Nga Eugjen Merlika
-Përtej mjegullës së historisë –
(Sotir Gjika dhe familja e tij)
Memorie.al / Ishte mbrëmja e 25 marsit të vitit 1925. Në restorantin Cavour të Barit Luigj Gurakuqi po darkonte me dy shokë të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen: do të shkoj tek Sotiri, mbasi i kam premtuar një kukull vajzës së tij. Sotiri ishte një mik i tij, bashkatdhetar, por që kishte nënshtetësinë italiane, mbasi ishte martuar me një vajzë të vendit.
Gurakuqi, ai burrë i hijshëm e zemërmadh, nuk arriti t’i çonte kukullën e premtuar Elenës katërvjeçare, mbasi plumbi i zi i Baltjon Stambollës, i këputi jetën aq të vyer për Shqipërinë. Në varrimin e tij duhej të fliste miku Sotir Gjika. Por edhe ai ishte i sëmurë e i pamundur të dilte nga shtëpia. Në emër të tij foli e shoqja, Anxhela Kuarta, gruaja besnike që i qëndroi pranë deri në fund e që e mbylli jetën e saj vetëm me kujtimin e tij.
Sotir Gjika ishte një njeri mjaft i njohur në Bari. Shkruante për gazetën lokale dhe Il Messaggero të Romës. Shtëpia e tij ishte vendi ku mërgimtarët politikë shqiptarë ndiheshin si në shtëpinë e tyre. Ishin të mirëpritur n’atë shtëpi Luigj Gurakuqi, Mustafa Kruja, Gjovalin Kamsi, Stavro Vinjau e të tjerë personalitete që kishin zgjedhur mërgimin natën e Krishtlindjeve 1924, kur Fan Noli dhe përvoja e tij “revolucionare” u arkivuan nga historia.
Sotir Gjika nuk quhej emigrant politik. Në politikën aktive ishte angazhuar pak e për pak kohë, por ishte një publicist. Fusha e veprimtarisë së tij thithte ushqimin pikërisht nga politika, sidomos në vitet e para mbas pavarësisë, kur fatet e Shqipërisë ishin bërë monedhë këmbimi e fqinjëve dhe e Fuqive të Mëdha. Ai ishte lindur më 10 tetor 1889 në fshatin Shtikë të Kolonjës, vendi ku të parët e tij, në fillim të shekullit 17, kishin qëndruar mbas ikjes prej Spanjës së largët e qëndrimit të përkohshëm në Vendet e Ulta e në Gjermani. Nëna e tij, Lena, mbetet shpejt e ve me dy djem për të rritur. Kushtet e jetesës ishin të vështira në Kolonjën e kohës së Turqisë dhe varfërisë i bëhej ballë vetëm nëpërmjet mërgimit. Jugorët ishin më shumë të prirur për të kërkuar një jetë tjetër, mes shumë peripecish e të panjohurash, në botën e madhe që fillonte në Greqinë apo Turqinë e afërt e kishte si pik synim Amerikën, prej nga shumë shqiptarë mbanin familjet e lëna në Vendin e tyre.
Vëllezërit Gjika u larguan nga Shtika për të mos u kthyer më në të. Pa mbushur ende njëzet vitet Sotiri u largua nga fshati, nga nëna e tij, me një dhimbje të madhe në zemër. Udhëtoi drejt Misirit, ku kishte farefis që e pritën. Më pas u stabilizua në Kartum të Sudanit, ku punoi disa kohë. Me kursimet e asaj pune dhe një ndihmë të vëllait, që ishte ngulur në Boston të SHBA-ës kaloi oqeanin dhe u bashkua me vëllanë. Të dy së bashku hapën një dyqan ushqimesh e shquheshin për ndihmën e vazhdueshme që i jepnin Shoqërisë “Besa-Besë”, Federatës pan-shqiptare “Vatra” dhe Kishës Autoqefale Shqiptare. Ishin vite pune intensive në shërbim të çështjes kombëtare, por edhe në drejtim të formimit intelektual. Sotiri nuk kishte vazhduar studimet e larta, por ishte një autodidakt me vullnet të çeliktë, me parime të shëndosha e të forta.
