Nga Liri Lubonja
Pjesa e dytë
Memorie.al / Liri Lubonja, është bashkëshortja e ish-të burgosurit politik, Todi Lubonja, ish-Drejtor i Radio-Televizionit Shqiptar, i goditur “për liberalizëm” nga Enver Hoxha në vitet 1973-’74 (pas Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës në RTSH-ës), duke përfunduar në burgun e Burrelit nga viti 1974 deri në 1987-ën dhe gjithashtu ajo është e ëma e shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit të njohur Fatos Lubonja, po ashtu i burgosur politik, nga viti 1974 deri në 1991-in. Liri Lubonja ka rrëfyer me mjeshtëri në librin “Larg dhe mes njerëzve”, peripecitë, vuajtjet dhe persekutimin e saj dhe gjithë familjes Lubonja, gjatë viteve të internimit. Një grua që dëshmon për vuajtjet e grave në sistemin socialist, për të cilin ajo vetë kishte luftuar.
FRAGMENTE NGA LIBRI “LARG DHE MES NJERËZVE”
(Kujtime internimi 1973-1990)
Të dënuar
Në vitet ’60-të kisha lexuar në Tiranë një libër, italisht, “La morte civile”. “Vdekja qytetare” e kishte quajtur autori atë fenomen, që ndodhte në vendet socialiste me kuadro të partisë apo të shtetit, që e pësonin e dënoheshin nga partia, përshkruhej një “vdekje” e tillë e një gruaje në Rumani.
Që atëherë më kishte bërë përshtypje shumë të thellë, gati e kisha përjetuar si një gjë timen atë ngjarje, ndoshta edhe pse ajo kishte qenë grua. Edhe te ne kishin ndodhur “vdekje” të tilla, por, me përjashtim të ndonjë të njohuri, i cili na ishte dhembur, të tjerat i kishim jetuar zbehtë.
Pse kishte ndodhur kështu? Tani këtë pyetje po ia bëja shpesh vetes dhe ajo sikur përmbante edhe një ndjenjë faji e qortimi. A ishte një- farë mirëqenieje si dhe puna e përditshme ajo që na bënte të mos merreshim me të tjerët? Kur ishte krijuar ai Komisioni i Dëbim-Internimeve ekzistencën e të cilit ne e mësuam vetëm më 1974?!
Herë pas here dëgjonim rastësisht se X ose Y i internuar punonte këtu ose atje, por shtohej se fëmijët e tij mësonin në shkolla e se jetonin pa përgjegjësira e pa probleme. Në pamjen e jashtme kjo ishte një goditje e butë, bile e pranueshme. Por në të vërtetë nuk paskësh qenë kështu.
Ajo “vdekje” e njeriut të gjallë ishte vërtet absurde, e shëmtuar, e pa pranueshme. Si kthehej ashtu në një njeri të huaj, të panjohur kurrë, i afërmi yt? Ja, më kaloi përbri në trotuarin e rrugës kryesore ai. Kush e di pse kishte ardhur në Lezhë. Kur u afrua jo vetëm që nuk m’i hodhi sytë, por ktheu kokën në anën tjetër. Nuk kishe kohë as të habiteshe. Deri këtu?! Si në përrallat apo tregimet fantastike ti ishe kthyer papritur në një qenie të padukshme për ata që nuk donin apo kishin frikë të të shikonin.
Të parët që nuk më dallonin më ishin njerëzit e zyrave, intelektualët. Edhe unë fillova të mos i dalloja. Sesi më dukeshin, si të mjerë, të përpëliteshin e vuanin kur më shikonin në rrugë që larg. Nuk kisha pse çuditesha. A nuk kisha dëgjuar atë refrenin në portën e hetuesisë: “Shyqyr nuk është për politikë”. Një e dënuar për vjedhje, kreu burgun e u kthye në lagjen tonë.
Me çfarë dashamirësie, përzemërsie e takuan të gjithë fqinjët, në një kohë kur ndonjëri prej tyre, Anën 3-vjeçare e shtynte që të mos hynte në shtëpi. Në gjithë atë rrugë të gjatë për të shkuar në magazinë ndodhte që nuk këmbeja as edhe një vështrim, e jo më përshëndetje me njeri. Por kjo ishte më e mirë sesa kur, papritur, mbi ty lëshoheshin disa vështrime kureshtare.
