Nga Sokrat Shyti
Pjesa e tridhjetekatër
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Përpjekjet, qartësia dhe vendosmëria për të çuar deri në fund projektin e guximshëm, (edhe kur rreth e qark je i pështjelluar me kërcënimet e asgjësimit), bëjnë pjesë në përjashtimet e rralla të jashtëzakonshme, që ndodhin një herë në një milion raste. Duke e pranuar këtë arsyetim si postulat, kjo rastësi e mrekullueshme, shfajëson tërësisht qëndrimin dhe ngurrimin e tij për të vizituar nënën në atë strehe te skëterrshme. Prandaj nuk duhet ta brejë pendesa në të ardhmen, pse ndenji larg nënës kaq vite, kur vetë ngacmohej përbrenda vazhdimisht nga tortura tmerrësisht gërryese. (Mjafton ky arsyetim për t’i mbushur mendjen vetes, se përlotja në fund të takimit, nuk u shkaktua nga pendesa e fajësisë për qëndrimin e ftohtë, por thjesht si çast dobësie nën ndikimin e rakisë).
Këtë e provonte dhe mënyra e takimit dhe bashkëbisedimit me vëllanë e madh, që nisën me tension të acaruar. Shenjat e para të kundërshtisë u shfaqën me vërejtjen e tij të ashpër ndaj meje: pse erdhe në këtë lokal të papërshtatshëm, ku reshperojnë oficerë të ministrisë së Brendshme, dhe ndonjëri mund të ulet në tryezën tonë, për të na bërë shoqëri, me synim të nuhatë dhe përthithë qëllimin e takimit mes dy vëllezërve, pas një kohe të gjatë? Dhe acarimi mori sidomos përmasa më të ashpra, pas sqarimit tim, kur tregova se një pjesë të rrugës, nga plepat deri këtu, e bëra nën shoqërinë e dy oficerëve të ministrisë së Brendshme, njëri nga këta inkuizitori i pashpirt i dorëshkrimeve.
(Pikërisht në këtë çast fytyra e vëllait pësoi një zbehje të menjëhershme nga përdorimi i këtij ndajshtimi të tmerrshëm, i iku gjaku në fund të këmbëve!). E pas këtij njoftimi, bashkëbisedimi u fut në shtratin e kundërshtive. Megjithatë nuk e ngriti zërin, siç e kish zakon kur nxehej, edhe pse nuk i pëlqyen mendimet e mia, i trembur nga vëzhgimi përgjues. Prandaj më pas biseda jonë u shtjellua pa fërkime të tepruara dhe lajkatime të shtira, pothuaj në masën e duhur. Dhe më e rëndësishmja, në fund ia arriti qëllimit, pavarësisht nga koha mjaft e shkurtër e takimit, e cila krejt natyrshëm mund të vazhdonte në shtëpinë e tij, nëse do pranoja të shkoja, por që në fakt kundërshtova me shpjegimin, se duhet pa tjetër të kthehem sonte në Lushnje.
Kur dolëm nga bari i lokalit, ecëm disa hapa të heshtur deri në kryqëzim. Këtu u ndamë pa atë përmallimin e fillimit: ai u kthye në teatër, unë kalova në sheshin “Skënderbej” dhe bëra disa hapa në bulevardin e madh, “Dëshmorët e Kombit”. Po mendoja se si t’i shtyja këto minuta deri sa të afrohej ora për të shkuar tek stacioni i trenit. S’pata asnjë shtysë të brendshme të takoja ndonjë të njohur, nga shokët e dikurshëm të punës apo fakultetit, pasi interesimi i tyre më dukej sa i shtirur dhe i bezdisshëm, kaq ngacmues e acarues. Ndaj m’u duk e udhës të shëtisja gjatë bulevardit dhe rrugëve kryesore, për të parë ndryshimet, nëse ishin bërë të tilla.
Këtë çast e krahasova veten me banorin më primitiv të këtij shteti, ardhur prej një humbëtirë të padëgjuar, me një vërtetim në xhep, që zëvendëson pasaportën. Pikërisht kjo copë letër më lejon të eci lirshëm nëpër rrugët e kryeqytetit, ku dikur jetoja e punoja si gazetar në Radio. Por tani isha askush, një qenie njerëzore pa identitet, i zhvlerësuar deri në mohim të plotë, që çdo hap e hedh me makthin mos dalin përpara patrullat dhe më shoqërojnë në Drejtorinë e Policisë për të kontrolluar lejen e qarkullimit, mos ndoshta është falsifikuar! Brenda këtyre viteve kisha humbur pothuaj të gjitha lidhjet dhe marrëdhëniet me fisin, të njohurit, shokët, shoqet, që banonin në Tiranë! Emri im qe mbuluar me shtresa pluhuri! Askush s’kujtohej për djaloshin e Radios, që shkruante tregime e përralla.
