrte mendja, që çupa jonë më e bindur dhe e urtë, do kundërshtonte me kaq forcë propozimet tona”!…
– “Këto janë shenjat e para të dashurisë”, – tha im vëlla.
– “Kot nuk thonë që të dashuruarit janë të privilegjuar, sepse zgjedhjen dhe të ardhmen, e projektojnë vetë”.
– “Ama po t’i lësh azat, pa fre, nuk dihet ku e mbajnë frymën!..I riu si veriu! Po të mos frenohet nga pjekuria jonë revani i tyre, nuk dihet si përfundojnë”!… – theksoi xha Gaqi.
– “Dashuria, si dhunti, bën pjesë tek shanset e jetës të secilit. E vërteta është se dashuria, që ka lindur bashkë me njeriun, pranohet pas shumë kundërshtimeve e fërkimeve. Dhe të dy palët kanë të drejtë: edhe të dashuruarit, edhe prindërit e farefisi”.
– “Pas kësaj vërejtje të mençur, krushku Lili, të takon të marrësh një këngë…”- tha xha Gaqi, duke buzëqeshur.
– “Me gjithë qejf”! – ia ktheu im vëlla. Dhe në çast ia nisi: “Të rashë pas, moj të rashë pas…”!
Në sekondë vërshoi kori i vajzave, djemve, grave e burrave, që mbushi hapësirën e tërë shtëpisë. Vetëm ne të dy me Arqelinin, këndonim me vështrime të ndezura, pa i shkëputur sytë nga njeri tjetri, duke përjetuar çastin më fatlum, që i përkushtohej dashurisë tonë!…
Ndërkaq organizatorët e ceremonisë menduan se, pas këngës së dytë dhe shkëmbimit të fjalëve të para, erdhi koha e qerasjes së krushqve. Prandaj pas urimit “gaz paçim përherë”, u shfaqën vajzat simpatike të caktuara për këtë shërbim, me mbajtëset e mbushura plot në duar. Këto e nisën gostitjen nga burrat, sipas moshës. Vijuan me gratë. Pastaj kaluan tek mikpritëset. Në fund ndaluan para çiftit, me vështrime të qeshura.
Ngado dëgjoheshin urime: “Të trashëgohen, të trashëgohen”! Burrat trokitën gotat e rakisë, gratë gotat me liker. Pas trokitjes të gotave, erdhi çasti i glikove të qershisë, pjeshkës, mollës, fikut, portokallit, ftoit. Pastaj dolën llokumet me arra, simboli i bashkëjetesës së lumtur, që përdoret në të gjithë krahinat e Shqipërisë.
Pas përtypjes së llokumeve dhe urimeve, i erdhi radha ëmbëlsirave, bakllavasë e pandespanjës, (të gatuara nën kujdesin e teta Pojës). Ndërkaq mbajtëset e gotave me shurup trëndafili e portokalli, prisnin në gatishmëri, duke e ditur që duhen lëngje për të tretur sherbetin e trashë.
Kur rëndimi i stomakut dha shenjat e veljes, nisën bashkëbisedimet në grupe. Thomai gjeti rastin t’i shfaqte përshtypjen e tij tim vëllai se, pas ikjes nga Lushnja të djemve e vajzave të talentuara, u zbeh ndjeshëm aktiviteti artistik i Shtëpisë së Kulturës!…
– “Atëhere, në kohën tuaj, gumëzhinte tërë qyteti nga gjallëria! Kishte larmi shumë të pasur veprimtarie. Orën gazmore e prisnin të gjithë me kënaqësi e padurim, pasi thumbonte të metat e shoqërisë. Mbushej sheshi plot e përplot për të parë e dëgjuar koncertet me këngë dhe valle. Jepeshin shfaqje teatri! Të gjitha këto e ushqenin dhe e ripërtërinin shpirtin tonë. Gjithë rinia vërshonte në Shtëpinë e Kulturës. Kurse sot ka një plogështi dhe monotoni të mërzitshme. Sepse pas largimit të ajkës së talenteve, vetvetiu u krijua një boshllëk, që filloi të mbushet me injorancën, katundarë!….
