Nga Gjergj Titani
Memorie.al / Pas botimit të shënimeve e rrëfimit ekskluziv të Pandi Kristos, (të botuara në disa numra) ish-anëtar i Byrosë Politike dhe një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë në mbledhjen e 8 nëntorit 1941, dhe njëri nga ish-ministrat kryesorë më të fortë të Qeverisë Shqiptare të viteve 1945-1948, nga sot, po fillojmë botimin e kujtimeve të vajzës së tij të vetme, Asamble Vullkani (Kristo), e cila tregon për brengën që e ndjek edhe sot për emrin që i vuri Enver Hoxha, njeriu që urdhëroi më pas, burgosjen e babait të saj në Burrel dhe disa kampe e burgje të tjera, dhe internimin e gjatë në rrethin e Lushnjës, ku ata qëndruan familjarisht deri në vitin 1993.
Në pjesën e parë të kësaj interviste, Asambleja, vajza e vetme e Pandi Kristos, flet për rininë e hershme të mbushur plot përbuzje e fyerje nga shokët e shoqet e saj dhe për neverinë e drejtuesve të Komitetit të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë të kryeqytetit. Takimet me babanë e saj në burg dhe për dëbimin e familjes së saj nga Tirana, për në Lushnjë. Jetën e zymtë të familjes së ish-mikut të ngushtë të Enver Hoxhës dhe punët e rënda që bënin gjatë internimit, në Fermën Bujqësore të Çermës. Sjelljet e përbindshme të të plotfuqishmit të Sigurimit të Shtetit dhe të tjerëve. Si i dërgoi letër Enver e Nexhmije Hoxhës, për të vazhduar studimet e larta dhe reagimet pas kësaj letre, që shtuan edhe më shumë fatkeqësitë e familjes. Ja pjesa e parë e tregimit të saj tronditës.
Znj. Asamble, çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj për babanë e burgosur dhe të internuar aq gjatë, me të cilin kemi bërë një intervistë të gjatë ekskluzive të botuar në gazetën “Panorama”, para se ai të ndahej nga kjo jetë?
Vitet e para të fëmijërisë sime, si të çdo njeriu, më kujtohen zbehtë e shumë të mjegulluara. Mbaj mend që, luaja bashkë me shoqet e mia me kukulla, kërceja me litar, luaja symbyllazi, me peta etj. Por, gjithsesi, një gjë është e saktë e që më ka mbetur pa u shlyer në kujtesë: babanë nuk e mbaj mend të lirë, në shtëpi, por vetëm të burgosur prapa hekurave të burgut dhe që unë me mamanë, gjyshen e shpesh edhe me motrat dhe vëllanë e babait, shkonim për ta takuar. Si fëmijë që isha, më bënte shumë përshtypje, përse babai nuk vinte të jetonte në shtëpi me ne, por rrinte atje në burg, i rrethuar nga policë e gardianë? Mamaja, halla dhe xhaxhai Koço, për të mos ma thyer gëzimin fëminor, mundoheshin më njëmijenjë mënyra, të ma fshihnin disi të vërtetën. Ata të tre, ma shpjegonin mua faktin e mungesës së babait në shtëpi, me trillimet e tyre naïve, duke thënë se babai, ishte me shërbim në atë vend, që mua më dukej shumë i zymtë. Herë të tjera, ata më thoshin se ja, së shpejti, babai do të vinte në shtëpi etj., etj…!
Por unë po rritesha. Fillova të shkoj në shkollë që ishte një gëzim i veçantë për mua, sepse kisha ç’t´i tregoja babait nga bëmat e mia të shkollës, por ai nuk po vinte në shtëpi. Sa isha ende fëmijë, në shkollë, shokët dhe shoqet, por edhe mësuesit dhe mësueset, më kanë trajtuar mirë. Nuk kam ndier kurrë dallim nga sjellja e tyre që kishin me fëmijët e tjerë të klasës apo të shkollës. Me mua, shoqet dhe shokët e mi, loznin pa bërë asnjë dallim apo diferencim. Të paktën kështu më dukej mua. E nga ta dija unë, se çfarë flisnin ata pas shpinës time. Nga ta dija se, çfarë u flisnin atyre instruktorët e rinisë për mua e babanë dhe si i mësonin të silleshin ndaj meje?! Por, dita e thyerjes së zemrës e shpirtit tim delikat, erdhi në një nga ditët e zakonshme të vitit mësimor 1957-1958. E mbaj mend si sot, tronditjen e madhe që pësova, kur një bashkënxënës i klasës sime, më fyeu midis shokëve, me fjalët që më goditën si breshëri plumbash të akullt: “… ne nuk duam të lozim me ty, se ti nuk je shoqja jonë. Ti je e bija e armikut të popullit, që është në burg…”, e shprehje të tjera të rënda, që mua ma copëtuan shpirtin.
Sigurisht, unë u preka në sedër e u pikëllova pa masë. Si ishte e mundur vallë që, unë të rrija e izoluar nga shokët dhe shoqet, në oborrin e shkollës, apo në pushimet midis orëve të mësimit?! Atë ditë, m’u duk jeta ime, e cila po hidhte hapat e para të adoleshencës, e zezë sterrë dhe pa rrugëdalje e, mbaj mend që kam shkuar në shtëpi, duke qarë me dënesa. Më pas, kur u rritëm, ky shok që më fyeu aq rëndë, përballë të gjithë klasës, më ka kërkuar shumë e shumë herë të falura, por unë, nuk e fala asnjëherë, sepse fyerja që më bëri, më kushtoi aq shumë nerva dhe dënesa, e poshtërimi ishte tepër i madh dhe i papranueshëm. Në këto kushte, duke qenë tejskajshëm e prekur dhe e indinjuar, megjithëse nuk e kisha zakon, iu ankova drejtoreshës së shkollës “Naim Frashëri”, mësueses time të respektuar Dhora Karoli.
Drejtoresha, e indinjuar për këtë gjest, më shumë se rrugaçëror të atij djali emocional, të cilit unë nuk dua t’ia përmend emrin, e transferoi në degën e shkollës sonë, që ndodhej aty pranë. Por, kurrsesi nuk mund të harroj ambientin e ngrohtë që na ishte krijuar në lagjen ku jetonim, në rrugën “Halim Xhelo”, në Tiranë. Aty u njoha me familjen e Liri Kalesha, e cila ishte dhe mbeti shoqja ime më e ngushtë. Babai i saj, Sali Kalesha, më donte fort, njëlloj si vajzën e tij dhe ndiqte me kujdesin e një prindi të vërtetë, ecurinë time në shkollë e në mësime. Ai vinte rregullisht në takimet me prindërit, që organizoheshin në shkollë çdo javë. Aq e madhe ishte dashuria e tyre ndaj nesh, sa kjo, shprehet edhe me një akt të tyre të pashembullt. Ishte Liri Kalesha, ajo që më ka ardhur e më ka vizituar në Lushnjë, kur ne ishim të dëbuar me status dhe në atë kohë, kur nuk na shkelte njeri në shtëpi.
Po kështu, ishte edhe familja e Batallëve, nga Vlora, me të cilën banonim në të njëjtën shtëpi. Baba Hyseni (Hysen Batalli), një intelektual i mençur nga Vlora, që i kishte kryer studimet e larta në Itali, si dhe e shoqja e tij, mama Ylvija, ishin të mrekullueshëm. Unë edhe sot, nuk e harroj baba Hysenin, sepse unë vetëm këtë njeri e kam thirrur me emrin baba, sepse babanë tim, e thërrisja me emrin e tij, Pandi. Në momentin që u dënua babai, kjo familje tërësisht, i qëndroi pranë mamasë sime, Dhora. Kur Pandi Kristo, nuk u dënua me pushkatim, ata erdhën me të shpejtë te ne dhe me gëzim të madh, na thanë se babi, herët ose vonë do të dalë një ditë nga burgu. Vajzat e kësaj familjeje, Vjollca dhe Lutfija, të rritura në moshë, më kanë trajtuar si pjesëtare të familjes së tyre.
Kur Vjollca u fejua me Stavri Treskën, një kolonel simpatik, i sjellshëm dhe me shumë kulturë qytetare dhe ushtarake e që studimet ushtarake i kishte përfunduar në Itali, më merrte gjithmonë me vete në shëtitjet nëpër Tiranë. Unë jam tronditur pa masë, kur vdiq Vjollca. Ajo vdiq në kohën e lindjes të djalit Artan, të cilin e kam dashur si vëllanë tim, aq më tepër që unë nuk kam vëlla. Atëherë, unë isha vetëm 14 vjeçe dhe e kam përjetuar me dhembje të madhe, këtë vdekje të dytë të familjes Batalli. Më kujtohet se, kur nuk më doli e drejta e studimit për në universitet, shkova te baba Hyseni, i cili banonte tashmë në një shtëpi tjetër aty pranë. Ai, kur më pa ashtu të tronditur e të pezmatuar, më tha këto fjalë, që i mbajta mend për gjithë jetën: “Ata nuk të lejuan të marrësh arsim të lartë, por nuk do të mundin kurrë, të të heqin të drejtën për të marrë kulturë e arsim autodidakt. Ata mund të të heqin ty të drejtën për të marrë një profesion dhe një copë diploma, e asgjë më tepër. Diplomën ti, do t’ia japësh vetë vetes tënde, me qëndrimin që do të mbash në jetë”.
Kush jua ka vënë emrin Asamble dhe a ju ka pëlqyer ky emër?
Kur u rrita, e kuptova se kish një emër absurd dhe ndryshe nga shoqet e tjera. Fillova ta urrej këtë emër, që në fëmini dhe vazhdoj ta kem brengë edhe sot, pavarësisht se tashmë jam ambientuar me të. Familja e baba Hysenit, më thërriste me emrin Pupe, sepse asnjë pjesëtar i kësaj familjeje, nuk e donte emrin Asamble, që ma kishte ngjitur Enver Hoxha. Djali i vogël i baba Hysenit, mjeku i mirënjohur ushtarak, Selfo Batalli, kur ne tashmë ishim kthyer në Tiranë nga internimi, dërgoi e më thirri. Ai ishte para vdekjes, e mbas disa kohësh vdiq nga leuçemia. Të dy, me babanë dhe burrin tim Robertin, vajtëm për ta takuar në shtëpi. Me këtë rast, Pandi e falenderoi dhe i shprehu mirënjohjen e thellë, për përkujdesjen e tyre prindërore ndaj meje dhe gjithë familjes sonë. Shoqet e mia më të ngushta, e që nuk m’u ndanë kurrë deri në fund, ishin Vjollca Qatipi, Tatjana Milo, Valentina Koka, shoku i fëmijërisë, Jani Drita etj.
Po më pas, me kalimin e adoleshencës, çfarë ndodhi me ty?
Gradualisht, me rritjen e moshës, unë po e kuptoja gjithnjë e më shumë tragjedinë e madhe politike dhe familjare që na kishte pllakosur. Unë isha tashmë e bindur se, kjo tragjedi, jo vetëm e jona si familje, do të vazhdonte tepër gjatë. Së paku, deri në vdekjen natyrore të Enver Hoxhës po se po, në mos më shumë. Te ne në familje, vizitorët e zakonshëm, fillimisht u rralluan gjithnjë e më shumë, aq e vërtetë është kjo, saqë ne, në familjen tonë, na u bë e zakonshme kjo gjendje. Madje, kur dikush na vinte shpesh për vizitë, na dukej se po ndodhte diçka e pazakontë dhe menjëherë fillonin dyshimet. Kjo ishte një gjendje e çuditshme, auto censure, e njeriu jetonte i dyzuar. Njërën jetë e bënte për vete dhe të dashurit e afërm të familjes dhe një jetë tjetër, jetë krejtësisht false, e bënte për sy e faqe të të tjerëve, të opinionit, të instinktit për t’u vetëmbrojtur, nga çdo e keqe dhe e papritur që mund t’i vinte, në çdo rast dhe nga kushdo.
Në vitin 1961, kur unë mbusha moshën 15-16-vjeçare që ishte pragu i moshës për t’u pranuar në Rini (BRPSH) plotësova lutjen edhe unë, ashtu si gjithë shokët dhe shoqet e mia të shkollës. Komiteti i Rinisë së shkollës, e kishte miratuar në parim pranimin tonë, po ashtu edhe organizata e rinisë së klasës, e cila kryente praktikisht pranimin. Por, pragu më i vështirë, ishte kalimi i pengesës më të madhe, Komitetit të Rinisë së Rrethit të Tiranës. Fillimisht, u përgatitëm dhe u paraqitëm në Komitetin e Rinisë së shkollës, e prej andej në Komitetin e Rinisë të Rrethit të Tiranës. Ceremonia e kalimit në intervistë përpara sekretarit të Komitetit të Rinisë të Rrethit, i cili çuditërisht edhe certifikonte pranimin e të rinjve, ose të rejave në BRPSH-së, dukej e thjeshtë, por ishte një shoshitje sociale, ishte një hetuesi tinzare e vërtetë e të rinjve ose të rejave. Pikërisht, në këto bërthama sociale, siç e kuptoj unë sot, hidhnin rrënjë ferrat dhe gjembat e helmuar të luftës së egër të klasave.
Ndryshe, nuk ka se si shpjegohet thënia e përbindshme e “zonjës së parë të vendit, Nexhmie Hoxhës”, në një rast solemn në qytetin e Vlorës: “…Ne, fëmijët e armiqve të klasës, kushdo qofshin ata, do t’i dënojmë politikisht dhe juridikisht, për shtat breza, aq sa ata të mos jenë në gjendje të ngrenë kokë kurrë…”! Sekretari i Komitetit të Rinisë së shkollës, Robert Floqi, ishte i detyruar të bënte prezantimin tonë përpara Komitetit të Rinisë së Rrethit. Mbaj mend, sikur më përshkoi një ndjesi e ftohtë gjarpri nëpër shpinë, kur sekretari i këtij Komiteti S.T., të cilit për respekt të fëmijëve, nipërve dhe mbesave të tij të mrekullueshëm dhe shumë të edukuar, nuk dua t’ia përmend emrin, (e jo “…t’i luftoj për shtatë breza fëmijët aq sa të mos e ngrenë kokën kurrë…”), sepse do t’i bëhej qejfi Nexhmije Hoxhës, së cilës ai “shok” i ka shërbyer me besnikëri, dhe do të kujtonte se porositë e saj të helmuara, të thëna në Vlorë, apo diku gjetkë në Shqipëri, shumë vite më parë, kishin hedhur rrënjë të thella, sa nuk mund të shkulen edhe sot e kësaj dite.
Kur pa se kishte përpara një viktimë të brishtë, të cilën mund ta shkatërronte, duke mos e lejuar të hynte në organizatën e rinisë, më pyeti tekstualisht me këto fjalë: “Ti vajzë, a vete në burg për të takuar babanë”? “Po”, i thashë. “Po mamaja, a e ka ndarë babanë, meqenëse ai është dënuar si armik i partisë, popullit dhe Shqipërisë”? “Jo, i thashë unë, pse duhet ta ndajë”?! “Ti, më tha ai, – nuk mund të hysh në BRPSH, sepse, nuk je e papërgatitur ideologjikisht dhe politikisht, për të zhvilluar luftën e klasave, përderisa nuk ndikon te nëna jote, që të ndahet me babanë dhe të mos shkoni në burg ta takoni, sepse ai është armik i egër, i popullit e partisë”. Ç’të them më?! Fillova të mendoj me zemërim dhe seriozisht, se deri në ç’nivele e kishte zhvilluar luftën e klasave politika e sundimit enverist. “Shoku shumë i rëndësishëm”, S.T., pra sekretar i Komitetit të BRPSH-së të Rrethit të Tiranës, i tërhoqi vërejtje Robert Floqit të shkretë, pse më kishte paraqitur edhe mua, vajzën e armikut të popullit, Pandi Kristo, para tij në Komitet dhe nuk ishte treguar vigjilent aq sa duhej, për ta parandaluar këtë lajthitje klasore!
Po kur shkuat në gjimnazin “Qemal Stafa” si e ndjetë veten, a mendonit për të vazhduar studimet e larta?
Në vitin 1963. Atëherë me drejtorin e gjimnazit “Qemal Stafa” Gaqo Marko, me origjinë nga Korça, i cili jepte Gjuhë-Letërsi dhe Historinë e PPSH-së, kam pasur një përplasje mjaft të ashpër.
Cili ishte ky konflikt me drejtorin e gjimnazit?
Më kujtohet qartë se një herë, sipas programit të lëndës së historisë të PPSH-së, kishim temën mbi “Kongresin e Parë të PKSH-së”. Me sa duket, mua më ngriti drejtori që të tregoja se si partia në këtë Kongres, i dënoi ashpër dhe me të drejtë armiqtë e saj Koçi Xoxe, Pandi Kristo etj. Unë, që tashmë isha vajzë e rritur dhe hallet familjare më kishin pjekur para kohe, nuk pranova të përgjigjesha para klasës. Me këtë rast, kujdestari i klasës, profesori i matematikës Petrit Çami, më foli veçmas, për këtë rast dhe më tha: “… po ti përgjigju, moj vajzë, aq sa për të marrë notën etj.”, por unë kurrsesi nuk pranova të bëja kompromis, me profesorët e mi, për të shitur babanë, i cili kishte hequr e po hiqte aq shumë. Unë babanë e adhuroja dhe në koshiencën time, nuk e pranoja kurrë, që ai ishte armik i popullit. Një baba partizan, luftëtar trim, siç ma përshkruante gjyshja dhe mamaja, nuk mund të ishte armik i popullit kurrsesi.
Ndërkohë, që babai ishte në burgun e Burrelit, unë nuk mund të ëndërroja më për të fituar një note, apo të drejtën e studimit për në universitet. Këtë të drejtë, mua nuk ma dhanë kurrë, ashtu si edhe shoqes sime të klasës, Shpresa Pogoni, sepse edhe ajo ishte nga shtresa e të persekutuarve politikë. E zemëruar në kulm, gati sa nuk më futën në burg, falë këmbënguljes time, e cila nuk i pëlqeu Enver Hoxhës. Ja se si ka ndodhur rasti. Kur isha në Tiranë, i dërgova një telegram Enver Hoxhës dhe kërkova takim me Nexhmije Hoxhën, për të drejtën e studimit. Pas kësaj më thirri një sekretare e tij, e më njoftoi se: “…shoku Enver, e ka marrë telegramin që i kini drejtuar, dhe së bashku me shoqen Nexhmije, e kanë diskutuar këtë çështje, që juve të mos iu jepet e drejta e studimit”. Në këto rrethana, pas një muaji, babai doli nga burgu dhe me një urdhër special të Komisionit të Dëbim Internimeve, të treve na dëbuan nga Tirana e, na fluturuan në qytetin e Lushnjës. Këtu mori fund edhe ëndrra ime për shkollë të lartë.
Ç’mund të më thuash për kohën që jetuat në Lushnjë si të dëbuar?
Me të mbërritur në Lushnjë, na caktuan për të banuar në barangat që ishin ndërtuar enkas pas tërmetit, që kishte rënë në vitet 1960-1961, derisa u mbarua pallati që po ndërtonin enkas, për ne të persekutuarit. Në këtë banesë, hymë pas gjashtë muajsh. Këtë shtëpi e morëm me ndihmën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Rrethit të Lushnjës, Nuçi Tira, një komunist i vjetër me origjinë nga Pogradeci dhe ish-shoku i babait, si dhe kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Lushnjës, Uran Hila. Ky ishte një burrë korrekt dhe i ndershëm e vajzën e tij, unë e kisha shumë shoqe. Megjithëse, një farë zbutjeje e jetës në pamjen e jashtme kishte filluar, por telashet tona të padurueshme, do t’i fillonim pak më vonë. Në këtë kohë, mamaja punonte si rroba-qepëse. Babai punonte si këpucar, profesione të cilët, i kishin ushtruar qysh në Korçë, para se të fillonte lufta partizane.
