Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të atentatit që i’u bë Mbretit Zog më 20 shkurt të vitit 1931 kur ai ndodhej për kurime në Vjenë, nga ana e një grupi emigrantësh politikë shqiptarë që jetonin në kryeqytetin austriak, me në krye Ndok Gjeloshin, Aziz Çamin, dy ish-oficerët e Ushtrisë Shqiptare që kishin marrë pjesë në Kryengritjen e Qershorit të vitit 1924, si dhe Qazim Mulletin e Angjelin Sumën, të cilët pasi kishin zënë pritë në portën kryesore të Teatrit të Operës së Vjenës, qëlluan disa herë me revolverët e tyre ndaj Zogut dhe adjutantëve të tij, në kohën që ai po hipte në automjetin e tij që e priste aty afër, duke lënë të vrarë në vend, majorin Llesh Topallaj dhe duke plagosur ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ekrem bej Libohova. Si u përcoll ai lajm dhe e gjithë ngjarja e atentatit ndaj Mbretit Zog që shpëtoi për mrekulli pa u prekur nga plumbat e atentatorëve, në gazetat më të mëdha të Europës dhe atyre të SHBA-ve, si: “The New Jork herald”, “Daily Telegraph”, Daily Express”, “Chicago Tribune”, “Moring Post”, “Universul”, “Daily Herald”, etj., të cilat gjetën rastin dhe botuan për disa muaj me radhë në faqet e tyre me dhjetëra artikuj, ku përveç ngjarjes në fjalë, i kushtuan shumë shkrime edhe miqësisë së Mbretit Zog me baroneshën austriake Maria de Janko dhe motrën e saj, Franciska de Janko, të cilat kishin qenë për disa kohë në Tiranë dhe me vajtjen e Zogut në Vjenë, edhe ato kishin shkuar aty duke u akomoduar në Hotel “Regina”, ku Mbreti i Shqiptarëve gjatë gjithë atyre ditëve, i frekuentonte shpesh dhe dilte me to në shëtitje në parqet më të bukura të Vjenës.
Lidhur me këtë ngjarje e cila është bërë publike vetëm pas viteve ’90-të, Memorie. al ka siguruar një dosje voluminoze nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, (e cila botohet për herë të parë), ku ndodhet një korrespondencë e ministrisë së Punëve të Jashtme të Monarkisë së Zogut me Konsullatën shqiptare në Vjenë, e cila në mes të tjerash i dërgoi në Tiranë edhe të gjitha fotokopjet e gazetave më të njohura të Europës dhe SHBA-ve, që për disa muaj me radhë, i kushtuan shumë shkrime ngjarjes në fjalë.
Shtypi botëror mbi ngjarjen e atentatit ndaj Mbretit Zog në Vjenë
Nxjerrun prej fletores “Daily Express”
Fryer 21, 1931
NJI ATENTAT PËR TE VRA NJI MBRET
Dymbëdhjetë të shtime mbi sundimtarin e Shqipnis
Ministri vdes për me shpetue Mbretiun Zog
D R A M A N Ë TH E A T R I N E V J E N Ë S
Luftë revolesh nëpër dritoret e automobilave
Prej P. Pembroke Stephens
“Daily Express”, korespondent
Vjenë, e premte
Nji mësymje e egër mbi Mbretin e Shqipnis Zog, u ba sonte vonë në Vjenë ku Mbreti kishte ardh me u sherue prej Nevrostenies dhe prej helmit të nikotinit.
Mbreti Zog me suitën e tij dhe me ca zyrtarë austriakë po sa kishte dalë prej Operës ku luajte “Legenda e Joze”, e kondaktueme prej Richard Strau dhe sa po zue vend në automobilin që e priste jashtë operës, u dëgjuan krismat e revolverë në të dy anët e automobilit.
Mësyesit, dy njerëz veshun mirë me rrobat natet, qitshin me pushkë në xhamat e automobilit prej një distance s’ë afërme.
