Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së madhe Ndreu nga fshati Sllovë e Dibrës, ku i pari i tyre, Cen Elezi, spikati si një prijës popullor i vullnetarëve dibranë në luftërat për mbrojtjen e kufijve veri-lindor të Shqipërisë nga sulmet e formacioneve serbo-malazeze dhe në vitin 1924, si mik i ngushtë i Bajram Currit, u rreshtua përkrah forcave fanoliste në ‘Kryengritjen e Qershorit’ dhe mbeti i vrarë në fundin e dhjetorit të atij viti kur Zogu u rikthye në Shqipëri. Dëshmia e rrallë e nipit të tij, Hiqmet Ndreu, i biri i Cen Elezit, një prej figurave më të njohura të gjithë Veriut të Shqipërisë, i cili zuri vendin e të atit në krye të fisit Ndreu dhe gjatë periudhës së pushtimit të vendit në vitet 1939-1944, shtëpia e tyre në fshatin Sllovë të Dibrës u bë një nga bazat kryesore të Luftës Antifashiste ku strehoheshin si forcat nacionaliste, ashtu dhe ato partizane, pasi dy prej djemve të kësaj familje, gjeneral-major Dali Ndreu dhe nënkolonel Esat Ndreu, ishin me funksione drejtuese si komandantë divizioni e brigade në Ushtrinë Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, gjë e cila bëri që ajo shtëpi e madhe të bombardohej nga aviacioni italian në vitin 1943. Kontraditat e familjes së madhe Ndreu me regjimin komunist të Enver Hoxhës në vitet e para të pasluftës, ku Cen Elezi, edhe pse ishte nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë (zëvendës i Enverit), nuk u pajtua me politikën e tij pro jugosllave dhe u largua që andej e doli në mal me djemtë dhe nipat e tij, gjë e cila bëri që ajo familje të persekutohej nga regjimi komunist në fuqi, ku si rezultat 6 burra nga kjo familje u pushkatuan, 20 të tjerë u burgosën dhe kryen dhjetra vite burg, 12 vetë u arratisën nga Shqipëria dhe 55 familja u internuan dhe vuajtën në kampet e internimit të Vlorës e Myzeqesë deri në vitin 1991
Historia e panjohur e familjes Ndreu nga Sllova e Dibrës
Origjina e hershme e familjes Ndreu nga Sllova e Dibrës, mendohet të jetë nga fshati Soricë e Dardhës së Dibrës. Lidhur me prejardhjen e këtij fisi që ka bërë emër të madh në historinë e Shqipërisë, ka disa versione të ndryshme, që shpesh herë janë kontradiktore me njëri tjetrin. Por ato që i qëndrojnë më afër së vërtetës, janë dy prej tyre: Ai që Ndretë e Dibrës mendohet të kenë ardhur prej Shoshajt të Dukagjinit dhe tjetri që ata janë shpërngulur prej krahinës së Nikaj Mërturit të rrethit të Tropojës. Këto dy versione mbështeten edhe nga disa prej burrave më të moshuar të fisit Ndreu, ku dy prej tyre: Islam dhe Remzi Ndreu, i kanë mbledhur kujtimet e tyre të cilat janë botuar në Tiranë në librat “Në Lisvadhe s’ka qetësi” dhe “Fisi i Ndreve”. Po kështu lidhur me historinë e fisit Ndreu, ka bërë një studim të gjatë edhe historian i njohur dibran Moisi Murra, i cili lidhur me prejardhjen e saktë të tyre, i qëndron të dy versioneve, pra: atij që ata kanë ardhur nga Shoshaj i Dukagjinit, si dhe tjetrit prej Nikaj Mërturit të Tropojës, ku sipas tij, është sot ruhen toponime që lidhen me emrin e këtij fisi. Studiuesi dhe historian i njohur Dibra, Moisi Murra, në librin e tij, “Cen Elezi”, në mes të tjerash ka shkruar: “Shpërngulja e fisit Ndreu nga Nikaj Mërturi ka ardhur pasi pjesëtarët e atij fisi u vranë në një përpjekje të pabarabartë me forcat ushtarake të Perandorisë Osmane dhe ata vë mundën të shpëtonin të gjallë, u larguan që andej dhe u vendosën më në thellësi të vendit. Ky pohim sillet edhe nga të dhënat e regjistrit të Sanxhakut të vitit 1571, ku fshati Dardhë i Dibrës, figuron me 60 banorë, prej të cilave 53 shtëpi të krishtera dhe 23 myslimane. (Selami Pulaha, “Gjurmime Albanologjike”, seria e shkencave historike, Prishtinë 1972, fq. 285, punimi: “Krahinat verilindore të Sanxhakut të Dukagjinit).
