Nga Alma Mile
Memorie.al / “Gjethja e mollës”, “Artisti”, por mbi të gjitha “Bufeja e madhe”. Këto ishin disa prej pseudonimeve të agjentëve dhe të infiltruarve, që futën në grackë dhe që çuan drejt dënimit piktorin Edison Gjergo, autorin e tablosë së famshme; “Epika e yjeve të mëngjesit”. Se cilët janë emrat që fshihen pas këtyre pseudonimeve, sigurisht e dinë jo vetëm ata vetë, por edhe bashkëpunëtorët e dikurshëm. Nuk dihet nëse janë ende gjallë, nëse ndiejnë brerje ndërgjegjeje apo mendojnë se kanë kryer thjesht “detyrën”.
Muret e “Shtëpisë me gjethe”, kanë dëgjuar për së pari të qara fëmijësh, kur në kohën e Mbretit Zog, ajo godinë u ndërtua si maternitet, e më vonë, në kohën e diktaturës, do dëgjonte biseda, përçartje gjithfarë-sojesh…! Atje ku dikur lindte jeta, lindte përndjekja, pse jo edhe vdekja.
Muzeu Kombëtar i Përgjimeve, i hapur para disa vitesh, i ngjan një labirinti. Realizuesit kanë ruajtur strukturën e mëparshme, kanë ruajtur aparaturat dhe e kanë mbushur me zëra të së kaluarës. Qindra histori e sekrete fshihen aty.
Një ndër to edhe historia e piktorit Edison Gjergo. Një dhomë e muzeut i është kushtuar pikërisht rastit të piktorit, që u dënua sepse nuk e pëlqente realizmin socialist, sepse zjarri që ngrohte partizanët në tablonë e tij, ishte “irreal”.
“Ishte realizuar me mjete formaliste, të artit ekspresionist kubist, të një eklektizmi e të një çorbe borgjeze revizioniste, që cenon rëndë përmbajtjen”, dilte në përfundim Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, në ekspertizën e saj për veprat e Gjergos.
Në “Shtëpinë me gjethe”, është zbardhur dosja e piktorit, që në momentin kur filloi të ndiqej nga agjentë, si; “Bufeja e madhe” e, si spiunohej nga kolegët e tij artistë, me pseudonimet “Artisti” apo, “Gjethja e mollës”.
Bashkë me raportimet e detyrat, që u jepeshin të infiltruarve, jepen edhe karakteristikat e agjentëve dhe si ishin rekrutuar ata. Në këtë rast, të “Bufesë së madhe”, që nuk dihet pse ka pasur këtë pseudonim, sepse i pëlqenin bar-bufetë e kohës, apo bufetë që mbaheshin në dhomat e ndenjjes shabllone, të viteve të diktaturës.
Mësohet se “Bufeja e madhe”, kishte pranuar të bëhej pjesë e organeve të Sigurimit të Shtetit, në këmbim të lirisë, pasi vuante dënimin për “veprimtari armiqësore”.
Falë vullnetit të “Bufeve të mëdha”, “Gjetheve të mollës” e, “artistëve”, Edison Gjergo, u arrestua dhe u dënua për; “agjitacion e propagandë”. Doli nga burgu në vitin 1982 dhe vdiq në moshën 50-vjeçare, tërësisht i shkatërruar, në vitin 1987.
Raport-informacionet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, me spiunimet ndaj piktorit Edison Gjergo
Marrë P. Op…
Dhënë agjentit; “Bufe e madhe”
Tiranë, më 12/6/1973
R a p o r t
E hënë, 29 maj rreth orës 20 e 30, ai u takua me Edison Gjergon në kafe “Peza”. Edisoni i dehur, i kërkon atij që ta qerasë me një konjak. Ai e pyet Edisonin, se përse je kaq i mërzitur?
Edisoni: “Jam i mërzitur, se ashtu është edhe vetë natyra e njeriut, që nuk gjen rehat në këtë botë”. Edisoni fillon dhe predikon citate të filozofisë dhe filozofëve të ekzistencializmit, si; J. P. Sartri, Albert Kamy, etj., midis të cilave ai gjen si të vërtetë të thënët se; “Të jetuarit e njeriut, nuk vlen për asgjë”.
“Këtë të vërtetë, njeriu e konsumon kur vdes”. Ai vazhdon: “Vullneti i njeriut, është gjithnjë i kondicionuar, në rrethanat në të cilat ndodhet”.
Burimi i thotë se; nga kjo anë, materializmi është më bindës në të thënat e veta.
Edisoni: “Lëre m… mos e përfill në gojë, marksizmin, as që e pranon njeri sot”.
Burimi: “Pa më thuaj, ç’të shtyn të jesh kaq pesimist? Thuamë të vërtetën, mos ndoshta deluzioni që pësove në art”?
Edisoni: “As më rr. b… për këtë. S’do bëj këtë, do bëj një gjini tjetër. E vërteta është se unë dashuroj një vajzë që punon në bibliotekë në Pallatin e Pionierëve. Ajo më shfaqi simpati për punën time. Unë nuk di si t’ia bëj”!
