Nga Uran Butka
-Historia tragjike e familjet të mëdha nacionaliste, që u goditën nga komunizmi-
Memorie.al / Regjimi komunist totalitar godiste në thelb kulturën dhe artin e vërtetë, për të krijuar një kulturë e një art tendencioz të ideologjizuar, që t’i ngrinte himn pashallarëve të kuq, siç ndodhi me veprat klasore të socrealizmit. Familja Pipa, një nga familjet më të kulturuara e më antikonformiste të Shqipërisë, u ndëshkua sepse nuk u bë palë me regjimin komunist. Mustafa Pipa, jurist i njohur, ishte anëtar i Gjykatës së Diktimit, kur kjo gjykatë qe e pavarur, në kohën e Monarkisë së Zogut.
Myzafer Pipa, i biri, i lauruar për Drejtësi në Padova, shkëlqeu si kampion i kulturës (drejtoi revistën kulturore “Fryma”), i patriotizmit (si antifashist, u internua nga fashistët në Ventotene dhe nga nazistët në kampin e Prishtinës) dhe sidomos i drejtësisë sublime. Ai mbrojti me guxim të paparë nacionalistët, demokratët dhe klerikët e pafajshëm, që u dënuan nga gjyqet ushtarake në vitet 1945-‘46, duke iu kundërvënë publikisht Koçi Xoxes, Aranit Çelës, etj., por u arrestua dhe u torturua duke përdorur ndaj tij metoda barbare, si hekurin e skuqur në zjarr, me të cilin ia shponin trupin gjer në kockë, derisa vdiq në tortura.
Vëllai i tij, Arshi Pipa, që ishte doktoruar për Filozofi në Firence, pedagog në shkollat e mesme të Tiranës e Durrësit, nuk u pajtua me regjimin stalinist dhe kulturën konformiste socrealiste. Ai u arrestua, i akuzuar për lidhje me Lëvizjen e Postribës dhe u burgos në burgjet e kampet e shfarosjes, si në Burrel, Vloçisht, etj., që i ka përshkruar në veprën “Libri i burgut”. Në vitin 1957, u arratis nga Shqipëria. Profesor i filozofisë dhe letërsisë, në disa nga universitetet më të njohur të Amerikës, Arshi Pipa, u shqua për krijimtarinë dhe studimet e tij shkencore në fushën e kritikës letrare, gjuhës e letërsisë shqiptare e botërore, të politikës, sociologjisë, publicistikës etj.
Edhe pse larg vendit të tij, ai shikohej nga regjimi komunist, si një armik i rrezikshëm, madje dhe kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, u eliminua, sepse, sipas akuzës së Enver Hoxhës; “bëri krushqi me mbesën e Arshi Pipës”! Procesi i verbër i hakmarrjes primitive, i asgjësimit dhe tjetërsimit, në radhë të parë funksionoi ndaj familjeve të shquara fisnike dhe borgjeze, që mbështetën dhe u inkuadruan në radhët e “Ballit Kombëtar”, Legalitetit, apo Krerëve të Veriut, të inkuadruar në radhët e “Bllokut Kombëtar Indipendent”.
Familjet e mëdha, si; Lepenica, Muço, Dosti, Golemi, Ermenji, Quku, Hekali, Fratari, Cfiri, Bushati, Cakrani, Pali, Petrela e shumë të tjera, u ndëshkuan sepse ishin lidhur me “Ballin Kombëtar”; familjet Kupi, Çoba, Luli, Allamani, Mena, etj., sepse ishin me Legalitetin e kështu me radhë. Si p.sh.; kreu i familjes Kazazi, Halit Kazazi, nacionalist dhe antikomunist, u pushkatua pa gjyq, nga terroristët komunistë. Jup Kazazi, i laruar për shkenca politike në Itali, dha dorëheqjen si ministër i fashizmit dhe luftoi kundër italianëve në betejën e Reçit, gusht 1943. Lider i rezistencës antikomuniste të Postribës, ai u vetëvra, i rrethuar në vitin 1946, për të mos rënë në duart e pushtetarëve komunistë.
