Nga Dr. Dorian Koçi
Memorie.al / Shkrimtari francez Anatole France, në veprën Krimi i Sylvestre Bonnard, vëren me ironi se; “historia, dikur një art që lejonte të gjitha fantazitë e imagjinatës, sot është bërë shkencë, në të cilën duhet të ecet me një metodë të përpiktë”. Kjo reflektim, ndonëse letrar dhe jo metodologjik, shpreh një ndjeshmëri të përbashkët në mendimin evropian të kohës, mbi nevojën për ta trajtuar historinë si një disiplinë më të rreptë dhe objektive. Këto prirje do të artikuloheshin më vonë në mënyrë të strukturuar nga Shkolla Franceze e Annales, themeluar nga Marc Bloch dhe Lucien Febvre, e cila vuri theksin mbi analizën sociale, strukturat afatgjata dhe ndërlidhjen ndërdisiplinore në historigrafi.
Në Shqipëri, ndikimi i këtyre qasjeve filloi të ndjehet vetëm pas viteve 1990, kur historiografia shqiptare u shkëput nga modelet dogmatike marksiste-leniniste dhe nisi të hapet ndaj metodologjive bashkëkohore perëndimore.
Historia si instrument ideologjik: rasti i Avni Rustemit
Para viteve 1990, historia shqiptare shpeshherë shërbente si një instrument ideologjik, ku kufiri mes faktit dhe mitit ishte i paqartë. Koncepti i Anatole France për “fantazitë e imagjinatës” reflektonte realitetin historik të periudhës, ku historitë e ndërtuara shpesh mund të ishin të mbushura me mitizime dhe romantizmave të periudhave të caktuara. Historia e përshkruar nga regjimi komunist, në veçanti, ishte e ngarkuar me vlera marksiste-leniniste dhe e shfrytëzonte për të konsoliduar legjitimitetin e pushtetit.
Kjo historiografi kishte tendencën të krijonte heroizmin e atyre që kishin bashkëpunuar me regjimin dhe të demonizonte kundërshtarët, një praktikë që shpesh binte ndesh me pasqyrën e vërtetë të ngjarjeve dhe figurave historike. Pas viteve 1990, ky proces rishkrimi u shoqërua me një përpjekje për të rivlerësuar dhe rishkruar figurat historike, por jo gjithmonë në mënyrë objektive.
Shpesh, rishkrimi i historisë pas komunizmit, ka qenë një përpjekje për të krijuar një narrativë të re, por shpesh me përmbajtje të kundërt ideologjike. Ky proces, megjithatë, nuk ka arritur gjithmonë të arrijë një qasje të thelluar dhe të saktë. Në këtë kontekst, figura e Avni Rustemit është një shembull tipik i trajtimit historiografik të deformuar në këtë periudhë.
Figura e Avni Rustemit dhe kujtimet e Eqerem Bej Vlorës
Një nga aspektet më të kontestuara të vlerësimit të figurës së Avni Rustemit, ka qenë përfaqësimi i tij në kujtimet e Eqerem Bej Vlorës. Këto kujtime, të botuara pas vitit 1990, e portretizojnë Rustemin si një “kriminel dhe karagjoz”, duke e shndërruar vrasjen e tij në një akt hakmarrjeje të lavdërueshme. Ky gjykim është një shembull tipik i rishkrimit të historisë në mënyrë të njëanshme dhe të pasaktë, që e zbeh imazhin e një figure të rëndësishme si Avni Rustemi, i cili ishte një aktivist demokratik dhe një nismëtar i përpjekjeve për reforma sociale.
Kujtimet e Vlorës, megjithëse ofrojnë një pamje të ndodhive të periudhës dhe janë një burim dytësor i vlefshëm, janë të mbushura me paragjykime dhe qëndrime politike të thella. Ato tentojnë të ndajnë shqiptarët në dy grupe të kundërta, “Esatistët” dhe “Zogistët”, duke e injoruar bashkëpunimin pragmatik mes këtyre dy fraksioneve në momentin e likuidimit të Rustemit. Ky trajtim historiografik, është një shembull i shpërfilljes së një qasjeje të thelluar dhe objektive, për t’i dhënë hapësirë narrativave politike të njëanshme.
