Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me siglën “Tepër Sekret”, të cilat i përkasin viteve 1985 – 1989, ku ndodhet një korrespondencë e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me ambasadën shqiptare në Paris, lidhur me kërkesën e palës franceze dhe presidenti të asaj kohe, François Mitterrand, të cilët kërkonin që të nderonin shkrimtarin e njohur shqiptarë Ismail Kadare, me medaljen “Legjioni i Nderit”, e cila ishte dekorata më e lartë që shteti francez akordonte për të shtetasit e huaj. Korespodenca e plotë në mes diplomatit Kujtim Hysenaj me eprorët e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, si Ministri, Reiz Malile, zv / Ministri Sokrat Plaka etj., lidhur me këkresën e palës franceze, si dhe udhëzimet që i vinin atij nga ‘qendra’, se si duhej të vepronte dhe si t’u përgjigjej diplomatëve francezë në takimet e bisedat me ta!
Në mesin e viteve ’50, kur në Bashkimin Sovjetik, falë liderit të sapoardhur në fuqi Nikita Sergejeviç Hrushçovi dhe mbështetësve të tij, po kryhej procesi i destalinizimit, diku në Itali filloi të qarkullonte një libër, tip broshure, ku përshkruheshin me detaje tmerret e luftës civile (1918-1922), në atë vend stërmadh ku kishte “triumfuar” Revolucioni i Tetorit, që solli në fuqi bolshevikët.
Libri “Doktor Zhivago”, që ishte shkruar si tip pamfleti nga shkrimtari rus Boris Pasternak, thuhej se ishte mbështetur, financuar dhe shpërndahej nga shërbimet sekrete të SHBA-ve (CIA), të cilat donin t’i bënin të ditur botës mbarë se nga çfarë ‘djepi’ kishte dalë ajo ‘pjellë’ e regjimit stalinist, që vetë disa nga protagonistët e aktorët e tij po e demaskonin dhe po i’a çirrnin maskën.
Pas Italisë, po nën kujdesin dhe patronazhin e plotë të amerikanëve (të kamufluar nën Fondacionin “Rockefeller”), ai libër që vazhdonte të çudiste botën mbarë, arriti të futej edhe në vetë Bashkimin Sovjetik. Kështu, ndërsa udhëheqja staliniste e Moskës mundohej ta fshinte apo t’i nxirrte ‘jashtë’ ato tmerre që kishin përjetuar pothuaj të gjithë popujt që jetonin në të gjitha republikat e BRSS-së, amerikanët i’a fusnin “kontrabandë” përsëri brenda.
Dhe në kuadrin e gjithë kësaj fushate ‘letraro-politike’ të sponsorizuar nga amerikanët, asokohe emri i Pasternakut dhe libri i tij kapën “majat” e botës dhe autori u propozua për çmimin ‘Nobel’, i cili i’u akordua në vitin 1958. Edhe pse nga presionet e shumta, ai refuzoi që ta merrte çmimin ‘Nobel në Letërsi’, misioni i amerikanëve tashmë ishte kryer më së miri.
Kremlinit ajo gjë i’u kthye në bumerang, pasi refuzimi i Pasternakut bëri bujë më të madhe se ç’do të kishte bërë po ta pranonte atë çmim. Po kështu, pothuaj në të njëjtën periudhë kohe që amerikanët kishin filluar ‘aksionin Pasternak’, lideri komunist i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, i kishte dalë ‘zot vetë’ një ‘aksioni’ të tillë me shkrimtaro-politikanin serbo-boshnjak Ivo Andriç.
Thuhet se nuk kishte takim zyrtar apo privat ku vetë Marshalli Tito të mos fliste dhe promovonte me miqtë dhe të ftuarit e tij “gjenialitetin” e shkrimtarit sllav që “po ndriste me veprën e tij”, botën mbarë. Vepër ku përshkruhej “bashkim-vëllazërimi”, në atë vend me gjashtë republika e shumë etni të Ballkanit. Dhe, falë mbështetjes e promovimit të Titos, edhe Ivo Andriç arriti që në vitin 1961 të kurorëzohej me çmimin ‘Nobel në Letërsi’, edhe pse “bashkim-vëllazërimi” të cilit ai ‘i këndoi’ në veprën e tij, rezultoi veçse një fasadë, po të kemi parasysh luftërat që mbytën në gjak pothuaj të gjitha republikat e saj në fillimin e viteve ’90-të!
Plot 15 vjet më vonë (në 1985-ën), një histori krejt ndryshe nga ajo e Titos me Andriçin ndodhte në Shqipëri. Ajo me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare dhe diktatorin komunist Enver Hoxha e pasuesin e tij Alia (ngjarja e ka zanafillën kur Enveri ishte ende gjallë).
Ndërsa asokohe Franca dhe personalisht presidenti François Mitterrand, kishin ndërmarrë “aksionin” për nderimin e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, fillimisht me ‘Legjioni i Nderit’ (dekorata më të lartë që jepte Franca), dhe më pas për t’a propozuar si kandidat për çmimin ‘Nobel në Letërsi’, vetë vendi i tij, apo më saktë udhëheqja komuniste nuk e pranonte kurrsesi këtë gjë.
Madje jo vetëm kaq, por Tirana zyrtare u bënte të ditur francezëve se: “Në rast se Franca do ta ndërmerrte në mënyrë të njëanshme një veprim të tillë, atëherë…”.
Kjo gjë dhe mjaft makinacione të tjera tejet të rafinuara (tipike komuniste), bëhen të ditura për herë të parë nga këto dokumente zyrtare (që gjenden në arkivat e shtetit shqiptar), që publikohen për herë të parë dhe të plota në faqet e këtij libri.
Informacioni i diplomatit Kujtim Hysenaj nga ambasada shqiptare në Paris për ministrin Reiz Malile
Drejtoria e Dytë
I n f o r m a c i o n
Mbi një bisedë me ambasadorin francez
- Mbrëmë, në drekën që dha Akademia e Shkencave për grupin e arkeologëve francezë bisedova me ambasadorin francez për çështjet e mëposhtme:
Ambasadori informoi se në shpjegimet që u ishin dhënë francezëve për takimin Regan-Gorbaçov, amerikanët theksuan se konstatuan te Gorbaçovi sunduesin absolut të BS. Sipas amerikanëve, koha e udhëheqjes kolegjiale kishte marrë fund në BS sepse Gorbaçovi i zgjidhte çështjet me kompetencë dhe vendoste aty për aty.
Amerikanët u kishin thënë gjithashtu se sa herë ekspertët ngecnin në punën e tyre, zgjidhje gjendej porsa informohej Gorbaçovi.
Ambasadori tha se nga sa ishte informuar në këtë takim nuk ishte përfunduar ndonjë marrëveshje konkrete veç atyre që u publikuan. Takimi kishte karakter njohës dhe do të ndiqet nga një tjetër në të ardhmen.
E pyeta për informimin që u kishte bërë sovjetikëve nëpërmjet zëvendësministrit të jashtëm. Ambasadori tha se nuk e kishin informuar akoma por shprehu mendimin se sovjetikët e dërguan përfaqësuesin e tyre në Francë për të treguar se nuk janë marrë vesh me amerikanët për gjëra sekrete dhe në këtë kuptim vizita kishte më shumë një karakter mirësjellje nga ana e sovjetikëve.
Lidhur me refuzimin e Mitterrand për të marrë pjesë në mbledhjen që u zhvillua në Nju Jork për takimin e Gjenevës, ambasadori tha se presidenti francez edhe mund të kishte shkuar por vlerësoi se Konferenca që organizoi Regani ishte e nxituar dhe e papërgatitur.
Mitterand, tha ai, nuk mund të vijë në rolin e shërbëtorit dhe të zbatonte çfarë urdhëri që jep Regani. Franca, si në kohën e De Golit ashtu edhe sot asnjëherë nuk e vë në dyshim besnikërinë ndaj aleancës atlantike dhe SHBA por nuk pranon që të preket pavarësia dhe dinjiteti i saj.
2. Ambasadori pyeti në se është kthyer shoku Andon dhe nëse i ra rruga nga RFGJ-ja.
Afirmova që është kthyer dhe, duke evituar që t’i përgjigjem direkt pyetjes së dytë, i thashë se siç është në dijeni me gjermanët janë zhvilluar raunde bisedimesh për zgjedhjen e problemit.
Ambasadori nguli këmbë në këtë çështje dhe pyeti përsëri nëse bisedimet zhvillohen në terren konkret, apo është akoma në fazën e deklaratave parimore. Në fund pyeti nëse nga pala jonë shpreson se do të gjendet një zgjidhje e problemit.
