Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon një dokument të panjohur arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili i përket vitit 1957, ku ndodhet një proçes-verbal i një takimi të Enver Hoxhës me një grup shkrimtarësh dhe artistësh nga më të njohurit e asaj kohe, duke filluar nga: Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dhimitër Shuteriqi, shkrimtarët Kolë Jakova, Sterjo Spasse, Nonda Bulka e Llazar Siliqi, skulptorët dhe piktorët Vangjush Miho, Foto Stamo e Kristina Hoshi, kompozitorët Prenk Jakova e Çesk Zadeja, etj. Proces-verbali i plotë i atij takimi me bisedën e zhvilluar ndërmjet Enver Hoxhës me shkrimtarët dhe artistët më të njohur, i cili zhvillohej një ditë para mbajtjes së Kongresit të parë të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ku merrte pjesë edhe anëtari i Byrosë Politike dhe zv/kryeministri Spiro Koleka.
“Le të marrim për shembull veprat e shokut Vangjush Mio se atë e njoh si të vjetër, bashkë me Nondën e kemi pasur mësues. Ai ka mjaft tablo dhe skica ku kanë dalë mirë në dukje karakteristikat e stilit tonë popullor. Prandaj formalisht ne nuk i duam në këtë takim arkitektët. Ne konkretisht duam që ti vetë, si inxhinier, t’i nxitësh ata të bashkëpunojnë ngushtë me piktorët dhe kur të venë poshtë të shohin në vend jetën e popullit e ta futin këtë frymë në skicat e tyre. Ata të mos punojnë vetëm sipas librave. Të keni parasysh edhe anën ekonomike, por kjo të mos ju çojë në krijimin e blloqeve pa shumë shije dhe bukuri. Unë mendoj se karakteristikat nacionale të ndërtimeve tona nuk janë të tilla që i kushtojnë shumë ndërtimit. Në të gjitha fushat si në letërsi, art, arkitekturë duhet të punohet dhe të krijohen vepra që t’i dojë, t’i kuptojë e t’i ndjejë populli”.
Kështu u shpreh në mes të tjerash Enver Hoxha në një takim të mbajtur me shkrimtarët e artistët më 15 maj të vitit 1957, ku merrnin pjesë disa prej personazheve dhe emrave më të njohur të artit, kulturës dhe letërsisë së asaj kohe, duke filluar nga Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dhimitër Shuteriqi, shkrimtarët Kolë Jakova, Sterjo Spasse, Nonda Bulka e Llazar Siliqi, skulptorët dhe piktoret Vangjush Miho, Foto Stamo, Kristina Hoshi, kompozitorët Prenk Jakova e Çesk Zadeja, etj., si dhe anëtari i Byrosë Politike dhe zv/kryeministri Spiro Koleka.
Lidhur me bisedat që zhvilloi Enver Hoxha me atë grup shkrimtarësh dhe artistësh, personalitete nga më të njohura të artit, kulturës dhe letrave shqipe që ishin një ditë para mbajtjes së Kongresit të parë të Lidhjes së Shkimtarëve dhe Artistëve, na njeh dokumenti arkivor me proçes-verbalin e atij takimi, të cilin Memorie.al e publikon për herë të parë.
Proçes-verbali me bisedën e zhvilluar ndërmjet Enver Hoxhës dhe një grup shkrimtarësh dhe artistësh me 15 maj të vitit 1957
15 maj 1957
SHOKU ENVER: Këto nuk janë ëndrra, këto janë plane, realitet dhe do të bëhen medoemos. Ju e dini ç’perspektiva ka nafta te ne, atje ne do të rritim kuadro të rinj. Kuadrot që kemi janë heroikë, ata punojnë, kanë mësuar zanatin, po sa të tjerë do të na duhen akoma. Ne duhet t’ju gëzojmë ju se me miliona rezerva ton nafte janë zbuluar në vendin tonë. E ç’është një rafineri? Do të ngrihen 4 rafineri në të ardhshmen edhe më të mëdha se këto që kemi. Në të gjithë Shqipërinë ka naftë, deri në Shkodër, Korçë ë Gjirokastër. Prandaj i’a vlen barra qiranë që shkrimtarët tanë, piktorët, kompozitorët, të futen në zemrën e klasës punëtore dhe andej të nxjerrin të tilla vepra që të zevendësojnë konferencat e tepërta që bëhen e që nganjëherë e mërzisin popullin.