Bashkë me të u vra edhe i vëllai, Seit Kazazi, edhe ky i diplomuar për Drejtësi, ish-komandant i batalionit ballist “Besnik Çano”, që luftoi në Kosovë, ku ra dëshmor edhe luftëtari i këtij batalioni, Hamit Troplini. Vëllezërit e tjerë, Zenel e Hamid Kazazi, u dënuan me burgime të rënda. S’mjaftoi me kaq, por komunistët pushkatuan pa gjyq edhe xhaxhain e tyre, Abdulla Kazazin dhe dajën, Rifat Koplikun. Rasim Kazazi, vdiq nga torturat në qeli. Kushërinjtë Sabri, Bektesh dhe Bexhet Kazazi, u dergjën burgjeve. Gjithë farefisi Kazazi, u persekutua, u shpronësua, kurse fëmijët u privuan nga shkollat dhe u caktuan në punët më të rënda, me kazëm dhe lopatë.
Këtë fat tragjik, pësuan edhe familjet që nuk pranuan të inkuadroheshin në Frontin Nacional-Çlirimtar, që s’ishte tjetër veçse, Partia Komuniste e maskuar. Familja e kolonel Muharrem Bajraktarit, ndonëse nuk pranoi të futej në Frontin komunist, luftoi edhe kundër italianëve, edhe kundër gjermanëve, edhe kundër komunistëve. Por pësoi fat tragjik. Vetë Muharrem Bajraktari, pasi rezistoi me armë, deri në vitin 1946, u arratis nga Shqipëria, ndërsa i vëllai, Bajrami, i plagosur në përpjekje, u burgos dhe u pushkatua.
Familja Kryeziu e Gjakovës, me Gani, Hasan e Said Kryeziun, bashkëpunoi me Lëvizjen Nacional-Ç pa u kyçur në Front. Por u godit dhe u asgjësua nga Forcat NÇ të Shqipërisë dhe njëkohësisht nga Forcat NÇ të Kosovës, kur kryezinjtë luftonin kundër gjermanëve për të çliruar Gjakovën. Nga fisi i dëgjuar Gashi i Tropojës, u shqua sidomos Ramë Muja, që formoi një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri, por komunistët i shkaktuan tri vdekje njëherësh: e helmuan me anë të një gruaje, mandej të vdekur e çuan në një pritë dhe e qëlluan me armë, për të treguar se e vranë në përpjekje e jo me pabesi, mandej e varën në litar në Tropojën e vjetër.
E njëjta gjë ndodhi edhe me familjet e mëdha luftarake të Preng Calit nga Kelmendi, Mehmet Ali Bajraktarit nga Hasi, Ymer Bardhoshit nga Puka, Ndue Palit nga Dukagjini, Llazar Fundos nga Korça, e të tjera familje, që ndihmuan dhe derdhën gjakun e bijve të tyre, në luftën patriotike kundër pushtuesve serbë, italianë dhe gjermanë, por që nuk u bashkuan me Frontin komunist, sipas parullës totalitare: “O me ne, o kundër nesh”. Komunizmi i pushkatoi, i burgosi, i internoi krerët e shquar të këtyre familjeve të vjetra shqiptare, që kishin mbrojtur brez pas brezi, trojet amtare dhe lirinë, ndërsa gratë e fëmijët e tyre, i internoi në kampet e Tepelenës, Vloçishtit, etj.
Dhe, nëse nuk i kurseu këto familje atdhetare dhe antifashiste, regjimi u tregua i pamëshirshëm kundrejt familjeve të atyre personave, që kishin bashkëpunuar me italianët apo me gjermanët, si; Shefqet Vërlaci, Gjon Markagjoni, Mustafa Kruja, Kolë Bib Miraka, Halil Alia, Hysni Dema, Prenk Pervizi, Vizhdan Risilia, Kadri Cakrani, etj. Natyrisht, kolaboracionizmi është i dënueshëm moralisht e ligjërisht në çdo kohë, por përgjegjësia është personale. Mirëpo komunizmi e përgjithësoi, këtë si fenomen dhe për një person, damkosi e ndëshkoi brez pas brezi një familje, me gjithë fëmijët e pafajshëm, persekutoi e njollosi një fis, një krahinë, një organizatë apo një parti, madje edhe Kosovën, për kolaboracionizëm.
Kjo politikë antinjerëzore dhe antikombëtare, i shërbente pushtetit të pakufizuar të komunistëve shqiptarë, por edhe interesave jugosllave në Shqipëri e Kosovë. Kulmi i veprimtarive te ethshme të pushtetit komunist, për të asgjësuar të djathtën shqiptare, ku bënin pjesë edhe familjet fisnike, ishte krijimi dhe funksionimi qysh në fund të vitit 1944 dhe në vazhdim, i gjyqeve ushtarake, përvojë ruso-jugosllave. Vetëm ‘Gjyqi Special’ i Tiranës, më 1 mars, deri në 13 prill 1945, gjykoi në 31 seanca, 60 intelektualë nacionalistë, nga familje të shquara properëndimore.
