Nga Kujtim Boriçi
Pjesa e tretë
Memorie.al / Dëshira për të qenë sa më shpejt në Tiranë, për të parë ekipin e futbollit “Dinamo“ dhe të njohurin Haxhi Ballgjini, bën që në dimrin e ashpër të vitit 1980, dhjetëra rezervistë të inkuadruar në Brigadën e Parë (pasuese e njësisë të njohur në luftë), shumica punonjës të Radio-Televizionit Shqiptar, të braktisin pa realizuar detyrën luftarake. Nga ky shpartallim, që ndodhi 100 km larg Tiranës, shënohet edhe një viktimë. Por përballë një situate të tillë, ndër më të rrallat në njësitë e Ushtrisë Shqiptare në atë kohë, vdekja e një rezervisti, sikur mbetet në “hije“, përballë këmbënguljes së Enverit e Mehmetit, për të nxjerrë shkaqet dhe ndëshkuar fajtorët.
“Biza-1980”, Ngjarje e rëndë dhe e rrallë për ushtrinë!
Siç pohon në kujtimet e tij Veli Llakaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të parët ndëshkohen disa rezervistë, punonjës të Televizionit, ku për dy prej tyre, propozohet heqja e titullit të oficerit rezervist e, për disa të tjerëve, i rekomandohet institucionit që t’i heqë nga puna. Ndërsa titullarët e Grupimit të Tiranës (komandant, komisar, sekretar partie) dhe ata të Brigadës, shkarkohen nga detyra. Pa ndëshkim, nuk mbeten edhe Veli Llakaj e Maliq Sadushi, dy zv/ministrat, që paralajmërohen për shkarkime nga detyra.
Njëkohësisht, sipas shënimeve të Llakajt, në analizën e shpartallimit të Brigadës së Parë gjatë marshimit, bërë në Këshillin e Mbrojtjes, dalin në pah edhe përplasjet apo kritika e Enverit ndaj Mehmetit, gjë që në praktikën e kohës, nuk kishte ndodhur të shfaqeshin në publik.
Shpartallimi i Brigadës së Parë…!
“Bashkë me disa ushtarakë, në një përvjetor të çlirimit të atdheut, kujtoj se i vajtëm për vizitë Mehmet Shehut. I thamë se vizita jonë nuk lidhet me të qenit tuaj si kryeministër i vendit, por me faktin se, keni qenë komandant i Brigadës së Parë Sulmuese, të krijuar në Vithkuq të Korçës e, që ka dhënë një kontribut të madh në çlirimin e Shqipërisë nga okupatori. Mehmeti u gëzua tej mase, na priti siç dinte të priste ai, e në fund, në formën e një dëshire të brendshme, na tha: “A nuk do të bëni një stërvitje e marshim, në rrugën që bëri Brigada e Parë gjatë Luftës Nacional-çlirimtare”!
I premtuam se po. E në të vërtetë, kjo njësi ushtarake, me një të kaluar të lavdishme, komandant i së cilës kam qenë edhe unë disa vite para se të bëhesha shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ka një historik treguesish të rëndësishëm, në gatishmëri e mbrojtje, nga breza të tërë ushtarakësh. Pra, ka bërë shumë stërvitje dhe marshime, ku ka spikatur aftësia e komandës, shtabit e trupës, por në njërën prej tyre, atë “Biza-80”, për shkaqe që do t’i rendis më poshtë, ajo nuk e realizoi detyrën. Diku mes Okshtunit të Dibrës dhe Martaneshit të Matit, disa nënreparte të saj, u shpartalluan, e në ikje për të parë sa më shpejt një ndeshje futbolli në Tiranë, pati edhe kosto në jetë njerëzish. Kjo do të sillte analiza të shumta, ndëshkime për drejtuesit e Brigadës, por ku nuk do të shpëtonim edhe unë si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Maliq Sadushi, si zv/ministër, që mbulonte stërvitjen.
Ç’ndodhi atë dimër të egër?
