Nga Shpendi Topollaj
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Kur simbolet e komunizmit, pas gjysmë shekulli kapardisje, u shembën, u bë një zhurmë aq e madhe, sa ne u zgjuam nga gjumi i thellë. Hapëm sytë, por jo të gjithë e besuam atë që kish ndodhur: shpesh njeriu, siç sheh disa ëndrra që i merr për të vërteta, ashtu sheh edhe disa të vërteta, që i merr për ëndrra. Për më tepër, nuk qenë të paktë ata që iu kundërvunë kësaj përmbysjeje historike, me demonstrime e, deri kërcënime. Për të kapërcyer këtë situatë, duhej durim e mençuri. Ishim vëllezër. E si të tillë e kishim detyrë intelektuale, morale e shpirtërore, që të denonconim demagogjinë e komunizmit dhe krimet e përbindshme të inkuizicionit të kuq. Natyrisht, që më të besueshëm ishin ata që kishin lënguar e vuajtur, burgjeve e internimeve. Heshtja, do të qe me të vërtetë, një mëkat i madh i tyre…!
KOHA QË PRANGOSTE LIBRAT
-Libri “Rrugët e ferrit” i Visar Zhitit-
Askush s’e di me siguri sesa të vjetra janë burgjet, ashtu sikurse, nuk jemi në gjendje të përcaktojmë, se në ç`kohë u shpikën vuajtjet dhe torturat për kundërshtarët. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: kur njeriu me fantazinë e tij pakufi, mundi të krijojë mrekullinë mitologjike, nuk harroi të ndërtojë voza bakri për të burgosur, si luftëtarin e papërkulur, Aresin, ashtu dhe bijën e bukur dhe delikate të mbretit Akris, Danajën, që kish guxuar të dashuronte.
E si të mos kishte mbetur këtu, njeriu i dha formë mbretërisë së nëntokës, pra skëterrës, ku ndërsa Hadi me të shoqen, Persefonin që kish mbetur aty, ngaqë hëngri kokrrat e një shege të mallkuar, qëndronin në një fron të artë, duke pasur shërbëtorë rrotull dhe Minosin, Eakun dhe Radamantin, si gjyqtarë të papërkulur, ngaqë kishin mesa duket në krah një roje të tmerrshëm, si Cerberi, të tjerë, si Tantali e Sizifi me shokë, provonin llahtarin e torturave të përbindshme.
Do të mjaftohem duke përmendur, se pikërisht këtu, vëllezërit binjakë Aloidë, i lidhën me gjarpërinj në një shtyllë, rreth së cilës, një buf i mundonte veshët e tyre, me britmat e tij vajtimtare.
S`është vendi të them, se ç`kishin bërë ata, veç dihet mirë, që asnjë prej të dënuarve, që kalonte pesë lumenjtë e helmuar, nuk qe dënuar si njeriu fisnik e, poeti super i talentuar Visar Zhiti, i cili te poezia “Homeri”, paskej thënë:
“Iliada ime lexohet kudo, – tha ai (Homeri), – Iliada juaj, s`ka mbaruar akoma dhe iku…”, pasi sipas ekspertëve, që do t`i kishin zili edhe vetë gjyqtarët e Hadit, “Poema ‘Iliada’ e Homerit, përshkruan shkatërrimin e Trojës së lashtë nga grekët, një Iliadë të tillë pra, shkatërrimin tonë, pret dhe autori i këtyre vargjeve”!
Siç shihet, fantazia e njerëzve të periudhës së parë të qytetërimit, e kishte një mangësi: ajo kurrë nuk parashikoi se ç`mund të ndodhte në një shtet ideologjik e, sidomos kur ai e quan veten komunist. Dua të besoj, se ky qe fat i madh për kulturën botërore, pasi në të kundërt, një Zot e di se ç`do të bëhej me trashëgiminë filozofike, historiografike e letrare, të gjithë atyre mendimtarëve e shkrimtarëve të papërsëritshëm.
Mirëpo, çudia qe shfaqur në formën e paradoksit, kur epoka e mamuthëve kishte perënduar, në skenën e historisë, dolën mamuthët njerëz. Lum kush ndeshej me ta. O Perëndia e letrave Kadare! Ku e gjete frymëzimin e mençurinë, kur shkrove:
“Kur superkafshët dridhnin botën,
Njeriu në gjunjë nuk u ul,
Ka pasur vite të mamuthëve,
Por kohë të tyre, s`pati kurrë.
Me brirë të tmerrshëm e klithma kobi,
Mbi tokë ata vunë ligjin bishë:
Megjithatë ish kohë e njerëzve,
Dhe ky planet i tyre ish”.
Duhet të kesh mendjen e zemrën e Visar Zhitit, që i “spërkatur – siç thotë ai – me gjak librash të vrarë”, të përballosh burrërisht seanca gjyqesh mesjetare, duke të kumbuar vargje të tilla, për të cilat ai plot dashuri e mirënjohje, shkruan: “Kush foli kaq madhërishëm?
Është në sallë Kadareja? Kush ma dërgoi këtë copëz të gjallë shpirti, e vetmja që m`u gjind në hum(b)nerë? Që unë të qëndroja… ndërsa ngashërimi, po më pakësohej së brendshmi”! Dhe pse e gjithë kjo?! Vetëm pse kishte dashur, të botonte një libër.
Dhe përmendet: “Është e pamundur të mos shtangesh, para martirizimit të njerëzve të letrave, të atyre që krijojnë dhe atyre që lexojnë”!
