Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëmbëdhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti me proçes-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, mbajtur në datën 20 shtator 1982
Tepër sekret
MBLEDHJE E SEKRETARIATIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH E DATËS 20 SHTATOR 1982
SHOKU ENVER HOXHA: Po atje është shkresa origjinale, dërguar në fund të vitit 1959, kur ne ishim në thikë e në pikë me revizionistët sovjetikë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Një gjë, shoku Enver, këshilltarët që ishin me shërbim këtu, na i kërkonin këto dokumente dhe ka mundësi që t’i jetë bërë ndonjë ndryshim platformës në atë kohë, se këto gjëra duhet t’i kenë pasur sovjetikët që më përpara.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po lista e elementëve armiq që u keni dërguar sovjetikëve?
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo lista, mo shoku Ramiz, ato duhet të jenë përgjithësime.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po deponimet e Dhora Lekës, me gjithë njerëzit që përmend ajo?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po t’i verifikojnë, duhet parë janë ashtu si thotë ajo, apo jo?
SHOKU RAMIZ ALIA: Janë verifikuar ato.
SHOKU ENVER HOXHA: Janë verifikuar.
SHOKU HEKURAN ISAI: Dhora Leka në deponimet e saj, tregon se u janë dërguar rusëve emrat e mbi 50 personave.
SHOKU KADRI HAZBIU: U janë dërguar në materiale kështu, në këtë mënyrë?
SHOKU HEKURAN ISAI: Materialet përmbledhëse u është dërguar, po deponimet e Dhora Lekës kështu janë. Këtu nuk kemi të bëjmë me përgjithësime të Dhora Lekës.
SHOKU KADRI HAZBIU: Si të them unë, nuk e di, po mendoj se sovjetikët duhet të na i kenë kërkuar si material për Shkollën e Sigurimit.
SHOKU HEKURAN ISAI: Ja si thotë dokumenti, shoku Kadri, më fal që po të pres fjalën.
“Relacion mbi veprimtarinë armiqësore të Liri Gegës, Dali Ndreut e Petro Bullatit”, kështu thotë këtu.
Këtu është kopja e relacionit që i është dërguar Komitetit Qendror dhe një kopje u është dërguar edhe sovjetikëve. Tekstualisht, kopje që na është dërguar neve këtu, njëlloj u është dërguar edhe sovjetikëve.
SHOKU ENVER HOXHA: Po ç’u duhesh sovjetikëve kjo, shoku Kadri? Sa faqe është ky relacion?
SHOKU HEKURAN ISAI: Ky relacion është i gjatë 5 faqe dhe bën fjalë për veprimtarinë armiqësore të Liri Gegës, Dali Ndreut e Petro Bullatit, të vërtetuar nga hetimi i procesit gjyqësor. Këtu flitet për lidhjet e këtyre tre armiqve me funksionarët e Ambasadës Jugosllave në Tiranë, për informatat që ata u jepnin jugosllavëve, për detyrat që merrnin prej tyre, si dhe për lidhjet dhe veprimtarinë e përbashkët armiqësore me disa element të tjerë armiq antiparti, si: Murat Letin, Pajo Islamin, Foni Qirkon etj.
SHOKU ENVER HOXHA: Ç’i duhen këto materiale Sigurimit Sovjetik?
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë them, shoku Enver, që këto do të jenë materiale që sovjetikët i kanë kërkuar për shkollën e tyre, si material për të mësuar studentët tanë.
SHOKU ENVER HOXHA: A, jo. Ato i ka shfrytëzuar me siguri Hrushovi, pse pikërisht ai më tha mua pse e vratë Liri Gegën, ajo ishte edhe me barrë. Për shkollë ish ky material?
SHOKU KADRI HAZBIU: Një minutë. Më falni, shoku Enver, po në këtë kohë këshilltarët sovjetik ishin këtu dhe i dinin këto gjëra.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, le të ishin, fundja edhe sikur t’i dinin ato, po ne nuk duhej t’ua dërgonim vetë. Kështu është. Si t’ua dërgonim vetë ne sovjetikëve këto materiale për shkollën?
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po mirë, në atë shkollë ju i keni dërguar me firmë, këshilltarët sovjetikë mund që të kishin marrë vesh dhe ata merrnin vetë të dhëna sekrete, atëhere si t’ua dërgonim ne edhe zyrtarisht, bile në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, këto materiale kaq sekrete? A, jo, shoku Kadri, nuk është e pranueshme kjo?
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, nuk është kështu. Kjo që thua ti, nuk qëndron.