Stërvitja e Brigadës së Parë, ishte planifikuar si njësi rezervë e Komandës së Përgjithshme dhe një nga detyrat e saj, e kishte në drejtimin e Steblevës, zonë kufitare me ish-Jugosllavinë, që ishte një nga drejtimet e rëndësishme, të një sulmi eventual të armikut në atë drejtim. Prandaj edhe kjo stërvitje, ishte parashikuar në këtë rajon, por marshimi do të bëhej, ashtu siç u bë dhe një vit më pas, pra i inkuadruar në stërvitjen; “Shebeniku 80”.
Lëvizja e trupave, ishte; Tiranë-Qafë Priskë- Fushë Bizë, me përqendrimin në Qafën e Pervallit. Ndërsa detyrën për kundërsulm, e kishte Mali i Zylit, në drejtim të Malit Kallkan, ku është dhe kufiri shtetëror. Koha nuk ishte e keqe, por u përkeqësua nga dëbora e shumtë, që ra gjatë marshimit. Masat që ishin marrë, parashikonin kryerjen me sukses të kësaj stërvitjeje. Drejtimi i saj, bëhej direkt nga komanda e Shtabi i Korpusit dhe pjesëmarrjen direkte të komandantit, Bejto Isufi.
Njëkohësisht, për përgatitjen dhe kurorëzimin me sukses të kësaj stërvitjeje, u ngarkuan një sasi kuadrosh të Shtabit të Përgjithshëm, përkatësisht të Drejtorisë Operative dhe të Stërvitjes. Përveç dëborës, temperaturat ishin tepër të ulëta, gjë që kërkonte masa të forta e, tepër të kujdesshme, që ushtarët të mos ngrinin nga të ftohtit. Rajoni i stërvitjes ku ishin përqendruar forcat, kishin lëndët drusore të bollshme, dhe nuk bëhej kiameti, po të merrnin (dhe në fakt ata dogjën një sasi dru të stivosura), për të cilat pati dhe kontestime, nga ata që i kishin përgatitur. Kjo sasi drush të djegura, më pas do paguhej nga ushtria.
Në kohën e kalimit në sulm, pati mjaft defekte, pasi disa ushtarë, sidomos dembelhanët, ishin fshehur e nuk dilnin nga vendet, ku kishin ndezur zjarre, kurse një pjesë ishin me këmbë të vrara dhe të fryra nga të ftohtit. Kjo stërvitje në përgjithësi u realizua, por sigurisht, në këto kushte edhe me mangësi. Pas përfundimit të saj, u dha urdhri që kthimi i Brigadës, do të bëhej andej nga erdhi, ndonëse pati propozime, që ajo të kthehej edhe nga Librazhdi, me tren. Por për këtë, unë e kundërshtova, duke thënë që ajo të kthehej në Tiranë, andej nga ishte miratuar metodika. Po sipas planëzimit, gjatë kthimit, Brigada duhej të pushonte në Bizë, në fushime tepër të përshtatshme, të Dedashmentit të Zbulimit.
Shumëkush nga rezervistët, ishin të prirë të mos pushonin, por të udhëtonin tërë natën edhe në ato kushte tepër të vështira. Qëllimi ishte që të nesërmen, ata të shikoni një ndeshje futbolli, ku Ballgjini, ish-futbollist i njohur i “Dinamos“, ishte në formën e tij më të mirë dhe kishte shumë tifozë. Për këtë shkak, shumë prej tyre u shkëputën, humbën drejtimin dhe u çoroditën. Pati edhe një viktimë, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në asnjë njësi dhe në as një kohë, sa do e vështirë që të ketë qenë.
