Selman Zalli
Simpozium, Bërzeshtë 17.07.2022
Duke ju falënderuar dhe shprehur konsideratën më të lartë për Ju të nderuar pjesëmarrës, kjo fjalë e shkurtër duket se qenka ndërtuar si për të kompletuar përgjigjen e pyetjes së Z. Musai (nikoqirit dhe organizatorit) të këtij aktiviteti mbi Bërzeshtën.
Njëjtë si 5 vjet më parë, udhëtimi nëpër të përpjetën meandër, për në Bërzeshtë në vendlindjen e Gencit e të Vilsonit, ndonëse e rrëpirë, e lehtë për t’u arritur, ndoshta edhe për shkak të të fshehtave që mban, mbase dhe nga bimësia që të shoqëron në këtë rrugëtim.
Nuk u desh shumë të mbërrinim rrëzë këtij rrapi shekullor, që burrat e fshatit thonë se është më i vjetri në Shqipëri dhe pak më tej, shtatë çezmat e famshme të Bërzeshtës.
Nëse vazhdon më tej, fillimisht do ndeshim në trojet e familjes Leka, tashmë rrënoja të mbuluara nga bari, për të vazhduar më tej për tek shtëpia e Blloshmëve, që për të arritur atje, duhet të ecësh nëpër disa shtigje, të krijuara nga lëvizjet e banorëve të paktë, që kanë mbetur ende në fshat. Shtigje, të cilat një sy i stërvitur nuk e ka të vështirë ta konstatojë që dikur në kohën e ndërtimit sipas parametrave të kohës, e konstruktuar që të kalojnë kuajt me ngarkesë.
Shtëpia është aty, e braktisur, edhe sot pas 5 vitesh që isha për herën e parë, e njëjtë si përpara 40 vitesh, përsëri hijerëndë, e cila veç përmasave dhe terrenit më krijon të njëjtën ndjesi dhe emocion me shtëpinë e Luigj Gurakuqit, nëse vërejmë çardakët, strehët, shkallët e drunjta, ulluqet dhe përdorimin e gurëve të skalitur, deri edhe për shtëpinë e kafshëve në cepin e oborrit.
Gjithë sa përshkrova më sipër mbart shpjegimin e saj, nëse në retrospektivë, mbajmë në konsideratë kohën e ndërtimit dhe sërën e të zotëve.
Dilemat marrin përgjigje pasi kupton nga ka buruar muza e frymëzimi, ti kupton që këtu kanë banuar njerëz të qenun, që të ndërthurur me elementë historikë kanë kompletuar dokumentacionin e përndjekjejes.
Kjo shtëpi e gurtë, dykatëshe me çardak, me shkallë të larta e parmakë druri, ndonëse brenda bosh, e braktisur,), e mbushur plot me traditë, ngjarje e histori, strehë për burra, literaturë gjithfarësh të vendit, e të huaj, i shkon përshtat vetëm termi “truall që prodhon …”. e nëse nuk vihet dorë koha do e bëjë të sajën, do e shkatërrojë.
Kemi diskutuar pandërprerë dhe mbetet synim ende i parealizuar, ideja kryetares së AIDSSH-së për t’u ngjitur në këtë fshat, dhe muzealizimin e saj çfarë ka mbetur, për të kthyer këtë fshat në atraksion dhe qendër pelegrinazhi, sidomos për njerëzit e letrave nga çdo anë e botës, që vlera të tilla i ngre në piedestal.
Për herë të parë në 40 – vjetorin e pushkatimit të dy poetëve, Ne, si Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, vendosëm të zhvillojmë një ceremoni të thjeshtë përkujtimore, në shenjë përshpirtje për këta dy të rinj, njëherazi edhe dorëzimin e Dosjes së përndjekjes, hetimit e gjykimit të familjarëve të Genc Lekës, të cilët kishin kërkuar, për t’u njohur me dosjen, në zbatim të hapësirave dhe mundësive të krijuara, në zbatim të ligjit 45/2015 dhe fillimit të funksionimit të AIDSSh-së.
Ndihemi mirë, që kjo ishte nga eksperiencat e para, e cila në respekt e funksion të transparencës, ndërgjegjësimit dhe edukimit qytetar, në atë kohë (2017-tën) me mjetet dhe mundësitë tona modeste, si detyrim moral në përkujtimin e këtyre poetëve, bëmë të njohura për publikun disa dokumente, dorëshkrime, poezi, etj, të shkruara nga dora e këtyre martirëve të ndjenjave, që u shprehën në krijimtarinë për një jetë më të mirë, të shprehur kjo nëpërmjet mendimit me zë të lartë, nëpërmjet një “korrespondence të fshehtë”, e cila nuk rezultoi e tillë dhe për më keq, u gjykua dhe anatemua, për fat të keq, jo vetëm nga regjimi.
Ky dokumentacion dikur sekret, tashmë i njohur, jo vetëm për familjarët dhe studiuesit, por edhe më gjerë, po jep produktin e tij, siç edhe po ndodh në këtë aktivitet, e të tjera të zhvilluara më parë.
Shumë gjëra janë bëre evidente, të materializuara në krijimtari letrare, por ky rast mbart të veçantën që; sa herë ta shtrydhësh prodhon, pasi ka e ruan vlera, si thirrje për vet përmirësim, nëpërmjet punës, kulturës letrare e qytetare, për të ndërtuar një jetë dhe shoqëri më të mirë për të gjithë.
