Nga SHPENDI TOPOLLAJ
Memorie.al / Plot 58 vjet më parë, djegia e një filmi celuloid, më dha mundësinë që për t’u justifikuar, t`i shkruaj një vajze, e cila sapo kishte nisur gjimnazin dhe që priste fotografitë që kisha bërë me disa të afërm, ku ishte dhe ajo, një letër prej katër faqesh, çka u bë edhe shkaku që prej kohësh që s`mbahen mend, Tatjana të jetë gruaja ime. Çfarë nuk do të jepja, sikur në albumet e shumta që kam, të ishin dhe ato fotografi fatkeqe. Kjo më ngjau edhe një herë tjetër, kur tek unë erdhën një natë Ismail Kadareja me Helenën dhe njërën vajzë. Unë, mesa duket isha një fotograf i pazoti, prandaj gjithmonë më vjen ndërmend thënia e shkrimtares Suzan Sontag, se; “…fotografët janë promovuesit aktivë të nostalgjisë”, kështu që jo vetëm nxora mësimet e duhura, por edhe mësova të kem respektin më të madh për fotografët dhe artin e tyre.
U bëra maniak i fotografive, aq sa nuk besoj se ka në Durrës një të dytë klient te “Foto Venecia”, që t`i bëjë si unë paratë fotografi, sikurse më thonë miqtë me shaka. Kuptohet që dashje pa dashje u bëra ndjekës i këshillës së gazetarit fiorentinas Tiziano Terzanit: “Bëj vetëm foto, lër vetëm gjurmët e tua”. Kam nderimin dhe vlerësimin më të madh për fotografët dhe nuk lë ekspozitë apo album të tyre pa parë.
Prandaj, sa herë miku im i dashur, teoricieni ynë i historisë së fotografisë, intelektuali i klasit të parë Qerim Vrioni, që ashtu siç e thotë nga arabishtja edhe emri i tij, është sa zemërgjerë aq dhe fisnik, më sjell librat e tij për këtë art magjik, i cili sipas producentit Andy Warhol, “…nuk ndryshon kurrë, edhe kur njerëzit që janë në të ndryshojnë”, ndihem i lumtur.
Para pak ditësh, teksa isha në Tiranë, ku më kishte ftuar artist ii njohur Bujar Kapexhiu (“Nderi i Kombit”) për të marrë pjesë në promovimin e dy librave të tij, u takova me Qerimin i cili më dhuroi librin e botuar tash së fundi, me titull “Shkrepje të rralla fotografike”. Sapo mbërrita në shtëpi, nisa ta lexoj dhe ashtu vazhdova derisa e mbarova, dhe pa e zgjatur fillova të shkruaj diçka rreth emocioneve dhe përshtypjeve që më la.
Me thjeshtësinë e tij karakteristike, Qerimi ka vendosur si nëntitull fjalët; “Sprova dhe artikuj për fotografinë”, por kushdo që e lexon këtë libër, lehtësisht vëren se ai me kulturën e tij dhe pasionin që ka për ata që e konfiguruan këtë art, që përmes çastit mund të arrijë përjetësinë (Bresson), e paraqet veten si një autor jo vetëm me kulturë të madhe, me njohuri historike, me aftësi analitike, por edhe si një psikolog i vërtetë që arrin të futet në brendësi të gjendjeve shpirtërore si të personazheve, qofshin ata dhe anonimë, ashtu edhe të atyre burrave e grave që i realizuan ato foto.
Ky libër nga ana e tij është edhe një shembull se si duhen mbledhur si gurë mozaiku artikujt e shkrimet e botuara aty – këtu, në një libër të vetëm. Autori Qerim Vrioni, duke folur për fillesat e fotografisë në Shqipëri, shkruan me të drejtë se; “Fotografët me intuitë, e kuptuan se arti i tyre komunikonte më lehtë me publikun sesa piktura dhe skulptura. Për këtë qëllim, fotografët shfrytëzuan fotografinë, këtë demokrate të madhe e të heshtur, për të ngritur lart frymën atdhetare”.