Një roman ka një rëndësi të madhe dhe konferencierët tanë, po të lexojnë mirë romanet tuaja, do të jenë në gjendje t’i frymëzojnë njerëzit më mirë për punë. Edhe bujqësia jonë ka një perspektivë shumë të madhe. Kolektivizimi, kjo temë është kapur nga disa, të shohim tani ç’na ka bërë Fatmiri që është futur në Fermën ë Maliqit. Po me një lule nuk vjen behari, thotë populli. Çështja e bujqësisë duhet t’i preokupojë të gjithë se po bëhet një revolucion i madh në fshatin tone, me kolektivizimin. Pastaj ka kontradikta të mëdha në fshat përveç të metave dhe gabimeve. Ne po qortojmë njerëzit e Partisë, udhëheqësit e komiteteve të Partisë, se në disa raste nuk zbatohet drejt dhe mirë vija e Partisë. Ka kontradikta jo vetëm në mes të fshatarëve, po edhe ne mes të komunistëve.
Janë futur në Parti shumë fshatarë të vendosur, po akoma ka shumë që nuk janë edukuar mirë. Komunistët e fshatit duhet t’a kuptonin se duhej të ishin të parët që të futeshin në kooperativën bujqësorë, po disa prej tyre nuk janë bindur. Ka ndikuar edhe çështja e traditave dhe e lidhjeve familjare. Ka udhëheqës partie që u thonë komunistëve: ose me babanë, ose me kooperativën. Mirëpo, babai atij i ka bërë kokën, familja është familje, thotë Partia, prandaj kjo ka rëndësi, por ata s’i marrin parasysh këto dhe gjejnë rastin e i përjashtojnë nga Partia. Pra, në fshat ka luftë, ka kontradikta. Një nga armët ë Partisë sonë për zgjidhjen e këtyre kontradiktave, janë shkrimet tuaja.
Komiteti Qendror, shokë, mendon sa detyrë të lartë keni ju të letërsisë dhe të arteve në mobilizimin e masave për ndërtimin e bazave të socializmit. Prandaj ne këtu dalim edhe me autokritikë se: megjithëse e kemi kuptuar rëndësinë e arteve e të letërsisë, duhet akoma më thellë t’a kuptojmë këtë rëndësi dhe të bëjmë përpjekje e t’u lehtësojmë punën shokëve që kryejnë këtë detyrë kaq të madhe. Shokët shkrimtarë dhe artistë, e kuptojnë se rrojmë në Shqipëri dhe nuk kanë pikëpamje ekstravagantë, nuk kërkojnë gjëra të tepruara.
Por që të mundin piktorët tanë të zhvillojnë artin e tyre duhet t’u sigurohen penela, bojra, vende punë e të tjera. Mund të punohet edhe në odaçkën e Vangjush Mios, që i ka lënë plaku, një furriçkë të vogël, dhe ai në këtë odë më ka bërë edhe mua një portret si shokë që ishim. E kam fjalën që artistët të kenë edhe një vend ku të punojnë dhe të ekspozojnë veprat e tyre, t’u krijohet një atelie, ku të punojnë këta shokë më lirisht, pastaj më vonë do të bëjmë edhe gjëra të tjera.
SHOKU SPIRO KOLEKA: Këta shokë duhet të luftojnë me shumë, nuk është se këta na kanë ardhur dhe ne nuk i kemi ndihmuar.
SHOKU ENVER: Me këtë besoj se nuk jemi dakord. Kërkesat për nevojat e këtyre na kanë ardhur me anë të raporteve që kemi lexuar.
FOTO STAMO: Që nga viti 1947 ne kemi bërë relacione për këto gjëra.
SHOKU ENVER: Nuk bëhet vetëm me relacione, këta të ekonomisë tani kanë marrë direktiva edhe për këto çështje.
SHOKU SPIRO KOLEKA: Ne importojmë me qindra milionë rubla mallra dhe të mos sjellim këto që u duhen piktorëve, duhet të na vijë turp për burokracinë tonë.
