Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e një
Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!
Dokumenti sekret me planin e masave agjenturale-operative të miratuara nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, Flamur Sinojmeri, për survejimin e të dënuarit Xhavit Qesja në burgun e Burrelit
APROVOHET “SEKRET”
KRYETARI DEGËS P. BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
FLAMUR SINOJMERI Burrel 8/2/1974
PLAN – MASASH AGJENTURALO OPERATIVE NË DREJTIM TË PËRPUNIMIT 2/A XHAVIT QESJA
Përpunim 2/A, Xhavit Qesja është ngritur nga kontroll operativ 2/B, për arsye se tregonte aktivitet armiqësor kundër pushtetit tonë popullor.
Me qëllim që të bëjmë të mundur të zbulojmë, dokumentojmë dhe ndërpresim këtë veprimtari armiqësore prej armiku, nga ana jonë mendojmë të merren këto masa agjenturale-operative:
- Meqenëse Xhaviti punon si përkthyes me agjentin “Beni” dhe gjithë kohën e kalojnë bashkë dhe objekti ka krijuar shoqëri të mirë me “Benin”, të pregatitet një vijë sjellje e studiuar, duke patur si bazë bisedat e zhvilluara me Xhavitin, me qëllim për ta futur më thellë në përpunimin e tija dhe zbatimi i vijës së sjellje nga B.p., të përgjohet e me T.O. i interesuar për të dy, si për besnikërinë e B.p. dhe për të dëgjuar bisedat e Xhavitit.
Kryen P.Op. deri në nëntor 1974.
- Meqenëse nëna e tij i vjen për takim, të bëhet përgjimi i bisedave të tij me T.O.
Kryen P.Op. E. Lata. Detyrë e vazhdueshme.
- Të porositet agjenti “Beni”, që të bisedojë me Xhavitin për çështje ndërkombëtare, si edhe situatën aktuale të vendit tonë.
Kryen P.Op. E.Lata detyrë e vazhdueshme.
- Të mbahet nën kontroll e gjithë korrespondenca e tij.
- Mbi bazën e të dhënave që do të dalin në drejtim agjentin “Beni” dhe kur do të pasqyrohen edhe lidhjet miqësore e shoqërore të korrespondohet me rrethet përkatëse. Kjo sipas interesit të punës.
Kryen P.Op. Esat Lata. Detyrë e vazhdueshme.
Të sigurohet dorëshkrimi i tij dhe çertifikata familjare deri në shtator 1974.
PUNËTORI OPERATIV SHEFI I SEKSIONIT
ESAT LATA RAMIZ HOXHA
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Esat Lata, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Beni”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja me të dënuarit e tjerë në burgun e Burrelit!
DHËNË Agj. “Beni”
MARRË P.Op. Esat Lata
Burrel më 16/3/1974
Nr.191
R A P O R T
Ai raporton se gjatë bisedave që ai ka zhvilluar me Xhavit Qesen kohët e fundit, Xhavit Qesja duke shtjelluar bisedat sidomos për ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe vizitat e Kizingerit dhe Gromikos në këto vende, shprehet mbi rolin e dy superfuqive në këtë formë: Është fatalitet i pa shmangshëm armatosja gjer në dhëmbë e dy superfuqive, por jeta ka treguar se kjo po sjell paqen në botë. Kështu veprojnë shumë drejtë amerikanët dhe sovjetikët, që diktojnë pushimin e zjarrit dhe ç’angazhimin e forcave në Lindjen e Mesme.
Kur është fjala për të mos derdhur gjak njeriu (Xhaviti nuk pranon të bëjë dallimin ndërmjet luftërave të drejta dhe atyre të pa drejta). Dy superfuqitë bëjnë mirë që përdorin të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe ndërhyrjen në punët e brendshme dhe shantazhet, për t’i detyruar udhëheqësit arabë që të pranojnë bisedimet, si të vetmen alternativë të zgjidhjes së problemit, Xhaviti i quan aventurier udhëheqësit arab që vendosën embargo e naftës dhe sidomos atë Siriane, që nuk kanë pranuar deri tani të fillojnë bisedimet për ç’angazhimin.
Megjithëse ai mendon se kjo është vetëm çështje kohe dhe do të bëhet jo vetëm ç’angazhimi në Golan, por edhe tërheqja në kufijtë e 1967-ës. Për të arritur qëllimet e përbashkëta në këtë rajon, Xhaviti mendon se dy superfuqitë i kanë koordinuar përpjekjet e tyre (Shembull tipik vizita e Gromikos në Washington dhe vizita e Kizingerit dhe e Gromikos në Lindjen e Mesme dhe në Siri sidomos).
“BENI”
Vlerësimi i të dhënës:
Kjo e dhënë ka vlerë operative për faktin se Xhavit Qesja ngre lart rolin e dy superfuqive, si të vetmit për vendosjen e rendit të paqes në Lindjen e Mesme.