Njerëzit e Zogut e rrethuan automobilin dhe nxorën revolet prej brezit dhe qëlluan mbi katilët me një gjakftohtësi, tuj pandeh se gjendeshin në majë të maleve në zëmër të Shqipnisë dhe jo pranë operës së madhe të Vjenës.
Major Topollaj, një prej suitës së Mbretit, bashkë me një ministër më trim, sakrifikuan jetën tuj i bë ballë trimërisht shiut të plumbave me qëllim që të shpëtojnë Mbretin e tyre. Topallaj shtjeu katër herë me revolver, para se me ra i vdekur në tokë para se një plumb i hyni në true.
Tuj ra majori, ministri i tij, Marshall Libohova, i cili ka një trup të madh, dolli para Mbretit dhe vazhdoi të shtjer mbi katilët që u mbrapsojshin gjer sa muer një plumb në kamë.
Dymbëdhjetë të shtime u banë mbi Mbretin dhe shpëtimi i tij u duk një gjë e mrekullueshme.
Katilët mbasi nuk mujtën me ja mbërrit qëllimit të tyre, u munduan të ikshin, por populli i Vjenës, i hidhëruem nga përdorimi i bujarisë së qytetit të tyre, i kapi katilët dhe i rrahën për së keqi, deri sa erdhi policia.
Të dy katilët i dërguan në një burg dhe tash janë tuj u pyet.
Mbreti Zog i cili mbajti gjakftohtësinë gjatë kësaj ngjarje, morri një automobil dhe vajti në Hotelin “Imperial” në Ring strasse ku banon që kur ka ardh në Vjenë.
Kur unë mbërrita në skenë pak kohë pas ngjarjes, shtyllat e Oborrit t’Operas ishin mbulue me gjak dhe toka aty pari ishte mbush me copa xhamit të thyem nga automobilat. Plumbat kishin shpue kapakët e hekurit të dyqanit që shet nota muzike.
Ato me të parët që shkuan me urue Mbretin për shpëtimin e tij dhe me i shpreh hidhnimin për ngjarjen ish – Ministër I Punëve të Jashtme i Austris Z. Schober dhe ambasadori I Italisë.
Zogu qe se pat ardh në Vjenë pas asistue dhe një shfaqje tjetër të teatrit, “M. Cindares”, një komedie muzikale angleze dhe ather qe vue re se okuponte një vend në fund të lozhës dhe lozhat përbri dhe karshi lozhës së tij ishin okupue prej suitës dhe detektivëve të tij.
Major Topallaj ka kenë një katolik. Ka lanë mbrapa një grue muhamedane të bukur prej një nga familjet ma të mira.
Martesa e përzieme e tij ka qenë e para që u bën bazë të ligjës së re të Mbretit Zog që lejonte martesën në mes të muhamedanëve dhe katolikëve.
Katilët janë dy oficerët e rie artilerijet të quejtun Aziz Çami dhe Ndok Gjeloshi. Të dy kanë marrë pjesë në revolucionin e 1924 që qe shtyp pa mëshirë prej Mbretit Zog dhe emigruan tuj prit radhën e tyre me marrë gjakun.
Në kohën kur Zogu i pashëm dhe aventurier u bë president i republikës, mbasi pat sundua një fis, ai bani shumë armiq.
Jo ma pak se 800 vetë janë betue me ja marr gjakun të afërmve të tyre, që janë vra para derës së pallatit të Zogut.
Në Shqipninë e shkrepave, akoma kusarët grabisin karvanë dhe gjak-marrja konsiderohet me një indiferencë dhe me një detyrim si pagesa e një borxhit.
Mbreti asht si një i burgosun në pallat të tij, i mbrojtur ditë e natë prej shërbëtorëve dhe prej fisit të vet. Ai kurrë nuk shikon prej dritores për arsye se ka frikë që mos të vritet dhe ka nji herë në të rrallë kur shkon për shëtitje, organizohet mirë për mbrojtje.