Erdhi viti 1912. Tek të gjithë shqiptarët lindi ideja se aspirata e ushqyer nga breza të tërë, në shekuj të gjatë robërie, ajo e lirisë dhe e Shtetit shqiptar të pavarur, po i afrohej sendërtimit. Kjo ide i vu flatra Sotir Gjikës dhe bëri t’i japë fund përvojës amerikane e të kthehet në Evropë. Erdhi në Itali, në Milano, ku mori pjesë në Komitetin italo – shqiptar, të krijuar aty e që kishte si qëllim të ndihmonte çështjen kombëtare. Si i dërguar i atij Komiteti, mori pjesë në Kongresin e Triestes, që i dha “bekimin” nismës historike të Ismail Qemalit e të Luigj Gurakuqit, për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë.
Pavarësia solli edhe një rrahje të ashpër mendimesh në klasën politike e në shoqërinë patriarkale shqiptare të kohës. Problemi që shtrohej me forcë në mjediset politike e shoqërore të Shqipërisë së pavarur ishte rruga që duhej të merrte Vendi. Një pjesë e mirë e klasës drejtuese përbëhej nga ish funksionarë të Perandorisë Turke, të lidhur si mendësi e si kulturë me botën e Lindjes dhe ligjet e saj. Një pjesë tjetër ishte e prirur nga Perëndimi, nga kultura evropiane e synonte të fuste Shqipërinë në rrugën e qytetërimit Perëndimor, duke i vënë një kufi të qartë ndikimit turk mbi Shtetin e ri shqiptar. Në këtë pjesë intelektualësh, përkrahës të përvojave e kulturës politike Perëndimore, rreshtohej edhe Sotir Gjika i cili, më 1913, me t’u njohur entiteti i Shqipërisë së pavarur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, erdhi në Vlorë. Ishte kaq shumë entuziast për t’ardhmen evropiane të Shqipërisë saqë u angazhua me të gjitha forcat në dobi të Princ Wiedit si Mbret i Shqipërisë. Po të përforcohej figura dhe roli i tij përmbi të gjitha palët në panoramën e larmishme të jetës politike e administrative të Shqipërisë, po të ishte më konkrete dhe e prekshme prania e favorshme e Evropës në fatet e saj, do të ishte kjo një fletë garancie për të ardhmen e Vendit.
Në mars 1914, Sotir Gjika me armë në dorë luftoi në Rashbull, në krah të Kolonel Tomson-it, kundër rebelëve esadistë e qamilistë, që kërkonin të rikthenin “dovletin e babës”, pra Turqinë e Sulltanëve. Në ballë të luftës ai plagoset së bashku me të tjerë e shpëtohet nga ndërhyrja energjike e përfaqësuesve të Fuqive të Mëdhà, duke u nisur për kurime n’Itali. Pjesëmarrja në luftën e rinisë kombëtariste, në mbështetje të Mbretit të caktuar nga Evropa, u shpërblye me një medalje që Ai i dhuroi, në shenjë mirënjohjeje, në të cilën ishte shënuar data 26 mars. Ishte pranvera 1914, pragu i fillimit të luftës së parë botërore dhe i njërës nga periudhat më të vështira edhe për Shtetin e ri shqiptar. Ai, me mëndje e zemër pranë Atdheut të trazuar, do të fillonte në Itali një jetë të re, atë të gazetarit, nëpërmjet së cilës do të jepte një ndihmesë themelore në dobì të çështjes shqiptare.
