Nga Prel Milani
Memorie.al / Deputeti historik i Shkodrës, Profesor Kolë Prela, u flijua 75 vjet më parë për fjalën e lirë. Ndaj vendosa të bëjë këtë kujtesë historike me rastin e 75-vjetorit të pushkatimit. Profesor Kolë Prela është opozitari i parë që kërkoi hapur pluralizmin politik, në Parlamentin famëkeq të 1946–ës, por ai u dënua me vdekje si tradhtar i popullit. Ai ishte doktor i lauruar në Torino, studiues, publicist dhe kritik arti. Ishte antifashist i vjetër, krijues i Këshillit Krahinor të Nacional-Çlirimtar të Shkodrës. Ishte organizatori i Lëvizjes Antifashiste në Rrethin e Dukagjinit dhe i ngritjes së Batalionit “Perlat Rexhepi”.
Profesor Prela ishte edhe një arsimtar i shquar, që kur ka qenë Drejtor i “Normales” së Elbasanit dhe pedagog i Liceut të Shtetit Shkodër. Ky idealist i shkëlqyer, u pushkatua për aspiratat tona evropiane të parealizuara akoma. Ai u pushkatua në lule të rinisë, duke u shuar dhe si familje. Ky emër ia vlen të kujtohet sot me nderimin më të madh, si model engjëllor i idealizmit të shqelmuar e baltosur, nga demagogët e paskrupullt të pushtetit.
FAMILJA MARTIRE E KOLË PRELËS NË SHEKUJ
Profesor Kolë Prela lindi në Shosh, më 19 tetor 1916 në një trung të vjetër atdhetarësh të martirizuar (Lulash Bala i internuar dhe i pushkatuar nga turqit në Torobullus, Mark Milani, luftëtarë kundër turqve e malazezëve në vitet 1910, 1911, 1915, u martirizua si Fanolist dhe është një nga martirët e besës shqiptare, pasi shkoi në litar, vetëm për të mos shkelë besën që i kishte dhënë shokut të prangave, Zef Delia).
Serbo-malazezet, gjatë Luftës së Parë Botërore, babait të Kolë Prelës, i dogjën shtëpinë, prandaj detyrohet të shpërngulet në qytetin e Shkodrës, së bashku me familjen e djalin e mitur. Në vitet 1923-1928, Kol Prela vazhdoi Kolegjin Saverjan, si nxënësi i Mjedës e, përfundon kolegjin duke marrë pikët maksimale. Nga viti 1929-1936, përfundon shkëlqyeshëm Liceun e Shtetit “28 Nëntori”, pastaj përfiton të drejtë studimi në Itali dhe në vitet 1936-1940, përfundon Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Universitetin e Torinos, duke u lauruar Doktor i Shkencave Letrare.
Nga vitin 1940 deri në qershor 1943, ka punuar si profesor i Letërsisë, Latinishtes dhe Greqishtes së Vjetër, në Liceun e Shtetit “28 Nëntori” në Shkodër. Ka qenë koleg dhe mik i Skënder Luarasit, Gaspër Palit, Qemal Draçinit, Ernest Koliqit, Gjergj Kokoshit, Simon Rrotës, Zef Kolombit, Ndue Përlucës, Safet Butkës, etj. U shqua si mësimdhënës, metodist, përkthyes, publicist dhe kritik arti. Ka qenë gjithashtu edhe Drejtor i “Normales” së Elbasanit, ka bashkëpunuar me revistat; “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Zani Shnanout”, “Fryma”, Cirka”, “Kumbona e së Diellës”, “Tomorri” etj.
Ka shkruar shumë artikuj studimorë si; “Shqypja Ilire”, “Tokë e madhnume”, “Nacionalizma shqiptare”, “Dom Ndre Mjeda dhe klerikët”, “Çështje filozofike”, “Çështje e të mësuarit”, “Mbi njohjen e botës”, “Rrymat e jetës shoqnore”, “A është Mjeda liriku më i madh i Shqipërisë”, “Gjuha e Fishtës”, etj. “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja, Profesorët Shefik Osmani, Androkli Kostallari, Çun Jonuzi, “Heronjt e popullit”, Tomë Kola, Nazmi Rushiti, Bardhok Biba, intelektualët Lorenc Shiroka, Luigj Sheldia, Angjelin Zojzi, Caf Jonuzi, Gjovalin Çerkaxhia, Jorgji Sota, Tonin Kiri, Çesk Bazhdari, etj, kanë qënë disa nga ish- nxënësit e Kolë Prelës.
Profesor Prela, ka qenë një nga organizatorët e demonstratës antifashiste të 22 shkurtit të vitit 1942. Ai ishte një nga nacionalistët e parë indipendent që përqafoi platformën politike të Konferencës së Pezës, hyri në Frontin Nacional-Çlirimtar dhe së bashku me Riza Danin, Dom Luigj Picin, Xhemal Brojën, Rexhep Hakën, Sadik Bekteshin, Shyqyri Hafizin, formuan Këshillin e parë Krahinor Nacionalçlirimtar të Qarkut të Shkodrës, me në krye major Sabri Gjonin.
