Nga Arben Pustina
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
-Rrok Gera, një burrë shteti ashtu si duhet –
MINISTËR I EKONOMISË KOMBËTARE NË QEVERINË E KOÇO KOTËS
Memorie.al /Historiani Bernd Fisher, në dy librat e tij “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri” dhe “Shqipëria gjatë luftës 1939-1944”, jep detaje për negociatat në Durrës: “… Zogu u orvat edhe një herë të gjente ndonjë zgjidhje tjetër me italianët, duke i dërguar Guzzonit dy emisarë, siç kishte sugjeruar Mussolini. Aty rreth pasdites, nën mbrojtjen e atasheut italian, Zogu dërgoi ministrin e Ekonomisë Kombëtare Rrok Gerajn, si dhe kolonel Sami Kokën, për të biseduar me italianët në Durrës”. Po ashtu, Owen Pearson, në librin e tij “Albania in the Twentieth Century, a History”, shkruante për një përpjekje për marrëveshje mes palëve:
“…Një mision fuqiplotë nga mbreti Zog i përbërë nga Rrok Gera, ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe Samih Koka nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë shqiptare, të shoqëruar nga kolonel, Gabrieli, atashe ushtarak italian në Tiranë, u dërgua për t’u takuar me forcat italiane. Ata kërkuan të bisedonin me gjeneral Guxonin me qëllim që t‘i paraqisnin atij disa propozime të mbretit Zog për ndalimin e armiqësisë dhe për të hyrë në negociata lidhur me bazat e një marrëveshjeje ushtarake, e cila nga ana e saj do të çonte në bashkëpunimin e forcave italiane me ato të ushtrisë shqiptare. Këto propozime u transmetuan në Romë, por u refuzuan. Rrok Gera u kthye pasdite vonë në Tiranë dhe raportoi që ishte e pamundur të arrihej ndonjë marrëveshje…”.
Misioni i delegacionit shqiptar ditën e 7 prillit përmendet edhe nga Michael Schmidt Neke, në librin e tij me titull “Enstsehung und Ausbau der Konigsdiktatur in Albanien, 1912-1939”, ku ai shkruante se:…“Zogu i dërgoi komandantit, ministrin e Ekonomisë Kombëtare Rrok Gera, që në momentin e fundit të arrihej një marrëveshje.”. Për rolin e Rrok Gerës në bisedimet e 7 prillit me Guzzonin, është shkruar dhe nga historianë në periudhën e monizmit, si p.sh., në revistën “Studime historike”, në artikullin “Marrëdhëniet italo-shqiptare në prag të pushtimit fashist“, me autor Enver Gabën, si dhe në artikullin “Agresioni i Italisë fashiste”, me autor Viron Kokën.
Si përfundim, mund të thuhet që akti i bisedimeve të delegacionit shqiptar me në krye ministrin e Ekonomisë Kombëtare, Rrok Gera, mbetet në histori si përpjekja e fundit për të ndaluar pushtimin italian të 7 prillit 1939. Është për t’u theksuar ndërkohë se kjo ditë nuk përfaqësonte thjesht datën e një pushtimi të huaj, por ishte një datë që ndryshoi kryekëput rrjedhën historike të Shqipërisë, duke ndërprerë një rrugë zhvillimi të ndërmarrë mbi baza reformash të guximshme që synonin përparimin e vendit në të gjitha fushat. Edhe pas shumë e shumë vitesh, kur kujtonte diçka nga kaluara, ditën e 7 prillit 1939, Rrok Gera e konsideronte si ditën më të rëndë të jetës së tij.
Më 8 prill, Gera kaloi në territorin grek bashkë me familjen (gruan dhe vajzën). Bernd Fisher ka shkruar se Gera qëndroi në Tiranë, madje sipas tij, ministri i Ekonomisë Kombëtare shoqëroi trupat italiane që po hynin në kryeqytetin shqiptar dhe nuk u largua bashkë me Mbretin drejt Greqisë. Duket se Fisher është bazuar në disa raportime të ambasadorit të atëhershëm të ShBA-së në Tiranë, Hugh Grant, i cili shkruante se burime të besueshme, i kishin pohuar atij se ministri Gera kishte qëndruar në Tiranë.