DETYRË: B.p. Ju dha si detyrë që me gjithë elementin anti-parti, të krijojë marrëdhënie të mira shoqërore.
Në problemet shoqërore të tyre të mos tregohet iniciatorë kryesorë dhe i predispozuar për ti zgjidhur vetë B.p. me komandën.
Të mos tregohet llafazan dhe kërkues jashtë kufijve po ashtu edhe për materialet e përkthimit, por t’i lihet më shumë rast të kërkojë Xhaviti.
Bisedat e zhvilluara të mos ja lëmë spontanitetit, por të bisedoni vazhdimisht dhe të mos presin veç gjëra të rastit që mund të dëgjon dhe kjo të bëhet, biseda, në mes tre a po më shumë personave, për të zbuluar pikëpamjet e tyre.
Të krijoni marrëdhënie të mira me Bedriun dhe Dhimitër Kotefën, me të cilët keni patur fërkime, po ashtu edhe me Halimin.
MASAT OPERATIVE
E dhëna ku bëhet fjalë për Xhavitin, u shtyp në një kopje dhe u vendos në dosjen formulare të tij.
PUNËTORI OPERATIVE
ESAT LATA
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, Ramiz Hoxha, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Radohima”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja dhe të dënuarit e tjerë në burgun e Burrelit
DHËNË Agj. “RADOHIMA”
Marrë nga Ramiz Hoxha
Burrel më 22/5/1974
Nr.199
R A P O R T
Ai raporton se më datën 17/5/1974, e pyet Xhavit Qesen se pse është dënuar. Xhaviti i thotë atij se: në kohën që u bë Kongresi i XX-të i Bashkimit Sovjetik, kam qenë në Moskë në Shkollën e Partisë dhe isha pro tezave të këtij Kongresi dhe ish e pa mundur, të mos mbaje qëndrim pro këtij kongresi.
Gjithashtu Xhaviti i thotë atij se në këtë kohë ka patur në Shkollën e Partisë edhe polakë dhe me qenë se Beleslov Bieruti ish në Kongresin e XX-të, e kërkuan gjithë polakët që ishin në Shkollën e Partisë, për të dhënë llogari për vrasjet që ka bërë dhe meqenëse s’kish rrugë dalje tjetër thotë Xhaviti, ka mbytur veten Boleslov Bieruti dhe nuk ka vdekur, ashtu siç kanë shkrojtur gazetat.
“RADOHIMA”
VLERËSIMI I TË DHËNËS:
Xhavit Qesja përkrah pikëpamjet revizioniste të Kongresit të XX-të të Bashkimit Sovjetik.
DETYRË: Bisedoni përsëri me Xhaviti dhe i thoni se në thelb cilat ishin pikëpamjet e Kongresit të 20-të të Bashkimit Sovjetik, pasi ne nuk kishim mundësi t’i lexonin.
MASAT OPERATIVE
Pjesa ku bëhet fjalë për Xhavit Qesen, u shtyp në një kopje dhe u vendos në dosjen formulare të tij.
PUNËTORI OPERATIV
ESAT LATA
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Esat Lata, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Beni”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja me të dënuarit e tjerë në burgun e Burrelit
Dhënë agjenti “BENI”
Marrë P.Op. Esat Lata
Burrel më 7/8/1974
Nr.193
R A P O R T
Ai raporton se më 10 korrik 1974, kur për herë të parë na u përmend emri Beqir Balluku në telegramet dhe mungoj edhe në mbledhjen solemne, ai e bisedoi këtë me Xhavit Qesen. Xhaviti i tha: Patjetër ka ngjar diçka e rëndë me Beqirin dhe shprehej më keqardhje për atë që mund t’i ketë ndodhur Beqirit.
“Beqirin e njohë nga afër në Batalionin “Krujë – Ishëm”, pas prishjes së Brigadës së Dytë. Sipas Xhavitit, Beqiri, është babaxhan, i thjeshtë, besnik, i udhëheqësit kryesor të Partisë, nuk është njeri i komploteve dhe i prapaskenave; nuk mund ta marr me mend se ç’mund të ketë ndodhur me të, ndoshta ka vrarë veten, ka qenë një nga shokët kryesorë të udhëheqësit kryesor dhe të shokëve të tjerë të Partisë.
Me udhëheqësin kryesor të Qeverisë, nuk kam shkuar asnjë herë mirë, por udhëheqësi kryesor, nuk e sakrifikon për hir të udhëheqësit kryesor të shtetit, përkundrazi, e ka mbajtur sa kundër peshë edhe tani nuk ka ndodhur kjo, edhe Ministrinë e Mbrojtjes do ta ketë vetë, nuk ja lëshon udhëheqësit kryesor të qeverisë, prandaj doli vet në pah në rolin e Kryekomandantit të Ushtrisë.