Profesor Kolë Prela, në qershor vitit 1943, doli ilegal në malet e Dukagjinit, për të organizuar Lëvizjen Antifashiste dhe atje ngriti çetën partizane territoriale të Dukagjinit, duke koordinuar veprimtarinë antifashiste mes Shkodrës-Dukagjinit dhe Malësisë së Gjakovës. Në dimrin e vitit 1943, strehoi në Dukagjin dhe siguroi kalimin e Batalionit “Perlat Rexhepi” në sektorin Bogë-Thethë-Vuthaj. Ishte largpamësia e Profesorit, Prela, toleranca dhe dialogu që bëri me grupacionet e tjera politike, që gjatë kohës së Luftës, nuk pati as një konflikt të përgjakshëm në Dukagjin, mes forcave të Fronit nga njëra anë dhe ballistëve e zogistëve nga ana tjetër.
Deputeti Kolë Prela, votoi kundër Kushtetutës së vitit 1946.
Në zgjedhjet e vitit 1945, Profesor Kol Prela zgjidhet deputet i zonës nr. 11 në Nënprefekturën e Dukagjinit, Kolë Prela e Riza Dani, ishin deputetët e vetëm nacionalist dhe nga opozitarët e parë të Shkodrës, së bashku më Hysen Pejën dhe Zef Haxhinë, në Kuvendin e parë pas Luftës së Dytë Botërore, ku kërkoi ndërprerjen e terrorit politik. Në Asamblenë Kushtetuese, kërkoi hapur pluralizmin politik e ideologjik dhe orientimin pro perëndimor të Shqipërisë.
Kol Prela kundërshtoi projektin e Kushtetutës së vitit 1946 dhe votoi kundër saj, duke e quajtur si një “akt plot ngjyra ideologjike, si politikisht, ashtu edhe nga pikëpamja social- politike”. “Demokracia e lirë që kërkojnë deputetët Riza Dani, Kolë Prela, Hysni Peja, etj., nuk është veçse demokracia borgjeze”, shkruante gazeta “Bashkimi” me 17 mars 1946. Profesor Kolë Prela, u arrestua me 14 shtator 1946. U akuzua se ka qenë anëtarë i Komitetit Qendror të Parisë Demokristiane dhe në bashkëpunim me organizatën terroriste të Klerit Katolik ka luftuar për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri.
Për të gjitha këto, dënohet me vdekje si “tradhtar i popullit” më 13 prill të vitit 1948, pushkatohet në livadhe të Shkodrës, por nuk dihet se ku i përfundoi trupi, pasi akoma edhe sot, nuk ka varr. Prof Kolë Prela, ishte një idealist i shkëlqyer që për aspiratën tonë historike evropiane të parealizuar akoma, u pushkatua në lule të rinisë, duke shkimatur si person dhe si familje. Ky emër ia vlen të kujtohet sot me nderimin më të madh, si model engjëllor i idealizmit të shqelmuar e baltosur nga demagogët e paskrupullt të pushtetit.
LETRA E DREJTUAR MEHMET SHEHUT, MË 1945
-Dy deklarata historike të profesor Kolë Prelës-
Fort i nderuemi Gjeneral!
Jam i detyruem t’u informoj në mënyrë të menjëhershme, pasi mvartësi juaj Ndreko Rino në Rrethin e Dukagjinit, ka fillue një operacion represiv, krejt të panevojshëm dhe ma do mendja i pa autorizuar, të përdori dhunë ushtarake pa ditë me bë dallim mes të fajshmit dhe të pafajshmit. Si Përfaqësues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, i zgjedhur nga zgjedhësit e kësaj zone dhe organizator i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, nga fillimi e deri sot, deklaroj se lëvizjes sonë, askurrkush në Dukagjin nuk ju kundërvu me armë.
Madje, as tani nuk paraqitet asnjë rrezik, për një gjë të të kësaj natyre. Operacioni i Ndreko Rinos, ka ngjallur tmerr, pakënaqësi, e pasiguri, njerëzit nga frika po arratisën e marrin malin, jo për t’u bashkuar reaksionarët, të cilët nuk e di se ekzistojnë, por për hirë të së vërtetës, duhet thanë se ne po i krijojmë me duart tona. Po të arrestojmë e pushkatojmë për një fishek, për një pushkë, për një allti, nuk mbetet njeri pa u vra ose burgosë në gjithë Dukagjinin.
Malësori ma parë pranon vdekjen, se sa hunin e pa kursim që po i epet për shpinë. Si deputet i kësaj zone, unë hy dorëzanë, për të dorzue të gjithë të frigsuemit e të pa qartsuemit, me kusht që të lihen të lire, të shkojnë në shtëpijat e tyne, pasi nuk kan bë asnjë vepër kriminale, as ndaj qeverisë, as ndaj Luftës Antifashiste.