Mbas luftës u eliminuan gradualisht edhe ato pak familje fisnike, që ishin bashkuar me Frontin Nacional-Çlirimtar, duke kujtuar që luftonin për një Shqipëri demokratike. Një pjesë e mirë e tyre, u integruan në grupimet opozitare demokratike, për shkak të mendimit ndryshe, por edhe si reagim kundër vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Po opozitë, nuk u lejua, sepse ata që vepronin jashtë Frontit Nacional-Çlirimtar, konsideroheshin armiq dhe asgjësoheshin menjëherë.
Deputeti Gjergj Kokoshi, i lauruar doktor në universitetin e Parisit, atdhetar dhe demokrat i madh, që kishte vënë gjithçka për Luftën Nacional-Çlirimtare, ministër i parë i Arsimit pas Luftës, duke deklaruar se; “atje ku nuk ka pluralizëm, nuk ka demokraci”, përfundoi i vdekur në burgun e Burrelit, ndërsa 37 personalitete opozitare, nga familje të mëdha, si; Suat Asllani, Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Musine Kokalari, etj., u pushkatuan dhe u burgosën. Musineja, nga familja e shquar Kokalari, e para shkrimtare shqiptare, intelektuale me kulturë e vizion të gjerë demokratik, e diplomuar në Perëndim për Artet, themeluese e Partisë Socialdemokrate (tetor 1943), botuese e gazetës “Zëri i Lirisë”, deklaronte në gjyq:
“Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por unë në burg, nuk duhet të jem. Unë jam nxënësja e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen…”! Këtë fat pësoi edhe “Grupi opozitar i deputetëve”, që i pati fillimet në shkurt të vitit 1945. “Regjimi i sotëm i Shqipërisë, është një regjim totalitar dhe nuk është i përshtatshëm për vendin tonë, për këtë arsye. Unë mendoj se Shqipërisë, do t’i ishte përshtatur një regjim në formën e demokracisë perëndimore”, – deklaronte në gjyq Shefqet Beja, të cilin komunistët e varën në litar, në mes të Tiranës.
Sheh Karbunara, atdhetar dhe klerik me kulturë, firmëtar i Pavarësisë, organizator dhe delegat në Kongresin e Lushnjës, mbështetës i Luftës Antifashiste dhe deputet opozitar, u pushkatua bashkë me të birin, Hysenin dhe familja iu persekutua. U ekzekutua edhe intelektuali i shquar, shkencëtari dhe deputeti Selaudin Toto, themeluesi i Institutit të Shkencave në Shqipëri, përkthyes i Edit Durham-it.
Lufta e klasave njihte rritje dhe suksese të llahtarshme. Makineria e shtetit punonte me gjak. Shpikeshin armiq, agjentë anglo-amerikanë, sabotatorë. U varën në litar inxhinierët Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri, nga familje të shquara të Vlorës, po ashtu u varën në litar edhe inxhinierët e mirënjohur, Sulo Klosi dhe Riza Alizoti, nga familje me shumë histori e kontribut për Shqipërinë.
Ata pinjollë të familjeve të njohura, që mbetën gjallë nga gjenocidi i viteve të para të pasluftës, u asgjësuan gjatë gjithë periudhës së socializmit. Kulmi i këtij holokausti, është masakra me pretekstin e bombës në ambasadën sovjetike. U pushkatuan pa gjyq e pa faj, intelektualë që s’kishin lidhje me këtë incident, si; Sabiha Kasimati, një nga gratë më të shquara të Shqipërisë, e para shkencëtare shqiptare, Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli, (që e vranë në hetues), Zyhdi Herri, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo dhe Tefik Shehu nga Gjakova, Anton Delhysa nga Prizreni, Mehmet Shkupi, Gafur e Myftar Jegeni dhe Haki Kodra nga Dibra e Madhe, e të tjerë dhe u groposën në mesnatë të lidhur me tela me gjemba, në një gropë të përbashkët afër Urës së Beshirit.