Shoku im i vetëm, Vangjeli, dergjej në qeli! Redaksia e Rinisë dhe Fëmijëve, me siguri duhet të ketë pësuar ndryshime, përveç shefes komuniste. Nuk e vija në mëdyshje që ndër prurjet e reja, një pjesë janë bashkëpunëtorë besnikë të Sigurimit, sidomos pas rritjes së rolit të institucionit, kalimit nga Radio-Difuzion, në Radio Televizion. Por këto lëvizje e spastrime nuk futeshin në sferën e mendimeve të mia, duke patur parasysh që ndodhesha jashtë çdo orbite të kryeqytetit. Madje deri dje nuk figuroja në asnjë orbitë të rrethit Lushnje! Isha shndërruar në një hamall robot, i zhveshur nga të gjitha të drejtat e qytetarisë: rropatesha nëpër ugare e mezhda kanali, ngarkuar me bidon nafte, i heshtur si peshqit në zall, duke përtypur dhimbjet e mendimeve të stresuar brenda morsit të ndrydhjes!
Në trurin tim të bojkotuar dhe shpërfillur nga bota e letrave, nuk regëtinte asnjë rreze shprese, se ndoshta pas njëfarë kohe, mund të zhbllokohet kapaku i betontë i krijimtarisë, për të lejuar lavën e frymëzimit të derdhet jashtë, dhe me magmën e ngurtësuar të strukturojë veprat letrare. Këtij projekti i kisha vënë kryq; “Ja që fati më syrgjynosi në kasollen e lopës dhe më ndëshkoi. – Prandaj i thashë vetes, duke ecur përgjatë bulevardit. – duhet të mësohem me këtë realitet. Dhe të falënderoj një mijë herë bamirësin tim shpirtmadh, falë të cilit do kaloj nga mbijetesa e skëterrshme, në jetesë të thjeshtë, dhe sidomos shpëtova nga çmenduria e vetmisë, ndëshkimi më i llahtarshëm mizor, që demonët prisnin me padurim të ndodhte”!
Kur hodha shikimin rreth e qark, vura re se kisha mbërritur përpara hotel “Dajtit”. Vetvetiu më dolën para syve takimet dashamirëse dhe tejet të ngrohta me bamirësin tim trupimit, i cili më ndihmoi të daktilografoja dorëshkrimin e romanit “Madam Doktoresha”, më gjeti makinën e shkrimit, mori përsipër ta qarkullonte në dy redaksitë e Lidhjes dhe, më e rëndësishmja, tani kopja e vetme ndodhet në duart e tij, (sipas pohimit që bëri para meje, kur erdhi të më takonte pas tre muajsh internim).
Nëse do të më lejohej, sigurisht në këtë çast do të futesha me shumë dëshirë në hapësirën e hollit, për t’i hedhur një vështrim të shpejtë barit, vetëm sa për të parë nëse në tryezën pranë banakut, rri ulur ai, duke hedhur mbi bllokun e trashë mendimet për romanin me temën e Luftës, të cilët në vend ta çlironin nga ngarkesa e frymëzimit, shkaktonin të kundërtën, e pështjellonin me dyzimin e ashpër midis të vërtetës që kish ndodhur dhe asaj që i kërkohej të përshkruante, pasi këtij nuk i lejohej, si pjesëtar i dyqind militantëve të parë, të skicojë e pikturojë një realitet, që nuk i pëlqen “Komandantit”.