Ndëshkimet
Brigada, me vështirësi dhe deri diku jo sipas rregullave, e bëri marshimin e kthimit, gjë që është e dënueshme, një veprim i tillë për ushtrinë. Për këtë u lajmërua ministri Mbrojtjes, Mehmet Shehu. Ai informoi Komitetin Qendror të PPSh-së dhe Enver Hoxhën. Mua në këtë situate, më komunikoi urdhrin që të nesërmen; i gjithë efektivi i Brigadës të mblidhej në Yzberish. Kështu u bë. Në këto konkluzione, do të fliste vetë Mehmet Shehu, e ne parashikonim “furtunën”. Pasi Brigada ishte rreshtuar, komandanti i Brigadës, Halim Abazi, i paraqiti forcën ministrit Mehmet Shehu, i cili, pas një pauze të shkurtër, tha: “Heshtje varri, pse nuk flisni?! Unë sot, nuk do t’u flas si ministër, por si komandant i Brigadës së Parë, gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”! Më pas, vazhdoi të flasë jo vetëm për luftën në Shqipëri, por edhe për luftën e Spanjës. Si masë e parë, në prezencë dhe të Mehmetit, u propozua që tre oficerëve rezervistë, t’u hiqet titulli i oficerit dhe dy veta, të shikohen nga qendrat e punës, që nëse duhet të jenë në ato vende pune, apo jo. Bëhej fjalë kryesisht për ata që punonin në Radio-Televizion, pasi këta punonjës, bënin një pjesë të mirë të efektivit të Brigadës së Parë.
Enver Hoxha: “Pse u shpartallua Brigada e Parë”?!
Nuk kishte përfunduar këtu analiza dhe as përgjegjësitë. Pas disa ditësh, u bënë konkluzionet në Këshillin e Mbrojtjes, ku përveç anëtarëve të tij, merrnin pjesë dhe zëvendësministrat e Mbrojtjes. Enveri, ishte tepër i nervozuar dhe e hapi këtë mbledhje po me nervozizëm, duke na thënë: “Ju kemi thirrur në këtë takim të na raportoni zë për zë, pse kjo Brigadë që e keni mburrur kaq shumë, është shpartalluar, gjithashtu dua të më propozoni dhe masat përkatëse”. Fjalën i pari, e mora unë, si shef i Shtabit të Përgjithshëm, por dhe si anëtar i Këshillit të Mbrojtjes.
Materialin e lexova, sigurisht duke evidentuar edhe masat paraprake që kishim marrë rreth mangësive, si dhe masat që duhej të merreshin, për ndreqjen e tyre në të ardhmen. Pas meje, fjalën e mori zëvendësministri, që mbulonte stërvitjen, shoku Maliq Sadushi. Edhe ai filloi të lexonte diskutimin, por Enver Hoxha nuk e lejoi. I nervozuar, iu drejtua: “Atë material dorëzojeni aty dhe na fol pa kartë”. Sa tentoi Maliqi të nisë, Enveri përsëri e ndërpreu, duke i thënë: “Më thuaj pse Bejto Isufi, ka kërkuar që Brigada e Parë, të kompletohet nga fshati e jo nga qyteti!”. Maliqi, iu përgjigj me një farë nervozizmi, duke i thënë se: “Unë s’e di, çfarë ka thënë apo çfarë ka në kokë Bejto Isufi”. Enveri përsëri ndërhyn dhe i thotë: “Ai ka mendimin e gabuar dhe ka kopjuar Beqir Ballukun, në teorinë e rrëshqitjes, prandaj ai menjëherë duhet të çmobilizohet nga ushtria”!
Situata u bë e ashpër. Mehmeti ngrihet dhe i thotë: “Shoku Enver, Bejtua është një komandant i mirë, i përkushtuar, punëtor dhe unë, nuk kam mendimin se ai ka kopjuar Beqir Ballukun, prandaj, na e lër neve në dorë këtë punë, ta gjykojmë dhe ta lëmë akoma në Ushtri, se edhe pak kohë ka, e del në pension”. Ndërhyn Enveri, kundër Mehmetit dhe i thotë: “Ju, shoku Mehmet, keni bërë gabim, që keni folur në Brigadë, jo si ministër, por si komandant i Brigadës së Parë të luftës. Ky qëndrim e veprim nuk është i drejtë”! Në fund, Këshilli i Mbrojtjes vendosi: Komandanti, komisari e sekretari i Grupimit të Tiranës, të shkarkohen nga detyrat, ndërsa shokët; Veli Llakaj e Maliq Sadushi, të marrin nga një vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra. Me kaq kjo mbledhje dhe kjo histori u mbyll.