Nga të islamizuarit, haset edhe një Ali Andrea, i martuar që gëzonte edhe një çiflig. Duke pranuar rënien e germës “a” tek emri Andrea, gjë e cila ndodh shpesh tek emrat e të krishterëve të krahinave verilindore të Shqipërisë, mbiemri Andrea, transformohet natyrisht në Ndrea ose Ndreu. Nëse supozohet se pasardhësit e Ali Ndreut, të vitit 1571, trashëguan emrin e të parit të tyre, deri tek Ali Ndreu i vitit 1817 (vëllai i gjyshit të Elez Isufit), mendojmë se Ndreu është banor i fshatit Dardhë, që në gjysmën e parë të shekullit të XVI-të, gjë e cila përkon edhe me islamizimin e krahinave veri-lindore të Sanxhakut të Dukagjinit. Ç’është e vërteta, Ndretë patën një zhvillim të mirë demografik, edhe pse ranë në gjakësi dhe bënë lëvizje të detyruara, por gjithnjë Brenda mikro krahinës së Dardhës. Si të gjithë malësorët e këtyre anëve, edhe ata pranuan të udhëhiqeshin nga ligji i maleve të vetë qeverisjes tradicionale autonome. Ndretë, besonin dhe ishin të krishterë të mirë, por nën trysninë e turqve osmanë, ata u islamizuan aty nga vitet 1530-1550-të. Ekonomia e fisit Ndreu, mbështetej kryesisht në mbarë-shtrimin e blegtorisë dhe atyre pak ngastra toke të copëtuara, pothuaj pa asnjë farë rendimenti. Për kushte më të mira jetese, një pjesë e tyre rreth viteve 1830-1840-të, lanë Dardhën, kaluan Drinin dhe u vendosën në krahinën e butë të Ujë e Mujës (sot mikrokrahina e Sllovës). Ata u vendosën në Lisivadhe, Palaman, Shafeli e Ratke. Në Lisivadhe u vendosën: Isuf, Llan dhe Kazi Ndreu”.
Sipas dëshmisë së Hiqmet Ndreut, aty nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit të XVIII-të, apo më saktë pas vitit 1850-të, Ndretë e Sllovës së Dibrës, u bënë një nga shtëpitë më të njohura të asaj krahine. Në atë kohë i pari i fisit Nreu, ishte Xhelil Isuf Ndreu dhe pas vdekjes së tij, “t’parllikun” e fisit të tij, e trashëgoi vëllai i tij, Elez Isuf Ndreu. Në vendin e quajtur Lisivadhe ku të parët e fisit Ndreu ishin vendosur pas shpërnguljes nga krahina e Nikaj Mërturit, në fillim u ndërtua një kasolle prej Isuf Ndreut (babi i Elez Isufit), gjë e cila shënon dhe vendosjen përfundimtare të Ndreve në atë krahinë, prej nga nuk do të lëviznin më. Më pas, aty nga viti 1884, kur ajo familje u fuqizua shumë nga ana ekonomike, djemtë e Isuf Ndreut ndërtuan një kullë të madhe, trekatëshe) e cila u quajt “Kulla e gjatë”. Ajo kullë e cila kishte trajtën e një fortese me mure të gjerë deri në një metër, e me frëngji në çdo kat, u ndërtua me gurë të gdhendur që nuk dihet se nga ç’vend ishin marrë dhe si ishin transportuar deri aty. Ndërtimi i asaj kulle rreth vitit 1840-të, mendohet që të jetë ngritur, për arsye se fisi Ndreu në atë kohë, kishte rënë në gjak me disa fise të tjera të krahinës së Lumës. Në atë kohë burrat që ishin në krye të fisit Ndreu, u aktivizuan në lëvizjet që u bënë asokohe në dobi të çështjes kombëtare shqiptare, por gjithsesi lidhur me këtë gjë nuk ka ndonjë dokument apo të dhënë konkrete që ta vërtetojë këtë hipotezë. Në atë kohë, disa nga fiset e Sllovës u acaruan së tepërmi me fisin Daci të Kalisit të Kukësit dhe për t’u mbrojtur prej tyre, ata kërkuan ndihmën e fisit Ndreu.