Duke i’u përgjigjur mendimit të shprehur që të luftohet burokracia me anën e satirës, shoku Enver tha:
Ja p.sh., Nonda Bulka bën disa satira shumë të mira, prandaj shoku Nonda mos e lër të të trashet maja e penës (të qeshura). Sigurisht ju merreni edhe me gjëra të tjera. Nonda është një talent i vjetër, po ku ta shprehte përpara atë? Tani i ka të gjitha mundësitë. Kështu edhe Sterjo Spasse që tani po nxjerr romane që i pëlqen populli. Pra ka shumë mundësi në vendin tonë në këtë drejtim. Sa të jetë e mundur ne do t’ju ndihmojmë më shumë për interesin e popullit. Shokët piktor nuk kanë të bëjnë pa qenë të lidhur me natyrën dhe jetën, ata janë pak më përpara në këtë drejtim, është pastaj edhe zanati i tyre që i çon jashtë mureve të shtëpisë. Megjithatë pak bëjnë. Edhe këta duhet të tregojnë hovin e madh të klasës punëtore dhe të fshatarësisë. Kjo duhet të shprehet në veprat e tyre megjithëse dhe peisazhet kanë rëndësi të madhe. Proporcionin ta ruajmë. Shoku Mio mund të trajtojë edhe zhanre të tjera, po më duket se ai e ka peisazhin në gjak. Mendimi im është se pikturat e tija janë shumë të mira, kanë shumë vlerë dhe kur i shoh ato, shoh dritën dhe ngjyrat e maleve të Korçës, sepse unë atje kam jetuar mjaft kohë. Në veprat e tija gjen realizëm.
SHOKU SPIRO KOLEKA: Po duhet të mos nxjerr vetëm pamje nga të Korçës po edhe nga të zonave të bregdetit.
SHOKU ENVER: Mirë, le të nxjerrë, po ju nuk keni nxjerrë vetë ndonjë piktor andej, vetëm piratë keni nxjerr (të qeshura të gëzuara). Kapitenët e Himarës kanë qenë të dëgjuar për të qethur delet e Korfuzit. Ka pasur edhe nga Shkodra kapitenë të zotë për anije tregëtare. Ne edhe flotën detare tregëtare do ta zhvillojmë, edhe artin duhet ta zhvillojmë në të gjitha drejtimet.
VANGJUSH MIO: Natyrën duhet ta shohësh, ta ndjesh mirë, të shihet në momentin kur është më e bukur. Po ta ndjesh nxjerr gjëra të mira. Më përpara unë isha në rrethin e Korçës, po nuk mjafton, duhet të dilet edhe jashtë se pa dalë nuk bën dot gjë. Piktorët duhet të punojnë po ne duhet të mblidhemi edhe dy-tri vetë së bashku, të vemi në malësi dhe atje të lidhemi me popullin.
SHOKU ENVER: Mir është, ju mund të nxirrni edhe vepra në bashkëpunim me njëri-tjetrin
FOTO STAMO: Kjo ndihmon se kritikojmë edhe të metat e njëri-tjetrit.
SHOKU ENVER: Te ne ka mjaft vepra të mira që paraqitin vendin tonë, përpjekjet tona. Edhe shokët sovjetikë që kanë ardhur u kanë pëlqyer veprat tuaja, kanë qenë të entuziazmuar dhe kanë thënë së këta njerëz janë me perspektivë të madhe. Në pikturë ne, nuk kemi pasur tradita dhe mbështetje, prandaj përpjekjet e shokëve tanë janë për t’u lavdëruar. Po përsa u përket letërsisë, poezisë, muzikës, ne kemi edhe traditat tona. Poetët dhe dramaturgët tanë duhet t’i mbështetim dhe të kërkojmë më tepër nga ata.
P.sh. në dramaturgji kemi gjëra të mira që na kanë pëlqyer jashtëzakonisht shumë siç janë veprat e Kolë Jakovës që janë vepra të forta dhe edukative. Edhe romanet që janë bërë janë të mira, po mos harroni edhe novelat. Këto janë të bukura dhe kuptohen e lexohen nga masat e gjëra. Me to mund t’i emocionosh e t’i mobilizosh njerëzit. Duhet të marrësh parasysh edhe nivelin kultural të njerëzve tanë. Unë kam lexuar romanin e Shuteriqit dhe e kam pëlqyer po kjo varet edhe nga dispozicioni i momentit. «Fyelli i Tanës» gjithashtu më pëlqeu shumë. Dua të them që këto zhanre të mos lihen pasdore. Romanet janë të mira sidomos për nivelin tonë.
