Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formularë dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën vëzhgim të rreptë?!
Raport-informacion i nënoficerit të Sigurimit të Shtetit, aspirant Themo Kongjoni, lidhur me personat që takohej Tuk Jakova në qytetin e Beratit dhe ata që i shkonin për vizitë në shtëpi
SHËNIM PËR GJENERALIT ETET E TUK JAKOVËS
Tuk Jakova, i biri i Markut dhe i Çiles, lindur në Shkodër më 20.2.1914, me profesion Zdrukthëtar, sot përgjegjës i repartit prodhimit pranë Zdrukthëtarisë të N.I.L. Prodhimeve të Ndryshme të Beratit. Mban revolver marka “Goold Amerikan” Germa X-X-Nr.39.666, kalibër 7.65 me gjashtë copë fishekë.
Mban armë gjahu të shkurtër, kalibër 12 Marka “N.A. Sentetien” 18.4 A 3092.
R a p o r t
Më datën 26.6.1955, kishte vajtur në shtëpinë e Tuk Jakovës, major Rustem Harizaj bashkë me gruan e tij. Ky e pa të shoqen e Tukut të mërzitur dhe i foli duke i thënë; ‘mos u mërzit duhet të bëhesh burrneshë, se Partia kështu e ka’ dhe Tuku i tha se; jo, pse të mërzitemi, gabimin që kemi bërë do ta vuajmë.
- Mos të shkofshin këmbët…
- Mua më vjen keq se ka merita…
- Paraqitet shumë i mërzitur nuk ha …
- Kur u pyet Tuku nga major Rustemi, përse kini ardhur, Tuku i tha për çështje të historisë së Partisë…
Aspirant
Themo Kongjoni
Raport-informacionet e nënoficerit të Sigurimit të Shtetit, marshall Tefik Xhuli, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës në qytetin e Beratit, si dhe personat që e vizitonin atë në shtëpinë e tij dhe bisedat që zhvillonin me njëri tjetrin
R a p o r t
Me datën 26/VI/1955, ora 15.30, në shtëpinë e Tuk Jakovës, ka shkuar për një vizitë, i vjerri i major Rustem Harizit, i quajtur Pasho Hysi, i biri i Halimit dhe i Zilikos, me ditëlindje 1890, lindur në katundin Vërzhezhë të Skraparit, ka ardhur në Berat, më 15 nëntor 1944, më parë ka qenë Anëtar i Komitetit Ekzekutiv, ai sot shet pulla monopoli në një barakë karshi P.T.T.-së tash familjarisht banon në lagjen “8 Nëntori”, Nr.10 i shtëpisë, Rruga “Latif Muska”.
I përmenduri pasi ndenji afro 15 minuta tek Rustemi, dolli dhe vetë vajti në dhomë brenda të Tukut, atje ka ndenjur afërsisht një orë dhe mandej dolli dhe direkt iku pazarit. Vlen të thuhet se më pare, Karaman Ylli, kish marrë për grua të bijën e Pashos, të quajturën Sabrije Hysi, me datëlindje 1923, që dhe kjo atë ditë ka qenë tek e motra, të cilën ky i fundit (Karamani) e ndau Sabrijen dhe sot ajo qëndron pranë familjes, me punë nëpunëse në Bashkimin Tregtar të Qarkut.
Gjithashtu në datën 27/VI/1955, ora 10 para dite, me veturë nga Tirana, kanë ardhur për vizitë tek Tuku, 3-4 persona, për të cilin është thënë se ishte i vëllai Kol Jakova, por unë vetë nuk i pashë këta.
Berat, më 28/VI/1955
Marshall
(Tefik Xhuli)
R a p o r t
Më datën 25 dhe 26.6.1955, ditën e djelë në orën e mbrëmjes, Tuk Jakova, së bashku me gruan e tij, shkoi për vizitë tek major Rustem Harizaj, të cilin e pashë kur ai dolli nga shtëpia e tij dhe hyri në shtëpinë e vet, por se sa ndenji dhe çfarë bisedoi ai atje, nuk di gjë.
Ditën e parë që erdhi Tuku, major Rustemi i vizitoi këtë, me gjithë shoqen e tij dhe se ky, po me atë ka bërë 2-3 xhiro, me veturën e ish Tukut në pazar, mendoi se ky mund tingëllonte ndonjë send. Vlen të theksohet se ky për disa ditë rresht, ka futur pjesërisht në shtëpi, plaçkat e Mehmet Mestanit, i cili u qit me vendim nga shtëpia dhe deri më sot ai nuk pranon të vijë, në shtëpitë ku e ka caktuar pushteti.
Gjithashtu dhe dje me dt. 29.6.1955, mbas dite, pashë që u nis për tek e motra Sabrije Hysi (tek Kabineti i Partisë), kur unë vajta në shtëpi mësova, që ajo mbasi mori dhe të shoqen e Rustemit (të motrën), vajti tek Tuku, duke ndejtur afërsisht një orë, me të vjehrrën e Tukut në korridor.
