Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Hoxha, me origjinë nga fshati Sanjollas i Kolonjës, ku i pari i saj, Hasan Hoxha, pasi ishte diplomuar në Stamboll në një shkollë fetare, në vitin 1882, me porosinë e mikut të tij të ngushtë, Naim Frashërit, hapi shkollat e para shqipe në krahinën e Dangëllisë, Kolonjës, Përmetit e Skraparit, për të cilën do të shkruante më pas edhe edhe Mihal Grameno, në librin e tij “Kryengritja Shqiptare” (fq. 159-177) ku midis të tjerash shprehet: “Hasan Hoxha, një nga të rrallët atdhetarë që u mëson fshehurazi gjuhën shqipe popullit”. Dëshmia e nipit të tij, Agim Hoxha, për historinë e familjes së tij dhe gjyshit, Hasanit, i cili edhe pse kishte dhënë një kontribut të madh për përhapjen e arsimit shqip në Jugun e Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtë me tre vëllezërit Frashëri, familja e tij u persekutua gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasi babi i tij, Riza Hoxha, ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Romës dhe kishte shërbyer si oficer i Monarkisë së Zogut.
“Ndonëse gjyshi im Hasan Hoxha, ka qenë mësuesi i parë që hapi shkollat shqipe në vitin 1882 në krahinat e Dangëllisë, Përmetit e Kolonjës, sipas porosisë që i kishte dhënë miku i tij i ngushtë Naim Frashëri, i cili e furnizonte edhe me libra shqip, në vitin 1954, pasi mbarova Pedagogjiken me Medalje Ari, mua nuk mu dha e drejta që të vazhdoja studimet e larta, sepse babai im, Rizai, kishte shërbyer për 15 vjet si ushtarak i Monarkisë së Zogut”.
Dëshmon për herë të parë për Memorie.al, Agim Riza Hoxha, i cili rrëfen gjithë historinë e gjyshit të tij, Hasan Hoxhës, njeriut më të afërt të Naim Frashërit, që me porosinë e tij hapi shkollat e para shqipe në krahinat e Kolonjës dhe Përmetit, si dhe peripecitë që e ndoqën babain e tij, Rizain, ish-kapitenin e Mbretërisë që u shkollua në Akademinë Ushtarake të Romës dhe gjatë viteve të regjimit komunist, punoi në Ndërmarrjen Komunale për të fituar bukën e gojës. Po cila është historia e familjes së Hasan Hoxhës dhe si u trajtuan ata në vitet e regjimit komunist?
Hap shkollat me Naim Frashërin
Familja Hoxha, ose siç njihet ndryshe me mbiemrin Topi, nga trungu i së cilës është dhe Agimi, e ka origjinën nga fshati Sanjollas i Kolonjës. Nga të parët e kësaj familje që ka bërë emër të madh, njihet Hasan Hoxha (gjyshi i Agimit) i cili u lind në fshatin Sanjollas të rrethit të Kolonjës në vitin 1855, nga prindërit Besim dhe Sheko. Hasani pasi mbaroi mësimet në shkollën Ruzhdie të Ersekës, shkoi në Turqi dhe vazhdoi studimet në “Idadie” të Stambollit, ku dhe u diplomua për hoxhë. Pas kësaj Hasani u kthye në fshatin e tij të lindjes Sanjollas dhe pas kërkesës së Dervish Sheh Abdyl Aliçkajt, u vendos në fshatin Frashër të Përmetit, ku ishte një nga Teqet Bektashiane më të dëgjuara në të gjithë Jugun e vendit. Aty në atë fshat Hasan Hoxha u martua me me vajzën e Dervish Sheh Aliçkës, (Hysnijen) duke hyrë dhëndër në atë familje dhe më pas ai shkoi përsëri në Greqi për të vazhduar studimet në një shkollë fetare turke, në “Daire Muhalimi” (Normale) të Vilajetit të Janinës. Pasi mbaroi studimet dhe u diplomua si mësues (hoxhë për Medresetë), ai u kthye përsëri në Shqipëri, ku dhe u emërua si mësues i shkollës turke të fshatit Frashër. Në atë kohë që Hasan Hoxha u emërua mësues në atë fshat, ai u lidh ngushtë me vëllezërit Frashëri, Abdylin Naimin e Samiun dhe lidhjet më të afërta i mbajti me Naimin, me të cilin ishin bërë si vëllezër në Teqen e Frashërit nga Baba Alushi që shërbente aty. Lidhur me këtë në kujtimet e tija, Hasan Hoxha ka shkruar: “Kur Naimi dhe Samiu ishin kthyer nga shkolla “Zosimea” e Janinës për pushimet verore në Frashër, Baba Alushi i pyeti se: ç’kishin mësuar dhe ç’thuhej për gjuhën tone shqipe. Ata mblodhën supet dhe thanë se nuk dinin gjë, sepse atje në Janinë asnjë fjalë nuk thuhej për gjuhën e kombit tonë. Në atë kohë Baba Alushi u tha: ‘Juve or bij, ju bie për detyrë që të pyesni profesorët në çdo rast dhe në çdo kohë, për gjuhën që flasim neve e për kombin tonë’. Pas kësaj Abdyli e Naimi i shkruan Samiut që t’u dërgonte ca të holla për të shkuar në Romë e Paris, sepse vetëm në bibliotekat e muzeumet e tyre kishte dokumenta për çka i këshilloi Baba Alushi”.
