Nga Uran Kalakulla
Pjesa e dyzetekatër
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
Megjithatë, në historinë tonë të dhimbshme, plot me skena të ngjethshme tragjike dhe errësirën e shekujve të robërive të zeza, prapëseprapë geni shqiptar la prapa, deri më sot, në mos një vazhdë të pandërprerë drite, si një kometë, të paktën, hera-herës, shkëndijime plot dritë të gjallë, si yjet e një konstelacioni të largët, fshehur diku thellë në errësirën kozmike. Ndoshta një yll i tillë, po të kishte jetuar e të kishte patur kushtet të zhvillohej më tej, do të ishte, pa dyshim, edhe djaloshi martir, Mustafa Bajraktari. Por atë e burgosën sepse donte dritë e liri, si shumë të rinj të tjerë që u iku rinia e jeta skutave të ftohta e të ndyra të burgjeve, kanaleve të kampeve të punës apo para skuadrave të pushkatimit.
Dhe sot, komunistët e ata që i pasojnë, kanë gojë e thonë se ish të burgosurit politikë, s’kanë kulturë, s’janë të denjë për punëra me përgjegjësi, poste drejtuese! Të denjë sot na qenkan vetëm të bijtë e nomenklaturës, xhelatë dhe ata që, me servilizëm të ndyrë, i shkonin pas përbindëshit njeringrënës, me hosanara e daulle festive, duke lëpire të babëzitur ndonjë kockë, siç ia hedh padroni nga tryeza e vet, ku kullufit thelat e majme, qenit te tij besnik që i zvarriste ndër këmbë.
Jeta e Mustafa Bajraktarit qe e shkurtër. Se, a mund të mbijetojë gjatë drita e një pishtari në mes të një rrebeshi të gjatë dimëror që, lë pas përmbytje, mjerim, vdekje? Ai kishte lindur në gjirin e një familjeje të thjeshte e të ndershme tropojane. Ende fare i njomë i kishte qëlluar, si i internuar, të jetonte ndër baltërat e Myzeqesë dhe aty të ndiqte mësimet e mesme, në një nga ato shkollat e fshatit, ku dhe në kishte libra, veç atyre shkollore, ishin vetëm “blloqet e agjitatorit të partisë”, apo “veprat” e diktatorit.
Por Mustafai etur për dije si toka e tharë për ujin e shiut, kërkonte vazhdimisht ndër miq e shokë të babait, gjësendi që t’i afrohej ushqimit të tij të parapëlqyer për shpirtin, mendimin e lirë e të vërtetë. Kështu edhe nga letërsia artistike, nga një përkthim i Balzakut apo Hygoit, ai qëmtonte me zell aty ku kishte dritë mendimi e, jo skenat sentimentale të erotikës, sido që edhe ai ishte i ri. Dhe hap pas hapi, si milingona që mbledh ushqimin, kishte mbledhur “zahirenë e tij” shpirtërore dhe kishte kultivuar, si autodidakt i thekur, atë botë të brendshme të spikatur, që ia kishin blatuar fati e Zoti.
Me sa dukej, gjeni i tij malësor, gjen i racës së vërtetë shqiptare, kishte trashëguar diçka mistike nga legjendat e mitet e alpeve tona, aty ku lindin rapsodët me eposet e tyre, aty ku lartësitë e thepisura të maleve sfidojnë qiellin, aty ku enden ndoshta edhe tani perënditë pagane klasike. A thua këtu e gjente prirjen e tij të spikatur për hulumtim filozofik dhe adhurimin për gjenialitetin e mendimeve te lashtësisë greke? Me Mustafanë shumë herë shëtisnim bashkë në oborrin e ngushtë e të zymte të burgut të Burrelit. Ai më donte dhe më besonte, siç e doja dhe i besoja edhe unë. Nuk ishim aspak në raportin mësues-nxënës, pavarësisht nga diferenca e moshës.