Qenë të ardhur në qytet, të cilëve shoqëruesi lezhjan nxitonte t’u tregonte se ajo gruaja atje ishte e shoqja e…! Një ditë, meqë i kisha shumë afër vëzhguesit, se si më hipi e i pyeta: – “E, si ju dukem, si kafshë zoo-parku”? Nuk e prisnin. Diç pëshpëritën të turpëruar e vijuan rrugën.
…Të rriturit, megjithëse jo aq lehtë, me logjikën e ftohtë e kalonin më kollaj, por si i bëhej Anës që, nga natyra, ishte një fëmijë tepër e ndjeshme, e dashur, e shoqëruar me njerëzit e sidomos me fëmijët? Kur mund ta kuptonte Ana se brenda çerdhes, kujdestarja sillej me të si me të gjithë fëmijët, kurse jashtë saj, si gjithë qytetarët. Me britma gëzimi Ana, në mes të rrugës apo në dyqan i lëshohej nga pas duke e thirrur Teta…, por teta në rrugë tjetërsohej aq më shumë kur, Ana ishte me ne!
Kështu i ndodhte edhe me shokët e shoqet, kur këta ishin të shoqëruar me prindërit. Dhe të keqen Ana e gjente te mami e gjyshja, që vraponin ta kapnin e pastaj ta mbanin fort për dore. Zemërohej, egërsohej, fillonte të qante e na kafshonte dorën që ta lëshonim.
Edhe na shante: “Gjyshja keçe mandaleçe” ose “mami keçe mandaleçe”. Na pikëllonte, por ç’të bënim? Vetëm kur mbërrinim në shtëpi, qetësohej, kërkonte të falur që na kishte sharë, kthehej në një fëmijë të dashur e të mire, pa e ditur që edhe ne ishim të dënuara si ajo.
Kur Xhija, kujdestarja e çerdhes më tha: “Vajza t’asht ny pak”, unë nuk e kuptova. Jo për punë të dialektit, por sepse atë lloj të “nymi”, pra ishte fjala për morrat, thuajse e kisha harruar. Megjithëse u përpoqa ta gjeja shkakun, nuk arrita. Jashtë çerdhes Ana nuk shoqërohej me asnjë fëmijë. As që më shkonte nëpër mend se kjo nymje mund të bëhej fare kollaj tamam atje.
Duket se vazhdoja t’i idealizoja këto institucione, ku prindërit i dërgonin fëmijët nga nevoja. Në çerdhen e vjetër, ku qe drejtoreshë Syri, ky qe një episod, por kur Ana kaloi në çerdhen e re, te drejtoreshë Drania, u kthye në një traumë për Anën, e na nxiu jetën edhe ne. Ndaj edhe po shkruaj për të.
Një natë më parë Zana, me porosi të kujdestares, ishte marrë mëse një orë me pastrimin e kokës së Anës. Një gjendje tensioni, nervozizmi e pështirosjeje na kishte pushtuar. Të nesërmen zbrita unë me Anën. Ishte ditë e ftohtë shkurti. Nxitoja se duhej të shkoja në magazinën e Shëngjinit.
Në hyrje të çerdhes priste drejtoresha e ngarkuar ku s’vete me autoritet e seriozitet. Shpupuriti flokët e Anës e me një tërsëllim të madh më tha: – “Nuk e pranoj, është e papastër”. I tregova si e kisha punën, por me arrogancë m’u përgjigj se asaj nuk i duhej dhe mbylli derën.
U nisa drejt stacionit dhe në autobus, duke e shtrënguar fort Anën që qante duke përsëritur: “Nuk ka Ana mola”, për herë të parë, mbas gjithë atyre që na kishin ndodhur, lotova. Ajo mungesë ndjeshmërie ndaj Anës më kishte prekur thellë. Si ishte e mundur që njerëz të tillë merreshin me fëmijët e i lëndonin në atë mënyrë?