Berat 30.6.1955. Tefik Xhuli
R a p o r t
Më dt. 30.6.1955 në ora 20.00 erdhi nga Fieri në Hotel “Moska” me shërbim, në Bashkimin Tregtar të Qarkut Berat, Petro Leka, i biri i Andreas dhe i Anastasisë, me datëlindje 1909, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me detyrë Kryetar Dege në Ministrinë e Tregtisë.
I sipërmi, ka ikur ka disa ditë nga Tirana dhe nuk dinte se ku kishte zënë vend banimi, Tuk Jakova, kështu që dhe për datën 1.7.1955, pagoi lekët për të shoqen e Tukut, i cili e ka motër, erdhi në shtëpi në orën 2.30 dhe me një herë përqafoi fëmijët e Tukut dhe hyri brenda në dhomë, atje ka ndejtur gati dy orë dhe dolli përsëri. Në mbrëmje u pa përsëri Tuku, në orën 21. Në mëngjes i shoqëruar me Tukun, dualën pazarit.
Para se të dukej Petrua, trokiti në derën e Tukut, major Rustem Harizi, i veshur civil me gjithë të shoqen dhe hynë brenda. Vlen të theksohet, se e shoqja e Rustemit, është A.P. dhe një natë më parë, kishin bërë mbledhjen e organizatës bazë në Degën Ushtarake, ku ishte punuar vendimi i Plenumit të Komitetit Qendror, ajo në mbarim të mbledhjes, i kishte thënë një majori (të asaj organizate) që unë nuk kam se si e pres vajtjen dhe ardhjen tek Tuku, kam vajtur dhe do të vete. Këtë e ka deklaruar vetë, dy orë para se të vinte tek Tuku. Sa ndejtën dhe ç’biseduan nuk dihet.
Datë 2.7.1955 Tefik Xhuli
Raport-informacion i Drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut të Beratit, major Zylfi Salihu, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe bisedat që ai zhvillonte me personat që e takonin
Nr.2064 – 4.7.1955
Dega III Tiranë “Tepër sekret”
RELACION
MBI ARDHJEN E TUK JAKOVËS NË QYTETIN E BERATIT
Më datën _______ 1955, erdhi në qytetin e Beratit, Tuk Jakova, i cili ish caktuar, qysh nga lart përgjegjës i sektorit të prodhimit në Zdrukthëtarinë e këtij qyteti.
Atë natë (edhe pse erdhi vonë), njerëzit që banonin n’atë lagje, nuk dinin asgjë për të, shkuan dhe e ndihmuan për shkarkimin dhe vendosjen e orendive familjare. Gjatë bisedës dhe duke ju përgjigj pyetjes së njerëzve, pse kishte ardhë në Berat, u përgjigj: “Kam ardhur me punë e me u bind”.
Jorgji Lekuta, përgjegjës i Bashkimit Profesional po në këtë zdrukthëtari, duke parë Tukun që punonte, dy ditë mbas ardhjes së tij i thotë: “Shoku Tuk, boll kini punuar ju, u lodhët, tash do punojmë ne për ju”. Nga vet bisedat që ka bërë më vonë Jorgji, thotë se si nuk kishte asnjë qëllim, në këtë drejtim por vetëm nga paqartësia e tij, rreth qëndrimit që duhej të mbante karshi Tukut.
Tuk Jakova është shoqëruar deri në Berat nga Dhora Leka (kunata e tij).
Qysh ditën e ardhjes së Tukut në Berat dhe me qenë se u vendos në një pallat, ku apartamenti tij është afër, me atë të major Rustem Harizit nga Skrapari dhe Kryetar i Degës Ushtarake të Rrethit Berat, ndërmjet këtyre shihet të bëhen marrëdhënie familjare.
Më dt. 26./VI/1955, i quajtur Pasho Hysi, ish-deputet i Zogut edhe shefi Financave në Berat, sot me pension patriotik, ka përkrahur Lëvizjen, elementë me pikëpamje jo shumë të qarta dhe oportuniste, shkoi për vizitë tek major Rustemi të cilit i ka dhënë për grua, të bijën e tij, mbas pak dolli dhe shkoi për vizitë tek Tuku, ndenji rreth një orë dhe gjatë qëndrimit atje, nuk dimë asgjë se çfarë u bisedua.
Mbasi u largua, Pashua shkoi dhe major Rustemi dhe i bëri një vizitë familjes së Tukut (me gjithë të shoqen e vet). Gjatë bisedave majori në fjalë, duke parë se Tuku dhe familja e tij ishte i mërzitur, filloi tu flas dhe t’i inkurajojë, duke u thënë veçanërisht gruas së Tukut: “Mos u mërzit, duhet të bëhesh burrneshë, se Partia kështu e ka”. Në këtë rast, Tuku e ndërpreu duke i thënë se: “S’kemi pse të mërzitemi, gabimin që kemi bërë do ta vuajmë”.