Ishim thjesht shokë të mirë e gati miq. Dhe mund të them me mburrje të ligjshme, se unë isha i parapëlqyeri për të, ndër intelektualët e atij burgu, me të cilët rrinte e bisedonte në mirëbesim ai djalë i rralle. Ç’është e drejta, për politikë bisedonim jo shume me të, sepse, siç thashë më lart, atij më shumë se faktet e ditës dhe komentet rreth tyre, e interesonte teoria politike, doktrinat dhe mundohej sidomos të thellohej në kritikën ndaj të ashtuquajturit “socializëm shkencor”, domethënë ndaj marksizmit. Dhe këndej merrte shkas për t’u hedhur pastaj aty ku ishte “dobësia” e tij.
Unë i kisha huajtur disa libra filozofie, qe i ruaja si sytë e ballit. Ndër të tjerët kisha për zemër librin voluminoz të autorit të njohur antifashist italian, profesorit të mirënjohur të paraluftës, Guido de Ruggero: “Folosofi del Novecento”, si dhe monografinë tjetër të tij, si shtojce e këtij libri “L’ esistenzialismo”.
Ishin libra me vlerë, qe i ruaj edhe sot me xhelozi, por çudia ishte se djaloshi i ri, qe sapo kishte mbaruar metodën “Alge”, për mësimin e italishtes, metodë mjaft e thjeshtë dhe e shkurtër, nisi ta thithte italishten, duke lexuar prozën filozofike në italisht, që, për mendimin tim, është mjaft më e vështirë se në frëngjisht e anglisht, për arsye se autorët italianë të asaj proze e të asaj kohe, duket, ngaqë kishin formim të theksuar klasik, përdornin një italishte klasike, me strukturë sintaktike latine, pa llogaritur termat e fjalorit filozofik.
Ai krijoi shumë shpejt një vizion mjaft të saktë për moshën dhe kushtet e atëhershme, për temat e mëdha të gjithë historisë së filozofisë, për shkollat dhe sistemet si dhe kishte krijuar qysh atëherë parapëlqimet e veta, për autorët e këtyre shkollave. Ai fliste me admirim të veçantë për intuitën e hollë te mendimit spinozian, për panteizmin, ashtu si më fliste me entuziazëm për dialektikën e Heraklitit dhe të Hegelit, apo me përbuzje për materializmin, vulgar e primitiv, sipas tij, të një Helvetiusi, Avenariusit apo Holbahut. Por edhe në këtë mes ai përzgjidhte kryesisht Kantin dhe mund të them se kishte rënë në dashuri me të, për aq sa dinte nga filozofia kantiane për interpretimin e Universit dhe për veprën “Kritika e arsyes së pastër”.
Duke folur për filozofinë e historisë, së cilës unë i jepja në atë kohë një rëndësi të veçantë, duket nga që doja t’u kundërvihesha tezave të materializmit historik marksist (me aq sa mundja), Mustafai, mbasi më fliste për parashtrimin hegelian mbi zhvillimin ciklik të historisë së njerëzimit, i pëlqente me fort të ndalej më hollësisht te shpjegimi filozofik i ekzistencialistit Jaspers në këtë fushë, i cili, siç dihet, i jep rëndësi parësore kuptimit problematik të historisë.
Djaloshi i mençur më shtjellonte me fjalët e veta tezat e Jaspers-it, se mbi të tashmen rëndojnë errësira e së kaluarës dhe e së ardhmes dhe se në kohën tonë, ka një prirje të theksuar ndaj demokracisë, me të gjithë përbërësit e saj: më tepër liri e barazi shoqërore, dënimi i çdo lloj diktature, sidomos asaj komuniste, përjashtimi dhe mohimi i çdo imperializmi, paqe e përgjithshme, nxitje e mëtejshme e zhvillimit të shkencës, por duke shmangur në çdo mënyrë fetishizimin e makinës, ndaj të cilës duhet patjetër të jetë zot njeriu e, duke pasur veçanërisht kujdes që të shmanget po në ketë mes, edhe zhvillimi i mangët shpirtëror i njerëzimit.