Punëtorëve u tregova ç’më kishte ndodhur. Jupi shpejt ndezi një zjarr, pranë të cilit ulëm Anën, që vazhdonte të lotonte e t’u thoshte: “Ana nuk ka mola”. Ata e morën me të mirë e i përsëritnin: “Jo, jo, Ana nuk ka mola”. Pastaj Jupi, vajti i bleu një çokollatë në qytet. Në orën 12, më thanë: – “Ik në shtëpi. Edhe po të vijë Abdullai, i themi ne”. Po të mos kishte bota njerëz të tillë të mirë, si do t’i vinte halli!
* * *
Ana
Ana kaloi nga çerdhja në kopsht. …Mirëpo sa më shumë rritej, jeta i bëhej më e trazuar e më e komplikuar. Kjo nuk kishte të bënte me privacionet e mëdha, të vazhdueshme me të cilat po rritej. Ishte një shqetësim më delikat, më i dhimbshëm që prekte, helmonte shpirtin, botën e pastër e të gëzuar të fëmijës dhe e kthente atë në goditje traumatike të herëpashershme. Babai, pastaj gjyshi dhe Mimi (Gimi) ikën e nuk po ktheheshin.
Ana e vogël nuk mund ta shpjegonte këtë. Pyeste pa pushim: – Ku janë, pse nuk vijnë? – Në Tiranë, në punë – i përgjigjeshim; e ajo i përsëriste Tetisit: – “Babi është në Ranë, gjyshi në Ranë, Mimi në Ranë…”! Kur nga dritarja e kuzhinës prej nga kundronte “botën që e rrethonte” nuk pa nja dy ditë kalin e spitalit që kulloste zakonisht në rrethojën me kangjella, i thirri Tetit me keqardhje: – “Iku kali në Ranë”.
Kur u rrit edhe ca, filloi të pyeste me shqetësim – Gjyshe, si është babi im? Unë, pa asnjë mëdyshje, në çast e me forcë i thoja: – Shumë i mirë, për ty është më i miri në botë. Kënaqej dhe qetësohej.
… Një ditë Ana erdhi nga kopshti e shqetësuar dhe e pezmatuar. Fytyra e saj ishte mbushur me dëshpërim e habi. “Pse, babi Tosi, gjerman është”? “Si mund të jetë gjerman babi Tosi, a nuk është djali im? A është gjyshja gjermane?”
Ana dëgjonte dhe përpiqej të besonte këtë e jo atë që i kish thënë shoqja e saj më e ngushtë e kopshtit, kur ishin grindur. Shoqja e Anës, Gresa, na hapi vërtet punë. Sharjes “gjerman”, mbas disa ditësh i shtoi edhe një “armik”, “burg” etj. Ana duhej të mësohej, të familjarizohej me “gjermanët”, ndryshe do ta kishte keq.
Ne bënim çmos, me një lloj moskokëçarjeje, buzëqeshjeje kur ankohej, t’u tregonim vajzave se nuk na bënte përshtypje, nuk pyesnim për ato sharje. Një rrugë tjetër që përdora, nuk pati sukses. Po i flisja Anës se kishte gjermanë të mirë bile disa prej tyre vinin dhe në Shqipëri për punë, si miq. Ana hapi sytë dhe u kthye nga Tetisi – “Ua, çfarë thotë gjyshja, fjalë të turpshme”.(?!)
Duhet të dije ç’ndodhte në kopsht për të kuptuar këto reagime. Një ditë Ana nuk donte të shkonte më në kopsht e më tregoi arsyen. “Mua zojush Reti më bën gjithnjë gjermane”, më tha atë ditë. “Pse mua nuk më cakton zojusha asnjëherë të recitoj vjersha”? pyeste me interesim. Ne i përgjigjeshim se nuk recitonin vjersha të gjithë fëmijët, por Anën kjo nuk e bindte ndaj vazhdonte të këmbëngulte: “Unë, unë, pse nuk recitoj”? Ana kishte të drejtë të mos besonte.
