Nga Idriz Lamaj
Pjesa e njëzet e tre
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Porosia e fundit e Xhafer Devës: – Mbani gjallë ‘Lidhjen e Prizrenit’
Memorie.al/ Me gjithë zhgënjimin e madh dhe shterjen e energjive në përpjekje për të bashkuar forcat politike shqiptare në mërgim si mbas Marrëveshjes së Madridit, Deva vazhdon veprimtarinë në shërbim të ‘Lidhjes’. Ai, që herë mbas here ankohej tek z. Rexhep Krasniqi, unë, apo të tjerë: “nuk mbahet ma, duhet dhanë fund, nuk kemi intelektualë, nuk kemi mundësi financiare, nuk punohet me intriga”, tanimë ka ndryshuar nga ai Deva që nuk bënte lëshimin më të vogël, ndaj atyre që lëkundeshin në qëndrimet e veta politike. Ai bën plane për të ardhmen e ‘Lidhjes’ mbas largimit të tij nga kjo jetë; rehabiliton Vendreshen, zbutë qëndrimin ndaj Ismet Berishës, këshillon miqtë më të ngushtë të tregohen zemërgjerë ndaj tyre dhe t’i ndihmojnë ata, në raste të papritura. Ky qëndrim i Devës, tingëllon si një testament i prekshëm: “Mbani gjallë Lidhjen e Prizrenit!”
Tre muaj para vdekjes, shkruan në një letër të përbashkët: Të dashur Rexhep dhe Idriz, Ju mund të thoni se jam matufosë. Mund të pyetni se çka janë të gjitha këto lëshime nga ana ime? Kam ardhë në përfundim se ‘Lidhja’ duhet mbajt gjallë edhe mbas meje, edhe mbas jush, edhe mbas të tjerëve, si unë e si ju. Kur pat ardhë Shemsedini për vizitë, e prita pa zemërim, i thash se nuk ka rëndësi a mund ta nxjerrin ‘Lidhja’ gazetën apo jo. Të gjithëve u kam thanë në telefon dhe me letra, mbani gjallë ‘Lidhjen e Prizrenit’. Kjo ka rëndësi. I kam këshillue të konsultohen me ju për gjana të papritura. Shemsedinit i pata thanë se disa prei tyre nuk janë sjell mirë me ju, as me mue. Ardhja e Shemsedinit dhe telefonatat me Ismetin e me Gjonin, etj., më kanë lehtsue shumë. Nëse përmirësohem nga shëndeti, kam mundësi me u tërhjekë ngadalë e pa zhurmë nga ‘Lidhja’. Atyre u kam premtue se do ti mbështeti gjithmonë në punën e tyre për ‘Lidhjen’, dhe vazhdon me nostalgji: “Ju bëni burrni me ardh me më pa, mos t’isha i smund, kisha ardhë unë, nuk e kam harrue rendin. Prej Raifit nuk kam asnjë lajm. Jam bë merak. Më shkruani ose me telefononi, mbasi të merrni informata, si asht me shëndet”. Të fala, Xhaferi (21, fruer, 1978).
Xhafer Deva, edhe në muajt e fundit të jetës së tij, ishte i kthjellët në gjykim, mik ndaj miqve, dhe i pa kompromis ndaj idealeve të Lidhjes së Prizrenit, bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet demokratik. Ai vdiq me 25 maj të vitit 1978, në prak të 100 Vjetorit të Lidhjes Historike të Prizrenit. Me vdekjen e tij, Lidhja e Prizrenit humbi Kryetarin e vet të hekurt. Shqiptarët humbën luftarin klasik të pushkës dhe të penës, njeriun që nuk la gurë pa lëvizë kundër pushtuesit serbë, njeriun që 201 urrejti për vdekje çdo lloj bashkëpunimi me serbët, në kurriz te Shqipërisë etnike.
Eshtrat e Xhafer Devës pushojnë sot në një varr të vetmuar në varrezat e gjelbërta të ‘Palo Altos’ në Kaliforrni. Eshtrat e tij duhen kthyer në Kosovë dhe rivarrosur në qytetin e tij të lindjes, në Mitrovicën e Isa Boletinit të famshëm, në atë qytet, të cilin sot e kërcënojnë serbët për vdekje. Varri i tij në vendlindje, do të ishte një piramidë kufiri, e cila do t’i bënte roje atdheut më shumë se një ushtar i mbërthyer në armë. Është emri dhe veprimtaria e tij që e frikëson armikun tonë shekullor. Është emri, Xhafer Deva, për të cilin një kryeministër serb ka thënë: “Deva nuk blihet me pare, se është i pasur, Deva është armiku ynë i përbetuar, Deva duhet vrarë”. Është detyrë morale e kosovarëve, sot në Kosovën e lirë prej pushtuesit serb, ta kthejnë Xhafer Devën në Kosovë.