Për të përligjur këtë gjë dhe për ta bërë fakt të kryer, aty nga viti 1881, Dush Zhguri, i shiti Elez Isufit disa toka në Sllovë. Mirpo, blerjen e kësaj toke, Elez Isufi e kishte bërë pa dijeninë dhe pëlqimin e vëllait të tij, Xhelilit, që në atë kohë ishte arratisur dhe qëndronte në mal në arrati, për t’i shpëtuar kryerjes së shërbimit ushtarak në radhët e ushtrisë turke. Pas vdekjes së Xhelilit, Elez Isufi hodhi sytë drejt Sllovës dhe aty ndërtoi një kullë tjetër trekatëshe, por pikërisht në atë kohë, nisën kontradiktat ndërmjet fisit Daci dhe Ndreu, të cilat zgjatën për vite me radhë. Por edhe pas kësaj, dy kullat, në Lisivadhe dhe Sllovë, u banuan për vite nga familjet e mëdha patriarkale të pasardhësve të Isuf Ndreut. Dy vjet pas ndërtimit të kullës në Sllovë, vdiq Xhelil Ndreu dhe vendin e tij në krye të fisit, e trashëguan dy djemtë e tij: Sufa dhe Dika. Nga të dy djemtë, emër më të madh në atë kohë bëri Sufa, i cili njihej në të gjithë krahinën si një burrë trim dhe i besës. Suf Xhelili, në shenjë respekti, xhajës së tij i thërriste “Lala Lez (baba Elez). Pas vdekjes së Xhelilit, zot i dy kullave u bë Elez Isuf Ndreu i cili e mëkëmbi më shumë ekonominë e fisit Ndreu e cila merrej me blegtori dhe vreshtari. Familja e madhe Ndreu vazhdoi të jetonte në mënyrë patriarkale e pa ndarë në të dy kullat në Sllovë dhe Lisivadhë, deri në vitin 1918-të. Në atë vit, Elezi qëndroi në Sllovë përfundimisht, Hazizi në Palaman, ndërsa Sufa me Dikën në Lisivadhë.
Edhe pas kësaj ndarje, pasardhësit e Isuf Ndreut vazhduan të bashkëjetonin si më parë dhe të kishin një harmoni e unitet mes tyre. Një faktor kryesor që gëzonte familja e madhe Ndreu mes njëri tjetrit, ishte dhe autoriteti që kishte i pari tyre ,Elez Isufi, të cilit nuk ja kundërshtonte fjalën asnjëri. Nga viti 1912 deri në vitin 1924, Elez Isufi, bashkë Suf Xhelilin (djalin e xhaxhait) morën pjesë në të gjitha ngjarjet e mëdha politike të Shqipërisë. Bëmat dhe trimëritë e Elezi Isufit dhe Suf Xhelilit, janë përjetësuar edhe në folklorin popullor të asaj treve. Në ato vite kulla i tyre u bë një nga qendrat kryesore të lëvizjes atdhetare të Shqipërisë verilindore dhe aty mblidheshin burra të njohur dhe me emër nga të gjitha krahinat e vendit, si Isa Buletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Islam Spahiu i Lumës, Rexhep Bajraktari i Hasit, Zija Dibra, Ramiz Daci etj. Pas vrasjes së Elez Isufit në vitin 1924 në luftë kundër forcave që mbështetën rikthimin e Zogut në Shqipëri, vendin e tij e zuri i biri, Hysen Elez Ndreu, apo siç është njohur, Cen Elezi, i cili kishte lindur në vitin 1884. Që në moshë fare të re, Cen Elezi mori pjesë në të gjitha luftërat përkrah të atit, Elez Isufi dhe pas kryengritjeve të viteve 1911-1912 që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, Cen Elezi konsiderohej si “Ambasadori i Elez Isufit”. Ata të dy, babë e bir, morën pjesë në shumë luftëra e beteja si kundër forcave turke ashtu edhe atyre serbo-malazeze, një ndër to ishte kryengritja e shtatorit të vitit 1913, goditja e Divizionit të Nishit, në 5 dhjetor të vitit 1915. Si rezultat i kësaj veprimtarie, forcat serbe i dogjën tre herë kullat e familjes Ndreu. Për dy burrat e fisit, Elezi dhe Suf që ishin organizatorët kryesor të kryengritjeve të vitit 1920, në atë kohë shkruanin dhe gazeta të ndryshme të shqiptarëve që jetonin jashtë vendit. Një ndër ta ishte dhe gazeta “Liria Kombëtare” e cila mes të tjerash shkruante: “Elez Isuf Ndreu, burrë dibran me karakter të shqiptarëve të hershëm e me atdhedashuri të fortë që nuk ia përul as forcës brutale dhe as arit të huaj”. Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut edhe pse pjesa më e madhe e fisit të kryesuar prej Cen Elezit ishin antizogist, shumë prej tyre morën bursa për t’u shkolluar jashtë Shqipërisë. Në ato vite kullën e famshme të Cen Elezit në Sllovë të Dibrës, e vizitoi edhe publicistja angleze Margaret Hasluck, e cila e impresionuar pa masë nga pritja që i’u bë, në librin e saj “Ligjet e pashkruara në Shqipëri”, midis të tjerash ka shkruar: “Kam vizituar shumë familje në Shqipëri, por ajo që pashë tek Cen Elezi më impresionoi pa masë. U çudita kur pashë aty një blegtori të seleksionuar dhe toka të sistemuara sipas sistemit europian. Ajo që më çuditi më tepër, ishte edukata e djemve të Cen Elezit të cilët ishin të gjithë të shkolluar. Cen Elezi priste 100 burra në natë në shtëpinë e tij. Edhe gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë 1939-1944, familja e Cen Elezit dhe i gjithë fisi Ndreu, u lidhën ngushtë me lëvizjen antifashiste, duke e kthyer kullën e tyre në një qendër të asaj lufte. Përveç Cen Elezit, dy nga pinjollët e atij fisi që bënë emër gjatë Luftës Antifashiste ishin Dali dhe Esat Ndreu, të cilët u bënë komandantë të formacioneve të mëdha partizane. Esat Ndreu, që ishte vëllai i Cen Elezit, mori gradën e nënkolonelit dhe udhëhoqi Brigadën e 18-të Sulmuese (partizane) si komandant i saj. Dali Ndreu me gradën gjeneral – major, ishte zv / Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe si komandant, udhëhoqi Divizionin dhe Korparmatën e Parë të Ushtrisë partizane deri në mbarim,in e Luftës. Pas mbarimit të Luftës, deri në vitin 1946 familja e Cen Elezit, nuk u prek nga komunistët që erdhën në pushtet dhe arsyeja kryesore ishte pjesëmarrja e Dali dhe Esat Ndreut në udhëheqjen e Luftës partizane. Në marsin e vitit 1946, regjimi komunist i Enver Hoxhës e shpalli Cen Elezin armik të popullit dhe në atë kohë Ceni me djemtë dhe vëllezërit e tij doli në mal në arrati. Pas kësaj regjimi komunist filloi represionin e egër dhe goditjen ndaj asaj familje, gjë e cila do të vazhdonte deri në vitin 1990. Si rezultat i atij genocidi të egër që u përdor ndaj kësaj familje, u pushkatuan gjashtë burra, shumë të tjerë për t’i shpëtuar përndjekjeve u arratisën nga Shqipëria dhe një pjesë e tyre vuajtën me dënime në burgje dhe internime, deri në rënien e regjimit komunist.
Cen Elezi përkrahës i Zogut
Hysen Elez Ndreu, apo siç është njohur ndryshe me emrin Cen Elezi, u lind në vitin 1884, në fshatin Sllovë të Dibrës dhe ai ishte djali i madh i Elez Isufit. Që në moshë të re, Cen Elezi mori pjesë përkrah të atit të tij, Elez Isufit, në të gjitha luftërat dhe betejat kundër forcave turke dhe serbo – malazeze, të cilat çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912-të. Ndonëse Elez Isuf Ndreu ishte kundërshtar i Ahmet Zogut dhe u vra duke luftuar kundër forcave të tij në vitin 1924, me rikthimin e tij në pushtet në janarin e vitit 1925, Ahmet Zogu i bëri thirrje Cen Elezit dhe burrave të tjerë të atij fisi që të merrnin pjesë dhe të jepnin kontributin e tyre në krijimin e shtetit të ri shqiptar. Pas janarit të vitit 1925, Cen Elezi qëndroi disi i mënjanuar nga jeta politike duke u mbyllur në kullat e tij në Sllovë të Dibrës. Në vitin 1926 gjatë përpjekjeve që qeveria e Beogradit ndërmori për rrëzimin e Ahmet Zogut me anën e Kryengritjes së Dukagjinit, ajo u përpoq të bënte për vete disa nga krerët kryesore të familjeve të mëdha të Shqipërisë, ku një prej tyre ishte dhe Cen Elezi, pasi babai i tij ishte vrarë kundër Ahmet Zogut.
Ndonëse Elez Isuf Ndreu që ishte vrarë në vitin 1924, në përpjekje me forcat zogiste dhe ishte tepër i njohur si një nga kundërshtarët të Ahmet Zogut, si krahu i armatosur i forcave fanoliste që erdhën në pushtet në qershorin e vitit 1924, i biri i tij, Cen Elezi, nuk ra viktimë e intrigave të qeverisë së Beogradit në përpjekjet për të rrëzuar qeverinë e kryesuar nga kryeministri Ahmet Zogu. Si rezultat i kësaj, Cen Elezi, jo vetëm që i refuzoi në mënyrë kategorike premtimet dhe paratë që i ofroi Beogradi e kryeministri Pashiq, për të marrë pjesë në komplotin kundër Zogut, por ai i’u përgjigj pozitivisht thirrjes së Ahmet Zogut dhe në mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 1926, në krye të 300 forcave vullnetare dibrane, u nis për të shtypur kryengritjen e Dukagjinit që udhëhiqej prej Dom Loro Cakës dhe toger Ndok Gjeloshit. Por edhe pse u nis për shtypjen e asaj kryengritje, Cen Elezi nuk përdori dhunën, por autoritetin dhe njohjet që kishte në atë krahinë të Veriut të Shqipërisë. Lidhur me këtë, Hiqmet Ndreu, tregonte: “Gjyshi ynë, Cen Elezi, edhe pse ishte në armiqësi me Ahmet Zogun, i’u përgjigj pozitivisht thirrjes së tij për shtypjen e kryengritjes së Dukagjinit, duke vënë në plan të parë interesat e Shqipërisë dhe jo ato familjare. Në atë kohë që ai komandoi 300 forcat dibrane që shkuan në Dukagjin, veshi dhe për herë të parë e të fundit, uniformën ushtarake të majorit në rezervë, që i’a kishte akorduar Ahmet Zogu, për meritat që kishte treguar në luftërat kundër forcave serbo-malazeze në krah të të atit, Elez Isufi dhe Suf Xhelilit. Edhe pse Cen Elezi nuk u bë kontingjent i qeverisë së Pashiqit për të luftuar kundër Ahmet Zogut, ai përsëri kur u kthye në kullat e tij në Sllovë, mbeti një opozitar i Zogut”.
Cen Elezi në paqe me Zogun
Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, Cen Elezi u tërhoq plotësisht nga jeta politike dhe qëndroi në kullën e tij duke u marrë me punët e familjes. Lidhur me këtë, Hiqmeti tregonte: “Gjatë atyre viteve Cen Elezi me gjithë djemtë u morr vetëm me administrimin e ekonomisë familjare në pronat e tij me toka bujqësore, vreshta, kullota etj. Për këtë ka dëshmuar dhe misionarja angleze, Margaret Hasluck, e cila në librin e saj “The un rihten law in Albania”, midis të tjerash ka shkruar: ‘Në shtëpinë e Cen Elezit, krahas mikpritjes të bie në sy përparimi, si në vise të tjera të Europës. Tek Cen Elezi kam parë bujqësi dhe blegtori të seleksionuar dhe një grumbull djemsh e vajzash, ku përveç arsimit, kanë dhe një edukatë familjare’. Në ato vite, duke e ditur armiqësinë e kontradiktat e familjes së Cen Elezit me Mbretin Zog, shumë u përpoqën që t’a implikonin atë me intriga kundër Mbretit, por Cen Elezi bëri një paqe të heshtur me Zogun dhe nuk u përzje në planet, komplotet dhe kryengritjet që bëheshin për rrëzimin e tij. Një nga ato komplote ka qenë edhe ai i 19 shkurtit të vitit 1939, i financuar nga shërbimet e fshehta italiane, të cilat me anën e Ministrit të Oborrit, Jak Koçit, e disa ministrave të tjerë, donin të eliminonin Zogun. Në këtë komplot që u denoncua nga Myftar Kaloshi, i cili ishte parashikuar si atentatori i mundshëm kundër Zogut, shumë persona u përpoqën ta implikonin edhe Cen Elezin aty, pasi dihej që ai ishte një nga miqtë më të ngushtë të Myftar Kaloshit. Por kjo u vërtetua, sepse Ceni, jo vetëm që nuk ishte implikuar, por ai nuk kishte fare dijeni për ekzistencën e këtij komploti. Pas kësaj në ditët e para të prillit të vitit 1939, kur Italia fashiste e Benito Mussolini ndërmori agresionin ushtarak dhe pushtoi Shqipërinë, Cen Elezi së bashku me mikun e tij Shaqir Demën, (nga paria e Dibrës) në krye të 500 forcave vullnetare dibrane, u nisën në drejtim të Durrësit. Por në datën 7 prill, kur ata i njoftuan se forcat pushtuese italiane kishin hyrë në Durrës e Tiranë, u kthyen përsëri në Sllovë, duke pritur zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve”.
