Memorie.al publikon ekskluzivish disa foto të rralla të ish-Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashi dhe të familjes së tij. Në dy nga fotot, që i përkasin vitit 1974, Ndue Marashi (në funksionin e Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku shërbeu nga viti 1970 deri në 1975-ën), duket pranë Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë komuniste të kohës, (Byroja Politike), duke diskutuar për maketin e qëndrës së Tiranës.
Ndërsa në fotot e tjera që publikohen për herë të parë, Ndue Marashi është me bashkëshorten e tij Françeska dhe dy djemtë e tyre, Gjovalinin dhe Vlashin, gjatë një dreke familjare të zhvilluar në vilën e tyre në Tiranë. Po kështu, shihet qartë dhe prania e ish eksponentit të lartë të Ministrisë së Punëve të Brëndshme, Mark Dodani, i cili, për një kohë të gjatë ka qënë një nga miqtë më të ngushtë të kësaj familjeje.
Sipas dëshmive të familjarëve të tij, shenjat e para të goditjes ndaj Ndue Marashit, u vunë re në banketin zyrtar të zhvilluar në hotel “Dajti”, për nder të Princit të Kamboxhias, Samde Norodom Sihanouk, ku kryeministri Mehmet Shehu, ndërsa ishte duke tokur gotat me të pranishmit, nuk pranoi ta bënte atë gjë me Nduen, të cilit i tha: “Me ty do kemi i punë…”!
Disa orë më vonë, në rrethana tepër të dyshimta bashkëshortja e tij, Françeska, do të goditej në rrugë, me mjete të forta në kokë, nga disa persona të paidentifikuar. Sipas dëshmisë së djalit të tij, organet e ruajtjes së rendit, nuk do të ndërmerrnin asnjë masë për zbardhjen e këtij incidenti të rëndë!
Ndue Marashi, do të raportohej zyrtarisht i vetëvrarë në datën 17 dhjetor të vitit 1975, por në fakt, vdekja e tij “aksidentale” kishte ndodhur 24 orë më parë në datën 16 dhjetor! Djali i tij, Gjovalin Marashi, ka rrëfyer për Memorie.al se i vëllai i vogël i tij Vlashi, kishte parë dy civilë të panjohur të cilët kishin dalë me vrap nga oborri i rezidencës së tyre (një vilë dykatëshe e ndodhur në rrugën “Haxhi Sina”, (pas Shkollës së Kuqe) dhe që ishin larguar me një motorr, në drejtim të paditur…?!
Ata ishin sinjalizuar nga një grua e paidentifikuar, e cila sipas dëshmisë, kishte qëndruar përpara lagjes ku banonte familja Marashi. Menjëherë në vëndngjarje do të mbërrinin forca të shumta policie të kryesuara nga Drejtori dhe Zv/Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës, përkatësisht Nusret Dautaj dhe Zef Loka. Autoritetet e kohës, do ta “mbyllnin menjëherë” çështjen e “vetëvrasjes” së Ndues, duke e konsideruar atë si “aksidentale”!
Të nesërmen, regjimi komunist nxorri një komunikatë “për përdorim të brendshëm”, ku thuhej se ish-Kryetari Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashi, vrau veten si “armik të partisë dhe popullit”, sepse kishte qënë i lidhur me sabotimin ekonomik që i’u bë rrethit të Tiranës në Baldushk dhe Shëngjergj. Pas kësaj, familja e tyre do të internohej në Tapizë të Krujës, nga ku do të ktheheshin në Tiranë vetëm pas vitit 1990.
Ironikisht, gjashtë vjet më vonë, afërsisht të njëjtën datë, njeriu i hekurt i regjimit komunist, që kishte inicuar fillimin e sulmeve ndaj tij, kryeministri Mehmet Shehu, do të “vetëvritej po në rrethana aksidentale”, në ambjentet e vilës së tij, duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016