Përpara se të hapej shkolla e parë shqipe në Korçë në vitin 1887, sipas porosisë së Naim Frashërit, i cili u vendos në Stamboll aty nga fundi i vitit 1882, Hasan Hoxha së bashku me Dervish Meleq Staraveckën, u morën me shpërndarjen e abetares shqipe në fshatrat e krahinës së Dangëllisë, Përmetit e Kolonjës, si dhe në disa fshatra të Skraparit e Tepelenës, ku Hasani u mësonte fshehurazi gjuhën shqipe fshatarëve të atyre krahinave. Për këtë kontribut që dha Hasan Hoxha në përhapjen e shkollave shqipe, në atë kohë ai mori një letër falenderimi nga Naim Frashëri. i cili nga Stambolli i shkruante: “Unë do të isha i lumtur, po të isha si ty atje në Frashër, e t’u mësoja atyre engjëjve shkronjat e gjuhës së nënës së tyre”.
Pas kësaj letre që Hasani, mori nga miku i tij i ngushtë Naim Frashëri, në kujtimet e tija ai shkruante: “Nga letër këmbimi me Naimin, si i ri dëshiroja të vija në Stamboll me ndonjë punë e të isha afër Naimit, por përgjigja që mora prej tij mi forcoi bindjet dhe hoqa mendimin për të shkuar në Stamboll dhe vazhdova të shërbej si hoxhë dhe mësues në fshatin Frashër”.
Kur në Turqi erdhën në pushtet xhonturqit të cilët lejuan hapjen e shkollave shqipe, Hasan Hoxha i ktheu shkollat e krahinave të Kolonjës, Dangëllisë dhe Skraparit, në gjuhën shqipe, por ajo gjë nuk zgjati shumë se përsëri xhonturqit i ndaluan shkollat shqipe. Por edhe pas këtij vendimi të Portës së Lartë, populli i krahinës së Dangëllisë mblodhi fonde dhe i hapi përsëri shkollat shqipe dhe Hasan Hoxha si mësues me përvojë u dha një ndihmë të madhe mësuesve që u caktuan në ato shkolla. Në atë kohë shkolla ishte në qendër të fshatit Frashër dhe aty ndalonin e pushonin karvanët që vinin nga rruga e largët. Nisur nga pozicioni që kishte shkolla, shpesh herë aty grumbulloheshin të rinjtë e fshatit të cilët dëgjonin me ëndje Baba Hasanin, i cili u fliste mbi gjuhën shqipe. Ndonëse ajo shkollë ruante formën që e kishte vendosur qeveria osmane, në të vërtetë aty mësohej fshehurazi gjuha shqipe prej mësuesit të saj, Hasan Hoxhës. Lidhur me kontributin e Baba Hasanit për hapjen shkollave shqipe, ka shkruar edhe Mihal Grameno, në librin e tij “Kryengritja Shqiptare” (fq. 159-177) ku midis të tjerash shprehet: “Hasan Hoxha, një nga të rrallët atdhetarë që u mëson fshehurazi gjuhën shqipe popullit”
Në mbledhje me Abdyl Frashërin
Gjatë atyre viteve që Hasan Hoxha shërbeu në Teqen e Frashërit, ai u caktua si sekretar i asaj Teqeje ku shërbente Baba Alushi dhe në vitin 1879 kur aty u mbajt mbledhja e parisë së Jugut të Shqipërisë, e cila u mblodh me iniciativën e Abdyl Bej Frashërit, Hasani u caktua si sekretar i asaj mbledhje. Lidhur me këtë, djali i Hasanit, Riza Hoxha, në kujtimet e tija ka shkruar: “Babai im Hasan Hoxha ka qenë pjesëmarrës i mbledhjes së