E djaloshi vazhdonte pastaj me tezën, ndoshta jo fort demokratike, të Kirkegaard-it, që thotë se e vërteta qëndron në pakicën e ndërgjegjshme, ndërsa shumica kapet shpesh pas iluzioneve dhe nuk para ka fort opinione të vetat e origjinale. Mustafa Bajraktari ishte një antikomunist i formuar dhe i vendosur. Ai e quante komunizmin fatkeqësinë më të madhe të të gjithë historisë së njerëzimit, madje kataklizëm të erës moderne. Ai e përbuzte atë më fort se evazionet barbare të Xhenxhis Khanit mongol apo, të një Atile; ai e quante nganjëherë murtajën e shekullit njëzet. Ai thoshte se Lenini e ka përdhosur Marksin, ashtu si ky i fundit ka përdhosur Hegelin, e gati po ashtu si Stalini, ka tradhtuar Leninin e Trockin bashkë.
Kurse për diktatorin shqiptar, ai s’kishte fare qejf të fliste, ngaqë kishte dëgjuar për karakterin e tij meskin e të deformuar si dhe për aventurat e tij homoseksuale dhe të qenit zhigolo. Më kujtohet se ai tha njëherë: “Nëse Lenini është i egër si mongol, në moralitetin e tij aziatik, Enver Hoxha është i egër në imoralitetin meskin perëndimor. Kjo duket si hakmarrje ndaj virtytit, që s’ka arritur ta ketë kurrë”! Ende nxënës gjimnazi, para maturës, ai mori arratinë e doli përtej kufirit. Por UDB-ja, kur pikasi se ku synonte djaloshi i mençur dhe guximtar, e ktheu për këtej kufirit dhe ia dorëzoi simotrës së vet, Sigurimit të Shtetit shqiptar.
Duke qenë në kampin e Spaçit, në një galeri të thellë, diktoi një birë dhe, pasi e gërmoi më tutje për ditë me radhë, në fshehtësinë më te madhe dhe i vetëm, doli përtej telave të rrethimit dhe ia mbathi prapë drejt kufirit, me planin që këtë radhë të mos dorëzohej i gjallë te jugosllavët por, në mënyrë klandestine, të përshkonte krejt vendin e huaj, deri në kufirin italian, pranë Triestes, për të kaluar në Perëndimin e tij të adhuruar e që të mundte të realizonte ëndrrën e tij të madhe të formimit të plotë në një nga universitetet e mirënjohura të botës dhe në bibliotekat e vendeve të kulturës. Por e zunë prapë, pa kaluar kufirin, gjithnjë me tradhti. Dhe e sollën në burgun e Burrelit.
Kohët e fundit ai kishte nisur t’i humbte shpresat. Dhuna e egër dhe e gjatë, uria, skamja, dëshpërimi i mbarë popullit që pasqyrohej edhe në burg, u bënë si një mbishtresë e rëndë në ndërgjegjen e tij tepër të ndjeshme. Kështu atë nisi ta zaptojë pesimizmi dhe dëshpërimi. Pak e nga pak zymtia i pushtoi shpirtin dhe në atë mes, zuri të bëje efekt të vërtetë filozofia ogurzeze e cirenaikut Egezia (shek. IV-III, para Krishtit.), i cili predikonte se për t’i shpëtuar dhimbjes dhe vuajtjes, e vetmja rrugë ishte mohimi i jetës, kërkimi me çdo kusht i vdekjes, si çlirim nga çdo e keqe. Jo më kot, atij filozofi kobzi, që në kohën e vet, ia patën ngjitur nofkën e merituar “këshilltari i vdekjes”.
Një dite, kur dolëm në ajrosje si zakonisht, nuk ma zuri syri Mustafanë. Pyeta të tjerët dhe ata ngritën supet. Djaloshi, me copa çarçafësh të grisur, kishte sajuar një si litar dhe me të ishte varur në hekurat e dritares së dhomës. Kur hymë brenda e gjetëm të vdekur. Rojat e nxorën trupin e ngrirë jashtë, për ta varrosur nuk dimë se ku. Dhe ai është një ndër viktimat e shumta me varr të humbur.
Sikur t’i gjendej varri, mbi dërrasën e mermertë të tij, poshtë emrit dhe fotografisë, unë do të gdhendja fjalët përfundimtare të veprës së Kantit; “Kritika e arsyes praktike”, që thonë kështu: “Dy gjëra e mbushin shpirtin tim me adhurim: qielli i hyjnizuar sipër dhe ligji moral brenda meje”! Fjalë skulpturike, qe tregojnë tamam thelbin e qenies së rrallë të atij djaloshi të veçantë, me një emër të thjeshtë: Mustafa Bajraktari! I përjetshëm qoftë, për gjithë ne bashkëvuajtësit, emri dhe kujtimi i tij!
