Nga Ali Buzra
Pjesa e tridhjetenjë
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
REXHEP KASA VRITET DUKE LUFTUAR SI ANTIKOMUNIST I VENDOSUR
Viktimë e regjimit komunist të sapo vendosur në vend, ishin jo vetëm personat dhe familjet fisnike e me trashëgimi pasurore, por edhe familje të thjeshta e të varfra, ku pjesëtare të tyre dolën hapur kundër tij. I tillë është rasti i familjes Kasa. Babai i Rexhepit, Isuf Kasa, nga fshati Polis Gurshpatë, falë aftësive dhe etjes për të studiuar, me interesimin e autoriteteve turke të kohës, dërgohet në Stamboll për studime. Atje, studioi për disa vjet duke marrë arsimim fetar, ku dhe mori dekretin për Imam. Megjithatë, ai duke qenë dobët ekonomikisht, u mor kryesisht me punë bujqësore e blegtorale për të mbajtur familjen, duke mbetur kështu, thjesht një predikues dhe besimtar i devotshëm në fshat. Isufit i vdes gruaja e parë, me të cilën pati vetëm një vajzë. Ai martohet për së dyti, mbasi i kishte kaluar të pesëdhjetat. Me gruan e dytë pati 6 fëmijë, 4 djem e dy vajza.
Në vitin 1942 ai ndërroi jetë, në moshën 91 vjeç. Gjatë periudhës së luftës, ashtu si dhe shumica e burrave të fshatit Gurshpatë, djemtë e tij u pozicionuan me Ballin Kombëtar, duke qenë pjesëtarë të çetës nacionaliste të udhëhequr nga Ali Cekani. Pas çlirimit të vendit, ata iu përveshën punëve bujqësore, duke mbajtur edhe pak blegtori, për të plotësuar nevojat e familjes.
Djali i tretë, Rexhepi, në vitin 1947, u mobilizua ushtar dhe ishte me shërbim në Delvinë. Atje, ra në kontakt me një grup shokësh me bindje antikomuniste, të cilët kishin vendosur të arratisen në Greqi. Ai bashkëpunon me ta dhe bashkërisht gjejnë momentin e arratisen. Nga Greqia shkon në Itali. Këtu, merr kontakt me Alush Lleshanakun, një antikomunist i vendosur, nga Bradasheshi i Elbasanit.
Për disa kohë kryejnë stërvitje për desantim ajror, ku Rexhepi dallohet për përgatitje të lartë fizike, aftësi dhe mjeshtëri në përdorimin e mjeteve luftarake të kohës. Rexhep Kasa, tashmë, ashtu si dhe shumë të arratisur të tjerë, formoi bindje se në Shqipëri po vendosej një regjim i egër diktatorial. Në këto rrethana, ai i vendosur u bë pjesë e veprimtarisë së grupit të Alush Lleshanakut, për përmbysjen e regjimit komunist të sapo vendosur në Shqipëri.
Rexhepi merr detyrë dhe desanton disa herë në malet e Polisit e, zona të tjera të vendit. Në grupin e tyre vepronte edhe një spiun, i lidhur me Sigurimin e Shtetit shqiptar, i cili herë pas here informonte këta të fundit, mbi veprimtarinë e kryer si dhe personat pjesëmarrës. Në mars të vitit 1951, Rexhepi, ndodhej në fshatin Godolesh, i strehuar në një familje. Forca të shumta ushtarake të Ndjekjes, e rrethojnë shtëpinë dhe i bëjnë thirrje të dorëzohet, por ai nuk pranon.
Pas disa orësh shkëmbim zjarri midis Rexhepit dhe rrethuesve, këta të fundit i vënë zjarrin shtëpisë. Mes tymit e flakëve, del nga shtëpia, e duke luftuar me trimëri përballë forcave të shumta ushtarake, Rexhepi vritet. Duke u kthyer në kohën e pesë viteve më parë, kur Rexhepi u arratis, shtëpia dhe familja e tyre survejohej ditë e natë, por fillimisht nuk i internojnë, siç duket për të mundësuar kapjen e tij nëpërmjet njerëzve të afërm, por kjo nuk u realizua.