SHOKU HEKURAN ISAI: Relacionit mbi deponimet e Dhora Lekës, që thuhet këtu në shkresë, i kemi bërë një përmbledhje të shkurtër ne. Ky relacionit është hartuar nga Raqi Zavalani, në vitin 1959 mbi bazën e relacionit prej 18 faqesh që i është dërguar Komitetit Qendror të Partisë, me shkresën Nr,140, datë 18.2.1957. Në të janë dhënë deponimet e Dhora Lekës mbi veprimtarinë e saj armiqësore, sidomos për lidhjet që kishte ajo me funksionarët e Ambasadës Jugosllave në Tiranë dhe të Rexhep Xhikës, për detyrat që ajo ka kryer me porosi të këtij, informata që u ka dhënë vetë atij.
Këtu jepen edhe pjesë nga deponimet e Dhora Lekës mbi pikëpamjet dhe veprimtarinë armiqësore që kanë zhvilluar disa element antiparti, sidomos në prag e gjatë punimeve të Konferencës së Partisë të Tiranës në vitin 1956. Aty jepen gjithashtu edhe emrat e mjaft komunistëve dhe kuadrove, rreth 50 vetë gjithsej, që Dhora Leka i përzien në deponimet e saj, që gjatë kësaj kohe kanë punuar dhe janë vënë në kundërshtim me vijën dhe me qëndrimet e Komitetit Qendror të Partisë. Kjo është një përmbledhje e shkurtër.
SHOKU ENVER HOXHA: Ç’i duheshin këto shkollës së sigurimit sovjetik, Kadri?
SHOKU KADRI HAZBIU: Po tani si të të them unë, shoku Enver.
SHOKU ENVER HOXHA: Po ti duhet të na thaush si qëndron kjo çështje, se ti ishe atje që drejtoje.
SHOKU SIMON STEFANI: Ti duhet të na japësh shpjegime këtu! Si nuk i ditke ti këto? Ti ke qenë ministër atëhere. Avash një çikë këtu se kjo punë të revolton, sepse këtu është gjithë kjo veprimtari që është bërë në shpinë të Komitetit Qendror të Partisë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Ne e kemi bërë në bazë të kërkesës së rusëve këtë dërgesë. Na i dërgoni këto materiale, na thoshin ata, që t’i përdorim në shkollë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk ka asnjë kërkesë nga ana e rusëve, shoku Kadri, as në vitin 1959, as në vitin 1958, as në vitin 1957.
SHOKU KADRI HAZBIU: Çfarë, çfarë?
SHOKU HEKURAN ISAI: Ndonjë kërkesë zyrtare nga ana e sovjetikëve nuk ka pasur për këtë çështje, thashë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo mirë! Po janë me gojë këto kërkesa, se ne atëhere i kishim të tërë këshilltarët atje. Në çdo degë, në çdo sektor të ministrisë kishim ne ato kohë nga një këshilltar sovjetik.
SHOKU ENVER HOXHA: Atë gjë, Kadri, mos e merr kaq lehtë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Cilën?
SHOKU ENVER HOXHA: Çështjen që kanë qenë këshilltarët sovjetik atje dhe jua kanë kërkuar. Këshilltarët sovjetikë atje kishin ardhur vetëm për t’u këshilluar.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po, për t’u këshilluar, shoku Enver, ashtu ishin.
SHOKU ENVER HOXHA: Për t’u këshilluar me ata nuk do të thotë që atyre t’u hapnim të gjitha kyçet e Sigurimit tonë. Në parim nuk u duhet dhënë asgjë, ndryshe Shqipëria bëhej një sukursale, një degë e KGB-së sovjetike. Kjo është e qartë. Ne kemi pasur përvojën e hidhur me revizionistët jugosllavë. Kur ishte Koçi Xoxja ministër, e kishte bërë Ministrinë tonë të Punëve të Brendshme, një sukursale ose degë të UDB-së jugosllave dhe Svetozari ose një tjetër, nuk e di si e quanin, ishte grumbulluesi i të gjitha materialeve të Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme.
E kishim këtë përvojë ne. Pas Koçi Xoxes vajti atje ministër Mehmeti. Tani ne e dimë kush ishte ky, po më pas vajte atje edhe ti, erdhi pastaj më në fund Feçor Shehu, që ti na i paraqite si kuadër të mirë për ministër. Feçor Shehu na ka treguar neve këtu, në Komitetin Qendror, na ka thënë se; çuditej si vihet Kadri Hazbiu zëvendësministër i brendshëm, kur ka pasë bërë krime të shumta në Ushtri, kurse ti Feçor Shehut, i ke fërkuar krahët, Kadri, ç’ka do të thotë se ke pasur besim të madh te ai, deri sa na i propozove këtu edhe për ministër.
Çështja e këshilltarëve pra është kështu si thashë, ashtu duheshin konsideruar e përdorur ata. Atëhere përse ti t’i konsideroje ndryshe? Kjo do të thotë se keni bërë gabim të rëndë, ju nuk u keni mbajtur asnjë rezervë atyre.
SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk u kemi mbajtur.
