Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e fshatrave Drenovë – Boboshticë të rrethit të Korçës që ndodhen rrëzë malit të Moravës vetëm 8 km. larg qytetit, të cilat, jo vetëm për natyrën e tyre piktoreske dhe historinë e lashtë (sipas studiuesit të njohur, Prof. Dr. Sotir Temo, daton që nga shekulli i XI-të), por edhe për njerëzit e mençur që kanë nxjerrë prej dekadash të shkuara, si; Viktor Eftimiu, Kristaq Antoniu, Sotir Kuneshka, Dhimitër Canco, etj., emra dhe personazhe të njohur artistë, shkrimtarë, shkencëtarë dhe intelektualë të spikatur të fushave të ndryshme, ka nxitur kureshtjen e shumë vizitorëve dhe studiuesve të huaj nga Evropa e largët, si francezi, Andrea Mazoni, që e vizitoi atë në gushtin e vitit 1936, madje duke shkruar edhe dy libra, (‘Dokuments Contest et Chanson Slaves De L’Albania Du Sud’) vetëm për Boboshticën dhe njerëzit e saj të mençur. Si dhe shkrimi i panjohur i Themisto Dodonarit në gushtin e vitit 1945, me titull “Dy komunikime akademike në fshatin Drenovë” dhe nëntitull “Themeli i një arshive historike të fshatrave Drenovë – Boboshticë”, ku ai përshkruan disa aktivitete kulturore dhe artistike të zhvilluara në ato fshatra me emër të madh, edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Boboshtica në studimin e Prof. Dr. Sotir Temo!
Boboshtica sot ka afër 300 shtëpi dhe fshati është i vendosur ndërmjet katër kodrave. I mirënjohur Prof. Dr. Sotir Temo, në një studim të tijin, thotë se Boboshtica në shekullin XVIII – XIX, kishte fituar një farë pavarësie e vetëqeverisje. Nga një çiflig nën zotërimin e Ali Pashë Tepelenës (1817) e më pas të Sulltanit, shpëtoi nga kjo zgjedhë, duke paguar 6.555 lira turke. Në atë kohë, fshati u përtëri duke filluar rregullimet nga urbanistika. U shtruan rrugët e fshatit me kalldrëme, u ndërtuan urat, kanalet, çezmat e ujit dhe dy shatërvanë. Tokat e livadhet si dhe kullotat ngelën të përbashkëta. Një kujdes i veçantë tregohej për dy shkollat, për atë të vajzave dhe të djemve. Nga kishat e shumta që ndodhen aty, njëra prej të cilave ajo e Shën Jovanit, daton në shekullin XI-të. Aty ndodhen dhe dy manastire, ai i Shën Mërisë në krye të fshatit dhe ai i Shën Kollit në pjesën juglindore, rrëzë Moravës që është i ndërtuar në kohën e Skënderbeut (1450). Në këtë manastir është gjetur dhe një nga ikonat më të vjetra në rrethin e Korçës. Ky fshat administrohej nga një pleqësi që zgjidhej nga vetë fshatarët, në mbledhjet e hapura. Aty bëhej një jetë intensive komunitare, religjioze, por dhe kulturore që përshkonte gjithë fshatin, pothuaj gjatë gjithë vitit. Festat familjare dhe fisnore e sidomos ato fetare, i jepnin një gjallëri të madhe jetës në këtë fshat që shpeshherë tërhiqte dhe shumë të rinj nga qyteti i Korçës. Një vend të veçantë në të gjithë jetën e këtij fshati, kulturën, zakonet, traditat mirëqenien dhe shkollimin, do të zinte emigracioni, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim, nga Rumania në Francë. Në fillimet e shekullit të kaluar, shumë fshatarë nga Boboshtica do të shpërnguleshin për në Rumani, ku dhe krijuan të parën mërgatë shqiptare me vendosjen e tyre në Pietsh, afër Bukureshtit.
Andrea Mazoni, studiuesi francez në Boboshticë!