6 gushti i vitit 1914 ishte një ditë e shënuar për Sotir Gjikën, ajo e hyrjes në botën e madhe të gazetarisë, konkretisht në redaktimin e një “faqe gazete shqiptare” në organin e përditshëm të Barit, “Corriere delle Puglie”, që më vonë bëhet “La gazzetta del mezzogiorno”. Në të vërtetë ai e kishte nisur më herët atë rrugë me shkrime në organe të shtypit shqiptar jashtë Atdheut si: “Liri e Shqipërisë” e Sofjes, “Atdheu” i Konstancës apo “Dielli” i SHBA-ës, në të cilat kishte botuar artikuj duke filluar që nga viti 1911. Bashkëpunimin me gazetën italiane e ka dhuratë nga kapiten Kastoldi, adjutant i Princ Wiedit, të cilin e kishte njohur gjatë aktivizimit politik e ushtarak në Shqipëri. Kastoldi, i dashuruar edhe ai me çështjen shqiptare, mendon t’i shërbejë asaj me botimin e një faqeje gazete, kushtuar problemeve të saj. Sotiri i ri e pa përvojën e duhur u prit mirë e u inkurajua nga gazetarët e njohur Kasano e Axarita, të cilët i mësuan artin e gazetarisë, duke e ndihmuar aq sa, në pak kohë, të bëhej nga përfaqësuesit më të shquar shqiptarë në atë fushë.
“Me gjithë qi shtypej në nji atmosferë jo aq të favorshme për fatin e Shqipnìs e coptueme si mbas Traktatit të msheftë të Londonit (1915), nënshkrue prej Beslidhunve, ajo “faqe” dhe ajo “pendë” nuk pushuen tue trumbetue anë e kand të botës, të drejtën e Shqipnìs për kufijt etnikë kundra idhevet t’interesuemve e vendimeve grabitëse të Beslidhunve. Nuk kursej me artikuj t’ashprë jo vetëm anmiqt e Shqipnìs, por edhe miqët kur interesat kundërshtoheshin me ato t’Atdheut”, shkruan Gjovalin Kamsi në artikullin “Sotir Gjika”, të botuar në gazetën “Vullneti i Popullit”, më 24 tetor 1930.
Në një festë të organizuar në Romë në vitin 1916, gazetari i ri njihet me një vajzë të re nga jugu i Italisë. Vajza quhej Anxhela Kuarta e, i përkiste një familjeje të njohur aristokrate në Leçe. Nga kjo familje kishte dalë juristi i njohur Oronco Kuarta, Kryetar i Gjykatës së Lartë të Italisë. Në atë festë vajza shoqëronte këngëtarin e madh lirik me origjinë shqiptare Tito Skipa e, këndonte bashkë me të, mbasi kishte një zë mjaft të bukur. Qe një dashuri e fortë, dashuri me shikimin e parë, dashuri që mbeti e tillë deri në çastet e fundit të jetës së tyre të përbashkët që, fatkeqësisht, qe e shkurtër e nuk i kaloi të dhjetë vitet.
Vajza ishte me origjinë nga Celio Mesiatiko dhe familja e saj kishte monopolin e kultivimit të duhanit për të gjithë krahinën. Kishte studiuar në një shkollë pedagogjike e ishte diplomuar për mësuese. Martesa qe e shpejtë e mbas saj erdhi transferimi në Romë, në rrugën Salaria, ku Sotiri do të fillonte botimin e gazetës Kuvendi, që u bë në pak kohë tribuna e çështjes shqiptare në Itali. Gazeta pa dritën në vitet 1918-1920, në një kohë që gazetari bashkëpunonte edhe me organin romak “Lajmëtari” (Il messaggero), për të cilin shpesh shkonte edhe me shërbime jashtë Italisë. Puna e Sotir Gjikës n’ata vite ishte e një intensiteti e dobie të veçantë. Gazeta kishte në listën e bashkëpunëtorëve të saj firma nga më të njohurat e publicistikës shqiptare e arbëreshë të kohës, si drejtori i fletores “La nazione albanese”, Anselmo Lorecchio, profesor Zef Skiroi, avokat Kozmo Serembe, doktor Agostino Ribeko, Françesko Argondica, Kol Mëllazi, Mustafa Asim Kruja, Lec Kurti, Kolë Kamsi, Kostaq Cipo, Milto Sotir Gurra, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Kostandin Kote, Visarion Dodani etj.