SHKRIME TË XHAFER DEVËS
‘FONDI I DEPËRTIMIT TË SUKSESSHËM TË BASHKIMIT SOVJETIK NË LINDJEN E MESME’
Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë që forcat ushtarake detare të Shteteve të Bashkuara të vendosura në Mesdhe, të merrnin urdhra për të bërë demonstrim force dhe për të parandaluar çdo lloj agresioni në këtë rajon, me fjalë të tjera ky ishte një hap që shkonte përtej protestave të zakonshme me fjalë, sa herë që interesat e një Fuqie të Madhe në rajone të largëta, viheshin në pikëpyetje. Qeveria sovjetike reagoi ndaj këtij hapi vendimtar duke vënë në lëvizje disa luftanije në drejtim të Mesdheut, me pretekstin se do të vizitonin aleatin e vetëm të vogël të Rusisë në Adriatik, Shqipërinë, vendlindjen time. Një hap i tillë meriton vëmendjen më të madhe, edhe përsa u përket pasojave të mundshme, d.m.th., Luftës se Tretë Botërore. Si Moska edhe Uashingtoni, janë të vetëdijshëm përsa i përket rëndësisë së Lindjes së Mesme, në rast të një konflikti të armatosur aq të tmerrshëm midis Lindjes dhe Perëndimit.
Por për shkak të puseve të naftës dhe të naftësjellësve që përshkojnë vende të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe për shkak të një rrethimi të mundshëm të aleates së Shteteve të Bashkuara, Turqisë, një hap i tillë, sigurisht, nuk është thjesht një çështje prestigji dhe ndërlikimet në këtë rajon mund të bëhen me lehtësi shumë të rrezikshme. Si u bë e mundur që sovjetikët të vendosën në Lindjen e Mesme? Që nga koha e Pjetrit të Madh, Katerinës dhe Romanovëve, qëllimi i regjimeve perandorake ruse, ka qenë të siguronin dalje në ujërat e ngrohta, si në Veri, ashtu edhe në Jug, d.m.th., të bëheshin zotër të Atlantikut dhe të Mesdheut. Ata thuajse i’a arritën objektivit të tyre jugor me 1877, kur kreu i Ushtrisë Perandorake Ruse, mbërriti në portat e Konstantinopolit (Stambollit të sotëm), ku u ndal nga manovrat diplomatike të fuqive të mëdha të kohës.
Rusia e dobësuar nuk mund të ndërmerrte një konflikt të armatosur me fuqitë e Mëdha te Evropës, që ishin të interesuara për ngushticat e që mbaheshin nga otomanët e pafuqishëm në mënyrë të veçantë Britania e Madhe. Rrjedhimisht Rusia u detyrua të pranojë vendimet e Fuqive të Mëdha të mbledhura në Konferencën e Berlinit me 1878. Rusisë i’u desh të kënaqet me disa lëshime tokësore në juglindje të Rusisë, ndërsa rumunëve, bullgarëve, serbëve dhe grekëve, për mbrojtjen e të cilave Rusia gjoja i kishte shpallur luftë perandorisë Otomane, iu dha pavarësi e plotë. Rusia fitoi të drejtën e kalimit nëpërmjet ujërave nën sovranitetin e Perandorisë Otomane (Dardanelet), në bazë të Konventës së ratifikuar nga të gjitha fuqitë e interesuara 204 për këto ujëra. Megjithatë plani rus për t’u bërë zot i ngushticave përfundoi me dështim të plotë. Asgjë nuk ka ndryshuar nga synimet politike të Rusisë që nga ajo kohë.