Siç thamë më lart, që nga fillimet e shekullit të kaluar kur boboshticasit u shpërngulën nga dheu i të parëve dhe u vendosën në Pitesh të Rumanisë, e deri nga mesi i këtij shekulli, shumë të tjerë nga ky fshat rrahën kurbetin për punë, por dhe për t’u shkolluar në universitetet e Lindjes dhe ato të Perëndimit. Pas hapjes së Liceut Francez të Korçës, në fillimin e viteve 1920, i cili u frekuentua nga një pjesë e madhe e fëmijëve boboshticas, disa prej tyre vazhduan të shkollohen në universitetet franceze. Në grupin e studentëve të parë që filluan mësimet në Francë, ku pjesa më e madhe ishin nga qyteti i Korçës (nxënës të Liceut Francez), nga fshati Boboshticë, kishte studentin Gjergji Canco. Në rrethet studentore dhe ato të emigracionit ekonomik shqiptar të Parisit e Montpeljesë, studiuesi i njohur francez Andrea Mazoni, ra në kontakt me ta dhe paraqiti shumë interes për Shqipërinë. Në këto takime me rrethet shqiptare të Francës, për vetë punën studimore të tij, Mazoni paraqiti interesa të mëdha për fshatin Boboshticë, të cilin vendosi ta vizitojë në një kohë sa më të shpejtë. Kështu, interesin e tij për Boboshticën, Andrea Mazoni e bëri realitet në gushtin e vitit 1936, teksa linte qytetin e Barit në Itali, për të mbërritur në portin e vogël të Durrësit, me një anije të vogël transporti. Në këtë fshat, Mazoni qëndroi për afro tre muaj, duke ndier mikpritjen e pakursyer të fshatarëve boboshticas, që e mahnitën mikun e largët nga Franca. Mes ngrohtësisë të njerëzve bujar të atij fshati, Mazoni u njoh imtësisht për ato tre muaj, që nga gjuha e zakonet, e deri te kultura e tyre që nuk i linte asgjë mangët edhe fshatarëve më të njohur të oksidentit. Pas kthimit në atdheun e tij, Mazoni do t’i shpeshtonte shumë kontaktet me studentët nga Boboshtica, që studionin në Paris e Montpelje, si Sotir Kuneshka e Gjergji Canco, duke kërkuar ndihmën e tyre për shumë gjëra, që atij do t’i duheshin në hartimin e dy librave voluminoz vetëm për Boboshticën.
Dy libra voluminoz për Boboshticën nga Andrea Mazoni!
Pas kthimit në Francë, Andrea Mazoni, i’u përvesh punës dhe hartoi një libër vetëm për Boboshticën, të cilin e titulloi “Dokuments Contest et Chanson Slaves De L’Albania Du Sud” (Par. Andre Mazon Professeuer Au College DE France). Në parathënien e këtij libri, që Mazoni e botoi në vitin 1936, ndërmjet të tjerash tregon për njohjet e tija për Boboshticën, nëpërmjet disa studiuesve të huaj, si A. M. Seliçjev nga Bullgaria, i cili në vitin 1931, kishte botuar në Bullgari librin studimor, “Slavjansko e Naselenie – Albani, Sofia”. Po kështu përpara këtij libri të autorit bullgar, i cili merrej me studimin e gjuhëve sllave në Ballkanin Jugor, Mazoni ishte njohur me Boboshticën që në vitin 1923, nëpërmjet librit e M. Naçit “Korça dhe katundet e Qarkut”, i cili ishte i botuar në Korçë. Në librin studimor për Boboshticën, ndonëse qëllimin e tij e kishte për gjuhët sllave në Ballkanin e Jugut, Mazoni do të ndalej gjatë vetëm për boboshticasit, në doket, zakonet e gjuhën e tyre, që nga fillesat e para kur ishte krijuar fshati para disa shekujsh. Një nga gjërat që i bëri më shumë përshtypje Mazonit në librin e tij për boboshticasit, ishte dëshira e tyre për dije e shkollim, ku shumë nga djemtë e këtij fshati që nga shekulli i kaluar, kishin kapërcyer kufijtë e Lindjes e Perëndimit, për t’u shkolluar në universitetet e Evropës e Afrikës së Veriut. Një nga personazhet e parë të Mazonit në librin e tij, është Dhimitër Canco nga Boboshtica, ose siç thirrej e njihej nga boboshticasit “Dhaskali”. Dhimitri kishte lindur më vitin 1814 dhe njihej si ‘Njeriu i madh” i Boboshticës. Ai kishte studiuar dhe ishte diplomuar në Liceun e Kostandinopojës, një nga më të njohurit e kohës. Në fshatin e tij, Dhimitri u kthye kur ishte 30 vjeç dhe qëndroi aty deri në moshën 90-vjeçare, kur ndërroi jetë, duke punuar për afro gjysëm shekulli si “dhaskal”. Në rininë e tij, Dhimitri kishte emigruar në Rumani, së bashku me bashkëfshatarët e tij dhe ishte kthyer përsëri në fshatin e lindjes. Ai ishte një njeri i gjallë që respektohej nga të gjithë bashkëfshatarët e tij. “Dhaskali” fliste disa gjuhë të huaja, si: frëngjishten, sllavishten, rumanishten dhe greqishten. Dhimitri vdiq në vitin 1904 dhe Andrea Mazoni nëpërmjet pasardhësve të tij, si Gjergji Canco, student në Montpelje, shfrytëzoi shumë nga memuaret e tij (Dhimitrit), për librin e tij për Boboshticën. Në librin e tij, Mazoni flet dhe falenderon për ndihmesën që i dhanë atij gjatë ekspeditës studimore në Boboshticë e Drenovë, Ministrat e Qeverisë Mbretërore, Dhimitër Berati e Myfit Libohova, si dhe Prefektin e Korçës, Ismet Kryeziun. Pas rreth 50 vitesh nga botimi i librit të parë, në vitin 1965, Mazoni botoi një libër tjetër për Boboshticën, kësaj radhe së bashku me kolegen e tij, Filipova Bajrova. Në parathënien e këtij libri, Mazoni dhe kolegia e tij Filipova, falenderojnë dhe evidentojnë për ndihmesën e madhe që ata kanë pasur për hartimin e librit që nga memuaret e Dhimitër Cancos, Papa Teodor Ikonomu, e deri tek ato të Stilian Eftimiut, e Sotir Kuneshkës.