Pikërisht për këtë arsye, ky dyzim tmerrësisht brejtës, dy anët e të cilit i njihte deri në detaje, e nervozonte. Ndaj kjo gjendje e pazakontë në karakterin e tij, (ai gjithnjë bisedon shtruar, i qetë, pa emocione të sforcuara, përveç rastit kur shpërtheu para zëvendësministrit të parë të Arsimit, për çështjen e ndërrimit të degës së studimit për mua), më bëri përshtypje kur e pashë kaq të shpërqendruar dhe se dy faqeve të bllokut, u kishte vënë kryqe e pikëpyetje! Por sigurisht nuk guxova ta pyesja ç’gjë ia pengon frymëzimin, pse i dalin kaq shumë pengesa. E vetmja mënyrë për t’i shpëtuar këtij ngërçi, ishte të kthehesha mbrapsht, ta lija të qetë në punën e tij, pa ngacmime, derisa t’i kthjellohej turbullira. Por pikërisht në këtë çast, më drejtoi pyetjen e çuditshme:
“Ti si do veproje po të gjendeshe para një dyzimi kaq të sforcuar, mes një mendimi të detyruar dhe realitetit të ndodhur? Cilën do pasqyroje në veprën tënde”? Kjo pyetje befasuese më hutoi jo pse nuk dija si të përgjigjesha, por nuk më takonte mua të shpjegoja nervozizmin e tij, që e kishte detyruar të vendoste mbi dy faqet e bllokut, kryqe përsipër. Këto i përkasin jetës së tij, bëjnë pjesë tek kundërshtitë e papajtueshme mes mendimit të detyruar dhe të vërtetës, qe ai ka parë e përjetuar vetë.
– “Unë i përkas brezit të shkrimtarëve që njohin: Romantizmin, Futurizmin, Realizmin, Realizmin Socialist. Ne të këtij brezi e kemi mjaft të vështirë t’i përshtatemi metodës së realizmit socialist, sepse jemi mësuar t’i shkruajmë gjërat ashtu siç i kemi përjetuar. Prandaj dhe biem në kundërshti me vetveten, nisin fërkimet me vetëdijen tonë, qerthullohemi me një turbullirë, që na i trazon mendimet, mbetemi në një udhëkryq të papërcaktuar. Besoj më kupton, ku e kam fjalën…”?!
Unë vetëm tunda kokën, njësoj sikur t’i thosha: “Edhe pse e marr vesh ç’siklet i madh të mundon, mua nuk ma mban të shfaq hapur mendimin tim lidhur me këtë, sepse banakieri këtu pranë nesh e regjistron bisedën tonë” – “I kam shkruar tre herë skenat e përpjekjeve mes partizanëve dhe çetave balliste…”- shtoi ai, duke shfletuar bllokun, për të më treguar faqet me kryqe përsipër. – “Në variantin e parë komandantët e dy formacioneve, propozojnë ta shmangin gjakderdhjen e pakuptimtë mes vëllezërve, sepse të dy grupimet kanë synim të njëjtë, lirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Mirë po përgjigja nga Shtabi i Përgjithshëm vjen mohuese.
Këtu nis dhe shmangia nga e vërteta. Bisedimet zhvlerësohen. Luftimet çojnë në gjakderdhje! A nuk janë të dhimbshme këto skena, për t’i përshkruar në letërsinë artistike? S’ka dukuri më të shëmtuara për një komb, se sa vëllavrasjet! Pavarësisht pse realisht përleshje të tilla kanë ndodhur tek të gjithë popujt e kombet, nën shtysën nxitëse të politikës për të rrëmbyer pushtetin, lexuesin në kohë paqeje e irritojnë ngjarje kaq mizore. Prandaj kur shkrimtari merr përsipër t’i pasqyrojë artistikisht këto ngjarje, duhet të mbajë mbi vete peshën e rëndë të përgjegjësisë së madhe të së vërtetës. Besoj u fute në brendësi të shpjegimit tim…”, – e përfundoi ai shtjellimin e trazirës së brendshme, duke më hedhur për disa sekonda rresht një vështrim ngërthesë.
Mua m’u rrëqethën të gjitha qelizat nga ky pohim tronditës, sepse për herë të parë u zbërthye kaq hapur para meje! Para së gjithash, kjo mënyrë të shprehuri, përbente një provë besimi ndaj meje, për faktin se shpalosi mendimet e fshehta (gjë që ndodh vetëm në ato raste, kur krijon në vetvete siguri të plotë ndaj bashkëbiseduesit, i cili ka arritur të futet në vetëdijen e brendshme, si mik i besës). Por ndërkaq, zbulon dhe pjesën më të errët të botëkuptimit vetjak, sheh kërleshjen e ashpër mes mendimit dhe realitetit. Pikërisht kjo e dyta, më shqetësoi më shumë dhe më seriozisht.
Sepse kur një militant intelektual idealist i orëve të para të formimit të Partisë, pështjellohet me hijet tronditëse të dyshimit të vetëdijes, rreth asaj çfarë ka ndodhur realisht, arrin në përfundim, se honi i mashtrimit prej kohësh ka gëlltitur e vazhdon të përthithë sot e në të ardhmen, autorë të mendimeve të pavarura! Ndaj ky pohim më kalli tmerrin. Dhe i bëra pyetje vetes: e pranon botëkuptimi im të jem shkrimtar i dyzuar? Kam kurajë e guxim ta përshkruaj realitetin jetësor të shtrembëruar, pse kështu e kërkon Realizmi Socialist?