Në maj të vitit 1949, forca policore rrethojnë shtëpinë e Ismail Kasës, i cili ishte vëllai më i madh dhe kryetar i familjes. I nxjerrin forcërisht nga shtëpia shtatë pjesëtarë të familjes: Ismailin me gruan dhe tre fëmijë të mitur; Faikun 8 vjeç, Dautin 4 vjeç dhe Qamilin 2 vjeç. Me ta u morën edhe dy vëllezërit e Ismailit, Saliu e Shabani, përkatësisht 32 e 22 vjeç, që të dy të pamartuar. Familja e tyre niset njëherësh me familjet e Sherif Muzhaqit nga Vilani, të Muharrem Zogollit nga Bërzeshta, të Beqir, Ibrahim e Islam Dobrës nga Letmi, etj.
Për këtë, Faiku, i mbijetuar, sot dëshmitar i gjallë i ngjarjes, rrëfen se për dy javë qëndruan në Librazhd në një kazermë, shtruar në ato pak lecka që mundën të merrnin nga shtëpia. Më pas, në makina mbi karroceri i nisën për rrugë, duke i ndaluar në Turan. I vendosën jashtë në qiell të hapur, mbasi brenda nuk kishte vend. Aty, me pak bukë misri thatë, që jepej e racionuar, duruan shiun erën, vapën e diellin përvëlues deri në vjeshtë. Në muajin nëntor i ngritën të gjithë e i dërguan në Tepelenë.
Gjatë rrugës do të kalohej lumi i Bënçës. Aty, ndërsa e ëma mbante në krahë djalin e vogël Qamilin, e babai nxori djalin 4-5 vjeçar, Dautin, për t’u rikthyer të marrë Faikun, ky i fundit futet, por rrëzohet dhe e merr lumi. Prindërit nuk e vunë re. Gjatë nisjes së tyre për në Tepelenë, nuk kishte kurrfarë rregulli e kujdesi. Dy xhaxhallarët i kishin nisur përpara e, nuk ndodheshin aty në momentet tragjike për Faikun 8 vjeçar, që përballej me dallgët e lumit.
Fati e deshi që të shpëtojë, për të dëshmuar edhe ai sot si shumë të tjerë, mynxyrën dhe vuajtjet e kampit makabër të Tepelenës. Kujtimet e bashkëvuajtësve për Tepelenën janë përshkruar edhe më lart, por familja Kasa kaloi dy evenimente tragjike. Saliu, vëllai i dytë, bënte pjesë në skuadrën që hapnin varre çdo ditë, për të vdekurit e shumtë.
Si për ironi të fatit, një ditë, ai pasi hapi varrin e fundit, i tej lodhur e rraskapitur deri në palcë, shtrihet mbi varr dhe e kap gjumi. Mbasi lënë punën, shokët po e kërkonin dhe e gjejnë të shtrirë në varr. I thërritën dhe njëri prej tyre i shtrin dorën, mbasi Saliu nuk po ngrihej. Ai, pasi zgjohet, duke qeshur u thotë se aty në varr, kishte bërë një gjumë të ëmbël, duke parë ëndrra të bukura.
Saliut, veç punës për hapjen e varreve, i ishte caktuar edhe detyra si përgjegjës për ndarjen e ushqimit për të internuarit, por që asgjë nuk kishte në dorë, veç mbajtjes së radhës, mbasi çdo gjë ishte e planifikuar dhe nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosur. Pikërisht këtë ditë, pasi qe kthyer nga puna, ai ishte duke qëndruar pranë kazanit të gjellës, në detyrën e ngarkuar, ndërsa një polic i armatosur ndodhej pranë tij.
Në këtë moment shkrehet arma, e plumbi kap në dorë Gani Muzhaqin nga Vilani, ndërsa Saliun në trup, duke mbetur i vdekur në vend. Nga dëshmitarët e ngjarjes thuhet se ishte aksidentale, mbasi një fëmijë e kish tërhequr këmbëzën e armës së policit, por fakti është se Sali Kasa, mbeti i vrarë dhe u varros në varrin që ai vetë e hapi.