Dy komunikime akademike në fshatin Drenovë!
Për fshatrat Boboshticë – Drenovë dhe historinë e tyre dhe njerëzit e mençur që nxori ai fshat, vazhdoi të flitej edhe pas mbarimit të Luftës dhe një prej tyre ishte edhe Themisto Dodonari, i cili në një shkrim të tij të datës 7 gusht 1945, me titull “Dy komunikime akademike në fshatin Drenovë”, dhe nëntitull “Themeli i një arshive historike të fshatrave Drenovë – Boboshticë”, midis të tjerash shkruante:
“Me rastin e një vizite në fshatin t’onë, ditën e 6-të të Gushtit – Ekremte e I-rë Shën Sotirit – në kopshtin “Nasi” të bukur, Ilo Mitka Qafëzezi, bëri dy komunikime letrare, akademike, tepër të rëndësishme për historinë e fshatrave Drenovë – Boboshticë, si dhe për historiografinë e Korçës përgjithësisht. Morën pjesë në këtë muhabet histori pleqtë të kënduar të fshatit, pjesëtarët e Këshillit N. Çlirimtar, trupi arsimor dhe shumë të tjerë.
Pas paraqitjes prej anës së shokut Tushi Dodana – Drenova, Qafëzezi u tregoi rrethit të fshatarëve dy kartonë të arshivës së “Institutit – Bërthamë” të tija, akt-vizita letrare të këtij viti, të cilat i përkasin kryesisht historisë së përbashkët të fshatrave Boboshticë – Drenovë. Është fjala për dy kodikë monumente historikë drenovaro-boboshticas, të cilët mbajnë numrat 48 dhe 283, të Katalogut Qafëzezi, të Dorëshkrimeve, të titulluara “Kondiku Dhaskal Dhimitër Canco Boboshtiri”, dhe i Arshivës Familjare Thodhoraq Dh. Canco të Boboshticës, dhe “Kondiku Dhaskal Dhimitri Verdho” (apo Verdhi) i Arshivës së Pleqësisë së fshatit Drenovë. Këtyre, duke u shtuar secilit nga një thesar të dytë dokumentesh historike përkatëse, nga të Mitropolisë së Korçës, prej arshivave të shoqërive shqiptarë të Bukureshtit, etj.
Qafëzezi po i jep destinatën që të përbëjnë gurin e vyer themelonjës të një arshive historike, të përbashkëta, të fshatrave Drenovë – Boboshticë, me një Efori prej 6 vetash, nga tre prej secilit fshat. Me përpjekje dhe bashkëpunim të Këshillave N. Çl, të të dyja fshatrave, të çdo intelektuali të këtyre, në Mëmëdhe edhe përjashta, kartonët do të pasurohen pareshtur me të gjitha ngjarjet historike më të ra të tyre, si dhe me jetëshkrimin e të gjithë burrave të shquar si mirëbërës arsimorë, shoqërorë etj. Gjer tek të tridhjet të vyer të Lëvizjes N. Çl. të Shqipërisë.
Qafëzezi, pasi dha të kuptohet, (me dokumente të gjalla të shpëtuara prej rrebesheve të pasme), se jo vetëm qytetet po dhe çdo fshat i Shqipërisë, me një përpjekje të kolegëve mësonjës, mundet të pajtonet me një Histori të tijën – duke zënë fill nga një horografi e fshatit: mëhallët, ndonjë lumë që e përshkon përmes apo rretheve, ma le fusha etj. Rrotull dhe më tej me toponomastikën e tyre, shkolla, kishë – xhamia, mirëbërësit e këtyre, të stolisura këto me çdofarë gojëdhënë që i përket themelimit të fshatit, legjendëra si ajo e grindjes së Tomorit me Shpiragun e Beratit etj. Bëri një përshkrim të përmbledhur të “Kondikut Dhaskal Dhimitër Canco” sikundër pason:
1.Shkrimtari e ndan monumentin historik të tija në dy pjesë, pas delikatës së parë, e cila zë dhe vendin e titullit, me fjalët: “Së Ndriturës Qinoti të Boboshticës, po i anatheset (i dedikonte kjo histori) e ç’përbërjes së Imlaqit … në ditët e … Sulltan Azizit në motin 1874…”.