Avzi Nela
Me Avzi Nelën qemë njohur prej kohesh nëpër kamp-burgjet e rravgimeve tona të përbashkëta. Atëhere ishte një djalë diçka mbi të tridhjetat, por çudia ishte se flokët kishin nisur t’i thinjeshin, sikur t’i kishte kaluar të pesëdhjetat. Me shtat mesatar, ai vinte disi i hajthëm, por jo i dobët. Madje po t’i vëreje fytyrën, gjithnjë me faqe të kuqe, të bënte të besoje se ishte gjithë shëndet. Por ajo që të bënte përshtypje tek ai, ishin sytë. Ishin sy të një veçorie të rrallë, qerpikë të gjatë si të një fëmije, sy larushë, gjithë shkëlqim, që shprehnin fare qartë një mirësi shpirti të pafund.
Ata sy veç rrallëherë mund t’i shikoje të ngrysur, të trishtuar. Dhe unë bëja çudi se si ishte e mundur në atë dreq vendi të mbrapshtë ku ndodheshim, në emër të dhunës, në sytë e atij burri nuk pashë kurrë zymti, ngrysje, siç ngryset qielli kur përgatitet shtrëngata me rrebeshe. Avzi Nela ishte nga ana e Kukësit. Për kuksianët unë që në fëmijëri kisha një lloj simpatie të veçantë. Se i kisha njohur ata si druvarë që vinin në Tiranë dimrit, për të prerë drutë e zjarrit, ose shisnin sheqerka, pipra, kokoshka, molla-sheqeri, bozë e salep. Njerëz punëtore, të pafjale, të sjellshëm, që nuk trazonin kërrkënd, veçse shikonin punën e tyre.
Edhe në kamp-burgie ashtu ishin dhe kur unë përpiqesha të hyja në intimitetin e tyre shpirtëror, gjeja aty një pastërti, thjeshtësi, një lloj naiviteti të veçantë, që ishte gatuar me besimin ndaj të tjerëve dhe përjashtimin pothuajse të plotë të hilesë, mashtrimit. Duket, si malësorë klasikë që ishin, blegtorë të zellshëm dhe të zotë, ata, duke u lidhur ngushtë me natyrën, kishin marrë gati tiparet e saj për të gatuar shpirtin e tyre tradicional, qëndresën e maleve, butësinë e livadheve, bardhësinë e borës së kreshtave, blegërimën e bagëtisë, qetësinë e pllajave ku shtriheshin kullotat.
Dhe të rritur në këto male, ata sikur kishin marrë edhe qëndresën e durimin e shkëmbit që nuk pyet as nga acari e suferina, as nga rrebeshi i shirave të rrëmbyer, as nga uturima e përrenjve thejqafës. Dukej që në shpirtin e atyre malësorëve, fyejt baritorë, përzier me tamtamet e daulleve kishin shkrirë në një lirikën dhe epikën popullore. Vallet kuksiane janë shprehja e qartë e epikës, kësaj poezie të trimërisë, që i ngjajnë përleshjes së shqipes me ujkun, ndërsa lirika e fyellit sjell jehin e vajzave që thurin gjerdanë lulesh në pranverë, që qepin dhe qëndisin xhamadanët e tyre apo të djelmoshave, me gjitha ata gajtanë e zbukurime te tjera.
Krahina e Kukësit, po dihet nga historia, ka qenë gjithmonë një kala e lirisë kombëtare, kundër turkut, kundër serbit. E sidomos kundër këtij të fundit, gjatë gjithë mbarimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë e, gjatë gjithë shekullit të njëzetë. Dhe kam përshtypje se në shtegun kuksian kane lëne rreshtat shumë serbër shovene. Avzi Nela e kishte në shpirt këtë frymë epiko-lirike. Unë mund të them me plot gojën se gjatë gjithë burgimit tim të gjatë, në kamp-burgje të ndryshme apo në burgun e Burrelit, nuk diktova asnjë kuksian, edhe atë të pashkolluarin, që të degjeneronte në spiun, kumarxhi, homoseksual, hajdut, intrigant, sherrxhi etj.