Kur çeli asamblen për të mbramen herë në të gjitha rrugët qe prej pallatit ishin rreshtua ushtarë për me paksue kërcënimin e vrasjes gjys për gjys.
Mbreti shpreson me zhduk zakonet tradicionale. Gjak marrja ekziston që prej 15 shekull. Në fiset e Veriut, jo ma pak se 3000 vetë janë vra gjatë një viti. Në qarkun e Poplanit përqindja e vrasjes pat mbërritur deri 42.
Përk. A. Gj.
Nxjerrun prej “The New Jork Herald”, Edicioni i Parisit
22 Fruer 1931
Roma do të ndërhynte me armë në rase qi atentatorët t’ja kishin mbërrit qëllimit të tyne
Dy oficerët e arratisun do të dërgohen në gjyq. Mbreti do të rri në Vjenë me tregue se nuk ka frikë.
Vjenë, e shtunë.
Randësija politike ashtu dhe njerëzore e mos arritjes së qëllimit t’atentatit të bamun Mbretit Zog theksohet në komente prej fletores së këtushme. Vdekjen e pa befas e sundimtarit të Shqipnisë, thuhet se gati pozitivisht do të kish shkaktue lëvizjen italiane.
“New rei Presse”, thekson faktin që traktati i Tiranës i jep të drejtë Italisë me ndërhy me armë në rast se bahet një mësymje prej së jashtmi ase ndoj kryengritje e brendshme. Një kryengritje e këtillë do të ish e paevitueshme në rast që Zog do të vdes pa ardh koha, për shkak se ai sot asht i vetmi shqiptar me mjaft autoritet me ruejt paqen e vendit të tij.
“Fletorja mandaj dëften dollinë e ngjarjes siç e ka rrëfyer z. Çatin Saraçi.
Nxjerrun prej fletores “Chicago Tribune” Paris, 22 Fruer.
Mbasi fletorja shkruen ndodhien e ngjarjes dhe rrëfimin e atentatorëve shkruen kështu:
Të dy e quajnë Mbretin tradhëtor
Të dy oficerët thanë se ata u munduen me vra Mbretin për shkak qi aj asht tradhëtor i atdheut. Dhjet vjet para, Çami duke jasht atdheut.
Mbreti Zog sot në mëngjes ka ndej në shtrat për arsye se vuen nga tronditja e ngjarjes me gjithë që nuk ka prekun prej asnjë plumbi. Ministri i tij, z. Libohova q’i u plagos në kambë asht jashtë rrezikut. Trupi i Topollajt q’u vra do të dërgohet për vorrim nesër në Tiranë.
Nxjerrë prej Fletores “Morning Post”
Fruer 23
NJË PIKË E RREZIKSHME
Responsabiliteti i Italisë kundrejt Zogut
(Prej korrespondentit t’onë)
Romë, 22 Fruer.
Atentati ba kundrejt jetës së Zogut shikohet këtu si një provë tjetër për ta ba Shqipninë një vend zjarrit për një eksplacion të Ballkanit. Kjo provë e turbullinave në kufi të Shqipnisë, përgatitoret prej politikanëve t’arratisun shqiptarë qi kanë qendrën në Vjenë, komentohet tepër në shtypin e Romës dhe besohet se fuqiet e m’çeftë, mbrapa ktyne trazinave, do t’i drejtoheshin kundër Italiës.
Vdekja e Mbretit Zog do të kishte shkaktue reaksione të këqija. Me traktatin Italo-Shqiptar nënshkrue me Naddorin e 1927, qeveria Italiane detyrohet për nji prej nji kohe prej 20 vjetësh me sigurue integritetin dhe independencën komplete të Shqipnisë, ashtu si përfaqësohet prej regjimit mbretnuer të Zogut, dhe Italia mere përsipër, në rast nevoje, me i dhanë ndihmë regjimit të Zogut me gjithë forcat ushtarake dhe financjare në rast të ndonjë luftës së pa provokueme ase në rast të një kërcënimi luftet qi mund t’i bahet Shqipnisë.