Ja pse i kërkova Mehmetit, të më shkarkonte si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë!
Mehmeti, nuk të bënte për burrë! Aftësitë profesionale, këmbëngulja në punë, kërkesa e llogarisë për vartësit, ishin njëra anë e karakterit të Mehmet Shehut, numrit 2 të shtetit shqiptar në diktaturë, ndërkohë që gjaknxehtësia, shpesh deri në ekstrem, rreptësia në komunikim nga ana e tij, i bënte vartësit të dridheshin, kur përballeshin me të. Veli Llakaj, bashkëpunëtori më i afërt i tij, në Ministrinë e Mbrojtjes, gjatë kohës që Mehmeti drejtoi këtë dikaster, mes të tjerave tregon edhe një detaj interesant, ku i ndodhur përballë gjaknxehtësisë së Mehmetit, kritikave të ashpra deri në ekstrem, i kërkon që të firmosë propozimin për shkarkimin e tij nga shef i Shtatmadhorisë.
Por Mehmet Shehu, që bënte të dridhej kushdo që përballej me të, siç shkruan Llakaj, ishte një njeri që të kërkonte dhe të falur. Gjithashtu, sipas Llakajt, i rrepti dhe nursëzi, Mehmet Shehu, ishte dhe një njeri tepër dashamirës, mikpritës dhe i dashur. Figura e Shehut, sipas autorit Llakaj, ndonëse ishte komplekse, në tërësi, ai ishte një person i pajisur me të gjitha cilësitë e një drejtuesi shteti. Por, pikërisht atë shtet diktatorial, që dhe vetë Mehmet Shehu, në krah të Enver Hoxhës, ka meritën e ndërtimit të tij, shumë vonë do ta detyronte të bënte vetëvrasjen.
Një përplasje me Mehmet Shehun
Në një mbledhje kolegjiumi, pata një përplasje të ashpër me Mehmet Shehun. Diskutohej problem i disiplinës në shkallë ushtrie. Nga korpusi i Pukës, prej disa ditësh, ishte larguar pa leje një ushtar. Në diskutim e sipër, Mehmeti më drejtohet mua: “Po ju, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, çfarë përgjegjësie mbani dhe çfarë mase propozon të merren për ty”! U çudita për këtë vërsulje të tillë, por me kujdes i them: “Unë nuk ndjej asnjë përgjegjësi, mbasi ushtari ka komandant toge, kompanie, batalioni, brigade, korpusi, drejtori përkatëse e në fund, kur të marrin të gjithë këta masa, atëherë vjen masa ime”! Shikoj nga shokët, por edhe ata, sidomos Maliqi, Llambi e Menduj, tregonin shenja shqetësimi…!
Mehmeti me atë “egërsinë” e tij më drejtohet: ”Unë të shkarkoj të… të… etj!”. U ndez debati. Në kulmin e acarimit, Mehmeti më thotë: ”Dil jashtë e largohu”! Nuk desha, por nuk mund të bënim skandal. U largova e shkova në zyrë. Kuptohet, teje i mërzitur. Mbas mbledhjes, vijnë në zyrë me radhë, Maliqi e Llambi. Pas tyre, vjen në zyrë Mehmeti, e më thotë: “U mërzite, por këto punë kështu e kanë. Unë po nuk të bërtita ty, kujt mund t’i bërtas, pastaj edhe gabojmë se, helbete, nerva kemi edhe ne, pastaj ngarkesa, kërkesa, goditjet e kritikat etj”! Nuk e dhashë veten, por i thashë: “Propozo largimin tim, se nuk mund të vazhdoj më gjatë në këtë detyrë, me këto të bërtitura sikur jam fëmijë kopshti”! Dhe ai iku i mërzitur. Në mbrëmje, rreth orës 22.00, më merr në telefon dhe më pyet, po thuaj, për asgjë…?!
