• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Sunday, June 8, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime I mbijetuar

“Engjëlli nga Korça, takoi në spitalin e burgut në Tiranë, Koço Tashkon, i cili i tha; Enveri, s’ish antar i grupit tonë, po ardhi nja dy herë në mbledhje, se takonte një çupë dhe…”/ Dëshmia e ish-oficerit të Marinës

“Kur më arrestuan në ’77-ën, bashkë me shokun tim, nipin e Hysni Kapos, hetuesi Spiro Spiro, më tha…”/ Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të marinës tregtare, të anijes “Durrësi”!
“Poezitë që shkruaja kundër regjimit kur isha i internuar në Shtyllas, ja tregova një bashkëvuajtësi, por ai shkoi menjëherë në Degën e Brendshme dhe…”/ Dëshmia e trishtë e ish-të burgosurit politik
“Engjëlli nga Korça, takoi në spitalin e burgut në Tiranë, Koço Tashkon, i cili i tha; Enveri, s’ish antar i grupit tonë, po ardhi nja dy herë në mbledhje, se takonte një çupë dhe…”/ Dëshmia e ish-oficerit të Marinës
Zbulohet debati i ashpër/ Koço Tashko: “Të dënohen ata që folën në plenum kundër Hrushovit, ai nuk gabon, por edhe Stalini…”/ Enveri: thirri mendjes, ti je i sëmurë nga koka…
“Zoti Rakipaj, ju përgëzoj për kurajën tënde të palëkundur, për të denoncuar e demaskuar, krimet e përbindëshme të Enver Hoxhës dhe…”/ Letra e shkrimtarit të njohur, për ish-të dënuarin politik
“Nëna ime e kishte djalë xhaxhai Enverin, por ai na pushkatoi vëllanë, që i prenë dhe kokën…”/ Ngjarja makabre e kushëririt që mbajti Enverin në Paris
Memorie.al

Nga Maksim Rakipaj

Pjesa e tetëmbëdhjetë

Memorie.al/ Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu  tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991. Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.  

                                                         Vijon nga numri i kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

Kohë, njerëz…!

Është e rëndë jeta në burg. Ajo që të mungon më shumë, është dashuria e njerëzve, një fjalë e rëndë, që nuk mund ta kthesh ashtu si do. Ajo që të ngroh shpirtin, është të kujtosh ata që e di që të duan. Apo të dëgjosh një fjalë të ngrohtë, kur nuk e pret. Sjellja e njerëzve ndryshon, në varësi të gjendjes tënde. Të pozitës, të shkallës shoqërore.

Këta janë shumica. Unë i kam falur me kohë, ata që janë sjellë me mua, në varësi të gjendjes sime shoqërore, por nuk mund të harroj. Edhe kur bëj sikur nuk mbaj mend. Dhembja e shkaktuar ka qenë e madhe. Në shpirt. Më ka pëlqyer ajo fabula e Ezopit, ku luani i thotë njeriut që e goditi me sëpatë: “Plaga e sëpatës m’u shërua, por plagët, që më shkaktuan fjalët e tua, jo”!

Isha në birucë, gjatë hetuesisë. Vetëm. U hap dera dhe hynë brenda një oficer dhe një civil. Civili m’u prezantua:

– “Jam Myrteza Sanxhaku, prokuror i burgjeve. Ke ndo-një ankesë?! Hë”?!

– “Jo”.

E njoha oficerin. Ishte Agim Çani. Hera e parë që e shihja ushtarak. Papritur, shmangu prokurorin dhe më përqafoi. “Ah, mor Maks, sa keq më vjen”! Pastaj, e mblodhi veten dhe i tha prokurorit:

– “Më fal, Myrteza, po Maksin e kam shok…! Makso, po ke ndonjë porosi për familjen, mund të ma thuash. Plakun tënd e shoh përditë, kur shkon në punë, në Fermën e Spitallës”.