Ja edhe Aragoni shkruan romane, po subjektet që trajton janë të rënda për masën, ai nuk ka mundur të fiksojë si duhet karakteristikat e luftës. Prandaj sa të jetë e mundur të kemi parasysh edhe nivelin e popullit kur shkruajmë. Edhe për muzikën jam dakord se duhet të shkruajmë edhe opera, edhe simfoni, patjetër, po edhe zhanret tjera që mobilizojnë masat si kompozimet e Trakos, Gaqo Avrazit, etj, janë të mira. Të gjitha këto gjëra kongresi t’i trajtojë, të mos i lëmë në heshtje.
Pra, të krijoni simfoni, ju edhe të tjerët, të shfrytëzohen të gjitha zhanret, në këtë drejtim nuk duhet të neglizhohet se mund të shkruash edhe një lumë veprash, po nganjëherë për një gjë mjafton edhe një satirë me 5 radhë për të bërë efektin e duhur. Kjo vlen shumë se njeriu mban në kokë. Ju jeni në gjendje ta kuptoni më mirë rëndësinë që kanë lidhjet me popullin, atje është burimi më i madh i frymëzimit. Po të mos marrësh eksperiencën dhe mendimet e popullit nuk ecën dot përpara. Dhe ruani frymën e pastër të marksizmit në veprat tuaja, frymën e lavdisë së popullit.
Partia do t’ju ndihmojë, fuqimisht, se ka marrë një hov të madh gjithë kjo çështje. Në të ardhshmen, në vitet që vijnë, kemi bindjen dhe besimin që mundësi akoma më të mëdha do t’ju jepen dhe këto që themi do të duhen jo vetëm çështje të romaneve po edhe të muzikës, skulpturës etj. Edhe skulptura do të bëhet me të vërtetë e nevojshme. Po pse? Sepse do të ngrihen fabrika të reja, shtëpi të reja, do të hapen parqe të reja dhe medoemos këto do të zbukurojnë vendin. Deri tani nuk kemi pasur mundësi të mendonim për gjëra të tilla.
Tani mundësitë do të krijohen medoemos dhe ju do të keni fushë të gjerë për të shprehur ndjenjat patriotike dhe zotësitë tuaja dhe nuk do të jenë të mjafta ato që keni bërë. Prandaj duhet të keni kujdes për ngritjen e brezave të rinj, ju, pionierët e kulturës së re të vendit tonë, sepse në të ardhshmen forcat tuaja nuk do të jenë të mjaftueshme. Me masat që do të merren ne do t’i rritim jashtëzakonisht prodhimet tona dhe nuk do të mbetemi me parullën që planin ta realizojmë çdo 28 ose 29 Nëntor, por të marrim masa të tilla që plani pesëvjeçar të realizohet para afatit. Kjo do të, krijojë mundësi që t’i jepen popullit sa më shumë prodhime. Pra ka mundësi shumë të mëdha te ne.
Por duhet të ndryshojë edhe mentaliteti i fshatarit, sidomos i atij të Tiranës që e mbjell misrin me vonesë të madhe, do kohë more burra», thotë ai. Po pse nuk e mbjell? Sepse secili merr atë mataranë me një kile qumësht dhe shportën me 10 vezë dhe vjen në qytet. Në disa vende të tjera në janar do të gjesh misrin akoma në arë dhe kashta që është një ushqim i mirë për lopët për shtimin e prodhimit të qumështit, i humbet kështu shumë cilësitë e veta ushqyese. Vetëm korrja e bimës, jo kur e bën tiranasi, po pak më përpara, dhe silazhimi i tyre, jo në gropa me çimento ose me gropa të zakonshme, por mbi tokë, e bën kashtën që të ruajë cilësitë ushqimore dhe menjëherë lopa, ajo që tiranasi i merr 300 litra, e rrit prodhimin në 800 litra.