Në Asamblenë Kushtetuese merr pjesë edhe Cen Elezi
Pas pushtimit fashist të Shqipërisë në ditët e para të prillit 1939, një pjesë e politikanëve dhe zyrtarëve shqiptarë të cilët kishin pasur kontradikta me Mbretin Zog, shpresonin se shpëtimi i Shqipërisë do të vinte nën suazën e Italisë. Nisur dhe nga propaganda e madhe që u bë në atë kohë nga autoritetet fashiste të cilët e trumbetonin Italinë si një shpëtimtare të Shqipërisë, përveç shumë politikanëve, atë e besuan edhe një pjesë e nacionalistëve shqiptar, të cilët u afruan dhe morën pjesë në Asamblenë Kushtetuese që u mbajt më 12 prill në Tiranë. Një ndër ata nacionalistë që mori pjesë në atë mbledhje, ishte dhe Cen Elezi si përfaqësues i parisë së Dibrës. Po si qëndron e vërteta e pjesëmarrjes së tij në atë asamble dhe a mori pjesë ai në ceremoninë e dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut në Romë?
Lidhur me këtë nipi i tij, Hiqmet Ndreu, tregonte: “Në vitin 1939, gjyshi ynë, Cen Elezi, morri pjesë në mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese që u krijua në Tiranë nën kryesinë e Xhaferr Ypit. Në atë mbledhje ku morën pjesë 151 delegatë nga dhjetë prefekturat e Shqipërisë, Ceni mori pjesë në krye të përfaqësisë së Prefekturës së Dibrës, që përbëhej prej Ramiz Dibrës, Shaqir Demës, Xhevdet Kumbarçes, Abdyl Konjollit, Xhetan Kaloshit, Dine Demës, Fiqëri Rusit, Irfan Ohrit dhe Jashar Erebarës. Në atë Asamble e cila u mblodh nën presionin e forcave ushtarake italiane, u morën një sërë vendimesh, ku midis të tjerash ishte dhe ai i dërgimit në Itali, të Kurorës së Skënderbeut, për Mbretin Viktor Emanueli i Tretë. Ndonëse Cen Elezi mori pjesë në atë Asamble ashtu si shumë politikanë të tjerë të asaj kohe, ai shkoi në Itali dhe nuk mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga gazetat italiane të asaj kohe, ku në të gjitha kronikat që përmenden politikanët e lartë shqiptarë që morën pjesë në atë ceremoni, asnjëherë nuk përmendet emri i Cen Elezit dhe ai nuk figuron në asnjë foto të atyre ditëve në ceremonitë përkatëse. Madje e vërteta është kështu: gjyshi ynë Cen Elezi, nuk shkoi në Itali për të marrë pjesë në atë ceremoni, por ai përfitoi nga rasti që të shkonte atje për të parë djemtë e tij që ishin me studime në Itali. Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe dhe nuk kishte si të merrte pjesë Cen Elezi në atë delegacion, kur ai disa ditë më parë, në prillin e vitit 1939, u nisën për të luftuar kundër tyre…”?!/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016