“Demokrate e madhe dhe e heshtur” – a ka definicion më domethënës se ky i Qerimit, i cili ka zgjedhur ta nisë librin e tij me kartolinën e krijuar nga vepra e Theohar Gjinit, kushtuar heroit tonë Gjergj Kastriotit, të cilin e kanë quajtur piktor mëmëdhetar dhe për të cilin Faik Konica dhe Fan Noli nga ana e tyre, e kanë quajtur respektivisht “shqiptar të kulluar, atdhetar të vërtetë” dhe “Piktor të Parë të Shqipërisë”.
Janë shumë domethënëse edhe diçiturat që korçari Vani Burda e shkodrani Kel Marubi, i shoqërojnë fotot e tyre për t`i shpërndarë në popull, ku ky i fundit i dhuron nëpërmjet Kryqit të Kuq 500 nga kartëpostale e tija shqiptarëve të Amerikës. Të gjithë ata që kanë folur për rëndësinë që ka fotografia, kanë qenë në një mendje se duhet të jetë në radhë të parë zemra e jo syri që e përcaktojnë atë më objektivisht.
Dhe po t`i shohësh me kujdes, në të gjithë shkrimet e këtij libri, e kupton se fotografët tanë, duke parë më shumë se fitimin, kanë pasur si qëllim ndikimin te njerëzit për zgjimin e vetëdijes kombëtare, për krenarinë e të qenit shqiptar. Mjafton fotua e rrallë për nga pjesëmarrja dhe kompozimi i fotografit Thimi Raci, lindur 1886, me titull “Dhjetë çifte dardharë” emigrantësh të ardhur pranë familjeve për Krishtlindje, Vitin e Ri dhe ‘Ujin e Bekuar’, që rreshtohen me veshje sa qytetare aq edhe tradicionale, në një ditë me dëborë, për të kuptuar se sa të lidhur ishin ata me atdheun dhe fshatin e tyre.
Burrat të veshur me kostume allaevropiançe e gratë me xibun, ka kuptimin që kudo që ata shkojnë, kokën këtu e kanë dhe gjithçka të mirë marrin andej e sjellin këtu. Në këtë foto që aso kohe duhet të ketë ngjallur diskutime, autori i librit pasi na përshkruan vendosjen e zgjuar, planin e parë, sfondin, dritën me merakun që t`u bjerë në fytyrat e pashme, sikur na kujton se sa bukur e kishte përcaktuar fotografi Marco Scataglini se; “Je ti që e bën foton, e jo aparati fotografik”.
Dhe rezultat i kësaj është fakti se puna e këtij fotografi dardhar që kish mësuar nga mjeshtri Pero Kaçauni, jo vetëm që e paraqiti Dardhën në albume e ekspozita, aq sa thanë për të se “Dardha ka qenë brenda Europës”, por edhe i jep asaj një vend nderi në Historinë e Fotografisë Shqiptare. Në faqet e këtij libri, janë përfshirë me veprën e tyre edhe dy gra të famshme: Edith Durham dhe Margaret Hasluck, njëra angleze dhe tjetra skoceze, por që ne shqiptarët u detyrohemi aq shumë, sa për të parën, pasi ia kushtoj një librin tim, them se i duhet ngritur një statujë floriri, për atë që ka bërë për ne.
Nga Durhami ai ka zgjedhur foton romantike “Një barkë (me velë të hapur shënimi im) në lumin Buna” dhe e analizon atë me të vërteta, duke vënë në lëvizje edhe fantazinë, dhe duke mos iu shmangur koniunkturës ekonomike që kalonte vendi e sidomos Shkodra dhe lidhjeve tregtare që ajo kishte me Malin e Zi. E gjithë simpatia e autorit kalon te zonja Durham, e cila ka në fondin e saj rreth 450 foto të Shqipërisë dhe shqiptarëve të fillimit të shekullit të kaluar, ku trajton peizazhin, portretin, historinë, dokumentin, etnografinë, gjeografinë, jetën sociale, etj.
Si të tillë, ai ndihet mirë kur huazon për të fjalët e ish- Presidentit Alfred Moisiu, se ajo ishte “Një nga personalitetet më të shquara të Botës shqiptare…”! Nga zoja Hasluck, Qerimi ka marrë në analizë kryesisht gjashtë foto mjaft interesante të saj, edhe ato të shkrepura në çast, sipas parimit snapshot, ku dallon mirditori para kullës në Kthellë, banorë nga Shqipëria e Mesme, kala dibrançe në Burrel, baresha e re në krye të tufës etj. Këto foto janë mjaft mbresëlënëse, por akoma më mbresëlënëse janë komentet e autorit të librit i cili nuk mjaftohet te teknikat e përdoruar gjatë fotografimit, por na jep edhe një tablo të besueshme rreth momentit kur ato janë krijuar.