Një vizitë e Mehmetit, në familjen time…!
Të nesërmen, nuk erdhi në ministri, por as në telefon nuk mori. Mbas dite, aty nga ora 19.00, më merr Ali Çenua në telefon dhe më thotë, të shkoj në shtëpi, se do të vijë për një kafe, shoku Mehmet me shoqen Fiqrete. Shkova. I prita tamam si mik, por aty kisha edhe babanë. Kur u takuan, u përshëndetën tepër shoqërisht. Babait i tha se unë, (Mehmeti), nuk e dija që ju ishit këtu. Unë kam ardhur se sot, e kam ofenduar Veliun dhe bashkërisht me Fiqretin, thamë të vijmë për të kërkuar falje…! Babai i thotë Mehmetit: “Asgjë, mos u bëjë pishman, por këtyre derrave edhe me pëllëmbë t’i qëllosh, mirë u bën, se për të mirën e tyre u flet”! Sa e dhimbshme mbeti kjo mbresë për mua.
Mehmeti: “Kush nuk ka respekt për gjuhën, nuk e do popullin e vet”!
Kur përgatisnim planin operativ, shkrova për rezervat shtetërore, që duhej të planifikoheshin për Jugun, të ishin në Povël. Shënimet ishin me shkrim dore, por unë zakonisht ë-në e bëjë pa pika lart, po vetëm një pike, në formën e apostrofit. Ai e kishte lexuar dhe aprovuar atë vend, por mbas 2-3 ditësh, vjen në ministri dhe, si zakonisht, ato copa letrash i ruante. Më thërret në zyrë dhe më thotë: “Nuk e kuptoj se çfarë më ke shkruar këtu, nuk e kuptoj ku është ky vend”?! U çudita, si është e mundur që, ky nuk di ku është Povëla. E lexoj dhe i them: “Ja ku është, në Povël. “Lexoje, lexoje! – më thotë. Më pas më pyet: ”Sa pika ka ë-ja”? “Dy!” – i them, sikur të isha nxënës. “Po ju, pse i keni vënë një”? – më drejtohet ai. I përgjigjem: “Unë, shoku Mehmet, shyqyr që i paskam vënë një, se nuk i vë fare”! Atëherë Mehmeti, ma merr letrën dhe shkruan: “Ai që nuk ka respekt për gjuhën, nuk ka respekt për partinë, popullin e atdheun. Mehmet Ismail Shehu”.
Në fund, duke ma zgjatur, thotë: “Merre, e ruaje deri në varr, këtë”! Pra, ai nuk të falte as në të shkruar. Sa e sa raste të tilla, kemi pasur me Mehmet Shehun, ne si zëvendës të tij. Shpesh ne, por kryesisht shoku Llambi Gegpriti, si më i riu dhe më shakaxhiu, imitonte Mehmetin, me atë zërin e tij të “rëndë”, kur na jepte detyra, apo na kërkonte llogari, për ndonjë veprim që nuk kishim bërë mirë. Këtë marifet, pra imitimin e Mehmetit në telefon, Llambi na e kishte bërë disa herë dhe ne e kishim marrë për të vërtetë, se ishte Mehmeti dhe i raportonim një e për një. Mirëpo kjo na u bë si ujku i Zylfos. Një ditë, Mehmeti më merr në telefon dhe i duhej një plan i furnizimit të ushtrisë për kohë lufte, që ishte tepër sekret. Kur më mori, unë mendova se ishte shoku Llambi dhe i them: “Ik, ore, mos më çaj kokën, pse nuk të njohë unë ty, se kush je!”.