Zakonisht, një ambasador është i saktë në ato që shkruan, ndaj dhe është i besueshëm në përgjithësi, por Tirana më 7-8 prill 1939, ishte në një situatë kaotike dhe mundësia për t’i marrë lajmet tjetër për tjetër, ishte e madhe. Që Rrok Gera u largua bashkë me shumë të tjerë drejt Greqisë, dëshmohet në proces-verbalet e mbledhjes së qeverisë shqiptare mbajtur në Larisa të Greqisë, dëshmohet nga ditarët e adjutantit të Mbretit, Hysen Selmani, të botuara në gazetën “Korrieri” në 2003, si dhe nga kujtimet e vetë vajzës së madhe të Gerës, e cila udhëtoi më 8 prill bashkë me prindërit e saj për në territorin grek.
Megjithëse kishte punuar për 10 vjet rresht në krye të financave e të ekonomisë së vendit, siç dhe dëshmoi vetë në seancën gjyqësore të Gjyqit Special të prillit 1945, ditën që u largua nga Shqipëria, ai kishte me vete një sasi parash që nuk e kalonte vlerën e 200 napolonave letër, dhe kjo ishte gjithë pasuria e tij. Në ditët e para të qëndrimit në Greqi, Rrok Gera nuk u shkëput nga kabineti qeveritar dhe në proces-verbalet e mbledhjes së qeverisë, mbajtur në Larisa, më 12 prill, ai figuron si ministër Financash, meqë kreu i deriatëhershëm i dikasterit të financave, kishte preferuar të qëndronte në Tiranë. Një ndër çështjet që u diskutua më së shumti në mbledhjen e parë të qeverisë shqiptare në mërgim, ishte mbështetja me të holla për atë pjesë të zyrtarëve të lartë që kishin mbetur pa strehë dhe pa para. Çështja në fjalë pasqyrohet në proces-verbalin e mbledhjes së Këshillit Ministror.
Nisur dhe nga kushtet familjare, Rrok Gera e pa të vështirë të vazhdonte aktivitetin e tij si ministër financash në mërgim, ndaj kërkoi të kthehej nga Greqia në Shqipëri, por autoritetet fashiste të pushtimit e detyruan atë të shkonte si i internuar në Itali. Këtë fakt e pohon dhe Bernd Fisher, kur shkruan se: Gera ndodhej i internuar në Romë, ashtu si dhe ish-kryeministri i tij, Mehdi Frashëri, apo ndonjë ish-ministër tjetër. Gjithashtu, vëllai i madh i Rrokut, Tefë Gera, ish-deputet i Parlamentit Shqiptar, në qershor 1939 u arrestua nga fashistët në Shkodër dhe u internua në një zonë të thellë të Italisë, Trasako, ku qëndroi pothuaj krejtësisht në izolim për rreth dy vjet e gjysmë. “Po të vdes këtu, mos m’i lini eshtrat në këtë vend të qelbur”, i shkruante Tefa familjes, gjatë kohës kur ishte në internim.
Edhe vëllai tjetër, Lac Gera, pas 7 prillit u pushua nga puna, megjithëse gruan e kishte me kombësi italiane. Pas disa kërkesave të përsëritura dhe deklarimeve se ai nuk do të merrej me aktivitet politik, autoritetet italiane i dhanë më në fund Rrok Gerës lejen për t’u kthyer në shtëpinë e prindërve të tij në Shkodër, bashkë me bashkëshorten Gjyljeta dhe dy vajzat. Në vitet në vazhdim, ai u mor me aktivitet tregtar privat dhe asnjëherë nuk pranoi të përfshihej në strukturat shtetërore, gjatë gjithë periudhës që fashistët italianë ishin pushtues në vendin tonë. Ndryshe prej tij, një numër personalitetesh të kohës së Monarkisë, pas 7 prillit, kthyen pllakën dhe u bënë pjesë e pushtetit që u ofronte pushtuesi, që atë kohë mendohej se do të ishte një pushtues afatgjatë.