Nga pala italiane gazeta mbështetej në shkrimet e Federconit, të Kastoldit, Axaritës, Korrado Xolit, Prof. Benedeto de Lukës, Filipo Naldit. Antonio Baldaçit, Sofia Mashit, Rozalia Adamit etj. Gazeta u bë një urë lidhjeje mes Italisë e Shqipërisë, mes dy popujve e dy kulturave. Drejtori i saj, që tashmë kishte nënshtetësinë italiane, punonte fort në drejtim të forcimit të miqësisë mes dy Vendeve. Sotir Gjika i besonte idesë se Shqipëria duhej të mbështetej në rrugën e saj tek ndihma e Italisë, se asnjë Vend tjetër i madh në Perëndim nuk kishte interesa që të vepronin në dobi të Vendit tonë, sa ç’kishte Italia. Kushtet gjeografike e historia e shkuar të çonin në këtë rrugë. Ishte ky një nga motivet zotëruese të rrahjes së mendimeve që, gjatë gjithë këtij shekulli të të qenit të Shtetit shqiptar të pavarur, ka përcaktuar mjaft ngjarje e personazhe të jetës politike.
Në largësi kohe e në një botë që ka ndryshuar shumë në formën e në përbërësit e saj mund të jepet sot një gjykim më i ftohtë, i urtë e pa pasion mbi thelbin e polemikave e të vetë tezës së shumë rrahur, pa rënë në prehrin e demonizimeve, siç është bërë shpesh në të kaluarën. Mendoj se duhet mbajtur parasysh një gjë: të gjithë ata burra, që diskutonin me pasion strategjitë e Shqipërisë në periudha të ndryshme të gjysmës së parë të qindvjetit të shkuar, kishin mendime e këndvështrime të ndryshme. Megjithatë ata të gjithë kishin një qëllim të përbashkët, mbarëvajtjen e përparimin e Shqipërisë. Si të tillë ata të gjithë e meritojnë sot mirënjohjen dhe respektin e Kombit.
Sotir Gjika i besoi shumë e punoi për miqësinë italo-shqiptare edhe në ata çaste kur veprime politike të njërës apo të tjetrës palë e dëmtonin atë. Gazeta ‘Kuvendi’ u bë tribuna e atyre ideve, ashtu siç ishte tribunë e çështjes shqiptare, në mbrojtje të tërësisë tokësore e të identitetit kombëtar në kohë të vështira gjatë e mbas luftës së parë botërore, kur rreziqet ishin me të vërtetë serioze e të mëdha. Duke i lënë fjalën përsëri Gjovalin Kamsit, në lidhje me Kuvendin, mësojmë se:
“Për frymën qi u jipte gjallní, për bashkpunimin me êmnat mâ të shquem e të përmendun të gazetarìs italjane e të nacionalizmës shqiptare qi i siguroi, ay organ, i vogël në fillim, u rrit e muer nji êmën e nji randësì ndër qarqe politike ndërkombëtare, qi kaloi përtej shpresave”.
Në këto vite veprimtarie të ethshme në fushën e gazetarisë Sotir Gjika, ka dhe kënaqësitë në jetën familjare. Bashkëshortja i dhuron dy fëmijë që ai i pagëzon Aleksandër dhe Elena. Emri i djalit kujtonte Mbretin e madh të Maqedonisë, që kishte gjak ilir nga nëna e tij, ndërsa emri i vajzës ringjallte atë të nënës por edhe të një përfaqësueseje në zë të fisit të tij, që kishte shtrirë praninë e tij deri në Rumani, princeshës Elena Gjika (Dora d’Istria). Fëmijët u lindën në Romë e më pas u rritën e u shkolluan në Bari, ku familja u kthye mbas mbylljes së gazetës Kuvendi, në fundin e vitit 1920.