Kishte qenë Mehmeti, u egërsua se nuk e dinte këtë lojë që bënim ne me emrin e tij. Ma mbyll telefonin. Marr në telefon Llambin dhe i them se mos qe ai e bëri shaka si zakonisht. Llambi më thotë jo, ka qenë shoku Mehmet, se më mori dhe mua dhe më kërkon një material të furnizimit me veshmbathje, për Ushtrinë në kohë lufte. Pasi Llambi erdhi për ta marrë dokumentin që e nxora nga arkivi i Shtabit të Përgjithshëm, i tregoj gjithë ç’ndodhi dhe i them se do të shkojmë bashkë, ku do t’i kërkoja të falur. Shkuam dhe i them sekretarit të tij, Peçi Kalluçit, se na kishte kërkuar. Mehmeti i thotë, të futej vetëm Llambi, e jo Veliu. Bisedova me Llambin dhe vendosëm të futemi të dy, por unë shkova përpara. Sa hyra, Mehmeti më thotë: ”Nuk të kam kërkuar ty, por vetëm Llambin!”
Dokumentin që kërkonte Mehmeti e kisha unë e jo Llambi. I them: “Shoku Mehmet, unë erdha për dy probleme. E para të kërkoj të falur dhe, së dyti, ky material është tepër sekret dhe, sipas urdhrit, e drejta e nxjerrjes i takon shefit të Shtabit të Përgjithshëm”! Në këto kushte na pranoi. Atëherë unë i rrëfehem se si qëndron puna, që iu përgjigja në telefon ashtu. Mehmetit nuk i erdhi mirë dhe na thotë të dyve: “Pse, more, me mua talleni ju e më përgojoni”. Fjalën e mori shoku Llambi, se unë në këtë rast isha i turpëruar. Llambi vazhdoi: “Shoku Mehmet, a ju kujtohet në mbledhjen e kryesisë së Këshillit të Ministrave, kur ishin dhe ne të Ministrisë së Mbrojtjes, për rregulloren e vëzhgimit dhe shoku Pali Miska, ju raportoi për koçekët e misrit të Thumanës, dhe ju u mërzitët dhe i folët rëndë”. “Po!“ -i thotë Mehmeti. “E po sa unë shkova në zyrë, e mora në telefon shokun Pali dhe i thashë: “More Pali, si nuk ke një çikë respekt që merresh me koçekët dhe i raporton kryeministrit”!
Mehmeti vazhdoi: “Ju nuk keni respekt për mua se edhe tani që po flasim, jeni ulur…! Pali u përgjigj: “Jo, shoku Mehmet, për idealin e partisë, që jam ngritur në këmbë”! Mehmeti, i drejtohet Llambit: “Po pse more edhe deri këtu në Kryeministri qenkeni futur ju, kaq i keq qenkam, kaq frikë më paskeni se mos ju ha. Jo more se po të ishte kështu, do të kisha ngrënë Fiqretin më pare”! Filloi puna normalisht, por edhe duke qeshur, pra deshi, nuk deshi Mehmeti, porosita fruta dhe kafe. Ja, ky ishte temperamenti i Mehmetit. Sa e sa episode kemi me këtë burrë, unë dhe shokë të tjerë që punuam gjatë pranë tij.
Urdhri i Mehmetit: “Rezistenca e fortifikimit të provohet me qenie të gjalla”
Megjithëse ishin ngarkuar për zbatimin e detyrës kuadrot ushtarakë më të përgatitur të vendit, sipas dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, Mehmet Shehu, kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes njëkohësisht, ishte jo vetëm ideuesi kryesor i “mbjelljes” së të gjithë territorit të vendit me qendra zjarri e fortifikata të betonta, por ishte njëkohësisht edhe drejtuesi kryesor i zbatimit në praktikë, të kësaj detyre të vështirë. Detyra e venë nga Mehmeti, që në fillim, ishte: “I gjithë vendi, do të bëhet pëllëmbë e qendër zjarri, ndërsa qëndrueshmëria e çdo elementi të fortifikimit, për sigurinë e njeriut, do të provohet me qenie të gjalla, të strehuara në to, përballë zjarrit të fuqishëm të artilerisë, si në një situatë të vërtetë lufte”!