Kështu më ka mbetur në ndërgjegje një respekt dhe madje një dashuri për mbarë popullin e kësaj krahine. Por, të më falin bashkë-krahinarët e tij, se në radhë të parë e ushqej këtë respekt e nderim për një ndër më të mirët e tyre, për shokun tim bashkëvuajtës, por mikun tim të dashur, Avzi Nelën. Nuk mbaj mënd mirë se në cilin kamp-burg u njoha së pari me Avziun. Por, sidoqoftë, që aty u afruam dhe nisëm bisedat tona, krye-tema e të cilave ishte sa mizerabiliteti i kohës aq edhe shpresa, e pse jo edhe besimi, për një perspektivë të ndritshme, për një ditë të bardhë. Dhe në këtë mes hynte shpesh herë edhe letërsia, pas së cilës ai ishte kapur me një pasion të veçantë.
Por koncepti i tij për artin letrar, nuk ishte aq fort funksioni estetik i tij, se sa ai edukativ. Kështu Avziu ishte një ndjekës shumë besnik i letërsisë së Rilindjes sonë, ku patriotizmi është, siç dihet, krye-tema e saj, misioni i saj. Për Avzi Nelën, Naim Frashëri ishte vëllai shpirtëror i Fishtës, dy vëllezër këta që formonin shtyllat kryesore të kombit. E vetëm pas tyre vinin Çajupi, Mjeda, Noli, Konica, Asdreni etj. Gati- gati, kjo plejade e letrave shqipe, në ndërgjegjen e Avziut, kishte arkitekturën e Olimpit të mitologjisë së lashtë ku, sa për krahasim, Apoloni duhej të ishte Naimi, Marti-Fishta e të tjerët pas tyre. Por ama në krye te fronit qiellor qëndronte, pa diskutim, si Zeusi, vetëm Skënderbeu! Ja, kjo ishte feja e Avzi Nelës.
Ai kishte qenë, si edhe unë, mësues. Kishte kryer Institutin dyvjeçar Pedagogjik, më duket me korrespondencë (nuk më kujtohet, në Tiranë apo në Shkodër), vetëm me qëllimin që të bëhej arsimtar, të bëhej mësues i gjuhës dhe i letërsisë në krahinën e tij. Kështu pasioni i tij ishte që t’u fuste në shpirt fëmijëve, tamam po atë zjarr patriotik që flakëronte në shpirtin e tij. Dhe pas kësaj, apo njëherit me këtë, sigurisht t’u ndërtonte shpirtin çamarrokëve kuksianë me moralin e shëndoshë dhe epik të maleve tona, me tri normat e tij kryesore: besën, burrërinë, bujarinë. Pa këto norma shpirti i vërtete i shqiptarit nuk mund të mbijetonte, ai do përdhosej, do ligështohej, do të kthehej nga moral në amoralitet.
Dhe tek e shihte që me “edukatën socialiste” gjithçka po përmbysej shpirtërisht që në brezin e njomë, ai kishte vendosur të krijonte një rezistencë serioze, edhe pse të heshtur, disi të maskuar, ndaj një epidemie fort të rrezikshme që po përhapej aq me zhurmë e me tamtame shurdhuese. Por, kur mësuesi profesonte këtë moral të shëndoshë klasik shqiptar me nxënësit e vet, si do të ishte e mundur që ai jashtë klasës, në fshatin e tij apo, në kolektivin e mësuesve a në shoqërinë e tij, do të mund të shtirej ndryshe, do të mund të heshtte, të behej vuv, pra një shurdhmemec, një hipokrit? Ja pra edhe rënia e tij e natyrshme në burg.
Po, ai kishte rënë në burg tamam si një misionar i fesë, që jo vetëm mbron besimin nga lakenjtë e ateizmit, këta blasfemistë banalë e të pështirë, por vazhdonte t’i thurte lavde Perëndisë, edhe kur e shihte se rrotull po i skërmitnin dhëmbët qentë e tërbuar të Sigurimit të Shtetit, gati për ta shqyer të gjallë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm