Memorie.al / Në zgjedhjet e para për Parlamentin e Turqisë në dhjetor të vitit 1908, Nexhib Bej Draga u zgjodh deputet (përfaqësues) i popullit për Sanxhakun e Shkupit të Vilajetit të Kosovës. Kjo është një dëshmi se Nexhib Bej Draga ishte bërë i njohur në popull qysh para vitit 1908, edhe jashtë rrethit të vendlindjes dhe pikërisht në kryeqendrën e Vilajetit më kryengritës dhe më revolucionar të Perandorisë Osmane. Gazeta shqiptare “Bejsa” e Stambollit, e datës 26 janar 1909, duke folur për zgjedhjen e përfaqësuesve të katër vilajeteve të Shqipërisë: Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Nexhib Dragës, Shahin Kolonjës e të tjerëve për përfaqësues të popullit, ata i quante; “Lule të atdheut që ka dërguar këtu (në Stamboll), Shqipëria”, të cilët “do të përpiqen për atdheun tënë”.
Si njëri ndër veprimtaret më të shquar të Klubit Shqiptar “Bashkimi” të Shkupit me ndikim permanent në qarqet xhonturke – ushtarake, politike dhe administrative në Vilajetin e Kosovës, qysh para vitit 1908, Nexhibi tashti, në kushte të kushtetutshmërisë xhonturke – Hyrrietit (Lirisë), u bë shtyllë e fortë e shkollës dhe alfaBejtit shqip në Vilajetin e Kosovës dhe më gjerë në trojet shqiptare, ndjekësi dhe mbështetësi më Bejsnik, më i devotshëm, i Hasan Prishtinës në këto fusha të kulturës, të jetës dhe të ardhmërisë shqiptare.
Korrespodenti i gazetës “Dielli” të Bostonit, i nënshkruar Bejnjamini, më 26 nëntor 1909, duke folur për përpjekjet e Hasan Bej Prishtinës për shkollën shqipe, për luftën e tij në parlamentin e Stambollit dhe në terrenin shqiptar do të konstatojë: “…s’kam të drejt të rri pa e përmend këtu edhe zotëninë Nexhib Dragën, i cili edhe ky po përpiqet për dit edhe ma fort për të mirën e kombit; vetëm lypset qi ky atdhetar të ken pak ma tepër vullnet pse kish me mujt me i vjeft kombit ma tepër se kërkush më Kosovë sidomos materialisht, sepse ka një pasuni të pamas”.
Në luftën kombëtare për sendërtimin e programit dhe të rezolutës se Kongresit të Alfabetit në Manastir (14-22 nëntor 1908) Nexhib Bej Draga kurrë nuk u luhat dhe i qëndroi besnik parimit të tij luftarak: “Me alfabetin latin i hapim dyert e Kalasë Evropiane të bijtë e së cilës jemi”! Me mençuri guxim dhe autoritet e minoi plotësisht, Kongresin Xhonturk të Dibrës (23 korrik 1909), i cili kishte për qëllim të nxirrte dhe të flakte nga përdorimi alfabetin shqip latin për gjuhën shqipe.
Këso kohe, krahas Hasan Bej Prishtinës dhe Shahin Bej Kolonjës ishte krahu më i fortë i Ismail Qemalit rreth partisë liberale opozitare “Ahrar” dhe kontribuoi në veprimtarinë kulturore e kombëtare – arsimore të Klubit Qendror “Bashkimi” të Stambollit, i cili kishte rolin e një ministrie shqiptare të arsimit dhe të kulturës në kushte të shtetit shqiptar në lindjen e sipër.
Nga fundi i vitit 1909 dhe në fillim të vitit 1910, Nexhib Bej Draga ishte deputeti më i sulmuar nga qarqet politike e publicistike xhonturke, por edhe nga qarqet propagandistike antishqiptare serbe. Nexhibi ishte luftëtari i pa kompromis në luftën shqiptare për alfabetin shqip të aprovuar në Manastir, dhe midis deputetëve që mbaronin alfabetin latin për shqipen në Parlamentin perandorak osman e kishte vendin midis kryesorëve. Kjo u vërtetua me angazhimin e tij në takimin e deputetëve shqiptare në lagjen e Stambollit – “Pare Palace” (ku ishin shumica e selive të përfaqësive botërore), e në të cilin u diskutua për çështjen e alfabetit shqip.
Sipas të dhënave te korrespodentit te gazetës ”Bashkimi i Kombit” të Manastirit, deputetet shqiptarë më të zëshmit për Alfabetin latin për gjuhën shqipe, ishin: Myfid Bej Libohova, Hasan Bej Prishtina dhe Nexhib Bej Draga, të cilët në emër të deputetëve partizanë të alfabetit latin për shqipen “vanë përpara Ministrit dhe i dhanë protestën” kundër provokimit të vlimeve në terren në dëm të alfabetit latin për shqipen, e për futjen e shkrimit arab-osman. Nexhib Bej Draga, personalitet i ngritur politikisht dhe shkencërisht, siç do të shihet, u vu në ballë të forcave shqiptare për të mbrojtur alfabetin kombëtar dhe për ta shporrur alfabetin arabo-osman të propagandës së huaj xhonturke, serBej, bullgare e greke për shqipen.
Këto propaganda e përqendruan punën kryekreje në viset e Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit, por edhe gjetkë në Shqipëri. Gazeta”Bashkimi i Kombit” e Manastirit e përcolli me kujdes aktivitetin politik kombëtar të Nexhib Dragës përball furtunës kundër Alfabetit të Kongresit të Manastirit në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, më 20 janar 1910, dhe shkroi: “Die i nderçimi deputet’ i Mitrovicës Nexhib Bej Draga shkoj për në Ysqyb” – për t’i ndalur vlimet e provokuara kundër alfabetit shqip nga armiqtë e kombit shqiptar, të mbështetur nga një dorë e ulemasë shqiptare islame.
Realiteti, ngase Shkupi në këtë kohë ishte bërë njëra ndër qendrat e propagandës antishqiptare serbe e bullgare, çështja e alfabetit shqip në Shkup dhe rrethinë mori përmasa të një përçarje kombëtare. Veçanërisht propaganda serbe nuk zgjodhi mjete për t’i përçarë shqiptarët në fushën të alfabetit, me shpresë se shqiptarët do t’i kapnin edhe armët për qërim hesapesh të përgjakshme midis kundërshtarëve të të dy taborëve – luftëtarë për alfabetin latin për shqipen dhe ithtarëve të mbështetur për alfabetin arab.
Posaçërisht do të përpiqen për komprometimin e Nexhib Bej Dragës dhe të Hasan Bej Prishtinës, të cilët konsideroheshin shtylla dhe do të kurorëzonin me sukses edhe pikën më të ndjeshme të Rezolutës së Kongresit të Manastirit, atë për ta vendosur definitivisht Alfabetin latin, të sotëm, për alfabet kombëtar të kombit shqiptar.
Qarqet politike xhonturke shoviniste dhe një pjesë e ulemasë shqiptare, gjithsesi të nxitur nga propagandat e huaja që shtiheshin miq të kombit shqiptar, në Shkup e formuan “Shoqërinë për shkruarjen e gjuhës shqipe me alfabet arab”, e cila i kishte vu vetës për detyrë te nxirrte alfabetin latin nga shkollat shqipe, pikërisht “në pjesën veriore të Arnautllakut” – të Shqipërisë, d.m.th. nga Vilajeti i Kosovës, ku synonin Serbia dhe Bullgaria.
Sipas një informate nga një agjent serb, më 20 janar 1910, dërguar Konsullit serb në Shkup, Nexhib Bej Draga ka qenë timonier i tërë lëvizjes shqiptare kulturore në Vilajetin e Kosovës, i cili ka ndihmuar themelimin e Klubit Kulturor Kombëtar në Shkup dhe ka përkrahur punën e tij.
Propagandat e huaja bënë që edhe deputetët shqiptarë në Parlament të ndaheshin në dy taborë, në të ashtuquajtur nga të huajt: “Latinashë” dhe ‘Arabistë”. Në grupin e parë ishin 10 përkatësisht 11 deputetë, kurse në grupin e dytë ishin 14 përkatësisht 13 deputetë. Midis “Latinashëve” ndër më aktivët u dëshmuan Hasan Bej Prishtina dhe Nexhib Bej Draga.