– “Jo, Gimo, nuk kam asnjë porosi. Faleminderit për fjalën e mirë, nuk do ta harroj…”!

Kur u lirova në shtator ’84, në mes të Bufe – “Tymit” në qendër, që ishte plot me hetues e spiunë, Gimi, më uroi për lirimin me zë të lartë. “Rahmet paç, miku im i mirë”!

Ishte prill ’82. Në Spaç, pat hyrë zv/Prokurori i ri i Rrëshenit. Ma tregoi Idriz Kaiku:

– “E njeh Makso? Osht durrsak”?!

Njoha shokun e gjimnazit “Naim Frashëri”. Kemi qenë thjesht shokë klase, me Ilir M., jo shokë të ngushtë. E dija që i kishte dalë për Juridik e drejta e studimit, por nuk ishim takuar që kur mbaruam maturën bashkë, në vitin ’69. U mundova t’i shmangem, që të mos më shihte, por më pati njohur…! Ma bëri me shenjë dhe më dhuroi një buzëqeshje pa ngjyrë. Ndejti nja dy metra larg dhe më foli:

– “Hë Makso, si je”?!

– “Mirë, Ilir, faleminderit. Më bëhet qejfi, që të shoh mirë”.

– “Mos më fol me emër mua! Duhet të më thuash; ‘Zoti Prokuror’! Nuk jemi njësoj bashkë”! – u hakërrua I.

– “Si urdhëron, zoti Prokuror. Por edhe ju, nuk duhet të më flisni me emër. Nuk jam Maksi për ju. Kur të më drejtoheni mua, duhet të më thoni; ‘i dënuar Rakipaj’, apo ‘i dënuari me numër kaq…”!

– “Ashtu do të bëj. A je revolucionarizuar ndopak këtu, ë”?!

– “Pa më ler rehat, mos u tall të paktën”, – dhe bëra të largohem.

– “Si the, si the”?!

E pashë njëherë, nga koka te këmbët dhe ika.

Kur u lirova, i tha shokut tonë të gjimnazit, Din Muços: “Pse nuk më flet Maksi, s’e kuptoj”?!

… Marinarët dhe oficerët e Flotës Tregtare, më shmangeshin ose, bënin sikur nuk më njihnin! E kuptoja që ishin në pozitë të vështirë, u shmangesha edhe unë. Një mbrëmje, në xhiron e zakonshme të Durrësit, shoh Skënder Dardhën, një mekanik që punonte ende në Flotë. Kemi punuar bashkë te anija “Rinia”. Kur provova të ndërroj trotuarin, Skënderi më arriti, më kapi nga krahu:

– “Maksi je ti?! Qeke liru, pash zotin! Hec tani ta pim nji got bashkë, si në kohët e vjetra. Hec me plakun tat nime, nuk të lej, vallahi”.

Pimë nja dy gota me Skënderin dhe kur u ndamë më tha:

– “E kuptova se dojshe me m’u shmang sot. Por në qoftë se t’ka met hatri, nga ndonjë legen që nuk të flet, unë nuk jam si ata. Ta dish. Edhe po pate ndonjë hall, të vish e të ma thush. Nuk ka frik Skineri prej spiunve të mutit, nji cop jevg jom un… ahahahah. Mu më hajn kokrrën e mutit, s’kan ç’më bojn, ahahahahah”!

Më takoi një mbrëmje, edhe Shaqir Leka, pata punuar edhe me të, te anija “Rinia”, m’u hodh në qafë:

– “Si të ka vllai ty?! Të kam pa, por nuk të kom dhon të njofme, ahaha, kom qen pa nji kryq leku xhep. Sot kom shit diçka… hajde të pimë. Të jap dhe 4 mijë lekët, që t’i kom borxh, nuk t’i kom çu në ship, mos me iu hap plagën pleqve të tu”.

Vdiq shpejt Shaqiri i shkretë, nga një infeksion në vesh.

Ka patur njerëz të mirë edhe atëherë. Ka dhe tani. Por nuk do të harroj kurrë, mirësinë dhe zemrën e madhe të shoferit Hiqmet Mullaj, që sajonte ndonjë rrugë për në Spaç dhe më pas për në Qaf Bar, për të sjellë familjen time, në takim me mua. Apo Zylyftar Carkanjin, që policët i morën biçikletën në oborrin e Degës, ia bënë copash e, ia hodhën në kanal, kur, gjatë hetuesisë, më solli teshat në birucat e Durrësit.

Ruaj respekt edhe për Raq Dimon dhe familjen e tij. Por nuk i harroj edhe spiunët e lagjes. As inicialet e tyre, nuk ka nevojë që t’i vendos këtu. I njohin të gjithë. Vërtet ishin kohë të vështira, por ata i shtuan edhe ligësinë e shpirtit të tyre, katran. Përbuzje dhe harrim për ta.

Raki në Spaç

Në Spaç jam njohur me Engjëll Fidanin, një korçar i dënuar me 25 vjet burg. Meqë kam nënën nga Korça, Engjëllit i thërras “dajo”. I ka duart flori Engjëlli, bën gjithçka me ato duar: punime druri, lëkure, hekuri dhe është mekaniku më i mirë i ofiçinës, në Spaç. Komanda nuk e do, sepse nuk është spiun dhe shpesh e heq nga ofiçina dhe e fut punëtor në minierë. Por pa kaluar muaji, detyrohen ta dërgojnë prapë në ofiçinë. Është i pazëvendësueshëm Engjëlli. Shoferët e zyrtarëve të Rrëshenit, vetëm atij ia besojnë riparimin e auto-veturave.

“Hë, mo nipçe, të ardhë takim, o? Mirë ishin? Ç’të suallë ndonjë gjë të mirë, pa dale… ohohoho, pyperka me gjizë, armé, turshiçka lloj, lloj. Ruaji dhe mos i trazo, do të sjellë daiu raki, po mos i thoj njeriu. Nesër pres të më sjellë vaturën shoferi i kryetarit të Komitetit Ekzekutiv. Po më solli gjysmë litro raki, mirë, brenda ditës ja bëj maqinën gati, në mos po, pas ndonjë muaji, ia mbaroj”.

Të nesërmen Engjëllit i qesh fytyra: “Vrap, nipçe, hidhu e na merr turshiçkat”! Ishte rakia më e mirë në botë. Engjëlli, që ishte dënuar edhe si i dyshuar për një atentat të mundshëm ndaj Enver Hoxhës, ngre dollinë e parë: “Ja gëzuar nipçe, dhe o zot, ngordhtë lugati, sa më parë”!

Hiqmeti takon Koço Tashkon, në spitalin e burgut

Hiqmet Myzyri, është kthyer nga spitali i Tiranës, ku u operua për herën e tretë, për hemorroidet. E ka marrë malli për të gjithë shokët. Është pak i dobësuar, por i qeshur dhe optimist, si gjithmonë. Pyet për të gjithë miqtë, i takon dhe u sjell të rejat e fundit nga Tirana.

– “E dini kë kisha shok dhome në spital?! Koço Tashkon! Kishte nja dy ditë me mua, m’u prezantua si Koço, por mbiemrin nuk ma tha. Veç kur e thirri polici për takim. “Koço Tashko, eja se të ka ardhur familja”! …Ou, thashë me vete, Koço Tashko…ky qenka?! U kthye nga takimi: ‘Si ishin o Koço’? -‘Mirë o mirë, si të jenë’,- më tha ky. E lashë sa u qetësua, se vuante edhe nga zemra, diabeti e, ku ta di unë. I tregova për veten time, si më dënuan kotsëkoti 10 vjet, për babanë, që s’e njoha kurrë, për nënën, që më rriti e vetme me njëqind mundime dhe më në fund i thashë: ‘Folë, Koço Tashko, thuaj çfarë di, si përfundoi ky vend kështu, si ndodhi që një imoral, u bë i pari i vendit’?!