– “Arti, ndryshe nga punët e tjera, nuk bëhet me komandë e me një të rënë të shkopit magjik. Arti kërkon pasion, përkushtim, vullnet, këmbëngulje, sakrifica! Kur këto mungojnë, arti shteron, vyshket si pema me degë të thara”!…- ia ktheu im vëlla.
– “Atëhere edhe punohej, argëtoheshim”! – vijoi më tej mendimin e tij Thomai. Ndërkohë xha Gaqi qe kthyer me trup nga shefi i llogarisë së bankës, Stavri, dhe po e pyeste, ç’kushte duhet të plotësojë klienti për të marrë kredi.
– “Së pari duhet garancia e një pasurie, si zotim ligjor, se ke mundësi ta kthesh kredinë, bashkë me përqindjen. Për rastin tuaj, kjo ka mundësi pasi keni një pronësi toke me ullinj në kodër. Si kusht tjetër i domosdoshëm, është që shuma e kredisë, nuk duhet të jetë më e madhe se vlera e tokës, – theksoi ai. – Kredi u jepet edhe atyre që i kap plani, kur u prishet shtëpia. Format si jepet përcaktohen me ligj, nga ministria e Financës”.
– “Për këtë të fundit, dua një shpjegim, pasi jam i paqartë dhe më duket mjaft e turbullt… – u fut në muhabet xhaxhi, babai i Arqelinit. – Ju e dini që ne kemi patur një shtëpi të madhe me shumë dhoma pranë përroit, ku janë strehuar vazhdimisht qiraxhinj. Sipas planit rregullues të qytetit, kjo shtëpi u shemb. Por shteti nuk na dha asnjë lek. Për këtë shtëpi, ku banojmë, paguajmë çdo muaj qera! Nuk e marr vesh pse duhet paguar qera për shtëpinë tënde”!…
– “Në të vërtetë, kjo banesë do bëhet prona juaj vetëm pasi të shlyhet tërë shuma e caktuar, e ndarë në këste mujore. Vetëm atëhere kthehet nga pronë shtetërore në pronë private, – theksoi Stavri. – Te gjitha këto banesa një katëshe të ndërtuara këtu, jepen me qera deri në çastin që shlyejnë vlerën e kostos. Kur shlyhet kjo shumë, kalohet në pronësi…”!
– “Këtë e kam të qartë. Por nuk kuptoj pse nuk më dëmshpërbleu shteti, për prishjen e shtëpisë…”- tha i dëshpëruar vjehrri.
– “Kjo çështje, nuk i përket as ministrisë së Financës e, as bankës, por vetëm gjykatës”.
– “Domethënë duhet të hedh në gjyq shtetin?…. pyeti i habitur xhaxhi. – Cili burrë deri sot, e ka fituar davanë me shtetin, që ta fitoj unë”?!…
– “Këtu qëndron meseleja…”, – ia priti vëllai i madh.
– “Shteti ka gjetur këtë zgjidhje lehtësuese, qe nuk i jepet çdo kreditori, por vetëm kategorisë të shpronësuarve”, – plotësoi Stavri sqarimin e tij.
– “Qiraxhinjtë e zakonshëm edhe pse paguajnë rregullisht qiranë mujore, nuk e kanë të drejtën e pronësisë, si ju. Ky është ndryshimi”.
Vura re që vjehrra ime, i bëri shenjë të shoqit t’i vinte kapak këtij muhabeti të pakëndshëm, pasi nuk ishin as koha e as vendi. Dhe ai iu bind. Ndërkaq teta Poja me kunatën time, Vefin, risillnin ndërmend kujtimet e viteve të shkuara, kur punonin në punishten e shtetit: vinin këtu pa zbardhur drita e mëngjesit dhe punonin me orë të zgjatura, pa pushuar asnjë minut, duke qëndruar vazhdimisht në këmbë,sa u binte gjaku tek gishtërinjtë e u fryheshin damarët!
