Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al / Dokumentet arkivore që po publikojmë në këtë shkrim, të cilat i përkasin periudhës kohore; dhjetor 1948-qershor 1949 dhe shohin dritën e botimit për herë të parë, janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe fondi i ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë. Ato parqesin një nga momentet më të rëndësishme dhe dramatike gjithashtu, të historisë së Shqipërisë komuniste: procesin politik, dënimin dhe ekzekutimin e gjeneral-leitnant Koçi Xoxes, një nga figurat kryesore në hierarkinë e Partisë Komuniste që nga periudha e Luftës, i cili mbante postet më kryesore pas Enver Hoxhës, si; anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar politik i Partisë Komuniste të Shqipërisë, zv. kryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, etj.. Goditja ndaj tij filloi në fundin e vitit 1948 dhe u bë publikisht në Kongresin e Parë të PKSH-së, ku ai u akuzua për “trockizëm” dhe “veprimtari kundërrevolucionare”. Si rezultat, pas disa ditësh ai u arrestua dhe pas një procesi hetimor që zgjati disa muaj, në marsin e vitit 1949, doli para gjyqit që e dënoi me vdekje me pushkatim.
Ndërsa të gjitha këto e të tjera për figurën e Koci Xoxes, tashmë janë të njohura, pasi janë bërë publike para dhe pas viteve ’90-të, dokumentet që po publikojmë në këtë shkrim, dëshmojnë përpjekjet e fundit të Xoxes, për të shpëtuar jetën, dhe vendimin e pamëshirshëm të regjimit komunist, pas së cilit ishte vetë Enver Hoxha, për të eliminuar një nga kundërshtarët më të mundshëm të tij, që ai e shihte si rival kryesor në përpjekjet për të ruajtur kreun e Partisë dhe të shtetit që Hoxha drejtonte zyrtarisht, që nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944.
Në dokumentet në fjalë që po publikojmë në këtë shkrim, krahas akuzave formale kundër Koci Xoxes si; “karrierist, trockist dhe arrivist” dhe kërkesa për të paraqitur para “gjyqit të popullit”, të cilat “vinin” me telegram nga Gjykata e Gjerë e rrethit të Korçës, na sjellin dhe reflektojnë retorikën e asaj kohe, (ku fjalët “armik i popullit” kishin filluar të përdoreshin dendur), do shohim edhe korrespodencën ndërmjet Gjykatës së Lartë, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Ministrisë së Drejtësisë, të cilat i kërkonin zyrtarisht njëra tjetrës, mos faljen e jetës së Koci Xoxes.
Të gjitha këto vijnë pas një apeli emocionues drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku Xoxe mes të tjerash kujton edhe kontributin e tij në Luftën Nacional-Çlirimtare dhe kërkon mëshirë, për shkak të familjes, bashkëshortes dhe gjashtë fëmijëve të vegjël, ku më i madhi ishte vetëm 12 vjeç.
Por siç dihet tashmë, asgjë nga këto nuk do të merrej parasysh dhe vendimi për dënimin e tij me vdekje, nuk do vihej në diskutim, nga asnjë prej atyre tre “kolonave” ku mbahej shteti komunist. Ajo që vihet re në këto dokumente (të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet përkatëse), letra e Koci Xoxes drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor për faljen e jetës mban datën 10 qershor, kurse të gjitha dokumentet e tjera, duke filluar nga; relacioni i ministrit të Drejtësisë Manol Konomi, dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, relacioni i Gjykatës së lartë, dërguar Ministrisë së Drejtësisë, relacioni i sekretarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Sami Baholli, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit Popullor, ku u muar në shqyrtim kërkesa e Koci Xoxes për faljen e jetës, vendimi i atij Presidiumi me refuzimin për faljen e jetës së tij, si dhe proces-verbali i datës së ekzekutimit të Koci Xoxes. Pra, të gjitha këto mbajnë datën 11 qershor 1949, çka praktikisht është e pamundur edhe për arsye kohe fizike, të mbaheshin të gjitha këto mbledhje, gjë e cila hedh dyshime, se ato janë formuluar ditë më pas.
Kështu, ekzekutimi i tij më 11 qershor 1949, (thuhet se u pushkatua diku në periferi të Tiranës, në një vend ndërmjet ish-Shkollës së Qenëve dhe Varrezave të Tufinës) shënoi fillimin e një serie spastrimesh në elitën komuniste, e cila zgjati afro 40 vite dhe përfundoi me vdekjen e diktatorit Enver Hoxha, ne mesin e viteve ’80-të.
TELEGRAMI I KËSHILLIT TË GJERË TË GJYKATËS SË KORÇËS, KU I KËRKON QË KOXI XOXE DHE PANDI KRISTO, TË DALIN PARA GJYQIT TË POPULLIT DHE TË JAPIN LLOGARI PËR TË ZEZAT QË I KANË BËRË
16. XII. 1948
Na, Këshilli i gjerë i Gjykatës së Korçës, pasi pamë veprimtarinë e gjerë dhe të vazhdueshme të karrieristit, trockistit dhe arrivistit Koci Xoxes, në dëm të popullit e të atdheut, vendosëm unanimisht që Kocio Xoxe dhe Pandi Kristo, të dalin sa më para para gjyqit të popullit, e të japin hesap për të gjitha të zezat që i kanë punuar.
Për Këshillin e Gjykatës
Gjush Rustemi
RELACIONI I MINISTRIT TË DREJTËSISË MANOL KONOMI, DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, ME LUTJEN E TË DËNUARIT ME VDEKJE KOCI XOXE, QË T’I FALET JETA
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë, më 11.VI.940
MINISTRIA E DREJTËSISË V.F – L.P.
(Dega e Administratës)
Nr. Prot. 488 Rez.