… Por sa të rënda e të dhimbshme qenë për Anën vizitat e ndarjet në burgje. Në korrik 1975, takoi gjyshin në Burrel. Kishim shkuar të katra. Ana cicëronte vazhdimisht, i recitonte e këndonte këngë gjyshit, kurse Teti e mpirë, edhe ngase e zinte shumë makina, përgjigjej vetëm me “po” ose “jo”. Mbaruam takimin dhe kur u përshëndetëm, për t’u ndarë, Ana qau e thërriti me të madhe. Nuk ndahej nga Todi, e tërhiqte prej mënge dhe i thoshte “Hajde me ne në shtëpi”!
Si i priste takimet me babin. E shikonte nga larg që i afrohej portës së madhe të hekurt, përplaste duart gjithë gëzim duke bërtitur: – “Erdhi babi”. – Kalonte pastaj në krahët e tij përmes sportelit. Po Tetisi? Ajo ulej në gjunjë në një qoshe e as nuk fliste, as nuk lëvizte. Kishte frikë nga ushtarët dhe policët, që silleshin aty rrotull? Pastaj babi për të ishte aq abstrakt. Ajo qe vetëm një muajshe kur u arrestua Fatosi. Thirrjet tona, kritikat e Anës nuk e lëviznin nga këndi që kishte zënë.
Në ndarje vetëm Ana derdhte lot. Qenë lot dhimbjeje, por çuditërisht të bukur. Nuk i rridhnin faqeve, ashtu si rrëke, por i dilnin si sumbulla nga sytë e, meqë ajo mbante kokën ulur, binin njëri pas tjetrit mbi tokë. Nuk fliste aty, por rrugës pyeste me atë naivitetin e fëmijës: – “Pse nuk vjen me ne babi, nuk e lenë ata xhaxhat”? Më pas arriti vetë në konfuzionin se ata nuk mund të ishin “xhaxha” për të, ndaj, pyeste: “Nuk e lenë ata oficerët”?
Më 20 tetor 1976 Ana, që nuk kishte mbushur 4 vjeç, kaloi provën e saj të parë të madhe: Zbriti në këmbë nga Spaçi, në Rreps. Qenë 7 km. Ana ecte e zënë për dore me gjyshen, pyeste për ngjyrën e lumit, që, për shkak se mblidhte mbeturina, vinte si në ngjyrë okër, recitonte e pyeste me frikë: “Do të vijë nata”? Tetisi në qafën e mamit ishte e kënaqur. “Kështu të vijmë gjithmonë, pa makinë”, thoshte. Në Rreps pyetjet e Anës për natën u shtuan, por, më në fund, një makinë që erdhi me trupa nga Oroshi na ngjiti në Shpal. Aty u ulëm buzë rrugës e pritëm. Vajzat, të lodhura, zuri gjumi.
Një udhëtar hoqi xhaketën e i mbuloi. Një tjetër makinë, që zbriste nga Fushë-Arrëzi, na mori e na shpuri në urën e Matit. Ishte bërë natë kur u nisëm për në Lezhë. Të nesërmen në kopsht. Ana nuk lëvizte nga karrigia e nuk luante me fëmijët e tjerë: “Më dhembin shputat”, i qe ankuar edukatores. Tabanet e këmbëve na dhembnin ne e jo më Anës. Luanin me njëra- tjetrën, Teti kërcënonte Anën: – “Do të fus në burg”. – Pra Teti e ditka burgun! Kur e pyetëm çdo të thoshte burg, Ana na e ktheu: – “Pse nuk e dini ju”? Ne iu përgjigjëm se nuk e dinim, kurse ajo tundi kokën e na tha: – “Aa ç’jeni ju”!
Një herë qeshë ulur me Anën te vendi ku shkruhej “Ndal”, përpara portës së madhe të burgut të Burrelit. Erdhi një kamion “Zis”, e Ana pyeti: – “Me çfarë i bien ushqimet këtu në burgun e gjyshit”? Atje te babi i çonin me kamion. Për herë të parë Ana foli për burg të babit e të gjyshit. Po rritej, po bëhej e madhe, siç kishte qejf të thoshte. Tani Ana nuk fliste më për “Ranë” e “punë” për babin e gjyshin, por pyeste me insistim: – “Po ç’kanë ba? Pse i kanë futë atje”? E gjyshja i përgjigjej gjithnjë, shkurt, prerë: Asgjë s’kanë bërë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016