Në pjesën e parë përkapet një parathënie me anë të së cilës Dhaskal Dhimitër Cancua, na thotë se nxitjen kryesorë për të shkruarit e këtij punimi, e pati prej ngjarjeve të ç’përbërjes së Imlaqit, domethënë të riblerjes së fshatit dhe të ç’këputurit prej regjimit të tij si Çiflik Shtetror (Imlaq – Pronjë shtetërore). I pshtetur në dy gojëdhëna historike të vyera, të cilat i’a jep në Bukuresht më 1840, Arkond – Pitari Jovan Simo Gjerasi – Boboshtari, bujeri i Vojvodës Aleks Gjikë – Allbanezit (i pari Domnitor reglementary i Muntenisë, me kryeqytetet Bukureshtin, burrë zemërbutë dhe mëmëdhetar”, conf. Dict. Saineanu f.905), thotë se të dyja këto fshatra, të rrënjosura këtu, prej kohësh të panjohura, janë nga disa bullgarë “shërbenjës të perandorëve Bizantinë, të dëbuar për faje politike”, apo, sipas një tjetër gojëdhënë, prej valëve të bullgarëve të dendurë në këto vende, që nga Veriu mbi Jugë”.
Duke hyrë në temën kryesore të tija, Dhimitër Cancua na tregon bukur arsyet politike të kohës kur, Drenova më parë dhe Boboshtica më pas, janë të shtrënguara të nënshtrohen në “Imlaqëra të Ali Pashës satrapit të Janinës”, në vitëret 1814 edhe 1817, të zezat e këqija të hequra prej “Spainjvet dhe Imlaqashinjvet” (1818 – 1874). Në plot kapituj (IV-XIV) të faqevet 27-126, na jepet një përshkrim i imtërishmë edhe i rrjedhmë i pesë herë “përpjekjeve për çlirimin prej Imlaqit”, me ndë ballë: nisiativën dhe përpjekjet fisnike të vetë mëmëdhedashësit Bujer Simo Gjerasi – Boboshtarit, i ikur prej këtij fshati “fëmijërisht, nga rrëmujërat e kohës”. Vëlen të ndënëvijonet një përpjekje të katërtë, për çlirimin e sëbashkmë të të dyja fshatrave, prej anës së Korçarit “Petro A. Kunxho (Kujunxhiut Drenovarit), cili me zotësirat e rralla të tija “bëri që të storaset në Korçë një ndënëkonsullatë Inglize, me ndënëkonsull Sir Xhorxhaqin”, etj.
Përpjekja e pestë dhe e përfundme, është ajo që bëjnë dy intelektualë fshatarë: Themel Sotir Kuneshka dhe sidomos i biri i këtija, Ligor Themeli, me shkrimtarin Dhimtër Canco. Projektet e këtyre të dyvet, të parashtruara me anë letërkëmbimesh Korçë – Boboshticë, nxirren në dritë dëshirën e zjarrme për të liruarit të Drenovë – Boboshticës “prej të zezavet të ckllavërisë së Imlaqit… me mëshirë të miletdashësit Sulltan Aziz”. Vuajtjet e këtyre, prej anës së qeverisë Osmanllie etj. Gjer në larjet e prasme të hesapevet imlaqore, të përshkruara aty me të tëra himëtimet, janë një kallvar i vërtetë.
Në kapitullin XIV të këtij monumenti historik, bëhet një “Përshkrim i fshatit Boboshticë)- “qytetth” – “komopolis”, i thotë konikografi i vyher – me toponomastikën sllave etj., si dhe me këtë kronikë të rëndësishme: “Përmbi lumin apo përroin Turckë, është një urë me thollë të qereçtë, e cila u ndërtua më 18…(siç) me të prishura të mirëbërësit të math të qytetthit t’onë Qir Nikollaq Jovan Gjerasi, Vulefti (Deputat) në Bukuresht”.
Pjesa e dytë e Kondikut Canco, me rëndësi të shumë historike dhe kjo merret me jetëshkrimet e burravet më të ç’quar të fshatit të lulëzuar edhe me kronika shqipëtare të vhyera të Korçës, Boboshticës dhe Dardhës”./Memorie.al
Drenovë (Korçë) 7 Gusht 1945
Themisto DODONARI
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016