SHOKU ENVER HOXHA: Ata t’i kërkuan ty ato materiale, prandaj duhet të dalësh në konkluzionin se është mirë apo nuk është mirë, është drejt apo nuk është drejt praktika që keni ndjekur. Këtu është çështja.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo nuk është e drejtë. Vetëm një gjë, shoku Enver, që s’është e drejtë dhe këtë jua them sinqerisht, nuk e konceptoj që ta kem bërë këtë veprim me iniciativën time, që t’u kem dhënë sovjetikëve vetë pa pyetur, këto materiale.
SHOKU ENVER HOXHA: Ti mundet nuk i ke dhënë me iniciativën tënde, po nën hundën tënde kanë kaluar ato dokumente.
SHOKU KADRI HAZBIU: Që mundet të jenë dërguar ato me dijeninë time, nuk diskutohet, por them këtë, shoku Enver, që nuk është e mundur të mos kem pyetur ndonjë shok që këto dokumenta na i kërkon shkolla e Sigurimit sovjetik, prandaj t’ia dërgojmë apo jo, sepse tekstin e platformës…
SHOKU ENVER HOXHA: Po si është e mundur qoftë unë, qoftë Hysniu të të përgjigjeshim që t’ua dërgoje këto sovjetikëve, kur ne në këto kushte juve që t’ua dërgonit këto materiale sovjetikëve? Ne kur u kthye Liri Belishova nga Pekini dhe nga Moska, ti e di mirë që e vumë atë me krahët në mur. Përsa i përket Mehmetit, në rast se ke pyetur atë, ai po, mund të të ketë folur, ndryshe nga ne të dy, s’të ka thënë asnjeri.
SHOKU KADRI HAZBIU: Në 1960-ën?
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, në 1960-ën. Po ja qoftë edhe në 1959-ën. Pastaj sulmi kundër hrushovianëve nuk u zhvillue në një ditë, ta kemi të qartë këtë. Është kështu? Atëhere kush mund të ishte nga ne që të të thoshte ty t’ua jepnin sovjetikëve këto materiale kaq sekrete? Jo, jo, kjo është jashtë çdo logjike, Kadri.
SHOKU HEKURAN ISAI: Shoku Enver, të gjithë këto kërkesa lidhen me Jugosllavët. Sovjetikët me jugosllavët në atë kohë putheshin me njëri-tjetrin. Këtë Hrushovi e ka deklaruar botërisht, haptazi.
SHOKU KADRI HAZBIU: O shoku Hekuran, këtu duhet kuptuar një gjë, që në secilin nga këta sektorë në Sigurim, kishte një ose dy këshilltarë rusë, të cilët merreshin për ditë me këto probleme. Edhe për ndjekjen edhe për përpunimin e materialeve, se kështu kanë qenë marrëdhëniet me ta në atë kohë, kështu i kishin ndërtuar në këto marrëdhënie atëhere.
SHOKU HEKURAN ISAI: E ke parë ti këtë shkresë atje që ka dërguar Llambi Peçini në emrin tënd?
SHOKU KADRI HAZBIU: Këtë nuk e mbaj mend që nga ajo kohë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Po ja logjika ta do që ai duhet të të ketë kërkuar leje, se duheshin për Shkollën e Sigurimit këto pesë relacione që bënin fjalë për veprimtarinë armiqësore të elementëve antiparti. Këto janë kopjet e pesë relacioneve, më fal, ja po ta them unë këtë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po ja, të ta them që të mos humbasim kohë prapë, po çmendon ti, se unë ua kam dhënë këto sovjetikëve për informacion? Kështu mendon ti, shoku Hekuran?
SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, nuk mendoj, ashtu Kadri.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, dëgjo, Kadri. Ato dokumenta nuk duheshin të dërgoheshin në Bashkimin Sovjetik, sepse edhe në kuadrin e informacionit, hyn kjo praktikë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Posi, ato hyjnë në informacion.
SHOKU ENVER HOXHA: Domethënë ato i kanë shkuar KGB-së.
SHOKU KADRI HAZBIU: Kjo u vente tamam në bazë të marrëdhënieve që kishim me sovjetikët.
SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, në bazë të marrëdhënieve.
SHOKU KADRI HAZBIU: Ky është gabim, unë e kuptoj.
SHOKU HEKURAN ISAI: Këto pesë relacionet, më fal një minutë, shoku Kadri.
SHOKU RAMIZ ALIA: Shiko, Kadri, këto janë bërë kështu dhe tip o ngul këmbë se nuk i ke dhënë me qëllim. Kjo është e qartë për ne, po këtu është edhe çështja tjetër, KGB-ja mund t’i ketë përdorur dhe i ka përdorur këto dokumente kundër Partisë sonë, pavarësisht se në ç’rrugë e për ç’qëllime shkuan. Fakti është që këto u shkuan sovjetikëve, pa i kanë përdorur apo nuk i kanë përdorur ata, është tjetër çështje. Mundësitë janë të gjitha që t’i kenë përdorur./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016