Atëhere çështja shqiptare u quajt e stabilizuar dhe Qeveria italiane ndërpreu fondet, mbasi e pa të panevojshme vazhdimin e botimit të gazetës. Duke mbajtur parasysh faktin e financimit të Kuvendit nga Qeveria italiane, gazetari nga Shtika u detyrua të përballojë edhe insinuatat ose kritikat që, madje edhe nga shokë të tij, pësoi ai në drejtim të ruajtjes së pavarësisë së gjykimit, objektivitetit dhe mbrojtjes së interesave të Kombit shqiptar nga ana e gazetës. Ja si shprehet ai vetë në lidhje me këtë problem:
“Unë e mejtova thellë këtë gjë, para se t’a nisëshe. Eca me filozofi objektive…! Peshova mirë më parë nevojët e mëdha që kishte çështja e jonë të njihej në botë dhe të mburrehej, pastaj peshova dëmet e fitimet që mund t’i vijshin çështjes kombëtare nga një gazetë e botuar me fonde të huaja: fitimet m’u duknë të mëdha. Iu përvesha pra punës, pa vështruar rrotull, pa përfillur gjendjen e vështirë në të cilën vullnetarisht e vija veten”.
Drejtori i Kuvendit ishte një gazetar atdhetar, i vetëdijshëm për brishtësinë e çastit historik të Atdheut të tij. Kultura dhe përvoja në fushën e gazetarisë i kishin mësuar se “pushteti i katërt” ishte shpesh përcaktues edhe në vendime me peshë historike të diplomacisë apo të politikës. Qëllimi i tij bëhet njohja dhe propagandimi i çështjes shqiptare në Italì e n’Evropë, shpalosja e arsyeve dhe të drejtave të kombit të fundit në Ballkan që kishte dalë më vete, dënimi i intrigave e përbetimeve që kryheshin në shpinën e tij. Për këtë i duhej një tribunë dhe njerëz t’aftë që, nga sheshi i saj, t’i flisnin opinionit publik evropian e t’a bindnin atë në vërtetësinë e argumenteve e në drejtësinë e kërkesave.
I epet kjo mundësi me një gazetë që mund të dilte në Romë, kryeqyteti “lente”, nëpërmjet së cilës Evropa vështron Shqipërinë, e që mund të financohej nga Qeveria e këtij Vendi. E dinte që ky fakt nuk tingëllonte mirë, që i shpalosej një shqyrtimi radiografik nga ana e një opinioni tepër kërkues, herë herë i ashpër e i njëanshëm, që ishte gati të njolloste për hiçgjë. Por nuk stepet, interesi i Atdheut ishte më i fortë dhe e shtyu përpara në shmangien e ngurrimeve edhe nëse rrezikonte diçka në planin vetjak.
U fut me pasion në punën për gazetën, duke thithur bashkëpunimin e firmave nga më të njohurat e gazetarisë shqiptare e italiane, me pikësynimin e qartë e të vendosur për të paraqitur në dritën e vërtetë çështjen shqiptare, sidomos në lidhje me punimet e Konferencës së Versajës, e për të dhënë ndihmesën e plotë në forcimin e miqësisë mes Shqipërisë e Italisë. Janë pikërisht dy motivet zotëruese të mendimit politik të drejtorit të Kuvendit që edhe titullin e organit e mori nga e shkuara e bashkatdhetarëve të tij që, në dallgët e furtunave të historisë, kishin gjetur forcën e qëndresës në ato mbledhje burrash të cilat pagëzoheshin “Kuvendet e Arbërit”.