konferencës së parësisë së Shqipërisë së Jugut që u mblodh me iniciativën e vëllezërve Abdyl, Naim e Sami Frashëri, në mars 1979 në Teqe të Frashrit, nën kryesinë e Baba Alushit. Aty erdhën delegatë nga e gjithë Shqipëria, aq sa shtëpitë e Frashrit u mbushën plot me kafshët e tyre dhe një pjesë mbetën jashtë ndër oborre, duke u mbuluar me bruca e guna nga dëbora që zu të bjerë ahere. Kjo mbledhje pasi mori vendime për formën e flamurit, Abc-në dhe mënyrën e shkrimit, si dhe vilajetin që do kërkohej liria, zgjodhi delegatë për në Evropë, Abdyl Frashërin dhe Mehmet Vrionin, për të protestuar vendimin e pa drejtë të Kongresit të Berlinit të vitit 1878 që krasiste tokat e Kombit Shqiptar. Në atë mbledhje shumica e delegatëve donin fjalët shqip dhe shkronja turqishte e shkrimi të fillonte nga e djathta, se ashtu do të ishte mbarësi. Por Abdyli duke shpjeguar se si e hiqte shpatën Skënderbeu nga e majta, i’u lut mbledhjes, që ashtu ta linin edhe shkrimin me shkronja latine, për lehtësi shkrimi. Ky propozim u pranua nga të gjithë me duartrokitje të fuqishme. Vendimet e kësaj mbledhje dhe nënshkrimet e tyre ishin shkruar dhe ngjitur në letrat me miell çorbe në një top pëlhure dhe ishin vendosur në tyrbe të Teqesë, por mjerisht ato u dogjën në vitin 1914 nga andartët grekë”.
Kontributi i Hasan Hoxhës në përhapjen e shkollave shqipe, asokohe u vlerësua pa masë jo vetëm nga banorët e krahinave të Dangëllisë, Përmetit, Kolonjës e Skraparit ku ai shërbeu si mësues, por dhe nga shumë patriotë të asaj kohë. Një nga ata ishte dhe Sami Frashëri, i cili midis të tjerash ka shkruar: “Megjithatë mund të themi se Përmeti, Dangëllia e Skrapari, janë ato vende që kanë përhapur më tepër gjuhën shqipe. Në Frashër, jo tani, por ka vite që mësimi i shqipes ka lulëzuar. Djem, pleq, gra e çupa, myslimanë e të krishterë, në atë qytet të vogël malor, por të madh nga emri, që të gjithë dinë të shkruajnë shqipen e bukur”.
Gjatë atyre viteve që Hasan Hoxha shërbeu në Teqen e Frashërit, ai dha një kontribut të madh jo vetëm si mësues që hapi shkollat e para shqipe, por edhe si njeri i urtë që u morr me pajtimin e mërive, duke sheshuar shumë hasmëri që kishin banorët e Dangëllisë dhe Përmetit. Në vitet e para të shekullit XX-të, Teqeja e Frashërit u bë një nga streha kryesore të çetës së Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos dhe në vitin 1910 pas mbajtjes së Kongresit të Manastirit, Hasan Hoxha mbajti një ligjëratat në mitingun e organizuar në Përmet, për nder të atij Kongresi. Pas Shpalljes së Pavarësisë, Hasani qëndroi disa kohë në Berat dhe më pas u kthye përsëri në Frashër dhe vazhdoi punën e tij si mësues deri sa vdiq më 25 janar të vitit 1925 dhe u varros me nderimet më të mëdha në Teqen e Frashërit, ku ai shërbeu për 50 vjet me radhë.