Por pasi pat siguruar një dalje në Oqeanin Atlantik, duke vënë nën kontroll shtetet Baltike, Bashkimi Sovjetik, si vend fitues i Luftës së Dytë Botërore, nuk u kënaq me këtë fitore të madhe. Tani ky vend aspironte të mbizotëronte Mesdheun. Dhe për t’ia arritë kësaj, do të gjendej fare pranë objektivit të tij kryesor, Revolucionit Botëror. Depërtimi rus në Lindjen e Mesme është vetëm një hallkë në zinxhirin e sundimit botëror, që është doktrina komuniste e predikuar nga Lenini, Stalini e të tjerë. Sado fantastike që mund të na duket një ambicie e tillë, le të mos e mohojmë, siç bëjmë shpesh, për ato që kanë ndodhur. Mund të sjellim shumë prova që tregojnë se ne shpeshherë i nënvlerësojmë sukseset ruse. Sa herë ndodhemi përballë proceseve të spastrimit në Rusinë Sovjetike, ne jemi të prirur të mendojmë se regjimi komunist do të shembet, ose të paktën që pakënaqësia e brendshme do ta detyrojë politikën ruse, të hyjë në rrugën e bashkë-ekzistencës paqësore me të ashtuquajturën botën tonë kapitaliste.
Dhe çdo herë ngjarjet që kanë pasuar, kanë treguar që ne ishim gabuar në optimizmin tonë plot shpresa, nga mirëbesimi ynë dhe dëshira për të jetuar në paqe. Ne duhet të mos harrojmë që duke qenë thjesht antikomunistë, ne nuk përbëjmë ndonjë pengesë të fuqishme që mund t’i presë rrugën depërtimit të rrezikshëm të Rusisë. Nuk është mjaftueshme të jemi të vetëdijshëm për ndikimin shkatërrimtarë të komunizmit mbi shoqërinë, kulturën, fenë, qytetërimin, që arrin kulmin me asgjësimin e plotë të lirisë individuale dhe të çdo gjëje që është thelbësore për ne. Ne duhet të jemi gjithashtu të vetëdijshëm për të gjitha mjetet dhe taktikat që ia bëjnë të mundur depërtimin armikut tonë. Ne duhet ta kemi të qartë se është e pakuptimtët të biem në grackën e provokimeve, në kohën, vendin dhe mënyrën që rusët duan të na shtyjnë për të ndërmarrë veprime policore. Ndryshe ne vet do të rrihnim ujë në havan. Mjeshtrit moskovitë dinë fare mirë si të shfrytëzojnë rastin dhe të zgjedhin kohën e vendin për të filluar veprimet e tyre shkatërrimtare.
Terreni më i përshtatshëm për ta janë vendet me nivelin më të ultë të jetesës, në të cilat mbretëron mjerimi. Atje ata mund të veprojnë me lehtësi dhe pa i penguar njeri, për shkak të hendekut që ndan klasën sunduese nga masat e popullit. Ata shfrytëzojnë urinë. Ata kanë agjentë të stërvitur shumë mirë të rekrutuar nga radhët e intelektualëve gjysmakë por idealistë, që urrejnë klasat sunduese dhe që janë komplotistë nga natyra. Këta agjentë udhëzohen të krijojnë celula ndërmjet të rinjve dhe ta kufizojnë propagandën e tyre në përpjekjet për ta zmadhuar mjerimin ekzistues. Agjitacioni përqendrohet në jetën luksoze që bëjnë klasat sunduese dhe në faktin që mjerimi i popullit shkaktohet nga shpërdorimet e klasës sunduese.
Materiali propagandistik, që është përgatitur në Moskë nga ekspertë të posaçëm për vendet përkatëse dhe në gjuhët përkatëse, përpunohet me kujdes dhe shoqërohet me ilustrime nga jeta në Rusi, ku klasat reaksionare janë zhdukur tërësisht. Vëmendje e posaçme u kushtohet shkollave fillore, ku komunistët kanë si mësues agjentët e tyre të përgatitur. Këta mësues zgjedhin ndërmjet nxënësve të tyre ata elemente që mund t’u shërbejnë komunistëve. Ata ndërtojnë celula që veprojnë në qetësi. Në fazën e parë, feja nuk sulmohet drejtpërdrejtë, por flitet shumë për dashurinë e lirë dhe për pengesat që ngre feja lidhur me martesën, etj. Meqenëse në vendet e nxehta zakonisht djemtë e arrijnë pjekurinë seksuale nga mosha 10 deri në 12 vjeç, kurse vajzat nga 8 deri në 10 vjeç, tema e dashurisë së lirë është nga më tërheqëset dhe një fillim drejtë ateizmit.