Te Beqiri mund të jetë grumbulluar diçka prej kohësh dhe të ketë shpërthyer, ose pa shpërthyer të ketë vrarë veten. Kaq besim ka patur udhëheqësi kryesor i Partisë tek Beqiri, sa që me atë udhëheqësi i këtyre ka biseduar edhe gjëra që nuk i bisedonte me udhëheqësin e qeverisë, madje edhe kundër tij.
Gjithashtu Xhaviti mendon se udhëheqësi i Partisë, nuk i beson udhëheqësit të shtetit, por e mban se i duhet si dorë e fortë, por duke e mbajtur gjithnjë në zap, këtë e di edhe udhëheqësi i shtetit edhe nuk pretendon për rol të parë, bile në këto situate nuk guxon të dal i pari në kritike, se udhëheqësi i Partisë ia tregon vendin.
Pas plenumit të katërt, nuk është se fitoi vija e forcës e udhëheqësit kryesor të qeverisë, i desh udhëheqësi i Partisë, pasi e pa se me liberalizmin po i shkiste situata nga duart, që e bëri kthesën kundër liberalizmit. Udhëheqësi kryesor i qeverisë, vetëm përfitoi nga kjo, por edhe këtu pa guxuar të dalë si flamurtar i situatës dhe për këtë ka mësues të mirë dhe dinake, të shoqen.
Sikur të ishte prezent në bisedën e tyre dhe të dëgjojë të shoqen që i thoshte udhëheqësit të qeverisë. Në Byro mos flit kurrë i pari, për të kritikuar anëtarët e tjerë që janë prekur nga liberalizimi, si udhëheqësit e tjerë të partisë (duke përmendur disa prej tyre), bile të flasësh pas (duke përmendur njërin nga shokët e sekretariatit të K.Q.).
Përfundimisht, sot e kësaj dite Xhaviti nuk mund të konceptojë se ç’mund të ketë ndodhur me Beqirin. Përsa i përket shokëve të tjerë të Partisë, nuk mendon që mund të ketë ndodhur ndonjë gjë serioze, që të ngrihet kundër udhëheqësit kryesor të Partisë. Kur mori vesh për emërimin në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Sami Meçollarit, të pa njohur, Xhaviti tha: “Shumë mirë që e emëruan një njeri të ri në këtë post”.
“BENI”
VLERËSIMI I TË DHËNËS:
Kjo e dhënë ka vlerë pasi të dënuarit që implikohen, se në udhëheqjen e këtyre ka kontradikta, se këto nuk i besojnë njeri tjetrit dhe se ka rëndësi ka që po ndodhin kontradikta në udhëheqjen e këtyre.
Detyrë: Agjenti u porosit që të bisedojë se si do t’i komentojë Xhaviti problemet e Plenumit të V-të të Partisë.
MASAT OPERATIVE
Pjesa ku bëhet fjalë për Xhavit Qesen, u shtyp në një kopje dhe u vendos në dosjen formulare të tij.
PUNËTORI OPERATIV U PA
ESAT LATA 10/8/1974 I. Musta
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, Esat Lata, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Radohima”, lidhur me bisedat e bëra nga Xhavit Qesja dhe të dënuarit e tjerë në burgun e Burrelit
DHËNË B.p. “RADOHIMA”
Marrë P.Op. Esat Lata
Burrel më 27/8/1974
Nr.194
R A P O R T
Ai raporton se më datën 23/8/1974, gjatë një bisede me Xhavit Qesen, Xhaviti i tha atij, se shteti Shqiptar nuk zbaton ligjet ndërkombëtare, po lëri këto, por nuk zbaton edhe ligjet që i ka vënë vetë.
Nuk më vjen keq për vdekjen, por më vjen keq për vendin që ndodhet midis Romës dhe Athinës dhe po vuan midis dy vendeve më të kulturuara Europiane.
Edhe populli nuk është gjë, është pa vitalitet. Popull me vitalitet është populli Polak vetë e vuri Gomulkën dhe vetë e hoqi, kurse tek në s’ka luajtur asnjë herë që mbas çlirimit.
“RADOHIMA”
Vlerësimi i të dhënës:
E dhëna ka vlerë sepse Xhavit Qesja shprehet se populli Shqiptar po vuan.
Detyrë: B.P. nuk ju dha detyrë sepse i janë ngarkuar edhe detyra të tjera.
MASAT OPERATIVE
Pjesa ku bëhet fjalë për Xhavit Qesen u shtyp në një kopje dheu vendos në dosjen formulare të tij. Memorie.al
U PA PUNËTORI OPERATIV
28/8/1974 I.Musta ESAT LATA
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016