“Fortifikimi, kjo punë kolosale dhe e stërmundimshme, sipas ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Veli Llakaj, nuk ishte diçka e bërë dhe e lënë në harresë, ose u bë një fortifikim, pa e ditur se çfarë rezistence mund të kishte, në një veprim luftarak. Prandaj, shton ai, u bënë disa eksperimentime praktike me të gjitha llojet e kalibrave të artilerisë sonë, që nga topat me qitje direkte, nga 85 m/m., deri 152 m/m., për topat dhe nga 120, deri 160 m/m., për mortajat, po kështu dhe me goditje bombardimi të aviacionit. Sipas ish-shefit të Shtatmadhorisë, eksperimentimet e njëpasnjëshme kanë treguar se ky fortifikim e justifikonte veten për qëllimin e përgatitur.
Sipas hartuesve e të drejtuesve të mbrojtjes së fortifikuar të vendit, eksperimentimet për qëndrueshmërinë e elementëve të fortifikimit, janë bërë disa herë në vende të ndryshme, në rajone të caktuara, me grup qendra zjarri, me të gjitha llojet e armëve dhe zjarrit. Pas eksperimentimit të pare, në drejtimin e bregdetit, eksperimentimi i dytë, është bërë në Grykën e Mezhgoranit. Në të gjitha këto eksperimente, tregon Llakaj, një prej protagonistëve, të fortifikimit të vendit, Mehmet Shehu, ka marrë pjesë direkt. Fortifikimet që u ndërtuan, sipas specialistëve, ishin të shumëllojshme; mbitokësore, nëntokësore dhe nënujore.
Prova, kafshë në qendra zjarri, përballë breshërive së artilerisë!
Eksperimentimi më i fuqishëm për verifikimin e qëndrueshmërisë së fortifikimit, ishte ai që u bë në Bajgaja të Delvinës. Sasia e zjarrit që u vendos, ishte në një territor; togë-kompani, pra një sasi prej 30-57, qendra zjarri. Sasia e artilerisë që u vu përballë tyre, si gryka zjarri, ishte aq shumë e madhe, sa vështirë se mund të ndodhë, në një situatë praktike në luftën reale. Pra, u vunë aq sa, edhe nga studimet e artit ushtarak botërore të luftërave, të bëra deri tani, vështirë se mund të gjëje një krahasim. Përballë tyre artiljerët, nuk kishin asnjë lloj prekupacioni, apo emocioni, se mund të pësojë ndonjë goditje nga kundërshtari, që e kanë më të vështirë goditjen e drejtpërdrejtë të qendrave të zjarrit.
Në këto qendra zjarri, ishin marrë masa dhe ishin vendosur shumë gjëra të gjalla, si; dhi, mace, qen, lepuj etj. Zjarri i artilerisë, ishte maksimalisht dhe i drejtpërdrejtë, por dëmet që solli, ishte aq i paktë, sa nuk mund ta llogaritësh. E gjithë ajo sasi çeliku, që u hodh nga të gjitha kalibrat, solli si rezultat, vetëm ngordhjen e një lepuri. Në eksperimentimin e këtij fortifikimi, ishin të pranishëm shumë personalitete të politikës, shkencës dhe ushtarakë. Këtë eksperimentim, e udhëhiqte Mehmet Shehu, ndërkohë që ishte i pranishëm edhe Hysni Kapo. Për ta realizuar këtë detyrë, u deshën plot 15 ditë.
Meritë të veçantë në projektimin e realizimin cilësor të vendit kanë projektuesit, inxhinierët, konstruktorët dhe udhëheqësit e tyre, si; Mendu Backa, Alfred Moisiu, Abedin Galanxhi, Sul Domi, etj., tregon Veli Llakaj
Për të qenë ditën e stërvitjes treguese në Sarandë, tregon Llakaj, u nisëm një ditë më parë nga Tirana, bashkë me Llambi Gegpriftin dhe Tahir Minxhozin. Por për drekë, u kthyem në Krahës të Tepelenës, te vëllai im, Ramadani. Ai na priste, se ishte lajmëruar një ditë më parë. Pritja ishte si në fshat, pra mish e raki.