Moment tjetër tronditës për ta ishte se Qamili i vogël, që ende nuk i pati mbushur tre vjeç, sëmuret. I shtrirë mbi dërrasat ku qenë vendosur familjarët, në leckat e holla të shtruara nën brinjë, foshnja i sëmurë, pa asnjë ndihmë mjekësore here-herë çelte sytë duke shikuar të ëmën, së cilës dukej sikur i kërkonte ndihmë. Po ç’të bënte e gjorë nënë, e cila veç racionit të saj të bukës, ç’ka tjetër do të mund t’i jepte? Gjiri i pati shterur me kohë.
Ai, tashmë as bukën, e as supën zardahille nuk mund ta përcillte. Disa ditë, ndenji ashtu i përhumbur. Familjarët i kalonin pranë me radhë, duke i thërritur që të reagonte, e më në fund i mbylli sytë përgjithmonë foshnja i pafajshëm, që vuajti dënimin se ishte pjesëtar i familjes “armike” me regjimin. Varrezat shtoheshin për çdo ditë.
Nëna e tij, vendosi aty një shenjë, që të dallonte të paktën varrin e të birit. Kur u largua nga kampi, deri sa kaloi hapësirën e vështrimit, sytë i mbetën pas, e zemra e brengosur. Kështu familja Kasa, prej 7 personash la atje dy të vdekur, për të cilët nuk pati mundësi t’u shihte e t’u vizitonte varrin. Në Tepelenë qëndruan deri në vitin 1953, kur edhe filloi lirimi pjesë-pjesë i të internuarve. Faikun me të ëmën i patën liruar më parë. Në fillim të vitit 1951, e lirojnë përkohësisht edhe Ismailin, me qëllim që të kapej Rexhepi.
Njëra nga motrat, Shahja, qe martuar te Rrumbullaku në Mirakë, ndërsa tjetra, Fatimeja, te Qytyku. Kjo e fundit, mbante lidhje me të vëllanë Rexhepin, të cilin e takonte fshehurazi dhe e ndihmonte atë, duke e furnizuar me ushqime. Kur u “lirua” Ismaili, Rexhepi ndodhej i strehuar në një pyll në afërsi të fshatit.
Pra, siç duket Sigurimi i Shtetit kishte informacion, se Rexhepi kishte desantuar dhe prandaj e liruan të vëllanë. Fatimeja, shkon të Ismaili dhe i thotë se Rexhepi, do të vinte natën për ta takuar atë. Por Ismaili, kishte vënë re se shtëpia vëzhgohej në fshehtësi natë e ditë, andaj i thotë asaj, se në qoftë se do të vinte Rexhepi, do të vriteshin që të dy, prandaj të bënte kujdes.
Në një rast, motra, duke menduar faktin se i vëllai s’kishte kryer krime, i thotë Rexhepit, që më mirë të dorëzohej. “Kurrë”! -i qe përgjigj ai, – duke i thënë së motrës, se komunistët jo vetëm nuk do ta falnin, por do ta torturonin për të treguar bazat ku strehoheshin të arratisurit. Rexhepi zgjodhi rrugën e qëndresës.
Në moshë të re, vetëm 28 vjeç, ai u vra si burrat e me nder, duke i qëndruar besnik idealit antikomunist dhe familjeve që e patën strehuar, atë, dhe shokët e tij. Mbasi u liruan nga internimi, familjarët u kthyen në fshat. Për dhjetë vite nuk ua dhanë triskat e frontit. Më pas i pajisën me to duke ia hequr titullin e kulakut.
Megjithatë, problem ishte martesa e Shabanit, të cilit po i kalonte mosha. Kërkuan për nuse në fshatra të ndryshëm, por kudo hezitonin, sepse familja e tyre konsiderohej e prekur politikisht. Mbas 7-8 vitesh u bë e mundur të martohej me Hava Allmetën nga Polis-Gostima, e cila ishte ishte vajza e një familje që kishin qenë cilësuar kulakë.