Lënda: Kërkesë për falje dënimi Koci Xoxes
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Tiranë
Bashkangjitur ju paraqesim lutjet e të dënuarit me vdekje nga Gjykata e Lartë, Koci Xoxe, drejtuar atij Presidiumi dhe Kryesisë së Kuvendit Popullor, me të cilat kërkon t’i falet jeta.
Gjithashtu n’origjinal ju dërgojmë shkresën, Nr. 227, dt. 11.6.1949 të Gjykatës së Lartë.
Duke referuar sa më sipër dhe duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të të dënuarit si dhe gravitetin e fajeve të konsumuara prej tij, jemi të mendimit, që të mos i akordohet falja e kërkuar.
MINISTRI
Manol Konomi
Refuzohet
11.6.1949
LETRA E KOCI XOXES DËRGUAR KRYESISË SË KUVENDIT POPULLOR, KU AI I KËRKON FALJEN E JETËS, PËR KONTRIBUTIN E MADH QË KA DHËNË LUFTËS NACIONAL-ÇLIRIMTARE QË NGA KOHA E MONARKISË
V.F. L.P.
Kryesisë së Kuvendit Popullor, për Kuvendin Popullor
Tiranë
Me datën e sotme, 11 qershor, 1949, Gjykata e Naltë vendosi ndëshkimin t’em, me vdekje.
Duke përfituar nga rasti që Kuvendi Popullor është në seancë të çelur, ky apel, atij të nderçmit Kuvend që të më falë jetën, duke marrë parasysht kontributin tem që i kam dhënë luftës së popullit, që në kohën e regjimit të Zogut, dhe Luftës N.Ç. që në fillim dhe deri në mbarim.
I sigurt që kontributi tim nuk do të nënvleftësohet dhe do të më falet jeta, që….kundra popullit dhe Republikës, unë gjithashtu i them atij Presidiumi, gjë gjatë zhvillimit të procesit dhe të gjyqit, më kanë prekur rëndë disa probleme të procesit dhe kam rënë në një sensibilitet dhe mërzitinë shumë të madhe, dhe kam gabuar në qëndrime të ndryshme, jam edhe fajtor për këto qëndrime.
Këtë falje ma akordoni, po të jetë se e lejojnë interesat e popullit, të partisë dhe të socializmit.
Unë dëshiroj që të gëzoj Shqipëria…..edhe nga burgu, dhe kalmanët e mij.
Të rojë Republika Popullore, të rojë populli, të rojë partia e jonë, dhe udhëheqësi i Partisë dhe i popullit, shoku Enver.
Me shpresë se kontributi tem nuk do të nënvleftësohet, dhe do të më falej jeta, më nepet rasti me parashtrue konsiderasionet tem, më të vyera.
Me nderime
Tiranë, më 10.VI.949 Koci Xoxe
LETRA E GJYKATËS SË LARTË PËR MINISTRINË E DREJTËSISË, ME KËRKESËN QË TË DËNUARIT ME VDEKJE, KOCI XOXE, TË MOS I FALET JETA
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË V.F. – L.P.
GJYKATA E LARTË Tiranë, më 11.VI.1949
Ministrisë së Drejtësisë
Tiranë
Tuj përcjellur dy lutjet për falje të të dënuarit me vdekje, Koci Xoxe, drejtuar Presidiumit dhe Kryesisë së Kuvendit Popullor, kjo Gjykatë është e mejtimit që atij t’i refuzohen lutjet.
Antar Antar Nën Kryetar i Gjykatës së Lartë
Vasil Trimçev Niko Zoto Frederik Nosi
LETRA E GJYKATËS SË LARTË PËR MINISTRINË E DREJTËSISË, ME DY TELEGRAMET QË I KANË DËRGUAR ASAJ, FAMILJA E KOCI XOXES, KU ATA KËRKOJNË QË T’I FALET JETA NJERIU TË TYRE
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË V.F. – L.P.
Gjykata e Lartë Tiranë më 11.VI.1949
Nr. 227/2
Ministrisë së Drejtësisë
Tiranë
Bashkëngjitur ju dërgojmë dy telegrame dërguar kësaj Gjykate, për Presidiumin e Kuvendit Popullor, nga pjesëtarët e familjes së të dënuarit me vdekje Koci Xoxe, për t’ia paraqitur Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Nën Kryetar i Gjykatës së Lartë
Frederik Nosi
Presidiumit të Kuvendit Popullor
Për kompetencë Ministrisë së Drejtësisë
Gj. Hoxha
A.A.
Lutja ju refuzua
11.6.’49
NË ANËN E GJYKATËS SË NALTË
PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, TIRANË
TIRANË TIRANË 457 15 53 11/6/’949
GJYKATA E NALTË VENDOSI DËNIMIN E DJALIT T’EM, KOCI XOXE, ME VDEKJE, LUTEM PËRULËSISHT QË TË MËSHIROHET JETA E TIJ DUKE PASË PARA SYSH, QOFTË EDHE MA T’Ë VOGLIN KONTRIBUT QË I KA DHANË LËVIZJES NË FILLIM. ME NDERIME DHIMITËR XOXE.
NË ANËN E GJYKATËS SË NALTË
PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, TIRANË
TIRANË TIRANË 457 15 53 11/6/’949
GJYKATA E NALTË MË DATËN 10 QERSHOR 949, VENDOSI DËNIMIN ME VDEKJE TË BASHKËSHORTIT TIM, KOCI XOXE, NË EMËN TIM PERSONAL DHE TË GJASHTË FËMIJËVE, MË I MADHI 12 VJEÇ, LUTEMN DHE KËRKOJ KLEMENCË, TUE IU FALUR JETA BASHKËSHORTIT E ME PËRULËSI, SOFIKA XOXE. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016