Çështja kombëtare dhe marrëdhëniet italo-shqiptare përbënin një binom që frymëzonte shkrimet, të cilët mbushnin faqet e gazetës. Në ata shkrime nuk ka përunjësi, kompleks të të voglit e të varfërit që shtrin dorën për lëmoshë. Miqësia konceptohej ashtu si në malet e Shqipërisë, miku vihet në krye të vendit por nuk bëhet kurrë zot shtëpie. Kuvendi nuk kursen fshikullimin për politikën e gabuar të Qeverive italiane në drejtim të Shqipërisë. Kjo ishte përgjigja më e mirë që Sotir Gjika mund t’u epte atyre që shpreheshin se po e mbante gazetën me paratë e italianëve.
Në çastet e krizave mes dy vendeve, siç ishin marrëveshja italo-greke (Titoni-Venizellos) më 29 korrik 1919 dhe Lufta e Vlorës, qëndrimi i Kuvendit ishte në anën e Shqipërisë. Kjo jo vetëm për ndjenjat e forta atdhetare të drejtorit Gjika e bashkëpunëtorëve të tij, por edhe për hir të objektivitetit historik e të së drejtës së natyrshme të çështjes shqiptare. Ja si shprehet drejtori i Kuvendit me rastin e nënshkrimit të Protokollit të Tiranës më 2 gusht 1920, mbas luftës së Vlorës të udhëhequr nga Qazim Koculi:
“Ngjarja e Vlonës qe shkaktue nga njerëz të cilët e treguan me punë se qenë shum ma të vegjël se rangu i rëndë dhe delikat që patën marrë përsipër; për pesë vjet e ca mbajtën Shqipërinë të ç’këputur me zemër nga Italia, dhe aq fort të ç’këputur sa i vij mendja njeriut të thosh e të besonte se një erë e tërbuar ua kishte marrë mendjen fare burrave të Shtetit q’e drejtuan fatin e Italis së madhe që pas vdekjes së Di Sangiuliano e gjer ditën q’u kthye përsëri në pushtet Giovanni Giolitti. Shqipërija dhe Italia e gjetën tani mendjen, e gjetën prap udhën e mbarë, dhe posa q’e gjeten, kësaj udhë doemos do t’ecin, të dyja bashkë kundrejt horizonteve të rinj e kundrejt të pastajmes së re. Që kësaj udhe fatale kishin për të dalë një ditë Italija me Shqipërinë ne s’kemi dyshuar kurrë: e tregon puna jonë e gjashtë vjetvet gazetarije n’Itali. Besimin t’onë të fortë se Italia dhe Shqipëria n’Adriatik e në Ballkan s’mundin veçse të rrojnë njëra për tjetrën, s’e tundi kurrë politika e keqe e Consultës faqe Vendit t’onë, s’e tundën dot tendencat e paarsyeshme të ca qarqeve shqiptare faqe punës s’onë fjesht patriotike, fjesht shqiptare. Erdhi pra, aqë shpejt sa s’pandehej, dita e triumfit, vëllazërimit të dy popujvet. Vepra jonë zuri vendin e saj: ne s’paskemi punuar më kot.”
Këto fjali, kjo pjesëz e një prej shkrimeve të shumta të Kuvendit, dëshmojnë katërcipërisht se cili ishte boshti qendror i botëkuptimit të gazetarit të njohur kolonjar, cilat ishin bindjet politike të tij, cilat ishin kriteret e vlerësimit të ngjarjeve e problemeve, cili ishte lajtmotivi i veprimtarisë së tij publicistike, cili ishte vizioni i së ardhmes dhe përfytyresa strategjike e marrëdhënieve mes dy brigjeve t’Adriatikut. Ai i mbeti besnik deri në fund të jetës këtij vizioni dhe nuk pati fatin të shihte furtunat, baticat e zbaticat që historia e marrëdhënieve italo-shqiptare do të rezervonte në dhjetëvjeçarët e mëvonshëm.