Mungesa e një kulture familjare në Lindje, në kuptimin amerikan dhe evropian të kësaj fjale, i le të gjitha dyert të hapura për depërtimin e një propagande të tillë shkatërrimtar drejtpërdrejtë në jetën e djemve dhe vajzave. Pasi bëhet anëtar i një celule, vajza apo djali fillon te gëzojë jetën dhe përpiqet të provojë ose vërë në jetë gjëra që feja e tij ose e saj i ndalon. Këtu ata bien ndesh me fenë dhe fillojnë ta urrejnë atë. Udhëheqësit e celulave kujdesen për edukimin e tyre të mëtejshëm në kuptimin e mirëfilltë komunist të fjalës dhe në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, ata të gjithë bëhen vegla të verbëta të kësaj ideologjie. Udhëheqësit e celulave atëherë fillojnë ta angazhojnë secilin anëtar të celulës në një mision individual.
Mësimet e para i kushtohen përgjimit në shkollë, në shtëpi e gjetkë. Pasi janë kthyer në spiunë të shokëve të shkollës, prindërve dhe miqëve të tyre, ata janë komprometuar aq shumë, sa që nuk kanë si të dalin nga celula. Kjo shtytje sistematike drejtë kriminalitetit është një nga mjetet me të efektshme që përdorin komunistët për t’i kthyer në pasues të verbër disa nga njerëzit më të mirë e më të ndershëm. Pastaj ata i kanë të rinjtë e të rejat plotësisht në duart e tyre. Gradualisht nga shkollat fillore veprimtaria e tyre kalon në shkollat e mesme dhe në universitete dhe ç’është më e keqja në akademitë ushtarake. Spiunët e rinj të dalë nga shkollat fillore tani kanë marrë rrugën për t’i dhënë formë jetës shoqërore në vendin e tyre.
Celulat në institucionet më të larta janë krejt ndryshe nga ato të fillimit. Spiunët fëmijë tani janë bërë intelektual që njohin gjuhën dhe teorinë e marksizmit. Për më tepër, përderisa të gjithë studentëve u duhet të mendojnë për të ardhmen e tyre dhe fillimi më i mirë do të ishte një punë qeverie, udhëheqësit e celulave i shfrytëzojnë së tepërmi lidhjet që kanë me zyrtarë të lart të qeverisë, për t’u gjetur atyre punë me të ardhura të larta dhe një karrierë premtuese. Çmimi që ata duhet të paguajnë për një karrierë të tillë është gjithmonë po ai: të mbeten një vegël e mirë dhe e besueshme e kryemjeshtrave në Moskë. Në ndonjë rast gjuha që ata tani dëgjojnë nga krerët e celulave është krejt e ndryshme. Dhe cilido që lëkundet do të dëgjojë një notë tmerri.
Meqë po flasim për metodat e tmerrit që përdorin krerët e celulave ndaj anëtarëve të lëkundshëm, do të ishte me mjaft interes të përmendim këtu praktikën e një terrori të tillë në vende që nuk janë nën sundimin komunist. Të gjithë anëtarët e celulave e dinë fare mirë se ata i përgjojnë dhe se nuk ka asgjë që udhëheqësi i celulës të mos dijë rreth tyre, bile edhe për sa iu përket ndjenjave të tyre më intime. Prandaj është detyrë e çdo anëtari t’i raportojë udhëheqësit të celulës dhe t’i rrëfehet lidhur me dyshimet që mund të ketë pasur në ndonjë rast, etj. Në gjuhën komuniste një rrëfim i tillë quhet autokritikë. Udhëheqësi i celulës atëherë bënë një mbledhje me të gjithë anëtarët e celulës, ku personi i lëkundët përsërit rrëfimin e tij. Zakonisht udhëheqësi i celulës përmend shembuj të ngjashëm nga letërsia sekrete komuniste për t’i dhënë zemër anëtarit të shkurajuar.
Këta shembuj përpunohen nga ekspertë komunistë të rangjeve të larta, zakonisht në vende nën regjimin komunist, por shembujt i përkasin periudhës kur komunizmi në këto vende ishte ilegal. Pastaj fillojnë diskutimet dhe çdo anëtar shpreh mendimin e tij. Ndonjëherë diskutime të tilla marrin forma shumë të vrazhda dhe të gjitha të palarat e anëtarit të lëkundur dalin në shesh. Duke e vënë veten në rolin e arbitrit, udhëheqësi i celulës i jep pastaj një rast tjetër anëtarit të akuzuar të celulës, për shkak të autokritikës së tij, duke vënë në pah karakterin e tij të shkëlqyer dhe detyrat që ka kryer në të kaluarën. Ai i premton pastaj që nuk do ti vihet ndonjë shënim në biografi për sjelljen e tij, e kështu me radhë. Pastaj vazhdon diskutimi. Memorie.al
Vazhdon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016