Ndjeshmëria popullore ndaj Avni Rustemit dhe kthimi në atdhe
Pas lirimit nga gjykata franceze në dhjetor 1920, kthimi i Avni Rustemit në Shqipëri u prit me një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga populli. Gazeta “Drita” e Gjirokastrës, e përshkruan këtë ngjarje me një ngarkesë emocionale dhe me një theks të qartë në përkrahjen popullore të tij. Populli shqiptar nuk e pa vetëm si një figurë të luftërave ideologjike, por si një protagonist të shpresës për një Shqipëri të modernizuar dhe të demokratizuar. Ky moment i kthimit nuk mund të kuptohet plotësisht pa pasur parasysh kontekstin e periudhës dhe lidhjet e ngushta që ai krijoi me grupet progresiste të kohës.
Avni Rustemi ishte një përfaqësues i një lëvizjeje demokratike që kërkonte të krijonte një shtet shqiptar më të drejtpërdrejtë dhe më të drejtë për qytetarët e tij. Aktivitetet e tij për organizimin e arsimtarëve, themelimin e shoqërisë “Bashkimi”, dhe përpjekjet për reforma në arsim dhe bujqësi, gjithashtu dëshmojnë për një angazhim të sinqertë për modernizimin e shoqërisë shqiptare. Ky dimension i figurës së tij duhet të merret parasysh për të kuptuar kontributin e tij në formimin e një Shqipërie të re.
Avni Rustemi dhe modernizimi shqiptar
Në periudhën 1921–1924, Rustemi ishte një nga figurat kryesore të një grupi të njohur si grupi i reformistëve, që përfshinte personalitete si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, dhe Ali Këlcyra. Ky grup u angazhua për një platformë reformiste që synonte të shkëputej nga strukturat feudale dhe të avanconte reforma ekonomike, agrare, juridike dhe arsimore.
Përpjekjet e tij për një sistem të drejtë agrare, përmes miratimit të “kontratës tip”, dhe për ndarjen e tokave për kolonët shqiptarë të shpërngulur nga Kosova dhe Çamëria, ishin hapa konkretë drejt realizimit të reformave që do të ishin të rëndësishme për zhvillimin e shtetit shqiptar. Në fushën kulturore dhe arsimore, aktiviteti i Avni Rustemit kontribuoi në themelimin e arsimit kombëtar dhe në krijimin e një shkëputjeje të dukshme nga ndikimi osman, një element kyç për emancipimin e shoqërisë shqiptare.
Vrasja e Avni Rustemit dhe pasojat politike
Vrasja e Avni Rustemit më 22 prill 1924, nuk shënoi vetëm një humbje për lëvizjen demokratike, por gjithashtu përshpejtoi ndryshimet politike në Shqipëri. Ajo çoi në një valë protestash masive në qytetet si Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë dhe shërbeu si një katalizator për Lëvizjen e Qershorit 1924, e cila synonte të rrëzonte strukturat e pushtetit të vjetër dhe të ndihmonte krijimin e një qeverie më demokratike në Shqipëri.
Përfundime
Figura e Avni Rustemit, është shumë më shumë se një simbol i dhunës, apo një protagonist në një histori të rreptë ideologjike. Ai përfaqëson një periudhë tranzicioni dhe një brez që e shihte Shqipërinë të emancipuar përmes reformave politike dhe sociale. Rishikimi i historisë nuk duhet të bëhet përmes prizmave të urrejtjes klasore apo nostalgjisë për regjimet e vjetra, por me një qasje të drejtë, kritike dhe mbi të gjitha, me qëllim të zbardhjes së së vërtetës. Memorie.al