Shabani me të shoqen, ka punuar gjithë kohën në kooperativë bujqësore. Ata lindën e rritën pesë fëmijë; Qamilin, Selimin, Nadiren, Fatmirin e Afërditën. Nënë Meremja, kur Shabanit i lindi fëmija i parë, ia vuri emrin Qamil, në kujtim të djalit të saj të mbetur në Tepelenë.
Edhe ndaj familjes Kasa, pati tentativa për t’i rekrutuar e vënë në shërbim të Sigurimit. Kështu në një rast, e thërresin Ismail Kasën në Degën e Punëve të Brendshme në Librazhd. Aty i propozojnë që të punojë në Vilan, te Muzhaqët dhe të japë herë pas here informacion për ta.
Pas një debati të nxehtë e kërcënues me Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, Ismaili, në fund ia pret shkurt: – “Zotëri! Unë di të bëj vetëm mur e, jo këto punë që më kërkoni ju”. Kështu punoi e jetoi me nder, burri i thjeshtë e dinjitoz Ismail Kasa, deri sa ndërroi jetë në vitin 1991.
Pas vitit 1975, ndaj familjes Kasa nuk pati përndjekje e ndonjë keqtrajtim të veçantë. Ata punonin e jetonin në kooperative me bashkëfshatarët e vet, si dhe merrnin pjesë, e u vinin në dasma e hidhërime, pa i keqtrajtuar, e diferencuar siç ndodhte me familjet kulake. Dauti, ka marrë për grua një vajzë te fisi Bufi, në Gostimë.
Djali i madh, Faiku, në vitin 1965, mobilizohet ushtar, por prapambetës. Çdo vit e thërritnin, por mbasi shiheshin letrat, nuk e merrnin nën armë, sepse duhej dërguar vetëm në repart pune. U dërgua përfundimisht në një repart të tillë pune në Rinas. Ai ishte shumë i kujdesshëm dhe i rregullt në zbatimin e disiplinës ushtarake, ndërkohë shfaqte jo vetëm korrektësi, por dhe aftësi të veçanta gjatë punës. Duke vënë re këto cilësi, oficeri epror e cakton si specialist.
Fillimisht meremetonte karrocat e drunjta e veglat e punës, ndërsa më pas kaloi direkt marangoz. Aty, ishte ngritur dhe një komision për dhënie kategorie. Faiku iu nënshtrua dhënies së provimit dhe u kualifikua, duke marrë kategorinë e V-të, si specialist marangoz, gjë që i shërbeu gjatë gjithë jetës.
Ai martohet duke marrë për grua një vajzë nga Çotajt e Hotolishtit. Bashkë me familjen e vajzës, ata organizuan “rrëmbimin”, me qëllim që familja e kësaj të fundit të mos kishte pasoja. Lindën e rritën 5 fëmijë, 2 djem e 3 vajza. Në vitin 1969, mbas shumë vështirësish e pengesash, ai mundi të marrë leje për të punuar në ndërmarrjen Tregtare Librazhd. “Isha shumë i kujdesshëm, – rrëfen ai. – Për disa kohë vë re se pas i qëndronte një spiun i vënë nga Sigurimi i Shtetit, i cili vazhdimisht e provokonte, por që nuk mundi të realizojë gjë”.
Punoi aty deri në vitin 1992, si marangoz, me përkushtim e ndërgjegje të lartë, ku fitoi respektin e administratës së ndërmarrjes, si dhe të shokëve në punë. Persekutimi, diferencimi shoqëror dhe përbuzja, ndaj familjeve kulake në kohën e diktaturës, u bë një fenomen i zakonshëm, aq sa, nga shumë njerëz të kohës, të indoktrinuar me frymën e ideve të ashtuquajtura socialiste, dukej si gjë normale.
Është për të ardhur keq, që përgjithësisht, nuk vihet re asnjë farë pendimi nga autorët. Dhe jo vetëm kaq, por edhe në biseda të organizuara në studio televizive, ka ende historianë apo studiues, që përpiqen të zbusin këtë luftë të ashpër klasore, që sundoi gjatë gjithë viteve të regjimit komunist në Shqipëri. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm