Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Halim Xhelos, ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili në vitin 1966 i shkroi një letër anonime Enver Hoxhës, lidhur me gjendjen katastrofale, ku po e çonte popullin shqiptar Enveri dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së, si dhe çështjen e heqjes së gradave në Ushtri, sipas modelit kinez. Letra e gjeneralit rebel nga Vlora dhe dëshmia e kolonelit Ahmet Mehmeti, se si u bë e mundur gjetja e autorësisë së asaj letre dhe si u arrestua ai në Hotel “Sazani” në Vlorë, ku kishte shkuar së bashku me djalin në tentativë për t’u arratisur?!
Zoti Mehmeti, si u prit në atë kohë nga masa e gjerë e ushtarakëve, vendimi i Byrosë Politike për heqjen e gradave?
Para se t’i përgjigjem direkt pyetjes suaj, në parantezë desha të shtoj se me njoftimin që bëri udhëheqja e lartë e PPSH-së, në atë kohë mbi vendimin që kishte marrë Byroja Politike, për revolucionarizimin e mëtejshëm të Partisë, Pushtetit e Ushtrisë, në të gjitha organizatat-bazë të Partisë, duke filluar që nga Ministria e Mbrojtjes e deri poshtë në njësi, u diskutua gjerësisht se ç’duhej bërë me Ushtrinë, në lidhje me atë orientim që vinte nga lart. Në këtë kuadër, u diskutua dhe u tërhoq mendimi i bazës në lidhje me heqjen e gradave. Për këtë problem pati shumë reagime, pro dhe kundër, por të gjitha reagimet që ishin kundër, argumentoheshin me atë që heqja e gradave do të dobësonte disiplinën në ushtri. Një nga ushtarakët e lartë, që e kundërshtoi më shumë heqjen e gradave, ishte kolonel Dilaver Radëshi, i cili i bëri një letër udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe njëkohësisht me atë letër u bë dhe një letër tjetër anonime, ku kundërshtohej në mënyrë kategorike, heqja e gradave në ushtri. Ajo letër, që iu adresua personalisht Enver Hoxhës, siç u mor vesh më vonë, ishte bërë nga Shefi i Sigurimit të Ushtrisë, gjeneral-major Halim Xhelo. Ndërsa letra e Dilaverit, ishte me emër dhe nuk përbënte ndonjë hata të madhe (ndonëse dhe Dilaveri përfundoi në burg), ajo që u dërgua anonime vuri në lëvizje të gjitha hallkat e shtetit dhe organet përkatëse të Sigurimit e Zbulimit e morën shumë seriozisht, punën për të bërë të mundur zbulimin e autorit të saj.
Mbi cilin ranë dyshimet e para si autor i asaj letre dhe a dyshohej për Halim Xhelon?
Nuk po ju përmend emra konkretë, por dyshime në atë kohë pati shumë. Por, derisa u zbulua e vërteta, për Halim Xhelon, as që nuk mendohej.
Ju personalisht, a u takuat ndonjëherë me Halimin, në atë kohë që ai e kishte bërë letrën dhe a e keni diskutuar këtë problem?
Gjatë kohës që në të gjithë ushtrinë diskutohej problemi i heqjes së gradave dhe ai i letrës anonime, unë jam takuar dy a tre herë me Halimin. Ashtu si gjithë ushtarakët e tjerë dhe ne, normalisht diskutuam për problemin në fjalë, por pa e ditur se Halimi ishte autori i saj.
Çfarë thoshte Halimi për letrën?
Më kujtohen si tani fjalët e Halimit, kur më thoshte: “Dilaveri, u tregua burrë të paktën dhe e bëri të hapur letrën, por ç’është ky që e ka bërë anonime dhe po na sjell vërdallë e s’e gjejmë dot. Ka shumë Dilaver që nuk dalin në skenë”, dhe shante pastaj mbarë e prapë, atë që e kishte shkruar. Pas këtij takimi, unë e kam takuar Halimin edhe një ditë para se ai të arrestohej, pasi ai erdhi në ministri për të marrë një autorizim, për të shkuar në ishullin e Sazanit. Meqenëse nuk e gjeti në zyrë shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Petrit Dumen (i cili kishte të drejtën e lëshimit të autorizimit), kur po dilte nga ministria, Halimi u kthye në zyrën ku punoja unë dhe më pyeti nëse ishte përgatitur, një hartë që kishte kërkuar ai për territorin e Shqipërisë, ku shtriheshin zonat kufitare. Po kështu, ai më porositi që kur të vinte gjeneral Petriti, unë t’i merrja autorizimin për në Sazan, duke më thënë se kishte biseduar vetë me të. Teksa po largohej, ai më tha: “Hajde dhe ti me mua në Vlorë e Sazan”.
E morët ju autorizimin sipas porosisë që ju la?
Kur erdhi gjeneral Petriti, unë ia bëra prezent porosinë që më la Halimi, duke i thënë se më kishte kërkuar edhe mua për të shkuar në Vlorë. Petriti urdhëroi menjëherë formulimin e autorizimit, të cilin e firmosi dhe e vulosi menjëherë, por mua më tha: “Nuk do të shkosh në Vlorë, pasi do ikim bashkë në Burrel, se na ka dalë një problem”. Atë pasdite Halimi erdhi në ministri, me makinën e tij “Popjeda” dhe pasi mori autorizimin, u nis menjëherë për në Vlorë, bashkë me djalin e tij, që e kishte me vete në makinë.
Si rrodhën ngjarjet pas largimit të Halimit për në Vlorë?
Ndërkohë që Halimi u nis për në Vlorë, pak orë më vonë në zyrën e ministrit të Mbrojtjes u thirrën tre ushtarakë të lartë, një i ushtrisë dhe dy të Ministrisë së Brendshme. Me porosi nga lart, atyre iu komunikua urdhri për t’u nisur menjëherë për në Vlorë, duke udhëtuar me një mjet fluturues. Sapo mbërritën në Vlorë, ata zbuluan se Halimi bashkë me djalin e tij, ndodhej në ish-hotel “Moska”, dhe me të marrë atë sinjalizim, ata shkuan menjëherë aty, duke bërë arrestimin e tij. Pasi e arrestuan, nën masa të forta sigurie, ata e sollën menjëherë në burgun e Tiranës, ku iu komunikua akuza si shkruesi i letrës anonime dhe filloi hetuesia ndaj tij.
Si u bë i mundur zbulimi i letrës që ishte shkruar nga Halim Xhelo?
Siç thashë dhe më lart, organet kompetente të Sigurimit e Zbulimit, nisën menjëherë punën për të gjetur autorin e asaj letre, që kishte shqetësuar udhëheqjen e lartë dhe personalisht Enver Hoxhën. Fillimisht u bënë ekspertizat përkatëse, për të gjetur makinën e shkrimit me të cilën ishte shkruar ajo letër. Pas krahasimeve të shkresave, u konkludua se ajo letër nuk ishte shkruar me makinat e shkrimit që dispononte dega e Sigurimit të Ushtrisë, por ajo ishte e një makine shkrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ishte dërguar për riparim në Degën e Kazermimit të Ushtrisë. Pas gjetjes së makinës së shkrimit, u hodhën dyshimet e para, se mos ajo letër ishte shkruar nga ajo ministri dhe u vunë disa persona nën vëzhgim. Njëkohësisht me këtë gjë, u verifikuan në Degën e Kazermimit të gjithë regjistrat e hyrje-daljeve dhe rezultoi se ajo makinë, që i përkiste një zyre në Ministrinë e Mbrojtjes, ishte marrë për një ditë nga sekretarja e Drejtorisë së Sigurimit të Ushtrisë, ku drejtonte Halim Xhelo. Ajo e kishte kërkuar atë makinë për një ditë, duke u thënë se të sajën e kishte të prishur. Pasi u gjetën firmat e saj për marrjen e dorëzimin e makinës së shkrimit, ajo u thërrit dhe u mor në pyetje, ku pranoi gjithçka. Sekretarja pohoi se, me porosinë e Halimit, letrën e kishte shkruar me një makinë tjetër, me qëllim që të mos zbuloheshin. Ky pohim i saj koinçidoi në një ditë dhe në një kohë kur Halim Xhelo, ishte duke udhëtuar për në Vlorë. Pra, kjo ishte dhe arsyeja që tre ushtarakët e lartë që ishin thirrur në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, morën urdhër, për të udhëtuar me një mjet fluturues për në drejtim të Vlorës, pasi ata dyshonin se Halimi kishte tendenca që të arratisej nëpërmjet Sazanit. Kështu u tha në atë kohë, se Halimi e mori vesh për arrestimin e sekretares së tij dhe prandaj u nis për në Vlorë, që të arratisej.
Është thënë se Halim Xhelon e helmuan në burgun e Burrelit, pasi ai filloi të tregonte krimet e Sigurimit të Shtetit?
Jo, Halim Xhelo mbyti veten në qeli, tamam atë ditë që u arrestua Beqir Balluku, në aktivin e Durrësit. Kjo gjë ndodhi pasi ai mbante shpresa se do lirohej një ditë me ndërhyrjen e Beqirit. Në vitin 1966 edhe Beqiri me Petritin, ishin kundër heqjes së gradave, madje Petritin e detyruan të bënte autokritikë në organizatën e Partisë. Dhe shumë vite më vonë u fol nën zë, se gjeneral-Halim Xhelon e kishte shtyrë Beqir Balluku ta bënte atë letër. Nuk e di sa e vërtetë është kjo, por është përfolur edhe para arrestimit të Beqirit dhe kjo gjë dihej nga shumë oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Letra e gjeneralit që vdiq në burgun e Burrelit në ’75-ën: “Enver, ja si po e masakroni këtë popull”
I dashur shoku Enver
Jemi një grup komunistasha ushtarakë e civil që kemi luftuar, që e duam partinë, pushtetin e popullin tonë, por duke parë se këto po rrezikohen vendosëm t’ju shkruajmë juve, që të vini dorë para se të jetë bërë vonë. Ju keni vendosur që të bëni një mori reformash: si uljen e rrogave, dërgimin e kuadrove në kazmë, heqjen e gradave, veshjen me uniformë kineze etj., etj. Fshatarësisë po i rrëmbehet gjithçka dhe janë katandisur në pikë të hallit për bukën e gojës. Punëtorët duhet të punojnë, prej mëngjesit deri në mbrëmje, për të realizuar normat e larta. Shkurt, të gjitha shtresat e popullsisë po u shtrëngohet litari për fyti. Përse të gjitha këto mbas 22 vjetësh çlirim? Tani të gjithë mendojnë për të ardhmen çdo të bëhet. Asnjeri nuk e ka të nesërmen të sigurt. Armiqtë na rrethojnë, por me këtë valë pakënaqësie që ka përfshirë të gjithë popullsinë, vështirë të mbrohet pushteti. Përse të rrezikojmë për një pushtet e parti, që nuk mendojnë fare për ne. Juve keni vënë triskëtimin e heshtur. Buka, vaji, makaronat, djathi etj. jepen vetëm në bazë të regjistrit. Por mos harroni se të pakënaqurit nuk janë më armiqtë e klasave, por neve njerëzit e pushtetit, ne që deri dje luftuam e sakrifikuam dhe që mendonim se të tillë do të ishim deri në fund. Po jini kaq të ndërgjegjshëm për kursimet, në interes të popullit, jepni ju të parët shembullin tuaj personal, në çdo gjë duke filluar nga vetja juaj. Lini makinat e shumta luksoze, vilat e rehatshme të ngritura në çdo qytet për ju, paguani vetë qiratë, ngrohjen, ushqimet, ujin, dritën, hiqni rojet e shumta në Tiranën e Re dhe do të shihni vështirësitë e mëdha të jetës. Hiqni më parë gratë dhe të afërmit tuaj nga përgjegjësitë e mëdha, të venë të parët në prodhim dhe aty do të shihni valën e pakënaqësisë që ekziston. Dilni ju, gratë tuaja dhe fëmijët tuaj në gjimnastikën e mëngjesit, vraponi rrugëve të Tiranës dhe pastaj pas jush do vrapojmë edhe ne.
Kështu jepet shembulli i mirë personal. Mandej shkoni në fshatra pa i lajmëruar që t’u presin dhe do të shihni, ku është katandisur fshatari jonë, sa keq jeton populli dhe oficeri që do të mbrojë Republikën. Jo me konferenca, por në doni opinionin e vërtetë të masës, i vini në votim të fshehtë këto reforma në ushtri e në popull dhe pikërisht këtu, do të merrni atë që mendojnë njerëzit, mbështetjen që trumbetoni ju. Në konferenca të hapura, njerëzit nuk mund të thonë lirisht ato që mendojnë, sepse s’duan të venë në burg apo në kampet e internimit. Rëndësi ka ajo që njerëzit gjithandej flasin dhe preokupohen se çdo të ndodhë nesër me neve. Njerëzit po mbushen me urrejtje dhe çdo durim ka një kufi. Fëmijët tanë s’duan të jetojnë e të rriten me komoditetet e fëmijëve tuaj, por me ato të një kërkese të domosdoshme.
Ushtarakët mendojnë: Pse nesër të rijnë ushtarakë? Apo për një trajtim si të qenit. Dhe nesër të japin kokën të parët. Pse kjo? Paskan të drejtë të gjithë ata që na akuzojnë për dogmatizëm. Ishin jugosllavët e ne bënim si donin ata, erdhën sovjetikët e ne bënim si urdhëronin ata, erdhën kinezët dhe ne o burra të bëhemi aziatikë. Kinezët vunë punën fizike dhe neve menjëherë, kinezët bëjnë gjimnastikë rrugëve, të bëjmë edhe neve?! Kinezët heqin gradat, o burra t’i heqim edhe neve. Po të hanë kinezët … pa tjetër do hamë edhe neve. Këto janë kulmi i servilizmit, kopjimeve dhe varrim i çdo gjëje nacionale, i çdo gjëje kombëtare. Ne po humbasim çdo gjë, çdo krenari si popull e si komb. Këto nuk ju thuhen juve haptas por të gjithë i bisedojnë midis shokësh të vërtetë, ku kanë besim.
Vetëm ju shokët e udhëheqjes, duhet t’i mendoni thellë këto çështje dhe mos lejoni që të rrezikohen fitoret tona. Këto hapa të pamatura sot, ndoshta nesër do të jenë të pandreqshme. Vini dorë sa nuk është vonë. Mos i nënvleftësoni këto mendime që jua thonë shokët tuaj. Këto qarkullojnë në masën më të madhe të komunistëve dhe veçanërisht të kuadrove. Po të reagoni drejt, ne kurrë nuk do të mendojmë se “ja u tërhoqën nga presioni”, por do themi udhëheqja dëgjoi zërin e masës. S’ka çudi të qeshni me këto mendime. Një ditë do na jepni të drejtë! Me nderime dhe respekt. Një grup kuadrosh ushtarakë e civilë/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016