Po ndalem paksa në familjen Jegeni, e cila ka dhënë kontribute në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në kuvendet e Dibrës dhe në luftën për mbrojtjen e trojeve shqiptare, me Shaqir beg Jegenin, Tefik beg Jegenin dhe Riza beg Jegenin. Nga kjo familje, më pas dolën edhe dy figura të shquara, Gafur dhe Myftar Jegeni, akademikë me studime të kryera në Itali, ushtarakë të ushtrisë kombëtare, që luftuan më 7 prill 1939 kundër pushtimit fashist, Gafurri në Vlorë dhe Myftari në Durrës me Abaz Kupin. Pas Luftës, u tërhoqën në jetën private, sepse nuk donin t’i shërbenin regjimit komunist.
I arrestuan të dy dhe i pushkatuan pa gjyq në vitin 1951, bashkë me 22 intelektualë të tjerë dhe familjet e tyre i internuan për 40 vjet. Absurditeti i persekutimit komunist, ishte që, veç familjeve të tyre, u internuan edhe gjithë familjet e tjera të fisit Jegeni, falë zellit të dhëndrit të tyre, Haxhi Lleshit. Në vitin 1976, Presidenti i Republikës, Haxhi Lleshi, internoi në fshatin e thellë, Mollas të Elbasanit edhe gruan e tij, Haxhire Lleshin (Jegenin) pas 40 vjetësh martese, bashkë me të birin Rushitin, si edhe vëllezërit e kushërinjtë e gruas së tij, duke dhënë kështu shembullin tipik Stalinist, sesi duhej bërë lufta e klasave në Shqipëri!
Familjeve të mëdha ua morën jetën, dinjitetin, por edhe pronat që i sekuestruan e shtetëzuan në mënyrë të paligjshme, madje edhe vilat e shtëpitë, ku u vendosën pashallarët e kuq. Ishte një faqe e turpshme dhe e llahtarshme, vuajtja dhe poshtërimi nëpër burgjet komuniste, mjafton të kujtojmë Burrelin, ku mbaruan tragjikisht burrat më të shquar të kombit; Spaçin, ku shpërtheu revolta më e madhe e të burgosurve politikë, nga të cilët u pushkatuan katër martirët: Pal Zefi, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Skënder Daja, nga familje të njohura, si dhe u ri dënuan qindra të tjerë; Vloçishtin (le të kujtojmë vetëflijimin e përgjakshëm të kolonel Sulejman Vuçiternës dhe murosjen e të pafuqishmëve në argjinaturën e kanalit e të burgosurve), kampin e Tepelenës (s’më hiqet nga mendja, këmisha e arrnosur e Gencit, djalit të Muharrem Bajraktarit.
Ishim në një klasë në Tepelenë, ai vinte në shkollë në kulmin e dimrit këmbëzbathur, me llastika kamerdareje dhe vetëm me një këmishë gjithë arna në shtat, e qepur me fijet e flokëve të nënës së tij) dhe burgjet e tjerë, ku u aplikuan torturat më të paligjshme dhe ku humbën jetën në punë skllavëruese shumë persona nga familjet e mëdha, që as sot nuk u dihen varret. Në burgje aplikoheshin ri dënimet; “për agjitacion e propagandë”(!), në mënyrë që të dënuarit nga këto familje, të mos dilnin të gjallë. Xhelal Koprencka, nga familja e shquar Koprencka e Skraparit, u ri dënua pesë herë dhe në fund u pushkatua. Aplikoheshin rreth 12 lloj tortura çnjerëzore. Myzafer Pipës i shponin trupin me hekur të skuqur, deri sa hekuri prekte kockën, gjersa vdiq, ndërsa Drita Kosturit, i ranë dhëmbët dhe flokët nga përdorimi i elektroshokut e, të tjera krime monstruoze.
Lufta e përbindshme e klasave goditi veçanërisht familjet e shquara të damkosura si reaksionare. Urrejtja klasore ndaj tyre dhe brezave të tyre krejt të pafajshëm, mori përmasat e “tërbimit të ujqërve”, siç shprehet Mid’hat Frashëri. Ndëshkohej çdo lidhje, qoftë edhe dashurore ndërmjet të rinjve me përkatësi të ndryshme klasore. Rasti më tipik, por edhe më i bujshëm, ishte qëndrimi ndaj vetë kryeministrit Mehmet Shehu, kur djali i tij, u fejua me një vajzë nga familja e shquar Turdiu. Jo vetëm që u prish dhunshëm kjo lidhje, por kryeministri e pagoi me vetëvrasje ose vrasje, ndërsa e shoqja e tij, u mbyll në burg dhe vdiq atje nga torturat. Një mësim për të gjithë të tjerët!