Duke u ndalur te foto e bareshës, nuk mund të mos e citoj komentin e tij: “Në foton Nr. 6, paraqitet një bareshë e re në krye të tufës së dhive, duke ecur në një rrugë automobilistike, ndoshta duke u kthyer në shtëpi pas kullotës ditore të tyre. Pranë saj duken edhe dy qentë që mbrojnë bagëtinë nga egërsirat. Në fund të kopesë duket edhe një burrë, me shumë gjasë, i ati i vajzës. Nga sa dallohet, baresha ka një fytyrë të hijshme dhe trup të rregullt.
Ndoshta në një prej udhëtimeve të skocezes nëpër fshatra, vajza me kopenë e saj i ka prerë rrugën makinës, e ajo ka zbritur dhe me kënaqësi e ka fotografuar atë bashkë me dhitë. Dy qentë kanë kthyer kokat nga vajza si për t`a pyetur se si të sillen me udhëtarët përballë tyre”. Kuptohet që ky autor, falë talentit, hera – herës kalon në pasazhe letrare dhe kjo ia shton hijeshinë artikujve në veçanti e librit në përgjithësi.
Më tutje renditen fotografët me emër si ish oficeri kriminalist i Pogradecit Ardjan Fezollari, liriku i peizazhit fotografik, Filip Vito, ikona e fotografisë gjirokastrite, peizazhet e të cilit për nga gjeometria i krahason me fotografin e famshëm francez, Naun Vruho i cili “do të nëpër-kalonte brenda objektivit të aparatit të tij edhe simbolet e veçanta vendore të qytetit, të cilat i kanë dhënë gjithmonë Beratit një status të epërm”.
Kol Idromeno me atë foton në kishë, titulluar herë “Falja” e, herë “Pendimi i një mëkatari”, Dedë Jakova që e njihte mirë përdorimin e perspektivës, Ernest Baba, fituesi i konkursit ndërkombëtar të fotografisë me atë foton e paharruar “Prek me sy” (Tuch ëith eyes), Ilia Xhimitiku që ndofta pa e njohur fare pikturializmin e fotografoi Urën e Goricës, sipas shijeve estetike të kësaj rryme, Stefan Kaçulini i Durrësit me “Kthimi i barkës në port”, e deri te ajo foto-skulptura “Ndezja e cigares” ku njihen personazhet: Musto Gugaj e Abaz Haxhiaj, por thuajse jo, autori i fotografisë, etj.
Përmenden në libër edhe shumë fotografë të mirënjohur nga publiku me studiot e tyre, ku pak a shumë të gjithë e kemi nga një kujtim prej tyre, por që gjerë e gjatë për ta, historiani i fotografisë tonë, ka folur në libra të tjerë. Qerim Vrioni nuk lë pa shpjeguar edhe teknikën që fotografët kanë përdorur, pra si aparatet fotografike të kohës, ashtu edhe mënyrat e larjes, solucionet, stampimin e filmave në dhomën e errët që nga pllakat e xhamit, te filmat celuloid apo ato digjitalet e sotme. Tregon vështirësitë me të cilat fotografët ndesheshin gjatë punës së tyre dhe bën krahasimet midis fotove bardh e zi dhe atyre me ngjyra.
Na sjell edhe kuriozitete nga jeta personale e personazheve të tij dhe kjo i ngulit akoma më mirë ata në kujtesën e lexuesve. Dhe ata me punën e tyre plot ndërgjegje kombëtare, ndershmëri e pasion e shkruan historinë e fotografisë shqiptare, ashtu sikurse bën edhe fisniku Qerim Vrioni pa u lodhur, i cili sikur na thotë se ata patën si moto porosinë e gjermano – australianit Helmut Neëton që thosh: “Dëshira për të zbuluar, vullneti për të emocionuar, kënaqësia për të kapur çastin, këto janë tre konceptet që përmbledhin artin e Fotografisë”. / Memorie.al


	    	
		    