Pas kalvarit, brenda harkut kohor 1998 – 2001, ai që jemi mësuar t`i lexojmë çdo ditë nga një poezi aq të bukur në gazetë, shkruan në 470 faqe, apologjinë e lirisë së mendimit, stigmatën e inkuizicionit, triumfin e kulturës mbi injorancën, të dinjitetit mbi poshtërimin, por tani, në formën e një proze poetike, nga më të jashtëzakonshmet që është shkruar ndonjëherë.
Kurrë nuk është parë ndonjë ese kaq e gjatë, që në tërë shtrirjen kilometrike të rreshtave të saj, të ruajë të njëjtën lartësi artistike, të njëjtin tingëllim, të njëjtin ritëm, pse jo, dhe të njëjtin muzikalitet gati qiellor.
Vetëm një i poshtër ose i pazoti, mund të shprehet tani e tutje me cinizëm, se; “na mbyti letërsia e burgut”! Pas librave aq njerëzor të Uran Kalakullës, Fatos Lubonjës, Beqir Ajazit, etj., pa përmendur prof. Arshi Pipën, Visar Zhiti, në zërin “burgologji”, vendos ashtu sikurse ka emrin, një thesar të vërtetë, të cilin pak të thuash do ta kishin zili, “burgologët” me famë botërore.
Nga ana tjetër, duhet pohuar se ai i bën nder me talentin e tij të rrallë, të gjithë të burgosurve të ndërgjegjes, te të cilët, siç thuhet në libër, rrudhat janë vargje poezish, të pashkruara kurrë, lëkura është pergamenë dhe plagët kanë aq shumë dramë, sa asnjë skenë, nuk ka pasur deri tani.
I ndesh ata në çdo faqe të këtij libri dhe nuk të del nga mendja, tabloja e piktorit nga Kreta, El Greko, me titull “Hapja e Qiellit të Pestë të Apokalipsit”, që e bërë kur piktori qe në Spanjën e Torkuemadës, ndodhet në ‘Metropolitan Museum of Art’ të Nju Jorkut. Më falni që po ju tërheq vëmendjen për këto rastësi tragjike: Spanja e shekujve më parë dhe Shqipëria e viteve më parë, ku personazhet ashtu si shpirtrat e vrarë në rrëzë të altarit, thërrasin njësoj; “O Zot! Ti je i shenjtë dhe i mban premtimet e tua!
Deri kur duhet të presim, që t`i thërrasësh në gjyq banorët e tokës, për t`i dënuar, përse na vranë”! Për nga krimet që bënë tiranët, që përdhosën jetën e Visar Zhitit e shokëve të tij, duke mos i lënë gjë mangut Krum Hanit të Bullgarisë, që me kafkën e larë në argjend të Nikeforosit të parë të Bizantit, ngrinte dolli me bojarët e tij, nuk duhet pritur, që të kërkojnë falje, për gjithë sa bënë.
Dostojevski dikur ka thënë: “Njeriu dhe qytetari, vdesin në qenien e tiranit, është krejt e pamundur që ky, t`ia kthejë vetes dinjitetin njerëzor, pendesa nuk gjen strehë, në shpirtin e tij”. Atëherë, çfarë kërkon Visari me këtë libër, ku për më tepër, nuk nxit hakmarrje, ç’ka e lartëson më shumë atë, derisa pohon: “Nuk dua të akuzoj.
As kam fuqi të jem i drejtë”. As më shumë e as më pak, veç të kryej misionin që ka, siç vëren Sergei Konjenkovi, për të pasur parandjenjën e stuhisë, shumë më përpara se bubullima e shkreptima. Se kur historia të harrohet, ajo përsëritet. Në mbretërinë e Hadit, gjithmonë presin. Në pastë ndonjë brez fatin tonë të keq, a në qoftë ndokush ndonjëherë në rrezik, le ta ketë këtë libër, si bashkëluftëtar.
Pastaj, vetë Visari ka thënë një të vërtetë të padiskutueshme: “Jo çdo libër bën për në burg, ashtu si jo çdo njeri. Librat që bëjnë për në burg, i ngjajnë kalit të Shekspirit, për të cilin jepet një mbretëri. Dhe prandaj, regjimet vrasin librat. Jo çdo libër. Jo”! Librit të Visar Zhitit; “Rrugët e ferrit” nuk i është bërë ndonjë reklamë, po ashtu kritika, ende s`e ka thënë fjalën e saj.
Megjithatë, është shumë domethënës fakti, që atë nuk e gjen as në Bibliotekën Publike dhe as në ndonjë librari, pasi me një shpejtësi marramendëse, është përpirë nga lexuesit. Është e kuptueshme që ky libër, me të vërteta rrëqethëse, i shkruar nga një autor që flet për të kaluarën, me vështrim nga e ardhmja, duke u mirëpritur si pak libra të tjerë, gjë jo aq e zakontë, në ditët e sotme, e ka vulosur suksesin e plotë dhe e ka kapërcyer nevojën, për fjalën e kritikës.
Ky, dua të besoj që është dhe shpërblimi më i vyer, që i bëhet vuajtjeve të Visar Zhitit, pa të cilat, sido që kur kujt nuk do t`ia dëshironim, as edhe një ditë nga ato ku ai la rininë dhe ëndrrat e tij djaloshare, as letërsia jonë, nuk do të kish një vepër nga më të arrirat, as bashkëvuajtësit, nuk do të kishin një mbrojtës kaq të besueshëm dhe as liria e mendimit, nuk do të kishte një luftëtar kaq të zjarrtë, kaq erudit dhe kaq elokuent njëkohësisht. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016