Me mbylljen e Kuvendit, në tetor 1920, veprimtaria publicistike e Sotir Gjikës, drejt për drejt në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, nuk ka më tribunën e vet. Ai vazhdoi të shkruajë tek Messaggero dhe La gazzetta del Mezzogiorno, por edhe në fletore shqiptare si Agimi etj. Më pas familja kthehet në Bari ku ai e vazhdoi punën në gazetën e qytetit.
Më 27 gusht 1923 u vra në rrugën Janinë – Sarandë gjenerali italian Enriko Telini, kryetar i Komisionit Ndërkombëtar për Përcaktimin e Kufirit shqiparo-grek. Vrasja u krye nga grekët dhe pati një jehonë të madhe në shtypin evropian. Sotir Gjika u dërgua nga gazeta në të cilën punonte, “Il messaggero”, në vend për të hetuar mbi autorët e vrasjes. Atje u sëmur dhe që atëherë shëndeti i tij mori të tatëpjetën. Megjithëse kishte një fizik të fuqishëm, sëmundja e pashërueshme në pak kohë e rrëzoi në shtrat. Ishin këta vitet më të vështira të jetës së gazetarit tashmë të njohur në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Ai ishte i vetëdijshëm për fundin tragjik të parakohshëm, drejt të cilit ishte nisur pa kthim.
Pranë tij ishin gruaja e re dhe dy fëmijët e vegjël. E mundonte mendimi se ata do të mbeteshin pa asnjë mbështetje e pa asnjë pasuri për të përballuar jetesën. Me rrogën e tij të vogël si gazetar ai kishte mundur vetëm të përballonte kërkesat e jetesës, por nuk kishte mundur të vinte asgjë mënjanë. Tepër bujar prej natyre, gjatë jetës së tij nuk ishte kursyer kurrë të ndihmonte, shpesh herë edhe jashtë fuqive të tij, shokët e miqtë që gjendeshin në vështirësi. Ai i bënte këto të mira dhe i hidhte gjithmonë mbas krahëve, pa i bërë të njohura. Ja çfarë shkruan Gjovalin Kamsi që ka njohur nga afër gazetarin atdhetar:
“….Sa e sa kanë qenë të mirat e tija që dihen e nuk dihen, sa herë ai të papasunve dhe të pasunve u ka vjeftë, dhe askush s’e ka ditë. Sot ndoshta nuk e kujtojnë kohën kur Sotiri u ka qenë vëlla e përmbi vëlla. Atdhetar i flaktë, burr i drejtë, i pathyeshëm. Bindte çdo kundërshtar të ideve të tija. Kryefjala e tij ish: “me i shërbye atdheut me besë e me nderë”. Rastet qi ati nuk i kanë mungue dhe kanë qenë të shumta, të mëdhaja, do t’a kishin ba pasanik sikur të kishte dashtë por ai nuk e përlyente êmnin ndër vepra qi nuk ishin ma se të ndershme. Kush guxoi t’i premtojë (dhe ishte në kohë kuer smundja e marrun në krye të detyrës si gazetar për zbulimin e vrasësve të Gjeneral Tellini-t po e përkulte at lis, pse vdiq më 12 prill 1927, në vetmin e nji bjeshke), nji jetë begatije jo të vorfën si ai kalonte me at rrogë të vogël gazetari, vetëm sikur të vente pendën e vet në shërbim të nji çashtjeje qi i kundërshtonte me besën e tij, me idealin nacjonal i pat përgjegjë: “Ma parë më thehen duert se thej besën t’eme. Do të vdes i vobekët, por due të vdes me nderë. Fmija do të trashëgojë prej meje vobekësin, e dij mirë, por nji êmën të jetuem me nderë. E për kaq jam krenar”.