Ndoj revolucjon serioz në Shqipine do të justifikonte ndërhyrjen e Italisë, nji hape kjo qi do të shkaktonte mobilizimin imediat të Jugosllavisë.
Përk. A.Gj.
Nxjerrun prej Fletores “Daily Telegraph”
London 24 Fryer 1931
ROMANCI I MBRETIT ZOG
Për çfarë arsye Mbreti qëndroi në Vjenë
Nji baroneshë e re Vjeneze
Prej korrespodentit tonë
Vjenë, e hanë.
Miqsija romantike ndërmjet Mbretit Zog dhe të nji baroneshe të re Vjeneze, si përfundim i së cilës Mbreti nuk i dëgjoi këshillat e doktorvet për të shkue me qëndrue n’Alpet, e ekspozoi at n’atentatin bë kundra jetës së tij të premten në mbrëmje, si mbas fletores “Stunde”.
Zoja Baroneshë Maria de Janko, e njoftun në Tiranë, thotë fletorja, erdhi në Vjenë me motrën e saj të madhe, baroneshën Franciska de Janko, pak kohë pas mbërritjes së Mbretit Zog, dhe ra në hotelin “Regina”.
Mbreti Zog i kapun prej dashurisë së motrës së vogël, ju përul dëshirave të saj për të pa për një kohë ma të gjatë qytetin e lindjes së saj dhe ai qëndroi këtu ma tepër se sa kish ndërmende me ndejtun. Ai shpesh herë u poq me motrat, të cillat okupojshin llozhën e afërme të theatrit natën e së premtes kur u ba atnetati për t’a vra dhe u shifte me ta në theatro dhe në vende të tjera të qejfit.
Fletorja “Stunde” deklaron se dashtunija e Mbretit Zog për baroneshën Maria de Janko, i shkaktoi policisë vështirësi të veçantë për të qëndrue në hazretin e tyne, dhe pothue qe tu ju b ani atentat ma i hershëm afër hotelit “Regina”.
Konfirmohet sot se Mbreti zbrazi të pesë fishekët e revolit të vet kundra atentatorëve.
Përk. A. Gj.
Xjerrun prej fletores “Morning Post”
London, 24 fruer 1931
ATENTATI MBI MBRETIN ZOG
Tirana raporton se asht komplot Jugosllav
Prej korrespodentit t’onë
Vjenë, Fruer 23.
Si mbas raporteve të Tiranës, atentati i të cilëve nuk mund të vërtetohet këtu, atentati mbi jetën e Mbretit Zog asht organizue, me ndihmën e Jugosllavëve, prej Gani Beut, i vëllai i Cen Beut, i vramë ka tri vjet në Pragë. Mbas vdekjes së Mbretit komitaxhit shqiptar, të pajosun në Jugosllavie, do të hyeshin në Shqipnie me tri qarqe dhe do të shkaktojshin nji revolucion.
Gjeloshi me Çamin, q’i shtien n’automobil të Zogut, natën e së premtes, si mbas ktyne raporteve, kanë qenë në marrëvesjhtjet të ngushtë me qarqet Jugosllave.
“Die Stunde”, informohet mbi nji atentat mbi jetën e Mbretit Zog, ka qenë pregatit disa ditë para së premtes prej emigrantëve shqiptar. Atentati do të zgjaste në Votiv Park ku Mbreti Zog e kishte ba zakon me takue me dy zonjusha dhe shetite me ta. Këto janë dy motrat Janko, të cilat në kohnat e fundit ardhun prej Tirane. Mbretu ka disa vjet që asht njoft me kto. /Memorie.al
Perk. A. Gj.
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016