Edhe në këtë Simpozium u fol e u trajtua jeta, vepra dhe krijimtaria letrare e martirëve tanë, pasi këta nuk i përkasin më vetëm Bërzeshtës!
Gjithçka, që u tha këtu, u tha me kompetencë shkencore dhe artistike, ndaj nuk më mbetet shumë për të thënë, veçse të sjell në vëmendjen e këtij auditori sqimatar, disa përjetime personale me indicje nga dosja dhe jeta e përditshme, mbi moralin dhe aftësinë, që përcjell rasti konkret, të cilat kanë të bëjnë me disa element, që jo në çdo dosje gjenden, të tilla si:
– Fajësinë pa faj për shkak të origjinës (biografisë), Faji kërkon elemente dhe pasojë…?!
– Keqtrajtimin sistematik (diferencim – punësim – arsimim);
– Përndjekja;
– Qëndresa;
– Solidariteti;
– Përpjekja për vet përmirësim, që të kemi një shoqëri e vend më të mirë, nëpërmjet leximit e vetë kultivimit, të cilat në vend që të trajtoheshin e kuptoheshin si vlerë e reflektim, ngjallën frikë dhe u keqinterpretuan për të arritur në ndëshkim ekstrem.
Do të ndalem në dy momente që sipas meje kanë të bëjnë me:
– Njeriun e ditur me shpirt dhe tolerant, në kohë reale;
– “Njeriun e Ri” ateist, të pandjeshëm me besim, moral dhe shpirt të deformuar, që nuk dinë, as njohin, Peshën e Mëkatit.
Për të demonstruar njeriun e ditur me shpirt tolerant dhe të kulturuar do guxoja, të sillja si shembull profesor Xhaxhiun, parë në kontekstin e kohës, kur thërritesh nga organi procedues, kur dëshmia dhe përmbushja e detyrimit, për kryerjen ekspertimit, përbënte detyrim ligjor, sikurse edhe sot, ndonëse në rrethana të ndryshme ku diferencën e bën zelli dhe cilësia, në këtë rast një ekspertim i thatë dhe me sens relativizues, i cili nuk plotësonte kriteret dhe pritshmëritë, që kërkonte diktatura për ndëshkim.
Askush nuk mund të pretendojë, apo aludojë në paaftësinë dhe pamundësinë e analizës për koment letrar, të njërit nga njohësit më të mirë të letërsisë së huaj në vend, i cili u bë edhe shkak për rikthimin për shqyrtim të rastit, i cili kompromentoi ekspertet pasardhës, që ndonëse moshatarë me “viktimat” nuk patën kurajon ta bënin, e cila buron nga dijenia, karakteri dhe shpirti i lirë, shprehur bukur dhe me elokuencë nga artisti Primo Shllaku; “E kanë bërë, boll më të tërhiqen në jetën e tyre …”
– “Njeriun e Ri” ateist, të pandjeshëm me besim, moral dhe shpirt të deformuar, që nuk di as njeh Peshën e Mëkatit.
Ndëshkimi për Mëkatin, si dukuri hyjnore askund si në këtë rast, nuk gjen shprehje kaq të prekshme, nëse lexon e thellohesh në analizën e vetëm disa nga subjekteve procedues, hetues, vendimmarrës etj.
Kjo e shprehur në fundin tragjik të tyre (Qani Lavdari, Selim Caka, Subi Sulçe). Ne, ndoshta vendosemi apo jemi në pamundësi, porse Zoti Jo, Ai vonon por nuk harron.
Detyra jonë është të mos harrojmë, ta përkujtojmë, përcjellim brezave, dijet për këtë të kaluar të hidhur, në mënyrë që, ajo të mos përsëritet dhe njerëzit të rendin pas vlerave si pasuria e vërtetë.
Ky rast i shprehur në dokumentacionin sekret (dosje), rezulton i mbushur me dhimbje të përhershme, mundime, fyerje, djersë, lot dhe gjak, “Vatani vaditet me gjak” duke çuar martirët në Panteonin e Pavdekësisë.
Dikush nga folësit, na kujtoi Ali Podrimjen, çka më solli në kujtesë edhe dokumentet e sigurimit në ngarkim të tij, poetet mbeten të ngjashëm, në fate e kundërshtarë të përbashkët, pavarësisht distancës, për arsyen e vetme: mendimin ndryshe.
Do ishte nder dhe privilegj, për çdo popull e krahinë të kishte dy diamant të tillë, ndonëse në fatkeqësi, që bëjnë hije të madhe, si dhe rrapi i Bërzeshtës, duke vështirësuar e shtuar përgjegjësitë e brezit të ri për promovim e lartësim publik, të cilëve do u nevojitet shumë punë, dije e moral për të dalë nga ky “eklipsim i madh”.
In memoriam: Në datë 19 Korrik 2017, u hap dhe dorëzua familjareve, dosja e Genc Lekës, poetit të pushkatuar 45 vjet më pare.
Dosja e plotë e digjitalizuar, përbëhej nga dosja formulare, dhe ajo hetimore e gjyqësore.
Në këtë dosje gjenden dorëshkrime, ditarë, letërkëmbime, e mënyra se si Sigurimi i Shtetit ka përgjuar Gencin dhe Vilsonin; duke nisur nga procesi hetimor dhe ai gjyqësor, deri në ekzekutim./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016