Në muzikë ndodh ndryshe: me shtatë nota dhe vargje të ndërthurur me partishmëri, kompozon muzikë revolucionare. Në artet figurative, rrok një temë që theksohet shpesh në fjalimet e Udhëheqësit, për të krijuar një tablo tërheqëse, i bindur se rreth saj do mblidhen shumë kureshtarë. Po në letërsi? Apo dhe këtu e njëjta rutinë?! Lexo me vëmendje veprat e Udhëheqësit, proces-verbalet e ngjarjeve të fuqishme të aktualitetit, sidomos ato që i kapërcejnë ndjeshëm kufijtë dhe hapësirat e shteteve: mjafton të futesh deri në brendësi të nuhatjes e synimit të “Zeusit”, për të shkruar një vepër madhore.
Por për raste të tilla përzgjidhet në majën e elitës shkrimtari, që e beson deri në verbëri dhe shpirtërisht madhështisë mitike të Udhëheqësit gjysmë-perëndi, të cilin e sheh dhe e portretizon në romanin historik, si profet me largpamësi të jashtëzakonshme e vizion mbarëbotëror, si asnjë personazh tjetër në letërsinë e shkruar, ndonëse realisht “heroizmi” i Enver Hoxhës, qëndron tek fjalimi i mbajtur në Konferencën e 81 partive Komuniste e Punëtore, me sa “kuraje” e “guxim”, sfidoi Kampin Socialist, kur në fakt interpretoi rolin e papagallit të Mao Ce Dunit, për të fituar si shpërblim të përkohshëm nofkën “Dishepull i Marksizëm – Leninizmit”!
(Ishte e para herë që shkruhej një roman historik i përmasave kaq të bujshme, me personazh kryesor Udhëheqësin e gjallë të një vendi të vogël, roman që u përkthye brenda një kohe të shkurtër në shumë gjuhë të botës, me synim që lavdia e Enver Hoxhës, të ngjitet në majën më të lartë e marramendëse, ku s’kanë mundur të ngjiten as gjenitë e komunizmit botëror! Autori sfidoi poetin më të madh të letërsisë sovjetike, Majakovskin, i cili e shkroi poemën për Leninin, vetëm pas vdekjes së tij!).
– “Më bëjnë sytë, apo je ti miku im”?… – dëgjova prapa krahëve zërin e njohur të shkrimtarit, me të cilin po bisedoja në heshtje disa minuta nëpërmjet meditimeve.
– “Kur paske ardhur”?
– “Sot paradite dhe po sot do largohem”, – iu përgjigja unë pasi u përqafuam me përmallim.
– “Pate ndonjë urgjencë shqetësuese”? – shtoi ai duke më vështruar me ngulm.
– “Sigurisht nuk e pata të lehtë të siguroja leje për të ardhur në Tiranë, pas tre vjet largimi. Dhe nuk do më jepej, po të mos ndodhnin kohët e fundit disa kthesa të befasishme mbarësie…”- theksova unë. – “Por këto duke qenë të brishta, nuk bisedohen në rrugë…”!
– “Ke shumë të drejtë”! – ndërhyri në çast shkrimtari.
– “Pret ndonjë makinë këtu dhe je i detyruar të mos largohesh nga ky vend”?
– “Jo, do iki me tren”, – iu përgjigja unë.
– “Atëherë paskemi kohë të shkëmbejmë bashkë disa mendime…”- tha ai, duke më futur krahun.
– “Me gjithë dëshirën e madhe për të ndenjur me Ju…”!
– “Ke hallin tim mos më shikojnë hijet e këtushme, që shoqërohemi bashkë”?.. – më ndërpreu ai. – “Mos u merakos. Ata e dinë qëndrimin tim ndaj teje që atëhere, kur u takuam në xhade, tre muaj pas mbërritjes tënde në fshatin Ardenicë. Këta e kanë të qartë që unë të përkrah. Prandaj hajde të pimë një kafe në barin e ‘Dajtit’, si dikur. Dhe për të mos na bezdisur njeri e, të mos dëgjohemi nga të tjerët, ulemi në tryezën më fundore. Kur të qaset ora e trenit, të gjej unë makinë, deri tek stacioni…”. – Pas këtyre fjalëve u futëm në hollin e “Dajtit”.