Po të llogaritësh vetëm këtë sa do të rritej prodhimi në të gjithë vendin. Vjet na erdhi në Sekretariat, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Peshkopisë dhe filloi të qahej se po i ngordhnin bagëtitë e këtij rrethi. Nuk është e mundur, thoshte, t’i mbajmë bagëtitë për dimër. Kurse Lushnja, Kavaja etj. nuk na lënë të kullosim në këto zona në të cilat fshatarët tanë kanë ardhur për shekuj me radhë. Në ia premë, i thamë bëni ç’të doni, bagëtitë tuaja do të qëndrojnë në Peshkopi. Mblodhi mendjen, shkoi në Peshkopi, mblodhi Partinë, popullin dhe rininë që nuk i kishte mbledhur dhe u tha si ta zgjidhnin këtë problem.
Dhe zgjidhja u gjet për bukuri, ata u mobilizuan në verë dhe krijuan rezerva shumë të mëdha për dimër në mal, dhe Peshkopia qe i vetmi vend në Shqipëri që nuk i pësuan asgjë bagëtitë në dimër. Po sa mundësi të tilla ka. Unë fola vetëm për mundësitë në një sektor, kështu do të mundim të krijojmë bollëkun dhe këto masa do t’i marrim sa më parë, të luftojmë burokratizmin dhe të ecim sa më shpejt përpara. Perspektivë kemi edhe në drejtime të tjera. Do të thajmë moçale bile që këtë pesëvjeçar. Në Maliq atë liqenin e vogël që ka mbetur do ta bëjmë tokë prodhuese. Pastaj pemë e fruta do të bëhen nga të katër anët se Shqipëria është vendi më i pasur që mund të jetë në këtë drejtim.
Përmeti tënd (i drejtohet Nonda Bulkës) do të ‘bëhet një mrekulli plot me qershi, mollë, rrush, etj. Këto janë gjëra të thjeshta e të mundshme, po duhet menduar. Fushat në asnjë mënyrë nuk do të zihen me pemë po do të bëhen tarraca, do të gjejmë brezin ku e do çdo pemë klimën. Po pse janë lënë pasdore? Së populli ka synuar më parë për bukën. Bukën ne do ta bëjmë po duhet të kuptojmë që frutat kanë një vlerë të madhe, përveç ushqimit për popullin. Ç’bëjnë grekët? Ata na blejnë gështenjat tona të Tropojës, se ç’u bëjnë, i mbështjellin me nga një letër të ndritur dhe i eksportojnë në Argjentinë dhe marrin valutë. Po pse nuk e bëjmë dot edhe në këtë punë? Neve ka raste bile që edhe na kalben.
Prandaj duhet t’i vlerësojmë të gjitha gjërat. Për të tharë kënetat do të vijnë mekanizma të fuqishme. Pastaj këto do të sjellin zhvillimin e industrisë ushqimore, të tekstilit, të veshmbathjes, artizanati do të marrë një pamje tjetër. Artizanët tanë kanë braktisur punën e bukur dhe presin që çdo gjë t’ua japë shteti. Kjo nuk është e drejtë sepse humbasim shumë të ardhura. Në çojmë në Çekosllovaki shqopën dhe sjellim andej lodra shahu, çibuqe, po përse të mos i bëjmë vetë këto gjëra? Dru kemi, kocka e brirë kemi, përse të mos i bëjmë vetë shumë gjëra të bukura e të nevojshme për popullin e për eksport?
Të gjitha do t’i bëjmë dhe kjo do të thotë të shtohen të ardhurat e popullit dhe në vend të gjithë këtyre të blejmë gjëra të tjera që do të krijojnë bollëkun. Pastaj rëndësi të madhe ka për ne çështja e minierave, nafta, kromi, sidomos bakri për të cilin kishim frikë se na u mbarua, po kjo frikë tani na iku sepse Mirdita është tërë bakër. Po bakri ka edhe flori edhe kobalt. Një gjë e madhe për ne është ferro-kromi që do të ketë vlerë të madhe. Kështu janë gjetur sasi të mëdha hekuri, nikeli etj. Malet tona fshehin xhevahire brenda. Prandaj duhet t’i përvishemi punës. Për të gjitha këto, për t’i shfrytëzuar, do të na duhet të bëjmë hidrocentrale të tjera.
SHOKU SPIRO KOLEKA: Bujqësia është bazë, buka e popullit dhe e industrisë. Të gjitha këto mrekulli, i gjithë ky kopësht i lulëzuar që duhet kuptuar në mënyrë figurative, do të bëhet me punën tonë.