Ngarkesa tejet të sforcuar, (sikur do t’iu hapeshin shpatullat nga lëvizjet e vrullshme të krahëve, gjatë rrotullimit në ajër të brumit, forma e vetme për të bërë dhjetë, deri njëzet pesë njëherësh), u shkaktonte dhimbje kurrizi e këputje trupore. Këtë sforcim e përballonin, vetëm duke shkëmbyer shaka mes njëra tjetrës, që t’i jepnin kurajë e zemër vetes për të plotësuar normën. Përndryshe jo vetëm u mbahej paga, por nuk i linin të qeta as thumbimet e bodecit të kritikave. Ndaj bënin të pamundurën, të përmendeshin në tabelën e nderit, si punëtore të dalluara!…
Motra ime e madhe, Reta, i shprehte nënës Ulë, ankesat e saj, sa të vështirë e ka gruaja e martuar të lindi dhe rriti katër djem, duke qenë në marrëdhënie pune me shtetin, sidomos kur je me tre turne dhe përmbush një detyrë tepër e vështirë, si centraliste, e cila gjatë tetë orëve, nuk pushon asnjë minutë së dhëni përgjigje, sa kur qaset koha e ndërrimit të turnit, i duket sikur mushkëritë vazhdojnë të ziejnë nga të folurit e pandërprerë dhe koka vazhdon të gumëzhijë si koshere bletësh!…
Xha Gaqi, si qejfli i këngës, filloi të ndjejë bezdi nga monotonia e zgjatur e bashkëbisedimit në grupe. Prandaj vendosi ta thyejë në çast plogështinë, që mjedisi të mbushej me tinguj gazmorë. Pa iu drejtuar askujt filloi të këndojë; “Në një të kollozhekut…”! Dhe djali i madh, Thomai, si gjithnjë i gatshëm, bashkë me të shoqen, Silën, e shoqëruan tërë kënaqësi babain. Shumë shpejt këtyre iu bashkëngjit kori gazmor i Sinjarve, me gjithë pjesëmarrësit e tjerë.
– “E dini që pjesën më të shumtë të jetës time, e kam kaluar duke kënduar”! – tha xha Gaqi pas mbarimit të këngës dhe vërshimit të urimit: “Të lumtë goja, Baba”. – “Duhet t’ia dini për falenderim kësaj dëshire të përhershme, që gëzoni shëndet të plotë”!… – ia ktheu me buzëqeshje im vëlla.
– “Edhe rrugës kur eci, këndoj me zë të ulët. Kam një ngacmim të brendshëm, këngët më vijnë vetë në mendje. Nuk më bëhet fare vonë, pse thuhet nga disa që, kush ka qejf të këndojë shumë, s’para e vret mendjen për hallet e tjera të kësaj bote…”- shtoi xha Gaqi me një ndjenjë të hapur shpërfillje e kënaqësie, për t’iu treguar të tjerëve,” se i pëlqen vetja kësisoj. – Im vëlla, Zoi, rrallë e për mall këndon. Mendja e tij punon orë e çast tek magazina…”- qeshi ai.
– “Edhe vëllai im i vogël, Sokrati, nuk ka nxitje të brendshme për të kënduar solo. Pasi truri i tij i mbushur me formula dhe fantazi, ka prirje më të zgjeruar, se ajo e një këngëtari…”- tha im vëlla.
– “Secili ka një prirje të caktuar, që synon ta përmbushë. Këtu nis dhe ndryshimi mes nesh…”– shtoi me vështrim në drejtimin tonë, që pëshpëritnim krejt të shpërqendruar, sepse s’na interesonte çfarë bisedonin të tjerët.