Është interesante të shihet se si doktor Hubert Neuwirth, drejtor i referatit për Shqipërinë në Agjencinë Austriake të Zhvillimit, në librin e tij “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri (1939-1944)”, i kategorizon në disa grupe personalitetet politike shqiptare. Në pikën tre të kësaj ndarjeje, ai e rendit Rrok Gerën krahas figurave, si Faik Konica, Mehdi e Mithat Frashëri, Abas Kupi etj., të cilët, sipas Neuwirth, me pikëpamjet dhe aktivitetin e tyre përfaqësonin personalitetet më të ndershme e më të qëndrueshme në raport me vendin dhe çështjen kombëtare.
PËRPJEKJET PËR KOMBËTARIZIMIN E BKSH-së. MINISTËR FINANCASH NË QEVERINË E FIQIRI DINES
Në shtator 1943, Italia fashiste kapitulloi dhe në zonat e pushtuara më parë prej saj, në Shqipëri dhe Greqi, hynë trupat ushtarake gjermane. Në një konferencë shkencore të mbajtur në Tiranë, në maj 2009, me temë “Synimet e Gjermanisë naziste në Shqipëri, 1943-1944”, studiuesi Bernd Fisher, që konsiderohet si një ndër njohësit më të mirë dhe të paanshëm të historisë sonë të paraçlirimit, në një vlerësim të ri lidhur me këtë çështje, theksoi se kishte shqyrtuar një numër të madh dokumentesh gjermane dhe kishte arritur në përfundimin se, trupat gjermane në Shqipëri erdhën me të vërtetë me një sjellje të ndryshme nga ajo që kishin treguar në vende të tjera.
Fisher vëren edhe se nacionalistët shqiptarë, për hatër të interesave kombëtare, sakrifikuan shumë nga reputacioni i tyre politik, në kohën kur gjermanët ishin vendosur në Shqipëri: “…Çdo grup u afrua me gjermanët në emër të nacionalizmit. Roli i autoriteteve vendore ishte shumë i rëndësishëm. Gjermanët ishin të kujdesshëm për të zgjedhur figura vendase me të cilat mund të punonin. Dhe këta ishin njerëz që kishin brenda zemrave të tyre dëshirën për të mirën e Shqipërisë. Gjithë përpjekja e autoriteteve lokale ishte që të shpëtohej çfarë mund të shpëtohej.
Nacionalistët përfaqësonin “The Old tradition” dhe ata donin të ndalonin masakrat që kishin ndodhur në vende të tjera. Kurse për sa i përket anës së tyre politike, ajo ishte e gjitha në disfavor të tyre…”, theksoi Fisher në Tiranë. Në mbështetje të vlerësimeve të bëra prej tij, pohojmë se janë fakte të pakundërshtueshme që gjermanët në Shqipëri, në mënyrë absolute, nuk mundën të bënin atë që ata bënë me hebrenjtë në vendet e tjera të pushtuara prej tyre, pasi autoritetet shqiptare të periudhës së viteve 1943-1944, nuk pranuan të dorëzonin listat e hebrenjve që ndodheshin në Shqipëri në atë periudhë.
Tjetër fakt domethënës është se gjermanët nuk mundën të fusnin markën e tyre të pushtimit (Shqipëria ishte i vetmi vend, ku trupat e Wermahtit nuk përdorën “reichskreditkassenseheine”) dhe, për të mbuluar një pjesë të madhe të shpenzimeve të tyre, u detyruan të shisnin në tregun vendas, sasi të mëdha monedhash ari. Më kryesorja është se gjermanët, nuk mundën të krijonin një qeveri vërtet kukull, siç kishin bërë në vende të tjera. Sikurse do të shohim edhe më poshtë, në verën e 1944-ës, për shembull, ata nuk u pyetën fare për formimin e qeverisë së kryesuar prej Fiqiri Dines. Madje, në korrik 1944, përfaqësimi mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, u ngrit në rang ambasadorësh, shenjë e një statusi të veçantë të Shqipërisë në raport me gjermanët.