Në një bisedë që major Rustemi, pati me toger Thanas Thodhoraqin, shefi Sigurimit të Regjimentit këtushëm, me datën 29/VI/1955, ndërmjet të tjerash, filloi biseda rreth gjendjes së Tukut, ku major Rustemi tha: “Tuku është shumë i mërzitur, nuk ha dhe nuk pi, mua vazhdon ai, më vjen keq se ka merita lufte dhe se ne kështu e kemi, po të shkanë këmbët, nuk të shef njeri me sy”.
Një ditë tha ai, e pyeta Tukun përse kini ardhur këtu, (këtu e kishte fjalën për masën që mori Partia), Tuku u përgjigj: për çështjen të Historisë Partisë”.
Më datën 27/VI/1955, ora 10.00 paradite, me një veturë kanë ardhur për vizitë tek Tuku, 4 vetë nga Tirana, ndërmjet të cilëve ka qenë dhe Kol Jakova dhe po të njëjtën ditë janë larguar përsëri për Tiranë.
Duke patur parasysh se major Rustem Harizaj është element i ulët nga ana ideologjike, do të presim të sqarohet n’organizatën e Partisë. Në rast se do të vazhdojë këtë qëndrim, atëhere do të mendojmë për masa të tjera, duke vënë në dijeni edhe atë dikaster.
Koncept Vasil Shiko DREJTORI P. BRENDSHME QARKUT
Berat më 2/VII/1955 MAJOR
(Zylfi Saliu)
Raport-informacion i krye referentit të Sigurimit të Shtetit, nëntoger Fetah Karafili, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës gjatë ardhjes së tij në qytetin e Tiranës
R A P O R T
Mbi survejimin e Tuk Jakovës me pseudonimin (“Krokodili”)
Dita e parë e survejimit datë 6.VII.1955
Survejimi filloi në shtëpinë e Kol Jakovës, të vëllait të tijë në rrugën “Hoxha Tasim” Nr.165.
Në orën 16.25’ “Krokodili” dolli nga shtëpia e Kol Jakovës Nr.165, përshkoj rrugën “Hoxha Tasim”, sheshi “Avni Rustemi”, Rrugët “Xhoxhi Martini”, “Myrtesin Këlliçi”, “Labinoti”, “Ismail Qemali” dhe në orën 16,45’ u fut në Kryeministri.
Në ora 23.00 “Krokodili” dolli nga Kryeministria, përshkoi rrugët: “Bulevardin Stalin”, “Alqi Kondi”, “Xhoxhi Martini”, sheshi “Avni Rustemi”, “Hoxha Tasim” dhe në ora 23,20’ hyri në shtëpinë e Kolës dhe gjatë orëve të natës, nuk ka bërë as një lëvizje.
Dita e dytë e survejimit datë 7.7.1955
Në orën 6,15’ “Krokodili” doli nga shtëpia e Kolës së bashku me gruan e tijë dhe një vajzë të vogël, “Krokodili” në dorë mbante një valixhe, ndërsa e shoqja mbante në dorë një shport të mbushur me sende ushqimore, përshkruan rrugët “Hoxha Tasimi”, sheshin “Avni Rustemi”, “Shinashi Deshnica”, çarshisë “Topalli”, “Barrikada” dhe në orën 6,45’ shkuan në Stacionin e Trenit, ku aty hipën në vagon të klasit I-rë dhe në orën 10,30’ mbërrinë në Rrogozhinë, ku shkuan në axhensinë e auto buzave.
Në orën 10,50’ “Krokodili” hyri në dyqanin e pastiçerit privat, Xhavit Nela, këtu qëndroi 0,25’ dhe përsëri shkoi në axhensi. Në ora 11,10’ “Krokodili” u takua me Aspirant Lamçe Mehmetin, efektiv i repartit Nr.100 Durrës, me të cilin bisedoi 0,5’. Në orën 11,20’ “Krokodili” u takua me Sefer Alushin, marshall i komunikacionit të Degës Lushnjës, me të cilin bisedoi 0,3’, Seferi u interesua që i gjeti makinë, për në Berat.
Në orën 11,40’ “Krokodili” së bashku me gruan e tijë dhe vajzën, hipën në kamionin Nr. 60-30 Zis, targa Berati. Dhe në orën 13,40’ kamioni qëndroi në Bulevard të Qytetit Beratit, këtu zbritën nga makina dhe në orën 13,45’ shkuan në shtëpinë e tyre, këtu survejimi u ndërpre dhe u njoftua zëvendës Kryetari i Drejtorisë Qarkut Beratit, Major Petrit Arbana, për objektin që erdhi në atë qytet, për të marrë masat e tyre ata vetë. Memorie.al
Tiranë, më 9/VII/1955
KRYE REFERENT I SURVEJIMIT
N/TOGER
Feta Karafili
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016