Ai i thotë se; simpatia për punë, nuk e kondicionin në mënyrë absolute dashurinë. Një ditë tjetër ai u takua me Edisonin, i cili i tha: “Më thoni që, në vend që të rri dy muaj, do të bëj pesë muaj, sigurisht do të bëj disa punë, ashtu më këshilloi edhe një shoku im, që ka përgjegjësi në Ministrinë e Arsimit. Shkurt muhabetit, kjo është sa për të larë gjynahet edhe fajet që s’kemi bërë”.
Si mbas interpretimit të burimit, shprehja e Edisonit, len të kuptojë, se puna e tij në terren ose bazë, ka më tepër një karakter ndëshkimor.
“Bufeja e madhe”
Ekzemplar i vetëm
Berat, më 20.VIII.1974
Shënim-operativ
Në takimin e bërë që u bë në datën 19.VIII.1974, me ish-B.p. “Fleta e mollës”, midis të tjerave më tha se: “Nga fundi i muajit maj 1974, që data ekzakte nuk i kujtohej, kishte ardhur në Kombinatin e Tekstileve ‘Mao Ce Dun’, piktori Edison Gjergo, për të marrë materiale të nevojshme, për kryerjen e tablosë në pikture, me rastin e çeljes së ekspozitës së arteve figurative, së shpejti.
Nga ana e Kombinatit, Edisonit iu dha ndihma e duhur dhe iu plotësuan të gjitha kërkesat për materiale. Edisonit iu dhanë fotografi, nga puna e tekstilistëve.
Në një bisedë që Edisoni kishte bërë me B.p., “Fleta e Mollës”, midis të tjerave, Edisoni i kishte thënë atij: “Porsa i përket tabllove që kam krijuar, si ‘Shuarja e pusit 542’ dhe ‘Epika e yjeve të mëngjesit’, për këto janë sulmuar me të padrejtë, nga disa shokë dhe drejtues të vetë Lidhjes së Artistëve të Shqipërisë”.
Edisoni vazhdoi se; “Një pjesë kanë reaguar negativisht, nga mosnjohja sa duhet e ekzekutimit të një pikture dekorative”.
Edisoni u largua nga Berati, duke thënë se; mbasi t’i mbaroj pikturat e tekstilit, do të vijë përsëri për t’i parë me shokët e Kombinatit, por deri tani, tha B.p., nuk ka ardhur. Detyra: B.p. ju dha si detyrë, që në rast se do të vijë Edisoni në Berat, përsëri, të takohet e bisedojë me të, rreth pikturave që ka bërë nga tekstili dhe si mendon Edisoni, për goditjen që ka pasur për krijimtarinë dekadente në pikturë…!
Punëtori operativ
(…….)
Ekzemplar i vetëm
Tiranë, 17.7.1973
Detyra për B.p. “Artisti”, për t’i konsumuar në biseda me objektin e përpunimit paraprak
Duke qenë se B.p. “Artisti”, ka dhënë një të dhënë të rëndësishme për objektin Edison Gjergo dhe se ka shoqëri dhe mundësi për t’u futur në përpunimin e këtij objekti, mendojmë se ky B.p., që mbahet në lidhje nga…….të kryejë këto detyra në biseda me objektin.
1) Me qenë se i lidh edhe ana profesionale, si B.p., ashtu edhe objektin, B.p. të mundohet për ta takuar në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ose duke i vajtur në studion e objektit, me pretekste të ndryshme, për t’i parë krijimet e këtij të fundit dhe të diskutojnë me të mbi krijimtarinë e objektit, anët pozitive e negative që ka objekti në krijimtari, mbi nacionalitetin që duhet të kemi në krijimet, duke pasur baza tabanin kombëtar, mbi piktorët e realizmit socialist në vendin tonë dhe piktorët modernistë të vendeve perëndimore e, revizioniste. Kjo me qëllim, për të sqaruar se ç’mendime ka objekti.
2) Të bisedojnë mbi masat e marra kohëve të fundit, mbi luftën kundër ndikimeve të huaja në art e kulturë dhe se si këto masa, të reflektuara në fushën e krijimtarisë, për të nxjerrë shkas diskutimi, të përmendë se ç’nivel të lartë paraqiteshin krijimet në ekspozitën e 30-vjetorit të krijimit të Ushtrisë. Me këtë rast, të diskutojë me të për mbajtjen e plenumit dhe goditjen e elementit antiparti, duke i lënë shkas, që të japë mendim objekti, për këto elemente.
3) Të bisedojë për të mësuar mendimet e objektit për perspektivën e artit e pikturës sonë. Për rolin e Partisë dhe të udhëheqësit tonë, në drejtim të përcaktimit të rrugës që duhet të ndjekë arti e kultura. Këtu t’i thotë që; pa tjetër arti duhet të përfaqësojë politikën e një vendi dhe jo të jetë i ndarë nga politika, duke i thënë se, ç’mendon objekti për këtë…!
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA E RRETHIT TIRANË
Nr.186
Vendim “Në emër të popullit”
Gjykata e Rrethit Tiranës e përbërë prej kryetarit të seancës…. Nd. Gjyqtarit… Asistuar prej sekretares… sot më dt.28 dhe 29.04.1975, në seancën gjyqësore me dyer të hapura, mori në shqyrtim çështjen penale që i përket të pandehurit:
Edison Gjergo, i biri i Vangjelit dhe Kornelis, lindur në 1939 në Tiranë dhe banues në Tiranë, Lagje nr. 10, rruga “Bajram Curri”, pallati 490/2, shkalla 1, ap.5, origjina shoqërore, nëpunës i lartë, gjendja, piktor pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, me arsim të lartë (Instituti i Arteve), tani pa punë, i pamartuar, pa fëmijë, kryer shërbimin ushtarak, i padënuar, paparti, i arrestuar më datën 15.01.1975.
I akuzuar: Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, krim ky i parashikuar dhe i dënuar nga neni 73/1 i K.P., Gjykata pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, mbasi bisedoi çështjen në tërësi dhe mbasi ndigjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurit, i cili kërkoi mëshirë:
Vëren:
Gjatë gjykimit, u vërtetua se i pandehuri Edison Gjergo, ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës, kundër pushtetit popullor.
Ky i pandehur, duke vepruar në kundërshtim me politikën e partisë, ka bërë piktura të ndryshme, me përmbajtje reaksionare.
I pandehuri pranoi para gjykatës, se nuk i ka pëlqyer arti i realizmit socialist dhe prandaj ka propaganduar, duke lavdëruar piktorët reaksionarë, modernistë, Shagalin, Pikason, etj., i pandehuri, armiqësinë e tij kundrejt realizmit socialist, e ka treguar jo vetëm duke folur me persona të ndryshëm, por edhe në punimet që ka bërë…!
Kush ishte agjenti “Bufeja e madhe”?
Ekzemplar i vetëm Tiranë, më 5.9.1976
Karakteristikë për agjentin “Bufe e madhe”
Agjenti “Bufeja e Madhe”, është tërhequr në shërbim të organeve të Sigurimit të Shtetit, në vitin 1949, kohë në të cilën ky ishte në burg, për veprimtari armiqësore. Tërheqja e tij, është bërë mbi bazën e lirimit para kohe, nga burgu.
Qysh prej asaj kohe e deri tani, është mbajtur në lidhje të rregullta dhe të dhënat e tij, kanë qenë të vlefshme. Me këto të dhëna, janë bërë goditje të elementit armik, janë çelur përpunime dhe aktualisht, ka në ndjekje shumë probleme me karakter të mprehtë armiqësor.
Qysh nga muaji shtator i vitit 1975 e, deri tani, kohë kjo që është marrë në lidhje nga ana ime, ka dhënë 12 të dhëna me vlera operative. Në takime është shumë i rregullt, zbaton grafikun, futet me kujdes në bazën e caktuar dhe mundohet që të zbatojë detyrat që i ngarkohen, por gjatë kësaj periudhe, janë vërejtur dhe të metat e mëposhtme, që duhet të kihen parasysh në të ardhmen:
- Shpesh ka maninë që të takohet, qysh para se të futet në bazë, kjo kur i është konsultuar, është këshilluar dhe mësuar se si të veprojë. Në fillim justifikohej se; nuk na njeh njeri, por më vonë reagon drejt.
- Ka pasur raste që problemet nuk i sqaron deri në fund, për këtë justifikohet se; kam frikë se mos digjem dhe nuk di si të veproj. Është kritikuar disa herë dhe në gjitha takimet, është mbajtur afër, është mësuar si të veprojë.
- Është i dhënë pas interesit personal, në rast se ky interes i preket sa do pak, nxehet dhe krijon përshtypjen, se këto ia bën organi i Sigurimit të Shtetit. Për këto është sqaruar, dhe deri diku është bindur.
- Është karakterizuar si tip nevrik, jep mendime nganjëherë të nxituara për njeriun…!
Shënim;
Agjenti “Bufeja e madhe” dha të dhëna të rëndësishme për objektin 2/A, i cili kishte tendenca terrori e diversion. Për vërtetimin e të dhënave të këtij agjenti, u organizuan kombinacioni me T.O., ku u përgjua ky B.., me objektin e lartpërmendur, ku u vërtetua se B.p., ishte në pozita të mira dhe objekti në pozita armiqësore.
Mbi këtë bazë, objekti u arrestua, por nuk u zbërthye në hetuesi dhe në këtë mënyrë, pasi u analizua në ministri me autorizim të zv/ministrit sh…. dhe me urdhër të Drejtorit të P. Brendshme, ky agjent, u përdor si dëshmitar, në procesin e këtij të pandehuri. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura. Memorie.al
Shefi i seksionit
Tiranë, 28.8.1977 (………..)