‘E çfarë të them unë, more djalë. Ato që di unë i dinë të tërë, i dinë edhe ata që ka rreth e qark Enveri…! Po s’hap njeri gojë, se u ka futur tmerrin. Po unë kam faj të madh, fajin më të madh e kam vetë…! Unë kam qenë i ngarkuar nga Kominterni, për të organizuar lëvizjen komuniste në Shqipëri. Pasi gjermani i ra Bashkimit Sovjetik, erdhi urdhri nga Kominterni, me anë të jugosllavëve, që edhe ne të bënim partinë tonë. U lidhëm të gjitha grupet dhe e poqëm vendimin, të mblidheshim në Tiranë më nëntor ’41. Secili grup kish hall, kush do merrte kryesinë. Cili grup ka më shumë anëtarë, atij i takon edhe kryesia. Dakord? Dakord, të tërë.

O burra kush të gjente më shumë anëtarë. Enverë, e njihja që në Korçë, e dinja për qejflli. Sa për komunizmën, as e kish haberë gjëkunt, që thua ti. Edhe që ish në Francë, e dinë të tërë, që ish me paratë e të kunatit, Bahri Omarit. I kunati i gjeti edhe punë në liceun frëng të Korçës. Edhe korçarët e njojtën ç’zabërhanë ishte Enveri. Në grupin tonë të Korçës, ai s’ish as anëtar, as hiç. Kish ardhur në nja dy mbledhje tonat, si për të ndjekur modën de, a ndiqte ndonjë çupë, që ish anëtare jona…?! E gjej në Tiranë Enverin, koha s’priste, duhet të gjeja sa më shumë anëtarë, për të marrë kryesinë…! O kokë, o kokë! E takoj te “Flora” dhe i them; këtu këtu, Enver. Hajde si anëtar i grupit tonë.

Jo, ky, të mejtohem një herë, – tha, – di unë ç’është kjo mbledhje?! Epo mirë, mejtohu. E lashë dy ditë. I vajta gjene. Nuk po ta prish o Koço, tha. To vi. Ardhi. U lith me Milladinin menjëherë, llafosnin frëngjisht të dy. Sherr i math, që thua ti, në atë mbledhje. Jo ti, po unë. Kur i mejtoj sot, më duken budallallëke. Kryetar të Partisë lamë, të pashpallur, Milladinin. Ky mori për shkrojtës Enverin, se sërbisht s’dinte asnjë, vetëm frëngjisht, merrej vesh me Enverin. Përkthente nga frëngjishtja, letrat e Milladinit dhe i firmoste si të tijat. U poqa pas ca vjetëve gjatë Luftës me Enverin. Në Vithkuq, jo, në Mokër, në Mokër. Ishte me dy englezë. Veshur e mbathur edhe ky me rrobat e englezëve. Sus iu rrinte, me lepe peqe. Më mbahej rëndë-rëndë, si misrok.

Ardhi te mua: Ti, shoku Koço, pse nuk i je përgjigjur qarkores që nisa unë, këtu e një muaj?! Kështu e zbaton disiplinën e partisë ti? Hap sytë, Koço, mos më bëj të marr masa…’! Unë thashë, se bënte shaka, po kur pashë se erdh e t’u skuq e, t’u fry si misrok, iu ktheva: Me kë flet kështu ti, more gjidi edepsëz?! Ç’e di veften ti more…’?! ‘Unë jam sekretar i përgjithçmë i Partisë, ja kush jam’! ‘Ti je vetëm shkrojtës i Milladinit, more djalë, unë jam nënkryetar i parties, si të gjithë kryetarët e grupeve komuniste dhe gjersa të zgjedhim kryetarin, kemi vetëm Milladinin të parë.

Kështu ramë dakord të tërë. Këto proçka, ja u shit të tjerëve dhe atyre englezëve që rrinë me ty, jo mua, që të njoh dhëmbë e dhëmballë’. ‘Pa m’u qëro një herë se s’ta kam ngenë’! …Kështu puna e Enver Hoxhës. Po kemi faj të tërë, unë i pari, që e lamë të shinte sipas qejfit. Ne e kishim një ideal, mirë a keq, lëftonim për komunizmën, për të çliruar vendin. Ai një qëllim, kishte dhe për të arritur atë qëllim, lëpinte bythën e Milladinit dhe Titos, gjersa arriti në krye. Hajde çkule tani. A kokë, o kokë”.

Jetë Spaçi

Punoj rregullisht në minierë. Vetëm si minator. Kam shumë vështirësi, në vendosjen e armaturës, në përdorimin e sqeparit. Birave ua kam marrë dorën, por gjithsesi, jam minatori më i keq në Spaç. Me zor arrij normën ditore, se për të marrë ndonjë lek, as që flitet. “Edhe malin të shëmbim ne, gjysmë leku, nuk na japin”, më ngushëllon Agim Hamiti. Megjithatë jam mësuar. Gjithmonë në zonën IV-ët, rrallë në zonën I-rë. Ka filluar të hapet dhe një zonë e re, zona V-të. Zona më e tmerrshme, është zona II. Zydi Morava, punon nivelist në zonën II. “Ka ujë acid, – thotë ai, – që i gërryen shinat, aq sa i bën si teh brisku, sajohemi me copa tubash”!

Shinat këtu, duhen ndërruar të paktën çdo muaj, por askush nga ata që e kanë për detyrë, nuk interesohet. Punojnë skllevërit e shekullit XX-të edhe ashtu, shtyjnë vagonë pa shina, bëjnë bira pa ajër. Ku e gjejnë forcën, o zot?! Shkrihen të gjorët, duke punuar në kushte shtazarake, të keqtrajtuar, të keq ushqyer, me çizme të shqyera, duke u larë me ujin e ftohtë, që rrjedh në kanalet anësorë të galerive. Kur kthehen në kamp, ashtu të sfilitur, të mekur nga lodhja, lexojnë, mësojnë gjuhë të huaja, përkthejnë, takojnë njëri tjetrin. Nuk është e lehtë, të vish nga turni i natës dhe t’u japësh leksione shokëve, që mezi presin. Apo të kërkosh Astrit Ramën, për të mësuar frëngjishten!

Visari mëson italisht, e bën me shumë zell edhe pse gjuhët e huaja, këtu ende nuk lejohen. Mësohet duke vënë një roje, që e paguajmë, një paketë cigare, për çdo orë që na ruan. Vetëm Spartak Ngjelës i lejohen, si në Ballsh edhe këtu. Thotë që ka siguruar një leje nga prokurori…! “Zotëri, jam i burgosur politik dhe kam të drejtat e mia, në bazë të konventave ndërkombëtare, si i tillë. Dhe nuk punoj në minierë. Ku e ke vendimin, që thotë se jam dënuar me punë të detyruar?!

Ma tregon dot?! Jo, zotëri. Më dërgoni në Burrel, atë njoh unë si burg politik. Ky është kamp, për punë të detyruar”! I vendosur Spartaku. Ka bërë edhe muaj të tërë birucë, sepse refuzonte të shkonte në punë. Dhe komanda u dorëzua. U dorëzua edhe prokurori. I lejuan librat. Vetëm atij. Mbas disa muaj biruce edhe në punë, nuk shkonte më.