M’u shfaqën para syve përfytyrimet e tre viteve më parë, kur hyra në mjedisin e kësaj ngrehine luksoze, lokali më i famshëm në Shqipëri, si më pështjelluan ngurrimi dhe druajtja mos dikush më qasej fare pranë, për të më pyetur cili jeni dhe kë kërkoni! Këtë çast ktheva kokën tek gardëroba, për të parë nëse ishte po ai person i para tre viteve. Dhe ndesha vështrimin e tij, që po më ndiqte: “Ç’u bëre kaq kohë, që nuk je dukur këtu”?!
Por sipas meje, më shumë duhet t’i ketë bërë përshtypje paraqitja ime e jashtme, veshja e thjeshtë, me xhupin prej doku dhe pantallonat kadife. Sepse këtu hynin e dilnin meshkuj të kollarisur, me këpucë të lustruara dhe shumica të parfumuar. Ndërsa përgjegjësi i barit e kamerierët përshëndetën me respekt e adhurim shkrimtarin, banakieri mbeti i habitur, pse klienti i nderuar këtë herë, nuk u ul në tryezën e tij, por zuri vend tek tryeza më fundore. Kamerieri u qas pranë nesh, për të marrë porosinë.
– “Dy kafe dhe ujë”, – i tha shkrimtari me zërin e tij të trashë. – Apo do të marrim një pije me rastin e takimit pas kaq kohe”?
– “Çfarë pije preferoni”? – e pyeta unë i përskuqur në fytyrë – Duhet të uroj për diçka”? – shtoi shkrimtari me sy të qeshur.
– “Në këtë muajin e fundit, kanë ndodhur tre dukuri të mbara për mua dhe familjen time, të cilat i quaj mrekulli”, – i thashë unë i ngazëllyer.
– “Kur je kaq i gëzuar, pse rrije i ngrysur dhe mjaft i menduar”?! – më pyeti ai kureshtar.
– “Më kishin qerthulluar kujtime të trishtuara”.
Ndërmjet tyre më ngacmuan dhe skenat e këtushme, kur ju dikur më shpjegonit pse disa faqe të bllokut, kanë përsipër dorëshkrimit kryqe e pikëpyetje, – shtova me njëfarë druajtje. – Më ka mbetur në kujtesë si ngacmim i përhershëm, sepse përbën dinjitetin e shkrimtarit”.
– “E mbaj mend, e mbaj mend: shpjeguam diçka rreth dyzimit të vetvetes…, – përsëriti ai duke tundur kokën. – Ti je i pari dhe i fundit, që e di sekretin tim të brendshëm. Nejse. Tani më fol për ngjarjet e mbara, që i quajte mrekulli”.
– “Jam i bindur që këto mrekulli do t’ua shumëfishojnë kënaqësinë, pasi kanë autor mikun tuaj, sekretarin e Parë të rrethit Lushnje”.
– “Më bëhet shumë qejfi, që miku im qenka ngritur në lartësinë e dinjitetit të tij”! – shtoi i ngazëllyer shkrimtari.
– “Duhet ta dish: kjo dukuri brilante, ndodh shumë rrallë në kohën tonë, për shkak se na pengon dyzimi. Vetëm një drejtues me shpirt të madh e guxim të papërkulur, gjen forca të mposht ngurrimin e detyrës e, të ngjiten në lartësitë e pashkelura. Një ditë u takuam këtu dhe biseduam gjatë. Kur përmendi emrin tënd, prita me kureshtje të dëgjoja ç’mendim kishte për ty. Më qeshën sytë dhe trupi nga projektet që kishte ndërmend”!…
– “Domethënë i dini ngjarjet e mbara…”, – shtova unë, duke psherëtirë nga kënaqësia.
– “Dëgjova disa projekte nga goja e tij. Tani më trego çfarë ka ndodhur realisht, që të bëjë krahasimet. Një minutë”!.. – tha ai, kur pranë nesh erdhi kamerieri dhe vendosi mbi tryezë gotat me fërnet dhe filxhanët e kafes. – “Atëhere po e nisim me pijen: Të uroj gjithë të mirat! Me durim dhe vullnet u përmbushtë më vonë synimi yt madhor për letërsinë”!
– “Kurse unë ju uroj sa më shumë shëndet e, sa më pak dyzime”!… – ia ktheva duke trokitur gotën me të. Sytë e tij të zgjuar, ngelën të ngërthyer mbi ninëzat e mi, kur përmenda urimin e dytë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016