Me 20 shkurt 1910, qarqet xhonturke antishqiptare dhe propagandat e huaja, veçanërisht ajo serbe, në “Xhaminë e Sulltan Muratit” në Shkup mbajtën një miting të ulemasë, të sheikëve dhe të parisë së komprometuar dhe fanatike kundër alfabetit latin në shkollën shqipe dhe për futjen e alfabetit arab për gjuhën shqipe, me bindje se kështu kanë “marrë në mbrojtje besimin e shenjtë Islam dhe qëndrueshmërinë tonë të paluhatshme në përpjekjet kombëtare”. Me rastin e mbajtjes së mitingut në Shkup, kundër alfabetit latin, i cili është organizuar nga ana e Valiut të Kosovës, Mazhar Bejdri Beut, Arif Hikmetit, intelektual nga rrethi i Kumanovës dhe Sahit Efendisë, deputetit të Shkupit, Nexhibi dhe kontributin më të madh për mossuksesin e mitingut.
Madje, si njoftonte një fytyrë e panjohur Konsullin serb në Shkup, me 22 janar 1910, Draga bëri edhe takime me aderuesit e alfabetit latin në shqip, në Hotelin “Liria” të Shkupit. Por përpos kësaj, ai mori pjesë drejtpërsëdrejti në miting, në të cilin foli me letra të hapura kundër Valiut Mazhar Bedri Bej Pejanit dhe Komandantit të xhandarmerisë, Ismajl Efendisë, duke i fajësuar për turbullirat rreth alfabetit, por – “Si rrjedhim i parë i këtij mitingu është fakti se përnjëherë pas mitingut u lajmërua Stambolli se nga tashti deputetin, Nexhib Bej Dragën nuk e njohin për deputet të vetin, mbasi që e “ka humbur tërë besimin në popull dhe është bërë tradhtar” – njoftonte një i besuar i konsullit serb në Shkup, më 22 janar 1910.
Kështu, Porta e Lartë dhe Komiteti i Turqve të rinj nuk kursenin mjetet për ta shtypur lëvizjen e alfabetit në viset e banuara me shqiptarë, – “Por kur të merrej parasysh se Nexhib Draga dhe Hasan Prishtina, luftarë për alfabetin latin, gëzojnë respekt të dukshëm në mesin e shqiptarëve – ka gjasa se fare lehtë do të ngadhënjej ideja shqiptare në të gjitha vendet – e Shqipërisë Veriore” – theksonte Spiro Haxhí Ristiq, në raportin e datës 23 janarit 1910, drejtuar Konsullit serb në Shkup.
Ndërsa gazeta e serbëve osmanli, “Vardari” i Shkupit, më 24 janar 1910, në mes tjerash shkruante se; – “Po flitet se edhe qarqet qeveritare i kanë smirën këtij të kreut shqiptar, por neve nuk na është e njohur se a e ka dorëzuar mandatin e deputetit” -përfundonte “Vardar”. Përkundrazi, siç e lajmëronin konsullin serb në Shkup, me 24 janar 1910, Nexhib Dragës nuk ju thye morali dhe vazhdoi rrugën për në Veles dhe gjetkë, për të thelluar agjitimin për alfabetin latin për gjuhën shqipe. Meqë, në këtë kohë, ishin shkolla private dhe shtetërore në të cilat në disa mësohej alfabeti latin, ndërsa në të tjerat ai arab, “Nexhip Bej Draga u bë krah i fuqishëm për alfabetit latin në të gjitha shkollat” – njoftohej konsulli serb më 27 janar 1910.
Agjitimi i qarqeve qeveritare në drejtim të alfabetit latin vazhdonte edhe më. Organizoheshin edhe mitingje tjera, në të cilat demaskoheshin aderuesit e alfabettit latin. Kështu, si njofton njeriu i nënshkruar “Sabah”, më 28 janar 1910, në mitingun e Kaçanikut të mbajtur diku në mes të datës 20 e 25 janar 1910 – “Në këtë miting është manifestuar mosbesim ndaj Nexhib Dragës, deputetit të popullit për Shkup”.
Patrioti largpamës, Nexhib Bej Draga iu kundërvu trimërisht dhe me mençuri rrymës të ithtarëve të alfabetit arab për shqipen, duke e denoncuar si lëvizje të dëmshme për ardhmërinë e popullit shqiptar, kurse gazeta “Stamboul” e Stambollit, më 31 janar 1910 do të shkruaj: “Die u mbajt këtu (në Shkup) nji Kongres prej sa të parë (të) vendit shqyptarë muhamedan, të cilët vendosnë të përdorin alfabetin me letra harapçe për shkollat e Shqipënisë. Ky vendim u votu prej nji shumicesh madhe njerzish. Atë alfabet që vendosnë të përdoroin këta zotërij ta main për vedi e asnji njeri se njeh as do ta njoh se di as do ta diin e t’tanë Shqipënija ngrihet n’kamë tui than turp për këta njerëz (po thomi njerzë për mos me thanë ndryshe).