Vetëm kur u përmend emri im, ktheva shikimin andej për të parë mos im vëlla kishte diçka për të më thënë, meqë po qasej fundi ceremonisë, dhe ky më tërhiqte vërejtjen, të tregohesha më i vëmendshëm ndaj bashkëbisedimit të tyre, në shenjë respekti. Por kjo hamendje nuk zgjati më shumë se një sekondë, pasi ai ia nisi këngës; “A kanë ujë ato burime, ti moj buzë karafilja ime”, – duke e ditur që babai atë çast, po matej t’i thoshte:
“Krushk, e ke ti radhën”! Të gjithë sa ndodheshin brenda kthinës, në korridor dhe jashtë në oborr, formuan një kor të fuqishëm, që u dëgjua në tërë lagjen. Brenda pak minutave përtej oborrit, u mblodhën shumë fëmijë kureshtarë, për të parë e dëgjuar. Këta mezi po e prisnin çastin të dilte jashtë nusja e veshur me të bardha, që të shpërndante karamele.
Stavri i pari e ndjeu se erdhi koha e përshtatshme, dhe kërkoi leje nga dy vëllezërit Tusha, që; “krushqia të largohet nga kjo shtëpi mikpritëse, ku u krye ceremonia e fejesës së vajzës tuaj, me djalin tonë, me bekimin e të dy palëve”.
– “Ju sigurisht do vazhdoni më tej gëzimin e kësaj ngjarje të shënuar, ashtu si dhe ne andej, ku na presin me pa durim, nëna me gjyshen, që ka ardhur nga Berati. Traditat dhe zakonet do t’i përmbushim deri në fund. Çifti të trashëgohet, me jetë të lumtur”!
Pas këtyre fjalëve të gjithë u ngritën në këmbë. Mikpritësit dolën të parët në oborr, dhe u rreshtuan në të dy anët e rrugicës të shtruar me tulla të kuqe, por tani me kahe të kundërt. Pas tyre zbritëm dhe në shkallët e platformës së jashtme.
E zonja e shtëpisë, nëna Ulë, gjeti rastin e përshtatshëm të bënte ftesën me zë të lartë për dhëndrin, që ky të marrë pjesë në drekën e tyre. Pikërisht në këtë çast, im vëlla i shprehu vjehrrës time falënderimin e gjithë familjes Shyti, për mikpritjen e mrekullueshme të kësaj ceremonie gazmore, që lidhi e bashkoi dy zemra me dashuri të përjetshme, dhe krijoi këtë miqësi të përhershme.
– “Unë nuk po takohem me ju, sepse do rikthehem pasi të përcjell njerëzit e mi të dashur në shtëpi, dhe të puth duart e nënës e gjyshes, e cila ka ardhur enkas nga Berati, të gëzojë me ne fejesën e nipit…”, – iu drejtova nënës Ulë, kur përfunduan urimet, përqafimet, dhe shtrëngimet e duarve.
Ne me Arqelinin dolëm të fundit nga porta e oborrit, të kapur për krahu: do më shoqëronte deri tek rruga, për t’i treguar kureshtarëve, se tashmë ishim të fejuar publikisht, nuk na pengonte druajtja mos na përgjojnë shikimet tinëzare. Ndjeheshim të lirë, si zogjtë që dalin nga kafazi, sepse nuk na mbante më të ndrydhur koraca e tmerrshme e izolimit. Ishim krenarë dhe të lumtur për këtë arritje të mrekullueshme! Do dëshironim që në këtë çast madhor, të gjendej pranë nesh personazhi kryesor, bamirësi ynë, katalizatori i këtij çiftimi, pa të cilin kjo fejesë do mbetej vetëm vegim i një ëndrre me fillim të vrullshëm, e qerthulluar nga një tymnajë brejtjesh e vuajtjesh pambarim, një kërkesë e pashtershme drithëruese, që mund të shkaktonte viktima e të shndërrohej në tragjedi!…
Prandaj duke ecur puqur e ngjeshur pranë njeri tjetrit, në fund të grupit, pa i shkëputur asnjë sekondë vështrimet e lumtura nga sytë e njëri tjetrit, na dukej sikur përjetonim një mirazh të bukur imagjinar, të tejmbushur me dashuri tokësore e hyjnore! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016