Pas Nuçi Tirës, kryetar Dege në Lushnjë, ardhi Ropi Çifligu, i cili menjëherë, e hoqi babanë nga Punëtoria Speciale e këpucë bërësisë dhe e çoi në prodhim të zakonshëm, kurse mua, nuk po më jepnin punë kurrsesi. Shefja e kuadrit e Komitetit Ekzekutiv, së cilës nuk ia kujtoj emrin, një ditë, kur unë kisha shkuar tek ajo për të kërkuar punë, më tha: “Ti nuk e di e bija e kujt je moj vajzë?! Dashke dhe punë”! Atëherë, e indinjuar jashtë mase, për faktin se nuk po më jepnin punë, pra nuk po më jepnin mundësi për të jetuar, unë shumë e indinjuar, iu drejtova përsëri Enver Hoxhës, pa e pyetur babanë, sepse letrën e shkrova kur ndodhesha në Tiranë. Mbaj mend se, babai më qortoi që i shkruajta letër–ankesë Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Nga sa mësova pak më pas, Mehmet Shehu, e kishte lexuar letrën dhe me të në dorë, kishte shkuar tek Enveri. Letra ime ishte shumë e hollësishme dhe akuzonte rëndë, ato çka po bënte shteti ndaj nesh.
Vangjeli Sotiriadhi, sekretare e vjetër e Enver Hoxhës, lajmëroi motrën e babait, që punonte në atë kohë te dyqani i vetëm i optikës, që ndodhej në qendër të Tiranës, dhe i tha këto fjalë: “…dëgjo, Enveri, kur e lexoi letrën e Asamblesë, u zemërua shumë dhe kishte thënë tekstualisht se; po të mos ishte vajzë, do ta fusja në burg, prandaj të vejë punëtore në prodhim, në lopatë…”! Ajo pra, halla, na porositi që unë, të mos i shkruaja kurrë letra udhëheqjes. Si kundër-reagim, unë nuk shkova kurrë më në punë dhe nuk i shkruajta kurrë më letër Enver Hoxhës. apo dikujt tjetër nga udhëheqja, sepse isha paralajmëruar, se mund të futesha kot së koti edhe në burg…!
Jetëshkrimi
Kush është Asamble Kristo (Vullkani)?
Asamble Pandi Kristo, u lind më 20 tetor 1945, në Tiranë. Shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare, e përfundoi në vitin 1959, në shkollën “Naim Frashëri” dhe gjimnazin “Qemal Stafa”, në vitin 1963. Më 5 nëntor 1963, deri në vitin 1983, me urdhër të Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, dëbohet familjarisht në qytetin e Lushnjës. E pa punë, ndonëse kishte kërkuar disa herë pranë Komitetit Ekzekutiv, në zyrën e punës. Në vitin 1983 e deri në vitin 1989, internohen po me vendim të këtij Komisioni, në Fermën Bujqësore të Çermës. Punon si punëtore krahu në brigadat e arave. Më 11 maj të vitit 1989, lirohet nga internimi. Më 23 dhjetor 1989, celebron martesën me Robert Sotir Vullkanin, ish-i dënuar dhe i ri dënuar politik, për 26 vjet rresht. Ndërmerr një sërë udhëtimesh jashtë shtetit, së bashku me burrin dhe vjehrrën e saj. Më 15 maj 1991, shkon në qytetin Novi Sad, Jugosllavi. Në vitin 1995, derisa doli në pension, në vitin 2001, punoi pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Vendore nr. 6, në Lagjen Kombinat. Më 10 korrik të po atij viti, vendoset në Rumani. Është aktiviste e shumë shoqatave për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, fëmijëve dhe grave. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016