Kongresit i Manastirit është këtu i gjallë për me na diftue jo vetum neve por gjith botës, se nji tjetër alfabet s’bajm kabullë përveq ati i Toskë e Gegë, mysliman e t’krishtenë të gjithë me nji zaa vendosnë per të perdorue per gjuhen shqipe. T’gjith praa burra e graa, pleq e të rii do të therasin më nji zaa – Rrnoftë Shqipërija!, Rrnoftë alfabeti shqiptarë, Rrnoftë Kongresi i Manastirit”!
Pas shumë përpjekjeve të Hasan Bej Prishtinës dhe të Nexhib Bej Dragës gjuha shqipe u fut në “Darul Maulim” (Shkolla “Normale”) të Shkupit, në “Idadinë” (gjimnazin) dhe në Shkollën Edukative “Meçteb-i- Edeb” të Shkupit. Në këto shkolla shqipen e ligjëronin dy rilindësit dhe publicistët e shquar pejanë: Bedri Bej Pejani dhe Salih Gjukë Dukagjini. “Në Shkup u vendos me msue giuhen shqype me shkroia t’veta” – do të konstatojë “Bashkimi” i Shkodrës, më 6 shkurt 1910. Ministri i arsimit të Turqisë, i provokuar dhe i nxitur nga propagandat e huaja dhe nga një pjesë e ulemasë dhe krerëve islam fanatikë, me 23 janar 1910, lëshoi urdhëresën qe “gjuha shqipe në të gjitha shkollat në brendi të Vilajetit të jepet vetëm me shkronjat arae”.
Kjo urdhëresë u dha, akoma, fuqi qarqeve reaksionare antishqiptare në shumë vise të vilajetit të Kosovës. Më 28 janar 1910, në Kaçanik u organizua një miting kundër alfabetit latin dhe kundër Nexhib Bej Dragës. Në miting u kërkua të mbyllen të gjitha shkollat shqipe ku mësohej e shkruhen me Alfabetin latin. Kurse vetëm pak ditë më vonë, nga shkollat shqipe të Gjilanit do të ndiqen dy mësues të mësimit shqip. Veprimtarët e shquar, Nexhib Bej Draga dhe Hasan Bej Prishtina në Vilajetin e Kosovës qëndruan mbi një muaj, deri më 24 shkurt 1910.
Në këtë kohë, pa pushuar, propaganduan për shkollën shqipe, për alfabetin latin kombëtar dhe sqaruan rrugët e luftës për fitoren e lirisë mbi robëruesin shekullor dhe armiqtë e jashtëm të Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe i dërguan në Evropë rreth 40 aktivistë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me detyrë të propagandonin për shkollën shqipe dhe për alfabetin kombëtar latin, si dhe të mblidhnin ndihma për shkollën shqipe të rrezikuar nga robëruesi osman shekullor dhe nga propagandat e huaja.
Për përpjekjet e këtyre dy burrave të kombit të përkrahur nga “një tokë nga parësia e Kosovës” në luftën parlamentare për mbrojtjen e alfabetit kombëtar dhe të shkollës shqipe do të shkruajë edhe “Flamuri” i Bostonit, më 18 shkurt 1910. Si përgjigje më e mirë e Hasan Bej Prishtinës dhe e Nexhib Bej Dragës për qeverinë osmane-xhonturke dhe për qarqet antishqiptare ishte dërgimi edhe i një kontingjenti të rinjsh kosovarë në “Normalen” e Elbasanit.
Korrespodenti i gazetës “Dielli” të Bostonit, i nënshkruar “Liridashësi” do të konstatojë: “Këto ditë më të vlerët, më të dëgjurarit dhe të vetmit me moral nga deputetët e Gegënisë, Hasan Bej me Nexhib Bej Dragën ndodhën në Ysqyp e në Mitrovicë, nga shkaku i poshtërsie qe mbjell Xhemieti për ta, duke i kallëzuar nëpër zgjidhësit e tyre si nëpër terë popullin shqiptar në Gegëri si reaksionarë dhe si për të shitur në Austri e në Kauristan”.