Nuk duhet të harrojmë gjithashtu edhe faktin që në atë kohë Kosova, ishte në një administratë me Shqipërinë. Është interesante të shihet se si e komentonte çështjen e raporteve shqiptaro-gjermane vetë i dërguari special i Gjermanisë për Europën Juglindore, Hermann Neubacher, në librin e tij me titull në origjinal “Sonderauftrag Südost, 1940-45” (Misioni special Juglindje, 1940-45). Në kujtimet e tij për këtë periudhë, Neubacher jepte dhe thelbin e pikëpamjes së tij për situatën e asaj kohe në vendin tonë, përfshi këtu dhe çështjen e statusit të asnjanësisë me Shqipërinë:
“…Mehdi Bej Frashëri, nëse më lejohet të jap mendim, ishte themeluesi i një kategorie të re në ligjin ndërkombëtar. Ai propozoi që Gjermania duhej ta njihte asnjanësinë e Shqipërisë. Ajo duhej të ishte një “asnjanësi relative”!…Nëse armiqtë e Gjermanisë do të sulmonin me trupa që kishin natyrë njësitesh ushtarake, si pjesë e vendimmarrjeve të autoriteteve shqiptare në favor të hebrenjve, Rrok Gera dha kontributin e tij në këtë drejtim, ndërkohë që ai edhe personalisht, ndihmoi dy miq të tij, bashkëshortët Hans e Ida Pollak, të largoheshin nga Shqipëria gjatë kohës së luftës dhe madje u dha me vete një shumë të konsiderueshme parash. Ishte atëherë, pra, që unë e përcaktova sovranitetin shqiptar si “sovranitet relativ”!
… Gjermania e njihte sovranitetin e Qeverisë shqiptare me një kufizim të vetëm; që do të na duhej t’i kundërviheshim një qeverie që u jepte mbështetje armiqve tanë. Për këtë arsye, sovraniteti i Shqipërisë ishte “relativ” në emër të sigurisë së trupave tona. Ramë dakord për këtë formulim dhe Shtabi i Përgjithshëm mbajti shënim zyrtar për “asnjanësinë relative” të Shqipërisë”. Këto pasazhe, Neubacher i kishte botuar në vitin 1956, pra në kohën kur ishte qytetar i lirë dhe e kishte kryer dënimin si zyrtar i lartë i Rajhut të Tretë, ndaj dhe vlerësimet e tij janë më të besueshme, krahasuar me kohën kur ishte në detyrë.
Historiani gjerman Christoph Stamm, në artikullin e tij me titull “Zur deutschen Besetzung Albaniens 1943- 1944”, thekson se qeveria shqiptare, pikërisht bazuar në pretendimin e saj për asnjanësi dhe pavarësi, kërkoi madje një vend në Komisionin e Kontrollit Aleat për Italinë, por nuk arriti të marrë një përgjigje. Në fillim të dhjetorit 1943, Radio Tirana u bëri thirrje Aleatëve që të ndalonin bombardimet me avionë mbi rrugët e Shqipërisë, për të mos shkaktuar viktima në radhët e civilëve. Për këtë çështje, qeveria shqiptare nisi një protestë edhe në Vatikan, ndërkohë vijoi përpjekjet që, edhe nëpërmjet Zvicrës, të bënte të ditur botërisht se Shqipëria nuk ishte në luftë me askënd.