I thashë se nuk dija më shumë hollësira për këtë çështje por i vura në dukje se në çdo gjë që e bëjmë apo e ndërmarrim, njeriu dëshiron dhe shpreson që të arrij rezultatin e dëshiruar. I vura gjithashtu në dukje se ne besojmë në realizimin dhe seriozitetin e palës gjermane.
3. Ambasadori ngriti përsëri çështjen e dekorimit të Ismail Kadaresë. U lut që për këtë çështje t’u jepet përgjigje sa më shpejt që të jetë e mundur.
4. Ambasadori tha se së shpejti do të na dërgojnë një notë për të transmetuar kërkesën e një shoqërie franceze për shpëtimin në det në rast katastrofash detare për t’u lidhur me një organizim analog të vendit tonë.
Kujtim Hysenaj
Shënim i Drejtorisë
Lidhur me interesimin që tregon ambasadori francez për bisedimet me R.F.Gj. shënojmë se është hera e dytë që ai e trajton atë në një interval 5-6 ditësh.
Si Drejtori jemi të mendimit që, në ndonjë takim të rastit, ambasadorit francez t’i bëhet një informim i karakterit të përgjithshëm për këto bisedime.
Kjo gjë do të mirëpritej nga pala franceze dhe njëkohësisht do të shërbente si një nxitje për të që të lëvizte për të ecur konkretisht në marrëdhëniet dypalëshe.
Shënimi ministrit Reiz Malile
Të bisedojmë
(R. Malile)
Telegrami shifër “Tepër Sekret” për ambasadën shqiptare në Paris
TEPER SEKRET
SH I F R I M
Adresa; Ambasada Paris
Koncepti: Erdhi në Ministri këshilltari i ambasadës franceze lidhur me dekorimin që francezët duan t’i bëjnë I. Kadaresë. Që në fillim nga ana jonë u theksua se veprimi i njëanshëm nga pala franceze në çështje të tilla pa pëlqimin e plotë të palës sonë, do të konsiderohej si jo dashamirës ndaj vendit tonë. I përmendëm me këtë rast se edhe sa është shkruar në shtyp, sipas të cilit Franca ka ndërmend ta propozojë Kadarenë për çmimin Nobel.
Informacioni i ambasadës shqiptare në Paris për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë
Drejtoria e Dytë
I n f o r m a c i o n
Gjatë një pritje të dhënë në ambasadën tonë në Paris me rastin e botimeve të dy librave të shkrimtarit Ismail Kadare në Francë kohët e fundit nga Shtëpia Botuese FAYARD, drejtori i Evropës në Ministrinë e Jashtme Franceze, Blet, e pyeti shokun Çeno, nëse qeveria shqiptare e pranon të dekorohen qytetarët shqiptarë nga qeveria franceze. Eshtë fjala për dekoruar Ismail Kadarenë, theksoi ai.
Problemi i dekorimit të Ismail Kadaresë është ngritur edhe herë tjetër nga francezët. Kështu në vitin 1985 shprehën dëshirën për ta dekoruar shokun I. Kadare me dekoratën e lartë “Legjioni i Nderit”, (La Legion d’Honorus). Në shtypin francez shpesh herë është komentuar çmimi Nobel për Kadarenë.
Në informacionin për udhëheqjen nr.377 datë 2.12.1985, është thënë: Duket se me këtë francezët ndjekin qëllime të caktuara, prandaj mendojmë të mos pranohet. Duke marrë shkas edhe nga komentet e bëra në shtypin francez se nga ana e Francës shkrimtari ynë Ismail Kadare do të propozohet për çmimin Nobel, francezëve do t’u themi se nuk duhet që të ndërmarrin asnjë veprim pa pëlqimin e qeverisë shqiptare.
Mendojmë që të mbajmë këtë qëndrim edhe për këtë radhë dhe të porositet shoku Çeno që në ndonjë takim të rastit me drejtorin e Evropës në MPJ, Blet, t’i theksojmë sa më sipër, lidhur me këtë çështje.
Tiranë, më 2.2.1989
Th. Haxhi
Ju bë …Parisit
Shoku Ministër shënon; që çështja të lihet heshtje.
Lëreni në heshtje. Memorie.al
24.2.’89
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016