Djali Rizai, Kapiten i Monarkisë së Zogut
Hasan Hoxha kishte dy vëllezër, Rushanin dhe Halitin, i cili u vra nga andartët grekë në vitin 1914 duke lënë katër fëmijë jetim. Dy djemtë, Rizain dhe Arshini, i mori Hasani dhe i rriti së fëmijët e tij, pasi dhe nëna e tyre vdiq në ullishtat e Vlorës ku ata kishin shkuar për tu fshehur nga andartët grekë që asokohe dogjën Kolonjën. Lidhur me këtë, i biri i tij, Agimi dëshmon: “Babai Rizai, pasi mbaroi shkollën në Frashër të cilën e kishte hapur gjyshi Hasani që ai e njohu si baba, erdhi në Tiranë dhe me ndihmën e Ministrit të Luftës, Ali Riza Kolonjës, filloi shkollën e Plotësimit të Oficerëve të cilën e mbaroi me rezultate të larta. Pas kësaj po me ndihmën e Ali Riza Kolonjës, babai shkoi për studime në Itali, ku në vitin 1927 u diplomua në Akademinë Ushtarake të Romës në armën e Këmbësorisë. Pas diplomimit në Itali, Rizai u kthye në Shqipëri dhe u emërua si pedagog në shkollën Mbretërore të Oficerëve në Tiranë, e më pas shërbeu edhe në repartet e Këmbësorisë në Elbasan, Mat, Malësi e Madhe, Korçë dhe Berat. Pasi shërbeu në këto rrethe, aty nga viti 1936, me dekret të Mbretit Zog, Rizai u kthye në Tiranë si oficer në Degën e Rekrutimit. Aty ai punoi deri në vitin 1939, kur së bashku me disa oficerë të tjerë shkoi në Durrës në ndihmë të Abaz Kupit, për të organizuar rezistencën kundra agresionit fashist italian. Edhe pas pushtimit fashist, Rizai qëndroi si oficer në Degën e Rekrutimit të Tiranës, ku punoi deri në vitin 1943, kur kapitulloi Italia dhe me ardhjen e gjermanëve ai dha dorëheqjen dhe nuk pranoi të shërbente më si oficer. Gjatë viteve të pushtimit, në shtëpinë tonë aty në Lagjen e Re në Rrugën “Gjon Muzaka”, u strehuan disa eksponentë të Lëvizjes Antifashiste, si Liri Kolaneci, Vehip Lumani, Vera Tetova (Malo) etj., dhe në nëntorin e 1944-ës kur luftohej për çlirimin e Tiranës, shtëpia jonë u bë bazë e partizanëve të cilët vunë aty një mitraloz për të mitraluar fushën e Aviacionit të Laprakës”.
Arrestimi dhe persekutimi
Pak ditë para çlirimit të Tiranës, Riza Hoxha u arrestua nga komunistët së bashku me shokët e tij ish-oficerë të Monarkisë, Hamza Luzati, Rami Bujari dhe vëllezërit Bilbil e Hodo Taçi, të cilët i mbajtën disa ditë të arrestuar në Hotelin “Bristol”. Lidhur me këtë, Agimi dëshmon: “Pasi komunistët pushkatuan një grup të arrestuarish që i kishin mbajtur në atë hotel, babai dhe disa shokë të tij ish-oficerë të Monarkisë, mundën që të shpëtonin vetëm pas ndërhyrjes së gjeneral-major Dali Ndreut, me të cilin kishin punuar bashkë si oficerë të Monarkisë së Zogut. Pas mbarimit të Luftës, në vitin 1946 babait i’a hoqën pensionin e oficerit që ai kishte përfituar deri në atë kohë, sepse nuk kishte luftuar si partizan. Pas kësaj për të siguruar bukën e gojës, ai u detyrua që të punonte si magazinier e më pas në Ndërmarrjen Komunale, deri sa doli në pension në vitin 1966. Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, babai nuk dilte fare nga shtëpia, sepse ai ruhej se mos e arrestonin nga që kishte qenë oficer i Zogut dhe shihej me sy të keq nga ai regjim. Në vitin 1954, kur unë mbarova me Medalje Ari shkollën Pedagogjike, nuk ma nxorën të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë, sepse kisha pasur babanë oficer të Zogut dhe bursën që ishte planifikuar për mua në Bullgari, i’a dhanë një personi tjetër. Vetëm më pas me ndryshimin e disa konjukturave politike, munda që të mbaroja shkollën me korrespondencë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016