Mbas testamentit politik, që mbështetej në vizionin strategjik të një Shqipërie që do të ecte në rrugën e saj të rimëkëmbjes e të përparimit në sajë të marrëdhënieve të ngushta e miqësore me Italinë, kemi testamentin e tij moral, në të cilin fjalët “Besë” e “Nder”, janë shkruar me të madhe e janë tabu të pakapërcyeshme edhe me çmimin e jetës. Kanë kaluar pak dhjetëvjeçarë nga koha kur personalitete të një shtati të tillë moral përfaqësonin Vendin tonë në fushat e ndryshme të jetës shoqërore, politike, kulturale. E na duket se jemi vite dritë larg nga realiteti i një Vendi që zë një nga vendet e para në botë për nga niveli i paligjshmërisë e i korrupsionit. Çuditërisht, me gjithë përparimin e bërë në këta dhjetëvjeçarë në fushat e ndryshme të jetës ekonomike apo kulturore, hasim një rënie të theksuar përsa i përket moralizimit të jetës publike. Kjo ka arsyet e veta të ndryshme, por më duket se një prej tyre është edhe errësimi që, për një gjysëm shekulli, regjimi komunist u bëri figurave të shquara të historisë shqiptare të shekullit të shkuar, që do të ishin, në sajë të integritetit të tyre moral e atdhetar, pika referimi dhe fenerë ndriçues për formimin dhe edukimin e shqiptarëve.
Sotir Gjika mbylli sytë, siç u tha më sipër, më 12 prill 1927, në një vend kurimi e u varros në Verona në moshën 38 vjeçare. Familja e tij vazhdoi jetën në vështirësi ekonomike. Gruaja e ve, në moshën 35 vjeçare, e lidhi jetën e saj me rritjen e shkollimin e dy fëmijëve e me kujtimin e burrit që e deshi dhe e respektoi për cilësitë e tija morale e intelektuale. Punoi në profesionin e saj të mësueses e me rrogën e saj, çoi përpara familjen. U desh të kërkonte ndërhyrjen e Kryeministrit Musolini për të patur nga një gjysëm pensioni për dy fëmijët e saj. Ata u rritën e u shkolluan duke kryer universitetin, djali për mjekësi e vajza për letërsi. Djali mbeti në Vendin e lindjes dhe krijoi familjen e tij. Vajza do të vinte në Shqipëri si nuse e djalit të njërit prej miqve më të ngushtë të babait të saj, të Mustafa Krujës.
U mundova të përshkruaj shkurtimisht, me sa kisha mundësi jetën e një gazetari atdhetar, me një ndihmesë të rëndësishme në dobi të çështjes shqiptare në disa nga çastet më delikate të historisë së saj. Në vitin 1934, banorët e fshatit të lindjes i kishin vënë emrin e tij, emrin e njeriut më të shquar që nxorën, shkollës fillore. Historia zyrtare e “akademistëve”, të regjimit komunist e tashti vonë, edhe fjalori enciklopedik i Z. Robert Elsie, e injoruan plotësisht, duke krijuar një “borxh nderi”, që Shqipëria i mbetet njërit prej bijve të saj të shquar. Do të lahej ky “borxh”, duke nxjerrë në dritë punën e tij, duke grumbulluar e botuar shkrimet e tij, duke i dhënë vendin e merituar në historinë e publicistikës shqiptare, që më duket se është “jetimja”, e lënë mënjanë nga vëmendja e kulturës dhe historiografisë sonë.
Për gati një gjysëm shekulli diktatura komuniste i mbuloi me mjegull e me baltë shumë vlera të kulturës e të traditës së shqiptarëve. Koha e re, në cilësinë e arkeologut, duhet t’i zbulojë e t’i rivendosë në vendin që meritojnë. Është kjo një nga detyrat kryesore që kultura jonë, në veçanti brezi i ri i studiuesve, duhet të plotësojnë, në dobi të imazhit të Vendit e në respektimin e së vërtetës historike. Memorie.al
Maj 2006
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016