Por kur Gëzim Medolli refuzoi të shkonte në punë, e shtrinë në tokë, i vunë një derë druri përsipër, ku hipën 5 policë me çizme mbi të. Këtë ia bënë, pasi u lodhën duke e rrahur…! Hiqmet Myzyri, mbeti spitaleve, nga pasojat që i lanë birucat. Dhe ishin të burgosur politikë edhe këta, edhe 1200 të tjerë, vetëm në Spaç, pa llogaritur Ballshin, Qaf-Barin. U bë edhe deputet ky me parti të ndryshme pas ’92-it, u bë edhe ministër me partinë e Legalitetit(!) dhe nuk foli kurrë, as për Mbretin, as në mbrojtje të të drejtave tona.

U dogjën të gjallë ish-të dënuarit politikë, në grevën e urisë, kohët e fundit. Ai u mundua të ngrohej në atë zjarr…dhe jo vetëm ai. Më duket se i dëgjoj ende fjalët e tij në Spaç: “Në pushtet do të jemi vetëm Ne, zotëri…! Ju gënjen mendja, që do të keni pushtet ndonjëherë”! Pati shumë të drejtë…! Ai ishte dhe mbeti “Ne”…!

Por e kisha fjalën te zona e dytë, zona e piritit. E provova edhe zonën II. Në një nga frontet më të tmerrshëm: galeria 4-5. Sa herë që vinte ndonjë ekip specialistësh, nga ministria e Industri-Minierave, bllokonte disa galeri, me sa më kujtohet 2-2, 4-2 dhe 4-5, sepse niveli i rrezatimit të kobaltit, ishte shumë herë më i lartë, se sa norma e lejuar.

S’kalonte java dhe komanda i rihapte galeritë, e bllokuara prej specialistëve. Kam punuar tre muaj, tmerrësisht të gjatë, në galerinë 4-5. Temperatura në galeri, shkonte mbi 40 gradë C. Brenda 10 minutash, këmbët llokoçisnin nga djersa brenda çizmeve, lopata rrëshqiste, piriti ishte shumë i rëndë, ndjeje trupin, si shkrihej dalëngadalë, të merrej fryma.

Zhveshur nuk mund të punoje, sepse acidi që pikonte nga tavani, të përvëlonte kur binte drejt e në mish. Çdo 2-3 ditë, duhej një këmishë tjetër, se acidi i grinte shpejt e shpejt…! Vagoni, që mbushej me shumë mundim, duhej nxjerrë jashtë galerisë dhe shumë here, edhe tre vetë nuk mjaftonin, për ta shtyrë. Sapo dilje jashtë, në dimrin e acartë të Spaçit, këmisha bëhej si karton, nga ngrica. O zot, si jemi gjallë?!

Jo, nuk jemi të gjithë gjallë. Zydiu, ka disa vjet që ka vdekur; Ahmeti po ashtu; të tjerë janë të sëmurë, të lodhur, të zhgënjyer…! Vdiq dhe i miri, Tefik Dobrolishti, dhe sa e sa të tjerë…! Çfarë bëmë, që të meritonim këto vuajtje?! Donim pak liri më shumë…! /Memorie.al

                                                Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari Historik 13 Janar 2024

Next Post

“Babai, ish-fotografi i Oborrit Mbretëror, vdiq në burg, më 13 maj 1958, gjoja nga verdhëza e zezë, por atij i’u injektua një gjilpërë, nga drejtori i spitalit të Durrësit, Koçi M.,”/ Dëshmia e ish-të dënuarit politik

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Babai, ish-fotografi i Oborrit Mbretëror, vdiq në burg, më 13 maj 1958, gjoja nga verdhëza e zezë, por atij i’u injektua një gjilpërë, nga drejtori i spitalit të Durrësit, Koçi M.,”/ Dëshmia e ish-të dënuarit politik

“Babai, ish-fotografi i Oborrit Mbretëror, vdiq në burg, më 13 maj 1958, gjoja nga verdhëza e zezë, por atij i’u injektua një gjilpërë, nga drejtori i spitalit të Durrësit, Koçi M.,”/ Dëshmia e ish-të dënuarit politik

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!