SHOKU ENVER: Ne ndërtojmë hidrocentrale, po atje është klasa punëtore, vijnë makineri, atje mbetën pak njerëz dhe kjo punë ecën, po në fshat nuk ecin punët kështu. Këto janë detyra të mëdha por të realizueshme, sepse fshatarësinë e kemi të mirë, patriote, të gatshme të përqafojë çdo gjë. Përpara ne flisnim për kolektivizimin, po njerëzit nuk e kuptonin, por duke u folur vazhdimisht njerëzit i shohin dhe i kapin më shpejt çështjet e reja dhe puna ka arritur tani që kolektivizimin në malësi ta frenojmë, por shokët e Partisë na thonë: «nuk kemi ç’të bëjmë, ata duan vetë, nuk kemi si t’i ndalim». E pra, një situatë e tillë nuk ishte kështu 3-4 vjet përpara. Edhe për pambukun i është futur dëshira fshatarësisë, kurse përpara ata nuk e njihnin, po kështu edhe për panxharin. Kush e mbillte përpara në Korçë? Fshatari nuk e njihte dhe nuk ia dinte levërdinë prandaj edhe rezistonte. Tani e reja në bujqësi kudo ka çarë dhe po ecën përpara. Po ju tani ç’po bëni? Ja tani porsa ka ardhur Çesku [Zadeja], është plot me energji të reja.
FATMIR GJATA: Ai ka ndërmend të bëjë një opera për Skënderbeun.
SHOKU ENVER: Unë jam shumë dakord për një gjë të tillë, mund të bëhet diçka e mbështetur në poemën e Naimit. Po Kolë Jakova ç’punon?
KOLË JAKOVA: Tani po punoj një dramë me temë sociale mbi familjen, mbi të drejtën e gruas dhe të burrit, mbi dis-harmoninë familjare, dëmin që i sjell kjo kolektivit dhe rrugën si mendoj unë që zgjidhët ky problem.
SHOKU ENVER: Po ti Llazar?
LLAZAR SILIQI: Jam dukë bërë një poemë. Unë me hidrocentralet jam lidhur diçka, se ato simbolizojnë të renë në vendin tonë. Këtë besoj se do ta mbaroj nga fundi i vitit.
SHOKU ENVER: Po ti Sterjo?
STERJO SPASSE: Kam një temë që ka të bëjë me rininë.
SHOKU ENVER: Të shohim tani çdo të na nxjerrë Fatmiri. Po shikojeni, megjithëse ka vajtur në fusha, nuk ka marrë hiç pamjen e fshatarit, as është nxirë fare (të qeshura).
Shoku Enver, dukë folur për kritikën letrarë, shtoi: Dhimitri edhe kur vjen këtu në Komitetin Qendror nuk ndruhet, dhe e lëshon shpatën, po duhet të luftojë që edhe kritika letrare të zhvillohet më me gjallëri, dhe vetëm të jetë kurdoherë e drejtë, objektive, dhe parimore.
DHIMITËR SHUTERIQI: Kritika kërkon shumë kohë dhe punë që të marrë zhvillimin e duhur.
SHOKU ENVER: Ne do të vijmë me kënaqësi në kongresin tuaj dhe do t’ju dëgjojmë me kujdesin më të madh se kjo do të jetë një ngjarje me rëndësi në zhvillimin e artit dhe të kulturës në vendin tonë. Nuk dua t’ju mbaj më shumë, sepse keni edhe pregatitjet e “dasmës”, ju kanë ardhur edhe miq të huaj. Përpiquni t’i vini në dijeni për realitetin tonë që të munden të na ndihmojnë dhe përfitoni prej tyre.
Në emër të të gjithë shokëve ju falenderojmë shumë për mirësinë që erdhët dhe u takuat me ne. Kjo është një ndihmë jo vetëm për ju, por edhe për ne që morëm takim me përfaqësues të letërsisë dhe të arteve dhe ju sigurojmë se ne do t’ju ndihmojmë më shumë se deri tani jo për t’ju bërë qejfin, po se e do interesi i popullit, se kjo çështje është e lidhur ngushtë me përmirësimin e jetës së popullit. Prandaj ju urojmë suksese në punën tuaj!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016