Nurija, ime kunatë, shton Llakaj, na kishte therur dy gjela deti; jo se nuk na dilte njëri, por si për zakonet tona, për nderin e dy miqve, pra të Llambit e të Tahirit. Mbasi qëndruam pak dhe erdhi dreka fshatçe, filloi dhe muhabeti e rakia. Aty na doli se vëllai im, që kishte qenë në vitin 1954, në Peshkopi traktorist, të njihej prej shumë kohësh nga Tahiri e, na dolën miq e shkuar miqve. Filloi dollia si nga fshati, ndonëse ne ishim për rrugë. Për më tepër, sa të shkonim në mbrëmje, Mehmeti e Hysniu, që kishin tri dit andej, kishin dalë edhe për gjah, do të na thërrisnin e, do të konstatonim se ne kutërbonim alkool. Aty nga ora 18.00, mbërritëm në Sarandë dhe zumë vende për të fjetur, pasi rruga, por më shumë rakia, e kishin bërë punën e tyre…!
Thamë të pinim një kafe, por na lajmërojnë se na kërkonin, në të ashtuquajturën Shtëpi e Partisë, ku ishin shokët e udhëheqës. Ramë ngushtë, të shkonim, por ishim të pirë. Atëherë Llambi, më bënë një propozim interesant, jo nga vetja, por nga rakia: “Veli më thotë, po si do t’i takojmë, se vijmë era raki, apo ta provojmë një here, duke fryrë kundër njëri-tjetrit”! Kështu bëmë, po si të diktonim njëri-tjetrin për pije, kur të dy ishim njëlloj. Shkuam te Shtëpia e Pritjes, por nuk u afruam. Shoku Hysni, na fton të afrohemi se kishte rënë shi dhe të ngroheshim nga pak. Po ku të afroheshim, vinte era raki e qëndruam larg, me siklet. Të nesërmen Tahiri, si me shaka, ia thotë shokut Hysni këtë mesele dhe ajo na ngeli si histori.
Ushtarakë të huaj për fortifikimin shqiptar
Në atë kohë, sipas Llakajt, u bë një fortifikim bashkëkohor, tepër aktiv dhe i pazëvendësueshëm. Sipas tij, nën tokë u ndërtuan vend-komandat e Këshillit të Mbrojtjes jo pak por tri të tilla. Vend-komanda të Këshillit të Ministrave, po tre vend-komanda të Shtabit të Përgjithshëm, tre të tjera. Të gjitha këto ishin të gatshme në çdo kohë, me të gjitha komoditetet e nevojshme për mbrojtje, jetesë e punë. Atje ishin në gatishmëri në çdo kohë, të gjitha rezervat e ushqimit e të veshmbathjes, të domosdoshme për përballimin e situatave luftarake. Vendet e fjetjes ishin të shtruara me krevat, dyshek batanije, çarçaf, kanë uji, telefon etj.
Për këtë fortifikim, shton ai, nuk po flasim neve (specialistë e drejtuesit e kohës), por kanë folur, po flasin dhe do të flasin të tjerët. Veli Llakaj, ish-ushtaraku më i lartë i vendit në periudhën 1974-1982, është ndër partizanët e parë të kësaj mbrojtjeje. Për këtë, ai shton dhe pohimin e shefit të Shtabit të Ushtrisë turke, gjatë vizitës në Bazën Ushtarake-Detare të Shëngjinit e Gjadrit (të fortifikuara): “Fortifikim modern, i ndërtuar me seriozitet, bashkëkohor, u ndritë mendja dhe u lumshin duart, atyre që e kanë ndërtuar, ruajeni me ligj”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016