Fëmijët e familjeve të mëdha, u privuan nga shkollat e larta, nga nëpunësitë, nga arti, madje edhe sporti, nga ushtria e rregullt, veçse në reparte pune. Kujtoni ata të talentuar nga shtresa jonë, që sapo shkëlqenin nëpër shkollat e mesme, që për një gjest, për një fjalë, apo për një varg, madje edhe për hiçgjë, përjashtoheshin nga shkollat ose, burgoseshin, si; Bilal Xhaferri, Pjetër Arbnori, Visar Zhiti, Sherif Merdani, Maks Velo e qindra të tjerë, duke përfunduar me poetët e Bërzeshtës, Vilson Blloshmi e Genc Lekën, që u pushkatuan për disa vargje lirikë, në vitet ’70-të, si dhe mësuesin e poetin e internuar Avzi Nelaj, që diktatura me firmën e Ramiz Alisë, e vari ne litar në ditët kur ajo po jepte shpirt. Po nuk u kënaq me aq, e groposi vertikalisht në një gropë të thellë dhe sipër kufomës nguli një shtyllë betoni të tensionit të lartë, që të mos i gjendej as nishani!
Regjimi komunist vuri në punë edhe pseudoshkencën, si në gjithë vendet e Perandorisë të së Keqes. U mohua roli i trashëgimisë, i gjeneve, i traditës, u hoq nga shkollat lënda e gjenetikës dhe u goditën për vdekje familjet fisnike e trashëgimtarët e tyre, për t’i hapur rrugë kastës së njerëzve të nënshtruar, sejmenë e xhahilë. Në vend të evolucionit të natyrshëm, u ngrit në kult revolucioni i dhunshëm, në vend të arsyes, u ngrit gijotina, në vend të qytetarisë, u vendos bindja e verbër.
Dr. Mentor Petrela, një nga pinjollët e familjeve të shquara të Tiranës, më thoshte se një shkencëtar amerikan, duke studiuar ADN-në e Carit të Rusisë, të ekzekutuar nga bolshevikët, konkludoi se rusit të sotëm, do t’i duheshin rreth 150 vjet, për të arritur tek niveli i ADN-së së Carit. Goditja e lustrimi që iu bë trurit të kombit tonë nga komunizmi, si edhe ndërprerja e panatyrshme gjysmëshekullore e geneve, sollën një dëm të pallogaritshëm, në qenien dhe jetën shqiptare, jo vetëm në atë kohë, por edhe sot. Këtë e dëshmon më së miri, tranzicioni i mundimshëm dhe me trauma i këtyre viteve të demokracisë, ku kanë dominuar mendësi e mendje jo-fisnike e jo-qytetare, idolatri e idhuj të rremë, të ardhur nga asgjëja.
Arsyeja është, se u shkatërrua nga komunizmi sistemi i vlerave morale e qytetare, të përpunuara nëpër shekuj dhe nuk është ngritur një sistem vlerash, mbi të cilat funksionon jeta dhe qytetërimi i sotëm. Jemi në një krizë ekzistenciale të vlerave, që i duhen individit dhe shoqërisë sonë, për të qenë kohezive, e shëndetshme dhe e ekuilibruar brenda vetes dhe e integruar jashtë saj. Sistemi i vlerave humane, orienton dhe shëndosh jetën individuale dhe shoqërore, ndihmon njeriun shqiptar, që të bëhet fisnik e qytetar dhe mbron shoqërinë nga destruksioni i sotëm moral e shpirtëror.
Sepse po shkohet kuturu, drejt një shkretëtire morale, ku po dominon arbitrariteti, shthurja morale, abuzimi me pushtetin, përfitimi i paligjshëm dhe rasputinizmi. Deformimi moral i jetës së sotme shqiptare, vjen nga goditja e braktisja që iu bë sistemit tradicional të vlerave njerëzore, por edhe nga mos përpjekja e sotme, për të bërë të mundur gradualisht një sistem të përbashkët vlerash, që kanë të bëjnë me humanizmin, identitetin shqiptar, respektin e ndërsjellët, solidaritetin, tolerancën, altruizmin, etikën morale, bashkëpunimin, konkurrencën e ndershme, korrektësinë kundrejt shtetit të së drejtës etj., veti aq të spikatura të personaliteteve dhe familjeve të mëdha. Memorie.al