Më tytje, “Liridashësi” i thërriste lexuesit të gëzohen për fatin që populli kishte dy përfaqësues si Hasanin dhe Nexhibin dhe u vinte në pah se Hasani kishte shkruar se; “hovi dhe koha e fanatikëve shkoi”, kurse “Nexhib Beju n’ anën tjetër, si gjigant, i mban krahun sivëllajt të tij dhe rreth syresh, posi vala në shembet, thyhet hovi dhe yryshi i fanatizmës, të cilën me aq dinakëri dhe paBejsi e mbolli politika mykur xhonturke”.
Korrespodenti i “Diellit”, duke përcjellë me kujdes veprimet e Nexhib Bej Dragës dhe të Hasan Bej Prishtinës në fushë të arsimit shqip, në një kohë vërtet të trazuar, do të konstatojë se “Nexhib Bej Draga dhe Hasan Bej Prishtina u kthyen nga udhëtimi qe kishin bërë në Shqipëri. Kryelartët atdhetarë e deftuen me të teprë veten e tyre si mpronjës të së dreqtës e të burrërisë. Ua pastë hua kombi shërbimet dhe u lumtë! Në shkollën ‘Normale’ vanë dhe 15 nxënës të tjerë nga Shkupi”.
Po kështu, gazeta “Shqypëja e Shqypënis” e Sofjes më 11 mars 1910, i njoftonte lexuesit se Hasan Prishtina dhe Nexhib Draga “me gjindjen e tynej ju kundërshtuen valiut” të Kosovës, Mazhar Bedri Beut, ish shok veprimi i Nexhib Bej Dragës, dhe kërkuan nga Qeveria osmane- xhonturke që atë ta tërhiqte nga posti i Valisë së Kosovës, me kërcënim se “do ngjajn ndryshe punët”. Këta dy patriotë të devotshëm e hodhën poshtë vendimin e Valiut për ndalimin e shtypit shqip në Vilajetin e Kosovës dhe kërkuan kthimin e mësimit të gjuhës shqipe në “Idadinë” e Shkupit dhe të ligjëruesit të saj, Salih Gjukë Dukagjinit.
Vërtet, Kryengritja e Madhe e Kosovës, e vitit 1910, do të bëhet një pretekst i mirë për t’i mbyllur shkollat shqipe, klubet shqiptare, shtypin shqip dhe shtypshkronjat shqiptare. Kështu, deri nga mesi i vitit 1910, u mbyll edhe Klubi “Bashkimi” i Shkupit, planifikuesi dhe koordinatori i punës arsimore në gjuhën shqipe në mbarë Kosovën. Por lufta e rreptë e parlamentarëve shqiptarë, ku shquhej edhe Nexhib Draga, do ta detyrojnë qeverinë xhonturke të bënte lëshime lidhur me shkollat shqipe dhe alfabetin kombëtar latin të gjuhës shqipe.
Në muajin maj të vitit 1911 e përtëriti aktivitetin në mënyrën të riorganizuar edhe Klubi Qendror “Bashkimi” i Stambollit në krye me Abdyl Bej Ypin. Në Pleqësi të këtij klubi, midis të tjerave, ishin: Gani Bej Frashëri, Myfid Bej Gjirokastra, Hasan Bej Prishtina, Nexhib Bej Draga dhe Sylejman Pashë Kolonja. Nga tashti “Të gjitha klubet në Shqipëri do të punojnë sipas programit qendror” të “Bashkimit” të Stambollit.
Roli i Nexhib Bej Dragës në luftën për alfabetin dhe shkollën shqipe në Kosovë e në mjediset e tjera shqiptare ishte i madh dhe i nderuar. Veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare, Nexhib Bej Draga, luftën për shkollë e shkrim shqip dhe për tërësinë e njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë nuk do ta ndërpresë deri në momentin kur do të arrestohet nga ushtria serbe, pas shpërthimit të Luftës Ballkanike.
Në muajt e parë të vitit 1911, Partia “Bashkim e Progres” ra nga pushteti. Në qeveri arriti partia “Hyrrijet-i Itilaf” (Liri e Marrveshtje), e cila i legalizoi alfabetin latin dhe shkollat shqipe. U hapën shumë shkolla shqipe në të gjitha qendrat e Vilajetit të Kosovës dhe në Vilajetet tjera shqiptare, por, Liria nuk zgjati shumë. Vazhduan të rreshtohen Kryengritjet e shqiptarëve, të VMRO-istëve bullgarë, e të komitëve çetnikë të Serbisë, sa që më në fund erdhi edhe Lufta e parë Ballkanike, pastaj edhe Lufta e Parë Botërore në dëm të Çështjes shqiptare./ Memorie.al













