Memorie.al/ publikon dy foto të rralla të Kongresit të IV të PPSH-së, i cili u zhvillua në datat 13 deri në 20 shkurt të vitit 1961. Ky do të ishte edhe kongresi i fundit në të cilin do të merrnin pjesë edhe delegacionet nga vëndet e Europës Qëndrore dhe Lindore të njohura ndryshe dhe si “Demokracitë Popullore”. Në punimet e këtij kongresi, regjimi komunist i Tiranës do të zyrtarizonte edhe prishjen përfundimtare të marrdhënieve politike dhe ekonomike me Moskën. Madje, sipas kujtimeve të vetë Enver Hoxhës, si dhe dokumentarëve e kinokronikave të kohës, në atë kongres, diskutimet midis delegatëve të PPSH-së, dhe atyre të ftuarve nga vëndeve lindore të udhëhequra nga Bashkimi Sovjetik, do të degjeneronin në akuza dhe kundërakuza personale.
Në këto dy foto zyrtare të cilat u realizuan pas përfundimit të punimeve të këtij kongresi, shihet qartë prezenca e pothuajse të gjithë ushtarakëve të lartë (gjeneralë dhe kolonelë) të Ministrisë së Punëve të Brëndshme dhe, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Pjesmarrja e madhe numerike e ushtarakëve të lartë nëpër kongreset e PPSH-së, tregonte qartë edhe rëndësinë e madhe që regjimi komunist i Tiranës, i jepte prezencës ushtarake në jetën politike të vëndit. Pas vitit 1961 këto imazhe, nuk do të bëheshin të njohur për publikun, pasi në të shfaqeshin një pjesë e mirë e ushtarakëve madhorë, të cilët nga viti 1966 e kryesisht në vitin 1974, kur filloj goditja ndaj të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut”, do të pësonin goditje (arrestime, internime, dhe ekzekutime) në karrierën e tyre.
Në këto dy foto dallohen (nga e majta në të djathtë): Xhule Ciraku, Todi Naço, Arif Hasko, Hysni Kapo, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Spiro Moisiu, Sadik Bekteshi, Teki Kolaneci, Hito Cako, Rrahman Parllaku, Kadri Hazbiu, Abdi Mati. Në rreshtat e mësipërm, Qamil Poda, Muhamet Prodani, Ndreko Rino, Abaz Fejzo, Baki Starja, Bako Dervishi, Bejto Isufi, Petrit Dume, Halim Xhelo, Edip Ohri, Xhafer Peci, Halim Rramohito, Todi Naço, Llambi Premti, Ernest Jakova, Vaskë Gjino, Mendu Backa, Qazim Kapizysi, Banush Goxhaj, Petrit Hakani, Zoi Themeli, Dilaver Radëshi, Sulo Kozeli, Zija Kambo, Neshat Hysi, etj. Për shkak të pjesëmarrjes së madhe të protagonistëve në të, kjo foto është e ndarë në dy pjesë. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016