Në përgjigje të një deklarate të Departamentit amerikan të Shtetit, bërë me rastin e 5-vjetorit të 7 prillit 1939, Agjencia Telegrafike Shqiptare hodhi poshtë çdo krahasim të pranisë së trupave gjermane me okupimin italian dhe u zotua edhe një herë për neutralitetin dhe sovranitetin shqiptar. Gjithsesi, në fillim të qershorit 1944, pas formimit të një divizioni shqiptar SS, Aleatët e gjykuan të nevojshme të vazhdonin shkëmbimin e deklaratave me qeverinë shqiptare, duke i lidhur tërthorazi ato me deklaratën e asnjanësisë së Shqipërisë. Kuptohet, sipas Stamm, që edhe këto veprime të qeverisë shqiptare nuk kishin aspak miratimin e autoriteteve gjermane. Duke i’u rikthyer objektit të kësaj monografie, pohojmë se Rrok Gera, i cilësuar shpesh si “deutsche kultur”, për shkak të formimit të tij në një ambient gjermanishtfolës, siç ishte Vjena, nuk u “sul” t’i mirëpriste gjermanët, kur ata erdhën në Shqipëri në vjeshtën e 1943-it.
Në atë kohë, ai merrej me tregti dhe me çështje familjare (njëri nga vëllezërit kishte probleme shëndetësore dhe ai e çoi për kurim në Austri, për një periudhë disamujore). Por Rrok Gera nuk mund të qëndronte indiferent, kur bëhej fjalë për çështje të rëndësishme ekonomike e financiare në interes të vendit. Në këtë kuadër, një iniciativë madhore e ndërmarrë prej tij gjatë 1944-ës ishte ajo për zbatimin e projektit për kombëtarizimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Për të pasur një ide se çfarë rëndësie do të kishte për vendin kombëtarizimi i BKSH-së, citojmë këtu Dhimitër Paskon, konsulent teknik pranë kësaj Banke, i cili në një artikull të tij lidhur me këtë temë, theksonte: “…është e tepërt të nënvizojmë vendin qendror që zë banka e emisionit në një shtet. Duke pasur në dorën e saj politikën e monedhës dhe të kreditit, veprimi i saj është vendimtar për ekonominë e vendit. Kuptohet vetiu se një organ i tillë ka dhe rëndësi dhe mundësi politike të jashtëzakonshme”.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste, në shtator 1943, pozitat e kapitalit italian në BKSH filluan të lëkundeshin gjithnjë e më shumë, sidomos me kristalizimin e projekteve për kombëtarizimin e kësaj Banke nga ana e qeverisë shqiptare. Në atë periudhë, qarqet financiare italiane kishin hartuar plane strategjike që synonin ruajtjen e interesave të tyre, brenda dhe jashtë Italisë, pra dhe në Shqipëri, të cilën mendonin ta mbanin si zonë të influencës së tyre edhe pas luftës. Nga kjo pikëpamje, drejtuesit italianë të BKSH-së kishin marrë direktivë që të bënin të gjitha përpjekjet për të ruajtur të pacenuara interesat e grupit financiar italian.
Përballë presionit të projekteve për kombëtarizimin e BKSH-së, drejtori Ettore Meliss, i shkruante Romës: “…Pikëpamja jonë mund të përcaktohet në këtë mënyrë: njeriu i plagosur dhe njeriu i vdekur. Kemi akoma në dorë njeriun e plagosur (Bankën Kombëtare të Shqipërisë), i cili mund të merret nëpër këmbë e të copëtohet. Por përderisa është vetëm i plagosur, qoftë edhe rëndë, mund të shpresojmë që ta dërgojmë në spital, ta kurojmë dhe mirë ose keq, ta ngremë në këmbë… Qeveria (italiane) nuk mund të harrojë interesat e pafund dhe jetën e shumë italianëve që ndodhen këtu. Italia nuk mund të harrojë (fatkeqësisht duket se deri tani ka harruar), një A.I.P.A., kaq ndërmarrje, funksionarë e punëtorë e të heqë dorë nga mbetjet e fundit të dinjitetit tonë”.
Mjafton të lexosh këta rreshta për të kuptuar se çfarë shqetësimi kishin në ato momente drejtuesit italianë të BKSH-së, ndërsa më poshtë do të shihet qartë edhe vendosmëria e tyre për të përdorur çfarëdolloj mjeti për të ruajtur interesin e vet. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016