V.F.L.P
Me nderime e konsideratë të lartë
Deputeti i Dukagjinit
Profesor Kolë Prela .d.v.
Kodër Shëngjergj 25.12,1945.
(Dosja 2293, Arkivi i Ministrisë Punëve të Brendshme, Tiranë).
Deklaratë në mbrojtje të Patër Gjon Shllakut dhe grupit të klerikëve të Shkodrës, më 1946
Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në Liceun e Shtetit Shkodër dhe Përfaqësues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra, deklaroj sa më poshtë vijon. P. Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të pare, në verën e vjetit 1940, kur u ktheva prej Italie, pasi mbarova studimet e larta.
Qysh në takimet e para që kam pasë me të, kam mujtë me konstatue se ai, ishte një element anti-italian dhe anti–fashist. Kudo që kishte rastin e mundësinë, demaskonte dhe disa-provonte ardhjen e Italisë këtu, të njëjtën gjë bënte edhe me përkrahësit e Italisë e me tradhtarët, vazhdimisht këtu. Ka qenë kundër artikullit denigrues për popullin shqiptarë, që P. Fulvio Cordignano, pat botue në revistën “Albania”.
Madje, në këtë rastin e fundit, nuk u kondenue vetëm me dizaprovue, por edhe punoi për përpilimin e broshurës “Cordignanmo, Një gjyq përpara botës”, tue gjetë gati gjithë bibliografinë, tue përkthye gjithë copat e autorëve gjerman, që nevojiteshin për atë përgjigje. Nuk e vuni emrin në fund, mbasi broshura dilte në emën të grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit Shkodër, e në emën edhe ky, do të dukej, se profesorët e një instituti shqiptar, mos të ishin në gjendje me shkrujt një artikull, pa kërkue ndihmën, nga jashtë rrethit të tyre.
Këtë, mund ta dëshmojnë edhe profesorët; Mark Ndoja dhe Simon Deda, të cilët në atë kohë kanë kenë në kontakt të vazhdueshëm me të pandehurin. Këtë qëndrim anti-fashist, ka vazhdue ta mbajë gjatë gjithë kohës, që kam qenë në kontakt deri në qershor 1943, datë në të cilën jam ilegalizue, mbas të cilës nuk kam pasë rast me ra në përpjekje me të, derisa asht çlirue Shqipnia.
Mbas çlirimit, dihet prej të gjithëve, se P. Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën ku ashtë ma i përgatitun, d.m.th., në atë të kulturës. Ka bë konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë këto fjalë: Ashtë hera e parë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot, nuk asht një dhunti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit shqiptar”. Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gati me vërtetue edhe përpara Gjyqit të Popullit.
V.F.L.P.
Shkodër, 14.02.1949.
Deklaruesi
Profesor Kolë Prela d.v.
(Marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme).
DEKLARATA
“Pater Gjon Shllaku ka dhënë kontribut në kulturë, nuk është fashist”
Kësaj deklarate të bujshme, pas viteve nëntëdhjetë i janë referuar disa autorë, At Danjel Gjeçaj tek libri “Martirët e Kishës Katolike, 1944”, Ahmet Bushati tek libri i tij; “Në gjurmët e një ditari”, Zef Simoni tek “Gjenocidi komunist në Shqipëri”, Fritz Radovani tek libri “Një monument nën dhe”, At Zef Pëllumbi, tek libri “Rrno për me tregue”. Këtë fakt në mënyrë demaskuese, e ka cituar gazeta “Koha e Re”, qysh me 26 janar të vitit 1946.
Angjelin Zojzi, në Gazetën “Shkodra”, i pranishëm në atë seancë gjyqësore, shkruan: “Siç në fillim të vitit 1946, filozofi Gjon Shllaku, ndërsa po zhvillonte mësim u arrestua me akuzë ‘tentativë për ikje’. Kjo akuzë e gënjeshtërt, tronditi mikun e tij, Prof Kolë Prelën, që ishte deputet. Kjo lëshoi dritë mbi fatin e ardhshëm të intelektualëve shkodranë, prandaj doli me forcë dhe guxim në mbrojtje të tij, duke lëshuar një deklaratë të befasishme, përpara trupit gjykues.
Gjyqi po zhvillohej në Kinemanë ‘Rozafat’ me altoparlant në rrugë. Kryetari i trupit gjykues, e lexoi me zemërim e nervozizëm këtë deklaratë, duke shtuar se ky person, sikur të ishte trim, le të vinte këtu dhe të deklaronte hapur. Profesor Kolë Prela që rastësisht ndodhej në rrugë, erdhi e u fut menjëherë me kokën lart, drejt e në sallën e gjyqit. -Shoku kryetar i seancës, erdha të mbroj deklaratën që sapo lexuat. Atë deklaratë e kam lëshuar unë dhe jam i vendosur të mbroj të vërtetën”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm